• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sekretet e vulës sekrete të Skënderbeut…e më tej

September 17, 2018 by dgreca

fotaq vatrafig.7fig 5fig. 3 vellezerit dioskure, bij te Ledes me plisin friginHelena iliriane e Trojës, vajza e perendeshes Leda, zotnesha e memesisefig.6fig.4fig.2

Nga Fotaq Andrea- Strasburg/

Prelud/

E nisim këtë shkrim me një episod të bukur gjatë takimit tonë me grupin e veteranëve frankofonë shqiptarë në Strasburg, prill 1998, ardhur në kryeqytetin europian në kuadrin e veprimtarive të Frankofonisë shqiptare për të vizituar Alzasën dhe institucionet europiane. Ishin të gjithë emra të nderuar, që kishin dhënë kontribut të fuqishëm për emancipimin dhe progresin shoqëror, e ndër ta prof. Dhimitri Pilika, zbuluesi i dy vulave të Skënderbeut, të vulës zyrtare dhe vulës sekrete. Në një çast gjatë shëtitjes së këndshme plot diell pranveror përpara “Pallatit Joséphine” në Orangerie (atë mëngjes kishte rënë 5 cm borë që i mahniti gjithë ish liceistët veteranë të Liceut të Korçës tek shijuan kështu katër stinët e motit brenda një dite, aq sa dikush thirri: “Ky vend qenka i bekuar nga Providenca!”), në një çast pra, e “ngacmova” profesorin lidhur me teorinë pellazgjike, dhe ai ma priti me qetësi: “Mos i dëgjo fort frëngjit, nuk e honepsin lashtësinë pellazge! – Po pse, ia ktheva, Benloew me shokë e mbrojnë bukur këtë teori. – Nuk e kam fjalën për ata të djeshmit, po për këta të sotmit, modernët,” sqaroi. Dhe pas një ndërprerje nga dikush aty pranë që më këshilloi ta dëgjoja fjalën e profesorit, gjithnjë me qetësi ky vijoi: “Ç’është shkencore tek ata, modernët, duhet vlerësuar, por halli është se interesat politike gjithnjë kanë prishur punë në shkencë. Ndërsa klasikja mbetet gjithnjë klasike”. Ishte ky si një amanet i thjeshtë i pellazgologut tonë të madh që pas katër vitesh do ndahej në heshtje nga jeta…  

Është e njohur se siliografia, shkenca që merret me studimin e vulave dhe emblemave, bën pjesë në shkencat tradicionale të historisë së artit. Po ashtu, është po aq e njohur se ekziston një lidhje organike e fuqishme midis vulave, shtampave, monedhave, medaljoneve, emblemave përdorur nga familjet e mëdha fisnike të Europës që nga Mesjeta e hershme, dhe që ato i mbanin si shenja dalluese, personale e familjare, por edhe si shenja dekori e dekorimi me të cilat “vulosnin” kontributin e tyre në Histori. Lulëzonin, në tërë këta elementë, simbolet dhe kodet (shumë herë të fshehta), që përcillnin sa të dhëna individuale, aq edhe autoritet, pushtet e lavdi.

Kohët e fundit, në kuadrin e “Vitit Skënderbeu – 2018”, disa studiues, ndër ta prof. Lutfi Alia, i kanë përqendruar studimet e tyre në medaljonet më të hershme me portretin e Skënderbeut që datojnë – e vërtetuar shkencërisht -, që nga koha kur ishte në jetë vetë KryeHeroi shqiptar. Këto medaljone, siç kemi vënë në dukje në Album-Antologjinë tonë “Skënderbeu – 1413-2017”, Zenit Editions, paraqesin portretet më të hershme të Kastriotit të Madh, “ngjasojnë në stil, në prerje dhe fizionomi tek japin pothuaj të njëjtin portret autentik të Heroit sa ishte gjallë”. Përfundimisht, sot kemi edhe portretin origjinal të Skënderbeut, paraqitur në mënyrë të përkryer në miniaturën e kodikut “De Romanorum Magistratibus”, të Andrea Domenico Fiocco-s, Romë 1465, të cilit i kemi kushtuar shkrimin tonë “Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portretin origjinal të Skënderbeut” (maj 2018).

Tanimë, lypset të themi se është i tejkaluar në kohë dhe arkaik konkluzioni se “Nga të gjitha ato që na kanë mbetur prej Skënderbeut janë vetëm katër objekte: dy shpatat, përkrenarja veneciane dhe një libër lutësor”. Jo. Studiuesit e sotëm, të huaj e shqiptarë, me fakte e dokumente kanë zbuluar e vërtetuar edhe mjaft objekte të tjera fizike që kanë qenë drejtpërdrejt në përdorim nga Skënderbeu ose kanë dalë nga kancelaria e tij. Është e pamundur që Heroi shqiptar të ketë pasur, për shembull, në përdorim, përgjatë një çerek shekulli betejash të panumërta, një, dy apo tri shpata; ai ka përdorur e thyer me qindra të tilla, farkëtuar enkas për të nga artizanë krutanë, ka pasur në çdo beteje gardën e vet besnike që e ruante me fanatizëm dhe sidomos ushtarë që e furnizonin me armë sa herë që i thyhej kordha. Fakti është se një shpatë e tretë skënderbejane me simbolikë të fuqishme, e tipit “Ensis”, dhuratë për të nga papa Pali II, ruhet sot në Muzeun “Palazzo Reale” të Capodimonte-s në Napoli dhe i është bërë e njohur publikut që më 1940 nga Angiolo Bianchotti.

Nga ana tjetër, udhëtarë dhe kronikanë të huaj, kryesisht francezë, që kanë vizituar në shekujt XVIII-XIX kolonitë arbëreshe në Kalabri e Siçili, dëshmojnë po ashtu se në mjaft fshatra u tregonin shpata të KryeHeroit shqiptar, madje edhe të thyera, që ata i ruanin me fanatizëm si relikte të çmuara. Sigurisht, nuk mungonte në kësi rastesh edhe ironia e të huajve për të thënë se jo çdo shpatë arbërore e shekullit XV ishte skënderbejane. Po nuk mungonte në kësi rasti edhe përgjigja e pinjollëve arbër për të thënë se Ai, Kastrioti i madh, mbante përherë dy shpata brenda një milli dhe kishte përdorur e thyer në beteja po aq shpata e kordha sa përdorte e konsumonte lapsa e stilolapsa një intelektual a kronikan i ditës. Tekefundit, fakti historik është i tillë se tërë arbrit e emigruar në gadishullin Apenin (mbi 300.000 vetë), bashkëluftëtarë të Skënderbeut, morën me vete krejt armët e tyre dhe gjithçka të vyer që kishin (sidomos ikonat) për të mos i lënë në duar të pushtuesit osman.

Është folur pak a shumë ndër vite edhe për “Librin e Uratave” (datuar në vitet 1450-1460) me emblemën kastriotase, një kodik ky që ka qenë në kancelarinë e Skënderbeut dhe që duhet të ketë shërbyer si libër lutjesh në kishëzën kastriotase të kështjellës së Krujës. Sot është vërtetuar katërçipërisht se Skënderbeu, si gjë të çmuar, ka pasur bibliotekën e tij me kodikë të kohës (deri edhe enciklopedi të artit luftarak)! Ishte sa Skënderbeu i luftës së rrufeshme, aq edhe miku i kulturës, erudicionit, librit, një humanist dhe emancipues i shoqërisë arbërore, siç e vë në dukje Lamartini, orientalisti i madh frëng. Faktikisht, katër kodikë të shekullit XV, për të cilët kemi shkruar, njihen sot në zotërim të Skënderbeut, konkretisht: “Libri i Uratave”; “Libri i Skënderbeut”; “Libri i Petrarkës” dhe më në fund Libri i Fiocco-s “De Romanorum magistratibus”. E themi këtë për vetë faktin se Princi dhe mbreti shqiptar, Kastrioti i Madh, i njohur si Atlet i Krishtit dhe Mbrojtës i qytetërimit europian, ishte i barabartë me Shën Luisin e Francës dhe Zhan d’Arkën për nga bëmat e shkëlqimi, i barabartë me princërit dhe mbretërit e kohës, që kishin edhe ata biblioteka e kancelari të pasur, ashtu sikurse dozhët e Venedikut, Huniadi dhe Matias Corvini.

Mbi të gjitha, sot është vërtetuar më së miri se mori medaljonesh (të paktën tetë syresh) me portretin e Skënderbeut janë gravuruar, derdhur e qarkulluar që në kohën e tij dhe janë jo vetëm dëshmi fizike ardhur nga epopeja e lavdishme skënderbejane, por edhe dëshmi historike e artistike të portretit të tij origjinal, që shpejt do pasohej nga dhjetëra e qindra portrete të tjerë, të ideuar, stilizuar e përpunuar nga emra të mëdhenj të pikturës europiane e botërore.

Më në fund, vetë letrat dhe korrespondenca origjinale e Skënderbeut (për aq sa njohim deri më sot), sidomos me gjurmët e dy vulave të tij (zyrtare dhe sekrete), janë drejtpërdrejt “objekte fizike” që duhen radhitur e çmuar si objekte historike skënderbejane, krahas skicave dhe tablove me portretin e tij, ende të pazbuluara a të hamendësuara si të Bellini-t, Polaiuollo-s apo Baltovinetti-t, piktorë të famshëm italianë të kohës së Skënderbeut.

Në tërë këtë mori objektesh fizike të kohës së Skënderbeut që përmendëm (dhe me siguri e ardhmja do ta shtojë një inventar të tillë), le të ndalemi pikërisht në atë që njihet sot si “Vula sekrete” e Skënderbeut (fig.1).

Nuk dëshirojmë të bëjmë këtu historikun e gjetjes së saj që e ka bërë aq bukur I Madhi Dhimitri Pilika në librin e tij “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”. Por thjesht do deshëm të theksojmë që në fillim se Pilika duhet kuptuar drejt kur vë në dukje: “Vula sekrete e Skënderbeut ka qenë një gemma antike (gur i çmuar i ngulitur në unazë – ne do thoshim një oniks a jaspër, sipas praktikës së kohës!) që kishte të gdhendur takimin e Zojsit dodonas – nën tiparet e mjellmës – me një perri pellazge, Ledën. Së bashku me vulën zyrtare të Gjergj Kastriotit, ky myhyr i fshehtë u diktua [nënvizimi ynë, F.A.] më 1961 në arkivin e shkencëtarit rilindës sllovak Pavel Jozef Shafarik (1795-1861), që e pat gjetur afro njëqind vjet më parë në Raguzë…” (f. 101). Pilika e thotë pra qartë se nuk kemi të bëjmë këtu me gjetje të vulës fizike të Skënderbeut, siç spekulohet lart e poshtë, por me gjurmën e saj depozituar në një bankë të Raguzës. Dhe domosdo, përderisa në shumicën e rasteve, sipas praktikës së kohës, vula zyrtare dhe ajo sekrete, që garantonte konfidencialitetin më shumë se vetë monogrami, varrosej me trupin e personit që kishte ndërruar jetë, ose pastaj matriçja thyhej për të mos u përdorur e për të mos u falsifikuar dokumentacioni historik. Mbetej kështu vetëm gjurma në dyll apo plumb, apo në çdo material tjetër ku lihej shenja e saj.

Por Pilika shkon edhe më tej kur nënvizon se këtë vulë sekrete – që Skënderbeu e përdorte kryesisht në dokumente financiare (sic!) – Heroi  “e pat trashëguar nga i ati, Gjon Kastrioti, i cili e kishte përdorur qëkuri si vulë, dhe me sa duket e ruante si amanet stërgjyshor kushedi prej sa brezash” (po aty, f. 101). Për të mbështetur këtë pohim, tepër joshës në pamje të parë, Pilika thekson jo pa qëllim: “U përcaktua, mbi baza shkencore [nënvizimi ynë], se myhyrin sekret Skënderbeu e pat trashëguar nga i ati”. Dhe vetëm kaq, asgjë më shumë.

Sigurisht, gjurmës së dyllit apo plumbit mund t’i bëhet studim, madje i hollësishëm, mbi bazë analizash. Sigurisht, mund të kërkohen edhe “simotra” të një vule të tillë nëpër arkiva e banka, që ndoshta mund të jenë ruajtur edhe fizikisht, me qëllim që të përcaktohet njëfarë hershmërie mbi bazë paralelizmi. Por prapë, na duket si e vështirë të besohet se Skënderbeu e kishte këtë vulë të trashëguar nga i ati, brez pas brezi. Dhe ne kemi arsye për ta marrë disi me rezerva këtë pohim të prof. Pilikës. Për më tepër që Kristo Frashëri, historiani dhe eksperti i njohur i “Skënderbejadës” e vë njëfarësoj edhe ai në dyshim këtë hershmëri të vulës sekrete kur shprehet në mënyrë të tërthortë e të kursyer se: “Ç’e shtyu Skënderbeun të zgjidhte këtë temë mitologjike spartane [Leda me mjellmën Zeus], është e vështirë të zbulohet”. (K. Frashëri, “Skënderbeu, Jeta dhe vepra” bot. Toena, f. 198).

Por, le t’i hyjmë analizës sonë në thellësi për të parë e zbuluar pikërisht se çfarë fshihet brenda dhe pas vulës sekrete të  Skënderbeut, në atë gemë të gdhendur mjeshtërisht, futur në shasi të artë tetëkëndore me formë elipsoidale.

Skena e joshjes së Ledës nga mjellma Zeus, me tërë elementët mitologjikë që përmban, ka ardhur që nga Lashtësia e kohëve homerike dhe ka përbërë historikisht temën qendrore të mjaft piktorëve të famshëm botërore, nga Da Vinci, Rafaele, Veronese, etj. etj. deri te Salvadore Dali. Veçse skena tipike e Ledës dhe e mjellmës në vulën e Skënderbeut njihet për një ndërtim mjaft të veçantë: na e paraqet Hyrinë pellazge Leda në pozicion “callipyge”, domethënë “Ledë me vithe të bukura” sipas shprehjes së prof. C. Picard (fig.2). Kjo skenë, gjithë hirësi, hijeshi e hajthmëri, na ka ardhur nëpërmjet monedhave të lashta, sidomos ato të prera në kohën e perandorit Alexander Severus. Por mbi të gjitha,…(Te plote lexojeni ne Diellin ne Print)

Filed Under: Opinion Tagged With: ..e më tej, Fotaq Andrea, Sekretet e vulës sekrete, të Skënderbeut

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT