• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori- Vajzat e Korçës frekuentuan edhe shkollën amerikane

September 7, 2017 by dgreca

Histori- Vajzat e Korçës frekuentuan edhe shkollën amerikane
1 shkolla-vashave

Nga Vepror Hasani/ Vajzat myslimane të  qytetit të Korçës frekuentuan shkollën amerikane të vashave që nga dita e parë e çeljes së saj në Korçë, më 23 tetor 1891. E vlerësonin arsimin; me shkollën ishin të familjarizuara prej shekujsh. Korça pati medrese për vajza dhe djem që nga viti 1496. Shkollimi ishte falas; dhuratë e themeluesit të qytetit të Korçës Iljaz bej Mirahori. Nuk nguruan të përfitonin as nga mësimdhënia amerikane. Në shkollën amerikane të vashave mësohej gjuha shqipe: shkronjëtorja, (alfabeti) këndimi, të shkruarit (bukurshkrimi), truptregonja e njeriut (anatomia), botëshkronja (histori e botës), dheshkronja (gjeografia), kafshëshkronja, (zoologja), bimëshkronja (biologjia)  histori e shenjtëruar, (histori e feve), këndimi i ungjillit, fjalëlidhja, punëdore (qepje, qëndisje, thurje me shtizaj), vjersha, këngë, valle, dialogje etj. Provimet jepeshin në fund të qershorit, ku merrnin pjesë qeveritarë dhe prindër. Fillimisht shkolla u vendos në një shtëpi të vogël, të zotit Grigor Eliadhe Frashëri, afër Shën Gjergjit. Në muajt e parë pati vetëm tri nxënëse. Më pas, në shtator të vitit 1892, shkolla u vendos në shtëpinë e blerë prej zonjës Dako (Sevasti Qiriazi), pranë vendit të quajtur “Çezmat e Arave”. Ndërtesa ishte dy katëshe, e bukur, me gjashtë dritare, plot dritë, me oborr të gjerë dhe sallon të madh në katin e dytë. Gjatë vitit shkollor 1897-1898 u mendua edhe për një konvikt për vajzat që mund të vinin nga fshatrat, që do të thotë se edhe vajzat e fshatit nuk pengoheshin për shkollimin e tyre. Medreseja e Iljaz bej Mirahorit kishte ndriçuar mendjet e njerëzve të këtij rajoni. Konvikti u çel në vitin 1900-1901.

II- Në shkollën amerikane mësohej edhe gjuha angleze. Prindërit e vajzave e shihnin me interes mësimin e kësaj gjuhe; nuk kishin asnjë droje nga gjuhët e huaja, përveç gjuhëve që kishin për qëllim zëvëndësimin e gjuhës shqipe. Banorët e Korçës kërkuan që të mësohej edhe gjuha gjermane, në shenjë nderimi për studiuesin e gjuhës shqipe Johann George von Hahn. Në shtypin e kohës shkruhej: “Mësojmë se te shkolla shqipe në Korçë do të kllasin (do të vënë) mësimin e gjuhës gjermane. Kjo e re na gëzon fort sepse, sa kjo gjuhë s’ka më të nevojshme për ne Shqiptarët. Si fare mirë e dini, më e bukura dhe më e vjetra bibël për shqiptarët, “Albanesische Studien”, është shkruar në këtë gjuhë (gjermanisht). Hahni, i pari shkaktor i ngjalljes së gjuhës, literaturës dhe kombit tonë, ndenji tridhjetë vjet në Shqipëri. Ishte konsull i Oshtrisë (Austrisë) në Janinë; po aq i pëlqente Shqipëria, sa kur deshën ta ndërrojnë, hoqi dorë nga puna e tij. Vate më të katër anët e Shqipërisë, dhe tërë dialektet tona i fliste me një të math qërim (pastërti). Përveç Hahnit, albanologët Ksilhandër, Franc Bopp, Pott, dhe shumë të tjerë, si Dieffenbach, Harff, Otto Blau, Miklosich kanë shkruar kryepunërat e tyre në gjuhën gjermane. Sot për sot, kemi të madhin Gustav Meyer, profesor të Universitetit të Gracit (n’Oshtri), të cilat bibla (të tij) kanë hedhur një dritë aq të shkëlqyer në errësirat e gjuhës shqipe; z. Jan Urban Jarnik, profesor i Universitetit të Pragës (Oshtri), që njeh aq mirë gegnishten; z. Pisko, një prej konsujve të Oshtrisë në Shqipëri, cili punon fort bukur gjuhën shqipe. Të gjithë këta zotërinj kanë shkruar punërat e tyre në gjuhën gjermane, si dhe Z. Pedersen, një i ri albanolog…”. (Gazeta “Albania”, v.1897, nr. 6, f. 91)

