Nga Enver Bytyçi/Dita e parë e javës u hap me një lajm përmbyllës në fund të një odeseje akuzash e kundërakuzash në kampin e Rilindjes: Shkarkohet ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Akuza: Ka folur pa lejen e Endri Fugës, dmth të Padishahut, Sulltan Aladin Edi Rama! Ylli Manjanin e zevendëson Petrit Vasili. Kështu një mjek do ta shërojë drejtësinë e sëmurë, sepse juristi Manjani nuk ishte “i aftë” ta bënte këtë!!! Megjithatë u vu në krye të dikasterit të drejtësisë një kritik tjetër i spikatur i qeverisë Rama! Dhe nuk u shkarkua ai që tronditi në themel aleancën rilindase, ministri i Mjedisit, Lefter Koka! Ilir Meta priti në zyrë mëngjesin e sotëm kreun e ekzekutivit, zotin Rama, dhe pranoi ultimatumin e tij: “Ose shkarkohet Ylli Manjani, ose largohuni nga koalicioni”! Vënia para kësaj alternative e vështirësoi pozicionin e kreut të LSI-së, ndërkohë që ai dha sinjalet e një tërheqjeje që të shtunën, kur kërkoi të ulen tensionet retorike e të “bëhet me shumë punë”. Vetë i kishte nxitur vartësit e tij në qeveri të ngrinin tonet dhe ta telendisnin qeverisjen e zotit Rama dhe po vetë u tërhoq, përkohësisht ose jo, megjithhatë me “bisht nën shalë”. Ilir Meta në mënyrë të pazakontë u vu nën qizmen e Edi Ramës, madje për një ministër, të cilin e dërgoi aty pikërisht për kundërpeshë me aleatin e tij. U duk se debati i nisur para dy javësh do të përfundonte me një divorc të PS-së dhe LSI-së dhe vendi do të shkonte kështu në 45 ditë në zgjedhje të reja, ndoshta me një qeveri ekspertësh ose teknike. Në fakt epilogu i betejës kalorsiake midis dy kokave të qeverisjes përfundoi me prerjen e njërës prej tyre, “të kokës më të vogël”. Shumë njerëz kanë shtruar sot pyetjen se kush fitoi dhe kush humbi në këtë spektakël politik unikal në llojin e vet. Nga pikëpamja politike fitoi kryeministri Rama. Ai provokoi dhe e vuri nën gjunjë aleatin “e fuqishëm” në koalicion. Ju deshën vetëm 45 minuta të qëndronte në ring, jo më shumë. Pas 45 minutash ngriti flamurin e fitores. Humbi kreu i LSI-së, zoti Meta, qoftë dhe përkohësisht! Ndërsa çmimin më të madh nga të tilla lojëra politike duket se do ta paguajnë shqiptarët. Bazuar në deklaratën e ministrit të shkarkuar, zotit Manjani, shqiptarët do të paguajnë dhomat luksoze të hotelit të Balilit, ku ministrat e Ramës bëjnë orgji me paratë e shqiptarëve! Qytetarët e këtij vendi do të paguajnë, gjithnjë sipas zotit Manjani, korrupsionin që bëhet në tavolinën ovale të zbukuruar me flamurin kuq e zi e në sfond portretin e Ismail Qemalit të qeverisë shqiptare, ku votohen vendime korruptive, ku favorizohen bizneset e miqve të kryeministrit e kështu me radhë. Ndërsa fatura e korrupsionit nën tavolinë është shumëfish më e lartë. Ne do të paguajmë kufizimin pa limit të demokracisë, transparencës dhe fjalës së lirë, sepse gardiani i tyre do të vazhdojë të jetë kryeministri Rama dhe shefi i tij i kabinetit, Endri Fuga, I ngarkuar gjithashtu të vëzhgojë shpërndarjen e parave për NGO-të që i bëjnë fresk qeverisë në fushatë zgjedhore! Ne do të paguajmë në votime investimin që qeveria ka bërë dhe bën për përhapjen e kultivimit dhe trafikut të drogave! Ne do të paguajmë kështu rilindjen e diktaturës, të diskriminimit, të dhunës, të luftës për mbijetesë, atë rilindje, të cilën Rexhep Qosja ia kumtoi zotit Rama që kur ky i fundit ishte në opozitë, me qëllim që t’i nënshtronte, përdhunonte dhe poshtëronte shqiptarët! Po jo vetëm kaq. Zoti Manjani u tha shqiptarëve se qeveria Rama është një qeveri e kapur nga mafia dhe një qeveri mafioze është kostoja më e lartë e një kombi. Ai u shkarkua nga detyra menjëherë pasi kërkoi arrestimin e Balilit, që do të thotë se ministrat në këtë vend i emëron dhe shkarkon eskobari, kreu i mafies ballkanike e shqiptare, jo kryeministri i vendit, që do të thotë se ekzekutivin shqiptar e drejton mafia dhe jo politika, aq më pak një elitë politike e orientuar nga interesat e vendit e të kombit! Manjani tha se aleatët i kanë kërkuar zotit Rama shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Por kryeministri në vend të shkarkojë Tahirin, i cili akuzohet për mbrojtjen e trafikantëve të drogës dhe kriminelëve që marrin peng shtetin, shkarkon kritikët e panënshtruar nga mëkëmbësi i tij, Fuga! Kush tjetër, veç shqiptarëve, do ta paguajë gjithashtu këtë kosto të bashkëpunimit me krimin, trafikun, padrejtësinë, antiligjin, antishtetin?! Këto ishin mesazhet e paradites së sotme! Shkarkimi i Ylli Manjanit nga posti i ministrit të Drejtësisë në fakt ishte simbolikë, nuk është zgjidhja. Simbolika është e dukshme në dritë të diellit. Hashashi është aty edhe pa Ylli Manjanin. Po ashtu ministrat e Ramës në mos fjetshin tashmë në hotelin e Klemenet Balilit, do të flenë në hotelet e Balilajve të Vlorës ose të Shullazëve të Tiranës. Simbolika shkon edhe më tej: Pa lejen e kryeministrit nuk mund të marrin frymë jo vetëm ministrat, por askush në oborrin e tij, madje edhe ata që jetojnë në periferi të këtij oborri kryeministror! Kush guxon, përballet me “shpatën e mprehtë” të Zeusit shqiptar të shekullit të XXI. Në konferencën për shtyp zoti Manjani foli përsëri dhe duket se tani do të jetë “i lirë” nga Rama që t’i shprehë shumë të vërteta të hidhura të qeverisjes së Rilindjes. Gjithnjë nëse zoti Meta do ia japë lejen dhe lirinë e shprehjes. Por së paku Rama nuk ka në dorë ta pengojë më atë. Ka në dorë vetëm të urdhërojë mediat, që ta ndalojnë përhapjen e fjalës së tij. Megjithatë dhe për kaq sa ka folur zoti Manjani ka krijuar identitetin e tij të veçantë, i ka dhënë një dimension të caktuar frymës së lirisë në këtë vend. Por nuk mjafton. Ose duhet shkarkuar gjithashtu ministri Koka, ose duhen deklasifikuar motivet, arësyeja dhe shkaku i shkarkimit të zotit Manjani. Sepse Lefter Koka tha ndoshta diçka më shumë sesa Ylli Manjani. Ndërkaq duhet të shohim në javët në vazhdim nëse Petrit Vasili do të shfaqet si më parë “parimor e kritik”, apo do të struket nën tavolinën ovale të kabinetit me gojën mbyllur dhe dorën lart në miratim të aferave të reja të Rilindjes alla Qosja-Rama. Duhet të shohim edhe eksponentët e tjerë të LSI-së, nëse do të guxojnë pas këtij presioni e diversioni që bëri kryeministri të shprehen lirshëm me kritika për qeverisjen e Rilindjes. Shkarkimi I Ylli Manjanit ishte diversion politik e njëkohësisht test për Ilir Metën. Në finish Rama provoi se është i aftë t’i imponohet aleatit të tij, ndoshta deri në atë masë sa t’ia diktojë kushtet për vazhdimin e koalcicionit qeveritar të Rilindjes 2 pas 18 qershorit, nëse ky koalicion do të marrë votat e shqiptarëve. Modeli I Bashkisë së Durrësit është provuar si produktiv. Duket që zoti Rama do ta detyrojë zotin Meta që të bëjë të njëjtën gjë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme. Ndërkaq opozita duhet të jetë më e fokusuar për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare me aleatët e saj, të cilët i qëndruan asaj besnikë në këto vite shumë të vështira për të për shkak të arrogancës së shfrenuar të Rilindjes së dështuar të bëjë shtet demokratik, human, liberal dhe funksional. Opozita duhet të vijë në pushtet jo pse koalicioni qeverisës grindet dhe pa përfituar nga konflikti në gjirin e mazhorancës. Opozita ka mundësi, aftësi, resurse, energji, eksperiencë, dije dhe kapacitete të krijojë frymë anti-Rilindje me qëllim që t’u japë shqiptarëve shpresën për një kthesë rrënjësore në zhvillimin e vendit. Opozita e Manjanit, Kokës, madje dhe e Ben Blushit e disa të tjerëve që shfaqen si antiRamë me porosi të Ramës nuk e kthen shpresën te shqiptarët. Eshtë opozita reale, e dhunuar, e etiketuar deri në ekstrem me fjalët më fyese nga kreu i mazhorancës, ajo që i bashkon shqiptarët dhe bën të mundur ndryshimin. Mjafton t’i bindë qytetarët e këtij vendi se ky ndryshim nuk do të sjellë zhgënjim.
Pse dhe kush e kërkon eleminimin e Ramush Haradinajt?!
Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/Ramush Haradinaj është ndaluar të merkuren e shkuar nga policia kufitare franceze me arësyetimin se për këtë është lëshuar në vitin 2004 një urdhër arresti nga një gjykatë e Serbisë. Ishte hera e dytë që kreu I AAK-së ndalohet sipas të të njëjtit urdhër-arresti të lëshuar nga interpoli serb. Para dy vitesh ai u ndalua në Slloveni me të njëjtin justifikim dhe u lirua pas sqarimit të rrethanave.
Ky akt është komentuar në mënyra të ndryshme. Shumica e komentuesve e kanë heroizuar Haradinajn, duke mbrojtur jo vetëm atë, por edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj të drejtë, pa çka që shumë prej komandantëve të asaj lufte e kanë denigruar qëllimin idealist të saj. Në ndonjë rast është aluduar në konspiracione të tilla, sikur “kjo që I bëhet Haradinajt është e qëllimshme, pasi Serbia përpiqet ta demonizojë dhe faktorizojë zotin Haradinaj, me qëllim që ai të fitojë kapital politik”.
Në fakt akti I ndalimit të ish-komandantit të UÇK-së ka krijuar një “hartë politike” me kufij të qartë pro dhe kundër tij. Në këtë hartë reagimesh vihen re tri ngjyra:
Së pari, ngjyra e kuqe e dominon debatin brendashqiptar, çka do të thotë se shqiptarët nuk pajtohen asesi me akte të tilla armiqësore të Serbisë dhe aleatëve të saj në Europë kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve. Çka do të thotë gjithashtu se shqiptarët janë të mendimit se Serbia dhe aleatët e saj kanë shkelur jo vetëm lirinë dhe të drejtën individuale njerëzore e politike të Ramush Haradinajt, por edhe dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve.
Në fakt kjo e vërtetë është e dhimbshme, sepse në asnjë rast shqiptarët nuk kanë parë të arrestohet ndonjë bandit serb pjesmarrës në masakrat kundër tyre. E ndërsa këta banditë e kriminelë me shumicë shetisin lirshëm në të gjithë botën, luftëtarë të UÇK-së ndalohen si delet sa herë që shtetet përkatëse duan të fitojnë ndonjë koncension nga qeverisja e Beogradit. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që Haradinaj nuk u prangos nga policia franceze në qershor të vitit të kaluar kur ai ndodhej atje për të ndjekur kampionatin europian të futbollit, pavarësisht se urdhëri i Interpolit mban datën e një prej ditëve të 2004-es.
Se kriminelët serbë të masakrave kundër shqiptarëve janë të lirë të riorganizohen ende sot kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kjo është e dëshmuar në dhjetra e qindra raste, përfshirë dhe rastin e kryekriminelit Vojisllav Shejshel. Gjithkush në botë e njeh faktin që 15 mijë viktima të terrorit në Kosovë nuk kanë mundur t’i shkaktojnë 10-20-30-apo 50 veta sa Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi dhe gjykatat serbe kanë nxjerrë deri më sot në bankën e të akuzuarve. Dhe nëse ish-presidenti i Serbisë, pastaj ministër i Jashtëm i kohës së luftës, Milan Milutinoviç, u shpall i pafajshëm, Ramush Haradinaj u shpall dy herë i pafajshëm, ndërkohë që pafajësia e tij është miliona herë më e përligjur dhe më e moralshme sesa pafajësia e Milutinoviç.
Kjo diferencë e të bërit drejtësi nga Europa që na reklamon shtëtin e së drejtës është mesazhi më i keq që ajo i jep shqiptarëve dhe popujve e demokracisë europiane. Ky është diskriminim, ky akt, në kuptimin e mësipërm është vazhdimi i aparteidit të Milosheviçit ndaj Kosovës dhe sidomos popullsisë shqiptare në Kosovë. Nëse dikush gjen një perifrazim më të butë që t’i shkojë të vërtetës, jam i gatshëm të kërkoj ndjesë. Por arrestimi i Ramush Haradinajt nga policia franceze në zbatim të një urdhëri të një gjykate serbe, që vetëm krinimelë nuk ndëshkon, është vazhdimi i politikave të diskriminimit kundër shqiptarëve, tashmë përmes një policie që pretendon se ka shpik demokracinë e revolucionit francez, madje me parullën e famshme liri-barazi-vëllazëri. Zaten ata që artikulojnë të tilla stampa e bëjnë këtë për të fshehur urrejtjen, pabarazinë dhe tiraninë.
Së dyti, u dallua qartë ngjyra e zezë e këti teatri politik. Dy momente më ranë në sy gjatë kësaj skene dhe aplikimit të kësaj skeme denigruese antishqiptare. E para, se kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përsëriti kërkesën për ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi, me qëllim që “krimet” e tij t’i gjykojë si në kohën e Milosheviçit i njëjti gjyqtar i asaj kohe, kur dënonte shqiptarët, pse janë shqiptarë. Nëse do të ndodhte kjo, pra ekstradimi, drejtësia do të duhej vendosur me konflikt të përsëritur midis serbëve dhe shqiptarëve.
Dhe e dyta ishte Marine Le Pen, ajo e cila u kërkoi me ngulm autoriteteve të vendit të saj që të “zbatojnë ligjin” dhe ish-kreun e UÇK-së ta dërgonin para gjykatës. Të dy këta u bashkuan hapur në politikat e tyre antishqiptare. Justifikimi: “Të bëhet drejtësi”!!! Por ama asnjëherë nuk i ka dëgjuar dikush këta “drejtësibërës” të kërkojnë drejtësi për mijëra viktimat shqiptare që Serbia i shkaktoi vetëm në luftën e fundit në Kosovë?! Asnjëherë nuk i dëgjoi dikush të “thërrisnin për drejtësi” për mijëra gratë dhe vajzat shqiptare të përdhunuara nga policët, ushtarët dhe paraushtarakët serbë në kohën e konfliktit në Kosovë?!
Ndërkaq drejtësinë për Ramush Haradinajn e ka dhënë dy herë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Dhe në këtë rast, nëse e individualizojmë fenomenin, politika serbe e Beogradit dhe e Frontit Nacional Kombëtar në Paris nuk bën tjetër, vetëm se ushtron presion ndaj drejtësisë. Rasti i Haradinajt na dha kështu mundësinë dhe njëherë të shohim se sa re të zeza fryjnë në qiellin e Kosovës dhe të hapësirës shqiptare në Ballkan. Forcat antishqiptare në Europë po bashkohen, ndërkohë qe ne shqiptarët po i fryjmë me ndihmën e liderëve tanë “botërorë” zjarrit të përçarjes!!!
Së treti, në këtë rast u shfaq dhe ngjyra gri, ngjyra që përfaqëson marrëdhëniet e vëllazërim-bashkimit shqiptaro-serb, ngjyra e politikave të kastës së korruptuar të Prishtinës dhe Tiranës në marrëdhëniet me Beogradin, Parisin dhe ndonjë kryeqytet tjetër antishqiptar në Europë. Këta të ngjyrës gri bënë ca deklarata folklorike, gjë për të cilën ishin kujdesur të dukeshin sa më pompoze në fjalor, por pa asnjë akt presioni ndaj Beogradit ose Parisit. Ngjyra gri e Ramës, Thaçit apo Bushatit u duk si kombinim i atyre tri ngjyrave të flamurit francez në xhepin e vogël të xhaketës së kryeministrit shqiptar. Mund të konsiderohen edhe si tri ngjyrat e flamurit jugosllav, sepse nuk kishte ndryshim midis këtyre dy flamujve, përveçse vendvendosjes së tyre.
Ngjyra gri e reagimit në Kosovë u kondicionua me të qenit kundërshtarë politikë. Pushteti e konsideron Haradinajn armik, jo rival në politikë, për pasojë nuk reagon me forcë kundër aktit. Ky pushtet nuk merr guximin as të kërkojë ndjesë, pse nuk e ka kushtëzuar dialogun në Bruksel me anulimin e këtyre urdhërave të arrestit serb kundër shqiptarëve! Asnjëri prej tyre, as këta të Tiranës, as ata të Prishtinës nuk iu kundërvunë politikave të tilla të denigrimit të Serbisë dhe të Francës. Në Tiranë dihen arësyet: Hollande do të vizitojë kryeqytetin shqiptar në mars dhe nuk “duhen trazuar ujërat”, ai, edhe pse në ikje nuk duhet cënuar në dinjitet. Dhe shqiptarët janë I vetmi komb që zgjedh si liderë ata që më shumë përkujdesen për integritetin e dinjitetin e botës sesa të vetin?! Këtyre tanëve u mjafton imazhi, makiazhi, egoja për elozhe. Më i rëndësishëm është imazhi i kryeministrit Rama, se sa jeta, integriteti dhe dinjiteti i ish-kryeministrit të Kosovës dhe i shqiptarëve! Më e rëndësishme është lidhja e ngushtë e bashkim-vëllazërimit kryeministrin e Serbisë, sesa e drejta dhe e vërteta!
Po në Prishtinë pse nuk duhej një reaksion i ashpër. Pse mos të nxirrej një urdhër-arresti për ish-zevendësin e Shejshelit e ish-ministrin e kohës së luftës në Kosovë, presidentin aktual serb, Tomisllav Nikoliç e për ish-ministrat e Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç e Ivica Daçiç, së paku për t’ua prerë rrugën për vizita në Kosovë? Nikoliç do të shkon neser në Kosovë dhe askush nuk e cënon as në majën e flokut, as në dinjitet e as në integritet! Pse? Se dëmtohet dialogu?! Se dëmtohen përpjekjet për paqe në rajon?! Kur krininelët nuk e duan paqen, pse duhet ta pranojnë viktimat e tyre?! Aq më tepër në kushtet e diskriminimit?! A nuk u bë lufta për liri, drejtësi, barazi e sintetizuar kjo në pavarësinë e Kosovës?! Sot, mbas 18 viteve kur lufta ka mbaruar dhe mbas 9 viteve pavarësi, Kosova nuk është e zonja jo më të kërkojë drejtësi e barazi, por po ve në pikëpyetje reazultatet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të saj. Këtë mesazh na e japin qëndrimet e ngjyrës gri të të dy kryeqyteteve tona në rastin e Haradinajt.
Duke e përmbyllur këtë kolumne dua të shpreh gjithashtu shqetësimin se autoritetet shqiptare ende nuk po kuptojnë se gjeopolitika ka ndryshuar dhe për pasojë ka sjellë disfavore për ne shqiptarët, disfavore, të cilat ne vetë po i shumëfishojmë me qëndrimet gri nga njëra anë dhe fushatën nacionaliste folklorike elektorale nga ana tjetër, gjithnjë për të maskuar debulesën e oligarkëve tanë ndaj aleancave që favorizojnë korrupsionin, krimin, ryshfetin dhe antishqiptarizmin.
Ndërkohë, gjithë këto përpjekje për ta eleminuar fizikisht e politikisht Ramush Haradinajn e bëjnë atë një protagonist të padiskutueshëm në skenën politike të Kosovës. Meqenëse përpjekjet për dënimin e tij kanë filluar që në vitin 2004 e vazhdojnë edhe sot, kjo do të thotë se teoritë e konspiracionit janë shpikje e atyre shqiptarëve që nuk e duan politikisht Ramush Haradinajn. Pikërisht se ai është i padëshirueshëm në Beograd, duhet të jetë protagonist i politikës së Prishtinës.
Me këtë rast dua të theksoj se qeverisja e sotme e Prishtinës në shumicë është produkt i vullnetit të përbashkët të qeverisjes së Tiranës dhe asaj të Beogradit. Nëse Fatos Nano fliste me Milosheviçin (1997) për projektin e zgjidhjes së konfliktit, ai dhe Milosheviçi përcaktonin dhe realizuesit e projektit të tyre. Nëse Ilir Meta fliste për projektin e Kosovës pa Rugovën (2001) me ish-kryeministrin e ndjerë serb, Zoran Xhinxhiç, ata flisnin dhe për njerëzit që do të implementonin këto projekte. Nëse Edi Rama harton projekte të përbashkëta me Vuçiçin (2013-2017), të dy këta kanë projektuar edhe stafin në krye të institucioneve të Kosovës për realizimin e këtyre projekteve. Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetet jashtë këtyre projekteve. Madje po bëhen përpjekje për ta eleminuar, ndoshta edhe si i preferuar i presidentit amerikan, Donald Trump. Pikërisht kjo e bën atë të kompletuar dhe të domozdoshëm për t’u rikthyer fuqishëm në skenën politike të vendit.
Homazh për atdhetarin e diplomatin e shquar, Gani Azemi
Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi/
Në historinë tonë kombëtare brezat kanë lënë një trashëgimi të pashtershme, e cila i frymëzon shqiptarët në udhën e lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Ndërsa periudha e dekadave të fundit të shekullit XX ishte për Kosovën koha e rilindjes së saj, për shkak se djemtë dhe vajzat e Kosovës u shkolluan dhe mësuan se nuk mjafton vetëm pushka për ta fituar lirinë. Ndër këta më të spikaturit ishte padyshim Gani Azemi, një personalitet politik, diplomat, gazetar, veprimtar i shquar dhe pse jo edhe krijues e poet i talentuar. Gani Azemi lindi më 1951 në fshatin Babush, afër Gadimes së njour në Kosovë për shpellën e saj të famshme me kristalet e mrekullueshme. Ndoshta këtu, ku dhe mbaroi studimet e para, ai u formua si idealist i kristaltë, me shpirtin e lirisë dhe dashurinë e pakufishme për vendin e tij, Kosovën. Mbaroi normalen e Ferizajt e më pas universitetin e Prishtinës. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u përfshi në protestat dhe demonstratat e vitit 1968 për “Kosovën Republikë” dhe natyrshëm një protestues i kësaj moshe nuk mund ta tradhëtonte veten e tij në asnjë moshë tjetër. Prandaj nuk iu nda veprimtarisë patriotike për një Kosovë të lirë e të pavarur, derisa nën presionin e forcave të sigurisë e të shërbimit të fshehtë serb u detyrua më 1978 të arratiset nga vendi e të kërkonte azil në Bruksel. Eshtë interesant fakti se kur Ganiu u arratis nga Kosova në Perendim po kryente shërbimin ushtarak në armatën jugosllave. Të guxoje të ikje nga ai shërbim ishte një guxim i dyfishtë, që shprehte veç tjerash vendosmërinë e tij për të sfiduar regjimin e Beogradit në Kosovë. Një sfidë, të cilën pak njerëz e kanë realizuar. Dhe për këtë arësye Gani Azemi ishte në shënjestër të goditjeve dhe të atentateve të UDB-së. Shërbimi sekret serb nuk mund të pranonte këtë sfidë, si dhe devotshmërinë dhe punën atdhetare të tij me qëllim lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Prandaj u përpoq që ta likuidontë atë fizikisht, siç kishte bërë me patriot të mëdhenj të asaj kohe si Jusuf e Bardhosh Gërvalla (1981) apo Enver Hadrin më vonë (1990). Ai u largua dhe dezertoi nga ustria jugosllave pas një dhune e torture të zgjatur në kohë, për ç’shkak ishte dobësuar dhe do të përballes edhe me ndonjë sëmundje. Ashtu, I dobët, por me vullnet të fortë Ganiu i tha “JO” shërbimit ushtarak, i tha “JO”, torturës e dhunës fizike e psikologjike të regjimit të Beogradit. Gani Azemi u shfaq në Bruksel asokohe jo si një punëkërkues, por si një luftëtar lirie. Shpirti i lirisë ishte dhe shpirti i Kosovës, e cila pak më vonë do të bëhej përsëri pre e dhunës dhe terrorit serb. Ndodhën ngjarjet e vitit 1981, të krahasueshme me ato të vitit 1968, dhe Prishtina e qytete të tjera të vendit u pushtuan nga tanket, ushtria dhe policia federative e Jugosllavisë (saktësisht Serbisë). Zoti Azemi prej këtij momenti organizoi mërgatën e Brukselit, më pas të të gjithë shqiptarëve në Belgjikë e më vonë me ndikim tek e gjithë mërgata në Europë e deri në Amerikë, për të denoncuar dhunën shtetërore të Beogradit në Kosovë. Denoncimi i atyre veprimeve antihumane e antishtetërore ishte një detyrë parësore për shumë arësye. – Sepse Serbia ishte shfaqur para opinionin europian si viktima e shqiptarëve dhe e kombeve të tjera në Ballkan dhe me evidentimin e dhunës serbe e denoncimin e saj, ajo do të shihej me sytë e një realiteti ekzistues. – Sepse shqiptarët, ata në Shqipëri dhe shumë shqiptarë të Kosovës në diasporë nën ndikimin e ideologjisë komuniste hoxhiane, u shfaqën në opinionin perendimor si nacionalistë, si njerëz problematikë, që duan të ndryshojnë hartën e Ballkanit me dhunë. Ky qëndrim i Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, duke thirrur në ndihmë të pushtetit nacionalizmin e përforcoi përceptimin se “serbët janë vërtet viktima të shqiptarëve”. Në vend të ankoheshin shqiptarët, ankoheshin serbët, në vend që shqiptarët të qanin për varret që hapeshin, ata mburreshin me heroizmat e tyre dhe me dëshmorët fiktivë të tyre, duke e ndihëmuar procesin e viktimizimit të Serbisë e të serbëve. Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, Gani Azemi punoi me mish e me shpirt për bashkimin e diasporës shqiptare në botën e Perendimit dhe për këtë qëllim bashkëpunoi ngushtë me shumë patriot të tjerë me emër, si Jusuf Gërvalla në Gjermani e Hysen Gërvalla në Zvicër. Në këto përpjekje ai u shpreh gjithnjë kundër indoktrinimit të shqiptarëve me ideologjinë komuniste, që vinte si propagandë e regjimit komunist të Tiranës. Sipas tij “nuk fitohet përkrahja e botës demodratike me parulla komuniste, por vetëm duke kërkuar mbrojten e të drejtave të njeriut dhe të popullit për shqiptarët të Kosoves”. Duket se Deklarata e të Drejtave Universale të Njeriut si dhe zhvillimet që kishte marrë mbrojtja e këtyre të drejtave pas Konferencës së Helsinkit kishin shënuar një ndikim të jashtëzakonshëm te ai. Bashkatdhetarët e tij mërgimtarë e mbajnë mend Gani Azemin si një personalitet me cilësitë e një njeriu të mençur e të urtë, karizmatik e më një zë të fuqishëm si vocal e në përmbajtje, si një intelektual që ushqente besim, krijonte atmosferë entusiazmi dhe dëshmonte fuqinë e mendimit të tij patriotic e demokratik. Vokali i tij ndoshta ishte i trashëguar nga babai, i cili ishte një imam (hoxhë) I zoti në fshatin e tij të lindjes. Gani Azemi nuk u tundua nga kjo lloj megalomania, u tërhoq nga vetëmburrja. Ashtu i qetë, paqësor, dukë prodhuar gjithnjë energji positive ai iu ngjiz jo vetëm fakteve, ngjarjeve, të dhënave, argumenteve që prodhonte sidomos grupi për të Drejtat e Njeriut, të cilin ai e drejtonte bashkë me Enver Hadrin, por i tillë u shfaq para bashkëbiseduesve europianë. Rastësisht ose jo ai jetoi dhe militoi në kryeqytetin e Europës së Bashkuar. Aty gjeti bashkëbisedues të shumtë, me të cilët kontaktoi çdo ditë e çdo orë, duke ndarë me ta ngjarjet e Kosovës, sidomos dhunën e terrorin serb që ushtrohej mbi shqiptarët. Nuk u ndal asnjë moment dhe punoi me përkushtim në marrëdhënie të ngushtë me politikanët e diplomatët europianë të Brukselit, me median europiane, me personalitete të kulturës dhe shkencës. Bashkëshortja e tij, Mejreme Azemi, e cila është ende sot e angazhuar me shtypin dhe medien në Bruksel, u bë një mbështetje e jashtëzakonshme për Gani Azemin, duke krijuar kështu një çift të aftë e të suksesshëm në përpjekjet e mundimshme në ndihmë të çeshtjes kombëtare shqiptare. Natyrisht që dalja e Dr. Ibrahim Rugova ne skenën politike dhe të lidershipit të Kosovës krijoi një hapësirë të re për përpjekjet e vazhdueshme të diasporës shqiptare në ndihmë të çlirimit të vendit nga sundimi e dhuna e Serbisë. Duhet thënë se diaspora e shqiptarëve të Kosovës mund e duhet shënuar si kontribuesja kryesore e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe për shkak të pamundësive për të vepruar në territorin e saj. Gani Azemi kishte shumë arësye të ishte në një linjë me Rugovën e të bëhej krahu i djathtë i tij në kryeqytetin europian, ku vendimmarrja ishte shumë domethënëse për lirinë e shqiptarëve. Ai kishte një profil të lartë intelektual, kishte kapërcyer, ashtu si edhe Rugova, nëpër shumë realitete të dhimbshme për vendin, kishte marrë pjesë në barrikadat e luftës për liri, kishte një përvojë të gjatë të luftës “guerile” kundër pushtetit e dhunës serbe në Kosovë. Nga ana tjetër kishte një temperament të qetë, e urrente protagonizmin, por punonte fort për të informuar botën demokratike për çka po ndodhte në Kosovë. Ai ishte i urtë, i kthjellët, karakteristika këto që i pëlqenin liderit historik të Kosovës. Për të gjitha këto arësye mund të thuhet se Rugova dhe Gani Azemi u mirëkuptuan që së paku në Bruksel të plotësonin njëri-tjetrin. Nëpërmjet Gani Azemit Ibrahim Rugova ishte çdo ditë i pranishëm në Parlamentin Europian e në Komisionin Europian, por edhe në Këshillin e Europës. Ai u bë urëlidhëse midis Prishtinës e Brukselit si dhe mbështetja kryesore e Ibrahim Rugovës në ndërtimin e promovimin e çeshtjes shqiptare të Kosovës në Bruksel. Dhe jo vetëm në institucionet europiane, por edhe në selinë e NATO-s Gani Azemi u gjend kurdoherë si bashkëbisedues dhe ndërlidhës i politikave të lëvizjes çlirimtare të Kosovës me interesat, konjukturat dhe rrethanat në të cilat duhej të vepronte Aleanca e Atlantikut. Nëse ka patur ndonjë lidhje të qëndrueshme e të pakompromis për lirinë e Kosovës midis dy personaliteteve, si dhe midis Kosovës dhe Europës, midis Prishtinës dhe Brukselit, kjo lidhje padyshim mund ta marrë emrin si lidhja midis Dr. Rugovës dhe Gani Azemit. Në këtë mënyrë zoti Azemi u bë “ambasadori” i parë i presidentit Rugova në Bashkimin Europian, u formua praktikisht e teorikisht si një diplomat i klasit të lartë, u shqua për një marrëdhënie miqësore, mirëkuptimi e kompromisi me partnerët e tij të politikës dhe diplomacisë euripiane e euro-atlantike, duke shkuar hap pas hapi te krijimi i bindjes se “Kosova vuan një regjim aparteidi”, dhe se “duhet dalë nga kjo situatë dhune e terrori të pandërprerë të regjimit të Milosheviçit”. Sa më shumë shtohej terrori serb në Kosovë, aq më shumë i rriste Gani Azemi kredencialet e vendit të tij dhe përçonte argumentet e ndërhyrjes nga jashtë për zgjidhjen e konfliktit. Por edhe kur lindi UÇK, ai me shumë maturi e largpamësi dalloi se lëvizja paqësore e Dr. Rugovës dhe Lëvizja e Armatosur për Çlirimin e Kosovës ishin dy aleatë të pandashëm për lirinë e saj. Qenë shumë pak ata njerëz që Luftën dhe UÇK-në e kuptuan dhe e interpretuan si të tillë, si zgjatim i përpjekjeve të shqiptarëve për liri e pavarësi, fillimisht përmes lëvizjes paqësore active të refuzimit të regjimit serb në Kosovë. Ndër ta spikati Gani Azemi, duke dhënë mesazhin e bashkimit të shqiptarëve në luftën kundër përpjekjeve të Milosheviçit për asgjësimin e tyre. Pas Luftës Gani Azemi thjesht iu gëzua çlirimit të Kosovës dhe mbeti gjithnjë besnik i vijës së urtë e filozofisë përbashkuese të presidentit Rugova. Ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, qeveria e Kosovës e emëroi Gani Azemin si këshilltar-Ministër në ambasadën e saj në Bruksel. Nuk e di nëse do të gjendej apo u gjet ndonjë diplomat tjetër si ai për ta përfaqësuar Kosovën si ambassador në kryeqytetin europian! Por ky aspekt nuk është çeshtje që mund të trajtohet në këtë homazh me rastin e 4 vjetorit të asaj dite të dhimbshme, kur njeriu i urtë e besnik i Rugovës dhe i Kosovës ndërroi jetë. Kam pasur fatin ta njoh Gani Azemin, të bisedoj me të, madje në librin tim “Ibrahim Rugova: Filozofia politike dhe nacionale”, kam vënë disa vargje të poemës që ai i kushtoi presidentit historik të Kosovës, Dr. Rugovës. Me këtë dua të përmend faktin se Gani Azemi nuk ishte thjesht një politikan dhe diplomat, ishte gjithashtu poet, eseist, gazetar dhe një personalitet, vepra e të cilit mund të konsiderohet shumëdimensionale, para së gjithash humane e shoqëruar me vendosmërinë, përkushtimin dhe devotshmërinë e pafund për t’i dhënë Kosovës lirinë e pavarësinë e saj.
Libri i Dr. Enver Bytycit, Best Sellers në Londër/
“Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”, Best Sellers në Londër/Cambridge Scholars Publishing në Londër ka shpallur prej datës 1 Nëntor 2016 si Best Sellers librin e autorit shqiptar Enver Bytyçi “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”, (Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë). Libri do të qëndrojë si i tillë gjatë gjithë muajit nëntor në reklamën e kësaj shtëpie botuese me emër në Londër. Shtëpia botuese me famë e Cambridge e ka shpërndarë këtë lajm gjithashtu në 150 mijë adresa elektronike me partnerët, bashkëpunëtorët, bibliotekat, libraritë dhe qendrat e shumta studimore, me të cilat ajo mban lidhjet e saj në mbi 40 vende të botës.
Libri “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” i studiuesit Enver Bytyçi është botuar nga Cambridge Scholars Publishing në anglisht në fund të muajit Mars 2015. Në gjuhën shqipe me titullin “Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë”, ky libër është botuar në vjeshtën e parë të vitit 2012. Që prej kohës kur ky libëru botua në Cambridge u vu në dispozicion të shumë angjesive dhe kompanive të shpërndarjes dhe përhapjes së librit në Europë, Amerikë dhe Azi, përfshirë Amazonën, e cila e ka reklamuar atë në gjuhën angleze, franceze, ruse, gjermane, kineze, si dhe në suedisht ,polonisht etj. Për këtë arësye ky libër gjatë periudhës prej kur është botuar në gjuhën angleze e deri më sot është bërë pjesë e bibliotekave shtetërore, universitare dhe të institutive e ministrive të jashtme në disa vende, sidomos të Europës Lindore.
“Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” është një libër studimor përmbledhës për ngjarjet e viteve 1998-1999 në Kosovë dhe për angazhimin diplomatik e përdorimin e forcës të Aleancës së Atlantikut për çlirimin e saj nga sundimi e dhuna e shtetit të Serbisë të udhëhequr asokohe nga diktatori Sllobodan Milosheviç. Në këtë libër përshkruhen deri në imtësi ngjarjet e kohës, si dhe pozita e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar në angazhimin e faktorit ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit e rezolutave të shumta të tij, Grupit të Kontaktit e Konferëncës së Rambuillet, autori maksimalizon argumentin për legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në konfliktin e Kosovës.
Ndërkohë në këtë libër qartësohen marrëdhëniet e Aleancës së Atlantikut me faktorë të tjerë si Bashkimi Europian, Këshilli e Europës, OSBE-, si dhe faktorin rus. Roli i vendeve fqinjë të Kosovës në përkrahje të veprimeve ushtarake dhe përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, spastrimit etnik të shqiptarëve dhe eleminimit fizik të tyre, pasqyrohet gjithashtu me kompetencë profesionale dhe argumente bindës.
Libri është shkruar në formën e një studimi përmbledhës, duke gërshetuar përvojën historike me ngjarjet e kohës, ndonëse për studime të tilla ende nuk janë vënë në dispozicion arkivat përkatëse të kancelarive të mëdha europiane si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të NATO-s. Por autori Bytyçi ia ka arritur qëllimit që të paraqesë për opinionin publik dhe qendrat e ndryshme studimore të interesuara një studim domethënës të mbështetur në argumentet pro dhe kundër, të cilat janë shpalosur si rezultat i shfrytësimit të qindra burimeve arkivore të qëmtuara në institute dhe qendra të tjera europiane, në librat e kronikanëve të kohës si dhe në autorë të shumtë europianë dhe amerikanë të botuar në gjuhë të huaj.Shpallja e këtij libri si Best Sellers nga Cambridge Scholars Publishing e Londrës, e cila e ka përzgjedhur atë në mesin e rreth 30 mijë botimeve të saj, është një ngjarje për shkencën albanologjike shqiptare si dhe një arritje e suksesshme e autorit, Prof. As. Dr. Enver Bytyçi. Nga ana tjetër ajo i vjen në ndihmë argumentit të së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për shtetformim dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre në liri e pavarësi të plotë, duke respektuar parimet themelore të shtetit demokratik të së drejtës, si dhe të drejtat e liritë themelore të pakicave tjera në Kosovë.Lexuesit mund ta shohin prezantimin e librit “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” si Best Sellers në linkun përkatës, www.cambridgescholars.com
Për ilustrimin e këtij njoftimi informacione më të hollësishme si dhe foto mund të gjenden në adresën e linkut të mësipërm.
***
Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo
This book represents a detailed and comprehensive examination of the developments of NATO’s engagement in Kosovo, and the related policies of western countries. In addition to offering an in-depth analysis of historical developments in the relationships between Albanians and Serbs, the book also provides a constructive discussion of the events of the Kosovo conflict, which constituted one of the main concerns in the international agenda towards the end of the twentieth century.
The basic theme set forth in this book is the reasoning behind NATO’s intervention in Kosovo during the spring of 1999, namely to end the conflict between Albanians and Serbs and to aid the Kosovo Albanians in achieving their freedom from the jurisdiction of the Serbian state. Based on extensive evidence, the author analyzes the contradicting stances conveyed at the Security Council regarding the conflict, NATO’s military intervention and the issue of Kosovo’s future.
The book provides useful information for any scholars, students and readers interested in gaining a more detailed understanding of Kosovo’s historical developments on an international level. It offers the reader detailed insights into, and descriptions of, the events that took place in the military conflict in Kosovo; it provides various facts and figures, evidences and counterarguments in response to what happened in this politically volatile region.
***
Dr Enver Bytyçi is currently the Executive Director of the Institute of Southeast European Studies in Tirana (www.ises.org.al) and a Professor in the “Aleksandër Moisiu” University in Durrës, Albania. He has published several monographs in Albanian, this being his first publication in English. Aside from his scientific studies in the fields of sociology and the history of international relations, Dr Bytyçi is known for his expertise on the developments of Southeastern Europe and is a prominent publicist in the Albanian media.
Dasma e princit Leka dhe ndotja ideologjike e shoqerise shqiptare
Nga Enver Bytyçi/Dasma e princit Leka ka nxjerre ne siperfaqe edhe njehere mjerimin dhe ndotjen ideologjike qe ekziston ne shoqerine tone. Kane kaluar 26 vite nga koha kur diktatura komuniste eshte rrezuar, por duket se muri ideologjik i kesaj diktature do te rezistoje gjate. Eventi mbreteror me martesen e pasuesit te familjes mbreterore shqiptare me nje vajze fisnike e te nje familjeje po ashtu fisnike e qytetare, shpalosi sjelljen tone bazuar ne instikamin e formuluar ne Kongresin e Permetit te vitit 1944 ndaj trashegimise shteterore ne Shqiperi. Nje vale reagimesh ideologjike, fyerjesh, shpifjesh dhe trillimesh u leshuan ne rrejetet sociale jo vetem nga qytetare te thjeshte, por edhe nga persanalitete te politikes e akdemike, jo vetem nga njerez te moshave te vjetra me dekoratat e partizaneve ne gjoks, por edhe nga te rinj, mesa duket pasues te ketyre veteraneve, jo vetem nga çobane malesh me opinga, por edhe nga qytetare denbabaden me banim ne qytete. Edhe vete diktatori po te ngrihej e te shkruante, do te ishte rezervuar pak me shume se nje pjese e madhe e ketyre kritizereve te semure ideologjike. Ndoshta nuk do te klishte perdorur epitete dhe krahasime kaq banale sa ndjekesit e tij. Jemi mesuar tashme me gjuhen e eger qe adresohej e adresohet pa dogane kunder ish-Mbretit Zog dhe familjes se tij. Jemi mesuar me zhargonin propagandistik bazuar ne ideologjine komuniste, sipas te cilit “Ahmet Zogu ishte tradhetar, hajdut i thesarit dhe floririt” dhe perralla te tilla te thena e sterthena ne 70 e ca vjet radhazi. Por se kjo semundje te njerezve skicofrene me mandate deputetesh e dilpoma akademikesh do te vijonte edhe sot, kur informacioni ka ardhur thuajse i plote ne duart tona, kete askush nuk e kishte besuar. Ahmet Zogu dhe familja e tij do te ishin nder me te respektuarit ne nje vend te emancipuar e te qyteteruar. Por kjo ende nuk po ndodh ne vendin tone, çka do te thote se ne vazhdojme te vuajme ne pelenat e fonjsherise ideologjike te imponuar dhe mekuar me helmin e gjeopolitikes se Lindjes. Kjo nuk po ndodh nder ne edhe pse ne keto 25 vite jemi nje vend i lire, jemi qytetare te lire, me mundesi per te marre e dhene informacion te pafund e per identifikimin e asaj qe quhet veprimtari shteterore, shtetformuese e shtetendertuese ne vendin tone. Ne jemi e duhet te jemi tashme ne gjendje te dijme te bejme krahasimin e epokave te ndryshme te qeverisjes ne Shqiperi e mbi kete baze te ndertojme apologjine e secilit prej atyre qe e kane qeverisuar ose e kane sunduar kete vend. Por ne nuk po e bejme kete, sepse ideologjia e se shkuares na ka erresuar syte dhe na ka turbulluar mendjen aq shume, sa para fakteve, shkences, te dhenave, argumenteve vendosim gjithnje interesat ideologjike, edhe pse keto interesa vijne ne kundershtim me interesat kombetare te shqiptareve. Te urresh nje personalitet si Ahmet Zogu ne kete mase, ta shtrish kete urrejtje deri te brezi i dyte i tij, tek nipi, eshte me shume se cinizem dhe urrjetje. Urrejtjen, cinizmin dhe ligesine e ushqen dhe e mban gjalle vetem ideologjia e diktaturave dhe despoteve. Fatkeqesisht ato qe u thane dhe u shkruan me bollek kunder marteses se Princ Lekes, kunder ish-Mbretit te Shqiptareve, Ahmet Zogut, kunder familjes se tyre deshmojne se do te na duhet shume e shume kohe te zeme vendin tone te merituar ne fmiljen e kombeve te qyteteruara, Nese do behej nje dasme e tille ne familjet e tradites mbreterore ne vendet e qyteteruara, pavaresisht modelit republikan te qeverisjes ne keto vende, do te kishte nje reagim te plote pozitiv. Ajo dasme do te sherbente si model, si ngjarje qe lidhte te tashmen me te kaluaren, me kulturen, me traditen. Per pasoje qytetaret e vendeve te civilizuara ndjehen mire, ndjehen madje krenare qe kane ne mesin e tyre modele, te cilat nuk mund t’i plotesojne format republikane te qeverisjes. Eshte fjala per modele te kultures, te tradites, te civilizimit. Se paku per nje gje kritiket duhet te binin dakort: Te qendronin para ekranit, me qellim qe te shihnin modelin e organizimit te nje dasme te thjeshte dhe fisnike. Te krenoheshin se perfaqesues te familjeve me tev shquar te tradites ne Europe ishin prezente ne kete dasem fisnikesh ne Shqiperi. Por reagimi i pashembullt ne kete rast nxori dhe nje ves tjeter ideologjik. Ne shqiptaret, te mesuar dhe edukuar nga diktatura, nuk e pranojme eliten, nuk e pranojume fisnikerine, jo se nuk e admirojme ate, por te fisnikeria dhe elita duam te shkojme duke eleminuar pikerisht ata qe i kane keto elemente. Ne jetojme me psikologjine e barazise ne varferi materiale e morale, intelektuale dhe akademike, elitare dhe fisnikerore. Kete lloj barazie shkaterruese e edukoi ideologjia komuniste ne gati 50 vite e sot gjendemi ende nen ndikimin e hashashit te ideologjise komuniste. Ndaj nuk e duam tjetrin, sepse mendojme de do ta donim vetevten, duke urryer te tjeret. Ndaj jemi keta qe jemi dhe turremi ne blogje e rrjetet sociale per te shfryre mellefe dhe inate ideologjike e politike, te cilat sa me shume zgjasin, aq me shume e shkaterrojne genin tone dhe te ardhmen e kombit tone.
- « Previous Page
- 1
- …
- 12
- 13
- 14
- 15
- 16
- …
- 29
- Next Page »