Shkruar nga KOLEC TRABOINI/
Në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, në shtëpinë time në Boston, ndiqja gjithçka që botohej në shtypin amerikan për shqiptarët. Duke lexuar një gazetë të vogël që dilte për artistët në Hollivud, ndesha në intervistën e Eliza Dushkut, e lindur kjo në Boston në vitin 1980, që atëherë ishte vetëm 19 vjeçare dhe krejt e panjohur në Shqipëri. Ajo i kishte thënë gazetares amerikane se jam e trishtuar për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës edhe me shkakun se prejardhja ime është prej atij vendi. Pasi kërkova nëpër numura telefonash e shtëpitë e shqiptarëve në Boston rashë në gjurmët e babait të saj Filip Dushkut me origjinë nga Korça, madje krejt saktë me shtëpi të gjyshërve në rrugën Fan Noli. Përgatita një shkrim të cilin dërgova në revistën “Klan” me titull “Eliza shqiptare e Hollivudit”. Me këtë botim publiku shqiptar mësoi për herë të parë për aktoren me origjine shqiptare. Tashmë ky fakt është i njohur, i vjetër, ai shkrim mbase është harruar krejt , por gjithsësi është një prej kujtimeve të mia të bukura në gazetari sepse lidhet edhe me profesionin tim si kineast. Krejt rastësisht, 15 vjet më pas zbulimit të Eliza Dushkut, rashë në gjurmët e një aktorje tjetër, e cila ndryshe prej Eliza Filip Dushkut, kjo aktore e panjohur kishte lindur në Shkodër. Tani le të shohim kush është kjo aktore me emër të madh në Turqi por që nuk njihet as në Shqipëri dhe mjerisht është harruar krejt edhe në vendlindjen e saj në Shkodër.
Një shkodrane me emrin Halide
Në familjen shkodrane të një ushtaraku më 16 korrik të vitit 1906 lindi një vajzë të cilës i vunë emrin Halide. Ishte një fëmijë i bukur, i shkathët e lojcak që u bë gëzimi jo vetëm i shtëpisë, i prindërve te vet por edhe i komshinjve. Një vogëlushe që sillte kudo gëzim dhe e donin të gjithë. Po ai gëzim fëminor i shkodranes së vogël do të ndërpritej me një tragjedi që për moshën që kishte nuk e kuptonte se gjithçka do të kthehej në rrjedhën e jetës së saj, për të ikur përgjithmonë larg vendlindjes. Në vitin 1909 vritet babai i saj. Nuk dimë në çfarë rrethanash por të dhënat thonë se ishtë vrarë në krye të detyrës dhe konsiderohej nga shteti osman si dëshmor. Halideja do jetonte edhe mjaft kohë në Shkodër derisa gjyshi i saj vëndosi të lërë Shkodrën e të shkonte në Stamboll me ndihmen e një koloneli të ushtrisë me emrin Salih. Nëna e vogëlushës duhet të ketë mbetur në Shkodër por në të dhënat biografike nuk thuhet se si ndodhi që vajza u shkëput nga nëna e saj. Halidës së vogël i mungonin shumë gjëra në Stamboll, së pari i mungonin prindërit, i mungonin fëmijët me të cilët loste e gëzohej. Kjo nuk po ndodhte në Stamboll e fëmijëria e saj sikur kishte humbur. Në Stamboll kishte më shumë njerëz nëpër rrugë, por nuk kishte të njohur, nuk gëzonte ato përkëdheli që ua bëjnë jetën më të bukur dhe i rrisin fëmijët. Por pa shkuar gjatë shkodranës së vogël që rrinte e vetmuar në një qytet të madh i vdes edhe gjyshi për ta lënë krejt të vetëm. Tashmë ajo nuk kishte më ku të shkonte dhe nuke dinte të ardhmen e saj. Ju sigurua një pension jetese për babain e vrarë. I japin bursë për shkollë dhe rritet në konviktet e shkollës.
Nga Shkodra e Shqipërisë në Shkodrën e Bosforit
Pasi diplomohet në shkollën e mesme ajo u emërua mësuse shkolle në Uskudar . Ja vlen të ndalemi në këtë rajon të Stambollit në ngushticën e Bosforit sepse emri i këtij rajoni me një popullsi afro një milion banorë ka të njëjtin emertim historik siç e ka edhe Shkodra, Scutari. Ky emërtim i këtij rajoni është bërë herët sepse ai është një qytet i lashtë, shumë kohë para se të themelohej Kostandinopojë . Scutari u themelua aty nga shekulli i 7-të para Krishtit, fillimisht me emrin “Qyteti i Artë”. Ky emërtim ka disa të dhëna, por një historian i lashtë grek shkruan se ky qytet e mori emrin Krisopolis/Qytet i Artë sepse perandoria perse kishte atje një thesar të madh të fshehur ose sepse ky qytet lidhej me Agamemnonin dhe të birin Krises. Por sipas një shkrimtar tjetër i shekullit të 18-të qyteti e ka marrë emrin i Artë për shkak të përsosmërisë së portit të saj. Qyteti është përdorur si një port dhe kantier detar dhe kishte një pozicion i rëndësishëm dhe është bërë arenë e luftërave mes grekëve dhe persëve.
Në vitin 324, në këtë qytet u zhvillua beteja më e rëndësishme dhe përfundimtare mes Konstantinit I, perandor i Perëndimit, dhe Licinius, perandorit romak të Lindjes, në të cilën Konstantin e mundi Licinius. Kur Konstandini i njohur për prejardhjen e tij Ilire, krijoj kryeqytetin e perandorisë Bizantine me emrin e tij, Krisopolit i humbi rëndësia e mëparshme dhe u bë periferi megjëthese mbeti i rëndësishëm gjatë gjithë periudhës bizantine, sepse të gjitha rrugët tregtare në Azi fillonin atje, dhe të gjitha njësitë e ushtrisë bizantine që drejtoheshin për në Azi mblidheshin pikërisht atje. Në shekullin e 12-të, qyteti ndryshoi emrin e tij në Skoutarion –Scutari, emër që kishte edhe pallati i perandorit aty pranë. Në 1338 udhëheqësi osman Orhan Gazi mori Skutarin, duke i dhënë mundësi osmanëve të kenë një bazë fare pranë Konstandinopojës.
Sa i përket emërtimin besohet se emri Scutari, siç e kishte edhe Shkodra, do të thotë “lëkurë të papërpunuara”. Është i njohur fakti se edhe Shkodra e Shqipërisë ka qënë një qënder ku mblidheshin lëkurë të kafshëve të pyllit dhe tregtoheshin në Venedik e gjetkë përmes anijeve tregtare që kalonin në Bunën e lundrueshme aso kohe. Të tjerët të cilët e shkuan në atë zonë e kanë quajtur atë edhe Eksüdar ose Escutaire.
Në kohën kur shkoi aty Halide Piskini (është e nevojshme të sqarojmë se nuk dimë nëse në Shkodër ka ende familje me këtë mbiemër ani pse me mbiemrin Prisku ka) , kjo periferi e Stambollit ishte pjesa më karakteristike, me rrugica të shtrëmbra e shtëpitë e vogla prej druri, me dyqane të shumta artizanale. Po këtu ishte dhe vendi i varrezave të mëdha e të moçme të Stambollit, duke përfshirë ato myslimane por edhe hebraike dhe të krishtera.
Në këtë qytet aq te ngjashëm me Shkodrën e vëndlindjes sepse rrethohej dhe ky me ujra, madje në vitin 1910 qarkullonte një kartolinë në Stamboll por edhe në Shqipëri në të cilën qenë bashkuar pamjet e këtyre dy qyteteve me emrin Scutari të cilët dhe në imazh aq shumë ishin të përafërt. Në Scutarin e Bosforit Halide Piskini do të pësonte një tjetër tragjedi. Kur ishte mësuese shkolle kishte rënë në dashuri dhe u martua me një tregtar pambuku. Dhe ishte fare e re në moshë. Po muajt e martesës i kaluan shumë shpejt. Fati tragjik sikur e ndiqte hap pas hapi në jetën e saj plot dhimbje e humbje. Ashtu siç i kishte ndodhur vrasja e babait kur ishte 3 vjeç, vetëm tetë muaj pas martesës së saj dhe kur ndjehej më e lumtur se kurrë i vdes burri. Tashmë ajo e shihte të ardhmen më të zezë se kurrë.
Aktorja e parë e Turqisë
Në vitin 1923 ishte krijuar nga Sadi Fikret një grup teatror i lëvizshëm që aso kohe ishin aq shumë të preferuar. Nuk vinte spektatori në teatër por shkonte teatri shetitës fshat në fshat e qytet në qytet. Shumica e shfaqjeve ishin skeçe e vodevile, kryesisht skena humori. E rekomanduar nga një i afërt, drejtuesi i trupës së teatrit shetitës e pranon për një turne në Izmir. Shfaqjet teatrore në atë kohë nuk kishin aktore femra. Ishim meshkujt që losnin rolet e femrave. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri deri vonë. Halideja kishte një natyrë pak e zymtë. Ishte pikërisht jeta e saj pa dashurinë prindërore dhe me fatkeqësi në jetë që e bënin të ishte hijerëndë. Dhe krejt ndryshe prej moshës që kishte, roli që i dhanë ishte ai i një halle, e cila kishte si karakteristikë të folurën hundore të forte, tip të cilin ajo e realizoi shumë bukur dhe që do ta vazhdonte për vite të tëra si personazh në situata të panumërta dhe në gjini të ndryshme si në teatër por edhe në emisionet e radios. Mirëpo në vitin 1925 ndodhi që grupi i teatrit lëvizës nuk mundi të vazhdonte veprimtaritë. Meqë ishte e para aktore e skenës e moren pa shume hezitim në Teatrin e Stambollit.
Në vitin 1933 ajo u bë shumë e njohur me rolet e veta në filma dhe një aktore e kërkuar. Madje në kronikat e kohës shkruhej se spektatorët u dyndeshin në të gjitha kinematë e vendit për të parë lojën brilante të Halide Piskin. Kalon një periudhë të vështirë dhe detyrohet të punojë në radio gjithnjë me tipin humoresk që kishte krijuar, me skeçe e humore të cilat i përgatiste vetë. Ajo konsiderohej gjithashtu edhe si një krijuese shumë e mirë e materialeve letrare të skenës.
Në vitin 1944 pasi që kishte punuar në kompani të ndryshme teatrore u kthye sërish në teatrin e Qytetit të Stambollit duke u bërë një nga aktoret kryesore.
Ajo ka një repertor të gjërë si aktore por edhe si shkrimtare filmi si në “Kivircik PASA” (1941),/ “Duvaksiz Gelin” (1942) dhe “Dügün gecesi “(1933). Ne Filmografine per Halide Piskin mund te rradhisim edhe : “Kafes Arkasında” (1930), “Fermanlı Deli Hazretleri” (1930), “Kafatası” (1932), “Yanlışlıklar Komedyası” (1938), “Anna Karenina” (1939) , “Lüküs Hayat” 1950, “Yelpaze” (1955), “Kızımın Başına Gelenler” (1958) , “Bir Kilo Namus” (1959).
Filmi i saj i fundit i Halide Piskin ishte “Çfarë ka ndodhur me vajzën time”, për të cilin ka shkruar edhe skenarin. Ishte një aktore e madhe, e talentuar, e kompletuar si artiste por edhe autore e shume shkrimeve e skenarëve, skeçeve, artistja e parë e varieteteve në Turqi, e konsideruar një talent i madh, i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm. Edhe pse pa arsimimin e duhur profesional për skenë, arriti të bëhet aktorja e parë dhe më e njohura në Turqi. Dhe për më tej edhe pse e kish ndjekur fati i keq në jetë, në skenë ajo ngjallte aq shumë humor, aq shumë dritë e besim tek njerëzit të cilët e donin shumë. Siç mbeti e vetmuar në fëmini në Shkodër ashtu i shkoi jeta, gjithsësi një jetë e vrullëshme artistike, pasiononte, me një individualitet të spikatur, kurrë pa u shkëputur nga skena e teatrit apo ekrani i filmit.
U nda nga jeta për shkak të dëmtimin të veshkave në moshen 53 vjeçare, me 1 nëntor 1959 në qytetin e Stambollit. Filmat e saj në Turqi edhe sot e kësaj dite shihen dhe admirohen, aq shumë ka lënë gjurmë në kinematografinë turke artistja e madhe që lindi në qytetin e Shkodrës, Halide Piskin.
Adile Nashit – një tjetër aktore e madhe, mos vallë me origjinë shqiptare
Në kohë pak të mëvonëshme kishte dalë edhe një aktore tjetër e suksesshme e teatrit dhe filmit, Adile Nashit, e cila ka lindur me 17 qershor 1930 ne Stamboll dhe vdekur me 11 dhjetor 1987. Jane dy aktore që kanë punuar thuajse në role që i afroheshin njëra tjetrës por gjithnjë me një individualitet të fortë. Po kishin edhe një fat të përngjashëm në fatkeqësitë e tragjeditë familjare. Por të dyja punonin në fushën e humorit dhe tërë jetën ishin në mes të këtyre dy ndjesive, tragjedisë që përjetuan në jetë e nevojës për të qënë të qeshura para publikut apo dhe ekranit.
Askush nuk e mendonte çfarë fshihej pas të qeshurave të këtyre dy grave aq të admiruara nga spektatorët e teatrit dhe filmit.
Adile Nashiti ishte bijë e një aktori të njohur në Turqi, Ozkan Nashi dhe në të njëjtën kohë edhe vëllai i saj ishte i lidhur me teatrin. Në një foto familjare të Adile Nashit diçitura përshkruese thotë se është mjedisi i shtëpisë së saj, në mur janë varur fotot e djalit të vet 15 vjeçar Ahmet, i vdekur, fotografia e nënës dhe e babait. Duken tre foto,
Por në një nga kornizat gjënden jo një por dy foto. Në njërën foto duket një burrë me veshje qytetare e me fes të zi që është quajtur aso kohe tanuz, ndërsa foto tjetër më e madhe njeriu është veshur me rroba karakteristike popullore krejt si shqiptarët e fillimit të shekullit 20, çfarë të çon në dilemën është apo jo me origjinë shqiptare, madje krejt ngjashëm si në veshjet e zonës Krujës dhe Shqipërisë Lindore.
Në asnjë rast nuk i kemi parë turqit të jenë veshur ta zëmë si krutanët, dibranët, apo malësoret e Veriut dhe të Kosovës. Karakteristikë është edhe qeleshja e bardhë, plisi siç i thonë në Kosovë. Vetë fotografia, ku ndodhen edhe i biri i Adiles është një dëshmi, por ne nuk kemi librin e jetëshkrimit të saj që të mund të gjejmë ndonjë shënim në kujtimet e saj për origjinën e babait e gjyshërve të saj. Edhe varri familjar i aktores Adile Nashi është në Uskudar, Scutari , pra në Shkodrën e Bosforit që gjasat janë të ketë qënë një qytet ku shkonin e banonin me shumicë shqiptarë.
Gjithësesi këto dy aktore, njëra lindur në Shkodër Halide Piskin, tjetra që mban në shtëpi si shënjë identiteti një foto të një personi me veshje shqiptare, Adile Nashi( koha i solli në skenë në një kohë të përafërt, madje shpesh herë edhe në filma të përbashkët, u bënë aktoret më të dashura në Turqi dhe janë krenaria e kinematografise turke e pjesë e historisë së saj.
Kontribut i madh dhe njohje e vogël e vlerave që ka nxjerrë kombi shqiptar për popujt e tjerë.
Është për të ardhur keq që nuk ka veprimtari kulturore të ndërsjellta mes të dikastereve të kulturës, shoqatave artistike që do të ndikonin në krijimin e një klime të tillë që të mësohej më mirë kontributi shqiptar në kulturën e popullit turk, por edhe në të gjithë popujve e tjerë ballkanikë. Kujtojmë se shqiptari Abedin Dino është një figurë e madhe e artit, piktor, kineast, poet, të cilit i kanë kushtuar edhe monumente në Turqi, siç vëllait i tij Ali Dino , konsiderohet karikaturisti i parë më i kompletuar në Greqi dhe ka qënë deputet në parlamentin grek si dhe themelues i shoqatës së parë të karikaturistëve greke. Apo se Eleni Bukura piktorja e parë femër në Greqi është një arvanitase, Niko Egonopulos, një piktor i madh me dimensione panevropiane është arvanitas, pra me gjak shqiptar. A doni tju rithem se dritën e Rilindjes Evropiane e ka përhapur në Rusi një shqiptar nga Arta, nxënës e dishepull i Girolamo Savonarola, rilindësit të madh italian që ka një monument në Firence? Po le të kalojmë në të sotmen, se njëri nga aktorët më të mëdhej të filmit në Turqi Halit Ergenc, që interpreton sulltan Sulejmanin, ështe me prejardhje shqiptare, çfarë e deklaron me krenari në media: “Më duhet të them që të parët e mi nga ana e mamasë sime në periudhën osmane kanë ardhur në Turqi, … mund të them me plot gojën që edhe në damarët e mi ka gjak shqiptari. Unë dua të përshëndes gjithë Shqipërinë. Shpresoj që sa më shpejt të gjëj mundësinë të vizitoj tokën shqiptare dhe të njihem me ju”.
Besoj që është e mjaftueshme të themi se atë që nuk e bën politika në krijimin e një Ballkani Europian për nga dimensionet e kulturës, mirëkuptimit e paqës e bëjnë më së miri arti dhe kultura të cilat krijojnë ura miqësie në mes të gjithë popujve dhe duke i tejkaluar kundërshtitë, moskuptimet, atavizmat e mentalitetet e të shkuarës. Për Ministrinë tonë të Kulturës dhe programet e saj do të kisha një sugjerim, që vërtetë ne dëshërojmë të shkojmë në Europë, kemi pasion për kulturën perëndimore, flasim e përkushtohemi gjërë e gjatë për atë frankofone, japim edhe fonde përkthimesh për këtë tendencë mbi bazë shijesh personale, por duhet të jemi open mind, e të mos bëjmë sikur nuk e dimë që në kulturë e art nuk ka prioritete gjeografika e as busulla të ngrira që tregojnë veç një drejtim, në art e kulturë nuk ka as Jug e as Veri dhe as Lindje e as Perëndim. Gjithesesi, se pari e mbi gjithçka stimulohet arti e kultura kombëtare bashkërenduar kjo me afirmimin e kontributit shqiptar në popujt e tjerë.
gusht 2014