Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
kandalet e fundit në Shqipëri janë ai i Bankës të Shtetit dhe sekretarit të punësimit të deputetit Kokëdhima. Këto skandale flasin qartë për degradimin e sistemit në Shqipëri, si pasojë e abuzimit me pushtetin përmes mitmarrjes, klientelizmit dhe nepotizimit.
Në Bankën e Shtetit, për shembull, janë të punësuar njerëzit e afërt të majës së Piramidës shtetërore të ndërtuar këta 23 vjet tranzicion. Të PD, PS dhe LSI. Prandaj palët heshtin.
I keni dëgjuar boritë e kooperativës folkorike të deputetëve të PD-së kundër ish-sekretarit të Kokëdhimës? Po përse heshtin për skandalin e Guvernatorit Fullani. Heshti edhe kryeministri Rama kur u bë me dije se bashkëshorti i Ministres Gjermeni është në një pozicion kyç në Bankën e Shtetit. Ky zotëri rezulton të jetë punësuar këtu prej 2001. Por pyetja është, a kemi këtu konflikt interesi?
Pyetja tjetër është, a kemi shpërdorim të pushtetit nga ana e zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar, të cilët i kanë punësuar bijtë e të afërmit e tyre në BSH?
Pyetja tjetër është se kush do t’i dënojë këta zyrtarë të lartë për shkelje të Kushtetutës, kur drejtësia është e pushtuar nga njerëz me lidhje familjare apo politike si gruaja e Fullanit and Co!
Prandaj themi se shteti është i kapur dhe sistemi ka rënë! Sepse në një sistem demokratik kemi shtetin e së drejtës, ku pushtetet janë të pavarura.
Le t’i kthehemi skandalit të ish-sekretarit të deputetit Kokëdhima në Sarandë, i cili u shoqërua me një fushatë linçuese të gazetës Shekulli kundër gruas që denoncoi tentativën për krim ndaj bijës së saj të mitur. Nga njëra anë deputeti Kokëdhima me të drejtë denonconte sekretarin e tij si pervers, nga ana tjetër gazeta Shekulli, botuesi i së cilës ka qenë Kokëdhima, e linçonte zonjën në fjalë, duke e nxjerrë të pafajshëm perversin. A kemi moral këtu?
Por personi që linçonte gruan trime tek Shekulli, i cili është pronari i hotelit ku ajo kishte punuar, nxjerr në pah „sekretin“ se si funksionon klientelizmi politik, i cili ka kalbur jo vetëm administratën publike, por edhe sektorin privat, duke ia marrë frymën tregut të lirë, pa të cilin nuk mund të ekzistojë kapitalizmi.
Në intervistën e dhënë tek gazeta e Kokëdhimës midis të tjerave ai thotë se „E. (Elvirën – shënimi im) ma pruri partia tek një mbledhje që kemi bërë me deputetin tek restorant hotel “Nertili”. (Intervistën e plotë mund ta lexoni në linkun që e kam publikuar http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=53803&kat=100)
Partia dhe deputeti që përmend i intervistuari nga Shekulli janë PS dhe deputeti Kokëdhima. Dhe prej këtej del se deputetët e partisë janë të plotfuqishëm. Ata kanë lidhje me biznesmenë, të cilët janë të detyruar të punësojnë njerëzit e deputetëve.
Kështu funksionon sistemi klientelisto-nepotik i krijuar nga trioja PD, PS e LSI. Prandaj shteti është i krimbur. Sepse kjo kalbje është e gjithë kupolës. Në një intervistë tek Zëri i Amerikës zonja Mirela Arqimandriti, drejtuese e Aleancës Gjinore për Zhvillim thotë se ngjarja e Sarandës nuk është një rast i izoluar, por është vetëm maja e ajsbergut të një morie ngjarjesh të tilla. “Kërkohet o para o seks në këmbim të një vendi pune, në këmbim të një të mire materiale në një vend të caktuar. Kjo është masive, kudo kërkohet o para o favore seksuale si në rastin e kësaj zonje.” Pra sekretarë si ai i Kokëdhimës ka plot, dmth kanë edhe deputetët e PD e LSI-së apo sekserët e tyre.Në emisionin e mëngjezit sot tek Koha për t’u zgjuar në News24, një qytetar denoncoi deputetin e PD Igli Cara i cili, sipas tij, kishte punësuar njerëz të vetët me diploma fallco marrë tek Kristal.
Denoncimi i këtij qytetari mund të jetë edhe hakmarrje e pastër, sepse Igli Cara është nga të vetmit deputetë të PD që ka kërkuar,dy ditë më parë, dorëheqjen e Guvernatorit Fullani.
Por gangrena mbetet. Shqiptarët janë të detyruar nga politika të votojnë jo për më të mirët, por për ata të cilët u premtojnë punë, si favor dhe jo si e drejtë thenelore e njeriut në një shoqëri të lirë. Punëdhënësit e tyre janë abuzues të pushtetit të popullit. Sepse deputeti votohet jo t’i shërbejë një pakice të privilegjuar, por gjithë komunitetit. Nga ana tjetër, edhe të punësuarit janë profiterë. Kesisoj kemi edhe degradimin e shoqërisë shqiptare. „Moraliteti ka marrë fund në Shqipëri, i tha Zërit të Amerikës zonja Arqimandriti“.
Nga ana e tij, Erion Veliaj, ministër i punës në kabinetin Rama, reagoi ndaj metodës Kokëdhima – e cila aplikohet si një metodë masive nga politika – duke thënë që të papunët të shkojnë në zyrat e punës dhe jo të deputetëve.
Por me një fjalë goje nuk ndryshon ai pisllëk që është ngritur për 23 vite rresht. Sepse këtë mekanizëm degradant e mbajnë në fuqi PD, PS dhe LSI. Prandaj zgjedhjet janë si fushëbetejash. Sepse riciklohet pushteti në dëm të shtetit ligjor. Partitë në Shqipëri funksionojnë si feude, ndërsa deputetët si feudalë me një pushtet të pakufizuar.
Edi Rama ka premtuar se do të luftojë plagët e tranzicionit. Të cilat i dalin si fantazma çdo ditë para syve. Po mbushet viti që ka ardhur në pushtet. Edi Rama nuk e ka të vështirë. Pasi ka me vete votat e 1 milionë shqiptarëve dhe do të ketë me vete edhe gjithë opinionin mbarë . Aq më tepër kur feudalët e tranzicionit janë prej kartoni, pa asnjë lloj legjitimiteti. Ata largohen me një të rënë të lapsit. Ashtu si u veprua në Lazarat, e cila dukej një kështjellë e pamposhtur e kupolës të krimit. Por duhet të veprojë tani.
21 Gusht 2014
FJALA, TOKA DHE GJUHA
Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/
Jeta është lum i pavarur për të gjithë lumejtë, për të gjithë detërat, për gjithë tokën ku mbjellim e jetojmë. Kot më del përpara me hijen tënde, jam vetja, vetvetja, fjala e parë e fjalës, fjala e bukur e jetës. Këtë ese më nxiti të shkruaj poema e botuar dje, në „Zërin e shqiptarëve“ me titull, „Ne e lamë fjalën të humbë“.
Nuk është e ndaluar të mos ëndrrojmë, të mos ndryshojmë, apo të mos dëshirojmë. „Mikja ime, Hije; ji e lirë me veten tënde. O e uruar, mos më dil përpara, shkruan Elida Buçpapaj, se fjalën e kam brenda, ajo është e zemëruar dhe mund të godas. Poezia e Elida Buçpapajt është poezi e pasionit, poezi e dalë nga shpirti, poezi e shkrimit të mirëfilltë shqip. Ujqit e fjalës, armiqtë e fjalës, horrat e së keqes, kudo janë shumëzuar, të bëjnë zap fjalën, të shkërmoqin fjalën ma të bukur, fjalën e shkruar. Po, po, ata duan fjalës t´ia marrin frymën dhe ta lënë pa afshin e frymëmarrjes.
Krijimtaria e shkrimtares, publicistes dhe kolumnistes, Elida Buçpapaj, është e gjerë dhe e thellë. Shkrimet e para Elida i bëri para 30 vjetësh. Ajo deri më tash ka botuar këto libra; 1. Vij , 2. Unë nuk jam e përjetshme 3. Rapsodia e Golgotës së Tranzicionit 4. Hiperbola dhe paralelizmi në Ciklin e Kreshnikvë 5. Tirania e tranzicioni 6. 7 .Traumat e tranzicionit, si dhe analiza e polemika. Njëherit, Elida Buçpapaj bën punë heroinash, duke përkthyer shkrimtarët më të vlerësuar të Elitës Botërore.
Elida, bijë e shkrimtarit të njohur, Vebi Skënderit, njëherit edhe bashkëshorte e shkrimtarit të njohur, Skënder Buçpapajt, përbëjnë një treshe shkrimtarësh të mirfilltë në letërsinë shqipe. Shkrimtarja Elida Buçpapaj nuk vjen në Letërsinë tonë të bukur, përmes librave të lexuar, por, përmes talentit dhe leximit të jetës. Shpërthimet e saj në poezi, publicistikë, në polemika dhe analiza, janë mënyra e shkrimtares Buçpapaj, për të bërë letërsi, O vetja ime e trazuar; Shqipëria është diell / është ëndërr / zgjandërr / është shi, breshër e borë / është furtunë e stuhi / është stuhi në gotë… Këto dhe qindra vargje të tjera, tregojnë për shtrirjen e saj në letërsi, dhe të bukurën e saj në poezi.
Motivet me Kosovës janë të pranishme tek kjo treshe shkrimtarësh. Fjala, toka dhe gjuha amë, lulëzojnë në qënien e vargjeve të shkrimtares. Në poezinë e Elida Buçpapajt, por edhe në poezinë e babait të saj , si dhe të bashkëshortit, Skënderit, janë së brendshmi tharmi i të bërit letërsi. Kosovë, shkruan shkrimtarja; Unë vij në Prekaz / mbi kalin e pikëllimit / prej plagosjes së natës /..këtu fjalët i ka zënë gjumi i madh / i tokës së skuqur / si flamuri nga gjaku/ … Unë vij në Prekaz / dhe ngrij palëvizur / si mermeri i varreve / nën harkune violinave të vajit / e të fijeve të barit që qajnë…
Harta poetike e Elida Buçpapajt është plotë maja poezish. Ngjyrat në krijimtarinë e Elidës janë nga ma të bukurat. Temat e saj shprehin çastin dhe kohën; Mirëmëngjez Paris / sot jemi gëdhirë në një shtrat / të dy të përgjumur nga mosfjetja /..Në një kafene buzë Senës / porosis një kafe me qumësht/..dhe filloj me llogaritë / Paris, unë banorja jote efemer / ndërsa ti dhe Sena eternel… Shkrimtarja Elida Buçpapaj, e lindur dhe e rritur në Tiranë, bashkë me prindërit, përjetoi gjenocidin e diktaturës Hoxha, kundër zërit të shkrimtarëve dhe inteleltualve. Idetë në letërsi shprehej Vebi Skënderi, (në një bisedë që pata me të dhe Agim Gjakovën, në vitin 1994 ) kontrolloheshin që në embrion të krijimit. Diktatura e Hoxhës e kishte bezdi zërin e shkrimtarëve. Në tërë ato rrethana ç´njerëzore, poezia e pati shumë të vështirë ta heq ujkun nga fjala.
Cenzorët në Shqipëri aso kohe, shprehej poeti Vebi Skënderi, ishin shndërruar në kafshë të këqija, dhe masakronin vargjet tona. Por, bija e shkrimtarit, shkrimtarja, Elida Buçpapaj, e di s´e është e ndaluar të mos krijosh; Jam shi në Tiranë / shi që bie rrëke / nëpër rrugët mbi pluhurin e harresës / janë shkërmoqur grimca-grimca / si fosile antike / ditët e mia…
Mbi këtë peisazh jete, kujtoj se fshihet bardhësia e ngjyrave të Tiranës, vetullat dhe balli saj, buzët pa të kuq të Onufrit. Jeta e shkrimtarëve më thotë Elida Buçpapaj, është kjo që e bëjmë. Mirëpo, poeti e ndien atë që s´shihet, dhe shkrimtari s´heq dorë nga asnjë ditë e kësaj jete. Mbushjet e mëdha shpirtërore janë burimet të artit të pashterrshëm. Jam Zana / Tanusha / jam dhi e egër / e pakapshme /shkreptimë…
Nuk ka titull më të lartë në jetën e një njeriu, shkruan Elida Buçpapaj, se sa të jesh, shkrimtare, nënë, bashkëshorte dhe gazetare. Poezia është në qenien time, dhe rron në qenien time!..Me këtë ese të shkurtër, i uroj shëndet dhe vepra të reja shkrimtares dhe gazetares, Elida Buçpapajt!..