Mbresa nga festivali “Pranvera poetike durrsake”/
NGA PËLLUMB GORICA/
Nuk ka rëndësi se sa çaste të bukura kalojmë në jetë, por çfarë emocioni dhe gjurmësh lenë ato në kujtesë, dhe më e bukura është se si i ndajmë me njëri tjetrin. Kjo është arsyeja që ftesa në festivalin e përvitshëm “Pranvera poetike durrsake”, dhe dëshira për të takuar miqtë e mi, më bëri të gjendem pranë komunitetit të krijuesve durrsakë. Ishte një ditë e mbingarkuar me veprimtari letrare në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme (kavalishenca) te Plepat– Durrës, por edhe me bukuri mendore e modesti shpirti. Vlerat njerëzore, kulturore e krijuese, me të cilët shumica nga ne kalojmë një pjesë të mirë të jetës, varen nga këndvështrimi që i percepton ato. Edhe kjo veprimtari mbesëlënëse, në një mjedis romantik, dhe që i shërben një qëllimi, ka rëndësinë e vet. Madje, e shëndërruar në një ngjarje kulturore me përmasa mbarë shqiptare, çastet e bukura, përjetimet aty dëshiron jo vetëm t’i fiksosh në foto, por edhe të shkruash.
Durrësi, ky pendëartë qysh nga hera, jeton jetën e vet të vrullshme e dinamike, e që meriton të përmendet. Këtu lashtësia 3000 vjeçare flet me heshtjen e mureve të kalasë, mozaikut dhe amfiteatrit antik. E kombinuar me modernen në qendër e periferi të tij, ajo udhëton këndshëm si dy miq të mirë, ku hijeshia, poetika e kultura, bashkëjetojnë pranë njëra tjetrës. Brenda këtij gërshetimi, udhëton edhe geni popullor i Durrahut të lashtë. Natyrisht janë këto, që tregojnë se kush janë ato, nga kanë ardhur, cilët kanë qenë figurat e ndritura dhe vlerat e tyre njerëzore, që i kanë dhënë emër qytetarisë durrsake, traditës dhe kulturës sonë kombëtare.
– Historia e qytetit tonë nuk tregohet vetëm në libra historie, në mure të vjetër, apo stenda muzeore, as edhe me një shpjegim të shkurtër historik nga thellësia e shekujve, – të thotë miku ynë, poeti Edmond Agolli, që të imponon menjëherë me pamjen e njeriut energjik, edhe pse në në kurorën e flokëve të tij ka rënë lehtë e bardha borë. Dhe kur e pyet për të ditur më shumë ke dëshirë ta dëgjosh më gjatë. Emrin e qytetit nuk e ka zbehur asnjëherë mosnjohja, rëndësia, historia e lashtë, vlerat, figurat, bujaria, poezia, miqësia… Qyteti i ngjan këto ditë një sofre të madhe poetike, dhe në këtë sofër bujaria e poetëve të Durrësit i shtron të gjithë, pavarësisht moshës, të njohur apo kalimtarë rreth saj. Kështu, në këtë ditë kur dielli lëshonte rrezet e tij bujare, dhe të gëzonte syrin, u end ajo mes miqve poetë, të rinj e të vjetër në moshë, e me gjeografinë e trevave shqiptare, të Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Greqisë, por edhe nga Vlora, Elbasani, Saranda, Tirana, Korça, Kavaja, Shkodra, Dibra, Burreli etj. Edhe pse disa nga ata të ardhur për herë të parë në këtë veprimtari, me ndjesinë se njihen prej vitesh, atmosfera e ngrohtë dhe miqësore i rrëmbeu këndshëm. Pas përshëndetjeve me njëri tjetrin, me respekt e përzemërsi, thuajse të gjithë kanë dëshirë të tregojnë ngutshëm botimet, gëzimet e pasionin e tyre. Shumica prej tyre të dhurojnë kopjet e librave të botuar kohët e fundit me urimin për suksese në rrugën e vështirë, por të bukur të artit. Ndaj, është më se e natyrshme që me mençurinë dhe nivelin intelektual nisin bisedat, edhe pse koha fluturon si pa u ndier. Diskutojnë me një rrymë gjallërie, e ngrohtësie të shpirtit të tyre, në fjalë kumbuese e pa droje, por me plot dashuri e mirësi për një gamë temash, ku tradita dhe historia, kultura dhe arti, udhëtimet dhe poezia, vendlindja dhe pija e poetëve, vera, etj janë miqtë e mirë dhe më kryesoret. Miqësitë e krijuesve kanë shumë ngrohtësi, sinqeritet, origjinalitet, gazmend, qoftë kur pi një kafe, apo edhe kur shijon një drekë të thjeshtë mes vargjesh poetike, e patjetër kur mblidhen në festa të mëdha krijuese. Në përkitjet me shoqërinë e miqve poetë e me vlera nuk duhet të harrojmë se ato janë njerëz të etshëm për të çmuar, vlerësuar e respektuar miqësinë poetike, duke ndarë emocione që të mbeten për një kohë të gjatë në mendje. Sidomos kur ky respekt vjen nga veprimtaritë, promovimet e brumit krijues të këtij qyteti. Nuk gjej fjalë të tepërta të rrëfej se ç’atmosferë mbresëlënëse lenë këta krijues me prezencën e tyre në veprimtaritë letrare.
Pranvera poetike është një veprimtari e rëndësishme e krijuesëve durrsakë, që nxit, organizon, vlerëson dhe u jep jete e bukuri poetëve, shkrimtarëve, këtyre njerëzve me botë të mrekullueshme. Kjo e bën këtë festival poetik një festë të bukur e me shumë kuptim. Përkushtimi i krijuesëve durrsakë: Nikolla Spathari, Gjergj Vlashi, Naim Kërçuku, Agim Bajrami, Vladimir Muça, etj, ka realizuar e po realizon pa egoizëm e interes personal, dhe larg llafogjisë bërtitëse e mjerane të tilla kuvendime të fjalës së bukur me peshë artistike, e me një pjesëmarrje të madhe, duke krijuar një traditë. Ndaj, interesimi i botuesëve periodikë; Roland Lushi i revistës letrare “Obelisk”, dhe i Mujo Buçpapës të gazetës “Nacional” ishte domethënës. Por, Nikolla Spathari, Kryetari i Klubit të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, i thyer në moshë, i këndshëm e shpërthyes në gojëtari, dhe i një elokuence mbresëlënëse vazhdon t’i jap kuptim vlerash veprimtarive letrare në Durrës. Është humori i tij që u jep zjarr bisedave tona.
Natyrisht të shkruash një libër, dhe sigurisht ta promovosh me miqtë poetë nga të gjitha trevat, në një veprimtari të tillë si festivali ” Pranvera poetike durrsake “ është kulmi i një kënaqësie. Aq më tepër kur aty shpalosen vlerat e librave të ndryshëm, të shkruar nga autorë entuziastë, si Sami Velçani me promovimin e librit të tij, të ri poetik “Ditari i së djelës”. Ishte një promovim interesant e mbresëlenës, që rrezëlleu nga përgëzimet, urimet dhe vlerësimet, por edhe valëzimet e ëmbla të vargjeve të tij recituar këndshëm nga studentët e Universitetit të Durrësit. Vëllimi poetik “Ditari i së djelës”, të thotë poeti Agim Bajrami, vjen në vazhdën e librave të tjerë të botuar nga autori përmes një gjuhe figurative të zgjedhur, e pa truke mikluese, por që pasqyron më së miri realitetin absurd të kohës. Në trajtimet analitike të këtij botimi me një perceptim konçiz, u shprehën fjalë vlerësimi për forcën shprehëse, gjetjet mataforike, por edhe konsiderata për librat e tjerë të botuar të Sami Velçanit, nga studiuesit: Alisa Velaj, Rruzhdi Mata, Vladimir Muça, etj.
Atmosfera sharmante e frymëzimit i inspiroi poetët të lundrojnë me frymën e shenjtë të poezisë. Kjo mund të themi se ishte thelbi i bukurisë së festivalit poetik ”Pranvera poetike durrsake” në një konkurimin të drejtëpërdrejtë të gjashtëdhjetë poetëve, ku meliodiziteti i vargjeve, dhe dimesioni i lartë shpirtëror shpalosej nën flakërimat magjike të emocioneve. Kjo dinamikë shprehëse e bëri më të larmishëm festën poetike me duartrokitjet entuziaste. Ndjen kënaqësinë që dhurojnë vargjet e recituara në tematika aktuale të poetëve: Kalosh Çeliku, Pandeli Koçi, Iljaz Bobaj, Agim Bajrami, Xhelal Tosku, Skënder Temali, Nebih Bunjaku, Edmond Agolli, Anila Toto, Alisa Velaj, Adem Zaplluzha, Irena Gjoni, Ibrahim Berjashi, Nikollë Berishaj, Argëzon Sulejmani, Vladimir Muça, Myrteza Mara, Laureta Petroshati, Bedri Neziri ,Riza Braholli, Manushaqe Toromani, Naxhije Doçi, Ramadan Mehmeti, Sabit Rustemi, Nexhat Çoçja, Lindita Ramushi, Agim Desku, Adivie Hoxha, Xhevahir Cirongu, Urime Staka etj. Fituesit ishin nga treva të ndryshme, të njohur dhe të panjohur të elitës së poezisë shqiptare. Me çmime të III u nderuan Vladimir Muça nga Durrësi dhe Anila Toto nga Vlora. Me çmime të II Pandeli Koçi nga Tirana dhe Berat Batiu nga Prizreni. Ndërsa çmimin e I e meritoi poeti Iljaz Bobaj.
Panorama e detit të qetëson shpirtërisht. Nën ngrohtësinë e rrezeve të praruara të këtij dielli mesdhetar, me gëzimin që të fal ai, shëtitja bregut të detit i çon poetët në meditime, e që fluturojnë larg hapësirave të pafundme të imagjinatave. Me këtë lumturi dhe gëzimin shpirtëror që ndjen kur je mes miqve të tillë, natyrisht askush nuk mund t’i rezistojë një kënaqësie tunduese si kjo.
U mbyll festivali poetik “Pranvera poetike durrsake” me kënaqësinë e një dite të këndshme, dhe dëshirën për të ardhur në veprimtari të tjera, për të promovuar këngë, emocione, e vepra të reja letrare.
Fotografia: Luan Jaupi