• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kompromisi Cipras – Zaev: Republika e Maqedonisë së Veriut

June 12, 2018 by dgreca

Pas grindjes shumë vjeçare kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Cipras, ranë dakord për një kompromis për emrin e ish-republikës jugosllave.1 ok zaev Tsipras

“Fqinjët tanë do të mbajnë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Cipras të martën (12.06) në një fjalim që u transmetua nga televizioni shtetëror grek (ERT) . Më e rëndësishmja e kësaj marrëveshjeje, sipas Ciprasit, është që fqinji verior nuk mund të ngatërrohet më me Maqedoninë antike greke.

Këtij kompromisi i kanë paraprirë bisedime prej disa muajsh mes dy shteteve të Europës Juglindore nën mbikqyrjen e OKB-së.

Në këmbim të ndryshimit të emrit Athina këtej e tutje nuk do të pengojë më antarësimin e kësaj republike në NATO dhe në BE, deklaroi Cipras. Parlamenti grek megjithatë do ta ratifikojë këtë vetëm pasi qeveria e vendit fqinj ta ketë vënën në jetë këtë ndryshim kushtetues, vuri në dukje kryeministri grek.

Grindja për emrin është hapur qëkurse Maqedonia më 1991 shpalli pavarësinë nga ish-Federata e Jugosllavisë. Greqia e refuzonte emrin e shtetit Maqedoni, sepse në veri të saj ndodhet provinca greke me të njëjtin emër. Athina i druhet pretendimeve eventuale territoriale nga fqinji verior e si rrjedhojë deri më sot i ka penguar përpjekjet e Maqedonisë për antarësim në NATO dhe BE. Si anëtare e OKB-së deri më tani Maqedonia ka vepruar nën emërtimin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Compromise, emri, Greqi-Maqedoni

Shtohen zërat për dhe kundër zgjidhjes së kontestit të emrit

March 4, 2018 by dgreca

Nga Isuf Kadriu/1 Maqedoni ok

Ne Foto:Protestë në Shkup kundër ndryshimit të emrit kushtetues të Maqedonisë, organizuar nga lëvizja “Emri ynë është e drejta jonë”, e diel, 4 mars 2018/

Procesi i bisedimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë, ka hyrë në fazën më të vështirë pas qëndrimit të fortë të palës greke, e cila kërkon që zgjidhja të përfshijë jo vetëm ndërrimin e emrit të shtetit, për përdorim të brendshëm dhe jashtëm, por edhe ndryshimin e Kushtetutës, që nënkupton edhe një formulim të ri për identitetin, gjuhën dhe çështje tjera.

Kjo ka bërë që të rriten pakënaqësitë edhe pse në opinion tani është hapur debati nëse ndërrimi i emrit dhe i Kushtetutës rrezikon edhe identitetin, pasi njohës të çështjeve politike dhe të historisë, thonë se identiteti shtetëror dallon nga ai i ndjenjës së përkatësisë etnike brenda shtetit.

Por, nga ana tjetër, në mbrojtje të emrit aktual, është ngritur edhe Kisha ortodokse maqedonase, e cila kërkon ndërprerjen e bisedimeve, ngjashëm sikur edhe Kisha greke, e cila kohë më parë mbajti protesta në Athinë dhe Selanik në mbrojtje të pozicioneve të palës greke.

“Vetëm Zoti mund ta shpëtojë Maqedoninë, pasi pa Zotin, atdheu, kombi ynë dhe kisha nuk do të ekzistojnë në kohën kur jemi të nënçmuar deri në skajshmëri. Këtu mund të na ndihmojnë edhe grekët pasi nëse ata nuk heqin dorë nga vijat e kuqe, procesi i bisedimeve do të dështojë se ne do të shpëtojmë, nuk do të ndryshojmë as emrin e shtetit, e nuk do të humbim as identitetin e as gjuhën”, ka deklaruar në tubimin e fundit në Shkup peshkopi Petar nga Kisha ortodokse maqedonase.

Ai ka bërë thirrje për unitet, ndërsa ka drejtuar akuza ndaj partisë në pushtet të kryeministrit Zoran Zaev për heqje dorë nga interesat shtetërore dhe kombëtare.

Pavarësisht kundërshtimeve që duken se po e vështirësojnë procesin, Nano Ruxhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO dhe profesor i së Drejtës Ndërkombëtare beson se problemi do të ketë zgjidhje.

Ai e arsyeton protestën e organizuar nga kisha duke theksuar, madje, se ajo mund të ketë edhe efekte të mira për t’ia bërë të qartë palës greke se edhe këtu ka njerëz që nuk janë të kënaqur me zgjidhjet që ofrohen.

Pamje nga protesta në Shkup, e diel 4 mars 2018.
Pamje nga protesta në Shkup, e diel 4 mars 2018.

“Është më se normale të ketë protesta, dhe kjo është një gjë e mirë që t’i tregojmë palës greke se edhe ne këtu kemi njerëz që nuk janë të kënaqur dhe se ai që nënshkruan marrëveshjen, mund të rrezikojë shumë. Por, në anën tjetër, gjithashtu vlerësoj se është mirë që këto protesta nuk u mbështetën të paktën deklarativisht nga VMRO-ja që nënkupton se mund të kemi një konsensus për mbylljen e problemit”.

“Unë jam optimist se zgjidhje mund të ketë, ndoshta deri në qershor. Është një mundësi e mirë për vendin pasi për herë të parë në këto 27 vjet sa ekziston ky kontest, kemi qëndrim të qartë nga Qeveria se është e gatshme për kompromis dhe tash ajo ka bërë të ditur se pranon një emër me përcaktim gjeografik dhe, madje, ka dalë edhe me katër emra konkretë”, vlerëson Ruxhin.

Sa i përket debatit për identitetin dhe pretendimet se me ndryshimin e emrit, mund të ndryshohet edhe identiteti, Albert Musliu, analist politik, thotë se kjo nuk qëndron. Ai këtë e sqaron me rastin e shqiptarëve, të cilët janë shtetas të Maqedonisë, por në anën tjetër askush nuk mund t’ua mohojë përkatësinë e tyre kombëtare.

Për gjendjen e krijuar, Musliu fajëson partitë, të cilat siç thotë, këtë problematikë gjithmonë e kanë shfrytëzuar për përfitime politike.

“Unë mendoj se emërtimi i shtetit nuk ka se si të ndikojë në destabilizimin e vendit apo në ndryshimin e identitetit tim etnik. Nëse ne nuk i marrin për bazë politikanët dhe nëse shkenca inkuadrohet në mënyrë të duhur dhe nga ana tjetër, politikanët të bëhen të përgjegjshëm dhe jo të shohin interesin e momentin, unë mendoj se edhe ajo frikë, e cila është legjitime te qytetarët, pasi ajo është e pranishme kur shohin se si çdo ditë bombardohen se do të humbin identitetin e gjuhën, atëherë nuk shoh unë se si mundet që emërtimi i shtetit, realisht, të ndikojë në humbjen e identitetit të komunitetit më të madh në Maqedoni”, konsideron Musliu.

Ndryshe, palët pritet t’i qartësojnë pozicionet e tyre gjatë vizitës së paralajmëruar në Shkup të shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijac.

Ende s’dihet data e vizitës së tij, por asaj i paraprinë heqja e emrit “Aleksandri i Madh”, që mbante Aeroporti i Shkupit, si dhe i autostradës në drejtim të Greqisë që tani quhet “Miqësia”.Këto veprime janë ndërmarrë nga Shkupi si shprehje e gatishmërisë për forcimin e raporteve apo për t’i dëshmuar Greqisë se Maqedonia nuk ka qasje irredentiste siç pretendon Athina, e cila vlerëson se heroi Aleksandri i Madh i takon Greqisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: emri, Issue Kadriu, maqedoni, pro dhe kunder

Themelim apo ndërrim emri?!

July 12, 2016 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Kolumbus, Ohajo/

Përmes faqes së internetit“Lapsi.al” të datës 11 korrik 2016, u njoha me ftesën e mëposhtme që Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama, i ka dërguar anëtarësisë së saj:“25 vjet prej themelimit të Partisë Socialiste, e bëjnë festën e ditëlindjes së këtij viti një moment të posaçëm ritakimi mes brezash, për të kremtuar së bashku arritjet dhe sfidat e familjes sonë të madhe politike. Me dëshirën që të ndajmë këtë moment të gëzuar së bashku, shpresoj të takohemi në mjediset e shtëpisë sonë në Tiranë”.

Vëllazërisht

Edi Rama

E martë, 12 korrik, ora 19:00

Lulishtja pranë Selisë së Partisë Socialiste”.

Me këtë rast, dëshiroj, së pari, të theksoj se më bëri shumë përshtypja fjala “themelim” që përmend Kryeministri Rama në ftesën e vet. Të rinjtë socialistë poshtë moshës 25-vjeçare janë të bindur se Partia Socialiste është themeluar në vitin 1991. Ata nuk e dinë që mbarë populli shqiptar është dëshmitar i drejtpërdrejtë i daljes në skenë të Partisë Socialiste më 12 qershor 1991. Kjo parti, pikërisht në këtë datë, në Kongresin e dhjetë të Partisë së Punës të Shqipërisë, thjesht ndërroi emrin nga Parti e Punës në Parti Socialiste. Pra, nuk pati kurrfarë themelimi. Se themelimi i një partie politike ka një tjetër ecuri. Në atë kongres nuk u deklarua shpërbërja dhe shpërndarja e Partisë së Punës, e cila periudhën mes viteve 1980-1990 e mbylli me një dështim shembullor në qeverisjen e vendit, të shoqëruar me një varfërim të mbarë popullit deri në përmasa mitike, si në asnjë tjetër vend socialist të Evropës Lindore. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Pra, u bë vetëm ndërrimi i emrit të një partie komuniste në parti socialiste. Dhe anëtarët e saj, me në krye krerët komunistë, u gdhinë komunistë dhe në pasditen e 12 qershorit u ngrysën socialistë. Faktikisht, nga komunistë, u shndërruan në neokomunistë, por tashmë në kushtet e pluralizmit politik.

Së dyti, meqë do të mblidheshin në shtëpinë e tyre, siç e quan Kryeministri Rama selinë e Partisë Socialiste, për të festuar 25-vjetorin e ndërrimit të emrit, normalisht, nuk duhej të harronin të ftonin në festën e tyre edhe fqinjin që kanë në shtëpinë pranë. Se ne e kemi zakon që kur kemi festë, fqinjin e shtëpisë gjithmonë e ftojmë të ndajmë gëzimin me të. Pra, e kam fjalën për fqinjin e shtëpisë socialiste, Janullatosin, të cilit Ramiz Alia, udhëheqësi shpirtëror i socialistëve shqiptarë, në takimin me Micotaqisin më Tiranë më 13 janar 1991, pranoi t’i dorëzonte fronin e kishës ortodokse fanoliane. Do të ishte një rast ideal për të parë se si socialistët, duke filluar nga Kryeministri Rama, si gjithmonë,do të puthnin me radhë veladonin e Janullatosit. Se, ashtu si edhe Ramiz Alinë, edhe Janullatosin e kanë udhëheqës shpirtror. Prandaj jo më kot, në Projektkushtetutën e vitit 1998, ata hoqën nenin e Projektkushtetutës së vitit 1994, sipas të cilit krerët e kulteve fetare duhet të jenë me gjak, me prejardhje dhe me shtetësi shqiptare, duke i çelur shtegun ardhjes së Jalullatosit në krye të kishës dhe hedhjes në harresë të veprës së lavdishme të Fan Nolit.

Së treti, në ftesën e vet Kryeministri Rama e fton anëtarësinë socialiste të kremtojnë së bashku arritjet dhe sfidat e familjes së madhe politike.

Domosdo. Partia Socialiste, gjatë këtyre 25 vjetëve që kanë kaluar pas ndërrimit të emrit, ka se çfarë tëkremtojë si arritje të shënuara në qeverisjen e vendit. Le të mos shkojmë larg, por të ndalemi në këto tre vjetët e fundit të qeverisjes së saj.

Pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013, Partia Socialiste trashëgoi nga Partia Demokratike plantacionet e drogës së Lazaratit. Brenda këtyre tre vjetëve, qeveria socialiste e lazaratizoi krejt territorin e vendit. Kjo është me të vërtetë një arritje e madhe që ka kërkuar shumë mund dhe djersë për t’u realizuar, pasi për eksportimin e drogës jashtë vendit, nuk mjaftonin vetëm mjetet e transportit tokësor dhe detar, por duheshin përdorur edhe fluturakët e vegjël që endeshin poshtë e përjetë qiellit shqiptar

Gjatë qeverisjes socialiste është vënë re vjedhja e thesarit dhe grabitja e bankave ditën për diell. Sigurisht që vjedhje dhe grabitje të tilla kërkojnë esnafë të kalibrit të lartë, të cilët vetëm shteti di si t’i organizojë dhe t’ua fshehë gjurmët me merak.Prandaj edhe kriminelët e këtyre vjedhjeve dhe grabitjeve kanë mbetur të pazbuluar deri tani. Sepse kur krimi nuk zbulohet, autor i tij është vetë shteti

Gjatë këtyre tre vjetëve të fundit,është vënë re një braktisje masive e vendit nga ana e qytetarëve të thjeshtë, për të kërkuar azil ekonomik në vendet e Bashkimit Evropian. Kur u liberalizua heqja e vizave gjatë viteve që qeveriste Partia Demokratike dhe deri në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013, nuk u vu re anjë braktisje e vendit nga qytetarët shqiptarë. Madje anjëri prej atyre që shkonin në Evropën Perëndimore për të takuar të afërmit dhe fëmijët, nuk kërkoi azil, por u kthye në atdhe. Krejtësisht e kundërta ndodhi me rikthimin në pushtet të Partisë Socialiste në qershor të vitit 2013: sipas të dhënave që janë bërë publike në mjetet e informimit masiv, këto tre vjetët e fundit vendin e kanë braktisur mbi 100 mijë qytetarë.

Në këto tre vjet të qeverisjes socialiste, me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe shtimin e taksave, qytetarëve po u kanoset varfëria e viteve ’80, të cilën ua imponoi me dhunë diktatura komuniste.

Pra, rezulton se Partia Socialiste, si pasardhëse e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, nuk mund të heqë dot dorë nga politika e varfërimit të shtresave të gjera të popullit, sepse, sipas këndvështrimit të saj komunist, sa më i varfër të jetë populli, aq më i bindur dhe më i nënshtruar bëhet ai dhe, për pasojë, aq më afatgjatë bëhet qeverisja e saj. Pikërisht sipas modelit të qeverisjes së Putinit në Rusi.Ёshtë me të vërtetë paradoksale kur e mendon që neokomunistët shqiptarë me mantel socialist, kërkojnë që vendi ynë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ama të qeverisin sipas modelit putinian.

Prandaj, në këtë 25-vjetor të ndërrimit të emrit, socialistët kishin se me çfarë të krenoheshin gjatë qeverisjes së fundit trevjeçare. Sepse neokomunistët, ashtu si edhe etrit e tyre komunistë, nuk i njohin disfatat.

Kolumbus, Ohajo

12 korrik 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: apo ndërrim, emri, Prof. dr. eshref Ymeri, Themelim

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT