Të premten në mbrëmjen e 27 Shkurtit në Shtëpinë e Vatrës ishin për vizitë dy intelektualë të nderuar, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu dhe Dr. Elmie Mara. Mysafirët u pritën nga kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, zv/kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, anëtari i Kryesisë Marjan Cubi, antërët e Këshillit Zef Përndocaj, Idriz Lamaj dhe Muhamet Omari, editori i Diellit, anetar i kryesise se Vatres, Dalip Greca. Prof. Dezhgiu shoqërohej nga bashkëshortja, ndërsa Dr. Elmia Mara nga dr. Elton Mara, anëtar i Këshillit të Vatrës.
Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, u uroi mirëseardhjen mysafirëve dhe i informoi shurtazi për veprimtaritë e Vatrës, ndërsa mysafirët falenderuan Vatrën për aktivitetin e saj Kombëtar dhe kontributin historik për cështjen kombëtare.
Pas takimit në Vatër, për mysafirët u shtrua një darkë në restorantin e presidentit të Bashkimit Kombëtar, z. Gjergj Dedvukaj. Gjatë darkës biseda u përqëndrua në cështjen Kombëtare dhe në rishkrimine historisë të Kombit Shqiptar..
Darka u sponsorizua nga vatrani veteran Zef Përndocaj.
LIBRA TË RINJ NË BIBLIOTEKËN E VATRËS
Kohët e fundit në Bibliotekën e VATRËS,ku ndodhen mijëra vëllime,botuar gjatë 102 viteve, kanë ardhur libra të rinj.
Shkrimtari Sokrat Shyti nga Tirana ka sjellë romanet:
1- NATA FANTAZMË
2-ZHGËNJIMI
3- MADAM DOKTORESHA
4- PËRMBLEDHJEN”NËPËR LABIRINTET E MORALIT”.etj.
Romani “NATA E FANTAZMËS” e shkrimtarit të talentuar Sokrat Shyti, “panjohuri i madh” , sic e epiteton shkrimtari Agron Tufa, është një kryevepër e Letërsisë së pas shembjes së diktaturës komuniste. S. Shyti është autor i romaneve në dorëshkrime që presin të botohen si: “PËRTEJ MISTERIT”, ” MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, ” GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, ” KOLONELI KRYEDHJAK”, ” SHPRESAT E NËMURA”, ” PËSHTJELLIMET E FATIT I, II”,etj.
Shkrimtari Agron Tufa, na sjell plot entuziazëm zbulimin e vonshëm të këtij shkrimtari, i cili me romanin “Nata fantazmë”, ka arritë kulmin e krijimtarisë. Tufa shkruan: Mund të them se asnjë roman shqiptar deri më sot, nuk ka arritur të prek në mënyrë aq kaleidoskopike shtresat e realitetit shqiptar të kohës së diktaturës. Në sfondin e tejngopur me intriga të mëdha politike të përmasave perandorake, në një pezhishkë të botës, frymon e regëtin “njeriu i vogël”, “njeriu i tepërt”, fati i të cilit rrokulliset nga njëra gjysmëperëndi politike tek tjetra. Por jeta, përditshmëria që konfigurohet mes presave të egra e ingranazheve, fatet e hipertrofizuara që rrëkëllehen nga ankthi në ankth nën syrin survejues të diktaturës, ka gjetur shprhjen e saj autentike në qindra faqe tek romani “Nata fantazmë”. Në faqet e romanit ndjehen ngërçet dhe paralizat e këtyre fateve të njerëzve të vegjël, sikundërse drithërimat e drejtorëve, shefave, ministrave: askush nuk është i sigurtë për fatin e tij, për ekzistencën e tij. Planet e romanit janë të gjera, të tipit tolstojan, por bota, psikika emocionale, komplekset dhe përjetimet metafizike të personazheve që popullojnë romanin janë të frymës dostojevskiane. Ky roman, fatmirësisht ndodhet tash në bibliotekën e Vatrës dhe lexuesi mund ta tërheqë me të drejtë kthimi.
***
Një ndër librat që solli këto ditë vatrani Teki Gjonzeneli nga Vlora, ish i burgosur politik, janë dy kopje të Librit” të Gëzim Ziles”Çështja Çame- Mision i{Pa}mundur 1920-2014″.
Informojmë të intersuarit se libri mund të merret për t’u lexuar nga biblioteka e VATRES, natyrisht me të drejtë kthimi.Autori Zilja, i njohur si deputet dhe kryebashkiak i Vlorës- si dhe në publicistikë, veçanërisht pas ngjarjeve të vitit tragjik të shqiptarëve, 1997, ka qenë kurajoz dhe denoncues i së keq, denoncues i ashpër i skenarëve që sollën vitin tragjik.Libri i tij”Unë e pashë kush e dogji Vlorën’ botuar në vitin 2000, është jo vetëm një dëshmi dhe denoncim kundër antikombëtarëve, por edhe një traktat kurajoz patriotik.
***
“SHËN PALI PUNOI DHE NE BRIGJET E ADRIATIKU”, me autor studiuesin Prof. Dr.Thanas L. Gjika, botuar nga OMSCA-1, Tiranë 2014, arriti me 20 tetor në bibliotekën e Vatrës, me shënimin e autorit”Bibliotekës së Shoqërisë VATRA me respekt për veprimtarinë e shquar në shërbim të Atdheut e të komunitetit shqiptar në SHBA. Librit i paraprinë një parathënie nag autori, që parapërgatit lexuesin për jetën dhe misionin e Apostullit Pal; vijon me një Hyrje, të shkruar nga akademik, Prof. Dr. Jorgo Bulo, për t’ia lënë radhën studimeve Paliane, dhe jetës, udhëtimeve etj.
Libri ka 500 faqe.
***
Po ashtu ka mbërritë nga San Diego edhe libri “Paqe dhe Dashuni” i autorit Tony Ndoj Prendushi në shqip dhe anglisht”Pace and Love”.
***
“ME SYTË E SË VËRTETËS”, një libër me poezi i autorit Vehip Sadiku, u dorëzua në bibliotekën e Vatrës nga Nazo Veliu. Libri ka 206 poezi.
Autori Vehap Sadiku, i lindur në Lushnjë me 5 Maj 1948, përmes vargut dhe ndjenjës përcjell mesazhe shpirti.
***
Vatrani Teki Gjonzeneli, kur u kthye nga pushimet që kaloi në Atdhe këtë Verë, solli në bibliotekën e Vatrës, edhe dy libra:
1- Faik Konica”C’është Liria” , libër me esse të Faik Konicës, përzgjedhur nga Vasilika Sherifi si dhe:
2-Librin e gazetarit Nebil Cika (i riu)”Diktatura e Dosjeve”.
***
Z. Myzafer Cela me banim në Boston, na dërgoi dy kopje të librit të tij me poezi” ISHTE KOHË E LUMTUR AJO”.
Autori ka publikuar më parë vëllimin me lirika”Lule nën Diktaturë”(2005), ndërsa “”Ishte kohë e lumtur ajo” u botua gajtë vitit 2013.
***
Nga Berati ka mbërritur në Bibliotekën e Vatrës edhe libri” Toponimet e Beratit’ me autor Ajet Nallbani, i cili është botuar që në vitin 2006.
***
Vatrani dhe anëtari i Këshillit të Vatrës, z. Uka Gjonbalaj, solli në bibliotekën e Vatrës dy kopje të librit “Reprizë Kohe” të autores Havaja Prelvukaj nga Plava, botuar në Prishtinë më 2014. Vëllimi poetik i Prelvukaj është i ndarë në cikle dhe secili prej tyre qëndron më vete, por i bashkon ndjenja dhe shpirti poetik. Lulebora në Akull; Do të Flas një ditë; Shtegëtimi i dallëndysheve; Shtigjeve të mbyllura; Buzëqeshje e humbur, Nga Ditari i një jete; Pikturë në imazhin tënd, Reprizë Kohe; janë titujt e cikleve që përbëjnë këtë vëllim të bukur poetik.
Në shënimin përcjellës poetja shkruan:
“VATRËS;
Me respekt të vecantë për Ju që mbani ndezur flakën për cështjen Kombëtare atje larg, përtej Oqeanit që prej një shekulli!
Havaja Prelvukaj
Plavë, Gusht 2014.
***
“Bajraktar Prengë Marka Prenga, Flamurtar i Mirditës” është libri i autorit Nikollë Loka, i botuar në Tiranë gjatë vitit 2014.
Libri sic e përcjell titulli, është monografi që i kushtohet Bajraktarit Prengë Marka Prenga , udhëheqës i betejave trimërore; drejtues Kuvendesh, burrë i idealeve atdhetare dhe sakrificave njerëzore.
Libri është i pasur në ngjarje dhe shoqërohet me fotografi. Sponsor i librit është Zef Ndue Prengë Bajraktari, që jeton në Nju Jork. Ai është nip i Bajraktarit të Oroshit. Edhe ky libër i është dhuruar bibliotekës së Vatrës.
***
Vatarni Halit Neza solli në Bibliotekën e Vatrës librin e Ganimete Thaci me titull” Ali Ibra-Zëri i Atdheut”, një antologji poetike, ku nuk mungon edhe proza. Interesin për këtë libër e shtojnë edhe krijimet e posaçme të 18 poetëve, nga krahina të ndryshme të vendit. Ata i kanë thurur vargje të frymëzuar luftëtarit trim, për lirinë e pavarësinë e Atdheut, Ali Ibër Nezajt. Emrat e këtyre autorëve janë: Nehat Jahiu (Kumanovë), Ilmi Dervishi (Tiranë), Lekë Prenga Gjeçi (Lezhë), Pëllumb Xhafer Alia (Tepelenë), Mevlud Buci (Dibër), Ganimete Thaçi (Has), Hazbi Dida (Kukës), Qazim Shehu (Librazhd), Luanda Hajdari (Kukës), ckël poetik nga Gani Qarri (Gjermani), Agim Desku (Pejë),Sejdullah Martinaj(Hollandë), Halil Haxhosaj (Gjakovë), Bledar Tafaj (Shkodër) Sali Mandri (Dibër), Sinan Isufi dhe Esat Bytyçi (Kukës) etj.
***
Adresa
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458
USA
VATRA URON MARRJEN E STATUSIT KANDIDAT
Deklaratë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA për Stausin Kandidat i Bashkimit Europian të Shqipërisë/
Vatra përshëndet fitoren e Statusit të Shqipërisë si Kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe përgëzon klasën politike për këtë arritje, edhe pse me shumë vonesë, por me rëndësi për të ardhmen e Kombit.
Mbas anëtarësimit në NATO dhe mbas heqjes së vizave për zonën Shengen, me fitoren e statusit si Kandidate e Bashkimit Europian, Shqipëria po ecën, vështirë e ngadalë, por në drejtimin e duhur për integrimin Europian.
Në fillimin e qindvjetshit të kaluar Europa i pat vënë thikën kombit Shqiptar, duke u dhuruar fqinjëve tanë grabitqarë mëse gjysmën e trojeve, duke lënë pjesën të madhe të popullsisë shqiptare nën thundrën e egër sllavo-greke.
Shqiptarët të prirë nga udhëheqsit e tyre luftuan dhe sakrifikuan shumë për të shpëtuar Kombin dhe Pavarësinë e Shqipërisë edhe ashtu të cunguar, si dhe për të dëshmuar se me kulturën e civilizimit të lashtë, ne i përkasim Europës, ndërsa vetë Europa na shtynte tej vetes.
Tani, në fillimin e shkullit 21, Europa me mbështetjen e fuqishme të SHBA, na i ka hapur dyert dhe realizimi i aspiratave të Rilindasve tanë varet kryesisht nga vetë shqiptarët e sotëm.
Ndërsa padrejtësitë e atëhershme të Europës mbanin larg Kombin Shqiptar duke i rrezikuar edhe egzistencën, tashti ajo i ka hapur dyert. I përket klasës politikë të përshpejtojë plotësimin e kushteve të integrimit, të lirojë vendin nga korrupsioni, të pastrojë institucionet nga mbeturinat e diktaturës së kaluar, të ndërtojë një shoqëri vërtetë demokratike, me ligje dhe me drejtësi, edhe për ish pronarët e ish të përndjekurit e regjimit komunist dhe të rrisë mirëqenien e qytetarëve.
Urime popullit shqiptar!
TV TOP CHANNAL NË SHTËPINË E VATRËS
PARADA E PARË E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS ËSHTË ORGANIZUAR NGA FEDERATA VATRA, 45 VITE TË SHKUARA, ME 29 NËNTOR 1969, NË BASHKËPUNIM ME ARBËRESHËT E ITALISË/
Të Dielën me 22 Qershor në Shtëpinë e Vatrës ishin për një vizitë Gazetari Marin Mema dhe kameramani Denian Sevi, të cilët janë në SHBA me ftesën e Shoqatës të të rinjëve shqiptaro-amerikanë “Albanian Roots”, “Rrënjët Shqiptare” me president Marko Kepi. Mysafirët shoqëroheshin nga Marko Kepi dhe bashkëpunëtorët e tij të Rrënjëve Shqiptare nga Nju Jorku dhe Texasi.
Mysafirët u pritën nga editori i Diellit, Dalip Greca. Përmes pamjeve fotografike vizitorët u njohën me historinë e Vatrës. Mysafirëve u tërhoqën vëmendjen një cikël fotografishë të zmadhuara nga Parada e parë e Shqiptarëve të Amerikës, organizuar me 29 Nëntor 1969, me rastin e 60 Vjetorit të Gazetës DIELLI. Përvjetori i gjashtëdhjetë i gazetës më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës, ishte kthyer në një manifestim të shkëlqyer i bashkimit të shqiptarëve të Amerikës dhe arbëreshëve të Italisë, përfshi dhe nacionalistët e ikur pas Luftës së Dytë Botërore në Itali, me në krye shkrimtarin dhe politikanin Ernest Koliqi. Një vit para këtij manifestimi kishin qenë arbëreshët ata që kishin ftuar vatranët në Romë për festimet e 500 vjetorit të heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Vatra ishte përfaqësuar nga kryetari i saj Anthoni Athanas, Peter Chikos, Christo Thanas, dr. Hamdi Uruci, Selahedin Velaj dhe Van Christo. Ky festim ishte shkaku i gjallërimit të lidhjeve mes shqiptarëve të Amerikës dhe gjakut të shprishur të Arbërit.
Arbëreshët zbritën në Aeroportin e Bostonit me 20 Nëntor 1969 dhe për dhjetë ditë ishin mysafirë të vatranëve. Ndër veprimtaritë e atij manifestimi të përbashkët kulturor ishte dhe Parada që nisi nga Rockfeler Center deri në Snt Patrick. Ishte një paradë vezulluse, ku shquheshin kostumet karakteristike arëbëreshe të femrave dhe veshjet e bukura të shqiptareve të Amerikës. Ndër banderolat që mbanin ndër duar lexohej”Ëe are Proud Americans Albanian Heritage!”. Në krye duket Profesoresha shqiptare Lume Juka, në një grup të mëtejshëm janë fëmijët e z. Agim Karagjozi, pak më tej Prof Rexhep Krasniqi dhe personalitete të tjerë të mërgatës shqiptare. Rreshti I manifestuesëve është tepër i gjatë.Amerikanët për herë të parë shihnin shqiptarët të manifestonin kaq të organizuar në një Paradë të vetme.
Kështu pra parade e parë e Shqiptarëve të Amerikës është organizuar nga Federate Vatra në bashkëpunim me arbëreshët e Italisë me 29 nëntor 1969, plot 45 vite të shkuara. Le të shpresojmë se Shqiptarët e Amerikës, të shtuar shumë në numër dhe me përvojë në rritje këto vitet e fundit në paradat e përvitshme të emigrantëve-ndoshta do ta organizojnë një ditë edhe një paradë vetëm të tyre.Ndoshta në Ditën e Flamurit!
RRUGA HISTORIKE E VATRES – VATRA NE VITIN 1919
Ne Foto- Delegatet ne Kuvendin e Vatres me 1920/
Sulmi i Grekeve ne jug, vdekja e Ismail Qemalit dhe “gerricja” e Mihal Gramenos tek Koha, delegatet e Vatres ne Zvicer Mithat Frasheri dhe Dr. Mihal Turtulli, Vatra dhe marredheniet me miqte angleze-Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, Konferenca e Paqes dhe armiqte e Shqiperise Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë…/
Javën e fundit të Jenarit 1919, gazetat greke të New York-ut botuan një lajmë nga Athina që thosh se ushtëria greke hyri në Korçë, Permet, Delvinë, Frashër dhe vise të tjera te Shqipërisë së Jugës. Për atë shkak, u-thirr me telegram Komisioni i Vatrës në një mbledhje të posaçme me 30 të muajit që bisedoj mi sulmin e ri te Grekëve kundrë Shqipërisë, dhe se ç’munt të bënte Vatra n’atë krizë të re per Shqipërinë.
Më parë se të mblidhej Komisioni, Vatra hoqi një kabllogram në Romë dhe pyeti se ç’ish mendimi i guvernës italiane për rizaptimin e atyre viseve të Shqipërisë prej ushtërisë greke? Përgjigjia u-vonua, koha nuk priste dhe duheshin marë masat e nevojshme. Vonimi i përgjigjjes e vuri në dyshim Vatren dhe humbi besimin e saj në politikën e Italisë. Vatra desh të bënte qarje në Konferencën e Paqës në Paris kundrë Greqisë, po u-ndal shkaku se një protest i atilë munt të shkelte vëndimin e kuvendit të funtime që thosh se “duhet të jemi në mareveshje te mira me Qeverine Italiane.” Me ne funt, passi e shoshiti miaft çështjen, Komisioni vëndosi që të thirrej Këshilla Kombëtare në një mbledhje te posaçme për t’i dhënë funt atij problemi. Mbledhja e Këshilles u-vëndos të mbahej të Martën me 4 Shkurt, pesë ditë pas mbledhjes së Komisionit.
Me 27 Jenar 1919, u-raportua vdekja e Ismail Qemal Be Vlorës në Peruza t’Italisë. Zyrtarët e Vatrës, mbledhur të gjithë në zyrën e saj, u-ngritnë më këmbë dhe qëndruan dy minuta në heshtje si shenjë hidhërimi dhe zie për kujtim të tij. Vatra ngushëlloj me kabllogram Hetem Qemal Vlorën n’Itali për vdekjën e atit tij, i cili ngriti Flamurin Kombëtar në Vlorë me 1912, shpalli independencën e Shqipërisë dhe u-qojt Babaj i Kombit.
Dielli, në një artikull të shkurtër, tha ca fjalë të mira për Ismail Qemalin pas vdekjes së tij, të cilin e pat kundërshtuar dhe kritikuar ashpërisht për një kohë të gjatë. Me atë rast, Mihal Gramenua shkrojti në gazetën e tij “Koha” dhe e duguliti Diellin duke i hedhur këtë gur: “Vdis pa të të dua!” Ay koment i shkurtër po në vënt e zemëroj editorin e Diellit Bahri Omarin, i cili në përgjigjjen e tij përdori ca fjalë të dobëta kundrë Ngritesit të Flamurit dhe editorit të “Kohës.”
Me 4 Shkurt u-mbloth këshilla Kombëtare në zyrë të Vatrës, e thirrur me telegram se koha nuk priste. Mbledhja e Këshillës vazhdoj dy ditë, dhe mbajti pese sesione. Këshilla Kombëtare kish fuqin’e kuvendit, dhe caktonte politikën e Vatrës.
Pasi u shtruan për bisedim sulmi i ushtërisë greke në Shqipërin’ e Jugës dhe dyshimi i Komisionit të Qendrës mi politikën e qeverisë italiane kundrejt Shqipërisë, Këshilla vëndosi qe Vatra të vazhdonte politikën që caktoj kuvendi, gjer sa të kthjellohej mirë ajo çështje dhe të mos mbetej shkak për dyshim.
N’atë mbledhje u-leçitnë disa raporte diplomatike të delegateve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Dr. Mihal Turtulli, delegat i Vatrës në Svicrë, thosh në raportin e tij shkakun se përse ay nuk bashkohej me dekllaratën e Genevës të nënëshkruar nga 13 Shqipëtarë më 12 Tetor (1918) – natyrisht njerës me shumë a pakë zotësi si politikanë. Tekstin e dekllaratës as raportin e Dr. Turtullit nuk i kemi parë dhe s’dimë se ç’thoshin, dhe s’është çudi të kenë humbur, si shumë dokumenta të tjera historike. Kemi këtu mi këtë çështje vetëm një shenim të shkurtër të bërë nga sekretari i ahershëm i Vatrës.
Në Svicrë ish dhe Midhat Frashëri delegat i Vatrës bashkë me Dr. Turtullin, dhe në mbledhjën e Këshillës u-leçit në letrë e nënëshkruar prej të dyve. Delegatët e Vatrës për ca kohë s’ishin të lirë të vijin në Paris, ku ish mbledhur Konferenca e Paqës dhe po bisedohej fati i tërë botës; vetëm kryedelegati Mehmed Konitza udhëtonte midis Londonit dhe Parisit, ay kish miq të fortë Inglizët.
Në sesionin e mëngjesit të Këshillës, u-leçitnë dhe letrat e miqve Inglizë, të Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, të cilët interesoheshin për punët e Shqipërisë aqë sa dhe çdo Shqipëtar i mirë, dhe këtë e patnë provuar me punë kurdoherë që ish nevoja për çështjen shqipëtare.
Me vendim të Këshillës Kombëtare në mbledhjen e saj, Vatra u dërgoj nga një kabllogram në Paris Presidentit Woodrow Wilson të Shteteve të Bashkuara; Georges Clemenceau, Kryeminister i Frances dhe Cairman i Konferencës së Paqës; Loyd George, Kryeminister i Bretanjës së Madhe; Baron Soninos, Ministër i Punëve të Jashtme t’Italisë, dhe Delegacies Japoneze. Vatra kërkoj prej tyre pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës që të kërkonte independencën e Shqipërisë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Delegacia shqipëtare përbëhej nga këta delegate: Turhan Pasha, Imzot Bumçi, Mehmed Konitza, Dr. Mihal Turtulli dhe Midhat Frashëri; tre të fundit ishin dhe delegatë të Vatrës.
Këshilla Kombëtare i dërgoj një kabllogram falënderimi nga an’e Vatrës Guvernës Italiane për njohjen e shpejtë të Qeverisë Provizore të Shqipërisë që u-formua në Durrës; dhe i lutej të përdorte influencën e saj për pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës të Parisit.
Me vendim të Këshillës, të gjitha degët e Federatës Vatra dërguan nga një kabllogram në Konferencën e Paqës me anën e të cilëve kërkuan qasjen e delegacies shqipëtare n’atë Konferencë dhe të drejtat e popullit shqipëtar.
Këshilla vendosi që Fan Noli të shkonte në Paris dhe të përpiqej bashkë me delegatët e tjerë shqipëtarë për të drejtat e popullit shqipëtar. Vajtja e tij në Paris si delegat i Vatrës ish më tepër me qellim për të bërë batall propagandën e kryeministrit grekVenizellos i cili bërtiste në mes të Konferencës se “Shqipëtarët orthodhoksë janë Grekë dhe duan bashkimin e tyre me Greqinë”!
Fan Noli gjeti pengime të mbëdha, nuk mirtë dot pashaportë nga konsulli frenk për të shkuar në Paris. Vatra ngarkoj Kostë Çekrezin në Washington që të përpiqej me anë miqsh dhe të nxirte një pashaportë në Ambasadën Frenge për Fan Nolin, po që e pamundur. U-vëndos pastaj që të shkonte me anë t’Italisë, duke përdorur pashaporten italiane nga New York-u në Romë, dhe s’andejmi të vinte në Paris. Po dhe ajo nuk u-bë dot se nga Roma në Paris i duhej pashaportë frenge.
Duke parë se delegatët e Vatrës, më përjashtimin e Mehmed Konitzës, u-ndaluan të vijin në Paris, u-thirr prapë Keshilla Kombëtare në një mbledhje me rëndësi me 5 Mars 1919. Në sesionin e parë të Këshillës u-kënduan raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë, dhe në sesionin e dytë u-bisedua prapë puna e pashaportës për vajtjen e Fan Nolit në Paris.
Vatra i dërgoj një kabllogram Mehmed Konitzës në Paris, i cili kish qëndruar në Grand Hotel, dhe e pyeti se po të mos nxirej dot pashaporta për Fan Nolin, a ish nevoja të dërgonte Kostë Çekrezin në këmbë të tij? Përgjigjjen e Mehmed Konitzës nuk e dimë se nuk e kemi, dhe Kostë Çekrezi nuk vajti në Paris, këtë e dimë, kuptohet se s’qe nevoja për vajtjen e tij atje.
Këshilla degjoj më kujdes sekretarin Ndreko Stavron i cili këndoj kopjen e një memorandumi të bërë prej Zojushes Elsie Aubry e cila ja dorzojë Konferencës së Paqës atë memorandë për çështjen e Shqipërisë, dhe u-prit më duartrokitje nga anëtarët e Këshillës.
Në sesionin e dytë dhe te fundit, Këshilla Kombëtare aprovoj ndihmën e Vatrës prej 5,000 dollarësh për Pëshkopatën Shqipëtare të Boston-it që t’u bënte ballë propagandave të Grekëve të cilet përdorjin fenë për të ndarë Shqipëtarët më dysh dhe të copëtojin Shqipërinë.
Tamam një muaj pas mbledhjes së Këshilles Kombëtare, me 5 Prill u-mbloth Komisioni i Qendrës që kqyri vepërimet e kryetarit të Vatërs dhe delegatëve të saj n’Amerikë te cilet u përpoqnë që Shqipëria t’ish nënë mandatorinë Amerikanë.
Kjo ish një punë e kottë, se Amerika s’munt të blinte belanë me para duke hyrë në punët e Ballkanit për syt’e bukura të Shqipërisë, një vënt i pashvilluar me një popull që s’kish parë qeverim të qytetëruar më parë dhe besonte në kanunin e Lekë Dukagjinit: grusht për grusht, – dhe ay që ish m’i zoti fitontë. U-fol më parë për mandatorinë italianë, po u-kuptua shpejt se po të vinte Italia dorën në Shqipëri ish shume zor që të shpetonte nga thonjt’ e saj.
Të gjitha ato manevra bëheshin nga e keqia, se u-duk sheshit që jeta e Shqipërisë si Shtet i lirë ish në rezik të math nga fqinjët e saj, gjë te cilën e kuptonte çdo njeri kur shikonte se të pakën delegatët shqipetarë nuk pranoheshin në Konferencën e Paqës të Parisit.
Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë ishin dy diplomatë të fortë dhe armiq të betuar të Shqipërisë. Perveç asaj, ata kishin mik të fortë dhe Tigrin e Francës, George Clemenceau-n që i ndihmonte kërkimet e tyre, i cili kish zënë kyçin e punëve si Çairman i Konferencës së Paqës, dhe kish influencë miaft të madhe në qarket diplomatike. Përandaj s’duhet të nxitohemi në qertimet t’ona kundrë atyre që deshnë ta vijin fatin e Shqipërisë në një dorë të fortë të huaj për t’a shpetuar nga çakajt e Ballkanit, – e keqia bën të keqën, thotë fjala popullore.
Mbledhja e Komisionit vazhdoj dy ditë. Passi mbaruan bisedimet politike mi punët e Shqipërisë, Komisioni filloj nga veperimet mirëbërëse: ndihmuarjen e disa jetimëve shqipëtarë si ne New Bedford, Mass., dhe në Trebickë, një fshat i Vakëfeve në qarkun e Korçës.
Po çdo ndihmë nukë jepesh me sy mbyllur, kqyreshin mirë se a e meritojin atë ndihmë jetimët pastaj hapej arka e Vatrës, domethënë, diheshin se ç’kishin qenë prindërit e jetimëve. Për shëmbëll, në mbledhjen u-leçit dhe letra e një Shqipëtari që kërkonte ndihmën e Vatrës për jetimët e një njeriu nga Stratobërda, dhe Komisioni nuk e pa t’arësyeshme atë ndihmë.
Në mbledhjen e Majit 1919, Komisioni i Qendrës shikoj raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë, dhe e gjeti të pelqyer kthyerjën e Dr. C. Telford Erickson-it n’Amerikë nga Parisi, si pas vendimit të kolegëve të tij Mehmed Konitzës dhe Dr. Mihal Turtullit. Dr. Erickson-i qëndroj disa muaj në Paris si delegat i Vatrës; ay s’gjeti pengime nga francezët për vajtjën e tij atje se ish nënështetas Amerikan, kurse delegatët shqipetarë i ndaluan për ca kohë, me përjashtim të Mehmed Konitzës.
Muajin tjatër, pati prapë mbledhje Komisioni dhe vëndosi dërguarjen e një sume të hollash prej 10,000 dollarë me kabllogram kryedelegatit Mehmed Konitzës ne Paris. Për çdo sumë të hollash që u-dërgonte delegatëve, Vatra mirte hesap të shkoqur prej tyre dhe e dinte që çdo dollar harxhohej për çeshtjen kombëtare.
Atë muaj, Qershor 1919, erdhi Dr. Erickson-i në Boston nga Parisi, dhe u-mbloth Komisioni që dëgjoj shpjegimet e tij mi punët e Shqipërisë, të cilat nukë dukeshin aqë mirë kur ish ay atje. Ahere Vatra e dërgoj Dr. Ericksonin si delegat të saj në Washington.
Në mbledhjen e 4 Korrikut Komisioni kqyri hesapet e vitit, dhe i gjeti kështu: T’ardhurat, me gjithë të mbeturat n’Arkë nga kuvendi i shkuar, ishin $150,477.35. Të dalat e vitit ishin $58,182.90. Komisioni i shtroj kuvendit këto proponime: 1) Të themelohej një fond prej 100 gjer 300 mijë frangash ari prej Vatrës për propagandë kombëtare me anë të shtypit n’Evropë; 2) Të botohej një revistë frengjisht në Svicrë, 3) t’emëroheshin dy korrespondentë të Diellit në Shqipëri.
Kuvëndi i Vatrës u-mbloth në Paine Memorial Hall, Boston, me 6 Korrik 1919. U-përfaqësuan në kuvent 42 degë me 69 vota, një votë për çdo 50 anëtarë; dhe nuk u-përfaqesuan 9 degë me 9 vota. Zyrtarë të kuvëndit u-zgjodhe këta: çairman Anastas Pandelli, sekretar Kosta Isaak, raporter Kristo Kaluçi dhe marshall George A. Katundi (të gjithë s’janë më).
Në sesionin e dytë, delegati i degës së Detroit-it Marko Adamsi proponoj të thërritesh Faik Konitza nga Evropa për kryetar të Vatrës. Ay proponim u-përkrah prej Ali A. Kuçit (nga Kuçi i Tomoricës), delegat i degës se New Florence, Pa., dhe u-pëlqye me-një-zë nga gjithë delegatët e kuvëndit.
Sekretari i kuvëndit këndoj një kabllogram të dërguar nga Parisi prej korrespondentit të Diellit N. Lakos i cili lajmëronte Vatrën për vdekjen e Zonjës Shahin Be Konitzës, e ëma e Mehmed dhe Faik Konitzës. Me proponimin e Kristo Kirkës, delegat i degës së Quincy, Mass., delegatët u ngritnë më këmbë dhe qendruan dy minuta në heshtje si shenjë zie për kujtim të saj. Për çudi, kur vdiq Nënia e tyre ranë këmbanat e kishëve dhe u mbyllë dyqanet e Grekëve atë ditë në Konicë për nder të Zonjës.
Në sesionin e 14-të, kuvendi vendosi t’i ktheheshin të 100 dollarët Fan Nolit që i pagoj Vatrës nga xhepi i tij për hesap te broshurës frengjisht “L’Allemagne et L’Albanie”që shtypi Faik Konitza me 1915 në Lausanne të Svicrës. Konitza i dërgoj Vatrës 50 copë t’asaj broshure, Vatra nuk e nxori në shesh së fliste kundrë Gjermanisë dhe shumica e Vatranëve ishin pro-Gjermanë. Broshura fliste kundrë guvernës gjermane se ajo bënte pazarllëk me Greqinë që po t’ish se hynte në luftë me ane t’Aliatëve kundrë mbretërive t’Evropës së Qendrës, të mirtë Toskërinë. Kur s’dolli broshura në shesh gjer pas hyrjes së Amerikës ne luftë, delegatët në kuvendet e Vatrës kërkonin broshurën, ose paratë nga Konitza. Ahere u-ngrit Fan Noli që i dha 100 dollarë arketarit të Vatrës nga xhepi i tij, dhe u tha delegatëve: “Tani paratë i muartë, lëreni Faikun rehat i cili tëre jetën e tij ka punuar për Shqipërinë dhe kur i ngrënë kur i pa ngrënë!”
Besohet shkaku i asaj broshure e internuan Austriakët Faik Konitzën dhe e mbajtnë në Vienë gjer sa humpnë luftën.
Kuvendi vendosi që Vatra të shtypte libra shkollare për shkollat e mesme të Shqipërisë. Ay vendim i kuvëndit u-vu në vepërim një mot më von. Kuvëndi vëndosi që ndihmat për jetimët të mos priteshin. N’ate listë u-shtuan dhe jetimët e Vangjel Gjikës, i cili i sherbeu Vatrës si manager i Diellit.
U-vëndos me-një-zë nga kuvëndi që Vatra t’i lutej guvernës provizore të Durrësit t’emëronte një përfaqësonjës në Washington të dërguar zyrtarisht nga an’e saj.
Kryetar i Vatrës u-zgjoth Faik Konitza në sesionin e dytë të kuvendit. Zyrtarët e tjerë të Vatrës dhe te Diellit u-zgjodhë në sesionin e 19-të, kur afroj mbarimi i kuvendit. U-emërua Kol Tromara kryetar-zëvendes gjer sa të vinte Konitza nga Evropa. Bahri Omari u-hoq, dhe u-zgjoth Koste Çekrezi editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik”; dhe Andon Frashëri nëne editor.
Këshilla Kombëtare u-rizgjoth për vitin 1919-1920, e cila kish fuqin’ e kuvendit dhe bënte politikën e Vatrës. Kuvendi vazhdoj XXI sesione, u-hap me 6 dhe u-mbyll me 15 Korrik 1919. Kuvëndet e kohërave të shkuara të përsons for essentially anti-Comre parlamentare. Kjo i tërhiqte më tëpër shumë Vatranë që përpiqeshin kush të vinte më parë delegat në kuvënt.
Pas kuvendit u-bënë ndryshime në zyrtarët e Vatrës dhe të Diellit. Kuvendi zgjodhi Faik Konitzën kryetar dhe la Kol Tromarën zëvendës gjer sa të vinte Konitza nga Evropa, po ay nuk erdhi dot, dhe zëvëndësi ndenji një kohë fare të shkurtër dhe shkoj në Shqipëri. Ashtu mbeti Vatra pa kryetar, kë të zgjidhjin? Burrat e njohur si “udhëheqës” ishin të zënë më detyra të tjera. Nga ay shkak, Këshilla ngarkoj Komisionin të gjënte një zëvendëskryetar, dhe gjeti Kristo Kirkën.
Gjith’ashtu iku dhe Kostë Çekrezi nga Boston-i, i cili ish zgjedhur prej kuvendit editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik.” Çekrezi u-emërua përfaqësonjës i Vatrës në Washington për punët e Shqipërisë, bashkë me Dr. Ericksonin i cili u-zgjoth pakë muaj më parë. Dr. Ericksoni paguhej 500 dollarë rogë në muaj nga Vatra, dhe Çekrezi 250 dollarë në muaj.
Me ikjen e Çekrezit mbeti Dielli pa editor, dhe gazeta dilte e përditëshme. U-thirr prapë Bahri Omari që e drejtoj Diellin për pakë kohë. Passi iku dhe Omari, u-zgjoth Loni Kristua editor, i cili pat qenë dhe më parë editor i Diellit. Po ay nukë shkoj mirë me nëne-editorin, Andon Frashërin, dhe kur erdhi kuvendi tjater fitoj nënë-editori në zgjedhjet kundrë editorit; – këtu munt të meret me mënt se cili prej të dyve ka patur faj në grindjet e tyre.
Kur kish probleme me rëndësi që nuk u-jipte dot funt ose s’donte të mirte përgjegjësinë Komisioni, thërritesh mbledhja e Këshilles Kombëtare e cila thosh fjalën e fundit në punët e Vatrës. Në mbledhjen që pati në Shtator 1919, Këshilla vëndosi që Vatra të harxhonte 100,000 franga ari për të ndihmuar refugjatet shqipëtarë të “Korçës dhe Kosovës”. Këtu kuptohet se kanë dashur të thonë “qarkut të Korçës”, dhe Kolonja u-doq dhe u-gjakos nga Grekët më tepër se çdo krahinë tjatër t’asaj prefekture; me mijëra refugjatë Kolonjarë vanë ne ullinjt’e Vlorës, – shumë prej tyre vdiqnë atje.
Po më parë se të viresh në vepërim ay vëndim i Këshillës, u-pyetnë me kabllogram delegatët n’Evropë Mehmed Konitza dhe Dr. Mihal Turtulli se a munt të harxhohesh ajo sumë të hollash për atë qellim. Përgjigjja e tyre qe “Jo” – se ato të holla duheshin më tepër për të luftuar armiqt’e huaj të Shqipërisë, më tepër Grekët të cilët e luftojin Shqipërinë me anë të shtypit dhe të konferencave, dhe arma e tyre më e fortë që përdorjin qe feja, duke thënë se gjithë Shqipëtarët orthodhoksë “duan Greqinë”!
Në mbledhjen e Këshilles u-vendos t’i jepeshin 400 dollarë Mihal Gramenos për të shkuar në Shqipëri bashkë me gruan e tij. Vatra çmonte patriotizmën e Gramenos dhe menjëherë vuri në vepërim vendimin e Këshilles. Në shumë raste Mihal Gramenua e pat kundërshtuar Vatrën, më tepër për kritikat e editorit të Diellit kundre Ismail Qemalit, të cilin Gramenua e adhuronte si baban’ e kombit.Në mbledhjen e Këshilles Kombëtare u-këndua një letrë e dërguar nga “Parësia” e qytetit të Korçës, e cila kërkonte ndihmen financiare të Vatrës që t’a përdorte për të bërë “propagandë kombëtare” në qarkun e Korçës. Këshilla nuk e mori nër sy atë kërkesë, pati dyshim në përsonat që e dërgojin letrën, dhe e kuptoj se do të vijin humbur të hollat e Vatrës.Kërkime për ndihma financiare si ajo mirte dendur Vatra nga njerëz të ndryshmë, – të cilët gjëjin “shkake patriotike” për kërkimet e tyre. Të tillë njerës besojin se Vatra ish bankë, – i mblithte dollarët me lopatë, – dhe munt të ndihmonte çdo njeri që e quante vetën”atdhetar”! Kurse e tërë pasuria e Vatrës ishin nj’a tri a katër mijë anëtarë të cilët punojin rëndë nëpër fabrikat me rogë të vogëla dhe për dashuri të Shqipërisë e ndihmojin Vatrën me sa muntjin që të punonte për të fituar lirinë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar.(Fragment nga “Historia e Federates Panshqiptare VATRA” e Refat Gurrazezit-Ne Foto: Refat Gurrazezi ne Seminarin e 60 Vjetorit te Diellit, NY)