Rreth librit autobiografik të Agim Mustës “85 vjet në katër kohë”/
Nga Enver LEPENICA/
Agim Musta, është shembulli i qëndrestarit e luftëtarit, shembulli i njeriut që na tregon se si duhet jetuar jeta. Ai ka të drejtë të krenohet për udhen që ka përshkruar gjatë 85 vjetëve. Agim Musta, ka ditur të lërë gjurmë të pa shlyera në udhën e jetës, gjurmë që duhet t`i ndjekim ne pasardhësit. Në rininë e tij pati fatin të ushtrojë profesionin më fisnik nën diell atë të mësuesit, edukatorit të brezit të ri.
Dashuria për lirinë te ky njeri ka qenë e para, e përherëshme dhe e përjetëshme, i gatshëm për t`u flijuar dhe martirizuar, prandaj nën terrorin komunist, ai së bashku me të pa harruarit Pjetër Arbënori e Uran Kalakula si dhe me Riza Kuçin, Tanush Kason Karaman Paftalin, nuk u trembën nga vdekja dhe burgu, por krijuan një grup klandestin social-demokrat për të përmbysyr regjimin çnjerzor komunist.
Në këtë mënyrë, këta burra trima shqiptarë dhe largpamës do të digjeshin si qiri, në qelitë e Sigurimit të Shtetit, që të mundnin t`i jepnin sado pak dritë popullit të tyre që vuante nën shtypjen komuniste.
Kështu, këta burra, ndër ta në vijën e parë edhe Pjetër Arbënori e Agim Musta, do të hynin në ardhën heroike të qëndrestarëve antikomunist, që po sakrifikoheshin për t`i bërë dritë popullit të tyre drejt udhës së lirisë.
Në atë sistem, ku mungonte absolutisht liria, të ndërmerrje vepra të tilla si Agim Musta e Pjetër Arbënori, ishte jo vetëm atdhetari, por më shumë se heroizëm dhe optimizëm e shpresë për lirinë e vendit të tyre.
Të burgosurit politik ndër ta edhe Agim Musta, Pjetër Arbënori, Uran Kalakula e të tjerë ishin dashuruar me lirinë dhe kështu ata u bënë legjenda lirije.
Pas daljes nga burgu i zi komunist, Agim Musta, për të nxjerrë bukën e gojës, vuajti në guroret komuniste, më të tmerrshme se ato që përshkruan Viktor Hygo në romanin famëmadh ‘Të mjerët”.
Me përmbysjen e diktaturës komuniste Agim Mustën do ta shohim edhe nje herë në vijën e parë të luftëtarit të lirisë. Liria, shpërthen te ky luftëtar dhe qëndrestar, aftësitë e tij për të dalë në udheheqie të denoncimit të krimeve komuniste, të formimit dhe organizimit të shoqatës të të përndjekurve dhe burgosurve politik.
Por vlerat e vërteta të një atdhetari, të një intelektuali, të një luftëtari qëndrojnë në parimin se nuk duhet të pyesim se ç`farë bëri atdheu për mua, por ç`farë bëra unë për atdheun tim.
Këtu qëndron edhe madhështia e Agim Mustës: aktivizohet në shtypin e përditshëm si publicist, me artikuj të shumtë dhe arrin të botojë 15 libra, me vlerë.
Librat e tij, pasqyrojnë kalvarin e mundimeve të një luftëtari të lirisë dhe nëpërmjet veprës së tij ne njohim kalvarin e vuajtjeve dhe mundimeve të shqiptarëve nën diktaturën komuniste. Në 23 vjet 15 libra nuk janë pak. Nuk është vetëm talenti, prekupimi dhe dashuria për vendin e tij që e bënë Agim Mustën të botojë më shumë se çdo njeri tjetër në një kohë kaq të shkurtër, por mbi të gjitha ai e ndien detyrën që ka ndaj vendit të tij.
Dhe në këtë mënyrë Agim Musta na shfaqet si shembulli njeriut që ndien detyrën ndaj atdheut dhe se si duhet ta bëjmë këtë detyrë duke kapërxyer çdo vështirësi që na del përpara.
Të 15 librat e Agim Mustës përshkohen fund e krye nga rrëfimi të vërtetave të kohës së shtypjes komuniste, nga ideja e denoncimit të krimit dhunës dhe terrorit komunist të ushtruar mbi shqiptarët për gati 50 vjet nga banda terroriste komuniste e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Spiro Kolekës dhe të tjerë. Ide humane, të së drejtës që shfaqin shpirtin e madh human të Agim Mustës përpara popullit të tij.
E gjith vepra e Agim Mustës nuk përshkohet vetëm nga fakti i treguar me një gjuhë të thjeshtë, por edhe talenti prej tregimtari që e bën lexuesin të mos e lëshojë librin e tij pa i shkuar deri në fund. Le të përmëndim këtu vetëm esenë ”Gjenerali i zi Nevzat Haznedari” ku vetëm në pak faqe, jep një botë të tërë, të krimit komunist mbi shqiptarët, forcë e madhe treguese, rrënqethëse dhe që të lë mbresa për tërë jetën. Këtë kriminel legjendar mendohet se shokët e tij komunist e helmuan në vitin 1974, për të zhdukur një arkiv të gjallë krimesh.
Edhe sot pak kush është kujtuar të çmojë veprën e Agim Mustës, por këto libra dhe heronjtë që përshkruan me dashuri Agim Musta janë pjesë vendimtare e historisë sonë, janë rezistenca dhe kundërshtimi regjimit diktatorial komunist
Kështu i përcolli gjith ditët dhe vitet Agim Musta deri më sot, më shumë të vrazhdëta se të kthjellta, kur del para botës shqiptare me veprën e pesëmbëdhjetë, “85 vjet në katër kohë”, një dëshmi tjetër një thirrje bashkvuajtësve të tij, që të bëjnë detyrën e fundit ndaj atdheut: të lënë kujtimet e tyre.
* * *
Agim Musta, po na lë në një libër jetshkrimin e tij, por nuk ka mundur ta bëjë mbasi ai në fakt na flet më shumë për ngjarje dhe fenomene të shoqërisë, për jetën e shumë personazheve që ai ka takuar gjatë udhës së gjatë të jetës së tij. Në fakt Agim Musta ndërsa niset të na tregojë jetën e tij na ka treguar jetën e shoqërisë, dinamikën e ngjarjeve që kanë shoqëruar jetën e tij, apo që ai vetë ka vuajtur, apo është gëzuar, në kohët të cilat ai ka jetuar:
Koha e Monarkisë, ku ai përshkruan vendlindjen e tij Gjirokastrën, pak fjalë për paraardhësit, gjyshërit dhe prindrit, pastaj na flet për kryengritjen e Et`hem Totos.
Pushtimi italian, pasi flet për pushtimin, ai nuk harron të evidentojë edhe fillimin e krimeve komuniste që gjatë luftës, në Gjirokastër, kështu p.sh. profesor Tare Kalos, pasi i bënë shosh trupin me plumba, nuk i lejuan motrat dhe të afërmit ta varrosin, por e hodhën në një përrua për ta ngrënë egërsirat!
Vendosja e diktaturës komuniste. Ky është kapitulli më i gjatë i librit jo vetëm se janë vitet më të shumta ku ka kaluar jetën Agim Musta, por veçanërisht sepse atij i dhemb zemra për vuajtjet e mjerimet e popullit në këtë periudhë krimi terrori dhe dhune. Sepse ai e ka të mbushur zemrën e tij me ngjarje të pa fundëme që ai nuk do t`i marrë me vete në botën e përtejme.
Kjo është pjesa kur autori flet për ideologji kriminale që fillon me rrahjet që bëjnë komunistët në shkollë, për bijtë e reaksionarëve! Me shumë interes janë ngjarjet që ka jetur dhe treguar si gjyqi special i vitit 1945, vrasja e Nako Spiros, bomba në ambasadën sovjetike, dhe më rëndësishmja formimi i Grupit Social-demokrat nga: Uran Kalakula, Riza Kuçi, Tanush Kaso, Karaman Paftali dhe vetë autori librit dhe bashkimi këtij grupi me të pa harruarin Pjetër Arbënori, i cili shkëlqeu me madhështi në çdo fush ku e hodhën dallgët e jetës së vështirë.
Në ferrin e burgjeve dhe kampeve të përqëndrimit, ku ka vuajtur autori, të ngritura në kohë paqie, ai na përshkruan ata personazhe që me qëndresën e tyre, me diturinë dhe humanizmin, jo vetëm kishin ditur t`i qëndronin vujatjeve dhe mjerimeve, por digjeshin për të bërë dritë, për të dhënë shpresë për një sistem dhe jetë më të mirë. Ai përshkruan me dashuri: Të pa thyeshmin Samo Dangëllia, mësuesin dhe poetin Gjërgj Komnino, profesor Foto Balën, desantin Muhamet Hoxha, Vera Demën, Doktor Kalivopulli e Gjergj Kokoshin që vdiqën në burg, etj.
Këta janë në fakt perrsonazhet kryesor të këtij libri që janë varrosur me kohë, por që kujtimi i dashurisë së tyre për lirinë që na sjell Agim Musta na i kthen ata të gjallë.
Autori gjatë episodeve të ndryshme na paraqet botën e skamjes dhe mjerimit komuniste, që marrin përmasa të mëdha në burgjet dhe kampet e përqëndrimit.
Edhe pse lexuesi mbetet i trishtuar, nuk është faji i autorit, por i realitetit të kohës së dhimbjes së madhe, komuniste.
Kapitulli i fundit i librit është tranzicioni demokratik, pjesa më e dashur e jetës së Agim Mustës, ku ai sheh të realizuar ëndërrën e tij për një sistem demokratik, ëndërr për të cilën vuajti një komb i tërë. Autori na përshkruan aktivitetin e tij se si ai doli edhe një herë në vijën e parë të luftës për përmbysjen e diktaturës komuniste, se si luftoi e punoi në krye të shoqatës së të burgosurve politik.
Në fakt nëpërmjet jetës së ngjarjeve dhe personazheve ai na lë të kuptojmë edhe jetën e tij: jetë e një luftëtari dhe qëndrestari antikomunist.
Kjo është shkurtimisht përmbajtja e këtij libri.
* * *
Rëndësia, veçoria dhe vlera e veprës së Agim Mustës, qëndron në faktin se ai me zgjuarsinë që e karakterizon, ka shfrytëzuar dosjet e gjalla, të burgosurit dhe të persekutuarit politik, te të cilët ka ditur të vjelë prej tyre faktet tronditëse të vuajtjeve dhe mjerimit që ata kaluan nën diktaturën komuniste, apo në burgjet famëkeq të Burrelit apo Spaçit, të Maliqit apo Qafëbarit, apo të mbi 100 burgjeve që ai, Agim Musta, i ka përshkruar si askush tjetër në librin e tij ” Burgjet e shtetit burg”
Këta njerës që vuajtën ferrin komunist nuk kanë ikur nga kjo botë pa lënë kujtimet e tyre, falë shërbimit të shquar që Agim Musta i bëri historisë sonë.
Evidentimi i fakteve të krimit, dhunës dhe terrorit komunist nëpërmjet atyre njerëzve që i vuajtën është shërbimi më i madh që Agim Musta i bën historisë së atdheut të tij.
Në veprën e Agim Mustës ashtu si edhe në këtë libër, lexuesi psherëtin dhe rënkon me dhimbje ashtu si edhe vetë autori.
Mesazhet që na vijnë nga libri Agim Mustës janë ato se si duhet jetuar jeta: në luftë të përditëshme, për t`i shërbyer atdheut tënd, në luftë për të jetuar me dinjitet dhe krenari, për të kaluar një jetë që kur t`i kthesh sytë pas të krenohesh për udhën në të cilën ke ecur, jeta e një qëndrestari e një antikomunisti që nuk i humbet shpresat asnjeherë edhe në errësirën e burgut të Burrelit.
Libri nuk është thjesht një libër kujtimesh, por që ka në themel vokacionin e të drejtave të njeriut si dhe dinjiten human, si e gjith vepra e tij e më parshme.
Autori edhe në këtë vepër na paraqitet me stilin e tij tregimtar të thjeshtë të kuptueshëm dhe emocional, stil i nevojshëm për lexuesin për të mos u shkëputur nga ideja dhe ngjarja dhe për ti përjetuar ato, duke marrë prej tyre mesazhet e vevojëshme.
Vlera krijuese e kësaj vepre qëndron në përshkrimin e fakteve dhe provave jetësore aq të nevojëshme dhe të domozdoshme për historinë tonë për të mos harruar asnjëeherë të kaluarën.
E gjith vepra e Agim Mustës ashtu si edhe ky libër synon të çlirojë shoqërinë nga zakoni i skllavërisë që u rrënjos dhe mbeti në sjelljen dhe gjykimin e popullit tonë, nga ideologjia komuniste.
Libri pasqyron edhe themelimin e shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politik, me fotografi të shumta. Aktivitetin e kësaj shoqate brenda dhe jasht vendit, dhe kjo është pjesë e historisë së ditëve tona e shkruar në kohën që shumë protogandist të atyre ngjarjeve janë gjallë dhe mund të bëjnë vrejtje dhe sygjerimet e tyre.
Përfundimisht do të thoshim se nga vepëra ”85 vjet në katër kohë” që po analizojmë shohim të çlirohet një forcë e madhe mbinjerzore për të qëndruar e luftuar në dallgët e jetës ashtu si ka vepruar edhe autori këtij libri i nderuari dhe i respektuari Agim Musta.
Në jetën e përjetëshme njeriun nuk e përcjellin, as gruaja, as vajza as djali, por veprat e tij dhe Agim Musta ka lënë plot 15 vepra të cilat do ta përcjellin dhe pasardhësit do ta kujtojnë gjithmonë si njeriu që jetën e tij e shkriu për ideale të larta të të drejtave të njeriut.