• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JU TREGOJ PËR TIM ATË, POETIN VEHBI SKËNDERI – ECCE HOMO ISHTE IM ATË –

April 7, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ishte një mbrëmje e bukur qershori. 12 qershor 2011. Nga ato më të bukurat e vitit, kur stina e verës është në prag të shpërthimit me plotmadhështinë e vet prej shumëlaryshisë së ngjyrave. E të grish vetëm të jetosh pa fund e sosje. Atëher kur çdo shpirt njerëzor mendon se jeta është e përherëshme. Ndërsa im atë Vehbi Skënderi po luftonte me vdekjen.
Në një mbrëmje të tillë qershori, ai do të ishte dehur nga abazhuri i hënës në qiell. Dhe ajri i ngrohtë i përzierë me aromat e luleve do ta ngazëllente për të krijuar pastaj në laboratorin e tij poetik përfytyrimet e tij ekstravagante në skulptura poezish.
Në një natë qershori të tillë, të vitit 2005 një dorë kriminale na kishte vrarë kolegun tonë 28 vjeçar, Bardhyl Ajetin, duke krijuar tragjedinë dhe dhimbjen prej një absurdi surreal. Sepse është e pamundur të vrasësh një gazetar të ri për ato që shkruan. Vetë vrasja si nocion është e ndaluar. Të presësh një jetë në mes. Por po aq e pamundur dhe e ndaluar është ta mbulosh vrasjen duke heshtur. Të heshtësh je po aq kriminal sa ideuesi i vrasjes dhe ekzekutori. Vrasja e këtij djaloshi ka mbetur ende e pazbardhur. Ai ka mbetur i harruar nga kolegët dhe nga shoqëria që po bëhet çdo ditë edhe më tribale sepse po humb sensin për të kërkuar e gjetur të drejtën. Krejt ndryshe nga im atë që gjithmonë iu fal të drejtës, si një konstitucioni universal hyjnor që nuk varet nga konjunkturat por nga ndërgjegja njerëzore e gjithësecilit prej nesh. Që të lejon të gjesh shpresë e mundësi për të ndihmuar atë që ka nevojë edhe në kohë të pamundura. Edhe unë vijoj dhe e kërkoj të drejtën si bija e tim eti. Edhe kur më thonë të gjithë se e drejta ka vdekur, unë nuk do të ndalem si për të vijuar jetën e tim eti.
Nata e 12 qershorit 2011 na hutoi e na e mbushi mendjen se jeta triumfon mbi vdekjen, se jeta triumfon edhe ndaj prognozave të mjekëve. U bëmë naivë. Me vullnetin tonë. Aq më tepër duke e njohur dëshirën e paepur të tim eti për të jetuar, për t’u ndjerë i lumtur pranë familjes së tij. Sot lumturia është kthyer në nonsens ose mision i pamundur. Njerëzit e kërkojnë lumturinë tek paratë, pasuria, makinat dhe vilat. Ndërsa lumturia është gjithmonë me ne, ne jemi lumturia e njëri-tjetrit. Dhe im atë e kishte zgjidhur me kohë këtë rebus. Ose më mirë të them s’ka qenë për të fare një rebus dhe ai gjithnjë e ka ditur. Sepse të gjitha dramave të jetës së tij, për fajin e një regjimi kriminal, ai u kishte mbijetuar për arsye dhe shkak të familjes që ia kthyente dashurinë me dashuri dhe nuk e tradhtoi kurrë. Krejt ndryshe nga kolegët, që mbetën tregëtarë flamujsh me shpirtëra çakejsh.
Ne i qendruam rreth shtratit natën e 12 qershorit, duke e kundruar e kundruar. Fytyra e tij ishte e bukur. Ngjyra e lëkurës ishte rozë. Im atë nuk e tregonte moshën, ai është dukur gjithmonë i ri, i mbushur me energji të pashterëshme. Kjo bënte që unë të ndihesha gjithmonë fëmijë. Edhe natën e 12 qershorit. Unë i vërtitesha rreth dhe ia puthja duart e faqet, ia prekja këmbët e bardha. Ishte i pastër si drita. Ai nuk reagonte. Flinte. Nën efektin e qetësuesve. Që kur u shtrua në spital ai kishte qenë nën efektin e qetësuesve dhe vetëm një herë ishte zgjuar sa për të thirrur vetëm një emër: „Lili“. Emrin e nënës time.
Duke e parë të flinte i qetë, dikur vonë, ne vendosëm të ktheheshim në shtëpi. Të bindur se nesër do ta gjenim më mirë. Ishte mbrëmja e vonët e së djelës. Jeta gumëzhinte. Në tram u takuam me Endritin që kthehej me shokët nga kinemaja. Përpara filmit ishte në spital. Kur iu afruam shtëpisë, dritat e apartamentit tonë nuk ishin të ndezuara si zakonisht. Shtëpia jonë gjithmonë ishte e hapur, gjithmonë kishte njerëz e drita. I ramë ziles dhe derën na e hapi Prizreni. Ai po vuante. Im atë i kishte rritur djemtë. I kishte marrë sa kishin ardhur në shtëpi nga materniteti, bebka dhe iu kishte përkushtuar kohën dhe jetën. Me një dashuri pa kufi e cak. U ka treguar me mijra përralla që i krijonte për ta, u ka mësuar alfabetin e shqipes, gjuhën, u ka lexuar libra, u ka recituar poezitë e tij, poezitë e tij për ta. Midis tyre mbretëronte një aleancë sublime. Të dy djemtë tanë kanë qenë me fat që i ka rritur një gjysh si ai. Megjithëse të gjithë gjyshat e gjyshet e botës janë të mrekullueshëm.

Tani në shtëpi ishim të katërt. Familja Buçpapaj. Familja Skënderi ishte në spital. Folëm fare pak midis nesh. Djemtë ishin bërë burra papritmas. Pastaj mora në telefon tim më që nuk i ishte ndarë kurrë tim eti. Edhe ajo më qetësoi. Po fle i qetë më tha. Unë i qetësova të tjerët. Dhe u shtrimë të flemë si robotë.
Kishim fjetur pa ëndërra, shpejt, përhumbshëm, për t’iu larguar një frike. Deri kur ra zilja e telefonit, që na ngriti menjëherë të katërve, gatitu. Dhe matanë telefonit zëri jepte lajmin që ne nuk do të donim ta dëgjonim kurrë.
Kur po gëdhihej 13 qershori dhe kalendari shënonte ditën e Shëna Ndout, shpirti i tim eti u largua prej trupit të tij. Në agun që ai e ka përmendur shpesh në poezitë e tij, ku ai e ka përshkruar me laryshi nuancash e ngjyrash të pafundme. Por agu i ikjes të tim eti ishte i vërejtur, i humbur prej tymnajave të mjergullës dhe ngjante e pamundur që kjo ditë të kish lindur prej barkut të një nate magjike qershori, kur ne u larguam nga spitali dhe e lamë tim atë në një gjumë të thellë e shpresëdhënës. Gjithçka ishte përmbysur brenda dy-tri orësh, ashtu si jeta që ishte shndërruar në ikje, largim e vdekje. Për dy-tre orë qielli kishte ndryshuar uniformë në një antitezë të plotë. Ishte zhdukur hëna, yjet, magjia e natës kur ne i dhamë përshëndetjen, pa e ditur se do të qe përshëndetja jonë e fundit në këtë tokë, pak përpara kur fryma e tij do të fluturonte si zog i çliruar nga prangat e një kohe mistrece.

Kur ne vendosëm të largoheshim nga spitali, në prag të shkëmbimit të 12 me 13 qershorin, ai ngjante sikur flinte si normalisht. Nuk e kishte më frymëmarrjen e dendur, të vështirë, të mundimshme që e kishte pasur prej ditës së mërkurë. Kur u përkeqësua papritmas. Një ditë më parë, dmth të martën, ai kishte bërë një shaka me ne. Ime më ashtu si e kanë zakon gratë përdori klishenë e njohur se po vdiste prej lodhjes, dhe im atë, që rrinte me orë e ditë të tëra pa folur, ia ktheu me buzën në gaz, « po për mua kush do të kujdeset atëherë?!» Reagimi i tij ne na hodhi të gjithëve përpjetë. Na zgjoi. Sepse sëmundja e kishte transformuar. Ngjante si Mbreti Lir. Tragjik, i madhërishëm, i vuajtur, i heshtur e solitar në botën e tij të mbyllur. Kështu e përjetonte largimin apo distancën nga mungesa e tij fizike me botën rreth tij, nga mosprania në rrjedhat e ditës, në rrugët që ai i kishte kaluar çdo ditë, që edhe sot i mbajnë gjurmët e tij.
Reagimi i tij na e ktheu humorin. Kujtuam se ishte shenja e rikthimit në jetë, për të shpëtuar nga sëmundja e zezë, që është depresioni, ashtu si kishte shpëtuar edhe në vitet ’70. Unë e mbaj mend atë kohë, se si vuante im atë, si lëngonte. Pranë tij ishte im më dhe unë, fëmijë. E vizitonte rregullisht, për çdo ditë njëra prej hallave të mija, Lumja dhe fëmijët e saj dhe vëllai i tij i vogël, sepse të tjerët nuk vinin dot pasi kishin frikë nga partia kuçedër. Atëherë im atë sapo i kishte mbushur 40 vjeç dhe ngjante i moshuar si një plak. Por një mëngjes papritmas u ngrit nga shtrati e ul në makinën e shkrimit dhe rinisi të shkruante poezi. Prej asaj dite nisi të dilte nga shtëpia e të shëtiste nga Kodrat e Liqenit. I vetmuar. Kolegët i largoheshin, shokët i fshiheshin, të afërmit kujdeseshin për biografitë.
Si shenjë fatmirë, të daljes nga kështjella që ai kishte ndërtuar me mure qiklopikë prej heshtjes së vet e morëm edhe reagimin e tij. Ne u lumturuam pasi e dinim se im atë dinte të ngrihej gjithmonë më këmbë, se im atë do ta kalonte edhe këtë provë, pas aq provash e vuajtjesh, që i kishte e kishim kaluar së bashku.
Por ndodhi e papritura dhe ai u përkeqësua papritmas të mërkurën. Iu vështirësua frymëmarrja. Ne u trembëm. Filluam t’i luteshim të hante. Sepse kishte dy vjet që kishte hequr dorë nga e ngrëna. E ushqente me shumë mundime ime më. Im atë refuzonte ushqimin, refuzonte ujin, po ime më nuk dorëzohej deri sa e ushqente çdo ditë, çdo vakt, dalë e nga dalë, një kafshore, një lugë, ishte një fitore, një gllëngjkë ujë, një gotëz me lëng frutash, ishte jetë për tim atë.
Unë po punoja në komputer atë të mërkurë, kur ime më më erdhi pranë e më tha se ai nuk po hante dot më. U ngrita menjëherë. I shkova pranë e i vura buzët në ballë. Si veproja me djemtë. Kishte temperaturë. I dhamë menjëherë një dafalgan dhe e shtrimë në shtrat. U qetësua pak. E zuri gjumi dhe frymëmarrja ju bë normale. Pasdite bashkë me Skënderin blemë biskota fëmijësh që ime më t’i shtypte e ta ushqente më lehtë.
Hëngri nga mbrëmja pa e refuzuar ushqimin si bënte zakonisht. Dukej se kishte frikë nga vdekja. Por ne nuk na shkonte mendja për atë gjë. Kur ra nata i shkova në dhomën e tij ku flinte. Dhe qava e qava me lot e pa zë. Për të gjitha vuajtjet që kishte hequr, pa i bërë kujt keq në jetën e tij. E pastaj iu lutëm Zotit që vetëm të jetonte. Edhe me depresion. Veç të jetonte. Ishim mësuar tashmë edhe me këtë gjendjen e tij. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij në një cep të dhomës. Hijerëndë, pa folur, duke na parë ne. Herë i përhumbur në mendimet e tij, herë me sy të trishta e herë me sy të trembura, sepse e shkuara i kthehej si fantazmë, si makth e ankth. Mallkuar qofshin ata që e kanë bërë tim atë të vuante. E bashkë me të edhe ne. Që nuk kanë marrë mundimin kurrë të kërkojnë ndjesë. Një pjesë e tyre kanë shkuar në ferr. Në ferr shkofshin të gjithë që e kanë merituar. Sepse nuk e njohin ende pendesën. Në pranverën e 2011 kur e kishim shtruar në spital për rehabilitim në një moment të kthjellët i kishte thënë sime mëje se « ata nuk na kishin lënë që ta jetonim jetën tonë». « Ata »ishte regjimi komunist, që identifikohet me emra. Sepse na e kishin ndryshuar tërësisht rrjedhën e jetës brutalisht, na kishin detyruar të jetonim kalvarin. Sot është e trishtë kur lexojmë se disa shkrimtarë qahen nga vuajtjet që paskan përjetuar në diktaturë. Një farsë e vërtetë cinike ndaj vuajtjeve të vërteta, si ato që ka përjetuar im atë, që u largua nga kjo botë i mbytur nga pikëllimi, kur e humbi betejën e fundit.
Ne e shtruam në spital të premten, kur frymëmarrja iu rëndua rishtas. Ishte më 10 qershor, paradite. Sa herë i shoh sot makinat e urgjencës më kaplon trishtimi. Kur erdhi urgjenca, im atë nuk ishte më im atë. Erdhën e morën lart me barelë sepse ishte krejt i pafuqishëm. Mezi merrte frymë. Nuk më kërkonte mua me sy, por time më e cila hypi me të në makinë. Ne i shkuam pas. Pas kësaj ai nuk u kthye më në shtëpinë tonë. Ishte ikja e tij e fundme.
Frymëmarrjen e tij të rënduar e kam edhe sot në vesh, si asaj të premte. Dukej sikur prapë po luftonte, deri në frymën e fundit dhe pikën e fundit të gjakut.
Pasi e shtruam në spital të premten, e pasi biseduam me mjekët u kthyem për t’u kujdesur për fëmijët. Sa hymë në shtëpi, na ra në sy kolltuku i tij që ishte bosh, që priste më kot. Në dhomën e tij makina e shkrimit rrinte e heshtur, me tastet e ngurta si copa kalldrëmash, të palëvizur nga gishtat e bukur të tim eti. Gjithmonë im atë na e kujtonte se si një pianiste e njohur shqiptare mahnitej nga gishtat e bukur të tim eti, që tani rrrinin të palëvizur dhe nuk krijonin vargje e rima me makinën e tij të shkrimit. Makina e shkrimit ishte si faltore për tim atë. Atje ai falej duke zbrazur shpirtin e tij të kthjellët si kristali. Kanë qenë shumë të rrallë shkrimtarët bashkëkohës me tim atë që e kanë patur shpirtin e pastër si të tijin. Pa asnjë njollë. Shpirt njeriu. Ecce Homo ishte im atë.
Por ne vazhduam që t‘i luteshim Zotit që im atë ta kalonte edhe këtë furtunë. Ne ishim mësuar tashmë edhe me këtë situatë. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij dhe na ndiqte me sy. Nganjëherë i shpinte sytë diku larg, nganjëherë i mbyllte si për të mos lejuar që tmerret e së shkuarës t’i ktheheshin si fantazma për ta marrë e larguar nga familja, për t’ia marrë e djegur librat, për t’a dërguar në riedukim apo internim, duke i lënë në mes poezitë apo treguar përgjysëm përrallat që ia tregonte së bijës, dmth mua. Aty i ulur në kolltukun e tij, ai me pamje epike, ngjante si një personazh i dalë nga cikli i kreshnikëve. Nganjëherë, dikur, rrallë e përherë rrallë e më rrallë, kur na hidhte ndonjë fjalë, si meteor, na bënte të hidheshim përpjetë prej gëzimit e kaq pak na dukej aq shumë, sepse mendonim se po i mblidhte forcat për të dalë nga ky tunel i errët.
(MARRË NGA LIBRI ‘DISIDENCË NË TRANZICION’ QË ËSHTË NË PROCES BOTIMI)

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Ju tregoj tim ate, VEHBI SKËNDERI

TOM DOSHI HERO APO VIKTIMË

March 29, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Disa muaj më parë tek RAI UNO Roberto Benigni analizoi «Dhjetë komandamentet», që njihen si Dekalogu (Dhjetë urdhëresat) ose dhjetë ligjet që i ka shkruar Zoti në qiell për të mbajtur ekuilibrin e Universit njerëzor. Kjo është Kushtetuta e Zotit, që çdo njeri duhet ta respektojë.
Në Urdhëresën e Nëntë, Zoti thotë: „Mos bëni dëshmi të rreme“ se drejtësia supreme ju ndëshkon.
Në diktaturën komuniste sa e sa njerëz janë rrasur në burg dhe janë pushkatuar në sajë të dëshmive të rreme. Edhe gjatë tranzicionit po ashtu. Në Ambasadat Perëndimore në Tiranë shqiptarët shajnë e shpifin për njëri-tjetrin.
Për këtë farë specie uroj që ndëshkimi i Zotit të mos ju ndahet kurrë.
Pra dëshmia e rreme në Shqipëri ka hyrë si sistem duke e ngrënë atë. Mjafton të shihni si shahen dhe pështyhen deputetët me njëri-tjetrin. Dhe po t’i ndëshkonte Prokurori i Përgjithshëm, si veproi me Tom Doshin, sipas gjasave asnjëri prej tyre nuk do të mund të vinte në Kuvend.
Sot Shqipëria është në degradën e saj. Për këtë degradim e ka fajin politika, që ka molepsur të gjitha shtyllat e sistemit.
Shqipërinë e sotme Roberto Benigni e krahason me Mesjetën e thellë.
Sot rinia shqiptare nuk ka asnjë pikë referimi. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë figurë nga klasa politike aktuale tek e cila populli të mbështetet e t’i japë besimin. Veç jehona solitare e ndonjë Zëri Revoltues të cilin politika përmes mekanizmave të veta e amortizon duke e izoluar.
Shqipëria duhet të shpëtohet o sot o kurrë. Duhet të shpëtohet sistemi nga rënia përfundimtare.
Rasti Doshi është shembulli më flagrant i komprometimit final të sistemit, sepse aty, sipas dëshmisë të Tom Doshit, të parrëzuar nga palët, kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryeprokurori janë në konflikt të hapur interesi, pasi shkelin pavarësinë e institucioneve që përfaqësojnë. Që do të thotë se janë shkelësa të ligjit.
Nëse bëjmë një digresion në kohë, populli shqiptar kujton vitin 2011 kur Edi Rama dilte në manifestime në krah të Tom Doshit për të larguar nga pushteti Ilir Metën pas videos së publikuar nga Dritan Prifti, ku Meta shfaqej në një pozitë shumë komprometuese që e detyroi të jepte dorëheqjen.
Populli ka parasysh mediat pranë Edi Ramës përpara 1 prillit 2013 kur Rama-Meta hynë në aleancën e djallit, që e karakterizonin familjen e Ilir Metës si më të korruptuarën, duke botuar foto ku fustanët dhe gjerdanët e zonjës Kryemadhi, thuhej se kushtonin me dhjetra mijra Euro. Pikërisht tani këto medie i dalin në krah Ilir Metës dhe gjoja pyesin me habi se a egziston një kauzë ku e ka mbështetur akuzën Tom Doshi, kur dihet se garanti dhe shkaktari i publikimit të videos së Priftit është pikërisht Tom Doshi.

Në retrospektivë ne na kujtohet kur Ilir Meta kryeministër arrestoi liderin e opozitës së atëhershme Sali Berishën. Apo koha kur Fatos Nano e denonconte Ilir Metën.
Ilir Metën e rifaktorizoi në politikë Sali Berisha.
Tani po Sali Berisha e ka kthyer nä kauzë largimin nga pushteti të Ilir Metës, si katharsis, si etje për pushtet apo vërtetë në vijim të dekriminalizimit të Kuvendit.
Por dekriminalizimi si dekomunistizimi duhet të shtrihen kudo, duhet të dekriminalizohet shteti, drejtësia dhe mediat.
Sot lufta partiake është refleks i kriminalizimit dhe do të mbesë kështu deri kur politika të vendosë që, përmes bijve më të mirë, pavarësisht orientimit politik, të shpëtojë vendin.
I.Çështja Tom Doshi
Me një hetim fair pretendimi i Tom Doshit mund të dilte i drejtë – mund të rrëzohej ose mund të zbulohej një palë e tretë që synon të bindë Tom Doshin se atë kërkon ta eleminojë Ilir Meta, për të hedhur tym, për të hequr vemendjen nga vrasësit e vërtetë.
Tom Doshi ka të drejtë të besojë se dikush nga politika kërkon ta eleminojë. Ai ka provuar në kurriz krimet e diktaturës pasi regjimi komunist i ka vrarë 5 njerëz të familjes. Tom Doshi i ka pare dhëmbët kriminale edhe kur në qershorin e 2014 në mes të Tiranës dhe pranë selisë të kryeministrisë u vra Artan Santo, vrasje që vazhdon të mbetet e pazbuluar. Dhe kupola e politikës shqiptare nuk i çan kryet për këto krime!

Në Shqipëri vepron një segment i nëndheshëm si shtet paralel për të krijuar alibi dhe për të bërë ligjin. Siç u krijua alibia edhe për vrasjen e Azem Hajdarit nga Fatos Nano.
Prandaj duhet drejtësia si pushtet sovran dhe i pavarur nga politika. Prandaj do të duhej një Kryeprokuror me integritet të pastër, i paanshëm, i pavarur, i pakomprometuar.
Gjatë muajit mars Tom Doshi ka ngritur disa pretendime:
1. Se Prokurori i Përgjithshëm është takuar me Ilir Metën në Gjirin e Lalzit, pasi Tom Doshi i ka treguar kryeshefit të akuzës se ka marrë kërcënime me jetë nga kryeparlamentari.
2. Se kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryeprokurori janë takuar bashkë, kur Ilir Meta ishte personi i akuzuar nga Tom Doshi.
3. Se Spartak Braho është takuar në Hanover të Gjermanisë më 6 mars me të vëllain e Fatjon Skënderit, që është një nga killerat e përfshirë për vrasjen e dy deputetëve gjithmonë sipas pretendimeve të Tom Doshit.
4. Në Këshillin e Mandateve Tom Doshi deklaroi se ekziston një video përgjimi ambiental gjatë takimit midis tij dhe Durim Bamit, realizuar me miratimin e prokurorisë dhe me vendim të gjykatës për krimet e rënda, ku Durim Bamin deklaron se ka ndryshuar qëndrimin e tij nën presionin e bërë nga politika, prej frikës, pasi jeta e fëmijëve të tij në Zvicër është e kërcënuar nëse ai hap gojën.

5. Po ashtu Tom Doshi ka deklaruar se Durim Bami fillimisht ka dhënë dy dëshmi ku pohon dëshminë, ku e ka mbështetur akuzën Tom Doshi. Tom Doshi po ashtu thotë se dëshmia e Durim Bamit konform pretendimeve të tij është marrë edhe me shkrim nga organet e policisë së shtetit.
Deri tani asnjë nga pretendimet e Tom Doshit nuk zbardhet!
II.Institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm
Tom Doshi ka tre dëshmi për Prokurorin e Përgjithshëm.
Së pari, se Tom Doshi i kallzoi Prokurorit të Përgjithshëm se është i rrezikuar me jetë nga njerëz të paguar nga Ilir Meta;
Së dyti, se pas kallzimit të tij tek Prokurori i Përgjithshëm, po sipas Tom Doshit, kryeshefi i akuzës, dmth Adriatik Llalla, i ka bërë një vizitë private dhe është takuar me Ilir Metën në vilën që ka kryeparlamentari në Gjirin e Lalzit;
Së treti, pas kallzimit që ka bërë Tom Doshi, kryeprokurori, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kanë bërë një takim kokë më kokë midis tyre në kryeministri.
Mjafton që të vërtetohen dy nga këto pretendime, që janë shumë lehtë për t’u vërtetuar, që e nxjerrin jashtë loje jo vetëm Prokurorin e Përgjithshëm, dhe e obligojnë atë që të jape dorëheqjen.
Ose përndryshe kryeshefi i akuzës duhet të vërtetojë se asnjë nga pretendimet e Tom Doshit nuk qëndron. Këtë gjë mund ta bëjë publikisht, ballë për ballë me Tom Doshin.
Ndërkohë përfshirja e Prokurorit të Përgjithshëm në urdhërarrestin e Tom Doshit, lë hije të keqe për kryeprokurorin. Sepse është i pari urdhërarresti nga Adriatik Llalla i lëshuar për një zyrtar të lartë, kur Shqipëria konsiderohet nga ndërkombëtarët një vend kuazi mafioz dhe akuza për të cilën e ka prangosur Tom Doshin – është dëshmia e rreme!
III.Spartak Braho
Deputeti i LSI-së Spartak Braho, krahu i djathtë i Ilir Metës dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë prej 2011 njihet si personi që shëtit me një çantë të zezë të mbushur me filmime komprometuese për eksponentët më të lartë të politikës.
Më kujtohet janari i vitit 2011. Ne ishim në Strasbourg për të mbuluar mbajtjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ku Diky Marty lexoi raportin e tij dhe pritej të vinte Berisha. Por ai mungoi dhe kjo mungesë prej “dashamirëve” të tij u komentua si “frikë” ndaj filmimeve të Brahos.
Edhe pozicioni i Spartak Brahos është i komprometuar.
1. Sepse sipas pohimeve të vetë Spartak Brahos, ky prej katër vitesh ka prova komprometuese kundër emrave më të fuqishëm të politikës shqiptare. Por deri sa nuk i çon këto prova tek Prokurori i Përgjithshëm apo nuk i nxjerr këto prova në publik, do të thotë se ai bën shantazh me to dhe për shantazhim zoti Braho penalizohet.

2. Nga ana tjetër, nëse Spartak Braho ka prova komprometuese për politikën dhe nuk i bën këto prova publike, përsëri ai penalizohet.
3. Spartak Braho duhet të qartësojë se ishte apo nuk ishte në Hanovër në takim me vëllain e Fatjon Skënderit. Për këtë të duhet të kërkohet që autoritetet e aeroportit gjerman të japin qëndrimin e tyre zyrtar.
4. Po ashtu “prova rrëqethëse” që paraqiti Spartak Braho në lidhje me raportin mjekësor të Tom Doshit në krahasim me akuzën që ka Tom Doshi ndaj Ilir Metës është qesharake, nisur edhe nga faktet e kronikave nga televizionet e Tiranës ku mësohet e vërtetohet se Tom Doshi merr medikamente për tension.
5. Spartak Braho duke u bërë avokati mbrojtës i Ilir Metës bie në konflikt interesi me pozitën e tij si shefi i grupit parlamentar të sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë. Ai duhet të heqë dorë ose nga pozicioni i avokatit ose nga pozicioni zyrtar që ka.
IV.Tom Doshi në raport me pretendimet e tij
Lind pyetja a qëndrojnë pretendimet e Tom Doshit.
Që kur Tom Doshi ka bërë denoncimin, në favor të tij janë shtuar përkrahësit. Mjafton të shihet kjo edhe në Facebook. Por le të bëjmë një analizë me këmbë në tokë. Tom Doshi ka arsye të besojë se jeta e tij është e rrezikuar të paktën për tre arsye:
Arsyeja e parë: nga eksperienca jetësore, Tom Doshi ka provuar vrasjet politike, pasi diktatura komuniste i ka pushkatuar 5 anëtarë të familjes.
Arsyeja e dytë: nga imoraliteti politik i lidërshipit të PS dhe LSI. Deri dje Rama dhe Meta e akuzonin njëri-tjetrin, ndërsa tani janë në një harmoni që justifikohet vetëm për interesa pushteti dhe assesi shteti.
Arsyeja e tretë: frika e Tom Doshit justifikohet edhe me krimet e pazbuluara siç është megarasti i Artan Santos etj.
V. KONKLUZIONI
Si konkluzion dua të them se këtë opinion e kam shkruar mbështetur në fakte që i ka të ditura i gjithë opinioni publik e që janë bërë të njohura përmes televizioneve të Shqipërisë.
Ky shkrim nuk ka si qëllim as të bëjë prokurorin dhe as gjykatësin, por t’i bëjë bashkë e t‘i evidentojë të gjitha faktet, ndaj të cilave palët apo aktorët e përfshirë janë të detyruar të zbardhin veten.
Por përdorja e të gjitha mjeteve për ta njollosur Tom Doshin, në vend të vullnetit të Ilir Metës për të treguar pafajësinë ndaj Tom Doshit, është komprometues për Ilir Metën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, HERO APO VIKTIMË, Tom Doshi

PËRSE I MBANI LARG GAZETARËT, ZOTI ILIR GJONI, AMBASADOR I RSH NË ZVICËR

March 16, 2015 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
Diaspora në Zvicër vazhdon të jetë në mëshirën e politikës që bëhet në vendet nga vijnë shqiptarët. Ai kaos dhe rumpallë atje reflektohet edhe këtu në Zvicër përmes ndarjes dhe përçarjes së shqiptarëve. Pra, sado komike të duket, në fakt është shumë dramatik realiteti se në diasporën shqiptare vijon historia e trajtimit të saj si Mërgatë Qyqesh.
Natyrisht, kjo është absurde dhe e papranueshme.
Tema që kam hapur nuk ezaurohet me këtë shkrim, ky veç është prologu, ngritja e një sipari.
Së pari, dua të them, se shqiptarët që jetojnë në Zvicër janë të integruar në Konfederatën Helvetike, pra janë qytetarë të Perëndimit. Ata nuk kanë ndjenja armiqësore ndaj vendeve nga vijnë, përkundrazi, ata i mbajnë sytë nga Atdheu, qoftë Shqipëria Londineze, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës etj. Pastaj ata janë kontributorë permanenetë, si me anë të remitancave ashtu edhe investimeve, dhe janë më të interesuarit që në vendet e tyre të mbretërojë shteti i së drejtës si këtu në Zvicër. Ata po ashtu tregojnë respekt të posaçëm ndaj përfaqësive diplomatike të vendeve nga e kanë prejardhjen, pasi ato i barazojnë me Atdheun e munguar.
Natyrisht, do të duhej që kjo bujari, konstruktivitet dhe pozitivitet të shpërblehej në mënyrë të barabartë. Edhe për një arsye tjetër, sepse komuniteti i shqiptarëve që jeton në Zvicër, ashtu si kudo në Perëndim, gjithçka e ka arritur me punën dhe shpatullat e veta, me meritokraci dhe jo si pjesë e klaneve apo emërimeve politike pasojë e të cilave janë edhe emërimet në diplomacinë shqiptare.
Do të hyj shpejt në temë.
Në dhjetor të vitit 2013 unë i drejtova një Letër të Hapur Presidentit të Republikës të Shqipërisë ku i kërkoja të mos e emëronte zotin Ilir Gjoni si Ambasador në Zvicër. Nuk kisha asgjë me Ilir Gjonin, por meqë i jati dhe daja i tij kanë qenë pjesë e nomenklaturës më të lartë të shtetit komunist. Letra ime u shoqërua me firma të mbledhura nga shqiptarë, një pjesë e madhe e tyre, emra shumë të nderuar. Por Presidenti Bujar Nishani e firmosi emërimin menjëherë dhe Ilir Gjoni sot është Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë e Republikës të Shqipërisë në Bernë.
Me zotin Ilir Gjoni jemi takuar tre herë.
Së pari, në një koncert të organizuar nga artistët shqiptarë në Bernë. Ishte një takim korrekt dhe civil.
Së dyti, me rastin e përkujtimit të Vaçe Zelës, në 40 ditorin e ikjes në Amshim të Artistes të Madhe, në Basel. Këtu zoti Gjoni mori fjalën dhe bëri thirrje për unitetit. Na u duk mesazh i bukur. E morëm si shenjë pozitive.
Duke përfituar nga ky deklarim, me rastin e promovimit të librit tim me publicistikë Traumat e Diktaturës në Zürich pritëm që të ishte i pranishëm një diplomat nga Ambasada e Shqipërisë.
Kur mora në telefon të mësoja se përse munguan, diplomati i kësaj Ambasade, të cilit tashmë ka kohë që i ka mbaruar mandati, më tha se nuk kishin marrë ftesë dhe se do të kishin ardhur me kënaqësi. Unë ftesën e kisha botuar, e kisha vendosur edhe në Facebook, ndërsa, nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së krijuesve shqiptarë në Zvicër më dërgoi me e-mail ftesën që u kishte drejtuar Ambasadave shqiptare në Bernë. Se kush gënjente le ta zgjidhin ata midis tyre.
Megjithatë, ne morën pjesë në kremtimet e 28 nëntorit që organizoi Ambasada e Shqipërisë. Në mesin e gjithë të ftuarve. Dhe kaq.
Ndërkohë kemi pritur që Ambasadori i Republikës së Shqipërisë të mbajë premtimin për unitet.
Por nga veprimet shohim se ai premtim ishte vetëm demagogji.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë vijon të mbajë qëndrim politik ndaj shqiptarëve. Po e them në mënyrë shumë diplomatike këtë deduksion. Sepse, nëse do ta thosha shqip, do të ishte se ky institucion mban qëndrime të padenja ndaj personaliteteve që nuk i ka me sy të mirë politika.
Po cila politikë?
Politika që po i mban shqiptarët jashtë dyerve të Europës.
Sigurisht që sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe është banale të mendohet që Ambasadat e Shqipërisë në Europë t’i luftojnë shqiptarët me mjetet që i luftonte diktatura. Por qëllimi ka mbetur i njëjtë, ndërsa metodat janë të tjera, duke i përjashtuar nga konteksti i komunitetit, duke i zëvendësuar me një kontigjent të llojit klientelist, por që s’ka asnjë ndikim as tek komuniteti si jehonë e anonimatit.
Nuk dua të them se zoti Ilir Gjoni po hakmerret ndaj Letrës së Hapur. Por po e them se po vijon një kurs të gabuar dhe të shtrembër.
Po e ilustroj me një rast konkret.
Skënder Buçpapaj dhe unë jemi pjesë aktive e elites shqiptare në Zvicër. Si krijues dhe gazetarë.
Pas 1997-ës humbëm statusin e diplomatit dhe e filluam gjithçka nga zero. Sot jemi krenarë për arritjet tona. Jemi gazetarë profesionistë të integruar në shumë organizma zvicerane. Kemi akreditim pranë Departamentit të Punëve të Jashtme, pranë OKB-së, jemi pjesë e asosacioneve më me reputacion të gazetarëve zviceranë dhe të huaj në Konfederatën Helvetike. Kemi një opus në publicistikë të krijuar këtu, çka pak gazetarë e kanë, aq më pak gazetarë shqiptarë këtu në Zvicër. Me meritokraci, larg konformizmit, duke mbrojtur interesat shqiptare në konfiguracionin Ballkanik, për faktorizimin e shqiptarëve dhe integrimeve shqiptare, duke i hapur telashe vetes, por duke menduar të mirën e përbashkët europiane të shqiptarëve.
Ne jemi në kontakt permanent me institucionet e Zvicrës. Natyrisht jo si persona privatë, por si profesionistë. Marrim pjesë dhe jemi të ftuar në shumë aktivitete që zhvillojnë këto institucione, si njerëz seriozë dhe të përgjegjshëm, me kompetenca, aftësi dhe integritet.
Njëri prej tyre këtyre institucioneve është edhe Switzerland Tourism. Përmes asosacionit ku bëjmë pjesë, ne marrim ftesa dhe zhvillojmë shumë aktivitete nën patronazhin e këtij institucioni që ka synim turizmin por edhe imazhin e Zvicrës. Ne kemi botuar reportazhe të mrekullueshme në shtypin shqiptar, produkt i këtyre mundësive që na ka krijuar ky institucion për të krijuar njohje sa më të thellë e të plotë të jo vetëm bukurive natyrore, por edhe kulturës pluraliste zvicerane.
Asnjë prej këtyre reportazheve nuk e paska lexuar Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë? Nëse jo, nuk e ka bërë detyrën. Nëse po, aq më keq që ka bërë sikur nuk i ka lexuar. Ne kemi një libër tash që ia kushtojmë Zvicrës si rezultat i komunikimit me institucionet e Zvicrës, të parë edhe në planin paralel, të një demokracie që funksionon si ora Omega dhe të demokracive fragile që krahasohen me sisteme mafioze siç është Shqipëria dhe Kosova.
Ne po ashtu kemi njohje edhe me Mister Tourismus zotin Federico Sommaruga, i cili në emër të të Switzerland Turism nga data 24-27 shkurt 2015 kishte ftuar në Zvicër një delegacion Ministrisë së Turizmit nga Republika e Shqipërisë, kryesuar nga znj.Brunilda Paskali, Ministre e Turizmit, një zhvillim shumë i mirë për Shqipërinë, sepse nga Zvicra shqiptarët mund të fitojnë e marrin eksperienca të pafundme.
Ne si gazetarë e mësuam këtë vizitë vetëm përmes publikimit të aktivitetit në Facebook, kur kishte përfunduar. Një informacion i thatë, vetëm disa rreshta i përgatitur nga njerëz të paaftë, që nuk kanë asnjë lidhje me publikimet dhe diplomacinë, kur në Zvicër ka gazetarë shqiptarë që mund t’iu bëjnë një mbulim shembullor aktiviteteve Zvicerano-Shqiptare, që janë në të mirë të rritjes së bashkëpunimit dypalësh. Po përse i përjashton Ambasada e Republikës së Shqipërisë? Përse vazhdoni t’i përjashtoni gazetarët zoti Ilir Gjoni? Ky kurs i vjetër që u rikthye prej 1997 nuk po merr kurrë fund.
Të dy me Skënderin kemi biseduar me zotin Sommaruga për turizmin shqiptar dhe për mundësitë e shkëmbimeve dypalëshe që në tetorin e vitit 2013, gjatë një darke miqësore në Winterthur, ku Switzerland Tourism kishte ftuar organizatën tonë të gazetarëve që të njihej me kulturën e këtij qyteti të bukur. Biseda jonë ishte informale, por ne i folëm gjithë frymëzim për mundësitë që ka Shqipëria e Kosova, por edhe për praninë e turistëve shqiptarë në Zvicër. I folëm si mund t’i flasë njeriu njeriut për vendin e tij, shto këtu edhe vokacionin dhe profesionin tonë. Ishte një bisedë e lirë, jo zyrtare, por nga gazetarë, të cilët janë përgjegjës për ato që thonë e shkruajnë.
Nuk them dot se ishte biseda jonë që i ngjalli interes zotit Sommaruga, por kur e takuam në një rast të ri, na tha se kishte patur një takim me të ngarkuarin me punë ad interim pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë dhe midis të tjerave i kishte folur edhe për ne. Pastaj zoti Sommaruga na pyeti. Ju njeh ju ai?
Unë nuk e di se çfarë ka thënë diplomati në fjalë, ai le të na e thotë, por iu përgjigjëm që natyrisht që na njeh, na njeh shumë mirë bile.
Por që bën sikur s’na njeh. Këtë nuk ia thamë. Por e themi tani. Na bën sikur s’na njeh as ai dhe as tani Ilir Gjoni.
Sepse, zoti Ilir Gjoni, Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë do të duhej të na ftonte të mbulonim takimin. Kjo nuk do t’ju prishte imazhin e shtetit tuaj, përkundrazi. Dhe nuk do të kushtonte as financiarisht. Shqipëria është në krizë ekonomike. Shqipëria tani i ka gazetarët me rrënjë shqiptare në Europë, ju përse i përjashtoni ? Kjo nuk është diplomaci, zoti Ilir Gjoni. Kjo është antidiplomaci. Dhe nuk mund të vazhdojmë kështu edhe më! Ju çfarë mendimi keni?

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ilir Xhelil Gjoni

PSE LDK NË ZVICËR MASHTROI ME EMRIN E TEUTA RUGOVËS

March 1, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Që kur nga skena politike është larguar Ibrahim Rugova, LDK ka marrë rrugën e tatëpjetës. Bie poshtë e ma poshtë, duke zvogëluar numrin e simpatizantëve, të cilët ose votojnë për subjekte të reja ose abstenojnë të zhgënjyer në pritje të një ndryshimi. Po ky ndryshim nuk po duket asgjëkundi.
Pasqyrë e kësaj tatëpjete është edhe LDK në Europë dhe Zvicër. LDK-ja është zhbërë pothuaj. Zhbërja e LDK-së në Europë përkon me kohën e aleancës të PDK-LDK. Jo se mungojnë njerëzit dhe simpatizantët, porse mungon tërësisht organizimi. LDK në Zvicër është e organizuar për të ç’organizuar, ndarë e përçarë simpatizantët, gjoja në emër të një humbje të interesit njerëzor.
Ndërsa Hashim Thaçi ka tetë vjet që e mban kontrollin e diasporës. Përmes Ministrisë së Diasporës ka nën kontroll pothuaj të gjitha shoqatat, me organizime të ndryshme te nivelit amator, ku në krye të tyre ka vënë njerëzit e vet, që cilët janë me një nivel folklorik.
Aleanca faqezezë me Hashim Thaçin, një herë e Sejdiut e tash e Mustafës, ka bërë që ta dizintegrojë pothuaj totalisht LDK-në në Europë dhe Zvicër. Zvicra nga modeli i organizimit, i përkushtimit, i sakrificave, tani është kthyer në një organizim inekzistent.
Lëvizja më të madhe e shekullit XX në Europë që do të kujtohet në histori për rolin e saj deciziv në mbështetjen e pavarësisë të Kosovës dhe veçanërisht në mbështetje të Ibrahim Rugovës, tani ka marrë rolin kundër vetvetes.
Gjithmonë kam thënë se kriptothaçistat e kanë sakatuar LDK-në, por sot lufta kundër llojit bëhet nga pozita komode, të vëllazërim bashkimit të dy lidërshipave. Hashim Thaçi qëndron në pushtet me injeksione. Kësisoj edhe lidërshipi aktual i LDK-së.
Por është e papranushme që ta kthejnë diasporën në një pasqyrë të degradimit të tyre, sepse diaspora shqiptare në Europë është pjesë integrale e Perëndimit dhe jo fytyrë e shëmtuar e një keqqeverisje të kallur në korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit politik.
Shkatërrimi i LDK-së në diasporë është arritur duke e kthyer nga një lëvizje e krijuar nga intelektualët në një lëvizje anti-intelektuale, që i lufton intelektualët bash si Hashim Thaçi në kohën kur kërcënoheshin e vriteshin mbështetësit e njerëzit e LDK-së.
LDK në Zvicër i ngjan një ngrehine fantazëm, pa elektorat, pa statistika, e vetizoluar, e kthyer në një lëvizje fshatarësie.
Një lëvizje ka sukses nga kauzat e rëndësishme, atë e mbajnë në këmbë idealet Perëndimore, e çojnë përpara idetë të cilat realizohen prej njerëzve të ditur, me aftësi, kredibilitet dhe integritet. Por LDK-ja në Zvicër nuk i afron këta njerëz, përkundrazi bën gjithçka që t’i mbajë larg dhe t’i largojë, duke i zëvendësuar me sharllatanë të cilët nuk gëzojnë as simpatinë më të vogël në komunitetin e simpatizantëve të veprës së Ibrahim Rugovës këtu.
Kjo është një situate shumë dramatike, që i shtohet kaosit të prodhuar në Kosovë po nga politika. Ajo politikë mizerabël që bëhet në Prishtinë, reflektohet në komunitetin e diasporës shqiptare në Europë dhe Zvicër. Thaçi kontrollon jo vetëm shumicën e të gjitha shoqatave ku edhe investon, duke mbajtur një segment klientelist që nxjerr përfitime personale, por mban nën kontroll edhe LDK-në, duke mos lejuar organizimin e saj. Dhe kulmi i skandalit arrin se ndërsa Sejdiu dhe Mustafa bëjnë aleanca me Thaçin, diaspora e krahut rugovist mbetet gjithnjë e ekskomunikuar, ku lidërshipi i saj është jashtë çdo protokolli dhe ngjarje apo eventi.
Megjithatë një grup i njerëzve idealistë kanë mbetur në LDK-në e Zvicrës. Ky grup i ngjan një celule që nuk ka as ndikim dhe as fuqi për të sjellë ndryshim, sepse është nën presionin e politikës që vjen nga Prishtina. Kjo lëvizje që ka mbajtur gjallë gjithë institucionet e shtetit paralel në Kosovë, që ka mbajtur me frymë shkollat, diplomacinë, qeverinë në emigracion, sot ka mbetur në një gjendje mjerane duke vegjeturar prej mercenarizmi vulgar, që as shqipen nuk di se si ta shkruajë e ta flasë.
Synimi i atyre që bënë aleancë me Hashim Thaçin ka qenë shkatërrimi përfundimtar i LDK-së në diasporë, sepse një lëvizje e forte në SHBA, Europë, veçanërisht Zvicër, Gjermani, Belgjikë do të kishte rolin ndikues e kritik ndaj keqqverisjes. Kështu justifikohet edhe lufta që bën sot fantazma e LDK-së në Zvicër me intelektualët dhe elitën që ka patur rol shumë të rëndësishëm në kohën më kritike të paraluftës, luftës dhe pasluftës.
Kthehuni pak prapa dhe kujtoni kohën kur ishte Rugova gjallë se sa e faktorizuar ishte LDK-ja dhe shihni tani kur kushtet janë aq favorizuese dhe LDK-ja është totalisht e defaktorizuar.
E defaktorizuar ka mbetur edhe LDK-ja në diasporë dhe Zvicër, e bunkerizuar, e vetizoluar, në pozita qesharake, kredibilitet-humbur. Askush nuk u shkon mbrapa. Jo se nuk duan. Po nuk kanë se kujt. Asnjëherë LDK-ja në diasporë nuk ka qenë satelite e politikës, siç është prej kohës kur ka vdekur Rugova. LDK-ja ka qenë faktori më i rëndësishëm i diasporës, që sot është kthyer në hiç.
Sot LDK-ja në Zvicër është totalisht e paralizuar, pa veprimtari. Për të tërhequr vëmendjen bën organizime mjerane në ditë festash të cilave kërkon t’u shtojë rëndësinë duke ftuar ndonjë politikan nga Prishtina. Kur do të duhej që ta tërhiqnin vemendjen e Prishtinës duke u faktorizuar si komunitet.
Për t’i karakterizuar apo portretizuar, kanë një mentalitet makutësh, megjithëse fati me ta është treguar bujar, pasi jetojnë prej gati katër dekadash në Zvicër dhe, magjithëse kanë shtëpi e prona kudo, kanë vetura e gjithçka, të krijojnë përshtypjen sikur vuajnë varfërinë ekstreme. Zot fali.
Kur po mbushet çerek shekulli që nga dita e krijimit, LDK-së në Zvicër nuk i ka mbetur asgjë si pasuri intelektuale, veç kujtimi i periudhës historike, ndërsa po të pyesësh për fondet e mbetura, gjithë pasuria e LDK-së rezulton të jetë vetëm me një shifër.

Por problemi më i madh është se duke vepruar si satelitë të Prishtinës, Prishtina arrin synimin për të amortizuar çdo përpjekje të komunitetit të LDK-së në diasporë për ringjallje apo ripërtritje. Dhe megjithëse frymën e Kosovës edhe sot e kësaj dite e mbajnë gjallë remitancat, veçanërisht ato që vinë nga diaspora e Zvicrës, kjo diasporë sot trajtohet me përbuzje dhe nënvleftësohet si komuniteti i dorës së fundit.
Ky stad mjeran i LDK-së së diasporës si satelit i Prishtinës përmes uzurpimit dhe monopolizimit të gjithçkaje që lidhet me këtë emër, ka si produkt dështimin dhe suksesin zero. Edhe festa e 7 vjetorit të pavarësisë sivjet ishte flop i një gënjeshtre.
Prej datës 15 dhe përsëri më 18 shkurt pasdite u lajmëruan në të gjitha nivelet deri edhe në Facebook, se në festën e organizuar nga dega e Zürichut të djelën më 22 shkurt, do të jetë e pranishme deputetja e LDK-së zonjusha Teuta Rugova, e cila kishte njoftuar paraprakisht se nuk do të mund të vinte për arsye të angazhimeve të saj. Por organizatorët e takimit deri ditën e djelë 22 shkurt paradite, pretenduan se në orën 12:00 do të dilnin të prisnin në aeroport Teutën, kur ajo e kishte bërë të ditur mospraninë e saj. Duket se organizatorët e dinin mirë se gjithë prania e atyre që do të vinin në festë do të ishte e kushtëzuar nga prania e Teuta Rugovës, prandaj nuk e lajmëruan as mos paraqitjen e saj.
Ky është niveli i përfaqësimit të LDK-së në Zvicër, aspak i denjë për të fituar respektin dhe simpatinë e atij komuniteti që e ka mbështetur Ibrahim Rugovën dhe idealin e pavarësisë, kur ky komunitet bëri gjithçka në emër të idealeve Perëndimore dhe lirisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, LDK Zvicer, mashtroi, Teuta Rugova

FLET MIKJA E SHQIPTAREVE EVELYNE NOYGUES

February 23, 2015 by dgreca

INTERVISTE ME ZONJEN EVELYNE NOYGUES,ISH-DIPLOMATE,SHQIPTARËDASHËSE, PROMOVUESE E KULTURËS SHQIPTARE NË FRANCË DHE PËRKTHYESE E TINTINIT/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Pyetje: Zonja Evelyne Noygues ju se bashku me Arben Selimin (vete edhe botuesi) jeni perkthyes te njerit prej 24 librave te fumetistit te famshem belg Hergé, te cilat kane si personazh kryesor reporterin Tintin. A mund te na thoni diçka per t’i krijuar lexuesit nje ide rreth Bemave te Tintinit dhe autorit te tyre belgut Georges Prosper Remi alias Hergé ?
Evelyne Noygues: Reporteri Tintini eshte nje nga personazhet kryesore te librave me vizatime neper bote. Eshte i njohur nga miliona lexues. Eshte krijuar ne vitin 1929 nga autori dhe vizatuesi belg Hergé (pseudonimi i Georges Remi).
Tintini eshte nje djalosh, gazetar, gjithmone i shoqeruar nga qeni Fox Terrier qe quhet Milu. Ai eshte i zgjuar, trim dhe plot me humor. Mund te themi qe eshte nje personazh krijuar nga Hergé, frymezuar nga humori i Molierit… Ka udhetuar neper bote: ne ish-URSS dhe ish-Kongo belge… deri ne Kine dhe ne Tibet… Ka bredhur ne Peru dhe ka zbritur ne Hënë 10 vjet përpara Neil Armstrong!
Hergé (Rémi Georges: Her (R)-gé (G)) eshte lindur ne Bruksel ne 3 maj 1907. Që shume i ri eshte punesuar ne gazeten « Le Vingtième Siècle » ku takon gazetare me të rritur dhe me eksperience. Shpejt Hergé dallohet si vizatues. Vete eshte inspiruar nga lajmet qe reporteret sjellin nga gjithe bota ku i dergon redaksia. Me fantazinë e tij, Hergé fillon te krijoje personazhin e Tintinit.
Hergé eshte nje nga autoret klasike te historive vizatimore me te njohura neper bote. Ka dhene tashme provat me më shume se njezet albume ne gjuhen frenge, i perkthyer ne gjithe gjuhet kryesore dhe qe numron miliona lexues në të gjithe botën !
Pyetje : Perse zgjodhet te sillnit pikerisht Skeptri i Otocarit dhe jo per shembull Tintin au pays des Soviets – Tintini ne vendin e sovjeteve, pasi Shqiperia eshte vendi qe ka perjetuar nje diktature sovjetike?
Evelyne Noygues: « Skeptri i Otocarit » eshte libri i 8-të ne serinë « Bemat e Tintinit ». Eshte botuar bardh & zi ne gusht të 1939 në « Petit Vingtième », nje suplement i gazetes se famshme « Le Vingtième Siècle » qe dilte ne Bruksel. Versioni i ngjyrosur eshte botuer ne 1947.
Skeptri i Otocarit zhvillohet në një vend imagjinar. Imagjinar po, por jo dhe aq! Shume detaje na kujtojne nje vend ballkanik si dhe vendin e shqiponjave. Mbreteria e Pelikanit te zi na kujton mbreterine shqiptare, shqiponjen e zeze dhe mbretin Zog I, portreti i te cilit i veshur me kostum ceremonie paraqitet besnikerisht ne faqet e albumit. Gjithashtu shume personazhe, vende, veshje na kujtojne Shqiperine.
Aventurat e Tintinit ne vendin imagjinar te Ballkanit që quhet në libër Sildavia, eshte Shqiperia sipas studiueses Olimpia Gargano, prane Universitetit Nice Sophia Antipolis. Artikulli “Illyria, Syldavia, Elbonia e altrove: la reinvenzione narrativa dell’Albania fra spazi immaginari ed eterotopie” i Gargano-s gjendet i botuar ne permbledhjen me titull “Landscapes and mindscapes. Metodologie di recerca, percorsi geocentrati e poetiche dello spazio in una proespettiva comparata”, nen kujdesin e Stefania De Luca, Carmen Gallo dhe Danilo Marino, Marchese editore 2011. | http://association-albania.com/Illyrie-Syldavie-et-ailleurs-l.html?lang=fr]
Sipas studjueses Olimpia Gargano – e para universitare që interesohet për « Le Sceptre d’Ottokar » ne frengjisht – ajo vë re se karakteristikat e personazheve, ngjarjeve e peizazhit te librit perputhen me se shumti me ato te Shqiperise, sipas dy aspekteve kryesore: vizive dhe historike e pershkruese. Një gjë që na ka tërhequr edhe si ne, si perkthyesit e tij, ka qene së pari ngjashmeria fizike e mbretit te Sildavise, Muskar XII, me mbretin Zog I. Nga pikepamja historike e pershkruese, fakt pashmangshem ka qene se Mbreti Muscar I (alias Hveghi), heroi kombetar qe arriti te mposhte turqit dhe te bashkoje e mbaje te bashkuar gjithe vendin, evokon heroin kombetar, Skenderbeun.
Pyetje : I perkthyer ne rreth 100 gjuhe, i botuar me nje tirazh rreth 200 milione kopje, i zgjedhur si personazh nga Steven Spielberg ne filmin e tij Aventurat e Tintinit prodhim i vitit 2011 qe eshte pare neper bote nga miliona e miliona spektatore, çfare ka te jashtezakonshem ky personazh qe vazhdon t’i mbijetoje kohes kur kemi parasysh se botimi i tij ka nisur ne vitet `30 dhe ka perfunduar me ikjen nga kjo bote te autorit ne mes te viteve `70 ? Perse vazhdon te mbetet Tintin modern dhe kontemporan me ne?
Evelyne Noygues: Tintini mbetet modern dhe kontemporan sepse vete Hergé e ka krijuar si një djalosh pa moshe të caktuar, gjithmone veshur me pantallona, golf dhe me nje pardesy jashte fenomeneve të modes. Ai eshte karakterizuar nga energjia dhe kurioziteti pozitiv për boten dhe per ata qe vuajne. Eshte nje personazh i dashur për të rinjtë. Ndërsa për te rriturit Tintin është interesant, sepse ata zbulojnë me vonesë që ka gjithmonë një kuptim të dytë në librat e Hergé lidhur me historine politike te shekulli XX. Ata habiten si s’e kishin kuptuar kur ishin te vegjel paçka që i lexonin dhe rilexonin librat e tij nga 100 herë… Gjithe talenti i Hergé ndodhet ketu per ne.
Pyetje: Ju si franceze perse zgjodhet personazhin e Tintin-it ne vend te Asterix-it qe eshte krijuar nga autorë franceze ?
Evelyne Noygues: Ne vendosëm të fillojmë me një album që do të udheqë lexuesin nëpër rrugët Ballkanit. Dhe s’ka më mirë se “Skeptri i Otocarit” të Hergé !
Pyetje: Ne trojet shqiptarofone nuk eshte e zhvilluar kultura e librave me kartona, respektivisht nuk kemi as fjalen shqip qe perkon me kete gjini te librit, a mendoni se shqiptaret jane te vonuar per të kultivuar këtë gjini që ushqen kritiken, ironine dhe kultivon inteligjencien tek lexuesi ?
Evelyne Noygues: Pas rënies së komunizmit dhe në vitet që e pasuan, Shqipërisë iu desh kohë për të shëruar plagët, të ballafaqohet me veten e saj, të rindërtohet… “E duam Shqipërinë si gjithë në Evropë” ndëgjohej në çdo rrugë ato kohë. Dhe kjo nuk do të mbetej vetëm një slogan. Ishte kjo aspirata e gjithë popullit. Evropa do të ishte para së gjithash një mënyrë jetese, mënyrë sjellje, një model ekonomik e gjithashtu kulturor. Tintini i përgjonte të gjitha këto nga larg. Ai priste të vinte ora e tij…
Pyetje: A kishte vështirësi përkthimi apo përshtatja?
Evelyne Noygues: Vështirësia e përkthimit ishte të ruhej thelbi i dialogjeve. Dhe ky ishte ojektivi që ne i vendosëm vetes. Albumi e ka parë dritën e botimit prej shtatorit 2014 dhe është pritur shumë mirë në panairin e librit në Tiranë në nëntor 2014. Megjithatë nuk e dimë akoma a ia kemi mbrritur qëllimit.
Pyetje: Duke iu referuar statistikave te shitjes se librave ne Shqiperi, mund te themi se eshte nje krize e vertete, si mendoni se mund te dilet prej kesaj gjendje librofobe ?
Evelyne Noygues: Vdekje e libriti apo zhdukje e lexuesit? Ky ishte titulli i të përditëshmes « Le Figaro » kur u hap salloni i librit në Paris në mars 2014. Thelbi i pyetjes nuk qëndron tek libri, por tek leximi, sepse ç’do të jenë librat kur të mos ketë lexues për t’i lexuar?
Dhe sa i përket lexuesve në Shqipëri, ka patur gjithmonë dhe do të vazhdojnë të jenë… Ne u mahnitëm nga numri i vizitorëve në koridoret e Pallatit të Kongereseve në Tiranë kur ne u ftuam nga Ambasada Franceze te panairi i librit për të prezantuar Tintinin në stendën e Francës. Ishte fantastike!
Pyetje: Zonja Evelyne si mendoni a do te shitet TintTin ne Shqiperi, trojet shqipfolese dhe po ashtu ne diaspore dhe si do te behet e mundur qe t’i afrohet lexuesit shqipfoles nisur nga fakti se eshte nje liber i te gjitha grupmoshave ?
Evelyne Noygues: Objektivi ynë kryesor, nga ana ime dhe nga Arben Selimi, është që albumi të prekë kryesisht publikun shqipfolës kudo që ai ndodhet. Sigurisht që do të ketë një shpërndarje në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi dhe konkretisht ka filluar ne Shqiperi tashme. Në të njëjtën kohë, ne bëjmë të mundur që shqiptarët e diasporës të mund ta blejnë. Kjo nuk i pengon Tintinofilët e përkushtuar të reporterit të famshëm kudo që ndodhen të blejnë albumin nëpërmjet internetit dhe faqes të Facebookut « Bëmat e Tintinit » që kemi hapur në 2014. Do të shtoja se botuesi u është përgjigjur të gjitha kërkesave të lexuesve për « Bemat e Tintinit » – albumin “Skeptri i Otocarit” që kanë ardhur nga Franca, Belgjika, Gjermania, Hollanda, Britanina e Madhe, Kanada etj. falë Facebook-ut.
Ky album është gjithashtu një ndihmë pedogogjike dhe argëtuese për të gjithë fëmijët lindur apo/dhe rritur jashtë shtetit. Për ata që e kanë lexuar Tintinin në frengjisht apo në një gjuhë tjetër, është më e lehtë të mësojnë në gjuhën e nënës apo/dhe të babait me anë të tregimeve të vizatura.
Pyetje: Libri eshte perkthyer nga ju dhe nga Arben Selimi, a mund te na thoni diçka per kolegun tuaj qe eshte edhe bashkebotues?
Evelyne Noygues: Arben Selimi eshte perkthyes letrar, skenograf teatri, piktor, i vendosur ne Paris prej 20 vitesh. Gjate kesaj periudhe ai ka krijuar skenografi per trupa te ndryshme teatrore dhe ka patur nje aktivitet jo te vogel si piktor nepermjet hapjes se eksozitave te ndryshme.
Ne vitin 2004 ai ka krijuar shtepine botuese grafike « Bénart Edition » specializuar ne botime gravurash, vizatimesh dhe objektesh te ndryshme kryesisht lidhur me imazherine pariziane. Te gjitha keto krijime i gjejme sot gjithandej ne tregun francez.
Se fundi, ne menyre krejt te logjikshme, kjo shtepi po interesohet gjithashtu per librin. Nje shprehje e drejtperdrejte e ketij interesi eshte dhe dalja e “Bëmave te Tintinit” ne gjuhen shqipe shperndare ne tregun shqiptar dhe europian.
Se bashku perkthejme drama qe prej tre vitesh per Eurodramën, Réseau Européen de Traduction Théâtrale ne me shume se 20 gjuhe nga Evropa, Azia Qendrore si dhe nga Mesdheu.
Pyetje: Cilai eshte aktualiteti i fillimit te vitit 2015 lidhur me librin « Skeptri i Otocarit »?
Evelyne Noygues: Ne kuadrin e vazhdimit te paraqitjes se ketij botimi dhe berjes sa me te njohur per publikun frankofon, do te jemi te pranishem ne aktivitetin qe do te zhvillohet nga shoqata « Miqte e Hergé-së » ne Nivelles te Belgjikes me 7 mars 2015, date qe perkon dhe me mbledhjen e Asambles se 30-te te kesaj shoqate.
Ky eshte nje takim shume i rendesishem per gjithe njohesit, dashamiresit dhe fansat e vepres se Hergé. Pjesemarrja eshte e madhe, ka konferenca, ekspozita, takime ku behen analiza dhe kalohen informacione te shumta qe kane lidhje ne menyre te drejteperdrejte me «Bemat e Tintinit». Nga stenda jone ne do veme sa me mire ne dukje si dhe do te shesim botimin e pare ne gjuhen shqipe te njerit nga 24 albumet e serise dhe pikerisht « Skeptri i Otocarit ».
Pyetje: Zonja Evelyne ju lutem na thoni diçka rreth jush?
Evelyne Noygues: Po bëhen 25 vjet që kam shtrirë një aktivitet të rëndësishëm në favor të një përhapje sa më të mirë të gjuhës dhe kulturës shqiptare në gjirin e shoqatave dhe rrjeteve universitare franceze.

Kjo është si rrjedhojë e eksperiencës time në Shqipëri ku kam jetuar dhe punuar nga viti 1991 deri më 1994. Pasi studjova shqipen në Institutin Nacional të Gjuhëve dhe Cilivizacioneve Orientale (INALCO) në Paris, mora përsipër vullnetarisht dosjen « Shqipëria » të shoqatës humanitare « Farmacistët pas kufinj » më 1990. Në verën 1991, farmacistët francezë sollën kamionë me ilaçe në Shqiperi. Dhe kështu takova Ambasadorin Francez i cili kërkonte bashkëpunëtorë shqipfolës. Në shtator të të njëjtit vit u emërova në postin e atasheut kulturor në ambasadën e Francës në Tiranë. Kjo eksperience me dha mundësinë të përmirësoja gjuhën shqipe të cilën nuk kam ndalur asnjëherë ta praktikoj dhe ta studjoj.

Pasi u ktheva në Francë, mora pjesë në themelimin e shoqatës kulturore « Albania » më 1997 për të tërhequr vëmendjen e mediave franceze rreth rreziqeve që i kanoseshin trashëgimisës shqiptare në momentin e rënies së piramidave financiare. Që më 1997, shoqata jonë ka për objektiv të bëjë të njohur sa më mirë në France dhe në vendet frankofone, si edhe nëpërmjet internetit kulturën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Sot kam nën kujdes sitin internet association-albania.com të cilin e kam krijuar më 2009. Ky sit ka më shumë se 500 artikuj dhe dosje, në frengjisht dhe në shqip, mbi kulturën dhe artistêt shqiptarë. Ai ka tërhequr mbi 170 000 koneksione në këto pesë vjet (gusht 2009-janar 2015).

Pyetje: Ju thoni se ne vitet 1991-1994, kur ishit ne Shqiperi si diplomate, ishte nje shprese e madhe se ringjallja e Shqiperise do te ishte e shpejte, çfare ndodhi qe u vonua dhe çfare mund te na thoni per te ardhmen?
Evelyne Noygues: Kam qene dhe jam gjithmone entuziaste per zhvillimin kulturor, social dhe ekonomik që po përjeton Shqiperia qe prej fillimit te tranzicion demokratik. Kur isha ne nentor 2014 ne Tirane per Panairin e Librit kam qene prape entuziaste per aktivitetin organizuar nga Ministria e Kultures per të nxjerrë ne pah krijuesit e rinj ne fushen e tregimit me vizatime (shikoni në Facebook te Shpend Bengu) , iniciatori i konkursit i pare organizuar ne 2014 dhe Director of Intangible Cultural Heritage ne ministrine e kultures ne Tirane).

Pyetje: Pas vitit 2009 keni hapur nje sit internet dedikuar kultures shqiptare qe ne fillim te 2015 ka kaluar 170 000 koneksione. Cilet jane disa nga emrat shqiptare te cilet ia keni prezentuar publikut frankofon gjate aktivitete organizuar nga shoqata Albania dhe qe reflekton siti qe aktivizoni ?
Evelyne Noygues: Ja disa shembuj që po i sjell tek ju:

2013-2014
- Takim me Ilir SEMILOSKI dhe shfaqja e filmit të tij “Ushëtimin në Malin e Tomorrit”
http://association-albania.com/Albania-rencontre-avec-Iljir.html
- Mbrëmje homazh në nderim të aktorit të njohur të humorit, Roland TREBICKA, treguar nga vajza e tije Manjola
http://association-albania.com/Roland-TREBICKA-un-grand-acteur.html
- Takim me Prof. Pierre CABANES, historian i specializuar në historinë antike të Shqipërisë dhe themelues i Misionit arkeologjik dhe epigrafik francez në Shqipërihttp://association-albania.com/Pierre-CABANES-l-Albanie-d-hier-et.html

2011 – 2012 – 
Festime me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë në Paris 
- intervistë me Shkëlqesinë e Tij Ylljet ALIÇKA, Ambasador i Shqipërisë në France mbi manifestimet kulturore organizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë, nga Evelyne Noygues
http://association-albania.com/Centenaire-de-l-Etat-albanais.html?var_mode=calcul 
- organizimi i një mbrëmje kulturore të animuar për nder të poetëve të “Rilindjes”
http://association-albania.com/Celebration-du-centenaire-de-l.html
- hapja e një ekspozite fotohrafike të Koli IDROMENO në bashkëpunim me Prof. Ardian Marashi nga Institutin e Studimeve Shqiptare dhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë http://association-albania.com/Photographie-exposition-Kole.html

2010 – 2011 
- Paraqitja e ribotimeve të “L’Enigme…résolue » dhe “Grammaire albanaise comparée” nga Robert d’ANGELY me bijen e tij dekoruar me Legjinin e Nderit dhe bashkë me zotërinjtë Prof. Remzi Pernaska dhe Luan Rama
http:llassociation-albania.com/Albania-presentation-de-L-ENIGME.html?lang=fr
- Takim kushtuar MIGJENIT, nga Mickael Wilmart dhe Jérôme Carassou, botues të « Non lieu » 
http://association-albania.com/Au-Sud-de-l-Est-Migjeni-un-auteur.html?lang=fr 
- Takim me Maks VELO, me rastin e botimit të albumit të artistit titulluar « Parisi » dhe poezive të tij përkthyer nga Evelyne Noygues 
http://association-albania.com/Maks-Velo-un-precurseur-de-la.html?lang=fr

2009 – 2010 
- Konferencë mbi veprën e Ismail KADARE brënda realizmit-socialist nga Jean-Paul Champseix, profesor i Letërsisë
http://association-albania.com/Le-role-et-le-statut-de-la-ville.html?lang=fr
- takim rreth polifonisë shqiptare nga Bernard Lortat-Jacob, etnomuzikolog
http://association-albania.com/Chanter-pleurer-etre-ensemble.html?lang=fr
- Konferencë kushtuar Prof.Eqrem ÇABEJ, nga Prof. Remzi Pernaska dhe praninë e bijës të gjuhëtarit të shquar
http://association-albania.com/La-figure-emblematique-du.html?lang=fr

Pyetje: Shoqata juaj Albania po i mbush dy dekada aktivitet, a mund te thoni disa nga ato qe ju kane lene me teper mbrese dhe disa aktivitete te tjera qe ju i keni ne planet tuaja si te rendesishme per t’i realizuar ne te ardhmen ?
Evelyne Noygues: Se pari, emrin « Albania » e kemi gjetur si nje homazh ne nderin e Faik Konices dhe revistes kulturore se tij botuar ne Bruksel…. nje rastesi e bukur qe me lidh mua akoma me shume me boten e Tintinit… (Hergé është brukselas) !

Shoqata Albania mbledh nje publik te gjere qe prej 1997 ku francezet dhe shqiptaret kerkojne me shume informacion per Shqiperine dhe kulturen e saj. Temat me te preferuar nga audienca vazhdojnë te jenë : letersi, arkeologji, turizm,… Prandaj bordi drejtuar qe prej dy vjetësh nga Ornela Todorushi, perpiqet te ftoje pjesëmarresit qe u pergjigjen kerkesave të publikut. Ne pergjithesi, francezet dhe sidomos parizianet jane shume te terhequr nga kulturat qe njihen pak. Prandaj qe prej 18 vjetësh shoqata ben nje pune pedagogjike qe te dy popuj të njihen me mire dhe ne nje menyre me te thelle. Edhe te shqiptaret e vendosur larg atdheut vazhdojme te gjejme nje etje të pangopur per çfarë perben kulturen e tyre… Ndoshta nje vezhgim nga larg vlereson pa tabu nje kulture dhe nje komb akoma me mire duke kapercyer telashet qe nuk i bien ne sy… .

Pyetje: Nje mesazh per shqiptaret, te cileve ju iu keni kushtuar shume energji dhe dashuri.
Evelyne Noygues: Ne kujtimet e mia lidhur me Shqiperinë dhe Shqipetarët une ndihem shume mirenjohjese per perkrahjen dhe mbeshtetjen e të gjithe miqve, të aferm dhe të larget, për inkurajimin nga te gjithe intelektualet dhe artistet qe kam njohur gjate me shume se 25 vjetëve deri tani, por edhe per njerezit e thjeshte qe gjithandej me kane pritur me dashamiresi. Te gjitha ato që kam marrë nga ata në Shqiperi, jam perpjekur tua përcjell atyre qe kam takuar ne France.

Elida Buçpapaj: Une si gazetare ju shpreh mirenjohjen time per angazhimin tuaj ne Shqiperi, ne promovimin e vlerave te kultures shqiptare ne France dhe per perkushtimin tuaj ndaj botes shqiptare.
Evelyne Noygues: E dashur Elida, ju falenderoj edhe une per ngrohtesine dhe kujdesine qe me keni treguar gjate kesaj interviste. Për cilindo që është i interesuar mund të kontaktojë përmes kësaj adrese : asso.albania@yahoo.fr.

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, EVELYNE NOYGUES, ISH-DIPLOMATE, PROMOVUESE E KULTURËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT