• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA NDEROI EDITORIN E DIELLIT DALIP GRECA

July 12, 2021 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – Editor i gazetes Dielli/

New York, më 11 Korrik 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA nderoi dhe vlerësoi me një ceremoni madhështore editorin e Diellit z.Dalip Greca me rastin e përfundimit të misionit të tij 12-vjeçar në krye të Diellit. Në një darkë solemne të organizuar nga VATRA në restorantin “Tesoro D’Italia”, Pleasantville, New York, dhjetëra të ftuar, miq, bashkëpunëtorë, familjarë, autoritetet më të larta drejtuese të Vatrës, ambasadorë, gazetarë, studiues, vatranë, media, miq të veçantë, avokatë, shoqata Besa-Besë, Albanian Roots, përfaqësues të Legalitetit(kryetari Hakik Mena dhe Ndrec Gjergji), Shkolla Bijtë e Shqipes, Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikan,Shoqata Skenderbej INC,përfaqësues nga familjet e mëdha patritotike shqiptare në USA(Si familja Mrnacaj dhe te tjera) kishin kënaqësinë të shprehnin urimet dhe nderimet për trashëgiminë dhe punën e jashtëzakonshme që Dalip Greca bëri në Diell dhe në Vatër për 12 vjet. Për t’u bërë pjesë e kësaj veprimtari kishin udhëtuar për 13 orë nga Detroiti: Nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj me zonej Mirela dhe Valentin Lumaj, nga Washingtoni Merita & John McCormack, nga Bostoni drejtuesi i Besa-Besen Petrit Alibej me zonjën, dhe shumë të tjerë, nga shtetet e Connecticut e New Jersey etj.

        Ishte një mbrëmje shumë emocionuese për z.Dalip Greca dhe për familjen e tij për t’iu shprehur mirënjohjen më të thellë për angazhimin familjar në Diell dhe në Vatër. Ishte një mbrëmje për të respektuar dhe nderuar kontributin për katër dekada me radhë që z.Greca ka dhënë në median shqiptare. Z.Greca ka kultivuar në media një stil të veçantë teknikash dhe vlerash dhe nga duar e tij kanë dalë ajka e gazetarisë së sotme shqiptare. Dalip Greca ishte një patriot, profesionist dhe një njeri i zoti. Dalip Greca mishëron vlerat dhe vyrtytet më të larta të shqiptarit të mirë. Në çdo moment Dalip Greca ishte simbol i sakrificës, durimit, qetësisë, urtësisë, mençurisë dhe këmbëngujes. Z.Greca gjatë punës së tij të mrekullueshme arriti të kalonte në shumë sfida duke pasur gjithmonë sukses dhe duke krijuar modele të shëndosha e të qëndrueshme si në Diell, në Vatër e në komunitetin shqiptar në USA. Dalip Greca për 12 vjet udhëhoqi me integritet moral, qytetar e profesional gazetën Dielli dhe në Vatër ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të lartë. Perveç punës së madhe dhe gjurmëve të pashlyeshme që z.Dalip Greca ka lënë në Diell, ai më herët ka qenë një gazetar shumë kurajoz, i ndershëm, i drejtë dhe menaxher i shkëlqyer te gazeta Ora e Fjalës, Republika, Illyria dhe bashkëpunëtor në shumë media kombëtare në Tiranë e hapësirën mbarë shqiptare. z.Greca ka qenë një penë e spikatur në diasporë. Një zë i fuqishëm dhe i pa kompromentueshëm. Ai mishëron vlerat dhe vyrtytet më të larta gazetareske dhe njerëzore. Duke qenë zëdhënës i Vatrës, gazeta Dielli, nën drejtimin e z.Greca kreu misionin me paanësi, korrektesë e profesionalizëm. Në fjalën e ceremonisë së nderimit Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha pasi lartësoi vlerat dhe punën e shkëlqyer të Dalip Grecës ndër të tjera tha: “Dalip Greca ka qenë një gazetar i shquar, një patriot i veçantë, një veprimtar i spikatur, një bashkëpunëtor besnik, një familjar shembullor, një shqiptar i dalluar në diasporen e Amerikës. Miku ynë i shtrenjtë Dalip Greca pasi udhëhoqi për 12 vjet me profesionalizëm të lartë, përkushtim të veçantë e pasion të dalluar vendosi të tërhiqet duke na lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, Komuniteti shqiptar, miqtë dhe familja do i jenë përjetë mirënjohës Dalip Grecës për veprimtarinë e tij dinjitoze dhe të shkëlqyer mediatike, kulturore, vatrane dhe  patriotike. Ky nderim që i bëjmë sonte është shumë pak krahasuar me shpirtin dhe zemrën me të cilën ka punuar Dalip Greca në Diell  e Vatër. Të gjithë ne do të jemi mirënjohës përherë ndaj Dalip Grecës për frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të patriotizmit e të mirëkuptimit që kultivoi dhe transmetoi në Diell dhe Vatër për 12 vjet. Unë isha i lumtur që bashkëpunova shumë ngushtë me Dalip Grecën dhe do jem akoma më i lumtur që do vazhdoj ta kem një ndër këshilltarët e mi më të ngushtë. Është pak ti them publikisht mirënjohje veprimtarisë dhe kontributit kolosal të Dalip Grecës” përfundoi kryetari i VATRËS z.Berisha. Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, Ambasador Frymëzim Isufaj e vlerësoi shumë lart punën e z.Dalip Greca në krye të Diellit dhe çmoi shumë shumë punën e ngushtë të z.Greca me Konsullatën dhe Ambasadën e Kosovës. Ambasador Frymëzim Isufaj në vlerësimet e tij për Editorin Dalip Greca tha se: “Dalip Greca shërbeu me ndershmëri, përkushtim dhe shumë pasion për Diellin dhe Vatrën duke qenë kurdoherë i gatshëm për të sakrifikuar dhe kontribuar si në ditët me diell dhe në ditët me shi. Me emrin e Z.Greca lidhet një histori shumë e rëndësishme e Diellit në Amerikë duke u kthyer në një media shumë serioze, dominuese dhe prestigjioze në botën shqiptare dhe jo vetëm. Në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës, në emër të Ambasadës në Uashington, diplomatëve dhe punonjësve tanë dhe sigurisht në emrin tim personal i shpreh mirënjohje e falenderim sepse ka qenë kurdoherë i gatshëm në pritjet dhe vizitat që ne kemi bërë në Vatër dhe takimet me komunitetin shqiptar. Vlerësime e mirënjohje për ju z.Greca” përfundoi fjalën e tij Ambasador Isufaj. Nënkryetari i Vatrës z.Alfonc Grishaj e cilësoi Dalip Grecën si një intelektual të rrallë, një personalitet të shquar shqiptar të diasporës, një gazetar me dhunti të veçanta, një gjeni i cili me anë të djersës i ka shërbyer kombit dhe atdheut me një përkushtim të jashtëzakonshëm në çdo kohë. “Nëse ne si shqiptarë kemi emërues të përbashkët kombin, Vatra e Dielli kanë pasur emërues të përbashkët z.Dalip Greca. Ky është është një xhevahir i rrallë. Është një personalitet i veçantë i cili bëri një histori po kaq të veçantë në Diell dhe në Vatër. Ai krijoi një personalitet dhe një model të veçantë. Ai u frymëzua nga modeli patriotik dhe kombëtar. I dashur miku im Dalip, ti ke qenë gjithmonë një vlerë e do të nderohesh, kujtohesh e respektohesh gjithmonë” përfundoi fjalën e tij z.Grishaj.

           Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj deklaroi në ceremoninë e vlerësimit për z.Greca: “12 vitë pune që ka bërë për gazetën DIELLI jane 12 gurë kilometrikë – historikë të gazetës tonë të dashur. Unë jam i sigurtë që do vijë një ditë kur, ashtu siç bëjnë sot shumë studjues që ulen mbi koleksionin e DIELLIT për të mësuar historinë e popullit tonë të viteve të para të shekullit të XX – të, ashtu do të ulen mbas shumë vitesh e ndoshta dekadash për të kuptuar historinë e popullit tonë të 12 viteve të shekullit të XXI të, kohë kur ju e drejtuat gazetën tonë. Zoti Dalip ishte profesionist i madh, Shqiptar i mirë dhe mik besnik. Unë jam me fat që e kam njohur e kam bashkëpunuar besnikërisht.

      Z. Rexhaj tha se ndjehet krenar që pranë kryetarit të ndjerë Agim Karagjozi,si nënkryetar i Vatrës, para 12 vitesh, ka qenë pjesë e vendimarrjes për emrimin e z. Greca në krye të Diellit. Mirënjohje për gjithë jetën këtij burri të vërtetë, profesionisti dhe Vatrani model” përfundoi z.Rexhaj. 

Ambasador Mal Berisha deklaroi se Dalip Greca na bën të gjithëve krenar me punën e jashtëzakonshme që ka bërë në krye të gazetës Dielli. “Sonte mbaj me vete një logo të shtrenjtë të Diellit që ma ka dhuruar z.Dalip Greca si një kujtim të bukur me rastin e 110 vjetorit të Diellit. Dua ta vlerësoj z.Greca pasi është themelues i shtypit demokratik, alternativ dhe pluralist. Ai formoi një rrjet gazetarësh që sot në Shqipëri dhe më gjërë janë niveli më i lartë i gazetarisë. Mbetsh në historinë e gazetës Dielli si një xhevahir i rrallë që zbukuron historinë e medias e të kombit tonë.Ti do mbetesh në altarin e artë të medias shqiptare” përfundoi fjalën e tij Ambasador Mal Berisha.

Ish gazetari i Zërit të Amerikës, Drejtor per Divizionin e Euro-Azise, z.Frank Shkreli e vlerësoi lart figurën e editorit Dalip Greca duke thënë se angazhimi i Dalip Grecës në Diell ishte i shtyrë nga një dëshirë për të kontribuar për të mirën e shoqërisë ku jetojmë dhe të kombit, pjesë e të cilit jemi – që nepërmjet gazetarisë së lirë – të përpiqemi të zbulojmë të vërtetën, në llogari të mirës së përbashkët. “Sonte, z. Greca duhet të jetë shumë krenar për të arriturat e tija gjatë këtyre 12 viteve si Kryeredaktor i Diellit, disa prej të cilave ai i radhit, modestësisht, në njoftimin për daljen në pension, e për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë e krenarë me punën e tij. Dalip Greca gjatë këtyre 12-viteve u përpoq me sa pati mundësi dhe përball rrethanave të vështira, shpesh penguese dhe me burime të kufizuara – ta ringjallte dhe ta kthente Diellin në vijën e përcaktuar nga themeluesit e tij mendje ndritur, ta kthente sado pak në misionin origjinal të tyre. Misioni i Vatrës dhe i Diellit nuk ka mbaruar as ndryshuar aq shumë. Veprimtaria historike e Vatrës dhe e Diellit ka gjithnjë barrën e rëndë për të ndjekur dhe për të mbrojtur besnikërisht interesat kombëtare të shqiptarëve kudo” deklaroi Frank Shkreli.

      Gazetari dhe studiuesi Idriz Lamaj në fjalën e tij deklaroi Dalip Greca ngriti nivelin e gazetës Dielli në standarde të larta të kohës sotme moderne. Thelloi seriozitetin në të gjitha shkrimet e botuara në të. Mbuloi me kujdes të veçantë zhvillimet më të rëndësishme të fushave të ndryshme të veprimtarisë të Vatrës, të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në të gjitha anët e globit ku jetojnë shqiptar. “Dalipi, i mbushi shtyllat e Diellit me shkrime, studime dhe analiza të thukta mbi çdo lloj zhvillimi në Shqipëri, në Kosovë dhe në trevat tona të tjera etnike në Ballkan, si asnjë Editor i Diellit të mëparshëm. Kur them asnjë editor i mëparëshëm, them prej numrit të parë të gazetës Dielli. Për këtë nuk ka nevoj të flas unë, shpaloni Diellin e këtyre 12 vjetëve dhe krahasoni me Diellin e viteve të mëparshme. Këtë gazetë e kam lexuar dhe studiuar me shumë kujdes për mëse 50 vjet, prej themelimit të saj deri me sot, dhe e them me njëfarë mburrje, ndoshta përmbajtjen e Dielli e njof më mirë se shumë kush. Por jo më mirë se Dalipi. Si editor i Diellit për këtë përiudhë 12 vjeçare, Dalip Greca, mbas Refat Gurrazezit – dishepullit të Faik Konicës, do të mbetet i vetmi editor i Diellit si studiues i historisë të Vatrës dhe të Diellit” deklaroi z.Lamaj. 

Editori i Diellit z.Dalip Greca pasi vlerësoi dhe shprehu mirënjohje për respektin personaliteteve e të gjithë të të panishmëve, bëri një ekspoze të detajuar mbi punën e tij mediatike, aktivitetin e tij në gazetat Ora e Fjalës, Republika, Iliria dhe punën e jashtëzakonshme në Diell e në Vatër. Ndër të tjera z.Greca kujtoi disa detaje nga rrugëtimi i tij i gjatë: “Jam ndjerë ngrohtë në Vatër që në momentin që kam shkelur aty. Unë u bëra pjesë e Vatrës me rastin e 100 vjetorit të Diellit. Në hulumtimet e mia për konferencën e Diellit pashë që në përplasjet e Noli e Konicës kishte fisnikëri dhe kuptova se Vatra nuk do zhduket as nga përçarjet as nga grindjet e casteve nervoze. Perendia e kishte caktuar Vatrën që të shpëtonte Shqipërinë, kur Vatra caktoi ambasadorë, kur mblodhi fonde, kur sponsorizoi konferencën e paqes në Paris etj. Me ardhjen time në Vatër gjeta njerëz shumë fisnik. I kujtoj me detaje përkujdesjen ndaj meje të inxhinjer Karagjozit e Zef Perndocës. Kam bashkëpunuar ngushtë me editorin parardhës Anton Cefa, kam ndjekur rrugën dhe këshillat e miqve të mi si z.Lamaj e shumë të tjerë për të ringjallur Diellin dhe për të ringjallur edhe ata që kishin drejtuar Diellin dhe ishin harruar. Kam sjellë jetët e plota të Editorëve të Diellit në shenjë respekti e nderimi për këto ikona të gazetarisë shqiptare. Kam sjellur në shtyp ikona të harruara si Nelo Drizari, Koste Cekrezi, Kristo Floqi e shumë figura që kanë shërbyer për mua si orjentues për të ecur në rrugën e gjatë. U mundova që ti nxjerr nga pluhuri i harresës. Ata bënë epokë dhe kanë dhënë një kontribut të paharruar. Sot ndjehem mirë se Dielli ka korrespondentë në Prishtinë e shumë gazetarë që bashkëpunojnë me Diellin. Kjo gazetë vazhdon të ndriçojë edhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me miqtë e vet. Mirënjohje për këtë organizim e respekt gjithmonë” përfundoi fjalën e tij editori i Diellit z.Dalip Greca. 

Në emër të familjes Greca morën fjalën falenderuese dhe përshëndetëse Alma, vajza e madhe e Dalipit dhe bashkëshortja Xhemilja të cilët shprehën mirënjohje të thellë për nderimin, respektin dhe vlerësimin e bërë nga Vatra e të gjithë pjesëmarrësit. Z.Dalip Greca, për punë të shkëlqyer dhe kontribut në komunitetin shqiptar në New York dhe jo vetëm u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta, me Urdhërin “Kalorës i Skënderbeut” me motivacionin: Në vlerësim të veprimtarisë së shquar kombëtare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e kryeredaktor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare VATRA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Dalip Greca u Dekorua nga Kryetari i VATRËS z.Berisha me medaljen e Ekselencës për kontributin e tij në gazetën Dielli, për ngritjen e Diellit në një nivel të lartë e cilësor, për përkushtimin dhe angazhimin e tij model. Z.Dalip Greca u Dekorua me medaljen e Mirënjohjes nga Konsullata e Shtetit të Kosovës në New York për punën e jashtëzakonshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me Institucionet diplomatike të Shtetit të Kosovës. Pas ceremonisë së dekorimit, nën tinguj e magjishëm të këngës e zërit brilant të Gëzim Nikës e Merita Halilit, shoqeruar nga mjeshtri Raif Hyseni me orkester, në një atmosferë vëllazërore, elektrizuese e festive, ceremonia e festës dhe nderimit ndaj Editorit të Diellit z.Dalip Greca vazhdoi deri pas mesnate. Ishte një mbrëmje e paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit ashtu siç do jetë i paharrueshëm për të gjithë ne Dalip Greca si gazetar, patriot, vatran e njeri model. Veprimtari u filmua dhe u fotografua nga TV Kultura Shqiptare-Albanian Culture TV prej Drita & Drini Llalloshi.

Ambasadori Frymezim Isufaj e nderoi Editorin me Mirenjohje.
Presidenti i Nderit Z. Agim Rexhaj shprehu konsiderata te larta per punen e Editorit Dalip Greca.
Nenkryetari i vatres z. Alfons Grishaj qe se bashku me zonjen Mirela dhe anetarin e Keshillit te Vtares kishin udhetuar 13 ore me makina nga Michigani, vleresoi profesionalizmin dhe patriotizmin e z. Greca.
Ambasadori Mal Berisha: Dua ta vlerësoj z.Greca pasi është themelues i shtypit demokratik, alternativ dhe pluralist.
Z. Frank Shkreli- Ish Gazetar i Zerit te Amerikes- Drejtor i Divizionit te Euro-Azise:“Sonte, z. Greca duhet të jetë shumë krenar për të arriturat e tija gjatë këtyre 12 viteve si Kryeredaktor i Diellit…
Gazetari dhe studiuesi Idriz Lamaj në fjalën e tij deklaroi Dalip Greca ngriti nivelin e gazetës Dielli në standarde të larta të kohës sotme moderne….
Editori i Diellit Dalip Greca duke falenderuar organizatoret dhe mysafiret si dhe duke vleersuar Diellin.
Grishaj i dorezoi Editorit dekoraten e akorduar nga Presidenti Ilir Meta”Urdheri Klaores i Skenderbeut”.
Me familjen Mrnacaj me fisniken Marie Mrnaçaj.
Kryetari i Vatres z. elmi Berisha dhe Editori Legalistet Ndrec Gjergji dhe Kryetarin Hakik Mena.
Familja Greca dhe Kryetari Berisha .
Me Familjen….

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, editorin e Diellit, Sokol Paja, VATRA nderoi

