• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHOQËRIA NË KRIZË VRET – NËNAT NUK VRASIN!

March 13, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Opinioni shqiptar dhe ai italian vazhdon të jetë i shokuar nga tragjedia e ndodhur në Lecco, ku një nënë shqiptare në një krizë të thellë dëshpërimi i jep fund jetës të tri vajzave të saj.
Lajmi u përhap në mëngjesin e së hënës përmes një deklarate të papërgjegjëshme të Ministrit të Brëndshëm të Italisë Angelino Alfano, i cili betohej se vrasësi i vajzave do të dënohej me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane. Pastaj Alfano bëri korigjimet e duhura, por deklarimi i tij kishte mjaftuar që ksenofilizmi shqiptar të prodhonte steriotipin e tij klishe në formën e gjyqësi të vërtetë për gruan e shkretë.
Kush e viziton faqen e Facebook-ut të Edlira Dobrushit, thjeshtë Edës, e cila në rrjetin social identifikohej nën emrin Eda Copa, do të kuptojë se gjithë bota e saj prej nëne dhe gruaje përbëhej prej atyre tri vajzave, prej Simonës, Kejsit dhe Sindit. Ato ishin arsyeja e saj për të jetuar dhe duket antiarsyeja për t’i dhënë fund në mënyrën më të tmerrëshme të mundëshme. E tillë ka qenë në atë çast gjendja e saj shpirtërore dhe mendore. Tragjedi të tilla kanë ndodhur por është akti më i papranueshëm nga psika njerëzore, sepse nëna vetëm jepë jetë.
Justicionalistët e Shqipërisë, të njërit prej vendeve me drejtësinë më të korruptuar të planetit, filluan menjëherë ta anatemojnë të mjerën nënë, si një kriminele që u hakmorr ndaj bashkëshortit 45 vjeçar që e braktisi atë bashkë me tri vajzat dhe shkoi pas një 25 vjeçareje!
Justicionalistët e Shqipërisë, kur deshën të ishin modernë, por gjithnjë të pacipë, e akuzuan gruan e mjerë si një Medea të kohëve tona. Meqë Jasoni shkoi me një grua tjetër dhe e tradhtoi, Medea, bashkëshortja e tradhëtuar, për t’u hakmarrë, i vret të dy bijtë. Me këtë logjikë, sipas justicionalistëve, veproi edhe Eda, e cila momentalisht ndodhet në një gjendje kritike për jetën e shtruar në spitalin e Lecco-s, e operuar me plagë të rënda në bark dhe duar.
Në vend të refleksionit, për të zbuluar shkaqet që e bënë këtë nënë të ndërmerrte aktin më të paimagjinushëm për mëmësinë, po vazhdon rutina për t’iu ikur analizave.
Kjo tragjedi ka si shkak nismëtar shkatërrimin e familjes. Familja, bërthama fondamentale,si forma më e lartë e organizimit të shoqërisë njerëzore, që e ka shpëtuar njerëzimin nga periudhat parake të promiskuitetit dhe barbarisë, po përjeton krizën më të thellë, e cila prodhon drama dhe tragjedi njerëzore. Por peshku duket se është qelbur nga koka. Burrat kërkojnë të imitojnë tipin e ish-kryeministrit të Italisë Silvio Berlusconi dhe, nëse nuk ia arrijnë dot, të paktën atë të François Hollande, Presidentit aktual të Francës, i cili, me pamje të maskuar me kaskë motori, e lë një mantenutë në Elysée dhe rend pas një mantenute tjetër nëpër Paris.
Edhe femra në vend që të ketë modelin për të imituar, duhet të jetë ose miss, modele, në mos dashnore apo eskorte biznesmenësh apo politikanësh!
Një hybrid të këtij modeli zgjodhi edhe ish-bashkëshorti i Edës. Ai fejohet me një femër 20 vjeç më të re, duke lënë në mes të katër rrugëve katër femra të familjes së tij, gruan dhe tri vajzat.
Në këtë situatë, Eda, edhe kjo një grua e re 37 vjeçare, e humb fillin dhe lebetitet,e vetme,me një shoqëri rreth saj, antihumane, e gatëshme për ta masakruar, me të njëjtën mënyrë si ajo kur në gjendje ankthi ekstrem ndërmerori aktin makabër.
Ajo kishte ëndërruar që bashkëshorti i saj të ishte një baba fantastik si Will Smith tek filmi i Gabriele Mucciono- s the The Pursuit of Happyness, por ai doli një sharllatan si shumë të tjerë, nga ata, por edhe ato që e çojnë familjen drejt e në divorc, statistikat e të cilave në Shqipëri kanë arritur shifra të frikëshme.
Në fakt, Eda Dobrushi alias Eda Copa nuk ishte as Medea dhe as një nga ato femrat e sotme që ofron formati shqiptar i Big Brother, ku prostitucioni paraqitet si modernitet. Eda Dobrushi ishte një nënë si gati të gjitha nënat dhe një grua si gati të gjitha gratë, të cilat iu thurin hymn dhe i dedikojnë jetën bashkëshortit,fëmijëve dhe familjes. Pra Eda Copa nuk ishte një femër sipas modelit që kërkon sot shoqëria e sëmurë shqiptare,e cila e masakroi të gjorën nënë me cinizimin brutto, sikur të mos ketë mjaftuar gjëma që e ka gjetur.
Gazetarët në Itali kanë filluar e të gërmojnë arsyet, shkaqet që e çuan gruan e mjerë në këtë raptus të frikshëm. Eda Copa posa kishte humbur një fëmijë, gjatë një shtatzanie të ndërprerë pa dashjen e saj. Dhe zakonisht dihet se si është gjendja e gruas pas kësaj. Por në vend që të kishte pranë të shoqin,ai e braktis,ndërsa Eda mbetet e vetme me tre vajzat me një gjendje ekonomike të vështirë,ku ajo tani ka frikë nëse do të jetë në gjendje që t’u sigurojë vajzave të saj një jetë me dinjitet apo ato nuk do të kenë të ardhme tjetër veç prostituimit.
Ndofta gabohej gruaja e mjerë, por lodhja, drama familjare dhe kriza ekonomike kishte bërë që ajo të humbiste ekuilibrin. Për Eda Copa-n edhe shpresa që vdes e fundit kishte vdekur. Dhe ajo e mbetur në mëshirën e askujt, i dha fund jetës së tri vajzave të saj dhe njëkohësisht edhe jetës së saj. Sepse Nëna është Zoti i zbritur në tokë, është fuqia e plotfuqishme e Tokës që e bën jetën të vazhdojë. Dhe kur një Nënë vret jetën, mos e gjykoni atë të zezë, por merreni këtë gjëmë si një Kambanë Alarmi të Qiellit! Ndryshoni shoqërinë, ktheheni në shinat e vlerave dhe moralit, sepse antimorali do të kthehet si një Vezuv jo vetëm për Neronët për të gjithë ne që bëjmë sikur nuk i vemë re plagët e shoqërisë, të cilat këlthasin si britmat e atyre tre vogëlusheve jetëfikura nga ajo që i deshi sublimisht.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, nenat nuk mund te vrasin, Shoqeria ne krize

MAGJIA SHQIPTARE SHFAQET MREKULLISHT NË SALLËN E KATEDRALES SË BERNËS

March 3, 2014 by dgreca

– Ky event u organizua nën kujdesin e çiftit Dhimojani – Blättler /

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

  E djela e fundit e shkurtit pati një ngjarje speciale për jetën kulturore të Bernës, kryeqytetit helvetik që përshkohet nga Lumi Aare, kalërohet nga urat e shumta aq të bukura nën pamjen hijerëndë të Alpeve. Katër instrumentistë të shquar shqiptarë dhanë koncert në Katedralen e Bernës, që është zemra e qytetit dhe njëri nga simbolet e tij. Münsteri i Bernës mban në trupin e vet një histori datuar prej fillimit të shekullit XV. Me stilin e përkryer gotik ashtu si simotrat në Këln, Strasbourg, Freiburg  etj.– shfaqet si „ogur i madhështisë dhe delikatesës“ njëkohshëm, nëse do të perifrazonim një varg të Viktor Hygosë, në vend të pohimit se në Katedralen e Bernës më tepër se me vendin e kultit dhe mistikës, ndihemi të përballur me shprehjen e talentit njerëzor, ku arti është përcjellës i civilizimin Perëndimor.

Katedralja e Bernës, më e larta në gjithë Zvicrën, kryevepër e dorës dhe mendjes së njeriut, që të rrok me vete sapo e sheh, ishte vendi ku në mbrëmjen e të djelës së fundit të shkurtit dhanë shfaqjen e tyre tyre artistët Dhurata Lazo, Zija Bushi Bejleri, Klaidi Sahatçi dhe Gjergj Bejko; tre vinin nga Gjermania, ndërsa Klaidi është me qëndrim në Zvicër.

Zvicra ka lidhje shumë të forta me shqiptarët. Të gjithë kokat e Rilindjes kanë kaluar një pjesë të jetës në Zvicër. Faik Konica, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Anton Zako Çajupi, Dora d’Istria… Hasan Prishtina e ëndërronte Shqipërinë një Republikë malore si Zvicra. Për të mos folur pastaj për komunitetin aktual të shqiptarëve që i kalon ndofta gjysmë milioni. Shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Luginës të Preshevës, Shqipërisë.

Komuniteti i shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria është më i vogli në numur, rreth 1500 syresh, por jo më pak i rëndësishëm nga kontributet. Siç është rasti i Zhaklina Dhimojani Blättler e cila, me bashkëshortin e saj, ishin autorët e këtij organizimi të mrekullushëm, për të ftuar e mirëpritur katër instrumentistë brilantë shqiptarë.

Nuk është aspak lehtë, por çifti Blättler ia doli me sukses që t’i sjellë artistët shqiptarë të performojnë në Katedralen berneze, për të shpalosur talentin e tyre nën magjinë gotike të zbukuruar edhe më, ca nga shumëngjyrësia e mozaikëve ca nga prania e bukur e publikut zviceran dhe shqiptar.

Zvicra ka krijuar traditë në mikpritjen e elitës të artistëve shqiptarë, të cilët suksesin e tyre e kanë arritur në skenat e Europës dhe botës. Zvicra i mirëpret Artistët shqiptarë, të cilët ia imponojnë respektin publikut zviceran. Dy prej tyre si Tedi Papavrami dhe Klaidi Sahatçi punojnë e jetojnë këtu. Papavrami njihet edhe si përkthyesi zyrtar i veprave të Ismail Kadaresë.

Ndërsa Klaidi Sahatçi ishte pjesë e katërshes së ftuar në Bernë, bashkë me Dhurata Lazon, Zija Bushi Bejlerin dhe Gjergji Bejkon.

Klaidi Sahatçi, pasi mbaron Liceun e Tiranës vazhdon studimet për violinë në Konservatorin Xhuzeve Verdi Milano, për t’i vijuar pranë’Akademisë “W. Stauffer” në Kremona dhe Lion të Francës. Pasi fiton një vend në Orkestrën Sinfonike të Radio Televizionit Italian, fillon të zhvillojë një jetë shumë të pasur koncertore në teatrot më të mira të Europës. Ka qenë violinë e parë në Teatrin La Skala të Milanos dhe aktualisht është violinë e parë në orkestrën e Zyrihut në Tonhalle me një violin të Antonio Stradivarius, të njohur me emrin “Wieniawsky, Bower“ e krijuar në vitin 1719 që atij ia ka ofruar Mercedes-Benz i qytetit të Zyrihut. Klaidi paralelisht jep mësim në Konservatorin e Zvicerës italiane. Ai ka bërë shumë regjistrime, ku midis tyre bashkë me pianisten Dhurata Lazo, ata regjistruan CD titulluar Albanian Memories, e cila u promovua së fundmi edhe në Tiranë.

Dhurata Lazo ka nisur të interpretojë në piano në moshën 6 vjeçare fillimisht në qytetin e saj të lindjes, të cilin do ta linte për të ndjekur Liceun Jordan Misja dhe Konservatorin. Në qytetin e gurtë ku ka lindur një diktator dhe një shkrimtar gjenial do të kthehej më pastaj vetëm si vizitore, sepse jeta do t’I merrte rrjedhë të tillë. Pasi mbaroi Konservatorin e Tiranës, e mahnitur me pjesët Zadejës, Harapit etj, ajo bashkë me bashkëshortin e saj do të emigronin në Itali. Atje i dedikohet vazhdimit të studimeve në fillim në Konservatorin Xhuzepe Verdi, pastaj në Shkollën e Muzikës për Studime të Avancuara duke ndjekur mësimet e Maestros polak Mika Marian, në Qendrën e Padovës  “Karol Szymanowski”, nga ku jo vetëm u dashurua me Chopenin, por edhe u bë një nga interpretueset e tij më të shkëlqyeraduke vijuar jetën koncertore me bashkëshortin në Europë dhe Shqipëri.

Zija Bushi Bejleri është saksofonisti i talentuar nga të paktit në Shqipëri, të këtij instrumeti të muzikës black, pop e rock si dhe përbërës i muzikës xhaz, baba i të cilës është i famshmi Luis Armstrong. Megjithëse muzika xhaz ishte pothuaj e mallkuar dhe ndaluar në Shqipëri, pasi mbaron Akademinë e Arteve, Zija Bushi Bejleri nis punën si saksofonisti i parë në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërkohë që me përmbysjen e diktaturës bashkë me familjen e tij persekutuar nga regjimi komunist dhe vajzën e tij të zemrës Dhurata Lazon, atë kohë studente pianoje, do emigrojnë në Itali, duke nisur gjithçka nga e para. Nuk është e lehtë. Kush nuk e beson le ta provojë po të dojë. Zija Bushi Bejleri ia doli, me shumë punë, me shumë sakrifica dhe mund si dhe në saj padyshim edhe të talentit. Pasi vijon studimet në Milano dhe Trieste e pastaj për Xhaz-Muzik në Shkollën e Muzikës në Manhatten, SHBA, ai vazhdoi karierën e tij në Itali, si orkestrant dhe mësimdhënës, duke e zgjeruar pastaj më tutje aktivitetin me jetën koncertale në Itali, Gjermani, Luksemburg, Francë shpesh herë edhe në koncerte duo me Dhuratën, ajo në piano dhe ai në saksofon. Diçka vërtetë magjike.

I katërti në grupin e artistëve që performuan në Katedralen e Bernës ishte fëmija 12 vjeçar Gjergji Bejko. Nuk dija asgjë për këtë fëmijë, por kur u ndodhëm përballë interpretimit të tij, na magjepsi menjëherë. Gjergji interpretonte pa parte dhe të gjithë të pranishmit mund të konstatonin spontanitetin e tij sikur pianoja të ishte një lodër për duart e tij prej fëmije. Pastaj lexova se Gjergji kishte marrë disa çmime në Gjermani ku jeton me familjen si l’enfat prodige, fëmijë mrekulli. Por mua, sapo e dëgjova, m’u kujtua ajo historia që tregohet për Moxartin fëmijë, i cili interpretonte në mënyrë aq virtuoze sa krijoi dyshimin se ishte një burrë xhuxh dhe jo fëmijë. E, për ta provuar në ishte fëmijë a jo, ndërsa interpretonte, sollën në skenë një mace dhe Mozarti i vogël e la pianon dhe iu sul maces. Për Gjergjin foli në superlativa edhe Dhurata Lazo, e cila e konsideroi si simbol të muzikantit të ardhshëm. Edhe unë ashtu mendoj. Nuk ka dyshimin më të vogël që Gjergji Bejko do të jetë një Arthur Rubinstein apo Rachmaninov i ardhshëm, por me identitet shqiptar.

Në koncert u interpretua mjeshtërisht muzikë botërore dhe shqiptare. Krahas  tingujve të Mozartit, Beethoven-it, Schubert-it, Donizetit, Bellinit  spektatori në sallë ndoqi me interes të veçantë edhe pjesë nga Aleksandër Peçi dhe Eriona Rushiti. Është diçka e rrallë të jesh një kompozitore grua siç është Eriona, pedagoge dhe njëkohësish krijuese e muzikës, që lind prej bashkimit fantazist të notave. Veprat e Peçit dhe Rushitit qendruan me dinjitet përballë mjeshtrave botërorë, edhe sepse u interpretuan nga instrumentistë virtuozë, të cilët kanë arritur të integrohen në jetën koncertale në Europë falë dimensione të tilla, ndaj të cilave Evropa mban frymën, duartroket dhe u ngre kapelën me respekt.

Ashtu si i duartrokiti edhe në katedralen e Bernës, në një koncert elitar, i cili u bë i mundur falë dashurisë dhe mirësisë së Zhaklina Dhimojanit dhe bashkëshortit të saj zviceran, të cilët sponsorizuan pothuaj gjithçka. Çifti Dhimojani- Blättler ishin ata që i kontribuan një eventi të tillë,për t’iu treguar zviceranëve se shqiptarët janë një komb i talentuar, që lind nga gjiri i tij artistë të kualiteteve të tilla. Zhaklina më tha se për të krijuar edukatën e brezit të ri si dhe për të krijuar imazhin e mirë, nevojiten pika referimi të vërteta. Dhe artistët e vërtetë janë pika referimi. Si edhe në rastin konkret.

Sa i përket publikut shqiptaro-zviceran që mori pjesë në koncert,ai padyshim u ndje i privilegjuar duke u gjendur përballë artistëve të dimensioneve të tilla.Në koncert mori pjesë edhe Ilir Gjoni,ambasadori i sapoardhur i Republikës të Shqipërisë në Bernë. Duke patur parasysh komunitetin e shqiptarëve që jeton në Zvicër do të duhet vazhdimisht që artdashësave shqiptarë t’u krijohen mundësi të tilla.Duhet të tejkalohet edhe ideja e rinisë të shqiptarëve në Zvicrës, në gjeneratën e Secondosave,të cilët besojnë se rruga e vetme e suksesit të tyre është futbolli. Ata kanë si pika referimi Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Baramin etj, por në fakt rinia shqiptare sot në Zvicër ka plot rrugë të tjera afirmimi. Arti dhe kultura padyshim që është njëra nga këto rrugë.

Organizimi i çiftit Dhimojani-Blättler të një eventi kulturor ishte si një sfidë,bërë padashje komunitetit të shqiptarëve në Zvicër, të ndarë e përçarë nga politika. Ky komunitet, në vend që të tregojë interes dhe të investojë për kulturën dhe vlerat e vërteta, harxhon kohën në shërbim të partive shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

Rinia shqiptare në Zvicër ndodhet në udhëkryq sepse në vend që të mirëorientohet, edhe ajo humb kohën në klube të pështira ku përçundohen vlerat dhe kultura e mirëfilltë.

Kur dy njerëz organizojnë një shfaqje elitare, siç ishte perfomanca e katër artistëve shqiptare, merreni me mend se çfarë mund të bëjnë gjysmë milioni shqiptarë që jetojnë në Zvicër. Padyshim mund të bëjnë mrekullira, nëse do të jenë të organizuar. Po kur do të organizohen, lind pyetja!

Gjithsesi uroj që ky evenimet kulturor, ku u gërshetua në një mënyrë shumë elegante qytetërimi europian i Zvicrës me kulturën shqiptare, të shërbejë si shembull dhe model në të ardhmen e afërt.

Publiku zviceran dhe shqiptar mezi presin shfaqje të tilla. Zhaklina Dhimojani Blättler, e cila mbahet mend për rolin e saj kur ishte fëmijë tek filmi Mimoza Llastica, e ka gati një projekt të ri ku synon organizimin e një koncerti me fëmijët e talentuar shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe jashtë saj. Le t’i urojmë punë të mbarë dhe le të ketë në Zvicër sa më shumë projekte për kulturën, sepse sikur thoshte Albert Camus se “pa kulturën, shoqëria edhe sikur të jetë perfekte është një xhungël.”

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida Buçpapaj, Magjia shqiptare, ne Katedralen e Bernes

AMBASADORI ALEXANDER ARVIZU – NJË AMBASADOR SUI GENERIS –

March 3, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ambasadori Amerikan në Tiranë Alexander Arvizu nuk është si gjithë ambasadorët e tjerë që kanë përfaqësuar SHBA në Shqipëri. E kam fjalën për shtatë pararendësit e tij që prej vitit 1991 kur SHBA dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike pas një pauze të gjatë, shkaktuar prej regjimit komunist,që e shndërroi vendin e shqipeve në një bunker të izoluar, por pa mundur që të presë rrënjët e lidhjeve me shqiptaro-amerikanët, e larguar si armiq të regjimit apo atyre që emigruan shekullit të shkuar. Faik Konica dhe Fan Noli ishin ura lidhëse midis Botës të Lirë me Tokën e Robëruar.

Vargjet e Fan Nolit “Mbahu Nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”, që rastësisht i kishin shpëtuar censures kriminale, ushqenin nënkoshiencën e shqiptarëve me një shpresë që dukej e fikur, por që u ringjall prej tingujve marcialë të radios Zëri të Amerikës dhe ardhjes së Sekretarit të Shtetit James Baker në qershorin e 1991.

Prej përmbysjes së diktaturës, SHBA shihen nga populli shqiptar si Aleati jetik i shqiptarëve, paradigmë që në fakt daton prej fillimit të shekullit të shkuar kur President Woodrow Wilson mori në mbrojtje vendin e bërë të vogël nga makutëria e fqinjëve me tendencë për ta zvogëluar sa më tepër. Kjo Aleancë do të rivitalizohej gjatë përmbysjes së diktaturës, Luftës në Kosovë dhe prej emigracionit të ri, që është  si ringjallje e atij të vjetër

Zakonisht Ambasadorët e SHBA në Tiranë janë gjykuar politikisht – pozitivisht nga njëri krah dhe jopozitivisht nga krahu tjetër, një lloj ping pongu konstant ky, ndërkohë që qeveritë shqiptare prej 23 vjetësh kritikohen për mospërmbushje të obligimeve ndaj qyteterëve të tyre. Politika shqiptare mjerisht për këtë dështim të saj personal ka penalizuar shpesh ambasadorët amerikanë. Edhe Ambasadori Arvizu nuk i shpëtoi këtij rregulli. Atij here pas here i është dashur të përballet me cinizmin e gazetave të Tiranës në shërbim klientelist të politikës apo me mosmirënjohjen e politikanëve shqiptarë të pangopur asnjëherë me pushtet.

Si e kam përmendur edhe më parë, Ambasadori Arvizu preferoi ta njohë vetë realitetin e komplikuar shqiptar, të mos mbetet peng i përkufizimeve dhe sharjeve që politikanët shqiptarë i rezervojnë njëri-tjetrit. Dhe mund të thuhet se është një njohës i shkëlqyer i këtij realiteti. Ai njeh personalisht politikanët, shoqërinë civile, gazetarët, njerëzit e thjeshtë. Ai njeh gazetat, televizionet, programet,anchormenët shqiptarë, njeh klerikët, botën artistike, njerëzit e zakonshëm, elitën…

Ai është një komunikues i palodhur për të shpjeguar e sqaruar gjithçka, ku gjithçka që ka thënë dhe thotë e mbështet në një themel mirëbesimi dhe sinqeriteti. Gazetarët kur duan ta kapin në “gabim” e pyesin “po ju keni thënë kështu” dhe ai ka gjithnjë koherencë me atë që ka thënë. Sikur këtë kërkesë llogarie që e mbajnë ndaj Ambasadorit Arvizu, gazetarët shqiptarë ta mbanin ndaj politikanëve të tyre, vendi ynë do të ishte shumë më mire.

Politikanët shqiptarë, kur u janë cënuar interesat e tyre për pushtet, i kemi parë të sillen ndaj tij në mënyrë të pacipë,sa që zyrtarët më të lartë të shtetit Amerikan janë detyruar të shprehen shpesh se qëndrimi i Ambasadorit Arvizu është pikë për pikë ndaj qëndrimit zyrtar të shtetit.

Ambasadorit Arvizu i është dashur që të dalë jashtë rregullave të kurtuazisë diplomatike, ku çdo gjë është me masë dhe gramaturë. Duke dëshmuar kompetenca të plota, për të dhënë përgjigje dhe rrugëzgjidhje për ngërçet shqiptare,ai ka shfaqur profilin e njeriut me sensibilitet të lartë human, siç ishte rasti i grevës të urisë të ish-të përndjekurve politikë.

Kundër SHBA dhe amerikanëve diktatura komuniste për gjysmë shekulli ka harxhuar mijra tonelata bojë dhe letër – me reminishenca deri sot – por Ambasadori Arvizu ka demonstruar se qëndrimi Amerikan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk është profiter, por ai i një Aleati të provuar në ditë të vështira.

Autorja e këtij shkrimi nuk e ka natyrë që t’u thurrë hymn ambasadorëve të SHBA. Kam kritikuar për shembull Marisa Linon. Nuk më ka pëlqyer kurrë afeksionimi në favor të njërës palë e në disfavor të tjetrës. Jam për meritën. Sipas shprehjes: “Give to Caesar what is due to Caesar”. Dhe Ambasadori Arvizu e ka shmangur tunelin e ndikimit prej palëve dhe ka mbajtur një qëndrim të hapur mbi palët në të mirë të popullit shqiptar, ndryshe nga politikanët shqiptarë, të cilët janë sjellë me të si ballkanikë, here miqësorë dhe here armiqësorë,gjithnjë sipas interesave personale dhe assesi sipas konsitucionit shqiptar kur Miku është Mik, është i shenjtë.

Ambasadori Arvizu i ka dhënë të gjithë klasës politike shqiptare një mësim tolerance dhe njëfytyrësie.Sikur klasa politike shqiptare të kishte ndjekur këshillat e tij, duke pranuar çelësin e kompromisit në vend të drynit të ngërçit dhe gjuhës së urrejtjes, Shqipëria dhe shqiptarët do të ishin shumë më mirë – edhe vetë politikanët po ashtu, jo si si na shfaqen çdo ditë në Parlament si aligatorë të gatshëm për ta shqyer njëri-tjetrin.

Ambasadori Amerikan Alexandër Arvizu ka demonstruar të jetë një Amerikan i shkëlqyer, por ndërkohë edhe një shqiptar brilant. Kur të mbarojë misionin në Shqipëri, unë si gazetare do ta ndjej mungesën e tij. Do ta ndjejë edhe politika, sado e pafytyrë qoftë, sepse ai ka mbajtur si duhet etalonin e të drejtës dhe të vërtetës, pa marrë parasysh se kjo ka qenë sikur të kalonte mbi një fill teli 100 metër lartësi.Dhe ia ka dalë. Duket se Zoti ka qenë me të. Sepse ai është pjesë e atij vendi ku kumbon fort lutja God Bless America.(Ne Foto:Ambasadori Amerikan Alexander Arvizu ne Konferencen Shkencore ne New York”Vatra, 100 vjet en sherbim te Kombit”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, NJË AMBASADOR, SUI GENERIS

ZOT I MADH SHPËTOI SHQIPTARËT NGA VETVETJA! ALI AHMETI I BISHTNON PRESIDENTIT KONSENSUAL

February 28, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Dua të kthehem paksa prapa në kohë, kur në Maqedoni nuk kishte shpërthyer ende konflikti që do ta vinte në qendër të vemendjes Ali Ahmetin si hero dhe do të sillte për pasojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila edhe sot e kësaj dite nuk është e implementuar.
Kur hymë në Maqedoni atë botë si gazetë, ishte viti 1999-2000, ne filluam të denonconim segregacionin sllavomaqedon kundër shqiptarëve, por nuk kaloi shumë dhe u shkua deri aty sa do të na akuzonin si shkaktarë që rrezikonim stabilitetin e Maqedonisë. Për të qeshur dhe qarë.
Nuk janë përralla, po realitet. Një realitet që ka ndodhur jo më larg se një dekadë e ca më parë. Mjerisht ata që i ngritën këto akuza kundër nesh duke i shtyrë militantët të pengonin shitjen e gazetës, e cila përpihej nga shqiptarët e Maqedonisë, ishin shqiptarë – atë kohë në pushtet. Si reaksion i këtyre akuzave monstruoze, gazeta Bota Sot digjej në Shkup e Tetovë dhe bëhej gjithçka që të pengohej shpërndarja deri sa iu ndalua botimi në Maqedoni.
Paralelisht në Zvicër u përcoll „akuza“ kundër gazetës dhe ne gazetarëve të saj për racizëm antisllav, e cila na solli andralla të tjera, por që në fund fitoi drejtësia dhe ne dolëm të pafajshëm, ndërkohë që ambasadori shqiptar i asaj kohe i Maqedonisë nuk do të vononte e do të shpallej non grata nga autoritetet zvicerane, sepse flitej se kishin kapur të ngiste makinën në gjendje të dehur!
Dolëm të pafajshëm, sepse drejtësia në Zvicër nuk është si në Ballkan! Dhe ne si gazetarë asnjëherë nuk përdorim gjuhën e urrejtjes dhe dasive, as kundër shqiptarëve dhe as kundër kombeve të tjera. Kështu, kush do t’i analizojë shkrimet tona me një lupë të madhe, nuk do të gjejë kurrë diçka që bie ndesh me principet demokratike, të cilat ne i kemi udhërrëfyese si profesionistë.
Ne kërkojmë që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve, të jenë europianë midis europianëve. Dhe është shumë e lehtë të kërkosh të drejta nga këto pozita që i kërkojmë ne, sepse vizioni jonë është thellësisht Perëndimor, por problemi është kur përballemi me mendësinë arriviste dhe tribale të klasës politike shqiptare, e cila është kthyer në një hendikep të madh për integrimet e shqiptarëve në Europë.
Siç po flasin edhe lajmet e fundit që vijnë nga Maqedonia, ku Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia e Ali Ahmetit, heroit të luftës dhe antiheroit të paqes, që bashkëqeveris vendin që pas konfliktit të Maqedonisë bashkë me VMRO-DPMNE ka deklaruar se do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale.
Ky prononcim nga BDI vjen si kundërthënie në kohën, kur Partia Demokratike Shqiptare e opozitës ka paraqitur si kandidat të saj për president Iljaz Halimin, zyrtar i lartë i kësaj partie dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.
Pra prapë shqiptarët janë të ndarë e përçarë. Në vend të bashkimit të të gjithë faktorit politik shqiptar, Ali Ahmeti i bishtnon bashkërendimit dhe mbetet nën varësinë e VMRO-DPMNE.
Rreth një presidenti të përbashkët konsensual të faktorit politik shqiptar në Maqedoni është shprehur edhe Rufi Osmani, kryetari i partisë Rilindja Demokratike Kombëtare. Rufi Osmani iu bëri thirrje dy partive më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH, që pavarësisht ndarjeve, për këtë çështje duhet të bëhen bashkë dhe të dalin me një emër të përbashkët. Këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhët.
Tani qëndrimet e dy partive kryesore i kemi të qarta, ashtu si edhe qëndrimin e Ali Ahmetit që i bojkoton zgjedhjet presidenciale.
Edhe një herë u shfaq në dritën e diellit qëndrimi destruktiv dhe obstruksionist i faktorit politik shqiptar, në këtë rast i Ali Ahmetit i cili bllokon rrjedhat normale që duhet të ketë faktori shqiptar në Maqedoni.
Zgjedhja e një emri të përbashkët, e një shqiptari me integritet që e meriton të jetë kandidati i përbashkët për president i faktorit shqiptar, mendoj se është gjëja më e mundshme, por faktori politik sheh vetëm intersin e vet dhe pak interesohet për të përmirësuar dhe faktorizuar komunitetin e shqiptarëve si palë shtetformuese e vendit.
Klasa politike shqiptare në përgjithësi është mjeshtre për ta bërë të mundshmen të pamundshme në dëm të integrimeve të natyrshme të shqiptarëve në një shoqëri demokratike me perspektivë integrimin europian.
Por nëse shqiptarët nuk integrohen dot me veten, nuk gjejnë dot gjuhë të përbashkët, paçka se flasin të gjithë shqip, atëherë mbetet t’i lutemi Zotit që t‘i pështojë shqiptarët nga vetvetja!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Zot shpeto Shqiperine

OPOZITA DHE POZITA KOPJE TË NJËRA TJETRËS …

February 26, 2014 by dgreca

OPOZITA PA KAUZA DHE PA KREDIBILITET NDËRSA POZITA PA SHTET/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Votimi kundër i KLD për ish-prokuroren Ina Rama tregon se sa e përfshirë është politika në institucionin e drejtësisë. Pa pavarësi, ky institucion është farsë. Pa drejtësi, sistemi nuk funksionon dhe shteti kthehet në rrezik për shoqërinë.
Siç po duket,po ngjet ajo që pritej. Në vend të civilizimit, bashkëpunimit, konsensusit, marrëveshjes – politika po riciklon veten duke ndryshuar vendet. Atë që bënte ish-opozita, tash po e bën ish-maxhoranca. Politikanët shqiptarë janë mjeshtra të trafikut. Pa moral, pa ideale, pa katharsis, pa kauza.
Vendi vuan nga varfëria, shqiptarët vuajnë tmerrin nga krimi dhe kriminelët e paguar, nga frika e largimit prej punës, sepse, sa vjen në pushtet një maxhorancë e re, gjithë administrata publike pararendëse, e kompozuar si formacion militantësh, detyrohet t’ia lëshojë vendin armatës së re të militantëve.
Prandaj seicila palë kërkon fitore me çdo kusht dhe pushtet me çdo kusht. Jo për të qeverisur më mirë, por për të vazhduar keqqeverisjen e cila po i penalizon shqiptarët prej 23 vitesh rradhë.
Janë me mijëra studentë shqiptarë, të diplomuar shkëlqyeshëm në Univerisitetet europiane të cilët nuk kanë asnjë shans punësimi as në vendin e tyre dhe as në shtetet e BE, sepse Shqipëria është jashtë Europës. Ky kontigjent, që do t’ia ndryshonte faqen vendit, nuk ka asnjë treg pune në Shqipëri, sepse këtu nuk ekziston kultura e meritokracisë dhe Shqipëria dallohet si një vend që prodhon tonelata diploma fallco. Degradimi është i thellë. Disa ditë më parë ministrja e Arsimit shkoi në gjimnazin e Pogradecit, sepse, nga 400 e ca nxënës, ky gjimnaz frekuentohej vetëm nga 60 syresh.
Në këto kushte, vendi ka nevojë të shpallë gjendjen e alarmit të kuq, të rrezikut eminent. Vendi ka nevojë që politika të bëj deal, për ta shpëtuar Shqipërinë nga diktatura e antiligjit. Kjo kërkon konsensus.
Por opozita në vend të katharisit pas humbjes, s’ka bërë gjë tjetër veç i ka zëvenndësuar bilbilat e ish-opozitës në paralament me vuvuzelat në bulevard.
Ish-opozita më 21 janar 2011 synonte skenarin e një Pranverë Arabe, sot ish-maxhoranca synon skenarin e Ukrainës.
Po më thoni cili është Viktor Yanukovych-i shqiptar antieuropian? Përgjigja e menjëhershme: klasa politike është Yanukovych-i shqiptar, e cila nuk po lejon integrimin e Shqipërinë dhe shqiptarëve në Europë, ëndërra e të cilëve ka qenë „ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa“. Ky slogan përbënte edhe kauzën për ata qindramijë shqiptarë që u ngritën në këmbë për të përmbysur diktaturën.
Sot opozita është pa kauzë dhe gati pa lider, sepse Lulzim Basha s’ka vizion personal dhe është në funksion të atij që e emëroi.
Por ajo që është fondamentale, është se opozita nuk ka as kauzë dhe as kredibilitet.
Ne shohim vetëm katrahura parlamentare me sharje, fyreje dhe akuza. Një opozitë pa kauza, që operon si kopje e ish-opozitës, është mjerim kombëtar.
Mungesa e drejtësisë, ku ligjin e bën më i forti, e ka ngritur në kult pandëshkueshmërinë. Përgjegjësi për këtë mban pozita dhe opozita së bashku, që janë duke u kthyer në rrezik kombëtar për vendin, sepse, për mosintegrimin e Shqipërisë në BE, ata prodhojnë armiq inagjinarë, në vend që të penalizojnë fajtorët e vërtetë.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, kopje te njera-tjetres, Opozita dhe pozita

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT