• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZONJA KANCELARE, JU PENALIZONI SHQIPTARËT E BËHENI BODYGUARD I POLITIKANËVE TË KORRUPTUAR !

August 11, 2015 by dgreca

Nga Elida BUÇPAPAJ/
Një lajm i fundit na thotë se refugjatët shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, të cilëve nuk u jepet e drejta e qendrimit në Gjermani, do të penalizohen edhe me heqjen e të drejtës së vizës Shengen për 5 vjet!
Sikur të mos mjaftojë kalvari që ata vuajnë në vendin e origjinës, ku nuk gëzojnë të drejtën e nevojshme dhe të domosdoshme për të jetuar,siç është e drejta e punës; sikur të mos mjaftohen nga kalvari i ardhjes deri në Gjermani që u kushtoi gjithë kursimet e tyre, disa thonë se kanë shitur edhe shtëpitë e banimit; sikur të mos u mjaftonte kalvari i refugjatit në çadra, në kushte aspak dinjitoze, tani refugjatët shihen nga Europianët, dmth Perëndimi, sikur të jenë asgjë; sikur të mos mjaftonte zhgënjimi prej mosmikpritjes; sikur të mos mjaftonin rrenat e sekserëve që i mashtruan; sikur të mos mjaftonte eksodusi i lejuar nën hundët e shtetit shqiptar apo atij kosovar; sikur të mos mjaftonte papunësia, në Kosovë 70% edhe në Shqipëri e njëjta shifër; sikur të mos maftonte tregu i zi i punës që u jep shans vetëm shkelësave të ligjit dhe nuk ofron kurrgjë për qytetarët e thjeshtë; sikur të mos mjaftonte informaliteti, që e ka degraduar deri në asht sistemin; sikur të mos mjaftonte Toka e Djegur për shqiptarët në vendet e tyre; sikur të mos mjaftonte korrupsioni i klasës politike, pasuruar e majmur e kthyer në oligarki e Ballkanit; sikur të mos mjaftonin hallet e prindërve që nuk kanë asnjë shpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre – dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, tani Perëndimi i penalizon refugjatët shqiptarë si “shkelësa ligji” dhe u heq të drejtën e lëvizjes, çka ka mbetur shpresa e fundit për ata.
Tani që u hiqet e drejta e vizës Shengen për 5 vjet, çfarë u mbetet të bëjnë shqiptarëve?
T’i rrëzojnë qeveritë e korruptuara?
Nuk i lejoni ju, dmth Perëndimi,se kinse iu prishet stabiliteti i rajonit, se kështu me papunësi, treg të zi, korrupsion e mafie, rajoni ju ngjan i stabilizuar?
T’i rrëzojnë politikanët e korruptuar?
Nuk i lejoni ju, dmth Perëndimi, sepse me këta politikanë që nëpër kuluaret tuaja i quani mafiozë, ju mbani stabilitetin e rajonit, pra ata de jure janë bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë!
Ju lutem Zonja Kancelare, më thoni se në këto kushte, çfarë duhet të bëjnë Shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, ju që jeni Gruaja më e fuqishme e Planetit Tokë, jepiani një leksion këtij populli të vogël, por të lashtë sa Europa dhe pjesë e pandashme e kontinentit plak.
Ju nuk i lejoni gjermanët të vijnë as si turistë as në Shqipëri e as në Kosovë, sepse mendoni sa bukur do të qe sikur ju gjermanët me miliona e miliona të zbarkonit në brigjet e mrekullshme të bregdetit, liqeneve dhe Alpeve shqiptare, por jo, ju nuk e bëni. Kjo do të ndikonte në fuqizimin e turizmit dhe do të zbuste ndjeshëm papunësinë, sikur miliona gjermanë të zbarkonin në brigjet shqiptare si pushues. Mendoni sikur nga turizmi Shqipëria të përfitonte të paktën 10 miliardë Euro, sa mirë do të qe. Do të ishte pare e pastër e fituar me djersë dhe e shpërblyer me kënaqësi nga Deutsche Touristen !
Kaq zor qenka që Shqipëria dhe Kosova me as 40 mijë kilometra katrorë të transformohen në një rajon dhe desitiancion i sigurt Europian ?
Nga ana tjetër Ju zonja Kancelare, dmth Perëndimi, i mikprisni politikanët e korruptuar shqiptarë, u jepni atyre receta se si ata të ndryshojnë, nga ujq të kthehen në dele, dhe ata pasi bëjnë me ju foto dhe pasi i shpërndajnë në Facebook e Twitter, u thonë ju „Tschüss Zonja Merkel“ ose shqipçe „ku të kena pa“, dmth që as që e çojnë në mendje që t’i plotësojnë kërkesat apo t’i ndjekin këshillat tuaja për shtet ligjor, për shtet të së drejtës, për liri tregu, për drejtësi të pakorruptuar etj.etj. Ata bëjnë Spass, qejf, ndërsa populli vuan, kthehet në popull refugjat.
Politikanët e korruptuar shqiptarë bëjnë Spass sepse ju nuk i penalizoni, sepse ju u jepni veç këshilla e receta, që tashmë janë kthyer në një refren monoton, sepse ata këshillat tuaja i hedhin në koshin e plehrave, ndërsa populli mbetet me gisht në gojë. Ju Zonja Merkel nuk zemëroheni nga paturpësia e politikanëve shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, por zemëroheni me ata refugjatë të mjerë. Politikanët shqiptarë janë të pabesë, ata nuk e mbajnë fjalën, ata s’kanë asgjë të përbashkët me thelbin e shqiptarëve që karakterizohen nga fjala e dhënë, nga besa, e atyre shqiptarëve që kur Gjermania naziste i çoi në Auschwitz hebrejtë, shqiptarët i morën hebrejtë në shtëpitë e tyre, u dhanë strehë dhe i mbrojtën!
Ju nuk zemëroheni nga paturpësia e politikanëve shqiptarë. Ju vetëm ua ricikloni këshillat e ata me këshillat tuaja krijojnë kullën që i bën të paprekshëm. Ju Zonja Kancelare dmth kur them ju, e kam fjalën gjithmonë për Perëndimin, jeni bërë Bodyguard i sistemit të korruptuar në Shqipëri e Kosovë!
Ju nuk i penalizoni politikanët shqiptarë as në Shqipëri dhe as në Kosovë dhe askund, ju penalizoni ata refugjatë të mjerë, të cilëve në vendin e tyre nuk u ofrohet asgjë, dhe, sikur të mos mjaftojë kjo, ju i penalizoni ata prapë e prapë dhe ua hiqni të drejtën e lëvizjes pikërisht njerëzve më vulnerabël të planetit që janë refugjatët, ndërsa klasa politike shqiptare e kosovare, me paratë e vjedhura popullit dhe me paratë e vjedhura prej ndihmave tuaja, ata me pasaporta diplomatike e me viza Shengen lëvizin e i shpenzojë paratë e tyre të zeza në gjithë botën!
Kjo matematikë nuk shkon Zonja Kancelare!
Dhe duheta ta ndreqni Ju! Dmth Perëndimi !

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Kanceraja Merkel. penalizimi i shqiptareve

AKADEMIA E SHKENCAVE INJORON FIGURAT KOMBETARE

July 19, 2015 by dgreca

Me rastin e 90 vjetorit të lindjes – PROF. SAMI REPISHTI OSE NDËRGJEGJA E KOMBIT/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Viti i nëntëdhjetë vjetorit të lindjes, do të duhej të shpallej nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë „Viti i Prof.Dr.Sami Repishtit“. Kështu ndodh në vendet e civilizuara. Por Akademia e Shkencave e Republikës të Shqipërisë vijon të mbetet një atavizëm i Akademisë të kohës së diktaturës. Luftën kundër Korifejve të Kombit, ky institucion e ka zëvendësuar me luftën përmes injorimit të Figurave, një akt ky makabër dhe po aq kriminal sa burgosjet dhe vrasjet e intelektuelëve.
Ky vit do të duhej të shpallej nga qeveria e Shqipërisë dhe nga institucionet e saj „Viti i Prof.Dr. Sami Repishtit“, nëse kjo qeveri do të iluminohej sikur pretendon nga idealet e Rilindjes tonë Kombëtare, sepse Prof.Dr. Sami Repishti, sikur thotë me të drejtë Peter R.Prifti, „është pasardhësi i denjë i Rilindasve tanë, sepse ka zbatuar me besnikeri idealet e tyre te larta“.
Nëse “Dekorata e Flamurit Kombëtar”, u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të jashtëzakonshme për lartësimin e shtetit dhe të kombit shqiptar, atëherë kjo Dekoratë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë i duhet dhënë Prof.Dr.Sami Repishtit.
Presidenti i Republikës ka nderuar me këtë medalje në vitin 2015 Emirin e Katarit dhe Presidentin e Turqisë por as që e ka vënë ujin në zjarr për Kolosin e Iluminizmit të Mendimit Shqiptar në krizën më thellë identitare që po përjetojmë si komb këtë treçerek shekulli.
Prej aliazhit diktaturë, pushtim, tranzicion e abuzim pushteti, ne si komb rrezikojmë kalbjen – për të cilën disa ditë më parë foli edhe Papa Françesku, dhe vetëm Mendimtarë të formatit Iluminist si Prof.Dr. Sami Repishti mund ta na shpëtojnë nga degradimi, shuarja apo zhbërja. Sepse të heqësh dorë prej vlerave identitare dhe parimeve të Humanizmit Perëndimor, do të thotë të pushosh së ekzistuari.
Prof.Dr. Sami Repishti lindi më 5 korrik 1925. Me jetën dhe veprën e tij, Ai u bë Shëmbëlltyra e Luftëtarit që nuk bën asnjë kompromis me të keqen. Edhe sot kur posa i ka mbushur 90 vjeç, Ai i paepur lufton me dije e dituri, me gjithë forcat e mendjes, shpirtit dhe arsyes njerëzore duke i bërë apel mendjeve të shëndosha të ndriçohen prej dritës që vjen prej idealeve të lirisë e vlerave të demokracisë.
Kredoja e lirisë e bëri Prof.Dr.Sami Repishtin që t’i mbijetojë apokalipsit të burgjeve dhe torturave të diktaturës. Kredoja e lirisë e bëri Prof.Dr.Sami Repishtin që t‘i shpëtonte vdekjes prej plumbave të rojeve kufitare të shtetit komunist, ndërsa do t’i shihte për herë të fundit sytë e nënës, sy që do ta ndjekin kudo në rrugëtimin që ngjan i pamundshëm e Ai nuk ndalet si Misionar për të treguar të vërtetën dhe për t’i orientuar shqiptarët, të cilët enden e enden sikur të jenë në mesin e oqeanit e të pabusull nga çoroditja politike.
Prof.Dr. Sami Repishti nuk bëri kompromis me diktaturën. Ishte viti 1946 dhe ai vetëm 21 vjeç kur regjimi komunist e dënoi me 15 vite burg duke e shpallur si armik. Sa krenari të jesh armik i diktaturës! Ai i pa dhe i provoi krimet e diktaturës. Ishte vetë viktimë e saj. Prej atëhere atij iu hapën plagë të shpirtit që edhe sot e kësaj dite nuk janë mbyllur, sepse viktimat lypin drejtësinë e munguar. Në burg, diktatura ia vrau shokët, Qemal Draçinin, që u vetëhelmua me DDT për t’i shpëtuar torturave çnjerëzore. Në burg i vranë burrat më të mirë të kombit, duke e kthyer Shqipërinë një një Gulag të gjithin. Në burg ai i premtoi At Çiprian Nikajt se do t’i tregonte të gjitha çka i kishin parë sytë e ballit dhe të shpirtit. Sami Repishti nuk do të rrojë veç për me tregue, por do të rrojë për me e luftue diktaturën! Përmes Mendjes së Tij të Ndritur.
Në Shqipëri, pas 75 vjet diktaturë e tranzicion, ne kemi Akademi Shkencash, pa Akademikë. Në Shqipëri ne kemi Universitete, pa Luminarë. Sepse po të ishin, asnjëri nuk do ta lindte vendin në obskurantizmin e Mesjetës që vjen prej shpërdorimit të pushtetit politik, që po e lë popullin në terrin e injorancës dhe varfërisë.Bash si diktatura.
Nga burgu i diktaturës Prof.Dr.Sami Repishti doli në vitin 1956, kur ishte 31 vjeçar. Diktatura ia përpiu dhjetë vite të jetës dhe kur doli prej hekurave të burgut e priti me barbarinë e mjeteve të saj perfide të depersonalizmit, duke e dërguar të punonte si punëtor krahu. Kësisoj, si viktimë, Ai nuk do të mund ta çonte në vend amanetin e Qemalit dhe të At Çiprian Nikajt me shokë, e prandaj merr vendimin verdikt të jetës së tij, të largohet nga Nana, vëllau e familja, akti më sublim i këtij njeriu të madh, e të kalojë kufirin e t’i mbijetonte një kalvari tjetër, atë të refugjatit në kampet e ish-Jugosllavisë, ku nuk e priste asgjë e mirë. Atëherë vendos të arratiset e kalon në Itali, ku fiton të drejtën e azilantit politik, e prej andej në vitin 1962 mbërrin në SHBA.
Posa ndjen se ka fituar lirinë e di se vetëm duke iu kushtuar dijeve, do të mund të bëhet përçues i Idealeve të Lirisë për popullin e tij të prangosun. Në Shkodër kishte kryer Liceun e At Gjergj Fishtës, në Universitetin e Firences kishte studjuar për Histori Moderne. Ai e di se popullit të tij të vramë e të vujtun i dilte në krah veç si Njeri i Elitës. Andaj i palodhun Prof.Dr.Repishti iu përvesh punës dhe studimeve, për të sfiduar kohën e vrarë prej diktaturës, dhe triumfoi si Njeri i Letrave, i Kulturës, i Shkencës, si Mbrojtës i të Drejtave të Njeriut, si Humanist, si Zë i besuar dhe i fuqishëm pranë Kongresit Amerikan, Departamentit të Shtetit, Shtëpisë të Bardhë si Njëri prej Përfaqësuesave më Elitar në historinë e diasporës shqiptaro-amerikane që qendron me dinjitet në krahun e djathtë të Faik Konicës.
Prof.Dr.Sami Repishti me kontributin e tij si shkrimtar, shkencëtar, dijetar dhe humanist i ka shoqëruar që të gjitha ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur kur kapërthyet shekulli me milenarin, sa i përket çështjes shqiptare, kombit shqiptar dhe integrimeve shqiptare në institucionet Euro-Atlantike.
Librat e tij me dëshmi nga burgu « Pika Loti » dhe « Nën hijen e Rozafës » janë Literaturë e pastër Nobelistike, sepse tregojnë tragjedinë njerëzore shkaktuar nga diktatura në mënyrën më autentike të mundëshme, kur shkrimtarët e Shqipërisë vazhdojnë të heshtin, duke fshirë kështu nga memoria kombëtare faqen më tragjike të jetës të kombit. Kush i lexon këto libra, i qan shpirti me kuja. Kush i lexon këto libra bëhet njeri.
Ky zhanër i letërsisë duhet të hyjë urgjentisht në shkollat shqiptare, nëse duam të mbijetojmë si komb. Sepse vetëm duke u njohur e vërteta, do të arrihet dekomunistizimi dhe do të marrë fund trushplarja e popullit.
Për të ndriçuar mendjen e popullit, duke dhënë shembullin në vetën e pare, Profesor Dr.Sami Repishti, rrnon duke i shpallur luftë konformizmit pseudointelektual. Esseistika politologjike e sociologjike e Profesor Dr.Sami Repishtit është brilante, të hap sytë e mendjes, të çliron nga hallkat e presionit të censures dhe autocensurës dhe është liberatore e të shpëton prej kakofonisë të korit të bretkosave të Tiranës, që të zhytura në baltën e lluksit personal, bëjnë kompromis me vetë qoftëlargun.
Prof.Dr. Sami Repishti është Ndërgjegja e kombit shqiptar, është Ndërgjegjia Kombëtare që mban qendrim kritik ndaj të gjitha vonesave të pajustifikuara këtë tranzicion shkaktuar nga abuzimi me pushtetin duke na treguar se shteti demokratik, ndërtohet vetëm mbi themele të mbrojtura nga vlerat dhe parimet universale të demokracisë e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, nga shqiptarët më të mirë që janë dashuruar dhe ia kanë kushtuar jetën Lirisë! Ashtu si Prof.Dr.Sami Repishti!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, injoron figurat

O SA TURP ME QENË SHQIPTAR!

July 5, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Anton Çeta kur ka marrë në analizë Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe ka dashtë me i karakterizu shqiptarët si gen e komb, ka ardhur në konkluzionin se përcaktorët themelorë të fondamentit kombëtar për mbijetesë kanë qenë burrnia, ndera, besa dhe mikpritja.
Sot është zor të gjesh shqiptarë që t’i kenë këto veti. Ka humbur burrnia, ndera dhe prej saj shqiptaria po rrezikon themelin që i siguroi milenarët. Shqiptari ka humbur vlerat kombëtare dhe është bërë një sharllatan i pacipë që rend pas fitimeve duke e shitur burrninë, besën, mikun dhe mikpritjen për para.
Ndërsa krenohemi se gjatë Holokaustit ishim të vetmit që ia ruajtëm nderin Europës sepse i mikritëm me besë hebrejtë, sot për turpin tonë kombëtar, do të kishte maskarenj që do t’i kishte shitur.
Dhe prandaj na vjen turp me qenë shqiptar.
Sepse i shkelëm në besë dhe i vramë çiftin e të rinjve çekë, që kishin zgjedhur vendin tonë me bukuri përrallore për të kaluar pushimet.
Ata kur do të ktheheshin në shtëpinë e tyre në Çeki, do të tregonin për detin e bukur në plazhin e Rrjollit, për Malsinë e Shkodrës, Vermoshin e Dukagjinin epik, por sidomos do t’u flisnin për mikpritjen legjendare shqiptare, që nga legjendë është kthyer në farsë . Michael dhe Anna do t’u tregonin miqve për magjinë e natyrës shqiptare dhe sidmos për bujarinë shqiptare që i pret miqtë me bukë e kripë por me zemër në dorë. Ndërsa tani lajmi i vrasjes së tyre e ka kthyer gjithçka përmbys. Shqipëria nuk është më e bukur derisa miqtë i vret me bukë në gojë. Ku ka ma keq se kaq. Ku ka degradim ma të madh se kaq.
Ah sa turp me qenë shqiptar!
Çifti çek, Michael dhe Anna i kishte thyer tabutë që thuhen për shqiptarët dhe shtetin e tyre. Ata e kishin idealizuar Shqipërinë, e cila në fakt i ka të gjitha të mirat e botës. Shqipëria është një vend me burime të pashterëshme parajsore, ka liqej, ka lumenj, ka Alpe, ka dete, ka 300 ditë diellore në vit, dikur ka patur edhe shqiptarë !– E për këtë do të duhej të ishte destinacioni i parë për Europën. Në fakt është një destinacion i hequr nga harta e turizmit për europianët. Shtetet e tyre u thonë qytetarëve europianë, kujdes mos shkoni në Shqipëri, sepse atje jeta që e ka krijuar Zoti s’ka vlerë, e koka të ikën për një grusht eurosh.
Sipas World Tourism Organization, Italinë e vizitojnë në vit rreth 50 milionë turistë, Turqinë rreth 40 milionë, ndërsa Greqinë 22 milionë. Shqipëria s’ka statistika, sepse s’ka turizëm. Në Shqipëri mund të bujtnin të paktën 11 milionë turistë, me një kosto të paktën prej 7 miliardësh Euro në vit, sepse të ardhurat nga turizmi elitar e me kosto të ulët për Turqinë janë 40 miliardë Euro. Europa nuk e pranon Turqinë në BE, por Turqinë e ka si detinacion turistik për shtetasit e Europës. Ndërsa Shqipëria s’është askund ! Vetëm në statistikat për korrupsion arrin vendin e parë. Dhe për qytetarët e saj më të palumturit e Europës, të cilët rrinë indiferentë përpara kësaj katrahure!
Tani që Greqia është në krizë dhe kur me qindra mijra turistë në ditë anullojnë pushimet e tyre në Greqi, Shqipëria do të duhej të ishte destinacioni i tyre i ri dhe më i bukur. Sepse Shqipëria ka mirëpritur dhe mikpritur në prejhistori, ndërsa tani është kthyer në një destinacion të frikshëm, ku miqtë dhe dashamirët i vret.
Ah sa turp me qenë shqiptar.
Nëse del ndonjë kriziter të më bëjë moral, ose të më kërcënojë, sepse këtu ka degraduar burrnia shqiptare, unë s’do të ndalem dhe do të them prapë ah sa turp me qenë shqiptar !
Dhe kështu do të jetë deri kur shqiptarët dhe shteti amë t’i kthehet gjenezës, thelbit, ashtu si e ka krijuar Zoti, sepse vetëm duke iu rikthyer atyre vetive të ndritura që shkruhen në Kanunin e Lekë Dukagjinit, Kushtetutës të parë të kombit, veti që i nxjerr në pah një burrë i pashoq si Anton Çeta, ne do të na kthehet krenaria kombëtare. Sepse ne dikur jemi krenuar ! Jemi krenuar për burrni e nder, për fjalë, për besë e mikpritje, kur shqiptari e jepte edhe jetën e vet për të mbrojtur Mikun. Ndërsa tani krenaria jonë është vrarë kur shqiptari e vret Mikun, kur shqiptari i vret dy miq të shqiptarëve, siç ishin çifti i dashuruar Michal Svatos dhe Anna Kosinova, që si dy idealistë të marrë besonin se shqiptarët e kanë të shenjtë kultin e Mikut, të besës e të mikpritjes!
Oh sa turp me qenë shqiptar!
Ndërsa sa për shtetin shqiptar, as që bëhet fjalë, ai është cinik dhe mjeran dhe për pushtet vazhdon e shet nder e vlerë ! Prej këtu ka nisur degradimi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, me qene shqiptar?, Turp

LERENI JOZEFINËN TË FLASË!

July 2, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kam patur një simpati ad hoc për Jozefinën. Them ad hoc sepse unë simpatitë i krijoj nga laboratori im personal. Nuk shkoj me shabllone të gatëshme. Por njeriu që na fliste për Jozefinën, e kam shkruar edhe dikund tjetër, ishte Pjetër Arbnori. Dhe Pjetër Arbnori kishte të drejt të ishte entuziast. Sepse Jozefina vjen nga një nga familjet më të mira të Shkodrës. Dhe si thotë populli molla nën mollë bie.
Kur PD rierdhi në pushtet pas rënies apokaliptike të 1997, që pati si pretekst sistemin piramidal, nga ku lidërshipi i kësaj partie doli në opozitë me një imazh të fëlliqur, u besua se nga gjithë ai pësim PD do të kishte reflektuar për të mos ripërsëritur gabimet dhe fajet. Jozefinës i binte detyra kryesore. Pasi ishte nr.2 i partisë dhe krahu i djathtë i Berishës.
Jozefina nuk duhej ta lejonte Berishën që ky të largonte Pjetër Arbnorin nga politika.
Jozefina nuk duhej ta lejonte Berishën të hynte në aleancë me Ilir Metën.
Jozefina do të duhej që të shkonte e t’i takonte të përndjekurit e grevës të urisë, ku u vetë sakrifikua Lirak Bejko.
Jozefina nuk duhej të pranonte privilegje që cënonin integritetin e saj si politikane.
Jozefina duhej të ishte mbrojtësja e demokracisë në parti, dhe mbojtësja e zërave ndryshe duke moslejuar gjuetinë e shtrigave kundër kritikuesave
Jozefina do të duhej të ruante figurën e saj, që të mos ishte as mikrofon dhe as alter ego i Berishës sepse të dy vinin nga dy botë krejt të ndryshme, e Jozefina ishte dy dekada më e re se Berisha. Por Jozefina pëlqeu pushtetin e lehtë, që mjaftohej të ishte një yes-woman e Numrit Një.
Nga ky moment, kur Jozefina hyri në një sintoni uniforme me Berishën, kam filluar ta kritikoj zonjën Topalli, por ajo nga maja e piramidës i shihte njerëzit sikur të ishin miza. Në atë kohë nisën që Jozefinën ta krahasonin me Nexhmijen. Natyrisht krahasimi ishte hiperbolë e pakripë, por në themel ekzistonte arsyeja që Jozefina t’i meritonte kritikat.
Sepse Jozefina ishte pjesë e lindërshipit të PD me në krye Berishën, që janë shkaktari kryesor i degradimit të PD nga parti e idealeve të qendrës në një parti që përqendroi pushtetin në një grusht njerëzish dhe pak interesohej ose aspak si për demokracinë brënda partisë, ashtu edhe në nivel vendi. Prandaj erdhi humbja e 23 qershorit.
Ata 1 milionë që i dhanë fitoren Edi Ramës më 23 qershorin e 2013 nuk votuan pro PS, por kundër asaj mënyre qeverisje që prodhoi PD për dy mandate.
Rreth asaj humbje Jozefina nuk e foli asnjë fjalë. U trishtua domosdo, sepse do të humbiste pushtetin, hipokritët servilë që i thurrnin lavde dhe hymne. Do t’i iknin nga duart privilegjet. Heshti për humbjen e 23 qershorit 2013 Jozefina. Nuk bëri asnjë koment. Asnjë mea culpa.
Për dy vjet rresht ka patur kohën e mjaftueshme që të reflektojë. Kjo e bëri që pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit të ngrejë zërin dhe të thotë se ka ardhur koha që PD të shohë nga vetja. Dmth tash ka ardhur koha që të reflektojë edhe lidërshipi i PD. Sepse humbjes të 23 qershorit 2013 i është shtuar edhe humbja e 21 qershorit 2015. Dhe nëse nuk do të ndryshojë stil, do të ketë humbjen përfundimtare në qershorin e 2017!
Nëse lidërshipi i PD vijon që për rënien e vijueshme të përgjegjësojë fitimtarët, Jozefina, ka të drejtë që t’i tërheqë vemendjen. Ajo duhet të jetë e lire që të shprehë mendimin e saj. Dhe mënyra se si ka reaguar PD kundër saj është e turpëshme, është e frikëshme, është e papranueshme, është antidemokratike, është e njëjta mendësi autokratike që i ka prodhuar humbjet, që ka larguar elektoratin dhe që e ka lënë Shqipërinë në këtë stad, ku një proces zgjedhor nuk pranohet nga humbësi, për shkak të shit-berjes të votave, për shkak të inkriminimit të politikës, për shkak të mosreformimit të PD.
Demokratizimi i Shqipërisë pritej nga PD. Dhe nëse PD edhe pas çerek shekulli nuk lejon asnjë zë kritik brënda vetes, sepse pretendon se lidërshipi është i pagabueshëm, atëhere kjo parti nuk meriton që të pretendojë se përfaqëson idealet e atyre që ëndërruan për një Shqipëri të integruar në Europë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, JOZEFINËN!, LERENI TË FLASË

ZOTI PROKUROR I PËRGJITHSHËM, HAPI DOSJET E GAZETARËVE TË VRARË OSE IK!

June 12, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sapo lexova lajmin se Kryeprokurori i Kosovës Aleksandër Lumezi ka autorizuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë që të fillojë hetimet kundër personave që përmes rrjeteve sociale kanë ushtruar një fushatë kërcënuese kundër publicistit Veton Surroi.
Zoti Lumezi ka bërë mirë që ka kërkuar hetim, duke i dalë në mbrojtje zotit Surroi.
E unë në të njëjtën kohë, i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm që të nisë hetimet për gazetarët e vrarë në Kosovë.
Janë një listë emrash gazetarësh që fillojnë nga Ali Uka, Enver Maloku, Xhemal Mustafa, Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti të vrarë nga dora kriminale për shkak të ushtrimit të profesionit. Dosjet e tyre qëndrojnë të mbyllura edhe nga organi i akuzës, edhe prej memecërisë së gazetarëve të Kosovës, të cilët ose jetojnë në gjendje letargjie, ose rrinë si lepuj përpara pronarëve, ose u shkojnë bisht prapa politikanëve, rrinë pra sus dhe kot sa janë, sepse në fakt janë vetëm bishta të establishmentit që është duke e lënë Kosovën në mjerim, në papunësi dhe nën terrorin e antishtetit.
Po të kishte shtet të së drejtës në Kosovë, drejtësia do t’i kishte zbardhur vrasjet e gazetarëve dhe përgjegjësit do të duhej të paguanin për krimin e kryer, që është i dyfishtë, sepse bashkë me njeriun kanë vrarë edhe përfaqësusin e pushtetit të katërt.
Që të jesh gazetar në Kosovë duhet ta kesh lidhje ose me establishmentin e ish-pushtuesit ose me këtë të ish-luftës, ose duhet të jesh Baton Haxhi ose Shkëlzen Maliqi ose Berat Buzhala. Nëse nuk je ndonjëri nga këta duhet të jesh patjetër Bajrush Morina, arketipi tipik i përzierjes të dy establishmenteve. Por gazetar nuk je – po të jesh njëri prej tyre.
Janë edhe brezi i ri i gazetarëve, ata që janë të papërlyer nga establishmentet. Kosova pret prej tyre që ta ndryshojnë botën.
Sot i mpreha veshët kur Prokurori i Përgjithshëm i Kosovës kërkoi hetim për kërcënimet që ka marrë Veton Surroi, e në të njëjtën kohë po i them Prokurorit të Përgjithshëm të kërkojë hetim për vrasjet e gazetarëve Ali Uka, Enver Maloku, Xhemal Mustafa, Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti.
Po i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrën urdhërore, sepse kjo është detyra e tij ashtu si e ish-paraardhësve të tij, që të zbulojnë kriminelët, se cilët ishin dorasit edhe ideatorët e këtyre akteve terroriste. Të vrasësh një gazetar shqiptar do të thotë të jesh terrorist, po aq i zi sa ata të IS-it.
Nëse politikanët e Kosovës nuk duan t’ia dinë, të paktën shoqëria civile në Kosovë duhet t’ia kishte prishur gjumin Prokurorit të Përgjithshëm të Kosovës, por mjerisht edhe shoqëria civile është vetëm një ingranazh i kësaj kënete që e quan veten shtet, sepse askurrë dhe asnjëherë nuk e kemi parë në manifestime sensibilizuese. Manifestojnë vetëm partitë dhe militantët e partive, ndërsa shoqëria civile e vë popullin në gjumë. Kur e gjithë bota thërriste në kor: Je suis Charlie, përse në Kosovë nuk manifestohet me emrat e gazetarëve të vrarë, përse nuk thuhet Je suis Enver Maloku, Je suis Bardhyl Ajeti, Je suis Xhemal Mustafa, Je suis Shefki Popova e me rradhë.
Krimi i këtij establishmenti veç të tjerave është se ka krijuar edhe një popull të nënshtruar, i cili nuk i kërkon të drejtat që i takojnë.
Unë po i bëj një pyetje retorike Prokurorit të Përgjithshëm të Kosovës, nëse e ka parë përkushtimin e SHBA për të zbuluar të vërtetën e vrasjes së tre qytetarëve të saj, tre djemve dhe vëllezëve Bytyçi që ishin pjesë e UÇK-së e luftuan bashkë në Batalionin Atlantik! Po zoti Prokuror i Përgjithshëm, përse nuk po e kryen detyrën, veç po e shton pluhurin e harreses mbi dosjet e gazetarëve të vrarë, duke i vrarë edhe një herë me heshtje.
Harresën po e ndihmon edhe komuniteti i gazetarëve të Kosovës, sepse asnjë gazetar apo organizëm gazetarësh në Kosovë nuk është i interesuar dhe nuk ka investiguar për kolegët e vrarë. Ata nuk i kujtojnë kolegët e tyre të vrarë as në 3 Maj Ditën Ndërkombëtare të Lirisë të Shtypit, nuk i kujtojnë as për hipokrizi, nuk i kujtojnë as për të larë gojën.
Po s’ka si të jenë gazetarë atëherë.
Prandaj Kosova ka mbetur pa Ëngjëjt e saj Mbrojtës, sepse gazetarët e vërtetë janë Ëngjëjt Mbrojtës të Kosovës.
Prandaj Kosova po vijon dergjjen.
Po të them: mjaft u dergje Kosovë, Prokurori i Përgjithshëm do të më akuzojë se jam duke ia prishur stabilitetin establishmentit që e ka kapur shtetin e Kosovës!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, gazetaret e vare, Kosove, prokurori i pergjithshem

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT