Nga Vlash Droboniku/
Regjisor, Piktor, Artist i Merituar, Artist i Karrierës/
Gjatë një udhëtimi nga Amerika për në Europë, në muajin maj 1999, për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit në Annecy të Francës, pata fatin të qëndroja disa ditë në Paris. Dëshira, për ta përjetuar sadopak kohën mes artit të muzeumeve dhe gjithçkaje tjetër në kryeqytetin francez, më vlonte në shpirt. Pikërisht atje, në njërën nga mbrëmjet, duke kërkuar për të takuar mikun tim të hershëm, kineastin, shkrimtarin, publicistin, Luan Rama, në atë kohë ambassador i Shqipërisë në Francë, më ndodhi një ngjarje e papritur. Atë mbrëmje, Ambasadën e gjeta zhurmëplotë, me shumë vizitorë, mes të cilëve edhe personalitete të shquara të artit, kulturës, diplomacisë; nga shoqëria civile, nga UNESCO; kritikë, gazetarë; shumë shqiptarë me banim në Paris, si dhe studentë shqiptarë.
Ishte vërtet një befasi dhe një fat! Zoti Ambasador, bënte përherë veprimtari të ndryshme për artin e kulturën. Dhe ajo mbrëmje i qe kushtuar piktores së re shqiptare Rudina Proda, ardhur nga Tirana së bashku me prindërit e saj. Ekspozita vetjake e Rudinës, me rreth 40 punë të teknikave të ndryshme, kishte krijuar një atmosferë të gëzueshme (ekzaltim) tek të gjithë të pranishmit. Një notë të veçantë i jepte pamjes mahnitëse prania e kësaj artisteje, e cila të krijonte përshtypjen se gjendej në botën midis përjetimit disi të lumtur dhe heshtjes, për shkak të sëmundjes së outizmit, gjithnjë e shoqëruar nga prindërit e saj Lola dhe Vehipi. Fjalët, asaj, ia kishin marrë pikturat, që dialogonin me të pranishmit, duke dhënë përshtypjen se diçka jo e zakontë a thua se po ndodhte, si një këndvështrim i ri për artin…! Të dukej sikur punimet e saj, në ide, ngjyra dhe interpretim, të shpalosnin një botë të magjishme plotë dritë dhe individualitet. Ajo mbrëmje la në shpirtin tim një ndjenjë të pashyeshme!
RUDINA PRODA
Lindi në Tiranë më 11 Nëntor 1978. Gjithësecili, që lexon informacionet për Rudinën, arrin tek mendimi për një artiste e formuar mes mësimit në shkollat e artit dhe vetjakes… Pak histori, për një mjeshtre të madhe, do të plotësonte një përfytyrim që lidhet me të zakonshmen dhe të jashtëzakonshmen në persona të veçantë. Mes një incidenti në ditët e para të paslindjes, Rudina do të bëhej brenga e shpirtit të prindërve dhe rruga e saj jetësore qysh nga fëmijëria, do të kalonte nga diagnostifikimi, kurimi, rehabilitimi, integrimi dhe socializimi i saj, por duke mbetur përjetësisht një person autik. Dhe, në raste të tilla, bën pjesë përbotërisht këshilla e mjekësisë për të ndjekur rrugën e artit, si pjesë e rëndësishme e terapisë. Vitet do të kalonin në heshtje, gjithnjë nën një përkujdesje të vazhdueshme, por një mbrëmje do të vinte si mrekulli dhe do të risillte në kujtesë këshillat e mjekëve austriakë, për ta drejtuar në rrugën e artit. Pikërisht në atë mbrëmje, duke qënë për vizitë tek tezja e saj, disa bojëra mbi tavolinë u bënë shkaku i një rrjedhimi të artë…! Ajo filloi të “zhgarravisë” a thua se ato ishin çelësi që do të hapte botën e heshtur, që do të sillte rrezen e dritës, si një shpresë e papritur për prindërit e saj. Do të ishte piktori i mirënjohur Bashkim Dervishi, mësimdhënësi i parë dhe i fundit, si një udhërrëfyes për Rudinën. Në atë kohë Rudina ishte nxënëse në Shkollën 8 vjeçare “11 Janari”, sot “Edith Durham”, e rrethuar nga një përkujdesje e veçantë e mësuesve dhe nxënësve.
Mësimet e para në pikturë me Rudinën nuk ishin të lehtë për mjeshtrin Bashkim Dervishi, i cili në momentet e para kishte edhe ndonjë shenjë iluzioni, duke kërkuar mundimshëm mënyrën dhe taktin psikologjik, për të zbërthyer një botë enigmatike. Art dhe terapi së bashku! Dhe, gjithë këto situara aspak të lehta, Rudina i përmbysi fuqishëm. Aty shfaqet talenti i saj jo i zakonshëm nga që s`kishte asgjë të ngjashme me të tjerët. Do të duheshin 6 vjet që ajo të pushtonte shpirtin e saj me artin dhe rruga u gjet. Ndoshta aq i duhej Rudinës, që u shkëput nga mësimdhënia dhe u bë e pavarur, duke u kthyer në mësuese të vetvetes, por duke ruajtur një dashuri të pakufishme për petagogun e saj. Tashmë, çdo gjë, brengat dhe gëzimet, takimet dhe ballafaqimet me jetën, natyrën dhe njerëzit, u kthyen në ART…! Ajo hyri në atë rrugë ku, ndoshta, qindra dhe mijëra shoqe e shokë me të njëjtat probleme shëndetësore nuk munden, për shkaqe dhe arsye të ndryshme objective a subjektive. Pra, e veçanta e saj qëndron te talenti i shpërthyer dhe pikërisht këtu qëndron lidhja psiko-fizike me artin, ndonëse mendimet janë të shumëllojshëme. Realiteti i saj të shpie të përfundimi se kemi të bëjmë me një talent të lindur gjenial!
VITET E RUDINËS
Do të kalonin 15 vjet që të komunikoja me Rudinën direkt, sy më sy. Të rejat unë i merrja shpesh përmes shtypit dhe lajmeve, që bënin fjalë për veprimtaritë e saj të artit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ajo, tashmë, i kishte kaluar stadet fëmijërore, të adoleshencës dhe kishte hyrë si një artiste avanguarde, e cilësuar “ambasadore e artit shqiptar”, nga që kishte hapur vetëm ekspozita vetjake në 23 shtete. Ndër mbi 130 ekspozita të çelura, mbi 65 janë ekspozita vetjake. Ajo është vlerësuar me më shumë se 30 çmime, diploma, vërtetesa, etj., në konkurse kombëtare e ndërkombëtare. Ajo, në vitin 2003, me rastin e 25 – vjetorit të lindjes, është dekoruar nga Presidenti I Republikës me Urdhërin “Naim Frashëri” e Argjendtë, me motivacion: “Për talentin e veçantë dhe punën e jashtëzakonshme në fushën e artit viziv, për krijimet origjinale dhe të papërsëritshme, për imagjinatën e pasur dhe sensibilitetin delikat, për përfaqësimin e shkëlqyer që i ka bërë Shqipërisë në botë. Si symbol i shpirtit piktor me gjithë botën e saj të veçantë”.
Kuptohet, nga ajo kohë e deri më sot, ka rrjedhur shumë ujë…!
Personalitete të ndryshme të artit, kulturës, politikës, diplomacisë, medias, kritikës; koleksionistë dhe artdashës, kanë lënë me shkrim qindra mendime, mbresa, kushtime, informacione, kritika, këshillime, shkrime këto origjinale, brilante e të jashtëzakonshme, për artisten dhe artin e saj, tashmë të përmbledhura në një libër prej 300 faqesh, që ka dalë kohët e fundit nga shtypi, me titull: “Faleminderit Rudina”! Rudina ka tashmë 8 albume vetjake, 7 prej të cilëve me mbi 700 punë të botuar në Shqipëri dhe 1 album me 12 punë i botuar në Kroaci; është pjesëtare në 5 albume të përbashkët: 3 të botuar në Shqipëri, 1 në Kosovë dhe 1 në Francë. Në albumet e përmendur paraqitet një punë kolosale, në të cilët ndërthuren arti i saj, cilësia e botimit, vlera e mbështetësve financiarë dhe iniciativa mahnitëse e prindërve të saj, Lolës dhe Vehipit, për të cilët Rudina është pulsi i zemrës së tyre dhe ata për Rudinën janë Perëndia…! Nuk është e tepërt ta themi se për Rudinën janë kompozuar enkas 3 këngë, janë realizuar, por edhe botuar një cikël vjershash, shumë dokumentarë dhe emisione televizive, realizuar 4 portrete nga artistë e krijues të ndryshëm. Mbi 200 punë të saj gjenden në muzeume, galeri dhe koleksionistë në Shqipëri e jashtë saj.
PARAJSA E RUDINËS
Maj 2014! Gjendem përsëri në Shqipëri. Dëshira ime ishte ta takoja edhe njëherë Rudinën, sepse i kisha dhënë fjalën se do të takoheshim me njëri – tjetrin, sado vite të kalonin. Shtëpia e Rudinës, në njërin nga pallatet e vjetër, tradicionalë, pranë Universitetit të Arteve, ishte kthyer në Studio Art “Rudina”. Pra, ajo, po të kishte qenë studente, do të ishte më e privilegjuara, sepse shkollën do ta kishte patur “te dera”. Ndoshta ajo thithi aromën e atij mjedisi arti, por nuk e pati fatin të ishte në auditoret e atyre ambienteve të Universitetit, ndonëse ka hapur një ekspozitë vetjake atje. Shkolla e saj, duke mos harruar ndihmesën e petagogut të shquar Bashkim Dervishi, u bë vetvetja dhe këtu qëndron vlera e talentit dhe e vullnetit të habitshëm të Rudinës. Ajo, si për çudi, i shpërfilli shkollarizmin, tabutë rigoroze të mësimdhënies dhe parapëlqeu pavarësinë brenda botës së saj, sa të çuditshme aq dhe të admirueshme.
Kur u hap dera s Studios, Rudina u shfaq me atë buzëqeshjen e saj plot çiltërsi. Më përqafoi. Menjëherë vura vura re ndryshimin e madh të viteve. Ajo ishte rritur e zbukuruar! E veshur me hijeshi, mes një embëlsie dhe buzëqeshjeje që e ka në zemër për këdo, më shoqërori… Ecja e saj mu duk si ecja e engjëllit në një hapësirë qiellore, mes një heshtjeje dhe një pritjeje për të dëgjuar një fjalë… Zëri i saj i ndojtur dhe i brendshëm të thotë: “Ja, ku po flas përmes veprave të mia”! Për një moment mbeta i shtangur kur pashë një koridor të gjatë, disi të ngushtë, i mbushur nga të dy anët me piktura që “puthnin” njëra – tjetrën. Të krijohej përshtypja se kjo ngushtësi dhe afërsi ishte e qëllimshme, që veprat të “flisnin” me së bashku, për të treguar historitë e gjithçkaje që i lidhte me Rudinën. Kjo mënyrë ekspozimi vazhdonte edhe në muret e 7 ambienteve të tjera ekspozimi në shtëpinë studio. Ndoshta edhe në tavan diçka mund të luante rolin e një afresku kupole! Shikoja punimet i habitur! Ato, kompozime, peisazhe, portrete, ndryshonin shpesh njëri nga tjetri, në ide, në teknika, në dimensione, në interpretim, në gamën koloristike. Ishin aq origjinale sa nuk dalloje asgjë të influencuar nga rryma e krijues të ndryshëm. Ajo jepte këndvështrimin e saj. Të dukej sikut të thoshte: “Unë nuk krijoj, unë vështroj”!
Në një moment u ndala, e përqafova Rudinën, i putha duart e saj të ARTA dhe nga shpirti më dolën fjalët: “Mos vallë erdha sot në Parajsën Rudina, atë parajsë që gjithkush e imagjinon në qiell, por që ajo e ka zbritur në tokë, në atë shtëpizë ku ajo ka jetuar gjithë dallgët e jetës së saj?
Ndodhesha në një lëndinë të gjelbëruar në nuance të paimagjinushme, të kësaj ngjyre shlodhëse, të dhënë mjeshtërisht me penelata të guximshme plot ndiesi frymëzimi. S`di cilën të shohësh më parë, të gjitha të rrëmbejnë si në një orkestër tingujsh e instrumentesh të ndryshëm, ku dirigjntia e tyre Rudinë, orkestron mes materialeve të ndryshme në mbi 15 teknika, si një magjistare e ideve jetësore, shpesh tronditëse e shpesh shlodhëse e paqësore. Shikon cikle jete, cikle portretesh, cikle lulesh, cikle ngjarjesh madhore e, mes tyre cikli Krishti, por jo ai qiellori, të cilin si duket ajo e ka zbritur në tokë, aq pranë vetes dhe botës që e rrethon.
“Rudina punon me cikle”, -shpjegon babai i saj. “Ajo nuk punon me séanca, por punon pandërprerje duke e përfunduar punën vetëm në një seancë. Intervali kohor i seicilës seancë ka variuar nga 2 orë – séanca më e shkurtër deri në 11 orë e gjysmë – seanca më e gjatë, kuptohet pa pushim. Teknikat që përdoren janë ato që i vijnë papritur, duke kërkuar qetësinë jashtë pranisë të të tjerëve, qoftë edhe të prindërve, por nën shoqërimin e muzikës. Kështu përshembull, Frederik Shopen, e krijoi nën shoqërimin e tingujve të muzikës së tij. E pashë me shumë kureshtje dhe vëmendje atë portret, në të cilin, mes pentagrameve dhe “notave të muzikës” të vëna çuditërisht të “çrregullta”, ravijëzohej portreti i mjeshtrit. Më tej një grup portretesh si ai i Nënë Terezes, Ibrahim Kodrës, Van Gogut – idhuli i dashurisë së saj aq sa së bashku me z. Luan Rama ka patur fatin të vendosë një buqetë me lule në varrin e tij. Më pas portreti i Hillari Klinton, i gjyshes, i nënës së saj, i vëllait që e ka larg dhe vite të tëra pa e parë, i Ledi Dajanës, të artistëve të shquar shqiptarë si Roza e Dhimitër Anagnosti, apo Zonja e Firmës “Gabi”, “Vajza me Medalion”, e vendosur në një sfond ultramarine (?) e vizatuar si një diell me sy ekspresivë…! E, kështu me radhë. Ja, “Refugjatet e Bosnjës”, me tonet e bluve, me lëvizje figurash plotë fantazi; “Kallogretë e Marsit 1997” – një cikël i tërë drithërues, i paraprirë nga kompozimi “Viktimat e Otrantos – Lulet e Otrantos”; “Jo armë – Jo vdekje”, punim që të lë përshtypjen e një pllakati mes një ideje të gjetur simbolikisht, ku në qendër të Shqiponjës vë portretin e një gruaje si thirrje për paqe e jo luftë!
Një cilësi e stilit të saj, në pjesën më të madhe të portreteve janë sytë e mëdhenj e shprehës, që në shumicën e rasteve dalin nga dimensionet e portreteve, sepse ajo ndoshta i vizaton dhe i pikturon qëllimisht, si shqisa që marrin e japin impulse vizive të botës. Një seri kompozimesh hyjnë te cikli “Rrugët e Jetës”, të mbushura me idetë e kohës, apo te cikli “Refugjatet”, që, aq pranë mund të qëndronin me refugjatet e mjeshtrit të mrekullueshëm, Artistit të Popullit Abdurrahim Buza; ose “Nju – Jorku në 11 Shtator” e kështu me radhë. Pas tyre, cikle të tjerë, peisazhe pa kufi. Pambarimisht ide që sjellin këndvështrime jete në luftën kundër së keqes, që sjellin këndvështrime dashurie për të mirën. Të krijohet bindja se vetë ajo përjeton katërcipërisht ngjarje jetësore dhe merr impulse frymëzimi nga jeta e përditshme, por që të duket gjithçka si një botë ëndërrimtare. Dhe, me të vërtetë, në atë parajsën e saj, ndihesh si në ëndërr për gjithçka mbi realitetin dhe jashtë realitetit. Në ide ajo është sa koshiente aq edhe e vërtetë, por, kur vjen momenti shprehës ajo vë gati inkoshiencën e, ndoshta, ato momente janë deliri i saj, dashuria e pakufishme për artin. Idetë e saj i nënshtrohen me rigorozitet teknikave që përzgjedh. Vaji, akriliku, tempera, akuareli, pasteli, flomastre, lapsi, lapsat me ngjyra, stilolapsi, guashi, glitteri, tushi kinez, graffiti, punimi në alumin etj., në telajo, në letër, karton, fajazit; në gazetë, në revistë a copa letrash, të duken se je para shpikjeve. Shumë artistë kanë preferencë në dy a tri teknika, kurse ajo është universale. Ajo i do të gjitha ngjyrat mbi tavolinë, pavarësisht nëse i përdor ose jo të gjitha. Kjo ndodh sepse ajo nuk ka kohë të rrijë e të mendohet, por i do që t`i ketë të gjitha ngjyrat përpara, për të hedhur idenë që e ka të konsoliduar në trurin e saj. Pra, ajo e kërkon dhe e përdor ngjyrën si veçanti shprehëse. Për shembull, siç mund të krahasohet periudha blu e Pikasos, ashtu dhe Rudina jonë ka periudhën e saj blu tek akuarelet, si te portreti i mrekullueshëm “Jetimja” apo te kompozimi “Viktimat e Prespës”, në jeshile, të verdhë, të kuqe, kafe, violet, atë ngjyrë që të jep ankthin; tanociona që të kujton, ndoshta, siç themi “e kuqja e Ticianit apo e Onufrit”, “e verdha e Van Gogut”. Mes këtyre krahasimeve, në ndiesinë e saj të magjishme të kombinimit të ngjyrave, mund të shprehemi pa frikë: “Ja ngjyrat e Rudinës”! Kur sheh punimet në gjininë e kompozimit, zbulon si mister këndvështrimin e interpretimin mes raporteve hapësirë e dimension, volum e thellësi. E, në këtë aspekt lidhës, si një mjet i veçantë shprehjeje është mbisundimi i dritës. Punimet e saj janë plot dritë dhe shpesh duket sikur burojnë nga një pikë ndriçimi, që përhapet si rrezatim diellor. Në mbyllje të formatit jepet fuqishëm kjo dritë, që është vetëm shpirtërore a hyjnore. Ajo krijon edhe një aureolë disi të errët, ashtu siç vihet re në ciklet dita dhe nata apo peisazhet e shumtë të saj.
Një shumicë e punimeve janë të ndara në mënyrë simetrike, në kuadratura dhe çdo njëra prej tyre ka një ide, ose të veçantë ose lidhëse, që jepen në 4, 6, 12, 16 pjesëza. Në punimet e saj hapen horizonte e informacione të habitshme. Shumë prej tyre mund t`u nënshtrohen arteve të aplikuara. Për shembull: Punët e ciklit “Rrugët e Jetës” thua se presin të realizohen teknikisht në një gobelinë a tapet, gjë që e ndjen edhe te peisazhet, lulet etj. Si një realizim i mundshëm në një afresk terakot mozaik është një prej cikleve të saj “Malësoret”, apo “Përjetime”, por edhe kompozimet e realizuara në flomastre e shumë punime të përafërta me to. Ajo kalon nga një formë shprehëse, sa primitive surealiste aq edhe realiste e moderne; sa fëmijërore aq edhe e formuar si artiste me koncepte të sakta shprehëse e intepretuese nga origjinaliteti i saj frymëzues. Kushdo e ka të vështirë të kuptojë vërtetësinë dhe origjinën, por më e vështira qëndron t`i përgjigjesh emocioneve që ta jep pyetja se si ka mundësi, si i ka realizuar ajo botë e saj e brendshme, ndër vite të tëra, si ka mundësi t`i kushtonte qindra e mijëra orë, mes problemeve të shëndetit, realizimit të më se 4000 punimeve?! A nuk të trondit, por njëkohësisht edhe të lumturon ky fakt i dhënies së mesazheve përmes artit, me një ndjenjë të dlirtë, që të duket sikur ajo të zhyt në mendime e në misterin e personalitetit të saj të padiskutueshëm?! Pra, ajo të mbisundon përmes artit të saj tejet gjenial, duke thënë se jeta ime është art, prej të cilit unë gjeta rrugën e shpëtimit dhe nga një errësirë në fillimet e jetës sime, unë mora një dritë të shenjtë që nuk do të fiket kurrë…!
INTIMITETI RUDINË
Orët e shumta të vizitës dhe bisedave me Rudinën dhe prindërit e saj, këta të fundit më shprehën dëshirën që, para se të largohesha, të shihja intimitetin e ambientit të saj jetësor e krijues. Një parajsë e dytë ishte dhoma e vogël, e thjeshtë, e rregulluar bukur, me një krevat, dollap e tavolinë që rrethoheshin nga piktura e kukulla të shumta, si kujtimi më i artë i fëmijërisë, si dhurata nga njerëz të familjes, të miqve të shumë, por edhe nga shtetet ku ajo ka ekspozuar. Ajo flet me to intimësisht, i rregullon dhe i zbukuron, duke u vënë emrat seicilës prej tyre; i vizaton, i lëviz në ditë të ndryshme në pozicione të reja, duke luajtur rolin e një regjizoreje! Ato janë aq të bukura sa Rudina m`u duk si Liza në botën e çudirave. Në një si komo të xhamtë ekspozohen antikuaret dhe dhuratat nga vende të ndryshme, më tej etazherë me kartotekën, fototekën e kështu me radhë. Ja dhe dhoma e punës, kavaleti i drunjtë me tavalocin, që presin çdo ditë engjëllin e tyre…!
Pasi kaluan disa orë, u largova i shoqëruar nga Rudina dhe prindërit e saj, me një ndjenjë gëzimi e, mes tij, me mendime të shumta që më vinin. Më dukej sikur ato, veprat e saj, i ngjanin aq shumë një vullkani ku, zjarri i tij, ngroh këdo që ka fatin ta shohë e ta njohë Parajsën Rudinë. Pas këtyre vetvetiu vijnë pyetjet si probleme të hapura jo vetëm të prindërve por edhe të shtetit, të individëve artdahsës e të galeristëve se çfarë do të bëhet me eposin e saj krijues? Vallë i ka mundësitë Studio Art “Rudina”, në atë ambient aq të ngusht hapsinor e jetësor, për të bërë dhe për të ekspozuar artin e Rudinës? Shumica e punëve rrinë të grumbulluara e të ngujuara në kënde, çanta e dollape, të cilat vështirë se mund t`i shije. Puna plot pasion e prindërve, për menaxhimin e tyre, për ekspozimin në ekspozita e takime të ndryshme në Shqipëri e jashtë saj, është e jashtëzakonshme dhe raskapitëse në të gjitha drejtimet. Rudina ka, tashmë, një pasuri artistike me vlera unikale, prej të cilave 2100 punë janë të certifikuara në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Paurisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës, në Tiranë, dinamikë që vazhdon të bëhet pandërprerë, pse jo, pë t`i rregjistruar të gjitha punët e saj. Pra, jemi para një skedimi tepër rigoroz dhe çdo punë, qoftë edhe në letër A4, ka Vërtetesën a Pasaportën e saj, me të dhënat për çdo punë të regjistruar deri tani. Sipas prindërve të Rudinës, një punë e tillë për rregjistrimin dhe dokumentimin e veprave të saj, qofshin ato edhe “rutinore”, nuk do të ndërpritet ose më mirë ta themi se do të vazhdojë për aq kohë sa ajo do të pikturojë, por edhe për aq kohë sa neve do të jemi pranë saj.
Rudina, me siguri, nuk i përket më familjes, por i përket edhe Atdheut, kombit shqiptar, sepse vepra e saj ka atë medaljon gjaku e shpirti sa edhe jo pak të huaj thonë se ajo është edhe pjesë jona përmes veprave të saja dhe, si e tillë, na përket edhe neve! Prandaj, krijimi i një galerie a muzeumi arti me emrin “RUDINA”, nga shteti shqiptar apo nga persona që i kanë mundësitë financiare dhe menazheriale, do të kishte vlera shumëplanëshe. Një investim i tillë do të kthehej shumëfish, sepse i tillë është opusi krijues i artistes.
Urime dhe vazhdimësi në artin e saj dhe në jetën e Rudinës sonë të dashur, të urtë, punëtore, tepër modeste dhe të brishtë!(Ne Foto: Autori i shkrimit dhe piktorja Rudina Proda}
Vlash Droboniku
Regjisor, Piktor, Artist i Merituar, Artist i Karrierës