Nga Arjan Th. Kallço/
Arisit i ndodhte shpesh të shkonte në zyrën e mikes së vet që punonte diku në katin e tretë të një shkolle të lartë në periferi të qytetit, pasi aty gjente mundësi të punonte, edhe për pak kohë, mjaft që të hidhte disa rreshta në memorien e një disku të çuditshëm katror, kur ruante gjithçka. Ishte mësuar të punonte me makinë shkrimi, prandaj tastiera nuk ishte më problem për të, por ai send plastik i zi, i hollë dhe me një kapsë metalike brenda së cilit kishte një copë celuloidi të errët, ia shtonte kërshërinë, sesi mund të memorizonte gjithë punën e një libri. Në atë zyrë kishte një kompjuter me të cilin ishte e pamundur të ndahej gjatë ditëve të punës, si diçka e re kur të vjen në jetë, ndihesh shumë i tërhequr pas tij, dersisa një risi tjetër të ta shpallë joshjen e vet, duke e harruar të mëparshmen. Duke shtypur nuk e shikon sesi koha merr tjetër nocion në jetën tënde, ka filluar kursimi i saj në mënyrë përbindëshe. Kur e ke kohën me tepëri, edhe jeta ecën vërtet ngadalë, por kur ajo fillon e të vrapojë mes risive, atëherë e kupton se ato me kursimin, ta kanë hedhur në ritëm. Nëse më parë fletët e panumërta ishin një problem serioz, jo vetëm bezdie, që t’i mbaje me vete, tash dhjetra faqe fletoresh apo librash i kishe gati në çdo çast në një send të pakuptimtë në xhep. Arsi mundohej ditë pas dite të hidhte në arkiv materialet e tij të shumta për t’i patur për leksione, si dhe përkthime për botim, nëse do të gjente ndonjë mundësi të shpejtë për ta nxjerrë libër.
Pasi e përshëndeste me një kortezi të pashfaqur më parë, ia jepte dorën si shenjë të një miqësie të sigurtë që nuk do të dëshironte kurrë ta ndërronte dhe aq më pak ta humbte. Gjendemi shpesh në jetë, për shkaqe shpesh të papërfillshme për disa, por tepër serioze për të tjerët, në rrethana që miqësia zgjat edhe një ditë të vetme dhe në fund të saj, të lë shëndenë, mes zhgënjimesh që shpesh edhe të plagosin. Natyrisht në një ditë nuk ke njohur asgjë prej mikut fantazmë, por gjithësesi disa veprime për të kuptuar natyrën e tij, tashmë është vështirë të fshihen nga kujtesa për disa kohë. Shija e hidhur nuk të lë që ta kapërcesh hendekun dhe sado të përpiqet të afrohet, zvërdhepsja është roja efikas që të shpëton nga trauma të ardhshme.
Mirëmëngjes Lidia, si je? Si të ecin punët sot? A po lodhesh ndopak me punën e re? Ndërsa e pyeste vinte re se Lidia e shihte gjithmonë drejt në sy kur kishte kohë, shenjë e mirë e sinqeritetit – mendonte ai me një pamje gëzimi. Nëse personi që ke përballë t’i fsheh sytë, hipotezat në kokë janë të shumta, druhet nga prania, ose kërkon të fshehë diçka nga frika se shikimet e drejtpërdrejta do t’ia zbulojnë. E qindra mendime të tjera, shpesh racionale e mbyllin debatin brenda vetes me një të rënë të shkopit. Kur ajo nuk kishte kohë dhe punonte për ndonjë material që i duhej ta përgatiste shpejt, e kthente vetëm kokën, e përshëndeste dhe e ftonte të ulej sa të mbaronte punë.
Mirë faleminderit, po ti? – përgjigjej ajo me një ëmbëlsi tepër të natyrshme, por me një dialekt të theksuar karakteristik që tek Arsi ngjallte një lloj buzëqeshje, për të të pakuptimshme. Ndoshta ajo e kishte pyetur veten kush e di sa herë për atë buzëqeshje pas fjalëve të saj, por nuk kishte guxuar që ta pyeste. Kishe ndonjë orë më parë apo ke tani?
Nuk kishte shumë kohë që e njihte dhe çdo pyetje e pavend, mund ta prishte këtë njohje që mesa dukej u pëlqente të dyve. Por të dy e dinin se jo shumë larg shpjegimet do të ishin të pashmangshme. Në jetë, nëse me një mik të ngjiz muhabeti që në takimet e para, dije se e ke përgjithmonë të ngushtë. Nuk jemi ne që e kërkojmë me insitim apo me selektim miqësinë, janë zemrat ato që e bëjnë vetë zgjedhjen. Kur ndihesh keq, pa humor, mjafton t’i telefonosh dhe nëse është vërtet i tillë, do të lërë çdo punë dhe do të vrapojë tek ty. Por në kohë shndërrimesh të mëdha tranzicioni njeriu nuk është më vetvetja, i duhet pak kohë që ta rigjejë ekuilibrin e vet dhe të fillojë të jetë më human. Nëse oshilacionet nuk marrin fund, atëherë edhe ai do të gjendet gjithmonë në shilarësen, ku si nga para dhe nga prapa e shtyjnë erërat me fuqi të ndryshme dhe që do ta mbajnë gjithmonë në lëkundje.
Mirë, përgjigjej shpejt ai, duke iu afruar me hap të kujdesshëm dhe me të njëjtën ngrohtësi. Sapo mbarova me një grup tani dhe kam pak kohë, një pushim parase të filloj orën tjetër me një grup pjetër.
Kur kishte ditë që nuk shkonte për impenjimet e tij jashtë punës, kishte dëshirë dhe ta qaste kokën dhe ta përqafonte, por nuk e hidhte atë hap që të mos krijonte iluzione të rreme përfitimi. Pasi shkëmbenin disa copëza bisedash të shpejta, për të mos humbur kohë, sytë vetvetiu i hidhte menjëherë tek kompjuterat që ndodheshin në zyrë, për të parë nëse kishte ndonjë të lirë. Buzëqeshja e tij tek e dëgjonte të fliste ishte tepër delikate dhe nuk i kapercente kurrë hamendjet në kokën e saj për ndonjë tallje apo përbuzje. Nuk donte që ta ofendonte me ndonjë të qeshur të papërmbajtur që në sytë e saj do të gjëmonte si dëshirë e hapur për ta vënë në lojë. Butësisë së natyrës së saj nuk mund t’i përgjigjej me një sjellje jashtë një etike qytetare. Kur njeriu të ofron një shoqëri brenda rregullave të bashkëjetesës, atëherë do të ishte çmenduri që të mos tregoje të njëjtin respekt dhe dashamirësi, aq më tepër kur përballë kishe një femër dhe për më tepër të edukuar.
Kishte diçka fisnike tek ajo vajzë me trup të drejtë, pa deformime apo shpërpjestime të gjymtyrëve, me fytyrë ku linjat e saj krijonin një shëmbëlltyrë të një bukurie që ishte vërtet e këndshme, jo vajze kopertine, me flokët disi me onde të prera diku afër shpatullave, e rezervuar në të folur, me një sjellje që të impononte gjithmonë respekt. Ishte ndryshe nga mjaft të tjera që kishte njohur dhe takuar deri më tash. Kishte patur shumë shoqe në universitet, nga qytete të ndryshme, por një klas të tillë sjelljesh, pak i kishte rënë në sy, me ndonjë përjashtim në jetën e vet në kryeqytet. Ndoshta ishte një ëndërrimtar i pandreqshëm, pasi në biseda e shprehte dukshëm se ishte hidhtar i një miqësie që merrte shkas nga ajo te një libër që I kishte mbetur gjithmonë në kujtesë. Idealisti nuk zbret kurrë në pazarllëqe të pista, kur bëhet fjalë për imazhet e tij lidhur me mënyrën sesi e koncepton ai jetën.
A ka ndonjë kompjuter të lirë sot? Kam vetëm 1 orë kohë dhe dua të hedh disa faqe formati, pasi më vonë kam mësim dhe nuk dua që koha të kalojë kot – e pyeste ai me një ton zëri të ulët, si një pyetje së cilës edhe mund t’i jepte vetë një përgjigje, duke u ulur menjëherë para kompjuterit nën dhunën e prepotencës. Por do të ishte një tekë që nuk do të mbetej pa pasoja. I kishte ndodhur shpesh të asistonte në dhunë të tillë, por vetë nuk do ta bënte kurrë. I dukej se një lloj instikti shtazarak kishte mbetur tek njeriu që kërkonte me çdo kusht të imponohej edhe aty ku nuk do të ishte e nevojshme ushtrimi i asaj të drejtë që të drejtën e merrte vetëm nga vetja. Një fjalë apo një përgjigje do ta zgjidhte paqësisht pyetjen dhe kështu nervat do të ishin në kontroll të plotë.
Po, ai kumpjuteri aty është i lirë për momentin. Nuk është kolegia ime dhe mund të ulesh dhe të shkruash sa të duash – ia kthente ajo e qetë.
Faleminderit shumë, shumë – i përgjigjej dhe menjëherë afrohej tek tavolina e vogël ku ndodhej makineria e çuditëshme me ekranin e ndezur. Lëvizte karriken ngadalë pa bërë zhurmë, futej me kujdes midis tavolinës dhe karrikes dhe pa e tërhequr zvarrë, ulej me një lloj delikatese që asaj nuk i shpëtonte. Habia e shoqëronte për disa çaste, sepse shpesh i duhej të përballej me fërkimin neveritës së karrikes mbi çimento. Ku të jetë mësuar me këtë mënyrë tepër elegante të uluri? – e pyeste veten e saj, por pa i dhënë drejtim. Më pas zhytej në punën që po bënte dhe për minuta të tëra heshtja ishte e vetmja mënyrë komunikimi mes tyre.
Ndërsa Arsi ulej që të shkruante, herë pas herë i drejtohej me ndonjë pyetje apo i tregonte ndonjë të re nga ato që kishte dëgjuar dhe parë në emisionet e kanaleve të shumta që bujtnin në televizor. Biseda bëhej pa u shkëputur nga puna, por kishte raste kur e ndërprisnin të dy dhe shiheshin në sy që të shkëmbenin disa mendime. Përsëri secili para kompjuterit të vet rifillonte punën ku e kishte ndërprerë.
Ndonjëherë ndodhte që të kishte njerëz në zyrë që diskutonin për problemet e punës dhe Arsi e kuptonte menjëherë që nuk ishte çasti i duhur për të hyrë. E përshëndeste me përzemërsi dhe largohej në kërkim të ndonjë libri apo materiali në bibliotekë. Aty e kalonte kohën që kishte në dispozicion derisa ora e detyronte ta linte gjithçka dhe të largohej. Edhe Lidia ia kthente me të njëjtën përzemërsi, ndonjëherë duke i bërë me shenje se nuk ishte e mundur që sot të shkruante ndonjë faqe. Nuk kishte nevojë për fjalë të shumta, kuptoheshin vetëm me shikime.
Një ditë e thërret vetë në zyrë dhe ai shkoi pa vonesë. Do të ketë ndonjë problem që po këmbëngul kaq shumë – mendoi Arsi. E kush e di se përse e kërkonte. Ndoshta kishte nevojë për ndonjë ndihmë, apo për ndonjë gjë tjetër. Askujt nuk mund t’i refuzohet ndihma, qoftë edhe njeriut me të cilin nuk ke qef të flasësh. Është mëkat që ta shohësh tjetrin në nevojë dhe të mos tundesh nga vendi, pa bërë asnjë përpjekje fare. Jeta është si topi i rrumbullakët i cili, tek vërtitet. faqet e tij harkore të kalojnë para fytyrës, me përsëritje jo me të njëjtin ritëm, por të kalojnë. Sikur në to të jënë shkruar fatet e njeriut, gëzime dhe hidhërime, do të lexonim çdo herë nga një kujtim, në një përsëritje rrokapujë tek secili prej nesh.
Pasi trokiti dhe mori përgjigjen e zakonshme që jepet, hapi derën dhe hyri me hap të matur brenda. Në mendje i rrihnin të gjitha mundësitë e kësaj bisede. Por ishte i vendosur se sado e thellë të ishte, do ta ndihmonte. Në kësi rastesh mendja gjithmonë hyn në thellësinë interpretuese të varianteve, shpesh pa e kuptuar se sa thellë ke hyrë. Versioni për biseda jo impenjuese vjen në radhë të dytë, kur, pasi i ke hamendësuar të gjitha, zgjidhjet janë të thjeshta.
Si je? Punët ç’thonë, Lidia? – i them pa asnjë fije tradhëtie në meditim. Ajo qëndronte ulur në një karrike metalike të zezë, veshur me sfungjer dhe skrivania para ishte plot me letra, libra, faqe të shkruara me dorë dhe me kompjuter. Nuk i pëlqente kaosi po ta kishte skrivaninë e vet. Do ta rregullonte që sa të hynte në zyrë në mëngjes. I krijonte përshtypjen se kaosi i botës, nuk duhej të pasqyrohej edhe në një zyrë të vogël. I pëlqente rregulli se kështu ishte mësuar dhe e kishte edukuar veten qysh kur ishte student. Rregullsia tregon një karakter të prirur drejt antikaosit që ia rrethonte jetën.
Mirë, faleminderit. Ja, siç e shikon në zyrë që në mëngjes se më duhet të mbaroj disa gjëra sot. Do lodhem pak, por duhet ta bëj. Po ti?
Mirë të themi, kjo është shprehja që na ka mbetur në këtë vend – vazhdoi Arsi. Në jetën e tij kishte patur tronditje të mëdha saqë i dukej se fatalitetet ishin shpikur vetëm për jetën e tij. Shpresonte që kjo mirësi e natyrës të mos kishte halle, për të cilat do t’i vinte vërtet keq. A mund të jetë natyra e pamëshirshme me një engjëll të tillë?
Po mirë, nëse nuk e mbaron sot, nesër ka ditë – ia prita me shaka. Puna aty është nuk lëviz prej vendit.
Mirë e ke ti, por m’i kërkojnë sot deri në drekë.
Si mund të të ndihmoj – u ofrova vullnetar menjëherë. Të duhet të shtyp në kompjuter? Ja, menjëherë, gati.
Jo, jo nuk e kam hallin aty, për tjetër gjë të kam thirrur. Është shumë e rëndësishme, e kupton?
Kështu pa një fill, e kam të vështirë ta kuptoj, por derisa thua e rëndësishme, kjo nuk ia heq aspak seriozitetin bisedës sonë.
E vura re që ndihej pak në siklet dhe nuk po hapej dot. Po sillte rrotull bisedën me një pavendosmëri që diçka e pengonte. Arsi nuk e dinte se ishte beqare, nuk e kishte pyetur kurrë, nuk do të guxonte nëse nuk do t’ia kishte thënë ajo e para.
Dua të të pyes për një shokun tënd që ti e njeh mirë, keni qënë nxënës bashkë, se ma kanë rekomanduar për fejesë. Nuk keni qënë në një klasë, por kishit shumë miqësi.
Çudi sa mirë e dinte që kishim qënë shumë shokë në shkollë – po e bluante në kokë fjalën e Lidias. Ndoshta dinte edhe shumë gjëra të tjera për ne, për mua dhe për të. Do na kenë njollosur fare, guxova të depërtoja në njohuritë e saj të fituara nga tregimet e të tjerëve. Po çfarë mund të kenë thënë? Këtu e ndali gjykimin dhe iu drejtua asaj : mund ta di se cili është? Pa e ditur emrin është disi e vështirë të të them. Nuk kemi qënë pak ato vite, 5 matura.
Quhet Mario, Mario….është inxhinier. Më kanë folur mirë për të, por thashë se mëqë ti e njeh, të mund të marr një mendim. Më duhet të mendohem mirë para se ta hedh këtë hap. Ti e kupton se për një femër nuk është e lehtë nëse ndodh diçka më pas.
Po, po të kuptoj fort mirë, Lidia. Sidomos në këtë qytet të voglë ku të gjithë i njohin të gjithë. Unë nuk do të merakosesha shumë për të tjerat, kur nuk e dimë sesi do t’i vejë filli. Po, e njoh dhe e njoh mirë – u përgjigja me një siguri që të mos i lija rrugë për dyshime. Për një shok si Mario…nuk kishte vend për fjalë të këqia.
Tani Arsit i kujtohej gjithçka nga jeta shkollore në qytetin e vogël,por edhe në qytetin e ëndrrave të tyre të rinisë dhe sapo Lidia përmendi emrin, sa e sa ngjarje i erdhën ndër mend. Katër vjet në të njëjtën shkollë nuk ishin pak. Shoku i tij i ngushtë Dori rrinte në një bankë me Arsin dhe shpesh takoheshin të tre së bashku në shkollë e shumë veprimtari jashtë saj. Dilnin edhe shëtitje nëpër qytet, sidomos kur kishin kohë të lirë apo pas mësimeve. Filmit me ngjarje të përshpejtuara në kokë i dha fund që të mos kishte ndonjë pauzë të gjatë para përgjigjes. Ankthet se mos kishte ndonjë të fshehtë surprizuese në jetën e tij shkollore po e mbanin disi në tension Lidian. Perceptohej qartë nga lëvizjet e shumta që bënte në karrike dhe dukej sikur i thoshte : a, do ma japësh përgjigjen apo jo?
Lidia, nuk kam as më të voglën dëshirë të të gënjej. Nuk bëhet shakak me jetën dhe sidomos të një femre. Nëse do ta dish mendimin tim për Marion, nuk kam fare rezerva : është ndër djemtë e rrallë të këtij qyteti. Ta përsërit me plot gojë, të rrallë. Nuk ke nevojë të pyesësh më. Kaluan pak kohë dhe llokumet e Lidias dhe Marios u shfaqën një ditë nëpër kutia mbi skrivaninë e Lidias. Çdo gjë ishte futur në rrjedhën e duhur dhe kishte përfunduar në një të shtunë apo të dielë në vizitat e ndërsjellta të familjeve. Lumturia e përkohëshme e lidhjes i kishte shpërthyer dyert dhe tashmë sytë e Lidias vezullonin çdo ditë e më shumë. I lumtur ndihej edhe Arsi në lumturinë e saj që për vite e bekoi si një princeshë të vërtetë, në të gjitha fluturimet e tyre. Por diku në ndonjë qoshe të fshehur të fatit, askush nuk e dinte se ngadalë po përgatitej një tradhëti që do ta helmonte lumturinë. Asnjë lumturi nuk është e përjetëshme, të ngjall iluzionet e një qielli pa re dhe të kaltër, por papritur ngryset dhe bëhet pus i zi dhe e mbyt atë, pikërisht atëherë kur plane të tjera të mëdha bën në jetë. Qielli e detyroi Marion ta prishte betimin solemn– derisa vdekja të na ndajë para Lidias, ende pa u tharë boja me të cilën nënshkruan lumturinë e tyre.