25 VJET PA REDAKTORIN E ZERIT TE AMERIKES, EDITORIN E DIELLIT,BOTUESIN E DEMOKRATIA….

November 24, 2014 by dgreca

NË KUJTIM TË XHEVAT KALLAJXHIUT, NJËRIT PREJ DEKANËVE TË GAZETARISË SHQIPTARE/
Nga Frank Shkreli/
Ne Foto:Fotografi e gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra – Xhevat Kallajxhiu në krye të tavolinës me disa bashkatdhetarë, emërat e të cilëve mund të lexohen më lartë./
Xhevat Kallajxhi, gazetari dhe autori shqiptaro-amerikan ndërroi jetë nëntorin e vitit 1989, në prak të ndryshimeve rrënjësore historike me shembjen ekomunizmit ndërkombëtar anë e mbanë Europës Lindore e Qëndrore dhe në Shqipërinë e tij të dashur.Ai u largua nga kjo jetë 25 vjetë më parë qetësisht, ashtu si edhe jetoi jetën — të pakën jetën gjatë të cilës e njoha unë. Megjithëse i pëlqente debati dhe kishte një njohuri të gjërë mbi subjekte të ndryshme, ashtu siç ndodhë me gazetarët e mirë, Xhevati nuk turbullonte as nuk grindej me askënd, madje as me ata që nga ndonjëherë e kritikonin me pa të drejtë, përfshirë këtu edhe bashkqytetarin e tij gjirokastrit, diktatorin Enver Hoxha i cili në disa raste në kujtimet e tija kishte kritikuar Xhevatin si “njërin që pretendonte të ishte gazetar”. Xhevat Kallajxhiu vdiq më 8 nëntor, 1989, në moshën 85-vjeçare, në një lagje të shtetit Maryland, afër Washingtonit, kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara ku kishte punuar për shumë vite pranë seksionit shqip të Zërit të Amerikës. Ndonëse komuniteti shqiptar në Washington ishte tepër i vogël në atë kohë, Xhevati u përcoll në atë jetë vetëm nga familja e tij e ngushtë dhe nga një grusht bashkatdhetarësh nga Gjirokastra ku kishte lindur dhe nga zona të tjera të Shqipërisë, përfshirë edhe disa të ardhur rishtas në Amerikë — refugjatë politikë të arratisurish nga trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi. Të pranishëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit Xhevatit ishin edhe miqë amerikanë të familjes Kallajxhiu.
Xhevat Kallajxhiu kishte punuar për shumë vite pranë seksionit shqip të Zërit të Amerikës, aty ku e kisha takuar për herë të parë në qershor të vitit 1974, kur unë fillova punën së pari në të njëjtën zyrë. Gjatë disa viteve që punova me të, Xhevat Kallajxhiu, për mua ai ishte një shkollë gazetarie. Për më tepër, ai ishte ndër shqiptarët e pakët që kisha takuar e që besonte me mish e me shpirt në të drejtat e njeriut për çdo qënje njerzore, për lirinë dhe demokracinë për çdo popull, por mbi të gjithë, për kombin shqiptar. Ai ishte plot frymëzim për një ditë më të mirë për kombin shqiptar dhe për njerëzimin, ndonëse kishte edhe momente kur ankohej për vuajtjet e shqiptarëve kudo.
Si redaktor përgjegjës i gazetës Dielli, Xhevati si asnjë herë më parë, shumë shkrime të tija ia kishte kushtuar Kosovës dhe gjendjes së shqiptarve nën ish-Jugosllavi dhe gjithashtu i hapi faqet e gazetës edhe e për të tjerët për të rrahur çështjen e Kosovës dhe të të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta. Interesimin dhe dashurinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e pasqyroi me vepra dhe me fjalë gjithë jetën e tij, ashtu siç demonstroi edhe dashurinë e tij njëkohësisht edhe për Amerikën, ndërkohë që promovonte me gjithë potencialin e tij miqësinë midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte një gazetar dhe autor i denjë, i cili me ushtrimin e gazetarisë, ai jepte nder kësaj fushe, sidomos gazetarisë shqiptare. Në krijimtarinë e tij krijuese, si në gazetari, ashtu edhe në prozë dhe deri diku edhe në poezi, megjithëse thonte se nuk ishte poet – ndërkohë që i kërkonte lexuesit që të “gjykonte vjershat e tij nën prizmën e ndjenjës” – Xhevati mbeti gjithmonë i lidhur me dhe pranë lexuesit shqiptar. Si i tillë, gjatë shërbimit të tij në Zërin e Amerikës ose me shkrimet e tija të shumëta me pseudonimet “Bardhi” dhe “Gjin Shpata” në gazetën Shqiptari i Lirë dhe në gazeta e revista të tjera, por sidomos në periudhën që ai ishte Kryeredaktor i organit të Organizatës panshqiptare Vatra, gazetës Dielli –Xhevati e tregoi se ishte jo vetëm pjesë e pa ndarë e Gjirokastrës dhe Shqipërisë që e lindi por edhe i të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan. Si shumë patriotë të gjeneratës së tij, Xhevat Kallajxhiu i ndiqte për së afërmi vujajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe shkruante shpesh për fatin e tyre.Ishte me të vërtetë i përkushtuar ndaj fatit të Kosovës.Shumë artikuj dhe kryeartikuj kanë dalë nga dora e tij, numri të cilëve ndoshta nuk do të dihet kurrë, mbi shumë subjekte, përfshirë Kosovën. Në një kryeratikull në gjuhën anglisht, me rastin e 5-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Xhevati shkruante, se “Ndërsa kujtojmë 5-vjetorin e demonstratave në Kosovë, ne jemi të bindur se shqiptarët anë mbanë botës do të kujtojnë me respekt të thellë të gjithë ata që dhanë jetën në demonstratat si edhe ata që tani po vuajnë në burgjet e Jugosllavisë për pjesëmarrjen e tyre në demonstrata. Të gjithë ata janë heronjë të një kauze të drejtë, kauzë e cila heret ose vonë, do të triumfojë”, përfundonte kryeratikullin largpamës Xhevat Kallajxhiu të shkruar më 1986.
Gjatë periudhës që ai punoi tek Zëri i Amerikës, Xhevati me kolegët e tij — në radhët e të cilëve ai gëzonte një respekt jashtzakonisht të madh si koleg dhe si profesionist — gjatë luftës së ftohtë shërbeu si shembull i lirisë së shtypit dhe të debatit të lirë dhe megjithë rrethanat e vështira ata u përpoqën t’i jepnin dëgjuesve shqiptarë kudo — nepërmjet radios me valë të shkurtëra — një alternativë ndaj një shtypi që dominohej dhe kontrollohej plotësisht nga regjimi komunist në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare. Kurrë nuk lodhej dhe nuk ankohej asnjëherë për punën e rëndë si rrjedhim i mungesës së stafit të kualifikuar. I vetmi shqetësim i Xhevatit ishte se mos po e bënim gjithë atë punë kot sepse nuk kishim asnjë të dhënë nëse nandëgjonte njeri. Shpeshherë duke u këthyer nga studio, Xhevati këthehej e më pyeste: “E mo Frank, e bemë gjithë këtë punë, thua na dëgjoj njeri sot?” Fatkeqsisht, ai si shumë të tjerë të brezit të tij, nuk pati fatin të ishte dëshmitar i fruteve të punës së tij prej dekadash për lirinë e popullit të vet dhe të përjetonte më në fund shëmbjen e komunizmit në Shqipërinë e tij të dashurdhe lirinë e pavarësinë e Kosovës. Në shkrimet e tija, ai i kishte kushtuar një hapësirë të madhe kërkesave legjitime të shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi.Por Xhevati mund të mbetet i kënaqur në atë jetë, se puna dhe mundi i tij tek Zëri i Amerikës nuk i kishte shkuar më kot. Po të ishte gjallë, ai do të mësonte ashtu siç mësuam të gjithë pas rënjes së regjimit komunist, se Zëri i tij dëgjohej — ndonëse fshehurazi — dhe se për një kohë të gjatë përbënte të vetmen alternativë ndaj shtypit të kontrolluar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Veprimtaria gazetareske e Xhevatit kishte filluar në rini në qytetin vendlindjes së tij në Gjirokastër. Fillimisht, më kujtohet të ketë përmendur bashkpunimin e tij me gazetën Labërija, por nuk më kujtohet se në çfarë kapaciteti dhe për sa kohë ka punuar pranë kësaj gazete. Por, ai fliste me krenari për punën e tij pranë gazetës “Demokratia”, e cila u botua nga viti 1925 deri më 1939 në Gjirokastër. Përveç gazetarisë serioze, Xhevati merrej edhe me humor të cilin ai e kishte shprehur në revistën “Pif-Paf” në Shqipërinë e para luftës, por nga humori nuk hoqi dorë as në Amerikë, ku kishte botuar librezën humoristike “Për të Qeshur”.
Pasi u largua nga Zëri i Amerikës, Xhevat Kallajxhiu shërbeu si kryeredaktor i gazetës Dielli për 10-vjetë gjatë 1970-ave dhe 1980-ave, nën rrethana shumë të vështira për ‘të personalisht sepse jetonte afër Washingtonit, ndërkohë që kryeqendra e organizatës Vatra dhe e gazetës Dielli ishte në Boston. Por, ky ishte përkushtimi moral dhe patriotik i Xhevatit,ndonëse në rrethanamjaft të vështira materiale dhe financiare për gazetën Dielli, në një kohë që ekzistonte rreziku të shuhej gazeta, Xhevat Kallajxhi ndonëse në mosh të shkuar, i del zot Diellit, i cili në kohërat më të vështira për Shqipërinë dhe për shqiptarët lëshoi rreze drite me shkrimet dhe artikujt e peshkop Fan Nolit, diplomatit Faik Konicës dhe shumë shkrimtarëve dhe gazetarve të tjerë shqiptaro-amerikanë, ndoshta më pak të njohur se këta, por me mundësitë e veta edhe ata kontribues ndaj kulturës dhe gazetarisë shqiptare në mërgim dhe më gjërë — të cilët Xhevati i inkurajonte të shkruanin dhe të bashkpunonin me gazetën Dielli.
Me rastin e 25-vjetorit të vdekjes, Kryeredaktori i tanishëm i gazetës Dielli, Dalip Greca, si pasardhës i denjë i Xhevat Kallajxhiut dhe të tjerëve që kanë udhëhequr Diellin për më shumë se një shekull, iu përgjij kërkesës time që të vlerësonte punën e Xhevatit si kryeredaktor i gazetës Dielli, si dhe përfshirjen e subjekteve që trajtonte Xhevati gjatë një dekade me shumë rëndësi për fatin e shqiptarëve: “Xhevat Kallajxhiu mbetet një ikonë e rrallë në gazetarinë e mërgimit”, tha Z. Greca. “Kontributi i tij prej një dekade në gazetën Dielli, është me vlera jo vetëm për kohën kur shkroi dhe editoi Diellin, por edhe për brezat në vazhdim. Ishte njohës i mirë i historisë botërore, vecanërisht asaj amerikane dhe shqiptare, çka pasqyrohen në artikujt e tij historikë. Ai e orientoi Diellin drejt shqetësimeve reale të komunitetit, të Vatrës, dhe Çështjes Shqiptare në tërësi”. Dalip Greca, si njohës i mirë i shkrimeve të Xhevatit për gazetën Dielli, shtoi se Kallajxhiu,“I dha hapësirë mbrojtjes të të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi e në Shqipëri, denoncoi shkeljen e të drejtave njerëzore, shtroi me guxim probleme para komunitetit, evokoi historinë Kombëtare, evidentoi vlerat e Vatrës dhe të Diellit, shkroi e përcolli me shpirt e sy të përlotur bashkadhetarët që ndërruan jetë. Xhevati ka lënë pas gjurmët e një njeriu me shpirt njerëzor, të dashur, të respektuar.Flet pena e tij në rreshtat e Diellit”, shtoi Dalipi.
Si njohës i mirë i kontributit dhe shkrimeve të Xhevat Kallajxhiut për gazetën Dielli, ku ruhet koleksioni i shumë shkrimeve të tija, Z. Greca e vlerëson kështu rolin e Xhevatit si kryeredaktor i Diellit për një dekadë:”Ai ishte gazetari që të imponon edhe sot t’ia lexosh artikullin. Ishte mjeshtër për të thënë shumë gjëra në pak radhë. Nuk kërkonte fjalë bombastike; jo, fjalori i tij rridhte natyrshëm dhe kishte parasysh lexuesin e Diellit. I përshtatej.Stili i tij është i vecantë.Them se e kishte krijuar stilin e vet.Përherë nisej nga faktet për të shtruar idetë. Mendoj se editorialet e tij mund dhe duhet të studiohen nga shkollat e gazetarisë në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e Shkup.Xhevati tregonte kujdes që në përcaktimin e titullit, të shkrimit; edhe sot kur i shfletoj koleksionet e Diellit, harrohem me orë të tëra sepse më fusin në kurth titujt.Pasi shoh titullin provoj një thirrje të brendshme që ta filloj dhe s’mund të heq dorë pa i shkuar në fund.Ka qenë shumë prodhimtar.Nuk ka numër të Diellit për 10 vitet që e editoi Xhevati, që të mos gjesh editorialet e tij me emër. Po përmend disa nga titujt e editorialeve të Xhevatit:”U mbars Mali dhe polli një mi”; Hakmarrja-Një zakon i keq; Të njohim njëri-tjetrin; Fati i të burgosurve të Kosovës, Gjallëria e racës shqiptare, “Arratisen nga “parajsa e Kuqe”, Mirënjohje shqiptare për Amerikën”, e tjera .
Është e vërtetë se bazuarjo vetëm në shkrimet e tija gjatë një dekade që ai drejtoi Diellin, por edhe në biseda private e shoqërore — megjithëse ishte kulmi i luftës së ftohët dhe komunizmi dukej më i fortë se kurrë — Xhevati shihte tek e ardhmja me optimizëm për kombin shqiptar. Në kryeartikujt e tij, Xhevati shtroi problemin e bashkimit Kombëtar, si ndreqje e padrejtësive të Europës, që e kishte coptuar Kombin shqiptar, tha kryeredaktori i Diellit.
Përveç kontributit të tij prej dekadash në fushën e gazetarisë me qindra artikujsh e kryeartikujsh të nënshkruar prej tij jo vetëm me emërin e tij të saktë por edhe me pseudonimet “Bardhi” dhe “Gjin Shpata” — si njëri prej dekanëve të gazetarisë shqiptare — Xhevat Kallajxhi është edhe autor injë numri librash e librezash botuarkëtu në Shtetet e Bashkuara, me prozë dhe poezi. Ndër ato që dallohen janë libri me poezi, “Tingëllimet e Zemrës”, dhe Lot e Shpresa, të cilin ai ua ka “kushtuar me nderim shokëvet që kanë vdekur në mergim”. Disa nga vjershat, Xhevati ia ka kushtuar Kosovës siç janë poezitë “Kosova Martire”,“Kosova” dhe“Marshi i Djelmënisë Kosovare”. Xhevati i këndon gjithashtu“Çamerisë”, “Arbëreshve të Italisë”, “Statujës së Lirisë” dhe vjershën kushtuar, “Dom Ndre Zadesë”, patriotit të flakët, klerikut dhe shkrimtarit, siç e quan atë Xhevati, i cili ishte nga viktimat e para që u pushkatua nga komunistët, pranverën e vitit 1945 në Shkodër.
Duke qenë me mundësi të kufizuara financiare,vjershat patriotike kushtuar dëshmorëve dhe si edhe punimet e tjera të Xhevatit janë botuar me ndihmën bujare të bashkatdhetarve të tij në Amerikë. Kjo bëri të mundur që Xhevati të botonte disa libra shqip në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Linkolni, Xhon F Kennedy, Për të Qeshur, Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë. Thuhet se Xhevati mund të ketë lënë edhe disa dorëshkrime pa botuar, siç është edhe romani Larg Atdheut.
Xhevati njihej, bashkpunonte dhe vlerësohej pa dallim nga mbarë elita politike dhe kulturore e komunitetit shqiptaro-amerikan. Si rrallë të tjerë bashkohas të tij të cilët shpesh tregonin paragjykime mbi arsyen — atë nuk e pengonin ndryshimet politike, krahinore ose fetare në punën e tij drejtë realizimit të qëllimeve të përbashkëta. Një bashkohas i tij, ish-profesori i njohur shqiptaro-amerikan, i ndjeri Peter Prifti ka vlerësuar se Xhevat Kalljaxhiun si gazetar, si njeri dhe si patriot duke thënë se Xhevat kallajxhiu, “Në tërësi shkruante duke pasur gjithmonë respekt për faktet dhe duke patur përmbajtje prej dijetari.Nga temperamenti ishte idealist me simpati të thella humanitare për të shtypurit. Në jetën e tij pati mjaft dhimbje e vuajtje, por fatkeqësitë i mbarti me shpirt të qetë dhe me sens humori.” Duke vlerësuar Xhevat Kallajxhiun jo vetëm si njeri dhe si gazetar por edhe si patriot, si demokrat dhe si besimtar i fortë në liri dhe demokraci, Profesor Prifti ka shkruar se, “Kallajxhiu në radhë të parë ishte njeriu që tregonte vazhdimisht kujdes për kombin shqiptar. Në të njëtën kohë, ai kishte ndjenja të forta simpatie dhe admirimi për Amerikën. Nga kjo anë, ai i ngjante shumë Fan Nolit, i cili gjithë jetën ia kushtoi mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar, duke punuar me përkushtim t’i sillte popullit shqiptar demokracinë wilsoniane”. Peter Prifti vlerëson lartë edhe spirtin demokratik të Xhevatit duke thënë se, “Kallajxhiu, po ashtu, ishte avokat i zjarrt i parimeve dhe idealeve demokratike.Përkrahja e tij ndaj parimeve demokratike të jetës daton qysh nga Gjirokastra, ku ai botoi gazetën me titull “Demokratia”. Demokracia, liria, pavarësia dhe paqeja – këto nuk kanëqenë thjesht slogane për Kallajxhiun, por kushte vitale të domosdoshme për një shoqëri të drejtë e të mirëqeverisur”, përfundon vlerësimin e tij Profesor Peter Prifti.
Xhevat Kallajxhiu ishte njeri i mirë e i ndershëm, atdhetar i patundur — e donte Shqipërinë me gjithë zemër, por donte edhe Amerikën që i kishte dhënë strehimin, lirinë dhe mundësinë për të ushtruar gazetarinë dhe për të shprehur lirisht mendimet dhe pikëpamjet e tija, të cilat tani janë bërë pjesë jo vetëm e thesarit të çmueshëm të gazetarisë dhe të kulturës shqiptaro-amerikane, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Një bashkohas dhe mik i Xhevatit, Nexhat Peshkëpia ishte shprehur sei“hidhur është mërgimi dhe të hidhura janë rrugët e tija”. Edhe për Xhevatin, si edhe për shumë bashkombas të tij, që u detyruan të largoheshin nga Atdheu i tyre,rrugët e mërgimit ku vdiq me mall për Atdheun, ishin vërtetë të hidhura, por megjithëkëte ai ishte gjithmonë optimist se do të vinte dita e lirisë, shpresë që ai e kishte shprehur me vjershën, “Do të vijë dita”:

Do të vijë më së fundi dit’ e madhe e çlirimit,
Do të shuhet skllavëria, do dërmohet trathëtija,
Do gjëmojë an’ e mbanë këng’ e ëmbël gëzimit,
Do të zhduket llahtarija, do t’ shpëtojë Shqipëria.

Dhe shqiponj’ e arratisur do të zërë vend’ e saj;
Do të ndizet sërish vatra, do të hiqet fut’ e zezë,
Do të marrë frymë biri, s’do të ketë lojë e vaj,
Do qindiset Shenj’ e Kombit veç me fjalë të lirisë.

Eh, zinxhir’ i tiranisë do të thyhet më në fund.
Mbaju, mbaju Mëma jonë, si që moti, gjith’ krenare
Edhe ti o bir i shqipes qëndro burrë mos u tund,
Se së shpejti do agojë dit’ e bukur shqipëtare!
——————————————————-

Me nderim, mirënjohje dhe me mall përkujtoj mësuesin dhe bashkpuntorin, njërin prej përfaqsuesve më të denjë të diasporës shqiptaro-amerikane dhe të intelektualizmit shiqptar në përgjithësi – Xhevat Kallajxhiun – me rastin e 25-vjetorit të ndarjes së tij nga kjo jetë.

Filed Under: Editorial Tagged With: “Demokratia”, 25 vjet, botues i gazetës, editorin e Diellit, Frank shkreli, pa Xhevat Kallajxhiun, redaktorin e Zerit te Amerikes

Artikujt e fundit

  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DR. GJON BUÇAJ DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DALIP GRECËN DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • LAMTUMIRË DALIP GRECA
  • SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE
  • TURKEY’S COLLUSION WITH RUSSIA – NEW REPORT
  • Jo, po: ka Shqipni për Zotin
  • GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE
  • KAFSHËT LUFTËTARE SI DHE NJERËZIT
  • ALBANIAN LANGUAGE – ELECTIVE COURSE – AT HARVARD UNIVERSITY
  • MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI
  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mirëpret të gjithë shqiptarët në festën e 110 vjetorit të krijimit të saj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT