-Ekspozita e Etnologjisë në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të ketë për qëllim informimin e vizitorëve për mënyrën e jetesës së popullatës të trevave shqiptare, me fokus të veçantë në artin tradicional, si dhe trajtimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore përmes artit tradicional. Hartohet Koncept dokumenti/
-Në këtë muaj Qershor 2020, me rastin e shënimit të 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren para publikut prezantoi ekspozitën tematike “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autorit Parim Kosova/
PRIZREN, 24 Qershor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar Koncept Dokumentin për ekspozitën etnologjike e cila së shpejti planifikohet të ridizajnohet në sektorin etnologjik të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ekspozita do të ketë për qëllim informimin e vizitorëve për mënyrën e jetesës së popullatës të trevave shqiptare, me fokus të veçantë në artin tradicional, si dhe trajtimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore përmes artit tradicional.
Samir Hoxha, Drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore tregon se përmes këtij koncept dokumenti do të bëhet ridizajnimi i sektorit etnologjik në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me ç’rast synohet të arrihet aplikimi i metodave të ndryshme instruktive, përmes të cilave do të përcillet tek vizitorët.
Prezantimi përveç se vizualisht në formë fizike planifikohet të përcillen edhe me video, audio (muzikë), reprodukime, teksturë (të prekshme) që mund t’u japë qasje çdo vizitori të ndjejë dhe të përjetojë artin tradicional të pasqyruar përmes kësaj ekspozite në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, thekson drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha.
Duke u bazuar në koleksionin ekzistues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të sektorit etnologjik vizitori mund të mësojë për artin tradicional të shprehur përmes zejeve të ndryshme.
Koleksioni i pasur me tekstil mund të paraqesë veshje të burrave, djemve, grave, nuseve dhe vajzave myslimane, katolike dhe ortodokse nga trevat shqiptare njëkohësisht duke treguar për llojllojshmërinë e ngjyrave, mënyrës së punimit, materialit dhe formave që ato paraqesin.
Grupi punës i ekspozitës do të angazhohet në bashkëpunim me dizajnerin e enterierit, dhe të brendimit të ekspozitës për organizmin e hapësirës në mënyrë që koncepti të jetë në përputhje me hapësirën aktuale në kuadër të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në këtë muaj Qershor 2020, me rastin e shënimit të 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren para publikut prezantoi ekspozitën tematike “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autorit Parim Kosova.
“Figurat e shquara të lëvizjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si: Iljaz Pashë Dibra, Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri e shumë të tjerë, ishin dhe mbeten figura të pashlyera të kujtesës sonë historike, andaj mbetet detyrim i yni dhe brezave që do të vijnë pas nesh që personalitete kolosale dhe ngjarje të tilla madhështore të mos harrohen kurrë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Jehona e madhe që ajo kishte për kohën i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare, duke ushtruar ndikim të madh në të gjitha luftërat e mëvonshme për liri dhe pavarësi, e deri tek lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u theksua me këtë rast.
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka deklaruar se mbetet synim yni i përbashkët që kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ta pasurojmë me eksponate që pasqyrojnë jetën dhe veprën e heronjve tanë, t’i zgjerojmë hapësirat ekspozuese dhe muzeore, si dhe të zhvillojmë programe edukative dhe kulturore për brezat që do vijnë.