Nga Astrit Lulushi/
Që nga kohërat më të largta, ndoshta që kur Perëndia dënoi Abelin për vrasjen e vëllait të tij, individit gjithmonë i është dashur të luftojë me njerëzit përreth a më tej. Dhe si mjet për të mbijetuar ai zgjodhi privatsinë a kujdesin për vete. Të bëhesh vetja është punë shumë e vështirë, sepse shpesh ndjehesh i vetmuar, dhe ndonjëherë i frikësuar. Por asnjë çmim, thotë Rudyard Kipling (..v1936), nuk është shumë i lartë të paguash për privilegjin e zotërimit të vetes.
Dhe liria e vetme që meriton të quhet e tillë, është ajo e ndjekjes së të mirës për vete, sipas mënyrës tënde, për sa kohë që nuk përpiqesh të privosh tjetrin nga mënyra që ka zgjedhur, apo të pengosh përpjekjet e tij për të fituar po të mirën për vete. Dhe këtu vijmë tek Aristoteli (..v322 pes), i cili thotë se shumë gjerëz, në mos të gjithë, i kushtojnë më shumë vemendje gjërave që kanë vetë në zotërim, sesa atyre që kanë kolektivisht me të tjerët.
Cdo njeri është kujdestar i shëndetit të vet, qoftë trupor, mendor e shpirtëror. Por njeriut i duket se përfiton më shumë për vete duke i shkaktuar vuajtje tjetrit, i cili pastaj hidhet në luftë për të mbijetuar a jetuar siç i duket atij mirë për vete, sesa të jetojë siç është mirë për të tjetrin. Kjo duket se është zanafilla e të gjitha konflikteve dhe luftrave në botë. Ka nga ata që thonë se çlirimi i njerëzimit – liria fizike, mendore e shpirtërore – nuk është gjë tjetër veçse ëndërr, dhe kanë të drejtë, shkruan poeti Archibald MacLeish (..v1982), sepse ajo është Ëndrra Amerikane.