• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kronikë e një mjerimi të paralajmëruar

September 3, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Po bisedove me mërgimtarët tanë se cili është dallimi kryesor që vërejnë këtë verë në Kosovë krahasuar me herat e tjera kur vinin për pushime, pothuajse të gjithë të përgjigjen se janë të tronditur nga zhgënjimi i shtuar i qytetarëve, nga gjendja e pashpresë që lexohet në sytë e tyre. Nuk ka dyshim që kjo ka një bazë objektive: varfëria është thelluar e papunësia është zgjeruar sepse çmimet janë ngritur ndërkohë që shumë kollaj e humbet vendin e punës dhe shumë vështirë arrin të gjesh një vend (tjetër) pune. Shpenzimet mesatare për ushqim nga të ardhurat e qytetarëve në Kosovë arrijnë në plot 38%. (P.sh. në Zvicër kjo shifër është vetëm 7%, ani se ushqimet atje janë dukshëm më të shtrenjta dhe zviceranët kursejnë shumë më pak sesa kosovarët kur vie puna te konsumimi i ushqimit më cilësor e më të shëndetshëm.) Në anën tjetër, në Kosovë, jo vetëm që paga minimale nuk respektohet nga punëdhënësit, jo vetëm që ajo është tepër e ulët, por edhe me kalimin e viteve ajo nuk ngritet së paku aq sa është e nevojshme për ta mbuluar inflacionin vjetor. Kur kemi parasysh që paqen sociale e mirëmban kryesisht solidariteti familjar atëherë është e qartë që edhe ata me paga mbi mesataren, në fakt, përfundojnë në drejtim të pagës minimale porsa që me të ardhurat e tyre iu duhet të mbështesin edhe anëtarë të tjerë të familjes.

Numri i qytetarëve që viteve të fundit kanë rënë nga klasa e mesme në atë të varfër është gjithsesi shumë më i madh sesa i atyre pak individëve që mund të jenë ngjitur lart tek të pasurit. Kështu, pesëvjetori i pavarësisë së Kosovës përveçse solli bilancin negativ të standardit të jetesës së qytetarëve më parë sesa pjesëmarrjen e tyre në kremtimet e jubileut, paralelisht i përballi qytetarët me shpresat tashmë të humbura të vitit 2008 për zhvillim ekonomik e sovranitet, për mirëqenie e dinjitet. Sepse pa dyshim që zhgënjimi qytetar në Kosovë nuk është vetëm zhgënjim për shkak të të këqijave që kanë ndodhur, por edhe për shkak të të mirave që nuk kanë ndodhur.  Bazës objektive të zhgënjimit patjetër që i shtohet edhe aspekti subjektiv: ndryshimi i pritur me shpalljen e pavarësisë nuk është vetëm ndryshim i dëshiruar i gjendjes por, mbi të gjitha, edhe ndryshim i trendit të gjithëmbarshëm. Njerëzit besuan që gjërat do të ecin mbarë, do të nisin të ecin mbarë, dhe orientuan jetën e tyre me optimizën andejpari. Mirëpo, njerëzit mund të besojnë edhe në një model alternativ, në modelin e pesimizmit: gjërat nuk do të shkojnë mirë, që nuk do të bëhet më mirë se kaq, se e nesërmja do të jetë edhe më keq, se e keqja ka marrë hov e sa vie e do të rritet, se përgjithësisht bëhet fjalë për drejtim të keq. Sigurisht që numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës i cili dikur i përkiste modelit të optimizmit, mbase edhe për shkak se i përkiste atij modeli, tashmë ka kaluar në pesimizëm.

Dy çështje më duken posaçërisht të rëndësishme të theksohen këtu. Së pari, struktura e optimizmit paraprak. Njerëzit në Kosovë janë bërë aq të pashpresë pikërisht sepse duan rezultate të shpejta dhe njëkohësisht pse nuk besojnë në rezultate të shpejta. Prania e mjerimit dhe mungesa e shanseve në shoqëri është rritur aq shumë saqë s’bëhet dot mirë së shpejti. Mirëpo, në njëfarë mënyre, e gjithë kjo qasje është disi tregtare e financiare, dhe jo prodhuese. Dihet që financat, tregtia dhe shërbimet, janë degë të ekonomisë që e kanë kthimin e menjëhershëm. Nëpërmjet tyre trajnohesh të jesh i shkathët, por jo edhe aq të kesh vizion, të përpilosh plane, e të organizosh prodhimin. Mendësia e nevojshme e qytetarit aktiv që me angazhimin e vet e ndryshon për të mirë gjendjen e rëndë në të cilën  ndodhet, është ajo e bujkut që mbjell e korr dhe bashkëpunon me të tjerët në zinxhirin e kultivimit e prodhimit.

Populli nuk është i varfër e i papunë për shkak të kulturës e historisë së tij, gjeografisë e gjeologjisë së vendit të tij, por për shkak të orientimit aktual të gabuar ekonomik. Një ilustrim për këtë është qysh Qeveria e Kosovës, veçanërisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, lavdërohen se si qenka zvogëluar numri i ditëve të nevojshme për regjistrimin e biznesit në Kosovë. Thua se në Kosovë kishim vullnete të ndrydhura ndërmarrësie nga burokracia shtetërore! Në fakt, nga mbi 60 mijë ndërmarrje në Kosovë, rreth 80% syresh kanë vetëm një të punësuar, që është edhe vetë pronari i saj. Më shumë ndërmarrësi se kaq, s’është fer të kërkosh. Kosova nuk lëngon nga mungesa e ndërmarrësisë individuale të qytetarëve, dhe as nga pengesat për këtë ndërmarrësi, por nga orientimi i gabuar dhe i padrejtë ekonomik, i cili nuk sjell as zhvillim përmes prodhimit e punësimit dhe as mirëqenie përmes drejtësisë e barazisë.

Rimëkëmbja nuk do të jetë aspak e lehtë meqenëse njerëzit janë tjetërsuar e tëhuajësuar aq shumë nga të qenit qytetar i dinjitetshëm e punëtor i Republikës. Varfëria bëhet totalisht degraduese kur, ta zëmë, duhet të zgjedhësh nëse duhet t’i ushqesh fëmijët ose duhet ta ngrohësh dhomën. Jeta e dinjitetshme nis atëherë kur nuk bën (këso) zgjedhje. Pra, kuptimi i lirisë së zgjedhjes konsiston më shumë në çështjen e zgjedhur, sesa të lirisë për të zgjedhur. Mund të jesh i lirë pikërisht kur nuk bën zgjedhje (të atilla). Vetëm liria nga zgjedhje (të tilla) shënon fillimin e (vetë) zgjedhjeve të lira.

Për liri të vërtetë të zgjedhjeve që nuk të poshtërojnë, liria e zgjedhjet duhet të jenë për të gjithë e jo për disa, gjë që na sjell te barazia, te kërkesa dhe nevoja për barazi. Kjo është ajo që i nevojitet shoqërisë sonë për t’u ngritur e përparuar. Kur qeveritarët na flasin për përqindjen e rritjes ekonomike sivjet duhet shikuar se kush përfitoi nga ajo rritje e në kurriz të kujt. Tashmë s’ka dyshim që rritja ekonomike e vendit lidhet me mirëqenien e qytetarëve të shtetit po aq sa lidhet liria e kapitalit me lirinë e njerëzve, që do të thotë se më shumë janë të palidhura sesa të lidhura. Po ashtu, le të mos harrojmë që edhe vetë betejat për demokraci përgjatë historisë, në thelb, ishin beteja për (më shumë) barazi. Nga e drejta e votës për gratë dhe zezakët e deri te tatimi progresiv në Skandinavi. Të qenit të barabartë nuk do të thotë të jemi identikë. Por, gjithsesi, nuk jemi aq të ndryshëm që të jemi kaq të pabarabartë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti, e nje mjerimi, kronike, te paralajmeruar

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT