Nga Elida Buçpapaj/
Në janar të këtij viti kam shkruar një opinion me titullin eksplicit „Kosova geto në zemër të Europës“. Nuk e ka krijuar Kosova këtë situatë, që të vetëgetoizohet, por ndërkombëtarët, ose shkurt thënë BE-ja. Kosova në fund të shekullit XX viktimë e një regjimi kriminal, vijon në shekullin XXI të mbetet viktimë e mentalitetit anakronik të BE-së.
Kosova vendi i vetëm në Ballkan që nuk përfiton nga sistemi Shengen, dhe tani populli i Kosovës po kërcënohet nga faktorë kryesorë të BE-së se, nëse mbështet opozitën, do të mbetet jashtë Shengenit përsëri!
Opozita e Kosovës nuk është armikja e Kosovës. Opozita e Kosovës nuk është as fashiste dhe as terroriste. Opozita e Kosovës është pro Amerikane, pro BE dhe pro Kosovës, por që nuk mund të ngopet me lugën bosh, sepse as barku i popullit të Kosovës nuk ngopet me lugën bosh.
Tash opinioni kosovar e ka kuptuar qartë se BE-ja ka përdorur mënyra jodemokratike për të mbajtur Thaçin në qeverisje, duke synuar edhe riciklimin e tij si President. Hashim Thaçi një lloj hibridi i Putinit në Ballkan, i krijuar si lider kukull me vizën e BE-së! Krejt absurde dhe në kundërshtim me vlerat demokratike të Perëndimit.
Kur opozita krijoi pas zgjedhjeve të qershorit 2014 aleancën e VLAN-it, BE-ja nuk e pranoi fuqinë e votës së opozitës në Kosovë, që do t’ja hiqte Thaçit shansin të qeveriste vendin për mandat të tretë. Kur opozita përdorte pushtetin e votës, BE-ja nuk e pranoi këtë pushtet, duke i imponuar Kosovës një aleancë kukull – midis Thaçit dhe Isa Mustafës. Them aleancë kukull, sepse Isa Mustafa, kur hyri në aleancë me Thaçin, ai e tradhtoi elektoratin e tij. Në fushatën zgjedhore Mustafa e kërkoi votën për LDK-në me premtimin dhe qëllimin politik se do ta linte Hashim Thaçin në opozitë.
BE-ja nuk e pranoi fuqinë e votës së opozitës së Kosovës kur kjo ishte me formacionin politik si VLAN, duke krijuar kështu përshtypjen në mbarë opinionin shqiptar se ishte vetë BE-ja pas martesës perverse midis Thaçit dhe Isa Mustafës, kur as njëri dhe as tjetri nuk gëzojnë simpatinë minimale, sepse janë vetë institucionet ndërkombëtare Perëndimore që qeverisjet e tyre i vlerësojnë të korruptuara dhe autokratike.
Veprimet e opozitës aktualisht në Parlamentin e Kosovës janë legjitime.
Opozita duhet të jetë shumë e kujdeshme, sepse SHIK-u synon ta inkriminojë. Për të mbrojtur integritetin e saj, opozita duhet të mos shkaktojë asnjë lloj dëmi që ia cënon asaj imazhin e veprimit politik, për të tjerat, brenda normave demokratike, është e lirë të veprojë. Të evitohet edhe rasti si i deputetes Flora Brovina. Asnjë dëm dhe dëmtim të mos shkaktohet nga veprimet opozitare.
Ndërsa pretendimet se veprimet e opozitës janë fashiste dhe rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin janë manipulim i pastër. Fotoja e zëvendësit të Hashim Thaçit, Petrit Selimi, me të birin bashkë me Daçiçin, ndërkohë që Daçiçi deklaron se Kosova është ISIS, janë shprehja më vulgare se shefi i Petrit Selimit është në pozita thellësisht vasale me Serbinë. Daçiç quan Kosovë vetëm Thaçin dhe Petrit Selimin, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, është ISIS. Por Kosova nuk mund të barazohet as me dy vetë apo me tre vetë, me Hashim Thaçin, Petrit Selimin e Isa Mustafën. Kosova barazohet me popullin e saj, të papunë dhe lënë në mjerim nga kjo qeverisje.
Shqiptarët e Kosovës nuk janë indianët e Amerikës të kohës së Kristofor Kolombit. Populli i Kosovës nuk mund të qeveriset nga një regjim, cilësuar nga më të korruptuarat e Europës, vetëm për të kënaqur orekset e Beogradit, që në të gjitha daljet zyrtare e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë, kur 25 vende të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Kjo e detyron BE-në që në raportin Kosovë-Serbi, të operojë në përputhje me verdiktin e shumicës së popujve të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si shtet sovran.
BE-ja duhet të dale nga statusi i burokratit që dëmton së pari interesat e vetë Europës. Një BE burokratike, indiferente, cinike ndaj fatit të pjesës të saj, siç është Kosova, është e papranushme. Kur ekzistonte Muri i Berlinit ishte e justifikuar, tani jo!
Pasojat e strategjisë izolacioniste të BE-së, ku për të, Europë domethënë vetëm BE, është shkatërrimtare për Europën. Kriza sot me refugjatët sirianë që po dynden me miliona në BE duke rrezikuar vërtetë stabilitetin e BE-së, është produkt i verbërisë së saj. Zyrtarët e BE-së dhe padronët e tyre u treguan syleshë, sepse të mësuar me limuzina e avionë me bileta të klasit të parë, të rrethuar nga sekretaret dhe mantenutat, nuk e kanë imagjinuar se sirianët apo popullsia nga vendet e Afrikës mund të arrinin në zemër të BE-së duke përshkruar në këmbë me mijra e mijra kilometra.
Po më në fund, a i ka dalë gjumi BE-së ?
Sepse produkt i syleshësisë të BE-së është edhe e status quo-ja në Kosovë, që ka imponuar një regjim mizerabël dhe të dështuar, ku papunësia, informaliteti dhe korrupsioni ua ka djegur të gjitha shpresat popullit të Kosovës. Pas sirianëve, kosovarët janë të dytët që ikin nga sytë këmbët nga vendi i tyre. Prej deportimit të kohës të Milosheviçit, ky është dëbimi i dytë që i bëhet popullit të Kosovës nga qeverisja. Pavarësisht se Zoti e ka krijuar Kosovën në zemër të Europës, ajo është një geto dhe Tokë e Djegur për popullin e saj.
Pretendimet e BE-së se Thaçi vendos stabilitet është iluzion dhe spekulim. Kosova do të jetë e destabilizuar deri sa aty nuk do të ketë kushte minimale të jetës. Njerëzit mund t’i vrasësh në dy mënyra: përmes bombave të Asadit, përmes barbarive të ISIS ose duke ua hequr qytetarëve perspektivën e së ardhmes që të fitojnë bukën e gojës për fëmijët e tyre me punë të ndershme.
Prandaj veprimet e opozitës të Kosovës nuk janë kundër Kosovës, por pro Kosovës.
Organizimet e opozitës të Kosovës kanë „degjeneruar“ dhe prodhuar dhunë vetëm kur segmente të SHIK-ut, njerëz të Thaçit dhe Kadri Veselit kanë interferuar kriminelë midis protestuesve.
Prandaj opozita tani operon brënda Parlamentit të Kosovës me vezë dhe gazlotësjellës.
Zgjidhja është se Kosova nuk mund të qeveriset nga regjime kukulla, të cilat brenda vetes janë të kalbura nga krimi dhe korrupsioni. Kosova është Europë ndaj kërkon nga BE-ja një qasje të përgjegjëshme sipas parimeve demokratike të Perëndimit.
Kosova e ndërton vetë demokracinë, në bashkëpunim me aleatin e saj jetik SHBA dhe BE, në kuadrin e integrimeve Euro-Atlantike, por jo si deri më tani, si një koloni në Afrikën e kohës koloniale. Kosova është Europë. Europë nuk do të thotë vetëm BE.
Për 15 vjet rresht pas ndërhyrjes të NATO-s, qytetarët e Kosovës, duke iu bindur verbërisht verbërisë të BE-së nuk e kanë gëzuar të drejtën e lëvizjes përmes sistemit Shengen, dhe tani BE-ja kërkon t’ju imponohet duke i kërcënuar se do t’i lejë prapë pa Shengen !
Mënyrat e imponimit të BE-së permes ndëshkimeve që BE-ja iu bën jo politikanëve të korruptuar, por popullit të Kosovës janë dështimi më i madh i BE-së.
Dhe bilbilat e gazi lotsjellës në Parlamentin e Kosovës është këmbanë për ndërgjegjen e BE-së.
Që të zgjohet sa më parë deri sa nuk është vonë!
Mediat shqiptare degradojnë opinionin publik përmes degradimit të moralit publik
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Gazeta dhe portalet shqiptare janë marrë me ditë të tëra me debatin qe hapi showgirlja shqiptaro-amerikane rreth të pasmeve të saj. Nëse janë origjinale apo me silikon. Bleona pretendoi se qëllimi i saj është të dritësojë të vërtetën, pasi mediat shqiptare e kishin mashtruar opinionin shqiptar dhe ajo ndihej me imazh të dëmtuar. Për këtë arsye u bë edhe takimi live tek Zona e Lirë midis saj edhe drejtuesit të tij ku u vërtetua realiteti që mbronte ajo dhe jo ai që publikonin mediat.
Gjithë shtypi e bashkë me të edhe opinioni shqiptar nuk u mor me gjë tjetër veç me të pasmet e Bleonës, të cilat e stërsfiduan edhe foton e Blendi Fevziut si haxhi në Mekë.
Po a meritonte ky subjekt që të tërhiqte këtë vemendje, a ishte kjo e vërtetë kaq e rëndësishme për ndërgjegjen kombëtare shqiptare sa të përfshinte hapësira të pafund të gazetave dhe portaleve.
Pa dyshim që jo. Gazetat dhe portalet online shqiptare e përmbysin realitetin e lexueshmërisë me foto dhe lajme të cilat mund të botohen vetëm në revista e gazeta të specializuara playboy, erotike e që shkojnë deri në pornografi, një mall ky rreptësisht i ndaluar për moshat e reja, të cilat futen lehtësisht dhe navigojnë në një shtyp të deklaruar zyrtarisht si i shëndetshëm.
Kur do të ndalet ky apokalips dhe nga kush do të ndalet! Kur mediat vetë kanë degraduar rolin që kanë si institucion në mbrojtje të opinionit publik.
Sepse sot janë vetë botuesit të interesuar të kamuflojnë realitetin, që të tërheqin vemendjen nga problemet e vërteta me të cilat përballet shoqëria, për të marrë në mbrojtje politikanët prej të cilëve marrin mbështetje financiare.
Gazetat e portalet shqiptare fshehin politikën e inkriminuar, korrupsionin, pasurinë marramendëse të politikanëve, varfërinë e popullit, skandalet, mjerimin, shëmtimin dhe njëkohësisht dështimin e tyre përmes fotografive dhe lajmeve me përmbajtje nga kronika rozë e që shkojnë deri ato me përmbajtje të theksuar seksuale që një organizëm mbikqyrës shtetëror do të duhej t’i censuronte dhe t’i ndalonte përmes gjobave dhe sanksioneve.
Në tregun mediatik shqiptar nuk ka institucione që të vendosin cakun dhe limitin, që të kushtëzojnë debatin publik, që të paracaktojnë prioritetet e të mostolerojnë vulgaritetin dhe banalitetin me qëllim mbrojtjen e moralit publik.
Malli që ofrojnë mediat shqiptare është helm për rininë dhe për gjithë opinionin publik shqiptar që tash nuk e di se cilat janë prioritetet e tij, a është shteti ligjor a janë të pasmet e femrave shqiptare, a është prioritet shkollimi, edukimi për të marrë një profesion dhe krijimi i një personaliteti të ndershëm dhe me integritet apo shitja nga prostituimi.
Për ta zhdukur raportin midis lexuesit dhe të vërtetës të lajmit, apo midis shikuesit dhe televizionit, oligarkët e mediave kanë gjetur mënyrën “par excellence” për ta fshirë të vërtetën, duke e bërë edhe opinionin publik palë të degradimit të tyre, sepse lexuesi dhe shikuesi tash është kthyer në një konsumator të një produkti të specializuar si mall tutorësh.
Tash klientët, pra opinioni publik, nuk paguajnë me para në dorë për “mallin” por me klikime.
Kjo situatë kuazi absurde e ka rrënuar shtypin e lirë, lirinë e shprehjes, dhe ky shkatërrim i bashkangjitet katastrofës të shkaktuar nga nënkontrolli që e mban politika. Gazetarët profesionistë, në këto kushte, nuk konkurojnë dot me të tilla media, të cilat, përmes ligjit të xhunglës të të pasmeve, janë kampionë të lexueshmërisë. Gazetarët profesionistë ofrojnë të vërtetën, ndërsa oligarkët shqiptarë i sfidojnë ata me të vërtetën e të pasmeve e cila duket se është kjo kryefjala që i intereson publikut shqiptar.
Një katrahurë e tillë, Sodoma dhe Gomorra shqiptare në mileniumin e tretë, mund të ekzistojë vetëm në vendet pa shtet dhe me një shoqëri totalisht të papërgjegjëshme, ku anarkia është diktatura e lirive, të drejtave njerëzore si dhe të drejtës për informim dhe mbrojtjes të opinionit nga abuzimi.
Opinioni shqiptar nuk ka para të blejë hashashin e mbjellur në parcelat që kanë pushtuar sovranitetin territorial tokësor të vendit, por si një shoqëri 75 % e papunë, ajo “drogohet” me marihuanën dhe opiumin e të pasmeve, përmes klikimeve të çmendura, që i bëjnë botuesit të krenohen për mediat e tyre si “më të lexuarat”!
Kësisoj, mediat shqiptare kanë marrë rolin e tutoreve duke e kthyer shoqërinë dhe opinionin publik në kliente të produktit të tyre, që është një mall për të përfunduar në karantinë. Shtypi shqiptar është bërë pjesë e kapjes së shtetit. Nuk janë vetëm politikanët e korruptuar apo gjyqësori që ka lidhje me krimin e organizuar, por është edhe shtypi e mediat që u shkon pas.
Është një situatë alarmi. Për të dhënë alarmin SOS. Po s’të dëgjon askush, sepse pothuaj të gjithë janë të zënë duke klikuar të pasmet e dikujtit të planetit.
Z.Rama, mos e humbni autokontrollin!
Nga Elida Buçpapaj/
Qëllimi dhe shenjestra e Konferencës, e dy aktorëve, njëri që e hapi e tjetri që e mbylli, nuk ishte opozita apo lapsi, por Perëndimi, Parlamenti Europian, OSBE, SHBA, Gjermania, të gjitha së bashku. Ishte një konferencë kllouniadë në përgjigje të konkluzioneve të PE për zgjedhjet vendore, të cilat u cilësuan as të lira dhe as të ndershme, në përgjigje të raporteve jozyrtare që i disponon zyra e OSBE-së në Tiranë e Vjenë ku krerët e politikës karakterizohen si kopukë e të korruptuar.
Konferenca u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, me pompozitet dhe skenar, por u hap me fjalimin e rëndomtë të Ministrit të Brendshëm që ishte një inskenim me ato skenat e foltores së Parlamentit të Shqipërisë me sharje me nënë e babë. Ministri i Brendshëm është i akuzuar për trafik droge nga një ish-oficer i policisë dhe nervozizmi i tij komentohet si shqetësim. Nëse dikasteri që ai drejton ka një listë suksesesh, përse nervozohet aq fort ministri Tahiri. Kur pretendon se nuk e ka mizën nën kësulë, ç’ka!
Përpara se ta bënte epilogun e Konferencës kryeministri, fjalën e mori Ambasadori i SHBA. Ai ishte lakonik, dashamir, foli shqip dhe qartë në më pak se dy minuta, vuri në dukje hapin e stërmadh në Lazarat dhe në përgjithësi në luftën kundër drogave e krimit të organizuar si një bashkëpunim midis Guarda di Finanza, Universitetit të Napolit dhe Policisë Shqiptare. Pastaj ai iu kthye politikës shqiptare. „Si maxhoranca dhe opozita e kanë kritikuar njëra-tjetrën për lidhje me krimin. Më lejoni të them se të dyja palët e bashkëndajnë këtë problem.“ Por, përfundoi Ambasadori Lu: „Shqipëria ka nevojë për të gjithë udhëheqësit e saj të punojnë së bashku për të luftuar kriminelët, trafikuesit e narkotikëve dhe zyrtarët e korruptuar. Shqipëria mund të mbështetet në përkrahjen e SHBA-ve në këtë luftë historike.’’
Ishte një fjalim shumë korrekt, pa sulme, pa provokime, pa nënkuptime dhe nuk ishte arsye që Rama të humbiste autokontrollin.
Edi Rama foli pa letër, fjalimin e improvizoi aty për aty. Një improvizim i çastit dhe i keq. Vazhdoi aty ku e kishte lënë ministri i tij xhuxh që Rama me shtatlartësinë e tij i bëhet bodyguard.
Rama duhej ta kishte marrë shtruar dhe me qetësi. Një kryeministër me tre deputetë të deklaruar si kriminelë, vrasës, trafikantë e të përfshirë në krimin e organizuar, duhej të reflektonte e ta fillonte fjalimin e tij me një ndjesë. Ia dha të gatshme formulën e ia kujtoi një ditë më parë edhe ish-presidenti Mejdani, kur i tha se ai duhet t’i kërkojë falje elektoratit për deputetët e dënuar. Por Edi Rama reagoi gjithë arrogancë dhe megallomani : «Është bërë modë këtu në Shqipëri, tha ai, edhe unë i mirëkuptoj edhe miqtë e partnerët tanë që e kanë përfaqësuar këtë modë se të gjithë janë njësoj, të dy palët kanë faj, të dy palët kanë shumë arsye për tu ndjerë keq para popullit shqiptar, etj etj, por s’po i hyj kësaj. Kjo është një modë që unë e kam neveritur dhe vazhdoj ta neveris.»Edi Rama me tre deputetë të akuzuar si trafikantë neverit partnerët e Shqipërisë ! Kur do të duhej të neveriste personat e inkriminuar në partinë e tij, që ai i futi në lista deputetësh dhe kryetarësh bashkie. Në fakt Edi Rama duhej ta niste fjalimin e tij duke thënë se atij i vinte turp për faktin se Eurodeputetëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein Parlamenti Shqiptar u kujton historitë me kauboj nga Perëndimi i Egër.
Por ajo që duhet të bëjë detyrimisht Kryeministri Rama është se ai duhet të ruajë autokontrollin. Nuk është aspak e pranueshme ironia dhe humori me Ambasadorin Amerikan kur, në fund të fjalimit, Edi Rama i thotë se shpreson « që mos ta fusin ambasadorin amerikan te ligji për dekriminalizimin’. Humori i zi dhe ironia vulgare e kryeministri Rama me Ambasadorin Lu tejkaloi çdo masë të etiketës shtetërore dhe njerëzore. Edi Rama përfaqëson Shqipërinë dhe duhet të ketë sjellje të denja për një shtetar.
Nuk ia ka fajin kush veç Edi Rama Edi Ramës që në partinë e tij ka deputetë me rekorde kriminale. Nëse vetë është i pastër, të mos mbajë baltën e të tjerëve, por të tregojë përgjegjshmëri.
Sepse arroganca e tij, është ai ajo arroganca paralajmëruese që disa ditë më parë Edi Rama iu kishte drejtuar ministrave arrogantë të qeverisë së tij.
PYETJA QË NUK I BËRA NË BERNË KANCELARES ANGELA MERKEL
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Që kur u paralajmërua vizita dhe morëm programin konfidencial, në vijim të një shkrimi që kam botuar disa ditë më parë, kisha menduar që në takimin me gazetarët, t’i drejtoja edhe unë një pyetje zonjës Merkel. Zakonisht në vizita të tilla,kur koha është shumë e kufizuar protokolli ka fjalën e parë.
Grupi i gazetarëve ishte vendosur në Bernerhof në Leuchtersaal në sallën e caktuar për konferencën për shtyp dhe paraprakisht drejtuesi i i saj, zvkancelieri dhe zëdhënës i Këshillit Federal z.André Simonazzi na tha se mendohet të ketë rreth katër pyetje, fifty-fifty, gjysma nga pala gjermane dhe gjysma nga pala zvicerane.
Konferenca filloi dhe nga çasti në çast isha gati të kërkoja leje dhe aty për aty vendosa që pyetjen ta transformoja në një kërkesë apo lutje. Por, ndërkohë katër pyetjet për dy Kancelaret u konsumuan shpejt dhe zoti Simonazzi duke lajmëruar përfundimin e konferencës, na kujtoi se duhet të nxitonim shpejt tek autobusat me drejtim Universitetin e Bernës. Megjithë nxitimin iu afrova z.Simonazzi. Ne kemi bërë shumë aktivitete dhe njihemi. Ishte për Kosovën më pyeti. Ne na identifikojnë përgjithësisht me Kosovën. Jo, i thashë, kësaj here e kisha për Ballkanin Perëndimor dhe ia tregova. Pyetje e mirë më tha. Kisha gabuar unë, nëse do ta kisha konsultuar me zotin Simonazzi më herët, pyetja do të ishte bërë.
Gjatë mbulimit të vizitës së Merkelit në Bernë, edhe një herë vumë re se ky vend i vogël si CH, të mbush me krenari për thjeshtësinë, përpikmërinë, disiplinën dhe funksionimin e shtetit ligjor. Një demokraci e drejtëpërdrejtë që buron nga populli. Natyrisht, tema e refugjatëve është e vështirë, por gjithmonë ekziston vullneti për dialog bilateral e multilateral me BE-në dhe shtetet e saj për zgjidhje me marrëveshje. Paçka se vizita u bë në masa të forta sigurie, gjatë parakalimit zyrtar të dy presidenteve në Münsterplatz, kjo ceremoni ishte e lirë të ndiqej nga kalimtarë, turistë e qytetarë, me të cilët Kancelarja Merkel ndau autografë dhe selfie.
Në pyetjet që iu bënë zonjës Merkel në presskonferencë dhe në auditoriumin kryesor të Universitetit të Bernës ku u nderua me Honoris Causa në fokus ishte kriza e refugjatëve, sidomos pas qendrimeve ekstremiste të Kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbant, se feja e refugjatëve përbën shqetësim për kristianizmin dhe shoqërinë Perëndimore. Merkel mbajti qendrim të qartë, i përjashtoi frikërat dhe bëri thirrje për humanizëm e solidaritet, ndërkohë që tashmë shumë vende të BE, përfshi të parën Gjermaninë kanë hapur dyert për refugjatët e dërmuar nga qindra e qindra kilometra rrugë në këmbë që shpesh fiksohen nga kamerat dhe fotoaparatet e gazetarëve me pankarta ku lexohet Mother Merkel, Mutter Merkel, Mama Merkel. Një atribut i mrekullushëm për të cilën ata njerëz kanë nevojë. Që t’iu dalë dikush në mbrojtje, që t’iu dalë Europa në Mbrojtje. Dhe Europa sot identifikohet me zonjën Kancelare të Gjermanisë.
Po a është e mundur që Angela Merkel të jetë një Mutter Courage und ihre Kinder – një Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, por jo ashtu si e përshkruan në kryeveprën e tij Bertold Brechti? Që të mos lejojë t’i sakrifikohen fëmijët nga luftrat dhe krizat. Fëmijë e Angela Merkelit sot është edhe Aylani i vogël.
Nga ana e tij, shtypi e kritikon Angela Merkel si Die ewige Kanzlerin – Kancelare e Përjetëshme, për BE-në thotë se ka mbetur pa para e pa lidërship, ndërsa Anne Applebaum shkon më tutje dhe e konsideron shumështresore hipokrizinë e Europës për refugjatët. Në fakt, preludi i kësaj krize startoi me krizën e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor, të cilën BE-ja bëri sikur nuk e vuri re. Nga Ballkani Perëndimor ranë kambanat e para të alarmit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka Isis, por nuk ka as punë dhe as perspektive. Në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka Isis, por ka informalitet, papunësi, korrupsion dhe pak shanse për të jetuar normalisht. Vala e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor ishte pasojë e harrimit dhe lënies së këtyre qytetarëve në mëshirën e regjimeve mizerabël, ku pushtetarët jetojnë në luks ndërsa populli në ferrin e mjerimit.
Ballkani Perëndimor, po flas për shqiptarët, ashtu sikur sirianët sot, megjithë zhgënjimin,vazhdojnë ta duan Europën e BE e të kenë besim tek Angela Merkel, por gjithmonë në kontekstin e Aleancës Verio-Atlantike.
Them zhgënjim sepse Ballkani Perëndimor, prej rënies të Murit të Berlinit, priti 25 vjet një Plan Marshall, që nuk iu akordua. Nuk them se përse BE vijon t’i japë miliarda Greqisë, por pyes përse për Ballkanin Perëndimor nuk bëhet asgjë. U bënë dy konferenca, ajo e Berlinit dhe e Vjenës, me temë Ballkani Perëndimor, por pa rezultate. Në kohën midis njërës Konferencë tek tjetra plasi kriza e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor. Kjo është e vërteta.
Marie Colbin, një tell-truther trime thoshte se „Misoni i gazetarit është t’ua tregojë të vërtetën pushtetit, të fuqishmëve“, që këta të reagojnë. Marie Colbin e tregoi tragjedinë e fëmijëve sirianë dhe alarmoi gjithë Perëndimin. Por Perëndimi nuk e dëgjoi. Ajo foli e foli deri sa mbeti e vrarë në Homs nga regjimi kriminal i Baschar al-Assad. E prapë Perëndimi nuk reagoi dhe vazhdon ende të mos reagojë.
Pyetja ime, që në fund vendosa ta transformoja në lutje, kishte të bënte pikërisht me situatën tejet të rënduar të Ballkanit Perëndimor. Desha t’i kujtoja zonjës Kancelare Planin Marshall dhe Murin e Berlinit. Amerikanët në 1948 kur akorduan 13 miliardë $ që sot përkthehen në 130 miliardë $ për të shpëtuar Gjermaninë Perëndimore dhe Europën Perëndimore shtrënguan rripin, hëngrën nga një racion mish më pak, duke e patur si idéal sloganin e famshëm „Whatever the weather, we must move together“ – „Sido që të jetë moti, ne duhet të jemi bashkë“. Nëse amerikanët do t’i kërkonin Europës Perëndimore përmbushje standardesh, Stalini do të kishte dalë në bregun lindor të Atlantikut.
Ballkani Perëndimor ka mbetur në mëshirë të fatit dhe mëshirën e regjimeve të korruptuara që e keqqeverisin. BE-ja ka harruar se Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës. BE e ka harruar sloganin që ishte edhe kauza e Planit Marshall. BE ka harruar se popujt e këtij rajoni kanë dalë nga pushtime dhe regjime kriminale diktatoriale. BE-ja ka harruar thelbin e vet që është humanizmi. Ballkani Perëndimor ndihet i huaj në shtëpinë e vet, në shtëpinë e përbashkët, që është Europa dhe paçka se Muri i Berlinit ka 26 vjet që është rrëzuar, tani BE-ja ka ngritur një mur të ri midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor duke i trajtuar qeveritë e korruptuara të këtyre vendeve si partnerë, ndërsa popujt e këtyre vendeve si qytetarë të dorës së fundit. Vala e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor drejt Gjermanisë tregon se ky rajon vijon të mbetet Fuçi baroti, sepse kriza politike është transformuar në një krizë ekonomike, ndërsa banorët e tij i kanë sytë dhe shpresen tek Perëndimi, tek Gjermania, prandaj ata me fëmijët në krah, i pranojnë kushtet e pamëshirshme të trafikantëve të qënieve njerëzore, mjafton që të arrijnë në Gjermani. Por kjo nuk është zgjidhja që i duhet Ballkanit Perëndimor, ndërkohë kriza e refugjatëve nga Siria, Iraku etj nuk duhet të tërheqë vemendjen e BE-së nga kriza e Ballkanit Perëndimor, e cila kërkon zgjidhje.
Prandaj, në presskonferencën në Bernë, do t’i perifrazoja kancelares Merkel lutjen që presidenti Ronald Reagan në Berlinin e ndarë e përpara Brandenburger Tor – Portës së Brandenburgut do ta drejtonte për Gorbaçovin, sado absurde që të duket, me një ndryshim, se unë besoj tek ajo: „Tear down this wall Madam Bundeskanzlerin“ – Shëmbe këtë Mur fantazëm midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Dhe me Ballkanin Perëndimor veproni ashtu si veproi Gjermania Perëndimore me ish-DDR pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Duke u unifikuar!
Veç shpejt, mjaft u vonuat, që të mos jetë nesër vonë.
DEGRADIM KOMBETAR
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Po jetojmë kohën e degradimit kombëtar. E ndesh kudo. Tek rrenat, tek injoranca e të gjitha ngjyrave, tek analfabetizmi, tek folklori që i shet idiotësitë si art, tek rrjetet sociale e deri tek gazetat, portalet e televizionet, që e shënojnë si kulm të arritjes kur faqet e tyre i mbushin me foto të pasmesh.
Sot në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni nuk krenohet kush me zërin, me talentin, me diturinë, me formimin, kulturën, me pastërtinë e karakterit, me integritetin; nuk krenohet kush për kredo, për ideale, për ëndërra, por veç për të pasmet. Kur nuk i kanë të kolme i fryjnë me pompa biçikletash.
Si një paranojë kolektive. Truri tash ekuivalizohet, barazvlerësohet me të pasmet.
Shtypi shqiptar po përjeton me çmenduri dramën e (mos)klikimeve. Askush nuk i klikon nëse në faqet e tyre nuk kanë të pasme. Pronarët e botuesit nuk japin lajme, i fshehin të vërtetat, dhe gjithë këtë mungesë profesionalizmi dhe etike e mbushin veç me të pasme, me të pasmet e të gjithë planetit. Një pornografi dhe vulgaritet në neveri.
Për pronarët dhe botuesit konkurenca e lirë ka humbur si nocion prej kohësh, dhe ata gjithmonë klikueshmërinë e lartë nuk e kërkojnë tek fjala e lirë, por duke sjellë në faqet e portaleve dhe gazetave të tyre të mbrapmet cullake të gjitha racave dhe llojeve.
Ne s’kemi mendimtarë, s’kemi idealistë, s’kemi ideologë, s’kemi shkrimtarë, s’kemi as njerëz të ndershëm që t’i referohen traditës, vlerave, ku e mira si nocion i etikës është objektiv i shoqërive të qytetëruara njerëzore, ku individi nis e edukohet që në barkun e nënës, me qumështin e gjirit, pastaj në kopësht, shkollë e deri me shtyp e mediumet sociale e masive. Dihet se vlerat e qytetërimit janë e Mira, e Bukura dhe e Vërteta, me një lidhje të pazgjidhëshme midis tyre. Po për shtypin e televizionet shqiptare e bukur, e mirë dhe e vërtetë janë vetëm të pasmet e lumpenit.
Në strategjinë kombëtare të një shteti, është detyrë themelore që të edukohet njeriu që në embrion, duke u shkolluar, këshilluar, duke dëgjuar muzikë të kultivuar, lexuar libra kryevepra, ndjekur shtypin dhe televizionin, i cili në botën shqiptare është përmbytur nga këneta e të pasmeve, konformizmit klientelist dhe artit trash.
Ky mjerim kombëtar që ka përfshirë gjithçka kalon me indiferencë totale nga elita, e cila në diktaturë ishte shëmtimi i tokës, sepse e tërhiqnin për hunde si servitore të bindur në këmbim të përfitimeve personale, po tani çfarë justifikimi do të gjente kur rri e vëren kombin të ushqehet veç me vulgaritet dhe shëmtimin ekstrem.
Është e pamundur t’i gjesh nëse i kërkon fotot e figurave historike, fotot e personaliteve të artit e kulturës, ndërsa kurrësesi jo të pasmet e të gjitha kategorive këngëtaresh idiote, që përbëjnë veç llumin e shoqërisë shqiptare që nga shtypi serviret si shembull dhe modeli për t’u ndjekur. Me këtë ushqim të toksifikuar ngopet rinia apo ai kontigjent i kombit, që orët e papunësisë i kalon duke kërkuar lloje të pasmesh nëpër faqet e gazepit të portaleve dhe gazetave shqiptare. Mos pyesni pastaj se përse rritet kriminaliteti.
Mjerë rinia shqiptare që jeton në këtë kënetë e në vend të ushqimit të pastër merr helmin e shëmtimit e dekadencës. Mjerë rinia shqiptare për prindërit që e kanë sjellë në jetë, që rrinë e bëjnë sehir kur fëmijës së tyre nuk i mbetet alternativë tjetër ose të shesë të mbrapme ose të marrë ikën nga vendi.(VOAL)
- « Previous Page
- 1
- …
- 24
- 25
- 26
- 27
- 28
- …
- 58
- Next Page »