III- Shkolla amerikane e vashave ishte mësonjëtore e gjuhës shqipe, ndaj të gjithë e dinin që ajo do të pengohej me të gjitha mënyrat. Agjentët “përhapën fjalë nëpër qytet se prindërit myslimanë që do të dërgonin fëmijët në këtë shkollë do të internoheshin menjëherë nga autoritetet qeveritare”. (Hysni Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë 1973, f 101).

Kjo thashethemnajë la gjurmët e veta, por nuk pati efektin e pritshëm; gjithkush e dinte që leja për çeljen e mësonjëtores së vashave ishte dhënë nga vetë sulltani; mbyllja e saj prej qeveritarëve lokalë apo të vilajetit të Manastirit, nuk do të ishte e mundur; arsye për internimin e myslimanëve nuk kishte. Vajzat myslimane vijuan frekuentimin e shkollës ashtu si më parë. Numri i tyre përgjithësisht ishte më i madh se i vajzave ortodokse. Në një prej artikujve të shtypit të kohës thuhet: “Dyzet e pesë vasha ka ndë shkollë, edhe kjo shkollë mbahet nga një Shoqëri amerikane që quhet “American Board”, e cila shoqëri ka shumë shkolla të tjera ndë Turqi, edhe e cila çdo kombi i hap shkolla më gjuhë të tij.  Në këtë shkollë zunë venë të bijat e shtëpive më të mbëdha të Korçës, e më shumë ndër shqiptarët myslimanë. Drejtoresha e shkollës është Zonjëza Sevastie D. Qirias; mësonjëtoria e dytë është Zonjëza Fanke Efthim; mësonjëtoria e tretë Zonjëza Poliksena Tespoti”. (Gazeta “Albania” viti 1900, nr. 3, f. 68).

IV-Mësonjësja që çeli shkollën amerikane të vashave ishte Sevasti Qiriazi nga fshati Peras i Kolonjës, e cila kishte emigruar bashkë me familjen kur ishte 4-5 vjeçe; fillimisht në Tërnovë e më pas në Manastir, ku studioi në shkollën plotore amerikane dhe më pas në kolegjin amerikan të vajzave në Stamboll. Shkollimin e përfundoi në qershor të vitit 1891. Naim Frashëri, atë kohë punonjës në Ministrinë e Arsimit, ndërsa regjistroi diplomën saj, uroi zonjn Sevasti me keto fjalë: “ Ju uroj për diplomën që keni marrë. Keni dalë faqe-bardhe e si shqiptare na keni nderuar. Por jeta e juaj fillon sod. Shkoni në Shqipëni e atje n’atë vend të dashtur e të bekuar, përhapni rrezet e Arsimit, të kulturës e dashurisë ndaj Atdheut.” (Foleja kombëtare, v.1931, f. 48, fjala e mbajtur nga Lazër Çetta)

Shkolla u regjistrua në emër të Gjerasim Qiriazit, (vëllai i Sevastisë), përfaqësues i “Shoqërisë Biblike” britanike në Stamboll për Maqedoninë dhe Shqipërinë. (Gjerasimi nuk e pati jetën të gjatë, pasi më 4 janar 1894, kur ishte 32 vjeç, u helmua nga njerëzit e kishës). Shkolla amerikane e vashave ndiqej edhe nga vajzat ortodokse, por dhespotët nuk e dëshironin këtë shkollë ku mësohej shqip, nën pretekstin se ishte shkollë protestante dhe kish për qëllim prishjen e fesë ortodokse: “U fol shumë se gjoja shkolla e re synonte t’u prishte fenë ortodokse shqiptarëve, se, duke frekuentuar atë shkollë, vajzat do të bëheshin protestante, se rruga e shkollës shqipe dhe gjuha e përdorur në të ishte në kundërshtim me parimet fetare dhe me mësimet e Krishtit etj, etj. (Hysni Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë 1973, f 101).

V-Mëmëdhetarët u përpoqën të sqaronin njerëzit se shkolla amerikane nuk kishte për qëllim prishjen e fesë ortodokse: “Si e di gjithë bota, Korça ka një shkollë protestante shqipe për çupat. Qëllimi i kësaj shkolle nuk është të përhapë protestantimin, po dritën e dijes dhe të lëvrimit. Provën e kësaj e kemi në këtë, që edhe muhamedanë, edhe orthodhoksë kanë dërguar bijat e tyre të mësojnë në këtë shkollë. Nga tjatër anë, vetëm drejtoresha e shkollës, zonjëza Sevastie Qiriasi, një nga më të mentshmet e më të diturat shqiptare, është protestante; të tjerat,- mjeshtëresha shkolle – janë të gjitha, besoj, orthodhokse.  …Tani, mësojmë se kleri i grekut përpiqet të ndalojë edhe çupat orthodhokse, jo me mjete të drejta “by fair means” si thonë Englezët) – se atëherë do t’i jepnim klerit grek arsye, duke qenë që cilido duhet të jetë i lirë të mprojë ato që i duken atij të vërteta – po me mjete të paudha, me mënyra që u kanë hije më tepër hajdutëve se njerëzve që lipset të kenë për armë vetëm lutjen edhe fjalën e Perëndisë. …Dhespoti bashkë me këshillonjësit e tij kanë dërguar letra ndëpër Shqiptarët që kanë fëmijë (çupa) ndë shkollë shqip që ndodhet në Korçë, duke shkruar se lipset t’i nxjerrin, se po të mos i nxjerrin do ta pësojnë. Në të tjera fjalë, kanë për të dërguar edhe ndë Korçë andarët. …Po me forcë s’ mundin ta mbyllin këtë shkollë, se atëhërë kanë të bëjnë me Englinë… Këtu Shqiptarët janë ndezur shumë nga kjo e ngjare dhe po të mbaj dhespoti këtë udhë që ka marrë, nuk di ndë do të shpëtojë i shëndoshë” (Gazeta “Albania”, viti 1905, nr. 9, f. 179)

Ja një prej letrave kërcënuese për shkishërim, që u përmendën me lart:

I ndershëm z, Pandel V. Durmish

Në Bukuresht

Me qenë se i tërë komuniteti ynë si dhe e shenjta Mitropoli dëshiron t’i heqë ato disa të paka vajza të cilat venë në shkollën Protestante të këtushme, e cila dihet prej çdokujt, ka qëllim të keq të tërheqë vajzat e vogla dhe të pafaj prej orthdodhoksisë, domethënë fenë e atërve dhe paraatërve t’onë edhe t’i kllasë në tjetër fe, prandaj ne si edhe gjithë qytetarët e këtushëmë, muarrëm vendimin që të çkishërojmë ç’do familje e cila dërgon fëmijët e saj në shkollën Protestante. Lavdi perëndisë, familjet të cilat dërgonin fëmijët në këtë shkollë, duk’e bashkëndjehur fajin e tyre të math e duke kuptuar se me të vërtetë do të gjendeshin në rrezik të math po të vazhdonin të mësojnë fëmijët e tyre në të këtilla shkolla, nisnë njëra pas tjetrës edhe i hoqnë, ashtu që në pak kohë me perëndinë, do të jemi në gjendjen e kënaqshme të mos mbetet asnjë; për këtë shkak i hoqnë fëmijët e tyre nga shkolla Protestante edhe i suallë këto në shkollat t’ona.

Me qenë se edhe kunati i juaj z. Mihal S. Mele nuk e pat hequr bijën e tija më të madhe edhe mbesën t’uaj Aleksandrën, andaj e gjetëm me udhë të ju shkruajmë edhe të ju lutemi që t’a heqë të bijën nga shkolla Protestante, sepse do tëjetë e shtrënguar e shenjta Mitropoli t’a çkishërojë familjen e të kunatit t’uaj, punë që nuk na pëlqen, e këto përfundojmë

Kryetari

O.Koritsas Fotios

V.i.V

(Fjalë përqark vulës: Dhimogjerondia orthodhoksu eliniqis qinotitos Koritsas)

Dhimogjerondia

(Vazhdojnë nënshkrimet e Dhimogjerondëve).

 (Foleja kombëtare v.1931, f. 52-53, fjala e mbajtur nga Asdreni)

VI- “Këtu Shqiptarët janë ndezur shumë nga kjo e ngjare dhe po të mbaj dhespoti këtë udhë që ka marrë, nuk di ndë do të shpëtojë i shëndoshë”, thuhet në artikullin që përmendëm më sipër. Shqiptarët ndiheshin të lodhur nga mohimi i gjuhës së tyre. Shpërthimi i revoltës së tyre kish dhënë shenja që 25 vjet më parë. Nuk do të tolerohej më si më parë. Më mirë se gjithçka tjetër këtë gjë e tregon një ngjarje e Devollit:

“Në Devoll flitet, përveç gjuhës shqip, edhe një bullgarishte e përzier. Por nja 25 vjet më parë, bullgarishtja mbretëronte në ato vise: në shtëpi, në rrugë, a në treg, njerëzia përdoronin më shumë sllavishten se shqipen. Andaj, nja 50 fshatra u mbluadhë një dlitë dhe bënë be (u betuan), që atëherë e tutje t’u mësonin djemëve vetëm gjuhën e mëmëdheut. Zunë edhe vetë të mos sjellin kurrë mbi buzë fjalë shqehnisht, (bullgarisht), edhe botën të mos e lëshojnë (lejojnë) të mërgonjë (harrojë) shipen. U ndodh një ditë një lopçar, i cili, duke shkuar në mëngjes përpara shtëpive për të mbledhur lopët, briti (thirri) bullgarisht: “Kravite, kravite!”, domethenë: “Lopët, lopët!” Atë hop u-rrethua thua prej trimash të lidhur, të cilët e benë me jataganë thela-thela trupin e lopçarit…”  (Gazeta “Albania”, 1898, nr. 2, f. 29)
            Për mësimin e gjuhës shqipe nuk kishte më kthim prapa.

Numri i nxënëseve në shkollën e vashave sipas viteve, për 22 vjet me radhë 1891-1913 ishte:

Gjithsej studiuanë 1.107 vajza myslimane e të krishtera.

1891-92 – 27 nxënëse

1892-93 – 50

1893-94 – 36

1894-95 – 35

1895-96 – 39

1896-97 – 42

1897-98 – 51

1898-99 – 44

1899-1900 – 46

1900-1901 – 47

1901-1902 – 49

1902-1903 – 33

1903-1904 – 42

1904-1905 – 19

1905-1906 – 87

1906-1907 – 61

1907-1908 – 32

1908-1909 – 81

1909-1910 – 51

1910-1911 – 54

1911-1912 – 52

1912-1913 – 50 nxënëse

Internati i kësaj shkolle u çel për të parën herë në Korçë më 1900 tue pas 5 nxnënëse, të cilat paguanin 6 lira turku për vitin shkollor

(Foleja Kombetare, v 1931, f. 94)

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: edhe shkollën amerikane, frekuentuan, Histori- Vajzat e Korçës, Vepror Hasani

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT