• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rilindja, nga Konferenca e Bujanit deri në Pavarësinë e njohjen ndërkombëtare të Kosovës

February 22, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Ballina e Gazetës tradicionale e historike të Kosovës Rilindja, 22 shkurt 2008/

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova: Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë. Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Shkurt 2016/Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, para 8 viteve, në 22 shkurt 2008, doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Arkiv-22 shkurt 2008: RILINDJA DEL SOT, NJË DITË PAS 6-VJETORIT TË MBYLLJES

Rilindja, del  sot, një ditë pas 21 shkurtit – 6-vjetorit të mbylljes, si një mesazh ndjellamirë për rikthimin e gazetës tradicionale të Kosovës pas Pavarësisë. Si një thirrje për sundimin e ligjit edhe në rastin e shkeljes së të drejtës së saj, shkelje kjo e pashembullt në botën e lirë e demokratike.Rilindja,  e lindur në Prizren më 12 shkurt 1945 në kuadër të vendimeve të Kuvendit të Bujanit, ka vendosur që 63-vjetorin  ta shënojë jo në ditën e saj që ka kaluar (12 shkurt), por pas shpalljes së  Pavarësisë së Kosovës dhe pas njohjeve të para, prandaj këtë e bën sot me botim special.Në këtë numër festiv për Pavarësinë botohen shkrimet ekskluzive Kosova në Rilindje drejt pavarësisë gjatë 63 vjetëve, shkrime këto që mund t’i ketë vetëm një gazetë tradicionale dhe historike. Botohen edhe raporte të gjera nga shpallja dhe festimi i pavarësisë, si dhe për njohjet e para ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Rilindja është dëbuar kundërligjshëm nga Pallati i saj dhe detyrimisht është mbyllë më 21 shkurt 2002, vetëm pak ditë pasi festoi 57-vjetorin.  Pallati i Rilindjes është shndërruar në gërmadhë dhe kjo ndërtesë, më e larta në Kosovë, është lënë e zbrazët qe gjashtë vjet.  Rilindjes i është shkatërruar edhe gjithë teknika, e në masë të madhe edhe arkivi – pasuri kombëtare e pakompensueshme, me një akt kulturocidi – hedhjen e ngujimin në një bunker të errët e me lagështi.

Edhe në këto kushte Rilindja del në kushte të jashtëzakonshme me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm, për të shënuar ngjarjet historike nepër të cilat kalon Kosova dhe për të ruajtur emrin e traditën.

Rilindja është në pritje që t’i jepet fund shkeljes së ligjit në rastin e saj dhe Kosovës t’i rikthehet gazeta tradicionale, siç e ka secili shtet normal në botë gazetën e vet të traditës. (Shkrim në gazetën Rilindja – 22 shkurt 2008)

***

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA: DUHET TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN, QË TË MUND TË VAZHDOJË SI NJË GAZETË TRADICIONALE

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili  ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për
të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.

Nga intervista e botuar më 12 shkurt 2005:

RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!

RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President.

PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA: GAZETA “BUJKU”, KËTU DHJETË VITE KA MBAJUR TË GJALLË INFORMIMIN NË KOSOVË

Nga intervista ekskluzive e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, që kam zhvilluar para afër 14 viteve, botuar në gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja – numër special në ditën e 31 dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003:

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës «Rilindja» për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës «Rilindja», të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që «Rilindja» të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës «Rilindja».

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe për gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.

***

PARA 14 VITEVE, NË 21 SHKURT NË ORËN 16:00 ADMINISTRATA E UNMIK NDËRPREU ENERGJINË ELEKTRIKE NË PALLATIN E RILINDJES DHE MË PAS E MBYLLI ME GRILA HEKURI

Para 14 viteve, në 21 shkurt në orën 16:00 administrata e UNMIK ndërpreu energjinë elektrike në Pallatin e Rilindjes dhe më pas e mbylli me grila hekuri, detyrimisht mbylli gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, dëboi kolektivisht nga puna gazetarët e punëtorët e tjerë të saj, të cilët nuk u vetëlarguan përkundër presioneve e afateve ultimative.

Edhe pas dëbimit në 21 shkurt 2002, deri në të cilën datë gazeta doli përditë, Rilindja nuk u ndal, si në kohën e luftës vazhduam të punojmë nëpër shtëpia. Botuam numra të jashtëzakonshëm dhe protestues të gazetës tradicionale të Kosovës, jo të përditshëm-të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së Pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm në 30 dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.
Në kalendarin e gazetës Rilindja për Vitin 2009 ishte piktuara ekskluzive, e autorit Veli Blakçori: Molla e Kuqe. Te ajo mollë, sipas kujteses historike të shqiptarëve, ishte kufiri shqiptaro-serb para dëbimit të përgjakshëm të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit e Toplica, para mëse 130 vjetëve (sa ishin në vitin e daljes së atij numri të gazetës Rilindja). Molla e Kuqe është si një mesazh atyre që duan të vendosin kufi në Mitrovicë, se nëse ndryshon kufiri – dihet ku ishte…GAZETA HISTORIKE E KOSOVËS RILINDJA, KA FILLUAR TË DALË PARA 71 VITEVE, NË 12 SHKURT 1945 NË PRIZREN, NË FRYMËN E KONFERENCËS SË BUJANIT E ME ANGAZHIMIN E INTELEKTUALËVE MË TË SHQUAR TË ASAJ KOHE, ME SHKRONJA PLUMBI QË U SOLLËN ME ARKA NGA TIRANA, NUK U NDAL EDHE KUR U NDALUA NË 7 GUSHT 1990 NË KOHËN E OKUPIMIT SERB, DUKE DALË EDHE ME EMRIN “BUJKU” NGA 18 JANARI 1991 VAZHDOI MISIONIN GAZETË E REZISTENCËS, E LËVIZJES PËR LIRI, PAVARËSI E DEMOKRACI, ME ORIENTIM E PËRCAKTIM TË FUQISHËM PERËNDIMOR EUROATLANTIK, KRONIKË E NGJARJEVE HISTORIKE, E PËRCOLLI KOSOVËN DERI NË PAVARËSI E NJOHJET NDËRKOMBËTARE DHE ËSHTË NË PRITJE PËR TË DREJTËN E VET…

*Autori, korrespondenti në Kosovë i gazetës Dielli, Behlul Jashari – kryeredaktori i gazetës Rilindja në kohën e dëbimit dhe deri në numrin e fundit, ishte edhe kryeredaktor i parë-thmelues i gazetës së rezistencës “Bujku”

 

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, e njohjen ndërkombëtare, nga Konferenca e Bujanit deri në Pavarësinë, Rilindja, te Kosoves

Artikujt e fundit

  • Lavdia dhe hyjnorja e Martin Camajt, si prani dhe frymë e teksteve letrare
  • “The Adriatic Review”: Mehmet Konica dhe Apeli për Presidentin Wilson
  • SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ
  • SEJDI DIDA – INTELEKTUALI QË I DHA HASIT ARSIM, KULTURË DHE IDENTITET
  • Kur SHBA flet për Kosovën pa folur me Qeverinë
  • Banaliteti i së keqes…
  • Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II
  • SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE NJU XHERSI (NEW JERSEY)
  • JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON
  • Angjelin Preljocaj, Odiseja e baletmaestrit që iku nga Vërmoshi në barkun e nënës, për të qenë sot pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura
  • Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar
  • Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës
  • Refuzimi i mbrojtjes në liri të të akuzuarve në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut
  • Të përdorur dhe të flakur…
  • 52 vite nga Kryengritja e Spaçit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT