• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Detektivi Feliks Haxhija nderohet me çmimin si investiguesi më i mirë për vitin 2022, në Florida

November 8, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Suksesi dhe një karrierë e mirë, e shtrirë në kohë, do të thotë punë, përkushtim dhe pasion! Suksesi është fruti i një pune të gjatë, është vlerësimi që njeriu ia bën dhuratë vetes pasi ka sakrifikuar dhe ka derdhur mundin e tij, në atë fokus që i ka vendosur qenies së tij! Vlerësimet apo çmimet që do të shfaqen gjatë karrierës, do të jenë “kurora” e një suksesi të konsoliduar, e sakrificave të pashtershme, nga ku njeriu ndërton një themel me bazë të fortë, të palëkundshëm dhe largpamës. Triumfi i fitores është “maja e ajzbergut” për këdo që dëshiron të thyejë akullin me punë dhe arritje! Puna e përgjegjshme dhe sakrifikuese është e vetmja që nuk do të të tradhtojë, por, herët a vonë do të të shpërblejë dhe do të të vendosë në vendin që meriton! 

Feliks Haxhija është sinonim i punës së përgjegjshme, seriozitetit, përkushtimit, i cili ka arritur majat e suksesit në fushën e zbulimit. Haxhija nuk po ndalet, por po njeh vetëm suksese dhe vlerësime. Triumfi dhe altari i nderit është vendi që Feliks Haxhija ka pozicionuar veten, por edhe kombin! Pasi është vlerësuar me shumë çmime si detektivi më i kërkuar në Dallas, Feliks Haxhija merr çmimin e radhës si investiguesi më i mirë për vitin 2022, në Florida. Kompania e tij, “Feliks Investigation Group”, është përzgjedhur si më e mira dhe më e kërkuara në fushën e zbulimit. Nëse do të kërkoni në Google, “Feliks Investigation Group”, do të gjeni se kjo kompani i ka review-të më të mira dhe ka marrë 5 yje (five stars). Një vlerësim i tillë është shumë i rrallë të arrihet, pasi të jesh detektiv privat dhe të drejtosh një kompani të tillë është një punë shumë e ngarkuar dhe kërkon shumë kohë, duke sakrifikuar veten por edhe kohën për familjen. “Feliks Investigation Group” operon në Boston Ma, Manchester NH, Tampa FL dhe Burlington VT. 

Feliks Haxhija është një djalë serioz dhe shumë punëtor, i cili është mjaft i kërkuar nga amerikanët që vinë jo vetëm nga shtetet ku kompania e tij operon, por edhe nga komuniteti shqiptar. Atij i kanë besuar shumë raste që kanë patur nevojë për zbulim, duke filluar nga çështje tradhtie, familjare, personale, ndërpersonale, të cilat Feliksi i ka përmbyllur me sukses, duke ndihmuar në zgjidhjen e shumë problemeve shoqërore. Feliks Haxhija është një ndihmë e madhe dhe zgjidhje për secilin që ka nevojë për dritë në çështje të ndryshme. Një çështje që të marrë një drejtim të caktuar dhe të duhur, ka nevojë për shumë fakte zbuluese, transparencë dhe korrektësi. Feliksi me kompaninë e tij investiguese është i gatshëm të dëgjojë çdo problematikë dhe të japë kohën e tij të mjaftueshme të zbulimit. 

Që prej moshës 16 vjeçare, kur fitoi lotarinë amerikane, Feliks Haxhija jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai jeton tashmë prej 22 vitesh në Amerikë. Kreu studimet atje në fushën e Kriminalistikës; përfundoi Masters Degree in Criminal Justice and Minor Security në vitin 2012. Më pas filloi punë si detektiv privat për NWI Investigations, ndërsa në vitin 2017 hapi agjensinë e tij “All Access Investigations”. Më pas, në vitin 2019 hapi Feliks Investigations Group LLC në 4 shtete. Puna, profesionalizmi, suksesi i çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, na nderon si komb dhe na shtyn akoma më shumë për t’i dhënë prestigj emrit Shqipëri. 

Pjesa dërrmuese e të rinjve shqiptarë janë diplomuar në shkollat më të mira jashtë vendit, duke shkëlqyer në profesione e tyre dhe mbajnë poste të rëndësishme në vendet ku jetojnë. Komuniteti shqiptar shkëlqen si drita e diellit, duke ndriçuar jo vetëm veten, por duke lartësuar edhe kombin shqiptar. Pikërisht, Feliks Haxhija është një ndër ata shqiptarë që na bën të ndihemi krenarë. Suksesi është triumfi i punës së palodhshme, e cila gjithmonë do të të vlerësojë dhe do të nxjerrë në dritë! 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Eneida Jacaj

Çelja e shkollave shqipe që nga mesjeta, rreze drite kundër pushtuesve dhe për rimëkëmbjen si komb

September 15, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj

Arsimi dhe dija është e vetmja armë e fortë kundër shtypjes, nënshtrimit, nëpërkëmbjes dhe talljes! Mbretëria e dijes ka forcën ta nxjerrë një komb dhe mbarë njerëzimin nga errësira, duke shërbyer si rreze drite për të gjetur forma nga më të ndryshme të rrugëdaljes, në zgjidhjen e shumë ekuacioneve me karakter ekonomiko-social. Dija i atribuon shoqërisë dinjitetin, ekzistencën në gjithë qenien e saj; është shpresë drejt rrugës plot ndriçim, pa kthim! Një komb pa një gjuhë dhe i paarsimuar, do të ishte i padukshëm dhe inekzistent në sytë e botës, ku superfuqitë do të uleshin në tavolinat e salloneve të pazareve dhe do të vendosnin për fatin e tij, sipas orekseve të tyre. Ashtu siç edhe ka ndodhur…

Një kombi të cilit i mohohet e drejta për dije dhe sidomos shkrimi e këndimi i gjuhës amtare, për ta përdorur si plaçkë për interesa vetjake, do të jetë një shoqëri që do të mbetet gjithmonë në pozicionin e padukshëm dhe do të rreshtë së ekzistuari. Shqiptarët e kanë njohur fort mirë këtë pozicion, pasi kanë qenë të pushtuar duke filluar me Perandorinë Osmane, në vitin 1384, ku ishin Fuqitë e Mëdha të Europës që e lanë vendin prej 5 shekujsh në uzurpimin e turqve mesjetarë, pasi vetëm kështu do të pengohej dalja e Serbisë në det. Pushtimet dhe pazaret e superfuqive që vijuan edhe pas periudhës së mesjetës së vonë, në kurriz të territoreve shqiptare, kanë qenë kryefjala e kalvarit të vuajtjeve dhe kryengritjeve të shqiptarëve për disa vite. Për të aneksuar territore shqiptare dhe për të përfituar nga pozita gjeografike, pushtuesit do ta kishin më të lehtë të arrinin qëllimet e tyre, duke i lënë shqiptarët në mjerim dhe errësirë të plotë. Kjo është një nga arsyet pse shqiptarët e kanë të induktuar në gjak dëshirën për t’u arsimuar dhe triumfuar me sukses në çdo fushë respektive, pasi dija është si “shpata e Demokleut”, e cila shërben si kërcënim ndaj çdo rreziku të jashtëm, por edhe si pikë-nxitje për t’i dhënë zgjidhje shumë problemeve shoqërore. 

Pra, shqiptarët, me këmbëngulje, nuk hoqën dorë nga përpjekjet për t’i kthyer kombit dinjitetin dhe krenarinë, përmes arsimimit. Historiku i hapjes së shkollave shqipe e ka zanafillën që në periudhën mesjetare, ku kleri katolik ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Gjuha shqipe nisi të shkruhej 48 vite para mbajtjes së Kongresit të Manastirit, në vitin 1908. Një figurë emblematike e dijes mbetet të jetë Papa Kristo Negovani, prifti shqiptar i cili luftoi për çlirimin e vendit nga falangat greke, dhe punoi fort për shkrim-këndimin e gjuhës shqipe. Ai ishte i pari që ngriti meshën në gjuhën shqipe dhe nuk iu bind kurrë pushtuesve grekë, që të hiqte dorë nga mësimi i gjuhës shqipe dhe arsimimi i të fëmijëve, por jo vetëm. Sipas dokumenteve dhe studimeve që janë bërë, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585; në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjevë të vitit 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi, nga Shkodra, në vitin 1698, e shumë shkolla të tjera.

Shqiptarët jetonin në kushte të mjerueshme dhe të pushtuar, por dëshira për dije u shtohej dita-ditës. Hapi i parë i shqiptarëve ka qenë mësimi i gjuhës shqipe, pasi çdo njohuri e re ka si bazë mësimin e gjuhës amtare. Kështu, në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Stubëll të Kosovës, pastaj në Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë e në Medresenë e Bushatllinjëve në Shkodër, etj.

Sipas dokumentit, u hapën shkolla në mbarë vendin dhe u punësuan shumë mësues. Shkollat u hapën dhe në fshatra të thella, ku merrnin dije të gjitha moshat. 

Ndërsa në vitin 1885, Naim Frashëri, bashkë me të vëllanë dhe shqiptarë të tjerë në Stamboll, pjesë e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, arritën të bindin Portën e Lartë për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Ndërsa në 7 mars 1887, u hap zyrtarisht shkolla e parë shqipe në Korçë, ku mblodhi plot djem dhe vajza. Shumë atdhetarë të tjerë të flaktë bënë përpjekje të mëdha për hapjen e shkollave shqipe. Shumë intelektualë kishin emigruar, por ata nuk e harruan Shqipërinë, kontribuan për lëvizjen kulturore, duke i sjellë kombit lavdinë përmes dijes. Midis tyre më së shumti u shquan: Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Zef Jubani, De Rada, Thimi Mitko, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Qiriazët etj. Intelektualëve shqiptarë u buronte nga shpirti dëshira për ta nxjerrë Shqipërinë nga analfabetizmi, duke e vendosur në vendin e nderit, pasi dija është drita e kombit! Zyrtarisht, si përpjekje e të gjitha lëvizjeve për hapjen e shkollave, merret për bazë mësonjëtorja e Korçës që filloi të punojë me 7 mars 1887, me mësuesin e saj Pandeli Sotiri, të cilin e pason shkolla e Prizrenit në vitin 1889, me mësuesin Mati Logoreci. Pak ditë më vonë, u çel shkolla shqipe në qytetin e Pogradecit, Ersekë, Ohër, etj. Në 23 tetor të vitit1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave, pasi arsimimi i femrës është një hap vendimtar dhe i pakthyeshëm në emancipimin e familjes dhe shoqërisë. Pas hapjes së mësonjëtores së parë të Korçës, u çel më pas shkolla e Prizrenit në vitin 1889, me mësuesin Mati Logoreci. 

Për t’i ardhur në ndihmë mësimit të gjuhës amtare, u botuan një varg abetaresh si ajo e Naum Veqilharxhit (1844, 1845), e Konstandin Kristoforidhit (1867, 1868), e Daut Boriçit (1869), “Allfabetarja e Stambollit” (1879) etj. Më vonë u mbajt Kongresi i Manastirit (1908, 1910), ku u morën vendime të rëndësishme edhe për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Në vitet 1908 – 1909 u hapën 15 shkolla shqipe. Një nga vendimet që u morën ishte përdorimi i alfabetit latin, në mënyrë që shkëmbimi i ndonjë telegrami me vendet e tjera, të ishte më i lehtë për t’u kuptuar. Ky ishte një sugjerim i shtruar nga Gjergj Fishta. Më 1909 në Elbasan zhvilloi punimet Kongresi Kombëtar për Problemet e Arsimit e që njihet edhe me emrin Kongresi i Shkollave. Po në këtë vit u hap edhe Shkolla Normale e Elbasanit. Duke vijuar me ngritjen e disa shkollave të tjera: Shkolla Teknike Shqiptare (1921), Instituti Femëror “Kyrias” (1925), Instituti Femëror “Nana Mbretneshë” (Tiranë) (1933), Gjimnazi “Illyricum” (1921), Gjimnazi i Shtetit (1922, Shkodër), Liceu Kombëtar (1921, Korçë), Gjimnazi i Gjirokastrës (1923), Shkolla Tregtare në Vlorë (1924), Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës (1926) etj. Përpjekjet e shqiptarëve për lëvizjen kulturore kombëtare kanë qenë tepër të vyera dhe të çmuara, si qendresë kundër pushtuesve dhe duke i dhënë kombit dritën e dijes dhe shpresës. Sot e kësaj dite, shqiptarët shkëlqejnë si brenda dhe jashtë kufijve të vendit, në profesionet e tyre respektive. Pasioni për dije dhe proges, nuk u rreshti asnjëherë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Eneida Jacaj

Princess by Gerta, markë që po rritet çdo ditë, së shpejti me qendër në Amerikë dhe Angli

August 12, 2022 by s p

Gerta Cami, kur dashuria për artin tejkalon kufijtë, stilistja e fustaneve për “princesha” në të gjithë globin, në shtator, sfilatë për fëmijë në Filadelfia

Intervistoi: Eneida Jaçaj

Kur e dëshirojmë fort atë që bëjmë apo atë që duam të arrijmë, dashuria në vetvete ka një forcë magjike që të mbërthen, duke depërtuar në çdo qelizë dhe duke shpërthyer pasionin edhe nga skutat më të errëta të mendjes, shkëndijat e së cilës kalojnë çdo kufi të imagjinatës. Të punosh fort për atë që dëshiron, për pasionin që të përmbush shpirtin dhe të bën të ndihesh i lirë në qenien tënde, nuk ka as uragan dhe as Perëndi që të ndal! Përmbushja e shpirtit është një detyrë që secili e ka ndaj vetes, mision i cili i jep peshë dhe botëkuptim qenies së ekzistencës së njeriut, të bën të ngrihesh mbi re, dhe, që nga aty, të shohësh mbi botën, duke menduar se nuk je njeri i vogël, por njeri që i përket ëndrrave të mëdha. Arti qëndron brenda individëve me botëkuptim, me imagjinatë të pashfrenuar, dhe me një shpirt të pasur me dritë; syri i artistit sheh përtej asaj që sheh një njeri i zakonshëm, nëse në fund të tunelit ka errësirë, artisti do të gjejë një grimcë shkëndije dhe me të do të krijojë dritën e jetës dhe forcës. Arti buron nga një shpirt plot ngjyra vezulluese, me energji dhe vibracione pozitive, që e injekton në mjedisin përreth, është si flladi i mëngjesit, që të jep ndjesinë se ka ende shpresë. Këtë ndjesi të bukur që të jep të bërit art, e gjejmë te vajza mjaft e talentuar dhe punëtore, Gerta Cami, stilistja e fustaneve për princesha të vogla, ku dashuria e saj për profesionin i ka kaluar kufijtë globalë. Gerta Cami ka përfunduar studimet për Inxhinieri Tekstile dhe Modë, në Universitetin e Tiranës, e më pas ka përfunduar Masterin për Menaxhim Ndërmarrjesh Tekstile. Aktualisht jeton në Miçigan, është një vajzë mjaft e talentuar, pasi stilon fustane mjaft të bukura për vajza të vogla. Ajo ka hapur një faqe në instagram “@princess_bygerta”, nga ku publikon të gjitha punimet e saj, dhe deri më tani ka kryer porosi në 55 shtete të botës. Kush dëshiron të stilojë një fustan për ditë të shënuara apo evente të ndryshme, mund ta kontaktojë Gertën në instagram, dhe me pasionin dhe dëshirën e saj për profesionin, porosia do të kryet në kohë rekord. Gerta është një vajzë e re, e talentuar dhe mjaft punëtore, e cila ka menduar që së shpejti të ketë markën e saj, duke hapur një dyqan në Amerikë dhe një në Angli. Madje, së shpejti, në muajin shtator, Princess by Gerta do të realizojë sfilatën për fëmijë në Filadelfia. Nëse i hidhni një sy instagramit, ata nuk janë fëmijë të paguar, por punime të Gertës që ia kanë dërguar nënat, pasi kanë mbetur të kënaqura. Për të bërë princeshat tuaja të lumtura, në ditë të veçanta, kontaktoni Gertën, ku do të gjeni talentin, komunikimin dhe një punë të shkëlqyer!

-Përshëndetje Gerta! Ju jeni një nga ato vajzat e reja, plot guxim dhe talent, për të ndërmarrë iniciativa të reja në fushën e biznesit dhe jo vetëm. Pra, ju talentin tuaj e keni investuar në të mirën tuaj materiale, por duke plotësuar edhe nevojën e shoqërisë. Ju, aktualisht jetoni në Miçigan, ndërkohë keni 4 vite që keni hapur “@princess_bygerta”, ku punoni fustane për vajza të vogla. Për të gjithë ata që do t’ju shohin si frymëzim dhe pikë referimi, mund të na tregoni se si lindi pasioni dhe dëshira për të stiluar fustane për princesha të vogla? Cila ishte shtysa që ju bëri të hapnit atelien tuaj, për ta zhvilluar më pas sa më shumë këtë biznes? 

Dashuria për të stiluar fustane princeshash, lindi krejt rastësisht. Unë qepja fustane për femra, për dasma dhe raste të ndryshme, dhe, gjithmonë i mbaja copat që më tepronin; kur më doli mundësia që të vija në Amerikë, gjatë kohës që prisja për letrat, fillova të punoja fustane për fëmijë me copat e mbetura. Kështu filluan kërkesat për fustane të ndryshme, pra, nga këtu nisi çdo gjë…

-Cila është e veçanta apo risia që ju identifikon juve si stiliste, në punimin dhe publikimin e fustaneve për princesha të vogla?

Do të thoja që fustanet tona kanë një ndërthurje të së thjeshtës me detaje dhe materiale, që i kthejnë fustanet në fustane princeshash. Koha rekord e qepjes është një tjetër veçanti e jona, ndërsa risi do të thoja se është që, në profilin tonë të instagramit, fëmijët nuk janë modelë të paguar për të reklamuar fustanet, por janë klientet tona që na kanë dërguar fotot e fëmijëve me veshjet tona. 

-Përpos dëshirave dhe ideve që japin klientët tuaj, ju përpiqeni të fusni edhe individualitetin tuaj në stilimin e një fustani?

Sigurisht që komunikojmë me shumë klientë çdo ditë nga e gjithë bota, dhe, në cdo rast mbledhim sa më shumë informacione rreth ideve të tyre për fustanin ideal, dhe, pastaj japim sugjerimet tona, se çfarë do të ishte më e përshtatshme për eventin përkatës, për mosha të caktuara; dhe, kur na kërkojnë modele që nuk janë modelet tona, gjithmonë gjejmë një mënyrë që fustani të personalizohet nga ana jonë, ose ka pasur raste që nuk e kemi vazhduar si porosi. Një gjë shumë e bukur është sepse shumë që na ndjekin, kur shohin një fustan Princess by Gerta të veshur nga dikush tjetër, ato e njohin direkt stilin tonë, të gjithë e njohin një fustan Princess by Gerta! 

-Cili stil është më shumë në trend sot?

Unë, personalisht, nuk i jam përmbajtur apo ndjekur trendet e momentit, por kam atë stilin tim që ka funksionuar dhe është pëlqyer te veshjet e fëmijëve. Unë mundohem që fustanet të jenë të rehatshëm dhe të përdoren më shumë se një herë, që mund të kthehen nga të gjatë në të shkurtër, stile fustanesh që fëmijët të jenë mjaftueshëm të thjeshtë dhe për një darkë. Fëmijët vetë tërhiqen nga personazhet e Disney, ose duan fustane të fryrë si princesha, duan ngjyrën rozë, dhe, këto kërkesa, përsëri mundohemi t’i thjeshtëzojmë duke i drejtuar në stilin tonë të fustaneve. 

-Çfarë është ajo që ju frymëzon më shumë, ajo që ju bën të shpërthejë talentin tuaj, dhe të jepni më të mirën tuaj?

Kur shoh fëmijët që u shndrisin sytë kur vinë te dyqani për të parë, dhe nuk ikin pa veshur një fustan, ose kur një gocë e vogël thotë që rri çdo ditë në instagram, duke parë fustanet tona (dhe jo vetëm gocat e vogla, por dhe mamat na thonë që i lamë pa punë, duke parë instagramin tonë), ose kur mamat na falenderojnë pa fund që u kemi zbukuruar ditëlindjet me fustanet, ose kur shoh ndonjë copë të bukur dhe direkt fillon imagjinata.

-Cili është stilisti juaj i preferuar, i cili ju frymëzon më së shumti në punimet tuaja?

Nuk kam një stilist të preferuar, por gjej shumë frymëzim nga ateliere ruse; kanë një punim perfekt që unë gjithmonë mundohem të arrij. Rrija me orë të tëra duke parë artin e tyre në veshje, si për të rritur, si dhe për fëmijë, pra, më tërheqin dhe frymëzojnë stilistë që ndoshta nuk janë me emër, por që bëjnë një punë shumë të bukur për mua. 

-Ajo që është për t’u duartrokitur është se ju jeni bërë e njohur pothuajse në të gjithë botën. Nga sa vende të botës merrni porosi, dhe si keni arritur të zgjeroni kufijtë e njohjes së aktivitetit tuaj?

Duket si ëndërr që çdo ditë na shkruajnë dhe porosisin nga shtete të ndryshme. Duke i numëruar një ditë, kishim dërguar në 55 shtete në të gjithë globin. Disa bashkëpunime që kemi bërë me fëmijë blogerë, kanë mundësuar që Princess by Gerta të shihet, dhe pastaj filluan edhe porositë. Klientet kanë krijuar besim duke parë foto, video apo dhe duke komunikuar me ne. Dhe pak po mësojmë gjuhën indiane dhe arabe!

-Duke qenë se ju jeni në kontakt me klientë nga e gjithë bota, a ndryshojnë shijet e tyre, apo stili që pëlqehet është pothuajse i njëjtë, ndërsa modeli është ai që ndryshon?

Siç e përmënda më lart, një karakteristikë e fustaneve tona është ndërthurja e të thjeshtës me materiale ose detaje më për festa. Kjo gjë bën që fustanet të pëlqehen shumë nga të huajt (Veriu, Perëndimi i Europës si dhe USA), ndërsa shtetet e Azisë tërhiqen më shumë nga ngjyrat e forta të cilat ne i kombinojmë me modele shumë të thjeshta), pra, të gjitha shtetet gjejnë elemente që i pëlqejnë, dhe mundësia për ta porositur një model në ngjyrën që do klienti është një gjë që na favorizon për të qënë më afër mundësisë për të zgjedhur veshjet tona, sesa nga një atelier tjetër që i ka ngjyrat të limituara. 

-Ju tashmë e keni përgatitur terrenin që biznesi juaj të jetë ndërkombëtar. A e keni menduar të hapni disa filiale, qoftë në Amerikë, apo në Europë, ku të keni markën tuaj të biznesit?

Po punojmë që Princess by Gerta të rritet çdo ditë si mark, që, në një të ardhme të afërt të hapim në USA dhe në UK nga një dyqan për të ekspozuar më shumë punimet tona, dhe pse momenti dhe e ardhmja janë më shumë të orientuar drejt dyqaneve online, ku ty nuk të viziton vetëm një klient vendas, por dyqanin tënd mund ta shohë çdo person që ka akses në instagram.

-A keni ndonjë projekt afatshkurtër në planet tuaja, si për shembull të zhvilloni një sfilatë ku të marrin pjesë fëmijë të emigrantëve shqiptarë të Amerikës, të cilat të prezantojnë punimet tuaja?

Pse jo, komuniteti shqiptar në USA ka qënë shumë mbështetës, si dhe një mikeshë gazetare më ka mbështetur për një ide, që shumë shpejt do ta vëmë në zbatim, në lidhje me një sfilat me fëmijët shqiptarë në Philadelphia.

-Sa e lehtë apo e vështirë është të ndërtosh apo zhvillosh biznesin, brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë?

Mund të them që është e lehtë ta hapësh një biznes, por ta mbash është si të rrisësh një fëmijë. Kërkon sakrificë, durim, do të duhet të mësosh çdo ditë në lidhje me punën, kërkon shumë përkushtim, konsistencë, të duash dhe të besosh në atë që bën; kur e bën me qejf dhe dashuri, çdo gjë duket më e lehtë. Nuk do ta ndaja nëse është më e vështirë në Shqipëri apo jashtë saj për të bërë biznes, sepse kudo që të jesh, pa ato gjërat që cilësova më sipër, do të mbetesh gjithmonë në fillim, asnjëherë nuk do të rritesh profesionalisht.

-Cili do të ishte mesazhi që ju do të jepnit për të gjithë ata të rinj të talentuar?

Unë kam dëgjuar që duhet të ëndërrosh në fillim dhe pastaj të punosh për të arritur ëndrrat e tua, ndërsa unë e kam mësuar ndryshe: puno fort për atë që do, dhe do të detyrohesh të ëndërrosh gjëra të mëdha…! Çdo ditë është një mundësi për të qënë një njeri më i mirë, një profesionist më i zoti dhe më i plotësuar!

Filed Under: Komunitet Tagged With: Eneida Jacaj

Dialogu Kosovë-Serbi në rrezik, minishengeni ballkanik sjell konflikt rajonal, bashkëpunimi ekonomik mes shteteve shqiptare, në ngërç

August 2, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj

Dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshje e cila u dakordësua në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, duket se është kthyer 23 vite mbrapa në kohë. Sulmet në Veri të Kosovës tregojnë edhe një herë se Serbia nuk është e gatshme të përmbushë pikat e marrëveshjes, e cila do të sillte siguri dhe stabilitet në rajon, dhe, gjithashtu, nuk do të pengonte as integrimin e dy shteteve në Bashkimin Europian, OKB dhe NATO. Siç është bërë e ditur, serbët në Veri të Kosovës, më 31 korrik, vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. SHBA dhe BE, dy garantet e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, ndërmjetësuan dialogun me shumë pika, për të çuar në bashkëpunim ekonomik dy shtetet, duke hedhur pas konfliktet dhe mosmarrëveshjet e kohëve të vjetra, e më pas, dialogu të konkretizohej edhe me njohjen e Kosovës, nga Serbia. 

                Por, dialogu Kosovë-Serbi, në këto dy vite, ka kaluar nëpër sulme dhe akuza të dyanshme, se asnjëra nga palët nuk është e gatshme që të shkohet në një kompromis të përbashkët. E gjitha kjo është një lojë dhe farsë e Serbisë, e cila, jo vetëm që nuk ka ndërmend të zbatojë marrëveshjen bilaterale, që do të sillte një përfitim të madh për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, por nuk ka ndërmend ta njohë juridikisht as Pavarësinë e Kosovës. Për Pavarësinë e Kosovës dhanë jetën dhe gjakun djem të rinj, që u shuan në lule të rinisë për liri, ndërsa Serbia duhet të japë llogari për të gjitha ato masakra mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës. Për të gjitha krimet serbe ndaj popullsisë kosovare, duhet të mbahet një gjyq si ai i Nurembergut, për krimet e nazizmit, ku të gjithë ata që janë fajtorë për genocidin ndaj popullit të Kosovës, të japin llogari. Sulmet e Serbisë ndaj Veriut të Kosovës marrin spunto edhe nga lufta e Carit të Kremlinit ndaj Ukrainës, ku Rusia është deklaruar gjithmonë në krah të Serbisë. Pas sulmit në Kosovë, Rusia ka deklaruar mbështetjen e saj të plotë për Serbinë, duke këmbëngulur se të drejtat e serbëve duhet të respektohen. Megjithatë, Serbia e ka të qartë mësimin se NATO do të ndërhyjë brenda 24 orësh nëse i shpall sërish luftë Kosovës, ashtu siç veproi 23 vite më parë. 

Minishengeni ballkanik

                 “Ballkani i Hapur” apo i ashtuquajturi minishengeni ballkanik, është një tjetër çështje që i shton akoma më shumë shkëndija zjarrit, duke mbajtur të ndezur konfliktin në Ballkan. Kryeministri Edi Rama është shumë i ftohtë ndaj mosmarrëveshjeve apo sulmeve që vinë nga Serbia në drejtim të Qeverisë së Kosovës, pasi nuk dëshiron të cënojë marrëveshjen me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiç, për Ballkanin e Hapur. Në këto kushte ku gjendet Ballkani, minishengeni nuk do të mund të realizohet, projekt i cili favorizon Serbinë, por edhe Rusinë, aleaten e saj shpirtërore, por edhe vendet e tjera fqinje. Dua të rikujtoj për fakte se, kryeministri Edi Rama së bashku me kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut arritën në Ohër, në vitin 2019, një marrëveshje për projektin e minishengenit ballkanik, i cili konsiston në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Projekti ka për qëllim bashkëpunimin rajonal meqenëse Bashkimi Europian po vonon integrimin. Kosova nuk u përfshi në këtë marrëveshje mes vendeve të rajonit, u la në hije, pasi Serbia por edhe Bosnja-Hervegovina nuk e njohin Kosovën, dhe nuk mund të ketë projekt kur shtetet janë në konflikt me njëri-tjetrin. 

                     Kështu, Serbisë nuk i intereson njohja e Kosovës, ndërsa Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të gatshme të realizohet ky projekt. Por bashkëpunim ekonomik rajonal pa Kosovën, nuk mund të ketë. Një projekt i tillë, me Serbinë në mes, duhet të rishikohet nga ekspertë të ekonomisë botërore, pasi, me shumë gjasa, më shumë do të shtojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor sesa do të rregullojë punë. Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është përgjegjëse për disa masakra e genocide ndaj popullit të Kosovës dhe ende nuk e njeh si shtet të pavarur?! Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është aleate me simotrën e saj Rusinë, e cila po kryhen të njëjta krime ndaj Ukrainës?! Dihet që Serbia me anë të këtij projekti synon të dalë në det; ky është një pretendim i saj që në kohën kur Austro-Hungaria ia prishi planet. Nga kjo do të përfitonte edhe Rusia, e cila prej kohësh e ka dëshiruar zgjerimin dhe ndikimin e saj në Ballkan, për arsye të përfitimit ekonomik, gjë që do të sillte edhe reagimin e SHBA, e cila është faktori dhe shteti me superfuqinë më të madhe në botë.

Bashkëpunimi ekonomik me Kosovën

                 Shqipërisë dhe Kosovës do t’u interesonte më shumë një bashkëpunim ekonomik rajonal me njëra-tjetrën, sesa projekti i minishengenit ballkanik. Nga Ballkani i Hapur do të përfitonin vetëm vendet fqinje, pasi Shqipëria eksporton vetëm lëndën e parë, pra është një shtet që nuk prodhon, i cili do të bëhej treg mallrash në favor të shteteve të tjera. Kryeministri Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, duhet të zotohen dhe ta marrin seriozisht bashkëpunimin ekonomik, për t’u fuqizuar mes vetes, dhe jo të fuqizojnë të tjerët. Që kur u investua në Rrugën e Kombit, u pa se kjo do të ndikonte në progresin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Që nga viti 2014, kur Shqipëria dhe Kosova zhvilluan mbledhjen e parë të përbashkët, ku u nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, Shqipëria dhe Kosova janë përballur me konflikte dhe barriera tregtare. 

                  Paradoksi është se kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare. Në vend që të thellohet bashkëpunimi ekonomik, në mënyrë që të mos përfitojnë fqinjët nga mosmarrëveshjet, por të zhvillohemi aq sa mundemi në aspektin ekonomik me njëri-tjetrin, tregojmë edhe njëherë se nuk jemi të aftë të shkojmë mirë mes vetes. Këtu më vinë në mendje fjalët e të madhit Faik Konica: Heshtni, shtrohuni, bashkohuni! Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit”. Shpresojmë që dy shtetet shqiptare të reflektojnë, dhe të bashkëpunojnë mes vetes!

Filed Under: Komente Tagged With: Eneida Jacaj

Diaspora, “fytyra” e bashkimit të kombit, roli i saj në njohjen e shtetit shqiptar

June 23, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Populli shqiptar është populli më i vjetër i Europës, me origjinë dhe gjuhë pellazge indo-europiane, i cili mbart mbi vete gjithë historinë e kalvarit të kryengritjeve dhe veprave për bashkim kombëtar, betejat, luftërat triumfuese shekullore dhe tradita të veçanta, që nga koha e ekzistencës së tij. Ndonëse ishin një nga popujt më të varfër në Europë dhe Ballkan, shqiptarët trashëgonin një pasuri shpirtërore në folklor, kulturë, muzikë, letërsi, vlera dhe virtyte. Gjithmonë i kanë shkuar përshtat epitete si një popull bujar, mikpritës dhe shpirtgjerë, duke mos u bërë kurrë pjesë e luftërave barbare dhe “pazareve” plaçkitëse ndaj popujve të tjerë. Shqiptarët kanë qenë të bashkuar në sofrën e tyre, të etur për dije, arsim dhe kulturë; kanë patur virtyte të veçanta luftarake për të mbrojtur atdheun nga zgjedha e huaj, pasi nga gjiri i mëmëdheut kanë nxjerrë shumë trima, ku mbi gjakun dhe veprat e tyre ka marrë kuptim fjala “Liri”. Prijësi i Arbërit apo Prijësi i Ilirëve, strategu Skëndërbeu, udhëheqësi i parë i shqiptarëve, “prometeu i lirisë” që theu në shumë beteja turqit, dhe vendosi marrëdhëniet e para diplomatike miqësore me Perëndimin, është figura që identifikon shqiptarët për trimërinë, forcën, zgjuarsinë, ndjenjën e patriotizmit, gatishmërinë për të ruajtur trojet, gjuhën, traditat, doket, për të mbajtur gjallë me të drejtë ekzistencën dhe lavdinë e kombit shqiptar. Ishin një popull që lëngonte nga dhimbja e shtypjes dhe mjerimit, por kurrë nuk e dorëzuan shpirtin te uzurpuesit e tokave shqiptare, pasi i karakterizonin tiparet e burrërisë, nderit dhe respektit.

                  Varfëria ekstreme, e cila përkthehet në pafuqi, ka bërë që popujt e tjerë më të fuqishëm, të nxjerrin në pah tentakulat gllabëruese për territore dhe burime natyrore, duke përfituar nga gjendja jo e mirë e shqiptarëve dhe nga pozita strategjike e Shqipërisë. Kështu, fatkeqësisht, populli shqiptar ka qenë i shtypur, i nëpërkëmbur, duke filluar që nga periudha mesjetare e pushtimit nga Perandoria Osmane në shekullin e XIV-të, luftërat ballkanike, e deri te copëtimi i Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1913. Shtypja e vazhdueshme, mohimi i gjuhës shqipe, e nxitur edhe nga Kisha Ortodokse Greke, bëri që ndjenja e nacionalitetit te shqiptarët të thellohej sa më shumë, duke ruajtur gjuhën si asetin më të çmuar për ekzistencën e një kombi, dhe mbi gjakun e trimave do të themelohej i pavdekshëm, kombi shqiptar! Duke dëshmuar edhe një herë ndjenjën e patriotizmit dhe dëshirës për dituri, në shekullin e 17-të, misioni i klerit katolik shqiptar nuk ishte vetëm për edukimin fetar të popullsisë, por, ata janë përpjekur të hapin shkolla për të shkruar dhe lexuar gjuhën shqipe.

                   Ky informacion gjendet edhe në dorëshkrimin e Sospellos, i cili asokohe ishte Vikar Apostolik për Shqipërinë. Një komb sa më i ditur të jetë, aq më të vështirë do ta ketë armiku ta nëpërkëmbë dhe shtypë! Dëshira për të mbajtur gjallë dritën e kombit, gjuhën shqipe, pasi duke njohur shkrim-këndim do t’i ndihmonte shqiptarët për të ndërmarrë veprime më të zgjuara, përvijohet më së miri edhe te një tjetër atdhetar i shquar, Papa Kristo Negovani, prifti shqiptar i cili luftoi për çlirimin e vendit nga falangat greke, dhe punoi fort për shkrim-këndimin e gjuhës shqipe. Gjatë pushtimit osman, shumë shqiptarë arritën të largoheshin nga vendi, për shkak edhe të kushteve të mjerimit, por mërgata shqiptare i forcoi lidhjet me Shqipërinë, duke përdorur të gjitha mjetet për lëvizjen kombëtare. U krijuan disa shoqëri të diasporës kulturore, por që në thelb kishin çlirimin e shqiptarëve nga robëria dhe pengimin e copëtimit të trojeve të arbërit. 

Visar Dodoni, një prej veprimtarëve të diasporës shqiptare, thoshte: “Ahere fytyr’ e dëshirës së shqiptarëve ishte përlindja e letraturës shqipe; po qëllimi që mshifnin dëshirat ish liria kombiare…”. Qëllimi i tyre ishte edhe arsimimi i kombit, që gjuha të mos harrohej, duke mos lejuar të asimiloheshin nën ndikimin e pushtuesve osmanë dhe kishës greke. Sa më i paditur të jetë një komb, aq më të lehtë do ta ketë pushtuesi ta mbajë në kthetrat e robërisë! Në vitin 1885, Naim Frashëri, bashkë me të vëllanë dhe shqiptarë të tjerë në Stamboll, pjesë e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, ia dolën të bindin Portën e Lartë për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Ndërsa në 7 mars 1887, u hap zyrtarisht shkolla e parë shqipe në Korçë, ku mblodhi plot djem dhe vajza. 

                Ndjenja e nacionalitetit, sa vinte forcohej, edhe në periudhat më të mëvonshme, kur shteti shqiptar ende lëngonte nga padrejtësitë e kombeve më të fuqishme. Shqiptarët kishin nevojë që zëri i tyre të dëgjohej në qarqet më të larta diplomatike europiane dhe amerikane, që çështja shqiptare të merrte zgjidhje, ndonëse ishin vetë fuqitë e mëdha europiane që e kishin lënë enkas Shqipërinë nën pushtimin osman, për të penguar daljen e Serbisë në det, dhe ishin përsëri shtetet europiane që copëtuan Shqipërinë, për të kënaqur vendet e tjera, që të merrnin pjesë në Luftën e Parë Botërore, përkrah tyre; plani ishte që Shqipëria të copëtohej më shumë, duke e humbur ekzistencën si komb. Ismail Qemali, së bashku me shqiptarë trima, të ardhur nga të gjitha krahinat, dhe delegacione nga diaspora, shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 1912, duke e shkëptur vendin nga pushtimi i Perandorisë Osmane; krijoi qeverinë e parë shqiptare dhe hodhi bazat e ndërtimit të shtetit të parë shqiptar. Por, kjo qeveri ishte shumë e brishtë, dhe çështja shqiptare nuk ishte zgjidhur plotësisht de juro dhe de facto. Kështu, këtu pati rol diaspora shqiptare, me figurat e ndritura të kombit, që punuan fort nëpërmjet aktiviteteve dhe diplomacisë për ndërtimin e plotë të shtetit shqiptar.

              Diaspora shqiptare e Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, luajti një rol thelbësor për çështjen shqiptare, duke bërë përpjekje të shumta që shteti shqiptar të njihej dhe të ngriheshin institucione të konsoliduara demokratike. Diaspora e parë shqiptare ishte ajo e Italisë dhe Greqisë. Shumë shqiptarë, në kohën e pushtimit turk, emigruan në Iali, që më pas u quajtën Arbëreshët e Italisë, pasi ruajtën gjuhën dhe zakonet. Shkrimtari italo-arbëresh, Jeronim De Rada, me veprat e tij, ka ndihmuar në njohjen e çështjes shqiptare, dhe në veprën “Këngët e Milosaos”, nxjerr në pah veçoritë luftarake të trimave shqiptarë. Pra, intelektualë me peshë i jepnin më shumë rëndësi çështjes shqiptare, në sytë e zyrtarëve të lartë në Europë dhe SHBA, duke bërë që zgjidhja në të mirë të kombit shqiptar, të vinte sa më parë. Shoqëri të tjera shqiptare u krijuan në Rumani, Bukursht, Egjipt, Turqi, etj.

               Por diaspora shqiptare më e madhe është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ky vend shihej gjithmonë si “toka e premtuar”, për shkak të mirëqënies së tij. Figura të njohura, personalitete të shquara, me veprat dhe aktivitetet e tyre, dhanë një kontribut të veçantë për çështjen shqiptare. Fan Noli dhe Faik bej Konicën, më 28 prill të 1912, themeluan Shoqatën Pan-Shqiptare Vatra, e cila kishte në qendër të saj problemet e Shqipërisë, ku luftoi për bashkimin e shqiptarëve dhe lirinë e trojeve, duke mos lejuar një copëtim të dytë të territoreve shqiptare. Noli do të mbahet mend për takimet dhe dialogun me ish-Presidentin Amerikan, Uoodrou Uillson, i cili dha ndihmën e madhe për njohjen e shtetit shqiptar. Presidentit Amerikan nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, duke u bërë zëri i të gjithë shqiptarëve, që kufijtë e Shqipërisë të mos tkurreshin akoma edhe më shumë pas vendimit jo të drejtë të Konferencës së Londrës, në vitin 1913. Më herët u krijua shoqëria e parë shqiptare, “Malli i Mëmëdheut”, më 1 janar 1906, në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes në Buffalo, Nju Jork. Më pas, më 15 shkurt 1909, pranë shoqërisë “Besa-Besë” në Boston, u krijua gazeta “Dielli”, me kryeredaktor Fan Nolin, e cila shërbeu në dobi të çështjes shqiptare. Shkrimtarja dhe publicistja, Sevasti Qiriazi, ka dhënë kontribut me shkrime në disa revista të kohës. 

             Ajka e intelektualëve ishte shpërndarë nëpër botë, për ta nxjerrë Shqipërinë nga errësira dhe për të sjellë epokën e dritës dhe besimit, drejt një të ardhmeje më të sigurt. Pa kryengritjen e shqiptarëve, brenda dhe jashtë, në sallonet e botës, sot, Shqipëria nuk do të ekzistonte!! Edhe në ditët e sotme, diaspora shqiptare luan rol të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës në brezat që rriten jashtë kufijve, por është shndërruar në zërin e të gjithë shqiptarëve, për parashtrimin e problematikave të ndryshme, në Senatin Amerikan. Në Nju Jork, kryeqytetin e botës, por edhe në shtete të tjera, janë hapur shkolla shqipe, ku mësohet shkrim-këndim, historia e Shqipërisë, këngë dhe valle të të gjitha krahinave. Gjithashtu, zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, mbrëmje, për të ruajtur dhe forcuar lidhjet ndër shqiptarë. Pra, roli i diasporës shqiptare ka qenë dhe mbetet i qenësishëm, për një Shqipëri të zhvilluar europiane, të begatë dhe demokratike!

Filed Under: Komente Tagged With: Eneida Jacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT