• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DAJË ZAKU – MYRTEZA DROGU DHE NJË ËNDËR E MUROSUR

June 14, 2020 by dgreca

nga Shpend Sollaku Noè*/

Kur të mbroje ligjin konsiderohej nder/

Rasti sjell jo rrallë edhe në zbulime të rëndësishme, sidomos shpirtërore, pse jo edhe historike. Kështu ndodhi pas botimit tek grupi FB Lushnje Undergruond i një fotoje esklusive të tragjedianit të madh shqiptar Et’hem Haxhiademi. Ai kish dalë, një ditë të largët të vitit 1928, para Nëprefekturës së at’hershme të Lushnjes, në mes të dy xhandarëve. Portreti Haxhiademit tashmë  është i njohur nga çdo shqiptar me sadopak kulturë. Dy të tjerët në foton e sipërpërmendur për mua dhe frekuentuesit e shumtë të atij grupi ishin krejt të panjohur. Të paktën deri tek arritja e një mesazhi nga Fatbardha Drogu Sefa: “Shpend, ai majtas tragjedianit është babai im, Myrteza Drogu! Kam edhe foto të tjera të asaj kohe. Është ai, pa dyshim!”

   “Ai është dajë Zaku!?”- i them. Mua më mbërthejnë emocionet. Myrteza Drogu është daja i mamasë time, Shadies. Unë nuk kisha sesi ta mbaja mend. Ai kish ikur nga kjo botë kur isha vetëm dy vjeç. Atë figurë fisnore, sidoqoaftë, e kisha të gozhduar në mendje si nga më të rëndësishmet e fisit. Nëna ime e kishte pasë dashur shumë dhe e përmendte shpesh dajën e vet. Edhe fëmijët e tij për ne ishin vëllezër e motra të vërteta, të pranishëm të përhershmëm në jetët tona deri sot e kësaj dite.

Myrteza Drogu kish studiuar në Itali. Kish marrë mësime në jurisprudencë dhe ekonomi, i kish përforcuar e thelluar ato me qëllimnin e përdorimit të dijeve në fushën e rendit.

Si shumë bashkëkohës të tij edhe ai nuk mbeti në Itali. Magneti i Shqipërisë tërhiqte fort rreth vetes. Të panumërt  shembujt e intelektualëve – artistë, shkrimtarë e specialistë – që u kthyen për të forcuar shtetin e ri shqiptar.

Shteti kish nevojë në konsolidimin e forcave të rendit me njerëz të ditur dhe të përkushtuar.

Myrteza Drogu e pranoi me entuziazëm emërimin si Komandant Xhandarmërie në Kolonjën e at’hershme të Myzeqesë, qendër e rëndësishme e zonës. Aty, si edhe më pas, në Lushnje – siç e risjell fotoja me Haxhiademin – rezultatet qenë të shkëlqyera, deri në shifrat më të ulëta të kriminalitetit ordiner në rang vendi. Dhe këtu mos më sillni shembujt e myzeqarëve të butë, pasi ato janë vetëm barcaleta. Ndërkaq myzeqarët, lushnjarët në veçanti, hynin e dilnin në Itali pa asnjë lloj pengese, të mbështetur nga një administaratë e efektshme. Pronat dhe aktiviteti i tyre tregtar ishte i mbrojtur nga zbatimi i fortë i ligjit – liri veprimi që solli në ato vite një bum të vërtetë në ekonominë lushnjarë dhe në Myzeqenë përreth.

Eh, Dajë Zaku. Ime më të kujtonte shpesh, dhe mburrej që pajën për t’u martuar në Berat ia kishe falur ti, të gjithë të blerë në Itali, mëndafsh e ar, qëndisur me dorë dhe materiale të tilla që mbijetuan deri në ditët e sotme. Kishe shkuar posaçërisht në Bari për t’ia blerë.

Dajë Zaku – Myrteza Drogu i lindur dhe i rritur në Krujë, trapiantuar në Lushnje për dashurinë ndaj punës e njerëzve të tij.

Andej, nga krutanët.

Kështu cilësohej pjesa e lagjes Teqe në Lushnje, kur duhej të merrje një drejtim apo të të adresonin për diku. 

Krutanët e parë në Lushnje qenë Myjët, në fillim të shekullit të kaluar.

Shaban Myja, babai i nënës time, ka një histori që meriton vëmendje të vetën. Ai ishte pinjoll  i një familjeje të lashtë krutane  me tradita bektashiane. Familja e gjyshit u detyrua  të transferohej larg qytetit të Kastriotëve për diçka që në ato kohëra u quajt hasmëri, por që, në dritën e hulumtimeve të mëvonshme, mori gjithmonë e më shumë kontorne politike. Myjat kanë qenë latifondistë. Familja e tyre kish përkrahur pa rezerva, me forza njerëzore dhe ekonomike, lëvizjen për pavarësinë nga Turqia. Kjo përkrahje ish bërë edhe shkaku që gjysh Shabanit tʼi bëhej atentat nga një proturk i paguar prej pushtuesit. Në çastin e atentatit Shaban Myja ishte i shoqëruar nga një kushëri i tij me mbiemrin Kaçaçi, edhe ai ndër përkrahësit e Pavarësisë. (Nipi i Shabanit- avokati Mustafa Kaçaçi, më vonë u bë figurë e spikatur e Luftës së Dytë në Shqipëri. Ai u shpall, pas vrasjes në Krujë, «Hero i Popullit»). Me të ishte dhe një krutan i tretë, njeri i besuar.

Kur mercenari krutan, mes pazarit të Krujës, kërkoi të zbrazë armën kundër Shaban Myjës, kushëriri Kaçaçi ish tregur më i shkathët: qëllon atentatorin dhe e lë të vrarë. Shabani dhe dy të tjerët shpallen të kërkuar prej administratës turkoshake. Kaçaçi dhe i pranishmi i tretë largohen me emra të rremë për në Turqi. Gyshi im, përkundrazi, nuk deshi të braktisë Shqipërinë.

Familja e tij u trasferua në Lushnje, aso kohe një qytet i vogël, i papreferuar, në të cilin menduan të maskoheshin duke ndërruar edhe mbiemrin nga Myja në Kruja.

Në ato vite Lushnja, nga banorët e tjerë të Shqipërisë, konsiderohej vend i izoluar, pranë kënetës, me njerëz të mirë, prandaj mund të quhej një vend i sigurtë për të përndjekurit. Lagjia në të cilën u vendosën Myjët në Lushnje ishte periferike. Në rast bastisjeje, që prej shtëpisë së tyre mund të largoheshin në kodrat përreth me shpejtësi. Me ardhjen e tyre në atë qytet nisi edhe këmbimi i mbiemrit nga Myja në Kruja.

Ata u përshtatën mirë me vendasit që në fillim, duke u bërë miq shtëpie me Sefët, Haxhinjtë, Xhafët e të tjerë, më vonë të konsoliduar edhe me anë krushqirash.

Kolonia e krutanëve të Lushnjes u konsolidua sidomos pas ardhjes në këtë qytet të Myrteza Drogut. Ai  ndoqi pas Myjët për të mos i lënë vetëm përballë një hakmarrjeje të mundshme. Edhe emërimi i tij në Lushnje është  bërë sipas kërkesës së vetë Myrtezait në administraën qendrore të kohës. Në Krujë mbeti vëllai tij, babai i Teqesë Islami, të cilit sot i kushtohet Turbja e ringritur në Krujë. Nëpërmjet të bijës së babait të teqesë, Zyrasë, apo Syrit, siç e thërrisnim ne, krutanët e Lushnjes i mbajtën të gjalla lidhjet me Krujën. Një ndër të paktat foto të Islam Drogut, m’u soll prej mbesës së tij, Dhurata Qesja Osmënaj, që sot jeton në Vlorë. 

Krutanët  e Lushnjes nisën të merren me aktivitet që i menduan më të mundshme për të mbijetuar: hapën bujtina, klube e restorante. Ndërsa burrat merreshin me këto lloj aktivitetesh, gratë ndërkaq kishin hapur shërbimin e punës së dorës, sidomos, të qepjes së jorganëve dhe dyshekëve, që shpuri në një zëvendësim të shpejtë të rrogozave nga një pjesë e mirë e popullsisë vendase. Brezi i ri i krutanëve. i lindur në Lushnje, u integrua më së miri në shoqërinë vendase, u arësimua brenda kushteve të mëvonshme, dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, sidomos në arësimin, artin, letersinë dhe mjekësinë lushnjare, pse jo edhe në artizanatin e saj.

Ajo shtëpi mbi gronë

Në zonën e krutanëve kam kaluar një pjesë të fëmijërisë. Isha i lidhur më atë ambient jo vetëm sepse atje kisha dajë Hajdarin, teze Xhemilen dhe hallë Bulen, të shoqen e dajë Zakut. Atje kisha shumë moshatarë apo afër moshës time, duke filluar që nga fëmijët e dajave Xhemali, Shqiponja, Fatimeja, Eduarti, Mirela, Rezana, Mimoza deri tek Shpëtimi i tezes apo Çimi i Bules. Të tjerët, Dashnori, Shabani, Fatimeja, Kija, Hyseni, Alushi, Mustafai, Lumturia, Fatbardha, Begatori e Natasha, ishin me moshë më të diferencuar prej nesh, por kjo nuk na pengoi aspak të ruanim deri tani një miqësi të ngrohtë vëllazërore.

Luanim sidomos dokër, katipiti, polic-hajduti, kush e ka, orthi minorthi, Bëzzz!. Vraponim gjithë ditën, fshiheshim rishfaqeshim, qeshnim e ulërinim aq sa na e mbante gërmazi. Kodra, grona, shpella e prrocka ishin skena e spektakleve tona të mahnitshme, shoqëruar shpesh nga kënga e peligorgave, në qetësinë fantastike kur duhej të fshiheshim.

Kjo ishte zona e krutanëve. Me ne përzjeheshin edhe fëmijë e shtëpive përreth me të cilët na lidhte sinqeriteti dhe miqësia e pakushtëzuar. Një lagje e mrekullueshme, ndoshta e pagjendshme asgjëkund. Për të arritur atje, shpesh, pas mbarimit të mësimeve, ia jepja vrapit, nga lagjia ku kishim shtëpinë deri atje. Për t’u shfryrë me të gjitha forcat.

Pa dyshim vendi më ideal për të luajtur ishte ai përballë gronës së madhe. Kështu e quanim vendin mbi të cilin ngrihej shtëpia e Dajë Zakut.

E parë nga poshtë – një shembëlltyrë kështjelle. Një ambient i brishtë, plot lule e pemë, me një hije të këndshme si askund, gjatë vapës së madhe. Përreth saj nuk më harrohen rrushtë, shegët, fiqtë dhe hinxat. Dhe frika se mos bije poshtë nga grona, siç i thoshim thepisjes nën oborrin e shtëpisë.

Ajo rrugicë e ngushtë që shërbente për të çuar tek Drogët, i ndante ata nga një kopësht tjetër i habitshëm, ai i Koduzëve, i mbetur në mendjen time me pemë të larta, sidomos ullinj, por edhe sepse prej atij kopshti të pakufishëm ne fëmijët kuptonim ardhjen e vërtetë të pranverës: atje çelnin për herë të parë manushaqet.

Në fund të asaj rruge- shtëpia e një tjetër personazhi të rrallë të fëmijërisë time: Rakip Kurti – dibrani i mënçur e zemërmadh, burri i tezes time Mile. Nuk e di sepse s’më hiqet nga mendja e dhe një qen i madh i xha Rakipit, që quhej Lule. Lulen ne e kishim frikë, edhe pse nuk na kishte sulmuar ndonjeherë. Ajo i ngjante shumë, të paktën nga madhësia, një San Bernardo-je, si ai i filmit “Beethoven”. Mbase ka qene i racës Deltar Ilir, sjellë nga i miri Rakip Kurti prej Dibre, ku edhe kjo racë ka qenë dhe është mjaft e përhapur. Mbase.

Mbi këtë skenar e kam inkuadruar gjithmonë shtëpinë e dajë Zakut.

Mbizotëruese e gjithë kësaj zone të përshkuar më sipër. Me pyetjet e pashmangshme të fëmijërisë time: Pse kaq lart, pse kaq imponusese, pse në një vend kaq të mbrojtur?

Tanimë jam në gjendje t’i jap përgjigje jo vetëm atyre pyetjeve spontane.

I gjej ato përgjigje tek përmbysja e jetës së Myrteza Drogut pas 1944. Ajo që kish qenë virtyt para atij viti nisi të quhej ves dhe krim. Ish komandanti i rendit përfundoi magazinier, në një depo të rezikshme që mund t’i merrte jetën nga çasti në çast.

Djali i tij i madh, Begatori, si dhe mbesa e tij, nëna ime Shadia, kujtojnë se, deri ne vitin 1959, kur dha shpirt i pezmatuar nga një infarkt, ai ushqente shpresa në përmbysjen e rendit me ndihmën e aleatëve dhe të diasporës. Për të mos u gjendur  i papërgatitur në rastin e një rrethimi të shtëpisë nga komunistët, ai kish fshehur në mur një arsenal të vërtetë armësh – dhe ishte gjithmonë gati për të luftuar deri në fund.

Ndërkaq nuk kthehej kurrë në shtëpi pa disa kg frutash për fëmijët dhe Bulen e tij, kujton vajza e madhe Fatbardha Drogu Sefa.

Ashtu e kujtonte edhe ime më, Shadia, si njeriun që kërkonte si e si të ëmbëlsonte të tjerët.

Në një shoqëri që ushqehej e ushqehet akoma prej helmit.

Diciturat e fotografive:

1- Ethem Haxhiademi dhe ne te majte te tij Myrteza Drogu ne vitin 1928

2- Myrteza Drogu ne vitin 1944

3- Myrteza Drogu dhe e shoqja Makbule, vitet ’40 .jpg

4-Baba Islami dhe Syri Zyra Drogu, ne vitin 1935.jpg

Filed Under: Histori Tagged With: Daje Zaku, enderr e murosur, Shpend Sollaku Noe'

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT