• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIKTATURA KA KRYER PATRICID NDAJ BABALLARËVE TË KOMBIT – I KA VRARË, SYRGJYNOSUR, LËNË NË HARRIM E MALLKIM PËR 70 VJET

November 27, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Këto ditë opinioni shqiptar për herë të parë pas gati 70 vitesh po njihet me 40 firmëtarët e pavarësisë, Baballarët e Kombit. Këtë definicion kanë themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që njihen si „Etërit themelues të Amerikës“, për ata 56 burra që nënshkruan më 1776 Deklaratën e Pavarësisë të SHBA, e cila kërkonte shkëputjen nga Kurora britanike. Më vonëHistoriani Richard B. Morris në vitin 1973 do të identifikonte shtatë prej këtyre 56 firmëtarëve, si Etërit Themelues kryesorë, Etërit çelësa midis tyre John Adams, Benjamin Franklin, Alexandër Hamilton, John Jay, Thomas Jefferson, James Madison dhe George Washington, por ata 56 firmëtarë hynë menjëherë në historinë e SHBA dhe në memorien e kombit dhe qytetarëve duke filluar prej teksteve të historisë shkollore. Prandaj ky vend është i madh, sepse nuk i harron krijuesit e tij. Në Testamentin e Vjetër, në 10 Komandamentet (Dekalog) e Kuran nderimi ndaj prindërve është i detyrueshëm. Ashtu edhe nderimi për Etërit e Kombit.

Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta, ka ndodhur Patricid, ku bijtë kanë vrarë Etërit e tyre dhe prandaj kombi vuan dhe nuk gjen qetësi. Në vend se në shkolla fëmijët të mësonin se cilët ishin themeltarët e pavarësisë, ata u helmuan që sa hodhën hapat e para me gënjeshtrën dhe u mëkuan me të vërtetën e manipuluar nga historianët e diktaturës, të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë e t’i mallkojnë ata burra shteti që e bënë Shqipërinë. Përpara disa ditësh piktori i talentuar Arben Morina hapi një ekspozitë me 40 Firmëtarët e Pavarësisë, ku për herë të parë opinionit shqiptar i është krijuar mundësia që t’i shohë në art fytyrat e tyre, të cilat nuk i njeh pothuaj askush. Për 70 vjet diktaturë dhe tranzicion është bërë gjithçka për t’i zhbërë ata njerëz, për t’i fshirë nga memoria historike, pra është ekzekutuar një genocid historik. Sepse ata 40 firmëtarë do të duhej të ishin në memorien e çdo shqiptari, emrat e tyre do të duhej të njiheshin ashtu si edhe alfabeti, alfabeti i ka 36 gërma, ata janë 40 burra që vinin nga familjet fisnike, njerëz të dijshëm të cilët kishin qënë shtetarë brilantë të Perandorisë Turke dhe që iu gjendën vendit të tyre sapo e lypi nevoja.

Të festosh 100 vjetorin e Pavarësisë duke harruar Etërit e saj do të ishte mallkim. Ju kujtohet se si vendoste Byroja Politike në kohën e diktaturës fotot e nomenklaturës së lartë përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit në majë të ministrive? Nuk vendoste as dëshmorët, dhe as heronjtë e luftës, por fotot e Byroistave. Ashtu do të duhej të vendoseshin fotografitë e 40 firmëtarëve të pavarësisë. Por në vend të tyre, diktatura ushtroi terrorin e kuq, të shuarjes, diktatura ishte Patricide, por Patricide është edhe indiferenca. Kur botoj shkrimet e mia, dhe i vendos ato në Facebook dhe Twitter, miq gazetarë më dërgojnë përgëzime përmes inbox-it, sepse nuk duan të prishin rehatinë personale. Ky është mjerim kombëtar. Të heshtësh. Të heshtin gazetarët. Dikur ne heshtnim nga frika, tani gazetarët shqiptarë heshtin prej rehatisë, sepse luksi dhe komoditeti i bën indiferentë, i bën lepuj e frikacakë.

 

Por, gjithsesi, të gjithë vërejmë se këtë 100 vjetor të Pavarësisë diçka ka lëvizur për të mirë dhe uroj që kjo kthesë të mos jetë si fushatë. Ka filluar të krijohet përshtypja se ekziston një vullnet për të ndriçuar të vërtetën. Ka filluar të flitet për fatin tragjik të 40 firmëtarëve. Kam lexuar se ka një studim të Artan Lames i cili zbulon fatet e 40 firmëtarëve, njëri prej tyre, pikërisht Lef Nosi, ai që e kishte shpëtuar deklaratën e Pavarësisë nga dora e historianëve të diktaturës u pushkatua nga regjimit totalitarist dhe nuk ka varr, tre firmëtarë të tjerë vdiqën në burg dhe kanë mbetur pa varr, 6 prej tyre u burgosën dhe u dënuan deri në 24 vite burg, 4 u arratistën dhe 15 prej tyre vdiqën në emigracion, të ndjekur nga hienat e sigurimit të shtetit!

Por kulmi arrin kur shohim se edhe gjatë këtyre 22 viteve tranzicion Patricid-i ka vazhduar përmes heshtjes, indiferencës dhe lënies në harrim. Nuk ka mbetur prej Etërve asnjë shenjë, ndërsa nuk ka rreshtur asnjë çast prej historianëve të historiografisë të sistemit komunist që kundër tyre të hidhet veç dhé e baltë. Prej kohës që ata themeluan shtetin më 28 Nëntorin e 1912, gjatë këtyre 100 viteve kanë ndodhur tërmete shumë të forta kundër shqiptarëve: luftrat ballkanike, ndarjet e trojeve shqiptare, luftrat botërore, diktatura dhe tranzicioni. Shenja e parë e ringjalljes ishte Kosova, ndërsa de jure ringjallja e shqiptarëve duhet të kishte nisur ashtu si për të gjitha vendet ish-komuniste pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rrëzimit të Murit të Berlinit e sistemit totalitarist.

Në Shqipërinë e tranzicionit kanë vazhduar gënjeshtrat, ka vazhduar terri historik dhe propaganda trushplarëse se diktatura ka qenë e mirë dhe etërit që krijuan vendin kanë qenë tradhtarë dhe e kanë merituar shfarosjen dhe ekzekutimin e Patricidi-t, i cili është dhe do të mbetet i dënueshëm nga Zoti nga Njeriu i Qytetëruar dhe nga shenjtorja drejtësi. Ndërkohë, duke u nisur prej këtyre shenjave të mbara, edhe një herë uroj që kjo klimë festimesh të mos jetë fushatë, por fillimi i ri për shqiptarët, për të njohur veten, se nga vijnë, sepse atëherë do ta kuptojnë shkakun se pse integrimi në Europë është pjesë e identitetit të tyre të mohuar sa nga pushtuesit, sa nga diktatura, aq edhe nga indiferenca e tranzicionit.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: diktatura, Elida Buçpapaj, elita e Kombit

OPINIONI PUBLIK ËSHTË I PAMANIPULUESHËM, MARRË SHKAS NGA INTERVISTA E REXHEP QOSJES TEK TOP CHANNEL/

November 21, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

NUK HARROJ VLERAT E REXHEP QOSES SI AKADEMIK, AS NDERHYRJEN E TIJ NE ’91 AS VDEKJA ME VJEN PREJ SYVE TE TILLE…/

Dy ditë më parë, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Akademik Rexhep Qosja i dha një intervistë nga studioja e tij në Prishtinë televizionit kombëtar Top Channel, i cili është selektiv me të zgjedhurit e tij. Por kjo është modë për gazetat e televizionet e Tiranës, po ashtu edhe në Prishtinë, ku gazetaria ka humbur fytyrën dhe është kthyer në një gazetari klienteliste, sipas sloganit„më jep, të jap“, duke shkaktuar një boshllëk të pazëvendësueshëm për fjalën e lirë, e cila duhet të jetë në shërbim të së vërtetës, opinionit publik dhe në mbrojtje të interesave të vendit. Gazetarët profesionistë dhe me integritet duhet të ndikojnë edhe tek vetë politikanët. Por integriteti është një fjalë e hequr nga fjalori i gjuhës shqipe, e cila është zëvendësuar e përçudnuar me: kush është maskara, ish-spiun dhe nëntëdhjetë e nëntësh është me integritet!Duke iu kthyer intervistës së Akademik Rexhep Qosjes, ajo kishte dy qasje, e para, e një Akademiku, kur fliste si historian i letërsisë, pasi Rilindasit ishin edhe shtetarët e parë të Shqipërisë të 28 Nëntorit; ndërsa qasja e dytë, e një militanti zemërak dhe emocional që shkonte deri aty sa i gjente të mira me bollëk diktaturës kriminale të Enver Hoxhës, merrni me mend deri në planin ekonomik, të zhdukjes të pronës private, kur vuri re se regjimi totalitarist i shpëtoi shqiptarët nga varfëria (!!!!) dhe nuk gjeti asgjë pozitive tek Sali Berisha. Deri sa mbante pozicionin e Akademikut të letërsisë, Rexhep Qosja ishte OK, bile shumë OK, kur kaloi në planin e avokatit të regjimit totalitarist dhe prokurorit të Berishës, sepse emocionet e bënë që t’iu ikte analizave shkencore, atëherë e humbi kredibilitetin dhe ra në pozitat e Saimir Tahirit apo Gramoz Ruçit do të thoshja. Këto rradhë i shkruaj me hidhërim, sepse shoh se nuk po gjendet një njeri, një burrë që të ndikojë në paqtimin e politikës shqiptare, e cila për çdo ditë e më tepër po bëhet më konfliktuale dhe më e rrezikshme për stabilitetin e vendit. Zemërata e Rexhep Qosjes merrte nismën edhe për faktin se nuk pati ftesë zyrtare me rastin e 100 vjetorit, diçka që e shoh të padrejtë, në frymën e përçarjes, një frymë e kohës së Sigurimit të Shtetit, e cila po ndihet sot deri në diasporë. Unë mendoj se Sali Berisha do t’i duhej t’i dërgonte ftesë Qosjes, pavarësisht marrëdhënieve shumë negative mes të dyve, qoftë qëndrimeve të gabuara të Qosjes, sepse Berisha po ashtu bën gabime sa të duash. Sepse dikush duhet të shtrijë dorën. Dhe ai njeri që di të shtrijë dorën na duhet ne sot!

Disa ditë më parë dëgjova një intervistë të këngëtares dhe aktores shkodrane Justina Aliaj, një talent shqiptar i djegur për së gjalli nga diktatura, e cila vuri në dukje se talentet nuk mund të jenë të imponuara nga politika apo nga mediumet e propagandës, siç bëhej dikur, sepse për ta vendos opinioni publik. Ky është standarti edhe në Perëndim. Profesionalizmi, aftësitë, kompetencat, talenti dhe integriteti. Edhe për gazetarinë. Gazetar i mirë është ai që lexohet dhe që vlerësohet nga opinioni publik,dhe kurrsesi jo ashtu si ndodh në Tiranë ku opinionit publik i imponohen një tufë opinionistësh pa integritet dhe me skeletë në sirtarë, të cilët veç kësaj janë mediokër dhe mjeranë. Në Shqipëri janë krijuar kushte të jashtëzakonshme për t’u mirëinformuar dhe për të shprehur mendimet, por kjo përparësi e revolucionit të Teknologjisë Informatike shpërdorohet dhe ka ndikim negativ tek opinioni publik, sa që e ka kthyer në domosdoshmëri komunikimin me anë të rrjeteve sociale siç janë Facebook dhe Twitter, ku qytetarët e zakonshëm shprehin mendimet e tyre në mënyrë të barabartë me politikanët, praktikë kjo që aplikohet shumë në Perëndim, ndërsa sa i përket komunitetit shqiptar të internetit ky komunitet është i mirëpopulluar nga shqiptarë të të gjitha trojeve, ku vend kyesor zë diaspora, ndërsa prania e politikanëve gati është inekzistente.Pra me pak fjalë, televizionet e Tiranës dhe Prishtinës nuk mund t’i diktojnë opinionit publik mendime apo qëndrime të ambalazhuara, që këta t’i gëlltisin si medikamente, sepse kështu opinioni publik kthehet në kukull. Ne njohim politikanë kukulla, gazetarë kukulla, ndryshe të njohur si yesmen, por opinion kukull në demokraci nuk ka.Me pak fjalë, opinioni publik kërkon të vërtetën, e cila është në shërbim të të gjithëve, përfshi edhe militantët dhe profiterët politikë, ndërsa militantëve dhe profiterëve politikë u interesojnë të vërtetat e shtrëmbëruara që t’i përdorin për interesat e tyre të çastit.Në këtë rrugë u orientua edhe Akademik Rexhep Qosja në intervistën e tij tek Top Channel. Dhe ka 20 vjet që segmentet okulte të Tiranës orientojnë konfliktualitet. Dhe nuk del një burrë që t’u thotë mor zotërinj mjaft më, le të jemi bashkë, mjaft me folklor politik dhe mjaft me konfliktualitet, le të bëjmë shtetin. Nuk jemi të parët. Pashko Vasa na e ka thënë me kohë, aleatët tanë sot po ashtu, ndërsa ju e keni kthyer komunikimin në artin e pamundësisë. Sidomos sot, me këtë zhvillim të mjeteve komunikimit, pseudoelitat shqiptare vazhdojnë stereotipin e periudhës staliniste, diçka që opinioni publik nuk e pranon dot kurrë.

Askush nuk i vë përballë të vërtetave politikanët shqiptarë, të cilët për konsum propagandistik, paraqiten si njerëz paqësorë dhe shërbëtorë të përvuajtur të stabilitetit, dialogut dhe bashkëkomunikimit, të gatshëm t’i shtrijnë dorën çdokujt, dhe bëjnë mirë, ndërsa me njëri-tjetrin janë si kanibalë, armiq të përbetuar duke mbjellë këtë klimë monstruoze me pasoja për vendin dhe shqiptarët.

Para disa ditësh, kryeministri serb tha se “me Thaçin në kohë lufte ne do të vriteshim”, tani dialogojnë, Ok, jemi fqinj dhe në kushte të reja, integruese, mendojmë për të ardhmen, ndërsa mes shqiptarëve përse vazhdon lufta? Kur gjendet gjuha e përbashkët me Daçiqin e përse nuk gjendet midis nesh! Është shumë e mundur!

Edhe politikat përjashtuese janë staliniste dhe antishqiptare, të cilat i aplikojnë me aq sadizëm politikanët shqiptarë dhe sejmenët e tyre që janë televizionet dhe gazetat – deri tek ambasadat shqiptare në Perëndim – rrezikojnë stabilitetin. Mjaft më. Të lartësohen vlerat, e vërteta historike të jetë mbi baza shkencore, historiografia komuniste të hidhet në koshin e plehrave dhe opinionin publik të mos e ushqejnë me kronikën e zezë për ta sëmurur mendërisht dhe shpirtërisht, por ta orientojnë njerëz me integritet dhe integriteti të jetë emëruesi i përbashkët për politikën.

Sepse sot nuk mund të ecësh me spekulime dhe nuk mund të manipulohet opinioni publik, sepse rrenat nuk mbahen dot në këmbë. Kështu për shembull në intervistën tek Top Channel, Rexhep Qosja filloi të krijonte paralele midis regjimit diktatorial të Enver Hoxhës me atë të Titos. Titoja bënte kërdinë, tha ai, masakronte. Por, kur u hap diskutimi rreth intervistës së tij në Facebook, një koleg gazetar vendosi në mur, një shkrim vlerësues të Rexhep Qosjes me rastin e vdekjes të Marshallit Tito, ku Qosja paraqitej si një titist i flaktë. Atëherë lind pyetja, kë të besojmë ne opinioni publik, Rexhep Qosjen tek Rudina Xhunga apo atë që shkruante të zezën në të bardhë?! E përse nuk e pyeti Rudina Xhunga Akademik Qosjen për këtë shkrim panagjirik që ai kishte shkruar për Titon? Ky është profesionalizmi. Të tjerat janë pallavra, të cilat opinioni publik por edhe elitat e vërteta nuk do t’i pranojnë më.

Ndërkohë, unë nuk harroj as vlerat e Rexhep Qosjes si Akademik, nuk harroj as ndërhyrjen e tij më 25 tetor 1991 me rastin e largimit të Kadaresë, as „Vdekja më vjen prej syve të tillë“. Pra pika bashkuese ne kemi, na bashkon gjuha, e cila na fut në ata kufij që janë të përhershëm, siç po e pranojnë sot politikanët shqiptarë, gjuha na krijon mundësi komunikimi qytetar dhe intelektual, sepse, e them me bindje, pa dashur të cënoj askënd, por duke i ftuar të gjithë, se ka ardhur koha t’i jepet fund propagandës partiake militantiste me prejardhje staliniste që shërben për të sjellë në pushtet përmes manipulimit ata të cilët duhet të jenë jashtë politikës.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Intervista e Rexhep Qoses, manipulimi i opinioniy

PARLAMENTI NE TRANZICION DO TE LEHTESONTE SHPIRTRAT E DEPUTETEVE ME NJE MINUTE HESHTJE PER LIRAK BEJKON

November 9, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Do të vijë dita kur gjesti vetëflijues i Lirak Bejkos do të kujtohet nga shqiptarët mbarë si sakrifica sublime e një njeriu për të zgjuar shoqërinë shqiptare nga gjumi i indiferencës ndaj një klase politike pa ndërgjegje politike dhe pa shpirt e zemër njerëzor.

Do të vijë dita, shumë shpejt, kur Lirak Bejko, të shpallet „dëshmor i demokracisë“ nga ai Parlament që heshti apo që akuzoi grevistët e urisë se ishin „dora e zgjatur e liderit të opozitës“.

Le të kujtojmë pompozitetin e grevës e urisë të organizuar nga PS në mes të bulevardit„Dëshmorët e Kombit“ përballë me dritaret e Kryeministrisë dhe çadrën e thjeshtë të 25 burrave, të gjithë vuajtës të burgjeve të diktaturës.

Kaq do të mjaftonte që deputetët e krahut politik, të votuar nga shtresa e të përndjekurve, të ishin në kontakt të vazhdueshëm me ata 25 burra të cfilitur nga jeta ferr gjatë diktaturës, që dalëngadalë nuk po i rezistonin pasojave të grevës dhe po mbeteshin gjithnjë e më pak, pasi kishin përjetuar të gjithë kalvarin e tmerrshëm të burgjeve e torturave mizore të regjimit kanibal totalitarist. Kaq. Ashtu si shkoi Ambasadori i SHBA, të cilit Lirak Bejko i tregonte protezën e dhëmbëve. Mjaftonte ajo skenë, që deputetët e PD të rendin menjëherë tek grevistët, të takoheshin me ta, të shkëmbenin me ta fjalë, vetëm fjalë të ngrohta, fjalë njerëzish. Jo më kot e para ishte fjala!

Por asgjë e tillë, asnjë reagim njerëzor, vetëm fyerje dhe akuza të stilit stalinist. Ndërkohë që vitet e burgjeve nuk ua hiqnin dot. Vitet e burgjeve staliniste mbeteshin të paluajtura, të patundura, dëshmia historike e atyre njerëzve, pjesa më e madhe e të cilëve tani nuk jeton më, por vuajtjet e tyre dhe të familjeve të tyre, të fëmijëve të tyre, nuk mund t’i çojë në harrim dot kurrë indiferenca e një klase politike të papërgjegjëshme, sjellja e së cilës është turp për ne të gjithë.

Gjestet e vetëflijimit të Ndrecës dhe Lirak Bejkos ishin të evitueshme. Humbja e jetës e Lirak Bejkos ishte e evitueshme. Mjafton që klasa politike që pretendon se përfaqëson edhe interesat e shtresës të të përndjekurve politikë t’u ishte afruar atyre njerëzve, t’u kishte dhënë dorën sepse ata njerëz ishin tmerrësisht të lodhur dhe të konsumuar fizikisht e psikologjikisht sa nga cfilitja e sa nga indiferenca e pashpirt gjatë atyre ditëve gjithë tension të grevës.

Po a mund ta kuptojë Ilir Rusmajli, deputeti i PD, i biri ish-Anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH vuajtjet e Lirak Bejkos! Ju lutem, mos na bëni më moral, sepse PD e Shqipërisë ajo që pretendon se ka rrëzuar diktaturën, nuk mund të përfaqësohet në Parlamentin e Shqipërisë me të birin e një ish përfaqësuesi të nomenklaturës së kuqe! E përse akuzojnë deputetët e PD në Kuvend Edi Ramën se pranë tij ka ish të bijtë e nomanklaturës komuniste, e çfarë ndryshimi ka midis Ilir Rusmajlit të PD dhe Ilir Gjonit të PS-së! Të dy janë bij të ishzyrtarëve të lartë të nomenklaturës së kuqe!

Mos na shisni moral dhe mbani kokën ulur. Sepse e latë një njeri të vdesë dhe nuk shkuat që t’i jepni dorën sepse vetëm dorështrëngimi juaj, apo fjala juaj do ta shpëtonte jetën e Lirak Bejkos dhe Lirak Bejko sot do të ishte në mesin tonë!

Ditën e sotme gazeta Panorama kishte botuar lajmin se 202 ish-të përndjekur marrin këstin e dytë. Midis tyre ishin edhe emrat e shtatë ish-grevistëve. Midis tyre ishin emrat e Lirak Bejkos, Gjergj Ndrecës!

Po përse u botua kjo listë tani që Lirak Bejko nuk është më; po përse nuk iu tha atyre njerëzve se do të merrnin këstin e dytë që greva të merrte fund menjëherë, që të mos vetëflijohej as Ndreca dhe as Lirak Bejko ! Po përse nuk shkoi asnjë deputet i PD-së tek ish-grevistët që të shmangej tragjedia, që Lirak Bejko sot të ishte midis të gjallëve e ta gëzonte një pjesë të dëmshpërblimit bashkë me familjen e tij?

Po përse Parlamenti i Shqipërisë nuk mbajti asnjë minutë heshtje për të nderuar dëshmorin e tranzicionit Lirak Bejko!

Sepse të gjithë ata deputetë të atij parlamenti janë liliputë përpara Lirak Bejkos, pasi karriken e deputetit e kanë trafikuar me heshtjen dhe indiferencën e tyre ndaj këtij njeriu të dëshpëruar, shpresëhumbur, i cili për të zgjuar ndërgjegjen e ne të gjithëve i vuri flakën vetes dhe sot nuk është më, sepse ne të gjithë e lamë të vetëdigjej!

 

Filed Under: Featured Tagged With: 1 minute heshtje, Elida Buçpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58

Artikujt e fundit

  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY
  • U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE
  • V I K T O R G J I K A…
  • Figurat
  • SHKOLLA DHE SPITALE APO ARSIM DHE KUJDES SHËNDETËSOR?
  • Miqtë apo vartësit e Fatos Baxhakut?
  • PER KRISTAQ DHAMON…
  • TË ARRITURAT E AMBASADORËVE TË KULTURËS, GJUHËS DHE TRADITËS SHQIPTARE NË SKANDINAVI NUK KANË TË NDALURA
  • Në Prishtinë hapet Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
  • Një atentat për shqiptarët dhe një dhuratë për Serbinë !
  • Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani pritën në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT