• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POROSI PËR EDI RAMËN

April 18, 2013 by dgreca

Lind pyetja, një lider që beson se i ka të fituara zgjedhjet e përse kërkon ta destabilizojë vendin?/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Shqipëria po përgatitet të hyjë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe prioritet i prioriteteve është garantimi i stabilitetit dhe qetësisë së vendit. Palët që do të garojnë të shpallin strategjitë e të fokusohen në programet partiake. Opozita vetvetiu është e privilegjuar, sepse ballafaqon premtimet që ka marrë maxhoranca me përmbushjet e tyre si dhe paraqet premtimet e veta. Por qetësia dhe stabiliteti është alfa dhe beta që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Kjo kërkon që palët të fokusohen tek mbarëvajtja e tyre si përmbushje e interesit kombëtar.

T’i kundërvihesh stabilitetit të vendit me provokime që çojnë në kolaps sistemin 60 ditë larg zgjedhjeve është njëlloj si të riciklosh një 21 janar! Kush doli i humbur nga 21 janari? Veç viktimave, doli Edi Rama, i cili e konsumoi edhe një herë veten si radikal. Dhe Edi Rama rrezikon një riciklim të tillë pa asnjë shkak, kur duhet të ndihet i sigurt për fitoren pas bashkimit që pati me Ilir Metën, i cili në vetvete, është një tjetër gafë e lidërshipit të PS!

Lind pyetja, një lider që beson se i ka të fituara zgjedhjet e përse kërkon ta destabilizojë vendin? Siç po vepron Edi Rama, kur kundërshtari i tij është i dërmuar nga gabimet e pafundme, siç dëshmoi edhe koalicioni që pati me Ilir Metën, i cili sot Sali Berishës iu kthye në boomerang!

Le të kthehemi tek kriza në gotë e KQZ, një institucion thellësisht i politizuar prej politikës, i cili ka një funksion të sanksionuar prej një marrëveshjeje mes PD dhe PS, kur PD ishte në opozitë, me një balancë 4 me 3 për maxhorancën. Në rastin konkret, largimi nga koalicioni i LSI e prishte këtë balancë, pasi Muho ishte i propozuar nga PD, kur PD dhe LSI ishin në muaj mjalti.

Edi Rama le të mjaftohet me muajin e mjaltit që ka startuar me Ilir Metën dhe me të mirat sipas mendjes së tij që rrjedhin prej kësaj, por jo të bllokojë vendin dhe ta fusë Shqipërinë rishtas në krizë! Sepse i humburi do të dalë ai! Mezi e ka ndrequr disi imazhin prej kujtimit të 21 janarit, s’ka arsye që të ndërmarrë veprime autodestruktiviste. Një pyetje e kam për Ramën, me këto mendje që ka sot, a do ta kishte ndërmarrë atë që ndërmori më 21 janarin e 2011?!

Sa për KQZ, ai është një bunker i partive kryesore. Më 1991 kryetar i KQZ-së ka qënë Rexhep Mejdani, i cili më 1997 do të zgjidhej president i Shqipërisë. Më 1997, kryetar i KQZ-së ka qënë Fatos Klosi, i cili më pas do të emërohej kreu i SHIK-ut! Pra shihni se çfarë rëndësie, sikur fitorja të varet prej KQZ! Ky është precedenti i krijuar. I cili duhet të çmontohet! Por kjo s’mund të bëhet as sot dhe as nesër kur në prag kemi zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo bëhet me konsensus politik nga politikanë të përgjegjshëm!

Largimi i Muhos ishte reaksion pas daljes së LSI-së nga koalicioni me PD, i cili në vetvete ishte një akt aspak normal, prej të cilit rrodhi ngërçi në gotë, votimi kundër Muhos, aq më tepër kur ishte një figurë jo e pastër, ashtu si po flitet edhe për Arben Ristanin! Sa turp, kur partitë gjejnë vetëm njerëz të njollosur dhe pa personalitet për KQZ, lehtë për t’i përdorur dhe për t’i depersonalizuar.

Hakmarrje politike e dirigjuar nga lidërshipi ishte edhe dorëheqja e dy përfaqësuesve të PS nga KQZ, e cila e dëmton vetë Edi Ramën!

Pasi veç të tjerave. Nxjerr në pah pasigurinë e tij dhe vë në dyshim fitoren.

Dhe hakmarrja, produkt i mungesës të shtetit ligjor, degjeneron në spirale.

I tillë ishte edhe sulmi fizik dhe kërcënimet nën dritën e reflektorëve dhe përpara kamerave kundër Kastriot Islamit dhe dy deputetëve të PS, të përjashtuar nga Edi Rama, të cilët votuan largimin e Muhos! E përse do të tregoheshin luajalë deputetët e PS me Edi Ramën kur ishte vetë Edi Rama që përjashtoi nga PS, duke mos i kandiduar për zgjedhjet e 23 qershorit?

Shërbimi klientelist është antimorali që po gërryen shtetin në Shqipëri! Sepse zgjedhja e kandidatëve nga kryetari i partisë është një tjetër skandal që e bënë demokracinë atje të jetë hibride.

E përse nuk u kënaq Edi Rama nga konseguencat për efektet direkte të afrimit të tij me Metën dhe distancimit të Metës nga Berisha në këshillat bashkiakë, ku tani qarku i Fierit, i cili e la vendin në klasë, e bashkë me të edhe disa qarqe të tjera, e kthyen PS menjëherë në maxhorancë?!

Përse Edi Rama nuk u mjaftua të shijonte kthimin kokëpështë të aleancës midis Berishës me Metën, në ndryshimin e balancave në disa qarqe të pushtetit lokal, përfshi edhe Tiranën, ku raportet e reja dhe bashkimi i votave PS-LSI e kthyen PD në pakicë, dhe çiftëzimi PS-LSI shkarkoi menjëherë Kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, veteranin Njazi Kosovrasti, një besnik i PD-së, i cili u zëvendësua me Aldrin Dalipin, një tjetër besnik të PS !

Po ta analizosh, largimi i Muhos nga KQZ është i barabartë me ndryshimin e balancave në favor të PS sa i përket qarqeve të vendit. Dhe kaq!

Tani Edi Rama duhet ta rikthejë në normalitet situatën, sepse hollë-hollë, shkaktari i gjithë këtyre „tërmeteve“ është ai vetë, pasi ishte ai që ngulmoi me çdo kusht që Ilir Meta të kalonte me të, duke ia punuar Berishës!

Tani Edi Rama e ka Ilir Metën me vete dhe le ta mbajë! E fushata të vazhdojë normalisht, të garantohet e ruhet stabiliteti i vendit dhe t’i krijohen të gjitha kushtet Sovranit që ta hedhë votën në mënyrë të lirë dhe të ndershme.

Sa për veprimet e Edi Ramës, Ilir Metës e Sali Berishës për gjithë këtë që kanë gatuar përfshi politizimin lunatik të KQZ-së, këto veprime janë afatshkurta, i shërbejnë momentalisht politikës, por jo interesave të vendit dhe shqiptarëve. Vendi dhe shqiptarët kërkojnë shtet ligjor dhe politikë të pastër. Kush e plotëson këtë formulë, e vazhdon rrugën, kush nuk e plotëson, mbetet në klasë!

Por të jesh në opozitë e të ndërmarrësh veprime të gabuara e nonsense, të cilat shkojnë direkt në llogari të një kundërshtari të cfilitur nga një qeverisje traumatike tetëvjeçare, kjo është marrëzi.

Edi Rama ta varë vëth në vesh, se vendi kërkon stabilitet, qetësi dhe kushte sa më të mira për një proces zgjedhor fair and free! Në këto 60 ditë ai ka plot për t’i thënë kundërshtarit, tani që e ka në krahun e tij edhe Ilir Metën, të cilin e ka paragjykuar si shans për të marrë pushtetin duke kopjuar Berishën, i cili, siç e shohim të gjithë, prej Ilir Metës mbeti në baltë ! Po këto llogari janë personale të Edi Ramës!Nesër do të lexoni: POROSI PËR SALI BERISHËN

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, mos tabilizo vendin, porosi per Edi Ramen

KQZ NJË INSTRUMENT POLITIK DHE PA INTEGRITET I ABSOLUTIZMIT PARTIAK

April 12, 2013 by dgreca

Partitë e kanë kthyer në pronë të tyre private KQZ dhe e kanë kthyer drejtësinë në një derivat të pushtetit të tyre. Në Shqipëri nuk njihet formula „të gjithë të barabartë përpara ligjit“ – sepse kush ka në dorë pushtet politik është i privilegjuar, pasi e bën ai vetë ligjin. Prandaj në Shqipëri shteti i së drejtës është një iluzion. Për shembull, Ilirjan Celibashi ish kryetar i këtij Komisioni, sot është kandidat për deputet i PS, dhe kështu me rradhë edhe nga krahu tjetër! /

Nga Elida Bucpapaj/

Prej dje po dëgjojmë që faktori ndërkombëtar po e vë theksin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë apolitik dhe i paanshëm! Natyrisht ashtu duhet të jetë!

Po ku kemi qenë ne këta 22 vjet? Po partitë ku kanë qënë? Që të jetë apolitik dhe i paanshëm do të duhej që anëtarët e tij përfshi kreun të jenë figura me një integritet të pacënushëm prej influencës e jashtë ndikimit e të mos u thonë lepe peqe me përulje urdhërave të kryetarëve të partive!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri është thellësisht politik dhe i anshëm, sepse ky Komision zgjidhet pikërisht nga partitë, të cilat përzgjedhin aty njerëzit më luajalë, jo ndaj ligjit, por ndaj kreut të partisë, ku kreu i partisë përkthehet me atë sentencën aq të njohur të Luigjit të XIV se “Ligji jam Unë”, ndërsa Kushtetuta është copë letër.

Dhe kjo formulë, i zgjedhur prej partive, e ka kompromentuar Komisionin Qendror Zgjedhor, i ka hequr besueshmërinë. Opozita nuk i beson a priori vendimet që merr shumica në këtë Komision, sepse ka parasysh se si vepronte ky Komision kur opozita kishte maxhorancën. Dhe vice versa. Prandaj rezultatet kontestohen gjithnjë nga humbësit.

Asnjë parti në Shqipëri këta 22 vjet, përjashto zgjedhjet e 22 marsit 1992, nuk e ka respektuar formatin e KQZ si një institucioni demokratik, që KQZ të jetë apolitik, i paanshëm dhe i pavarur nga partitë!

Ndërkohë KQZ ka patur rol kryesor sa i përket të gjitha proceseve zgjedhore që janë mbajtur në Shqipëri.

Më 1996 fitorja e PD do të ishte normale sepse shqiptarët posa ishin ndarë nga një regjim kriminal dhe sistemi piramidave kishte krijuar një farë prosperiteti ekonomik, por kjo fitore u komprometua nga një rezultat që shkoi mbi 90%, pra ishte e qartë se pati manipulim. Zgjedhjet e 1997 u zhvilluan pas shembjes të shtetit për pasojë të krizës së piramidave nën terrorin e bandave kriminale të Zani Çaushit dhe shokëve të tij, ku e majta u kthye në pushtet me dhunë. Natyrisht që fitorja e PS ishte e manipuluar, sikur u manipulua edhe rezultati i referendumit të Mbretit Leka Zog, ku populli votoi për Monarkinë. Edhe zgjedhjet e 2001 u manipuluan nga PS dhe provat e manipulimit ishin aq flagrante sa faktori ndërkombëtar e detyroi PS që zgjedhja e presidentit të Republikës së Shqipërisë të bëhej nga PD, ku Berisha zgjodhi për President Alfred Moisiun, një gjeneral dhe bir gjenerali të Enver Hoxhës, me të cilin pastaj pati marrëdhënie shumë të acaruara. Edhe e zgjodhi vetë, edhe pastaj nuk e suportonte po ai vetë. Rotacioni i PD më 2005 ishte shumë legjitim pasi qeverisja e majtë kishte dështuar plotësisht, por ky rotacion u bë e mundur vetëm në sajë të Fatos Nanos, paçka se atij kjo i kushtoi karrierën politike, sepse Ruçi me kompani kërkonin me çdo kusht fitoren dhe e kontestuan rezultatin e 2005. Fatos Nano, si kryetar i PS-së kishte qënë edhe kritikues i ashpër i qeverisjes nga Ilir Meta dhe shkak i largimit të tij sepse e kishte denoncuar Metën për afera korruptive sepse vendi ishte gërryer nga trafiqet, mafia dhe keqqeverisja.

 

Mandati i parë i PD-së e nxori Shqipërinë nga listat e zeza. Rruga e Kombit dhe hyrja në NATO ishin kartat e fitores për një mandat të dytë më 2009, paçka se pala humbëse nuk e njohu rezultatin, por pas zgjedhjeve të 2009 Sali Berisha në vend që t’i përkushtohej ruajtjes të profilit politik të PD, si parti e qendrës së djathtë, jo vetëm që hyri në aleancë me Ilir Metën, por i braktisi idealet e dhjetorit dhe e degjeneroi PD në një parti të majtë, pasi i humbi lidhjet me ish-të përndjekurit, me ish-pronarët dhe me njerëzit që e mbështetën, të cilit nuk kishin patur skeletë nëpër dollapë gjatë diktaturës. Qeverisja ndërkohë u gërrye nga militantizmi arrogant, nga nepotizmi dhe hipokrizia e lidërshipit.

Partitë ndërkohë e kanë kthyer në pronë të tyre private KQZ dhe e kanë kthyer drejtësinë në një derivat të pushtetit të tyre. Në Shqipëri nuk njihet formula „të gjithë të barabartë përpara ligjit“ – sepse kush ka në dorë pushtet politik është i privilegjuar, pasi e bën ai vetë ligjin. Prandaj në Shqipëri shteti i së drejtës është një iluzion. Për shembull, Ilirjan Celibashi ish kryetar i këtij Komisioni, sot është kandidat për deputet i PS, dhe kështu me rradhë edhe nga krahu tjetër!

Nëse do të ishte apolitik ky Komision, dhe ashtu do të duhej të ishte, dhe po të ishte ashtu, partitë politike, por edhe shqiptarët do ta bënin gjumin e qetë, se integriteti i votës të tyre, dmth vota e Sovranit do të mbetej e pacënuar.

Po sot e shihni si shqetësohen aq shumë të gjitha palët? Po çmenden, po kalojnë në çmendi. Sepse pushteti politik në Shqipëri nuk e njeh pavarësinë e institucioneve! Në një sistem demokratik pushtetet janë të pavarura, mediat po ashtu. Në Shqipëri, jo, të katër pushtetet janë të varura dhe ndërvarura nga partitë! Kështu edhe institucioni i KQZ.

Dhe sipas logjikës të absolutizmit të pushtetit politik në Shqipëri, kryetarët e partive ngjajnë si feudalë anadollakë dhe deputetët bujkrobër qyqarë.

Me daljen nga koalicioni me PD, largimi i anëtarit të LSI-së nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ugual me largimin e ministrave, nënministrave, drejtorët e drejtorive dhe nënkryetarit të Bashkisë të Tiranës! Kjo është logjika. Logjika e Ed Ramës, e Sali Berishës dhe e Ilir Metës, të cilit Berisha me katër deputetë prej 2009 deri në prill 2013, pra pothuaj për katër vjet rresht, i dha në tabaka 40% të posteve më të larta dhe administratës publike! Sot Ilir Meta po e akuzon Berishën si diversant! Nuk e di se si do t’i përgjigjet nesër Sali Berisha.

Ky është realiteti i hidhur dhe i turpshëm, se pushteti politik i partive ka 22 vjet që e ka cënuar integritetin e KQZ dhe e ka shndërruar në një institucion, të cilit nuk i zë besë asnjëra palë kur kalon në opozitë. Prandaj sot shqetësohen aq shumë kryetarët e partive, sepse KQZ është 100% i politizuar dhe një instrument politik në duart e tyre.

Çfarë mund të bëhet? Po të kishin patur minimumin e vullnetit politik, kryetarët e partive kishin votuar në mënyrë unanime një KQZ të përbërë nga njerëz të ndershëm dhe me integritet, të cilëve pak u interesojnë partitë, kur venë në balancë interesat e vendit të tyre. Dhe Shqiptarë të tillë ka. Por kryetarët e partive pëlqejnë zakonisht njerëzit e njollosur që ata t’i përdorin si marioneta.

Sa i përket formatit që ka sot, ky Komision nuk ka më kredibilitet dhe si i tillë nuk mund t’i mbijetojë sistemit të vlerave të demokracisë. Zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të kontestuara. Sepse kontestimin e prodhon pikërisht politizimi i tej skajshëm që ka KQZ, çka do të thotë se ky Komision nuk është as apolitik dhe as i paanshëm. Kështu e kanë katandisur politikanët, të cilët kanë shkelur me këmbë Kushtetutën! Po, po, kryetarët e partive kanë shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e Shqipërisë! Dhe shkelësit e Kushtetutës dihet se ku e kanë vendin!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, KQZ, opinion, politik

NUK SHKOJ KURRË MA NË MITINGJET E TYNE

March 31, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

nuk do të shkoj kurrë ma në mitingjet e tyne/
të dëgjoj si do të na rrejnë/
ca rrejtarë /
të dalë boje/
që rrojnë aq lluksshëm/
tuj i shitë rrenat e tyne/
se gjejnë budalla/
si puna jonë/

që për 22 vjet nuk lamë miting/
shkuam e stërshkum në mitingjet e tyne/
tuj hangër e tuj pi/
rrena/
tuj i ba keq stomakut/
e trunit/

 

 

se rrenat e tyne
që nuk i hanë as qentë
i shesin si të jenë
të jenë mall bio
pa konservues dhe ngjyrues
sepse gjejnë
prapë e prapë
budallë si na

 

 

a i dëgjoni si ulërojnë
Zot i madh
runa prej tyne
mbyllini veshët me dyll
si veproi Ulisi
sepse janë
ma të rrezikshëm
se Sirenat
ato knonin magjishëm
kta knojnë si gozhdat
që gërvishtin murin
ta çajnë tipanin e veshit
nuk ka gja
më të stonushme
si ata
antimuzikë
antiharmoni
sepse
nuk e njohin zanin tjetër
sepse kështu krijohet
rezonanca
ata nuk njohin askënd
veç zanin e tyne
të çjerrshëm
tuj tjerr fjalë rrejshëm

unë nuk kam me shku
kurrë ma
në mitingjet e tyne
ku rrenën e ngritën
në piedestal
dhe piedestalët
i lanë pa krena

unë nuk kam me shku
kurrë ma
në mitingjet e tyne
sepse e kthyn
gjuhën shqipe
në gjuhë rrenash
e nuk ka dhimtë ma të madhe
me dëgju në gjuhën e nanës
se si po ta ngopin
barkun e trunin me rrena

nuk do të shkoj ma në mitingjet e tyne
tuj e pa veten si delja Dolli
tuj t’i ofru rrenat
pa doreza krejt
tuj të than troç hape
gojën
se po të hedh si në kosh plehnash
rrena
tuj të thanë troç
« jam tuj ta shpla trunin me rrena»
ashtu turpshëm
tuj e sakatos gjuhën e bukur shqipe
tuj i llabuçit nëpër gojë
fjalët e gjuhës shqipe
tuj t’i ofru rrenat
krejt të zhveshuna
lakuriqe ose zhele-zhele
krejt pa ambalazh
qyqanisht
tuj të konsideru si bagëti
e tufëzash kooperativash

nuk shkoj ma në mitingjet e tyne
rrenat e tyne ma nuk i ha
prej 22 marsit 1992
jam çlirue prej vargojve të rrenave

edhe durimi e ka sensin e masës

e kta rrenat e tyne
t’i hajn për veten e tyne
sa herë të dojn
në drekat e tyne të pasura
me proteina rrenash
me karbohidrate rrenash
me 100 përqind rrena
pa organe, pa zorrë, pa zemër,
pa mushkëri, vetëm rrena
edhe pjata e parë
rrena
edhe pjata e dytë rrena
edhe dezerti rrena
edhe në vend të verës
franceze
pini rrenat e juaja
sepse
ky asht malli i juaj

ndërsa unë

nuk shkoj ma në mitingjet e tyne

do të qëndroj sa ma
larg shesheve të mbushur
me smogun e rrenës
që në vend të ajrit të pastër
të bëjnë të frymëmarrësh
helmin e idhtë të rrenës
që ta shkurton jetën

nuk shkoj kurrë ma në mitingjet e tyne
do të rri sa ma larg tyne…

e çlirume prej rrenës
e të jetosh e çlirume prej rrenës
do të thotë ta ndish
shijen e vërtetë të lirisë…

 

Filed Under: Kulture, Sofra Poetike Tagged With: E TYNE, Elida Buçpapaj, MA NË MITINGJET, NUK SHKOJ KURRË

RESHAT KRIPA: DEKLARATA PËR SHTYP NUK U BOTUA NË ASNJË NGA GAZETAT E TELEVIZIONET

March 29, 2013 by dgreca

SHQIPËRIA VENDI KU KATOVICA PO ZBATOHET ME PËRPIKMËRI – I KAM BËRË THIRRJE PD E LIDERIT TË SAJ TË KORIGJOHEN/
Intervistoi ELIDA BUÇPAPAJ/

PYETJE: A u botua Deklarata për shtyp – e Shoqatës tuaj Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë – SHPREHIM INDINJATËN E THELLË QË PRESIDENTI I REPUBLIKËS DEKRETOI KANDIDATURA ME PREJARDHJE NGA REGJIMI, sepse kërkova sot me sy dhe nuk e pashë kund?
RESHAT KRIPA: Për sa i përket deklaratës së shoqatës atë ua dërguam gjashtë gazetave dhe pikërisht gazetave “Metropol”, “Republika”,“Standard”, “Koha Jonë”, “Telegraf” dhe “Shqip” si dhe katër televizioneve“Klan”, “Koha”, “URT”dhe “NTV” por deri më sot asnjëra nuk ka botuar apo transmetuar gjë. Sot u dërguam edhe një E-mail tjetër ku iu kërkojmë arsyen e mosbotimit. Jemi në pritje të përgjigjes. Vetëm gazeta “Telegraf” është përgjigjur deri tani. Sot ua kemi dërguar gjithshtu edhe gazetave “Tirana Observer” dhe “Kombëtare” si dhe “Zërit të Amerikës”. Edhe për këto jemi në pritje.

PYETJE. Në apelin që i bëni Kryetares të Kuvendit, vini re me keqardhje, se shkrimet tuaja nuk botohen në shtypin e Tiranës, keni ndonjë koment për këtë?
RESHAT KRIPA: Predispozicioni i shtypit të Tiranës për shkrimet e mia është shumë i paktë. Përveç gazetës “Metropol” dhe deri diku gazetave “55” dhe“Republika”, te të tjerat ka qenë shumë e vështirë. Këtë jua argumentoj me shembujt e mëposhtëm: Në vitin 2010, nisur nga i njëjti problem, bëra nje shkrim me titullin “A ka media të lirë në Shqipëri?” të cilin ua dërgova disa gazetave por asnjëra nuk e botoi. U detyrova ta botoj në mediat elektronike. Këtë shkrim po jua dërgoj edhe juve për ta patur parasysh se sa i lirë është shtypi te ne. Por kjo punë vazhdon edhe në ditët e sotme. Për mua është e pamundur të botoj një shkrim në gazetën “Panorama” pasi disa shkrime të dërguara njeri pas tjetrit nuk janë botuar. Pothuajse e njejta gjë është edhe me gazetën “Mapo”.

Në këtë gazetë kam botuar gjithsej dy shkrime. Më 24 maj 2011 u dërgova shkrimin “Kur do të shpëtojmë nga kthetrat e komunizmit?”, të cilin po ua dërgoj gjithashtu dhe zv/redaktori i saj më ktheu përgjigje ku më thoshte se shkrimi nuk ishte sipas parimeve të Bordit Drejtues të gazetës. I kërkova kush ishin këto parime dhe m’u përgjigj se ishte e kotë të zgjateshim. Gjithashtu po kjo gazetë nuk ka botuar shkrimet e mia : “A vriten poetët?” datë 11 gusht 2012, “Të përndjekurit politikë dhe qëndrimi i tyre ndaj zgjedhjeve”datë 20 shkurt 2013, “Sindroma komunizëm” datë 6 mars 2013 dhe shkrimi i fundit“Një thirrje Kryetares së Kuvendit” datë 26 mars 2013, shkrime të botuara në median tuaj.

Habia është se themeluesi i kësaj gazete, zoti Henri Çili, merr pjesë në një“Konvent딓Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Përndjekurve Politikë” mbajtur këto ditë në Tiranë dhe nuk boton shkrimet e mia që bëjnë fjalë pikërisht për këto probleme.

PYETJE: Dje dekretet e Nishanit nuk u votuan, për shkak se Ilir Meta nuk i dha votat e tij, si e komentoni mos votimin e dekretit?
RESHAT KRIPA: Për çështjen e dekreteve nuk jam i qarte përse. Nuk besoj se duhet të jetë vetëm shkaku i votave të Ilir Metës. Një kopje të deklaratës ne ia dërguam zyrtarisht edhe zonjës Topalli. Pastaj mos harroni se në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve deputeti Enkelejd Alibeaj abstenoi po për arsyet që shprehnim edhe ne. Kështu që mund të jetë edhe kundërshtimi i një pjesë tjetër të deputetve demokratë shkaku.

PYETJE: Si e shihni faktin se PD sjell në organet më të larta të drejtësisë njerëz me hipoteka?
RESHAT KRIPA: Për problemin e sjelljes së njerëzve me hipoteka në organet e larta të drejtësisë kjo ka qenë një praktikë e vazhdueshme në këto vite të tejzgjatura “tranzicioni”. Kemi shembuj plot duke filluar që nga Fehmi Avdiu që u bë Kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe duke përfundur te këta dy të fundit që kanë qenë në Gjykatën e Lartë. Të tillë gjen plot edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo në Prokuroritë ku si shembull do të sjellë famëkeqin Skënder Breca që edhe u dekorua nga ish Presidenti Topi apo Njazi Jahon dhe Fatmira Laskajn.

PYETJE: A nuk i shihni të tradhëtuara idealet e ish-të persekutuara nga ajo forcë politike që ka 22 vjet që jep premtime dhe kjo shtresë politike ka 22 vjet që u jep votën?
RESHAT KRIPA: Përsa i përket qëndrimit ndaj të përndjekurve politikë do ta ndaja në tre faza. Faza e parë është periudha 1992-1997 ku, për të thënë të vërtetën, u bë diçka në këtë drejtim, si në drejtim të arsimimit, punësimit dhe çështje të tjera të integrimit të tyre në shoqëri.

Faza e dytë është ajo e qeverisjes socialiste 1997-2005. Ajo është periudha më e errët për këtë shtresë. Pushimet në masë nga puna, ndërprerja e arsimimit me preçedencë, rikthim i kuadrove të vjetra në detyra të rëndësishme ishin karakteristikat kryesore të asaj periudhe.

Faza e tretë është kjo e periudhës së dytë të qeverisjes demokratike (2005-2013). Fillimisht u duk sikur diçka do të ndryshonte. U miratua një rezolutë për ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist, ligj që nuk u votua nga socialistët. U miratuan disa ligje për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ku socialistët përsëri nuk morën pjesë dhe filloi zbatimi i tij. U hartua një ligj lustracioni që nuk u firmos nga ish Presidenti Topi dhe që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese me Fehmi Avdiun anëtar.

Të gjitha këto krijuan përshtypjen se gjithçka do të bëhej si në qeverisjen e parë të kësaj qeverie. Por nuk ndodhi kështu.

Rezoluta mbeti vetëm një letër pa vlerë. Nga të gjitha pikat e saj pothuajse nuk u realizua asnjë, vetëm miratimi i ligjit për dëmshpërblimin dhe ngritja e Komisionit për hetimin e krimeve të komunizmit. Por edhe këto sikur kanë ngecur në vend.

Në lidhje me ligjin e dëmshpërblimit nuk kanë përfunduar dy këste ende, megjithse kanë kaluar më shumë se katër vjet nga fillimi i zbatimit, ndërsa për çështjen e Komisionit ai deri tani merret vetëm me ceremoni përkujtimore dhe promovim librash të autorëve të përndjekur. Për të gjitha këto kam shkruar pothuajse në të gjitha shkrimet e mia.

PYETJE: Lideri i maxhorancës akuzon shpesh liderin e opozitës se në PS ka trashëgimtarë të PPSH, dhe kjo qëndron, por në rradhët e PD-së ka po ashtu trashëgimtarë të PPSH, siç është rasti i Ilir Rusmajlit, çfarë komenti keni?
RESHAT KRIPA: Përsa u përket akuzave të ndërsjellta që bëjnë liderët e maxhorencë dhe opozitës midis tyre, ato nuk janë gjë tjetër veçse një demagogji propagandistike në kuadrin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare. Një miku im thoshte: Partia Socialiste është pasardhëse direkte e Partisë së Punës, ndërsa Partia Demokratike u ngjan shalqijve që nga jashtë duken të gjelbër por, po t’i çash, dalin të kuq. Kjo duket në shumë drejtime. Le të shohim qëndrimin që kanë këto ndaj nacionalizmit shqiptar. Bie në sy se të dy forcat politike synojnë ta kalojnë në heshtje këtë nacionalizëm, duke filluar historinë e vendit tonë, si dikur, që nga 29 nëntori 1944. Një gjë e tillë shfaqet në faqet e shtypit të të dy krahëve. Mjafton të përmend një rast të vetëm, figurën e liderit të Ballit Kombëtar, Mit-hat Frashëri. Kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Hartimit të Alfabetit, Ministër i Botores në qeverinë e Ismail Qemalit, Pjesmarrës i Konferencës së Paqes në Paris më 1920, Ambasador dhe plot detyra të tjera të rëndësishme. Çfarë është bërë për vlerësimin e kësaj figure? Asgjë. Asnjë përmendore, asnjë rrugë, asnjë shkollë, asnjë institucion shtetëror apo kulturor nuk mban emrin e tij. Mos vallë nuk e meriton? Përse? Sepse nuk duan. Me pak fjalë Shqipëria është vendi ku politika e Katovicës po zbatohet me përpikmëri.

PYETJE: Zgjedhjet po trokasin tek dera, çfarë mendimi keni për zhvillimin e tyre ?
RESHAT KRIPA: Për sa u përket zgjedhjeve mendoj se jemi në udhëkryq. Kemi vetëm dy alternativa. Nga njëra anë janë socialistët që, për të qenë realist, kanë qenë gjithmonë kundërshtarët tanë dhe të përndjekurit politikë nuk mund të bashkohen kurrë me ta. Nga ana tjetër demokratët të cilët karakterizohen nga një demagogji e madhe propagande duke realizuar vetëm fare pak. Forcat e tjera politike janë inekzistente në Shqipëri. Të tilla janë, për fat të keq, edhe partitë nacionaliste që pretendojnë se ruajnë parimet e partive të vjetra nacionaliste. Do të kishim dashur që të kishte një pol të tretë ku ndoshta mund të mbështeteshim por, për fat të keq ai nuk ekziston.

Një mundësi tjetër është bojkotimi i zgjedhjeve. Por cili do të ishte përfundimi i këtij bojkotimi? Në favor të cilit do të shkonte? Me siguri në favor të socialistëve dhe një gjë të tillë ne nuk e duam. Ndaj them se jemi në një udhëkryq. Ndaj kam kohë që në shkrimet e mia i bëj thirrje Partisë Demokratike dhe liderit të saj që të bëjnë korigjimet e duhura. Jemi në pritje por ditët po ikin dhe shenjat tregojnë se nuk do të bëhet asgjë në lidhje me ato që ne kërkojmë… Atëherë çfarë duhet bërë? Problemi mbetet dilemë. Jam kryetar i nje dege të rëndësishme të një shoqate të përndjekurish megjithatë, si i tillë, jam i detyruar të veproj sipas vendimeve që merr shumica e kësaj shoqate. Ndaj do të presim dhe do të vendosim.

Lidhur me këto tema mund të shkruash faqe të tëra, por mendoj se për sot mjafton me kaq për të krijuar një ide të qartë të pikpamjeve të mia. Përshëndetje miqësore

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, interviste me Reshat Kripa, katovica, shqiperia

PERIKLIU E PERKUFIZON DEMOKRACINE E-UNE PYES A NDODH KESHTU NE SHQIPERI?

March 20, 2013 by dgreca

OPINION Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Për të kuptuar se ku jemi 23 vjet pas rrëzimit të diktaturës le t’i përballim pohimet e Perikliut me realitetin shqiptar. Le të vendosim përballë Perikliun me burrështetasit tanë. Për nga koha që ka rrjedhur postperikliut, do të duhej që burrështetasit tanë t’i jepnin leksione atij, por ndodh e kundërta. Perikliu i biri i një gjenerali athinas ishte një burrështeti, orator dhe strateg gjatë periudhës të artë të qytetit, e cila mban emrin e tij e njihet si Shekulli i Perikliut, kur lulëzoi demokracia dhe vendi e Athina u quajt kryeqyteti i botës intelektuale, artistike e politike. Ai lindi e jetoi rreth 5 shekuj përpara lindjes të Krishtit, dmth rreth 2500 vite më parë.

Tuqididi për shkak të ndikimit të madh që kishte tek athinasit e thërriste “Qytetari i parë”. Tuqididi do të mbante edhe fjalimin në përcjelljen e fundme që iu bë Perikliut, i cili mbetet  edhe sot si njëri prej kulmeve të oratorisë, ku midis të tjerave thotë:”Bota e gjithë është një varr për njerëzit e famshëm; ata nuk nderohen vetëm prej kollonave të mermereve dhe mbishkrimeve në vendet e tyre, por në vendet e huaja në vend të varreve memoriale prej guri ata jetojnë në zemrat dhe mendjet e njerëzve.“

Perikliu ishte edhe populist, por jo demagog. Në kohën e tij pati një lulëzim të paparë të arteve dhe letërsisë. Perikliu do të mbështeste ndërtimin e shumë veprave të Akropolit, përfshi edhe Partenonin, që edhe sot e kësaj dite mbeten krenaria greke. Këto projekte i dhanë qytetit namin e mirë, dhe krijuan mundësi pune e jete të mirë.

Fjalimet e Perikliut si orator janë të famshme. Unë këtu po sjell fjalimin ku ai i drejtohet athinasve, në vitin 461 para Krishtit, që i ka rezistuar mrekullisht dy milenarëve e gjysëm, dhe tingëllon sikur Perikliu po e mban sot për të shpëtuar Greqinë nga kriza. Këtë fjalim e ka përkthyer në mënyrë brilante intelektuali i njohur Daniel Gazulli, i cili nuk ka shumë kohë që është larguar nga kjo botë. Përkthimi është bërë në një gegnishte shumë elegante dhe ka një tingull shumë të bukur në shqip. Kam bindjen se këtë përkthim Gazulli duhet ta ketë bërë për t’i dhënë model politikës shqiptare, e cila ka kohë që nuk lexon asnjë libër dhe nuk kujdeset po ashtu as për kulturën dhe as për vlerat.

Në fjalimin e tij Perikliu definon demokracinë në Athinën antike atje ku edhe ajo lindi. Fjalimin e tij unë po e vendos në një plan krahasues me realitetin shqiptar sot, për të parë se ku jemi.

Perikliu thotë: “Në Athinë qeveria jonë favorizon shumicën e jo pakicën: prandaj ajo quhet demokraci.” E unë pyes a ndodh kështu në Shqipëri?

Perikliu thotë: “Ligjet këtu sigurojnë një drejtësi të barabartë për të gjithë” – E unë pyes a ndodh kështu në Shqipëri?

Perikliu thotë: “Kur një qytetar dallohet, atëherë ai asht ma i preferuem se të tjerët, dhe thirret që t’i shërbejë Shtetit, por kjo jo si një previlegj për të, por si shpërblim për meritat” – E unë pyes- a ndodh kështu në Shqipëri? –

Perikliu thotë: “Liria që gëzojmë shtrihet edhe mbi jetën e përditëshme; na nuk jemi dyshues njeni për tjetrin e nuk i sjellim kurrë bezdi të afërmit nëse atij i pëlqen të jetojë në mënyrën e vet. Na jemi të lirë, të lirë të jetojmë ashtu si na pëlqen e megjithate jemi gjithmonë të gatshëm t’i bajmë ballë çdo rreziku.” – E unë pyes – ndodh kështu në Shqipëri?

Perikliu thotë: “Ne na kanë mësue t’i respektojmë gjyqtarët, na kanë mësue të respektojmë ligjet e të mos harrojmë kurrë se duhet të mbrojmë ata që fyhen. Ne na kanë mësue gjithashtu të respektojmë ato ligje të pashkrueme që bajnë pjesë në ndjenjën universale mbi çka asht e drejtë e mbi çka asht e pranueshme.” E unë pyes – a ndodh kështu në Shqipëri?

Perikliu thotë: “Një njeri që nuk interesohet për Shtetin na e konsiderojmë të parrezikshëm, por edhe të padobishëm; edhe pse janë të paktë ata që mund të kontribojnë në jetën politike, të gjithë këtu në Athinë jemi në gjendje të gjykojmë për te.” – E unë pyes – ndodh kështu në Shqipëri? Perikliu thotë: “Na nuk e konsiderojmë diskutimin pengesë në rrugën e demokracisë.” – E unë pyes – a ndodh kështu në Shqipëri? Perikliu thotë: “Na besojmë se lumtunia asht e ardhmja e lirisë, por liria duhet të jetë vetëm fryt i vlerave.” – E unë pyes – a ndodh kështu në Shqipëri? –

Këtë pyetje jua drejtoj edhe ju. A ndodh kështu në Shqipëri?“

Filed Under: Opinion Tagged With: Demokracia e perkufizuar nga perikliu, dhe Shqiperia, Elida Buçpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT