• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991

March 27, 2026 by s p

Midis shpresës dhe realitetit të ashpër shqiptar.

Nga Frank Shkreli  

Marsi i vitit 1991 shënon një kthesë themelore në historinë moderne shqiptare, një moment kur vet-izolimi gjysëmshekullor i regjimit komunist të Enver Hoxhës nisi të çahej, përfundimisht. Në këtë sfond dramatik, përveç delegacionit të Departmentit Amerikan të Shtetit (DASH) që kishte shkuar më heret, në Tiranë arrijti edhe një delegacion i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, i kryesuar nga Senatori Dennis DeConcini, pjesë e të cilit ishte edhe Dr. Elez Biberaj – në atë kohë Shef i Shërbimit shqip e më vonë edhe Drejtor për Euro-Azinë dhe më në fund edhe Drejtor i Përgjithshëm i Zërit të Amerikës Frank Shkreli: Elez Biberaj emërohet Drejtor i Përgjithëshëm i “Zërit të Amerikës” | Gazeta Telegraf — Arritja në Tiranë e dy delegacioneve të nivelit të lartë të qeverisë amerikane — Degës Ekzekutive dhe Degës Legjislative —  merrte përmasa që tejkalonin një akt diplomatik të zakonshëm. Vizita e tyre, pothuaj menjëherë pas nënshkrimit, një javë më parë, në Washington, të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve midis dy kombeve tona, ishte një shenjë e qartë e rëndësisë që Washingtoni zyrtar i kushtonte Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por njëkohësisht, edhe rikthimit, më në fund, të Shqipërisë në hartën e botës së lirë perëndimore. Por, për Elezin dhe mua, si pjesëmarrës në këto dy delegacione zyrtare në Shqipëri mars/prillin e 1991, ajo vizitë përfaqësonte jo vetëm interesin institucional amerikan për Shqipërinë e shqiptarët por edhe lidhjen — shpirtërore dhe familjare të mijëra familjeve anti-komuniste të diasporës shqiptare në Amerikë — me atdheun e origjinës.

Marsi i vitit 1991 në Tiranë nuk ishte thjesht një stinë kalimtare, nga një sistem në tjetrin. Ishte një çarje në kohë, një moment kur një vend si Shqipëria komuniste, i mbyllur e i vet-izoluar për gati pesë dekada, po përpiqej të hapte sytë drejt botës së lirë. Në ato ditë të pazakonta, kisha privilegjin të jem në Tiranë, si pjesë e delegacionit të Departamentit të Shtetit i SHBA, krah për krah, për disa ditë, me mikun, kolegun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë prej 5-dekadash, Dr Elez Biberaj. Ai ishte pjesë e delegacionit të Kongresit amerikan, kryesuar nga Senatori  Dennis DeConcini i shtetit Arizona. Former Senator, Dennis DeConcini at VOA Albanian Service’s 70th Anniversary.   Mendoj se edhe Elezi do ishte dakort, se prania e tij ato ditë në Tiranë – 35-vjet më parë — nuk ishte një mision i zakonshëm zyrtar, siç ishim mësuar të ndërmirrnim dikur në vende të tjera, si pjesë e funksioneve tona zyrtare. Por ishte një kthim – ndonëse i vonuar, por i shumëpritur dhe thellësisht personal – në një atdhe, që për vite ekzistonte vetëm në kujtimet tona, rrëfime dhe mall. Tirana, 35-vjet më parë, ishte e zymtë në pamje dhe e trazuar në shpirt. Rrugët mbanin gjurmët e një sistemi të lodhur, ndërtesat flisnin për izolimin, ndërsa njerëzit – përkundrazi – përçonin, ndonëse me pak frikë, një energji të re, një etje për ndryshim që nuk mund të fshihej më nga askush.  Në Tiranën e atyre ditëve, realiteti ekonomik e politik ishte i zymtë: kudo varfëri ekstreme, mungesë infrastrukture dhe një popullsi e etur për ndryshim. 

Megjithatë, ajo që binte në sy ishte shpresa për ditë më të mira. Turmat dhe individët që përshëndesnin dy delegacionet amerikane nuk shihnin thjesht përfaqësues diplomatikë amerikanë ose përfaqsues të VOA-s.  Në praninë e delegacioneve amerikane, shqiptarët vendas shihnin simbolin e një bote tjetër.  Një bote të lirë dhe demokratike, që më në fund po afrohej edhe për ‘ta.  Vetë prezenca e Elez Biberajt – një zë i besueshëm ndër vite për dëgjuesit e shumtë të Zërit të Amerikës në Shqipëri — ato ditë të marsit, 1991 — shërbei gjithashtu si një sinjal politik, shpresëdhënës për elitën e atëhershme shqiptare intelektuale, se epoka e vet-izolimit politik dhe ekonomik po merrte fund. Kontakti i drejtpërdrejtë me përfaqësuesit amerikanë, përfshirë figura si Dr Elez Biberaj, patjetër që ndikoi në përshpejtimin e proceseve, jo vetëm të mendimit të pavarur dhe fjalës së lirë, por edhe të hapjes dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Një numër intelektualësh të kohës të cilët, jo më larg se një muaj a dy përpara, nga frika refuzonin t’i dilnin në telefon Elezit për intervista tek VOA shqip, tani u gjëndën ball-përball me ‘të mu në qendër të Tiranës. Nuk besoj se kishte nevojë për ndonjë provë tjetër se edhe për ‘ta diçka po ndryshonte, rrënjësisht dhe shpejt. 

Mars–prill 1991 ishte një nga ato çaste të rralla kur historia nuk shkruhej në libra, por përjetohej në rrugët e Tiranës, në korridoret e ndërtesave shtetërore dhe në fytyrat e njerëzve, që për herë të parë, pas disa dekadash ndiheshin të lirë të shpresonin. Të gjendeshe në Shqipëri me Elez Biberaj nuk ishte thjesht një përvojë profesionale — ishte një privilegj historik megjithse përkonte me një periudhë trazimi dhe shprese, njëkohësisht. Regjimi komunist po jepte shpirt, ndërsa një realitet i ri, ende i paqartë, po përpiqej të merrte formë e frymë.  Në Tiranë, gjithçka dukej në tranzicion: institucionet, retorika politike, madje edhe vetë gjuha e komunikimit publik. Në këtë atmosferë, prania e Elez Biberaj, me përvojën e tij në analizën e zhvillimeve politike në Evropën Lindore dhe Ballkan, ishte një udhërrëfyes i çmuar.  Ai e kuptonte Shqipërinë jo vetëm si një rast studimi, por edhe si një plagë historike që kërkonte shërim të thellë. Takimet e atyre ditëve — me përfaqësues të qeverisë së rrënuar komuniste, me figura të reja të opozitës, me intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë — kishin një element të përbashkët: etjen për ndryshim dhe frikën nga e panjohura. Shqipëria ishte në një udhëkryq, dhe askush nuk kishte një hartë të qartë për rrugën përpara. Mbaj mend diskutimet e gjata me Elezin, ku ai theksonte se sfida më e madhe nuk ishte rrëzimi i sistemit të vjetër — kjo tashmë kishte filluar — por ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme demokratike. “Demokracia,” thoshte ai, “nuk është një akt, por një proces që kërkon kohë, durim dhe mbi të gjitha, vullnet politik.” Në rrugët e Tiranës, njerëzit na ndalonin, na pyesnin për Amerikën, për lirinë, për mundësitë e reja. Kishte një idealizëm të pastër, pothuaj naiv, për atë që përfaqësonte Amerika. Për shumë prej tyre, Amerika ishte sinonim i demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies, një kontrast i fortë me realitetin që kishin përjetuar për dekada.

Pas atij entuziazmit fshihej edhe një realitet i ashpër: ekonomia e rrënuar, mungesa e përvojës demokratike, dhe mbi të gjitha, hija e gjatë e së kaluarës komuniste shihej gjithkund. Kjo ishte dilema e madhe e Shqipërisë së vitit 1991 — si të ndërtohej e ardhmja pa u çliruar plotësisht nga e kaluara.  Gjatë qendrimit tonë në Tiranë, marsin e 1991 me Elezin e kishim berë zakon e dilnim në Sheshin Skenderbeu për të vëzhguar atmosferën, duke dëgjuar dhe duke përthithur çdo detaj. Nuk kishim nevojë për shumë fjalë për të kuptuar situatën as edhe njëri-tjetrin. Të dy e ndjenim se po jetonim një moment që do të mbetej në histori, për të ardhmen e shqiptarëtve por edhe në kujtesën tonë, përgjithmonë. Por, siç kam theksuar edhe në shkrimin e para disa ditëve në lidhje me këtë përvjetor, ajo që na preku më shumë ishin njerëzit. Në çdo kontakt – të rastësishëm apo zyrtar – ndjehej një dëshirë e fortë për të komunikuar, për të treguar përvojat, shpesh të tmershme nga jeta e tyre dhe për tu dëgjuar hallet e tyre nga të huajt që ato ditë kishin ardhur për herë të parë në Tiranë, nga Amerika dhe nga Evropa Perëndimore

Elezi në Tiranë me një delegacion të Kongresit Amerikan e unë me delegacionin e DASH, gjatë ditës kishim agjenda të ndryshme, por takoheshim në hotelin e “famshëm” Dajti, ku qëndronin të gjitha delegacionet e huaja.  Prandaj, mbrëmjet ishin më të lira për të shkëmbyer biseda e për të bërë krahasime. Në biseda të gjata, shpesh të thjeshta në formë, por të thella në përmbajtje — larg agjentëve të Sigurimit të Shtetit famëkeq që gjithnjë bredhnin brenda dhe jashtë hotel Dajtit – diskutonim për ngjarjet që po zhvilloheshin aq shpejt. Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? A do të mundte të ndërtonte institucione demokratike? A do të arrinte të çlirohej jo vetëm nga sistemi komunist, por edhe më me rëndësi, nga mendësia komuniste që regjimi i egër i Enver Hoxhës kishte lënë pas. Si njohës i thellë i realitetit shqiptar ndër vite, Dr Elez Biberaj si, gjithmonë, sillte një qartësi analitike që më ndihmonte mua dhe kolegëve tanë ato ditë në Tiranë të kuptonim më mirë kompleksitetin e asaj që po ndodhte para syve tanë. Ndërsa unë e përjetoja atë përvojë edhe në mënyrë emocionale, ndoshta edhe me pak egërsi, Elezi arrinte t’a vendoste çdo zhvillim e dukuri të atyre ditëve në një kontekst më të gjërë historik dhe politik, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë karrierës dhe veprimtarisë së tij, si njëri prej ekspertëve më të dalluar të çeshtjeve kombëtare dhe evropiane. 

Si i tillë, Elezi gjithashtu e ndjente qartë peshën e atij momenti. Nuk ishim thjesht dëshmitarë por ishim, në një farë mënyre, pjesë e tij — të nderuar dhe të privilegjuar — për atë moment  në historinë e fillimit të marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Nder më të madh për dy shqiptaro-amerikanë nuk kishte!  Kur kujtoj sot ato ditë të marsit/prillit 1991, ato që më mbeten më fort në kujtesë nuk janë vetëm ngjarjet, takimet zyrtare e tjera, por ishin edhe ndjenjat: një përzierje e rrallë e historisë me përvojën personale. Edhe për Elez Biberajn ajo vizitë, ishte më shumë se një kapitull në jetën e tij profesionale. Ishte edhe një dëshmi se si, në momente të caktuara, secilit prej nesh, jeta na vendos në kryqëzimin e historisë – dhe të jep mundësinë t’a përjetosh atë, jo si spektator, por si pjesëmarrës.  Dhe për këtë, mbetemi thellësisht, mirënjohës.

Por nga një këndvështrim më kritik, ajo vizitë ngre edhe pyetje që mbetën aktuale për Elezin dhe për të gjithë ne: a u shfrytëzua siç duhet ai moment historik? A arrijti klasa politike shqiptare ta përkthejë atë kapital simbolik, në një ndërtim të qëndrueshëm institucional?  Apo shpresa e marsit 1991 u konsumua shpejt nga tranzicioni i gjatë dhe shpesh i dhimbshëm?  Megjithë mungesën e përgjigjeve të sakta ndaj këtyre pyetjeve, në retrospektivë, vizita e marsit 1991 mbetet një nga ato çaste kur historia hapi një dritare të rrallë mundësish.  Roli i Elez Biberajt në atë moment të historisë është pjesë e një narrative më të gjerë–atë të diasporës shqiptaro-amerikane, e cila jo vetëm e mbështeti, por edhe e shoqëroi Shqipërinë në hapat e saj të parë drejt demokracisë. Por ai moment  nuk është thjesht kujtim. Ai është një standard me të cilin duhet matur edhe e tashmja. Sepse marsi i vitit 1991 nuk ishte vetëm fundi i një epoke të dhimbshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët, përfshirë ne në diasporë –por ishte dhe premtimi për një fillim të ri. Në këtë kontekst, vëzhgimet dhe analizat e Elez Biberaj shërbyen si një pasqyrë realiste për politikëbërësit amerikanë dhe për të gjithë të interesuarit, atëherë dhe më vonë.  Në thelb, vizita e tij ishte më shumë se një episod zyrtar, diplomatik, ose gazetaresk, por ishte një moment reflektimi për të ardhmen e Shqipërisë. Ajo vizitë ngriti pritshmëri të mëdha por, njëkohësisht, paralajmëroi për sfidat që do të vinin. Sot, kur shikojmë pas, vizita e Elez Biberaj mbetet një pikë referimi. Jo vetëm për atë që përfaqësonte atëherë, por për pyetjen që vazhdon të na ndjekë: a arriti Shqipëria të përmbushë pritshmëritë e atij momenti historik, apo mbeti peng i një tranzicioni të pafund.  Një nga aspektet më domethënëse të kësaj vizite ishte perceptimi i publikut shqiptar. Për shumë qytetarë, prania e një figure si Elez Biberaj—bashkë me delegacionin e Kongresit amerikan — ishte një garanci morale se Shqipëria nuk ishte më e braktisur. Ishte një sinjal se Perëndimi jo vetëm po vëzhgonte, por edhe ishte i gatshëm të angazhohej.  Megjithatë, në një lexim më kritik, vizita nxori në pah edhe kufijtë e entuziazmit fillestar. Ndërsa shpresa ishte e madhe, strukturat shtetërore mbeteshin të dobëta, mentalitetet e vjetra të rrënjosura në komunizëm dhe tranzicioni i pashmangshëm do të rezultonte më i gjatë dhe më i dhimbshëm se sa pritej. Në këtë kontekst, vëzhgimet dhe analizat e Elez Biberaj shërbyen edhe si një pasqyrë realiste për politikëbërësit amerikanë.

Një kujtim që mbetet — Sot, kur i rikthehem atyre ditëve, më kujtohet jo vetëm varfëria apo vështirësitë, por mbi të gjitha shpresa e shqiptarëve për ditë më të mira për veten e familjet e tyre. Një shpresë e pastër, e pafiltruar, që buronte nga njerëz që kishin duruar shumë, por megjithkëtë nuk kishin humbur besimin.  Dhe në këtë kujtesë, figura e Elez Biberaj mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me ato ditë – si mik, si bashkëpunëtor dhe si një nga zërat që e kuptoi heret se Shqipëria, megjithë plagët e saj, kishte ende një të ardhme për të ndërtuar.  Ato ditë në Shqipëri, pranë Elez Biberajt, mbeten një kujtesë e gjallë e një kohe kur gjithçka dukej e mundur, por asgjë nuk ishte e sigurt. Ishte fillimi i një rruge të gjatë dhe të vështirë — një rrugë që, edhe sot, vazhdon të kërkojë përgjigje për pyetjet e lëna pezull atë pranverë të largët.  Në fund, ajo që mbetet më e fortë nga ajo përvojë është bindja se historia nuk ndryshon vetvetiu — por ajo ndryshohet për më mirë nga njerëzit që kanë guximin, moralin dhe vullnetin e fortë politik të përballen me të Vërtetën historike, jo vetëm me fjalë por dhe me vepra.

Një koment personal si post-scriptum, nëse më lejohet:  Përvoja e përbashkët me Elez Biberajn në Shqipërinë e mars–prillit 1991 nuk ishte thjesht një udhëtim në një vend që po hapej ndaj botës ishte një përballje e drejtpërdrejtë me historinë në lëvizje.  Shkuam dhe pamë një Tiranë të trazuar, ku rrëzimi i regjimit komunist nuk kishte sjellë ende qartësi, por kishte hapur një boshllëk të madh politik, institucional dhe moral. Ishte një Shqipëri ku e kaluara dhe e ardhmja përplaseshin çdo ditë, në çdo takim, në çdo debat, në çdo shpresë të shprehur me zë të lartë.  Si pjesë e angazhimit amerikan pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri 1991, prania e dy delegacioneve amerikane, përfaqësues të ekzekutivit dhe të legjislativit të qeverisë amerikane, kishte një dimension të dyfishtë: nga njëra anë, përfaqësonim një lidhje të shumëpritur të Shqipërisë me Perëndimin; nga ana tjetër, ishim dëshmitarë kritikë të një realiteti që kërkonte më shumë sesa entuziazëm — kërkonte transformim të thellë.  Në ato ditë, me Elez Biberajn ndamë jo vetëm axhendat dhe takimet, por edhe reflektime të vazhdueshme mbi atë që po shihnim. Pamë nga afër një shoqëri të etur për liri, por të pa-përgatitur për kompleksitetin e saj. Pamë liderë që flisnin për demokraci, por që shpesh mbartnin mendësitë e vjetra. Pamë një popull që besonte fort tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonjëherë më shumë si një mit, sesa një realitet politik.

Në diskutimet mes nesh, Elez Biberaj theksonte se Shqipëria nuk do të kishte sukses vetëm duke përmbysur të kaluarën; sfida e vërtetë ishte ndërtimi i një kulture demokratike dhe përpjekjet serioze, konkrete për ndërtimin e institucioneve dhe të mendësisë së re politike e shoqërore.  Por ajo që na bashkoi më shumë në atë përvojë ishte jo vetëm ndjenja se po jetonin një moment historik, por edhe vetëdija se ky moment ishte vetëm fillimi. Shqipëria e vitit 1991 nuk kishte nevojë vetëm për miq dhe mbështetje ndërkombëtare; kishte nevojë për një përmbysje të brendshme — të mendimit, të etikës publike, të marrëdhënies mes shtetit e qytetarit, por mbi të gjitha një përballim zyrtar me të kaluarën komuniste.  Përvoja e jonë e përbashkët mbetet një dëshmi e asaj kohe kur shpresa ishte e madhe, por rruga përpara ishte e pasigurt. Ishte një kohë kur dy shqiptaro-amerikanë, nga dy realitete të ndryshme, u gjendën së bashku në një pikë kthese për kombin e tyre — duke parë, duke analizuar dhe duke besuar se Shqipëria mund të bëhej ndryshe.  Dhe ndoshta, vlera më e madhe e asaj përvoje nuk qëndron vetëm në atë që pamë, por në mënyrën si e kuptuam: me realizëm, pa iluzione të tepërta, por me një besim të qëndrueshëm se ndryshimi, sado i vështirë, ishte i pashmangshëm, mgjithë zhgënjimet e mëdha të klasës politike shqiptare këto 35-vite e deri në ditët e sotëme.

Tiranë, mars, 1991 –Sot, kur i rikthehem atyre ditëve, më kujtohet jo vetëm varfëria apo vështirësitë, por mbi të gjitha shpresa e shiptarëve për ditë më të mira si pjesë e Evropës demokratike. Një shpresë e pastër, e pafiltruar, që buronte nga njerëz që kishin duruar shumë, por nuk kishin humbur krejtësisht, besimin.

Tifozët dhe dëgjuesit e rregullt të Zërit të Amerikës pasi u përhap lajmi se Elez Biberaj, Shef i Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës ishte në Tiranë, reagimi ishte i menjëhershëm, siç tregon kjo fotografi përpara Hotel Dajtit. Një përzierje krenarie dhe shprese, pa tjetër. Për shumë prej tyre, prania e dy delegacioneve amerikane në Shqipëri ishte diçka më shumë se një vizitë diplomatike; ishte një shenjë se Shqipëria, më në fund, nuk ishte më vetëm, as e izoluar nga bota. Ishte një kohë kur Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe — për herë të parë në historinë e tij — nën drejtimin e Dr Biberajt, kishte numrin më të madh të dëgjuesve në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, në krahasim me programet e tjera evropiane të VOA’s, në proporcion me popullsinë, natyrisht. 

Kryetari i delegacionit të Kongresit Amerikan, Senatori Dennis DeConcini i shtetit Arizona në konferencë me shtypin në Tiranë

Konferencë shtypi e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ato ditë në Tiranë 

   

Zbritja e delegacionit të parë të Kongresit Amerikanë në aerportin Rinas të Tiranës, Mars, 1991

Takimet me intelektualë, gazetarë dhe figura të reja politike zbuluan një shoqëri në fermentim, por edhe një elitë ende të papërgatitur për sfidat e një sistemi pluralist.  Në rrugët e Tiranës, njerëzit na ndalonin, pyesnin për Amerikën, për lirinë, për mundësitë. Kishte një idealizëm të pastër, pothuaj naiv, për atë që përfaqësonte Amerika. Për shumë prej tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte sinonim i demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies — një kontrast i fortë me realitetin komunist që kishin përjetuar ata për dekada.

          

             

Me të ndjerin Azem Hajdari, lider i studentëve të Nëntorit

         

   

Me udhëheqsin e Partisë Demokratike në opozitë, Dr Sali Berishën

Në Tiranë me Kongresistin, ish-governatorin e shtetit Nju Meksiko, dhe ish-ambasadorin amerikan në Kombet e Bashkuara, Z. Bill Richardson

Me Elezin, bisedat tona shpesh shkonin përtej detyrës zyrtare. Si dy shqiptaro-amerikanë që kishim ndjekur për vite me radhë fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nga larg, tani ndodheshim në zemër të saj, duke parë nga afër pasojat e një sistemi barbar që kishte lënë plagë të thella në trupin e Kombit. Një miqësi në shërbim të një momenti historik — Ditët me Elez Biberajn në Tiranë nuk ishin vetëm një përvojë profesionale; ishin një dëshmi e asaj se si miqësia dhe përkushtimi mund të ndërthuren me historinë. Kishte momente reflektimi, por edhe një ndjenjë të fortë detyrimi – ndaj vendit të origjinës, ndaj së vërtetës, lirisë e demokracisë dhe ndaj së ardhmes.  Në ato ditë të marsit dhe prillit 1991, Shqipëria ishte ende e brishtë, por e gjallë. Dhe ne, në mënyrën tonë modeste, ishim dëshmitarë dhe pjesëmarrës në atë zgjim.

Filed Under: Politike Tagged With: Elez Biberaj, Frank shkreli

ZËRI I AMERIKËS ORGANIZOI PRITJE PËR KOLEGËT, BASHKPUNTORËT DHE MIQËT E DR. ELEZ BIBERAJT ME RASTIN E DALJES NË PENSION   

December 16, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Të ënjtën që kaloi, Zëri i Amerikës organizoi një pritje për familjen, kolegët, miqët dhe bashkpuntorët e Dr. Elez Biberajt me rastin e daljes së tij në pension pas 43 vjetë shërbimi në detyra të ndryshme me rëndësi në Zërin e Amerikës: Shef i Shërbimit në gjuhën shqip, Drejtor i Euro-Azisë dhe për një periudhë Drejtor i Përgjithëshëm (në detyrë) i Zërit të Amerikës.  Frank Shkreli: Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë dhe fjalës së lirë, në Zërin e Amerikës del në pension | Gazeta Telegraf.  Z. Biberaj, për disa vjetë, fillimisht, ka punuar gjithashtu edhe në Drejtorinë e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA). 

Në ftesën e Zërit të Amerikës për pritjen e organizuar nga kolegët e Z. Biberaj thuhej gjithashtu se Dr. Biberaj – përveç detyrave të larta – ai ka mbështetur dhe ka këshilluar e ndihmuar qindra gazetarë të cilët kanë mbuluar lajme dhe ngjarje nga më të ndryshmet, duke filluar nga Lufta e Ftohtë e deri tek shembja e komunizmit. Përfshir fillimet e demokracisë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore, luftërat në Ballkan dhe integrimin e vendeve të Evropës Lindore në institucionet euro-atlantike, si dhe autoritarizmin rus putinist në rritje dhe pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia, ndër të tjera zhvillime, kombëtare dhe ndërkombëtare që ka mbuluar Zëri I Amerikës nën mbikqyrjen e Elez Biberajt. Ne nderojmë dedikimin e tij ndaj misionit të Zërit të Amerikës në promovimin e lirisë dhe të demokracisë duke furnizuar audiencat anë e mbanë botës me lajme dhe infoirmacione të sakta, objektive dhe të balancuara, thuhej mëtej në atë ftesë.

Në atë takim të veçant, me rastin e daljes në pension të Elez Biberajt, folën zyrtarët më të lartë të Zërit të Amerikës, të cilët falënderuan Z. Biberaj për punën e tij prej më se 4 dekadash duke venë në dukje arrijtjet dhe kontributet e tija të mëdha. Folën dhe personalitete të tjera të ftuar, përfshir edhe ambasadorë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Të pranishëm ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë në Washington Z. Ervin Bushati, i cili, shkurtimisht, përshëndeti të pranishmit dhe i uroi pension të mbarë, Z. Biberaj. Z. Drilon Zogaj, Këshilltari i Ambasadës së Republikës së Kosovës, në kryeqytetin amerikan, përfaqësoi vendin e tij në atë takim.

Edhe unë me shumë kënaqësi pranova mundësinë të thoja, shkrutimisht, dy tre fjalë duke përshëndetur të pranishmit dhe Elezin në këtë ditë kaq me rëndësi në jetën dhe karrierën e mikut dhe kolegut tim prej një gjysëm shekulli.  Kisha gjithashtu edhe një porosi nga miku dhe bashkpuntori i ngusht i Elezit gjatë dekadave, Profesorit tonë të nderuar, Z. Nick Pano, që në emër të tij t’i uroja Elezit pension të mbarë:

“Përshëndetje të gjithëve. Është vërtetë kënaqësi që gjëndem në mesin tuaj në këtë ndërtesë-kryeqendër të Zërit të Amerikës me fame botërore ku edhe unë kam kaluar vitet më të mira e më të bukura të jetës dhe karrierës time. Gjithmonë vij këtu sikur në shtëpinë time. Por sot, vërtetë, është një rast i veçantë për mua të jem këtu me ju për të marrë pjesë në këtë pritje madhështore për të festuar të gjithë së bashku pensionimin e Elez Biberajt, pas 43 vitesh shërbim dhe arrijtjesh jetësore.

43 vite më parë, ai filloi së punuari në Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, për t’u larguar për një kohë të shkurtër tek Drejtoria e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA). Por për fat të mirë, Elezi vendosi të kthehej tek Zëri i Amerikës në detyrën e shefit të Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, i bindur, më në fund, se Zëri i Amerikës ishte vendi i duhur i punës për të dhe se ai ishte personi i nevojshëm për Zërin e Amerikës.  43 vite më vonë, arritjet dhe sukseset personale dhe kontributet e tija ndaj Zërit të Amerikës, qeverisë amerikane, dhe audiencave në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe anë e mbanë botës — janë të shumëta për tu numëruar, prandaj as nuk do përpiqem të bëjë një gjë të tillë, sepse Elezi do më thotë se nuk kemi të bëjmë me sukseset e tija, por kemi të bëjmë me misionin. Me misionin e Zërit të Amerikës!

Por, megjithkëtë po ia lejojë vetes të them këtë për Elez Biberajn. Dua t’u kujtoj se kur Presidenti Xhon Kennedy ka vizituar Zërin e Amerikës në 20-vjetorin e themelimit më 1962, ai ka thenë me atë rast se: “Zëri i Amerikës bartë një barrë të madhe përgjegjësie. Kjo përgjegjësi e madhe e Zërit të Amerikës, për të thënë të vërtetën, nuk është e lehtë…”.  Dua t’u them me bindje se shumë pak njerëz e marrin këtë përgjegjësi — për të cilën ka folur John Kennedy 6 dekada më parë – aq seriozisht sa Elez Biberaj.  Elezi e jetonte dhe kryente çdo ditë këtë besim dhe prëgjegjësi me përkushtim, diçka që i ka siguruar vetes, gjatë 4 dekava të punës së tij – respektin e audiencave radio-televizive si dhe të kolegëve me të cilët ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe.  Një ikonë e vërtetë dhe një prej heronjve të gazetarisë së ushtruar nga Zëri i Amerikës në këtë ndërtesë dhe nga korrespondentët dhe gazetarët e VOA-s, anë e mbanë botës, për 80-vjet nga themelimi i VOA-s.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Elez Biberaj ka besuar dhe ka vepruar bazuar në thenjën e ish-gazetarit të ndjerë amerikan Eduard Murrow dhe njërit prej ish-shefave të Zërit të Amerikës, se “Nuk mund të mbrohet liria anë e mbanë botës, n[qoftse nuk përfillet mbrenda vendit tonë.”  Me këtë besim të patundur në lirinë dhe të drejtat e njeriut, Elez Biberaj ia ka kushtuar jetën dhe karrierën e tij lirisë së fjalës dhe të shtypit, lirisë dhe demokracisë në përgjithësi, si vlera të pazëvëndsueshme amerikane për mirëvatjen e një shoqërie normale, për të gjithë popujt anë e mbanë botës, përshir botën shqiptare, të cilës i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij për pothuaj gjysëm shekulli. 

                   Dr. Elez Biberaj duke mbajtur fjalimin e rastit

Kam një porosi nga miku ynë i përbashkët, Profesori i njohur dhe i nderuar, Nick Pano që edhe në emër të tij t’ju përcjell urimet e tija për pensionimin tuaj, ndërsa shpreh keqardhjen për pamundësinë për të marrë pjesë në këtë pritje sot.  Profesori Pano shpreh respektin e tij për arritjet e jashtëzanokshme personale dhe profesionale, duke përfshir edhe kontributet e Elezit në fushën e studimeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Për më tepër, Profesori Pano – historian dhe specialist i shkencave politike — veçanërisht shprehet për kontributet e Elez Biberajt gjatë karrierës së tij në detyrat e ndryshme e të rëndësishme tek Zëri i Amerikës: “Jam krenar dhe mirënjohës për qëndrimet tua parimore gjatë përiudhës që ke shërbyer në detyrën e Drejtorit të Zërit të Amerikës (në detyrë). Admiroj cilësitë aq të dukëshme në jetën tënde profesionale dhe private”, i është drejtuar Profesori Nick Pano, kolegut dhe mikut të tij, Elez Biberajt, në ditën e pensionimit të tij, duke përmbyllur mesazhin e tij me këto fjalë andmiruese: “Në përmbledhje, i dashur Elez, ju keni nderuar familjen tuaj, duke bërë krenar ata dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, vendin tonë (Amerikën) ku jetojmë, si dhe Kombin Shqiptar. Jam krenar që të kam njohur si mik dhe si koleg për pothuaj 5 dekada, përfundon mesazhin e tij Profesor Nick Pano, drejtuar Elez Biberajt me rastin e pensionimit  nga Zëri i Amerikës, pas 43 vitesh shërbim.

Pa e zgjatur më tutje, as unë do të dija të them gjë më shumë as më mirë se Profesori ynë i nderuar Nick Pano. Edhe unë jam krenar për arrijtet tua, duke të falënderuar për miqësinë dhe bashkpunimin profesional gjatë dekatave.

Urime dhe çdo të mirë në pension!

Frank Shkreli

        Drejtori John Lipmann duke i dorëzuar Z. Biberaj dekoratën për Arritje Karriere

  I kënaqur dhe i lumtur me veten, familjen dhe me karrierën e tij

Autori me Profesorin Nick Pano, njëherazi mik dhe bashkpuntor i ngusht i Dr. Elez Biberaj gjatë dekadave.

Në një moment reflektimi pas ceremonisë festive në Washington të enjtën që kaloi

                              Të lumtë Elez! Job well done, my friend!

                        Kujtim nga festimi i pensionimit të Dr. Elez Biberaj, 

                                   Washington DC, 14 Dhjetor, 2023

A retirement celebration invitation with a picture of a person

Description automatically generated

Filed Under: Politike Tagged With: Elez Biberaj, Frank shkreli

FALENDERIM DHE MIRËNJOHJE TË THELLË UNIONIT TE GAZETAREVE SHQIPTARE

November 13, 2023 by s p

Falenderoj perzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë Unionin e Gazetareve Shqiptare për akordimin e çmimit “Karriera.” Nderimi nga një shoqatë që përfaqëson gazetarë nga të gjitha trevat shqiptare është një privilegj i jashtëzokoshëm për mua. Falenderime te posacme edhe kolegut Armand Mero, i cili me perfaqesoi ne ceremonine qe u zhvillua ne Tirane, me 10 nentor.

Urime te gjithe kolegeve fitues te cmimeve vjetore te akorduara nga Unioni i Gazetareve Shqiptare.

*****

Mesazh Falenderimi:

10 nentor 2023

Z. Aleksandër Çipa

Kryetar

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Tiranë

I nderuar z. Çipa,

Ju falenderoj perzemërsisht, Ju personalisht dhe Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, për akordimin e çmimit “Karriera.” Ju jam thellësisht mirënjohës.

Gjatë karrierës time të gjatë kam marrë vlerësime të ndryshme, por vlerësimi Juaj ka nje domethenie të posaçme. Nderimi nga një shoqatë që përfaqëson gazetarë nga të gjitha trevat shqiptare është një privilegj i jashtëzokoshëm për mua. Unë kam mbajtur lidhje të ngushta me kolegë shqiptarë dhe kam ndjekur me admirimin veprimtarinë e tyre. Këtë çmim e mirëpres pikërisht për arsye se është një vlerësim nga Ju – nga njerezit e mi, nga kolegët e mi!

Kam qënë me fat që kam patur rastin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike siç është Zëri i Amerikës. Jam përpjekur gjithmonë t’u përmbahem parimeve dhe standarteve më të larta të gazetarisë në përmbushjen e misionin fisnik të Zërit të Amerikës – transmetimin e lajmeve dhe informacioneve të vërteta dhe objektive, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Jam përpjekur gjithashtu që t’i përmbahem parimit se pasuria më e madhe e një gazetari është besueshmëria dhe llogaridhënia për veprimtarinë e tij.

Me këtë rast, dua të falenderoj kolegët e Zërit të Amerikës, me te cilët e ndaj këtë vlerësim, për bashkëpunimin, mbeshtetjen dhe miqësinë gjatë gjithë këtyre viteve. Jam jashtëzakonisht krenar për rolin që Zëri i Amerikës ka luajtur dhe vazhdon të luajë në shërbim të informimit të audiencave në hapësiren shqiptare në Balkan. Që nga fillimi i tij, para 80 vjetësh, Zëri i Amerikës ka qenë bashkëudhëtar me shqiptarët, duke u dhënë shpresë gjatë kohëve të vështira dhe duke mbeshtetur përpjekjet e tyre për t’u ankoruar qartësisht në rradhët e vendeve dhe shoqërive të përparuara dhe demokratike.

Përfitoj nga ky rast që të falenderoj publikisht edhe mediumet e tjera ndërkombëtare, që transmetojnë, ose kanë transmetuar në të kaluarën në gjuhen shqipe, për rolin e rëndësishëm që kanë luajtur, posaçërisht Radio Europa e Lirë, BBC, dhe Deutsche Welle.

Media e lirë dhe e pavarur është kurora e artë e një shoqërie të përparuar dhe demokratike. Ndonëse sot gazetarët në shumë vende punojnë në kushte të vështira dhe përballen me kërcënime për sigurinë dhe mirëqënien e tyre, misioni i tyre është më i rëndësishëm se kurrë. Ndërsa vazhdojmë të përmbushim misionin tonë fisnik për të fuqizuar audiencat me informacione që i ndihmojnë të marrin vendime më të mira, është jetike që vetë ne gazetarët, t’i rikthehemi angazhimit të parimeve bazë të gazetarisë për objektivitet, paanshmëri dhe saktësi. Vetëm kështu gazetarët mund të luajnë rolin e tyre tradicional të “pushtetit të katërt,” duke dhënë një ndihmesë të madhe për përmirësimin dhe përparimin e shoqërive të tyre.

Me lejoni që të shpreh edhe njëherë kënaqësinë e veçantë për këtë vlerësim.

Ju falenderoj përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë.

Elez Biberaj

May be an image of 3 people and text

Filed Under: ESSE Tagged With: Elez Biberaj

FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI”, NDERIM E MIRËNJOHJE VEPRËS SË DR.ELEZ BIBERAJ

November 1, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe gazeta “Dielli” shprehin mirënjohjen më të thellë dhe vlerësimet më të larta për ikonën e gazetarisë shqiptar-amerikane Dr.Elez Biberaj me rastin e daljes në pension.

Federata “VATRA” dhe gazeta “Dielli” e kujtojnë me shumë respekt bashkëpunim e shkëlqyer në dekada me Dr.Biberajn në aktivitete shkencore, kulturore, komunitare e atdhetare dhe i shprehin falenderim të përzëmërt se “Zëri i Amerikës” ka qenë një derë e hapur për “Vatrën” e “Diellin” në çdo kohë.

Gjate karrierës së tij të gjatë dhe të sukseshme me 43 vite veprimtari, z.Biberaj i dha jehonë çështjes kombëtare në ndërgjegjësimin ndërkombëtar dhe njohu Shtetet e Bashkuara e opinion publik mbi gjëndjen, vuajtjen e persekutimin e popullit shqiptar, klerit dhe elitës intelektuale shqiptare në regjimin diktatorial.

Dr.Biberaj me kontributin e tij mediatik, atdhetar e patriotik la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të shtetit e kombit shqiptar dhe mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Profili i lartë i Dr. Biberajt si një intelektual i shquar ndërkombëtarisht, si gazetar e drejtues profesionist, si studiues e hulumtues në shkencat politike e media, për më shumë se katër dekada karrierë, lartësoi kauzat shqiptare anembanë botës.

“Zëri i Amerikës” ka qenë zëri i lirisë, i demokracisë, i shpresës, i dritës, i së mirës, i frymëzimit, i së ardhmes për shqiptarët që vinte në trojet shqiptare të robëruara prej komunistëve, nëpërmjet zërit e penës së Dr. Elez Biberajt.

Integriteti i lartë, profesionalizmi i spikatur, ndershmëria dhe pasioni e bënë Dr. Biberajn frymëzim, model dhe orientim për çdo gazetar shqiptar.

Veprimtaria e Dr. Biberaj për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, demokratizimin e institucioneve e shoqërisë shqiptare, pavarësinë e Kosovës, lartësimin e kombit tonë e lidhjen organike të mërgatës shqiptare me shoqërinë dhe institucionet amerikane, janë një shërbim i madh që i ka bërë kombit shqiptar.

Z.Biberaj është kontributor i artë në panteonin e burrave të mëdhenj të kombit tonë.

I dashur dhe fort i çmuar Dr.Elez Biberaj

Mirënjohje të thellë për çdo gjë që i ke dhënë komunitetit shqiptar, komunitetit mediatik, miqve e secilit profesionist që ka pas fatin të punojë ngushtë me ty.

Ka qenë privilegj i veçantë miqësia e bashkëpunimi i frytshëm.

Kombi dhe të gjithë ne do të jemi përherë mirënjohës.

Zoti të dhashtë shëndet të fortë, jetë të gjatë e lumturi familjare.

Me mirënjohje të thellë

Kryetari i “Vatrës”

Elmi Berisha

Editori i “Diellit”

Sokol Paja

Filed Under: Politike Tagged With: Elez Biberaj, Elmi Berisha, Sokol Paja

Mesazh lamtumire me rastin e daljes në pension

October 31, 2023 by s p

30 tetor 2023

Të nderuar miq dhe kolegë,

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se pas një karriere 43 vjeçare me Zërin e Amerikës, kam vendosur të dal në pension më 31 dhjetor 2023. Ka qënë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës time që kam patur fatin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike. Do t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për mundësitë që më ka krijuar.

Misioni i Zërit të Amerikës dhe ruajtja e standarteve më të larta të gazetarisë kanë qënë në qendër të rrugëtimit tim profesional. Gjatë gjithë karrierës sime që shtrihet në mbi katër dekada, gjatë gjashtë administratave presidenciale dhe me mbi dhjetë drejtorë të Zërit të Amerikës, kam bërë përpjekjet maksimale për të mbajtur lart vlerat që e kanë bërë Zërin e Amerikës një nga organizatat mediatike më të njohura dhe të besueshme në botë. Unë kam patur privilegjin të punoj në role të ndryshme, nga gazetar radioje në Shërbimin Shqip (1980-1982), Analist për Çështjet Sovjetike dhe të Europës Lindore në Drejtorinë e Shtypit të USIA (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Informacionin) (1982-1986), Shef i Shërbimit Shqip (1986-2004), Kryeredaktor i Drejtorisë së Euroazisë (2004-2005), dhe së fundmi, që nga viti 2005, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë. Kam shërbyer gjithashtu si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës gjatë përiudhës qershor-dhjetor 2020.

Nuk mund të kisha shpresuar për një karrierë më shpërblyese nga ana intelektuale dhe profesionale. Zëri i Amerikës më krjoi mundësinë të ndjek nga afër disa nga ngjarjet më gjurmëlënëse botërore, që nga Lufta e Ftohtë, përmbysja e komunizmit dhe lindja e demokracisë në ish Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, luftrat ballkanike, integrimin e vendeve të Europës Lindore në institucionet Euro-Atlantike, kthimin e Rusisë në një sistem autoritar dhe së fundmi, agresionin e saj mizor ndaj Ukrainës. Ndihem krenar dhe i privilegjuar që kam punuar krahas shumë kolegëve të nderuar në përmbushjen e misionit fisnik të Zërit të Amerikës, transmetimin e lajmit dhe informacionit të vërtetë dhe objektiv për audiencën globale, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Ndihem tejet krenar për arritjet tona të jashtëzakonshme.

Zhvillimet e fundit në botë, përhapja e dezinformimit dhe keqinformimit, cënimi i lirisë së shtypit, përparimi i shpejtë i teknologjisë, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i inteligjencës artificiale, e kanë ndryshuar rrënjësisht peizazhin botëror të gazetarisë. Zëri i Amerikës vepron sot në një botë krejt të ndryshme, por misioni i përhapjes së lirisë dhe demokracisë, dhe fuqizimi i audiencës me lajme dhe informacione të vërteta, objektive dhe të balancuara, nuk ka qënë kurrë më jetik.

Me mirënjohje të thellë dua të falenderoj ekipin e përkushtuar e të palodhur në përmbushjen e misioit të Drejtorisë së Euroazisë. Drejtimi i një grupi të tillë të talentuar gazetarësh ka qënë një kënaqësi e veçantë. Po ashtu u jam mirënjohës miqve dhe kolegëve në sektorët e tjerë të Zërit të Amerikës për përkrahjen e palëkundur.

Falenderime të përzemërta kolegëve në postet e larta drejtuese dhe në të gjithë organizatën, të cilët punuan ngushtë me mua gjatë periudhës gjashtë-mujore kur shërbeva si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës në vitin 2020. Ishte një nder i veçantë të qënit në krye të Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të trazuara në historinë e tij. Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të pandërprera dhe frontale ndaj integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të drejtonim me sukses në një labirinth jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me forcë pavarësinë tone editoriale.

Më duhet ta pranoj, se edhe pas 43 vitesh të mrekullueshme, nuk është e lehtë t’i thuash lamtumirë Zërit të Amerikës. Por unë largohem me krenari të thellë dhe mirënjohje të pakufishme për punën e madhe që kemi bërë dhe jam i sigurtë, që ju do të vazhdoni të bëni. Zëri i Amerikës është bërë sot një organizatë mediatike shumë e efektshme dhe e shkathët, duke prodhuar gazetari të cilësisë së lartë. Shtrirja dhe ndikimi i Zërit të Amerikës nuk kanë qënë kurrë më të mëdha se sot. Dhe përsa kohë që të mbetet i angazhuar ndaj vlerës së tij themelore të nxitjes së lirisë e demokracisë dhe prodhimit të gazetarisë së pavarur të bazuar në fakte, Zëri i Amerikës do të vazhdojë të jetë burim shprese dhe një fener ndriçues i së vërtetës për miliona njerëz në mbarë botën.

Me respekt të thellë,

Dr. Elez Biberaj

Drejtor

Drejtoria e Euroazisë

Zëri i Amerikës

Filed Under: Opinion Tagged With: Elez Biberaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT