• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Precedenti i “korrigjimit të kufijve” midis Kosovës dhe Serbisë!

September 5, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /

Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është përpjekur nga Prishtina të bindë OJQ-të si dhe komunitetin ndërkombëtar se “Korrrigjimi i kufijve nuk krijon asnjë precedent për raste të tjera”! Ky refren i tij përsëritet vazhdimisht që kur ai ka ndeshur në murin e madh të rezistencës kundër ndarjes së Kosovës. E përsëriti edhe sot. Në fakt Thaçi po përpiqet që të bindë Europën dhe të marrë mbështetjen e saj në aventurën e përbashkët të tij me Viçiqin për këtë çeshtje. Ndërsa rrena e madhe se “Presheva, Bujanovci dhe Medvegja do i bashkohen Kosovës, pa dhënë asnjë pjesë të territorit të saj” është një tjetër absurditet dhe kontradiktë në diskursin e presidentit të Kosovës. Vetëm në Beograd dhe Moskë thonë se ndryshimi i kufijve nuk përbën precedent për raste të tjera. Por më pas po prej tyre do të thuhet: “Ja i ndryshuam me Kosovën, pse jo edhe me Bosnjën e rastet e tjera analoge në rajon”?! I gjithë ky lëmsh desinformimi dhe mashtrimi është i koordinuar midis Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit. Ata kanë ndarë rolet në funksion të asaj që presidenti i Kosovës të përçojë tezat e Beogradit, me qëllim që të mos kontestohet nga vendet kryesore të Bashkimit Europian. Dmth nëse Thaçi thotë se “ndryshimi i kufijve ka vetëm efekte pozitive dhe nuk krijon precedente të tjera”, atëherë kjo tezë bëhet “më e besueshme” dhe “më e pranueshme” në kryeqendrat europiane si Berlin, Londër e ndoshta edhe në Paris”, i cili ka filluar të ndjejë rrezikun e asaj që po ndodh në dialogun Prishtinë – Beograd. Politikanët ballkanikë nuk i ndahen vesit. Historikisht ata kanë luftuar kundër njëri-tjetrit duke mashtruar diplomacinë dhe politikën europiane se po bëjnë “më të mirën” për rajonin. “Dëgjoni, u thoshte Pashiçi në fillim të vitit 1913 europianëve, “shqiptarët nuk janë të aftë të vetëqeverisen. Na i lini ne t’i edukojmë, sepse ne dijmë ta bejmë këtë gjë”. Dhe një pjesë e europianëve i besoi ish-kryeministrit serb. Prandaj e bënë lëmsh Ballkanin, duke fut ashklën e zjarrit për një shekull të tërë. Tani nuk është vetëm presidenti i Serbisë, por edhe presidenti i Kosovës, ai i cili po përpiqet në stilin e Pashiçit të mashtrojë kancelaritë europiane. Sot Thaçi lëshoi rrenën e madhe. Tha se “Ka zëra që thone se korigjimi sjell konflikt. Ky është absurditet. Një marrëveshje mes nesh dhe Serbisë, flas me përgjegjësi, do të sjell paqe dhe stabilitet në rajon”. Ndërkohë në këtë lloj propagande mashtruese ka angazhuar gjithë lakejtë e vet. Një farë ish-zv.ministër i Jashtëm, Petrit Selimi, pa turp fare replikonte me gënjeshtrat e Beogradit me ekspertin më të madh të çeshtjes së Kosovës, profesorin e shquar, Daniel Serwer dhe i thoshte se “Ndryshimi ose korrigjimi i kufijve sjell stabilitet dhe nuk krijon precedent”. Derisa Serwer detyrohet t’i thotë këtij zëdhënësi të politikave serbe se “Ndryshimi i kufijve e shpërben shtetin e Kosovës”! Amerikani Serwer kujdeset që ta mbrojë shtetin e Kosovës nga shpërbërja, ndërsa “shqiptari” Thaçi, apo servilët e tij si ky Selimi apo Baton Haxhiu, kujdesen që të realizojnë projektin e Vuçiqit!!! Por në Europën e sotme gjeopolitika studiohet dhe vlerësohet me instrumente të ndryshme nga ato të vitit 1913. Nëse asokohe Pashiq i vetëm mundi ta gënjejë Europën e më pas të ushtronte dhunë e terror në Kosovë për ta serbizuar atë në “emër të qytetërimit”, në kohët e sotme Europa ka përvojën dhe instrumentë të shumtë, të cilët nuk e lënë të gabojnë së paku nga pikëpamja gjeopolitike. Në Europë vetëm aleatët e Rusisë do të donin që të ndodhë ndarja e Kosovës e më pas të vijojë ky precedent në disa vende të rajonit e më gjerë. Kjo kuptohet qartë dhe nga interesimi i jashtëzakonshëm i këtyre ditëve për referendumin në Maqedoni. Gjatë kësaj jave së paku tre “musketierë të fuqishëm”, Angela Merkel, Stoltenberg dhe Sebastian Kurz do ta vizitojnë Shkupin, për të inkurajuarPO-në në referendum dhe ankoruar Maqedoninë në NATO e BE. Por nëse ndodh ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi nuk do të bëjnë punë më as “musketierët” , as ndonjë tjetër europian i fuqishëm. Duket qartë se konflikti amerikano-europian për tregëtinë dhe çeshtje të tjera e ka zbehur interesin e Uashingtonit për stabilitetin në Europë. Edhe nëse Rusia vjen dhe instalohet në Ballkan, për disa zyrtarë amerikanë nuk ka ndonjë shqetësim. Për këta Rusia gjendet më afër interesit amerikan sesa vetë Europa. Prandaj dhe ndryshimi i kufijve në fjalë është hapi i parë i falangave ruse për ta realizuar politikën e ekspansionit në Ballkan. Ky ekspansion do të shtrihet jo vetëm në Serbi, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë, ish vendin protektorat të Austro-Hungarisë. Republika Srpska edhe pa një precedent të tillë është në prag të një lëvizjeje për shkëputje nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërsa në rastin e realizimit të këtij precedenti Dodik do të ishte i papërmbajtshëm e ligjërisht nga pikëpamja ndërkombëtare askush nuk mund të ndalonte atë. Kështu Kremlini do të krijonte një mini Sevastopol në bregdetin Adriatik. Hashimi dhe Aleksi thonë jo. Kjo është e pamundur. Por në Europë e dijnë mirë se çfarë përfaqëson Dodik. Edhe po të donte Aleksi i Beogradit nuk do të mund ta ndalonte një zhvillim të tillë. Ndërkohë që Hashimi i Prishtinës nuk imponon dot vullnetin e shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo që ndodhen. Ai imponon vullnetin e tij vetëm tek ata që i binden Beogradit! Kësisoj Maqedonia nuk do të ekzistonte më. Ndërsa vetë Moska do të legjitimpjë jo vetëm pushtimet e saj të dy provincave në Gjeorgji dhe të Krimesë, por edhe ndarjen e Ukrainës Lindore , Moldavisë etj. Nëse në Prishtinë dhe në Beograd do të varroset parimi i mosndryshimit të kufijve, atëherë vizitat e Merkel, Kurz dhe Stoltenberg kësaj jave në Shkup do të kujtohen thjesht si përpjekje për ta shpëtuar Ballkanin e Europën. Tirane, 05.09.2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, i "korrigjimit të kufijve" midis, Kosovës dhe Serbisë!, Precedenti

Diskursi serbisht me ambasadorët i presidentit të Republikës së Kosovës!

September 2, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008-ën, kryeministri Thaçi i atehershëm deklaroi me mburrje se “brenda tre muajve shtetin e Kosovës do ta njohin më shumë se 100 vende”! Ndërsa dje në një takim me ambasadorët e Qutintit në Prishtinë pohoi se “BE-ja nuk arriti ta krijojë konsensusin për ta njohur shtetin e Kosovës”, duke e fajësuar Brukselin për korrupsionin dhe paaftësinë e zotit Thaç për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Entusiasmi i tij i para dhjetë viteve tashmë është shndërruar në një bumerang, të cilin kërkon ta shkarkojë te faktorë të tjerë. Pas kësaj presidenti me ambasadorët vijoi të përsërisë të njëjtat deklarata të homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, se “është koha për marrëveshjen e madhe, historike mes dy shteteve”, se “nuk mund të kthehemi prapa”… , se “As ne as Serbia nuk kemi kohë për të humbur”, se “ngecja dhe pritja në zgjidhjen e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë është thirrje për tensione, për destabilizim, për probleme të mëdha, jo vetëm në mes nesh, por edhe në mbarë rajonin”. Më pas për të fshehur intrigën tha se “Do t’iu them shumë sinqerisht: Kosova si shtet, si politikë, si shoqëri, është lodhur nga ngecja në procesin e konsolidimit të brendshëm dhe atë ndërkombëtar” dhe radhiti tetë arësye pse duhet nënshkruar marrëveshja e ndryshimit të kufijve me Serbinë. Ndër këto aresye ai përmendi dëshirën e tij “për marrëveshje të përhershme me Serbinë, për normaliziin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke të të dy shteteve”, që “Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, OSBE-së, NATO-s”, që “të krijohet mundësia e “korrigjiit të kufirit” midis dy vendeve”, që “të shënohej fundi i konfliktit dhe jo rifillimi i tij” dhe që “të ketë stabilitet në rajon e Kosova të forcojë finjësinë e mirë me shtetet kufitare”. Në tri pikat e fundit Thaçi u dha abasadorëve “garanci” se “pas ndarjes së Kosovës do të ruhet karakteri shumëetnik i shtetit dhe do të respektohen të drejtat e pakicave”, se “do të ruhet trashëgimia religjioze dhe kulturore serbe në Kosovë” dhe se “do të ecet përpara në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar”. Në fund ai e mbyll infon e tij me konstatimin se “gjithë ky proces bart në vete rreziqe të panjohura të shumta. Por nuk ka rrezik më të madh për ne si Kosovë, sesa të vazhdojmë të qëndrojmë kështu në një gjendje pezull si shtet dhe si shoqëri”. E riprodhova deklaratën e zotit Thaçi, pavarësisht se lexuesit janë të njohur me të, për të ballafaquar idetë e tij me ato të Aleksandër Vuçiq. Nëse dikush do të kërkojë në google deklarimet dhe fjalimet e presidentit të Serbisë, do të shohë se ai i ka shprehur në mënyrë të përsëritur të njëjtat “argumente” dhe pohime, si edhe ato të Hashim Thçit dje, çka do të thotë se presidenti i Kosovës i merr tashmë të gatshme fjalimet e tij nga Beogradi, përmes koordinatorit të këtyre lidhjeve, Baton Haxhiut dhe ia transmeton publikut shqiptar. Ndërkohë, fjalime si këto redaktohen në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, me qëllim që propaganda serbe te shqiptarët të bëhet më perfide, më e pranueshme dhe diplomatët e huaj të intrigohen nga diskursi, pa mundur të shihet përtej retorikës propagandistike në linjën Tiranë-Prishtinë-Beograd. Kjo retorikë vetëm se nuk u lansua në gjuhën serbe, por nuk pati asnjë ndryshim nga tezat e Beogradit. Gjithçka na kishte shkuar në mendje, por që presidenti i Kosovës të bëhet papagall i programeve serbe të ndarjes së Kosovës dhe t’i lutet bashkësisë ndërkombëtare që ta pranojë këtë prjekt, kjo nuk ishte parë e dëgjuar as nga kuislingët në kohë pushtimesh! I marrshin të keqen Mustafa Krujës, Mehdi Frashërit dhe Xhafer Devës, të cilët nga stani hoxhist e Stalinist i Thaçit dhe Ramës etiketohen si “kolaboracionistë”! Nëse këta bashkëpunuan me fashizmin, e bënë këtë për të zgjeruar territore dhe jo për të shitur një pjesë të atdheut të tyre! Hashim Thaçi është shndërruar në një kavie eksperimentale e politikave të Beogradit dhe Moskës, me qëllim që ta realizojë objektivin e Serbisë e të Rusisë për daljen në Adriatik. Atë që Pashiçi nuk mundi ta bënte më 1912-1913-ën, pra krijimin e kushteve të daljes së Serbisë në Adriatik, po e bën sot vetë presidenti i asaj që tashmë vetëm në letër quhet Republika e Kosovës, i ndihëmuar nga kryeimnistri i Shqipërisë, Edi Rama! Dhe kjo në kundërshtim me kushtetutën e vendit, në të cilën thuhet shprehimmisht: “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”. (Neni 1, Pika 2 e kushtetutës së Reublikës së Kosovës). Në anën tjëtër ambasadorët mbajtën shënim deklarimet e kopjes së Vuçiqit në Prishtinë, por është e sigurt se ata kuptojnë që “zgjidhja” e ofruar nga dy presidentët siamezë” nuk ofron paqe e stabilitet, përkundrazi rikthen konfliktet në rajon dhe kërcënon vetë Bashkimin Europian. Edhe Hitleri kur pushtonte një vend, kishte retorikë paqen. Në këtë rast mund ta kuptojmë Vuçiqin, por është paradoksale sjellja e njëjtë e presidentit të Kosovës! Tirae, me 02.09.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Diskursi me ambasadoret, Enver Bytyci, Presidenti Thaçi

Mashtrimet me slloganet e Sorosit për paqe të Hashim Thaçit

August 31, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi. /

Duket se një konflikt i hapur po zhvillohet midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të renditur në krah të Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, të radhitur në anën e NATO-s. Pas një takimi që ata patën ditën e djeshme kanë vijuar deklaratat kundërshtuese sa i përket dialogut me Serbinë dhe diskutimit në tryezë të opsionit të ndarjes së Kosovës. Haradinaj është shprehur qartë: “Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes” Ndërsa Thaçi iu përgjigj sot me slloganin “për paqe”, sllogan të huazuar nga Sorosi në funksion të “kompromisit me falje tërritoresh për Serbinë”! “Të gjitha shtetet perëndimore, aleatët tanë, garantuesit e paqes dhe sigurisë në Ballkan po bëjnë përpjekje dhe thirrje për paqe, stabilitet dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”, shkruan presidenti Thaçi. Nga deklarata e presidentit duket se kryeministri akuzohet se “ndjell luftën” dhe ai duke akuzuar kryeministrin na hiqet si “njeriu i paqes”! Kështu Thaçi po na shfaqet me degën e ullirit në dorë, sepse dikush e paska gënjyer se kësisoj do të marrë çmimin “Nobel për Paqen” bashkë me Vuçiqin dhe Edi Ramën. Kaq i marrosur është pas lavdisë fallco, sa harron se kompromisi i tij është “thirrje e akt për luftë e dhunë”, ndërsa opsioni që mbron kryeministri është dhe mbetet kusht për paqen. Nëse krerët e shteteve në botë do t’i kishin zgjidhur konfliktet me faljen e territoreve të vendeve ku ato drejtojnë, nuk kish mbet deri më sot asnjë konflikt pa zgjidhje. Cili vend në botë nuk pajtohet me një vend tjetër, kur vendi dhe populli i dhunuar dhe masakruar pranon t’ia flaë territoret e veta vendit agresor e dhunues?! Mesazhi që shfaqet në deklaratën e Thaçit është krejt i qartë: “Territore në këmbim të paqes! Territore në këmbim të integrimit! Territore në kombim të njohjes! Ndërsa dje u dha një fije shprese se presidenti i Kosovës nuk do të flasë më për humbjen e territoreve të vendit, sot ndryshoi melodia dhe filloi përsëri avazin e sulmeve kundër kryeministrit dhe kujtdo tjetri që është kundër faljes së territoreve. Ky është Hashim Thaçi, i pabesë, hipokrit, mashtrues, dhunues dhe imponues me arrogancën e një personi ordiner, por i maskuar me “degën e ullirit”, me sllogaet sorosiste të paqes. Mjeti arrin qëllimin! Ai nuk ka problem të përdorë çdo gjë, çdo mjet, mjafton të arrijë qëllimin e tij për ndarjen e territorit të Kosoëvs dhe ta mbajë fjalën e dhënë ndaj presidentit të Serbisë Vuçiq dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Para këtyre të dyve Thaçi është zotuar se edhe i vetëm do ta ndajë Kosovën. Në fakt ia ka arrit qëllimit. Thaçi e shndërroi Kosovën nga problem ndërkombëtar në një problem serb. Presidenti i Kosovës i hodhi në kosh të plehrave të gjitha përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar si dhe ndërkombëtarëve për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Thaçi është rrjeshtuar pro aleatëve të Serbisë dhe të Rusisë. Shihni sa ashpër rëagon kundër deklaratave që dy ambasadorët britanikë në Prishtinë dhe në Beograd, bëjnë për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe asnjë fjalë nuk thotë kundër ambasadorit francez, i cili vazhdimisht shprehet se “kompromisi do të jetë i dhimbshëm”, duke nënkuptuar humbjen e territoreve nga ana e Kosovës. Nga aleat i NATO-s është shndërruar në aleat të Rusisë, Serbisë dhe miqve të tyre në Europë. Ndërsa Haradinaj mbahet fort në anën e orientimit euro-atlantik. Sllogani për paqen ishte aq i përhapur kur NATO bombardoi Serbinë më 24 mars 1999. Ishte sllogan kundër ndërhyrjes në Kosovë, ishte sllogan i përligjjes së politikave të Milosheviçit! Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po bën të njejtën gjë, po përdor slloganin për paqe në funksion të një prej qëllimeve të Milosheviçit, ndarjes së Kosovës. Ruhuni nga gjarpëri! Gjarpërit i duhet shtyp koka, nëse doni të shpëtoni prej tij! Sa më shpejt ta largoni presidentin proserb të Kosovës nga tryeza e bisedimeve me Beogradin, aq më mirë do të bëhet për Kosovën, për rajonin, për Europën! Sa më gjatë të qëndrojë ai në atë tryezë, aq më dramatike, e pasigurt. madje shkatërruese do të jetë e ardhmja e Kosovës! Tiranë më 31.08.2018

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Enver Bytyci, Mashtrimet e Thaçit, Soros

Pse Nano u tërhoq më 1998-ën nga projekt-ideja për ndarjen e Kosovës?!

August 28, 2018 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Në nëntor 1997 ndodhi një ngjarje shumë e përfolur e kohës. Fatos Nano i sapoardhur në pushtet e kryeministër i Shqipërisë u takua në Kretë të Greqisë me presidentin e Serbisë, Sllobodan Milosheviç. Takimi u sponsorizua prej kryeinistrit të Greqisë, Kostas Simitis, në kuadër të një samiti të kryeministrave dhe kryetarëve të shteteve ballkanike në këtë ishull. Si për çdo ngjarje madhore e jo të tillë, edhe për këtë takim Nano, pas grekëve, mori bekimin e amerikanëve. Sekretarja e Shtetit Olbright ishte në dijeni dhe kishte rekomanduar takimi të ishte krejt fotmal, thjesht për kortezi, me qëllim që Serbia të mos kishte mundësi ta interpretonte një refuzim të mundshëm të kryeministrit të Shqipërisë si qëndrim kundë paqes. Kështu që duhej që takimi të mos zgjaste më shumë se 30 minuta. Por Milosheviçi kishte ardhur në takimin e Kretës me një dosje, në të cilën ishte formuluar ideja e ndarjes së Kosovës. Donte ta diskutonte deri në hollësi këtë opsion me zotin Nano, me qëllim që të realizonte idenë e Serbisë së Madhe. Nano u josh nga ky diskutim, bëri shumë pyetje, me qëllim që të qartësohej rreth idese serbe të ndarjes së Kosovës. Ndaj takimi zgjati një orë e gjysmë. Jashtë sallës ku bisedonin dy protagonistët në fjalë, qëndroi në pritje ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Kur Nano doli nga pritja Milo ishte i shqetësuar, sepse dikush nga departamenti i shtetit i kishte telefonuar dhe pyetur: “Çfarë po bëjnë ata kaq gjatë në takim? Milo , I shqetësuar e pyeti shefin e tij sapo doli se pse qëndruat kaq gjatë dhe si shkoi biseda me Milosheviin? Nano që i përgjigjet plot entusiazëm: “Shkoi mrekulli, biseduam ngrohtë si me Thanasin”! (Thanasi ishte i ati I Nanos). Ve kësaj, Nano dhe Milosheviçi ranë dakord që ata të dy ta kontrollonin konfliktin ushtarak të sapo shfaqur në horizontin e Kosovës. Kjo do të thoshte se ata do të mbanin frenat e luftës, sigurisht përmes njerëzve të tyre që kishin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nano nuk kishte menduar asnjë ide për ndonjë zgjidhje të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Ideja e Milosheviçit për këtë zgjidhje përmes ndarjes iu duk kreative. Vetëm se ishte në dilemë të parashikonte se farë do të vinte pas ndarjes. Për momentin Nano nuk kishte kundërshtuar, ndërkohë që e mundonte dilema se a ishte më mirë apo më keq për pushtetin e tij, nëse Kosova e mbetur nga nndarja do të bashkohej me Shqipërinë. Pas kthimit në Tiranë kryeministri shqiptar e diskutoi propozimin e Milosheviçit me disa kolegë të tij në qeverisje. Mori mendimin e disa ministrave të kabinetit të tij, ndërkohë që flakët e luftës u ndezën në Kosovë. Edi Rama ofroi idenë e efektit dopio të ndarjes. Që do të thotë se Kosova do të ndahej, por jo midis Serbisë dhe Shqipërisë. Nga ndarja do përfitonte vetëm Serbia, ndërsa Shqipëria do përkujdesej që pjesa e mbetur të mbijetonte e të krijonte shtetin e saj. Dhe që të ndodhte kjo, ish-ministri i Kulturës propozoi që Kukësi, Hasi dhe Tropoja, dmth Qarku i Kukësit t’i bashkëngjitej Kosovës. Ky propozim bazohej në dy argumente: Së pari, Kosova e ndarë për të kënaqur orekset nacionalshoviniste të Serbisë nuk mund të bijetonte si shtet, ndaj bashkimi i Qarkut të Kukësit e mundësonte këtë bijetesë. Dmth duhej evituar me çdo kusht që Kosova e mbetur nga ndarja me Serbinë të bashkohej në formë unitare me Shqipërinë. Po të ndodhte kjo, atëhere Partia Socialiste e Nanos dhe Ramës rrezikonte të humbte pushtetin për shumë dekada. Maksimumi do të pranohej një formmulë bashkimi në formën e federatës osë konfederatës, me qëllim që të dy vendet të ruanin pozicionet në pushtet në territorin e vet. Si në kohën e principatave historia e mesjetës përsëritet! Së dyti, bashkimi i Qarkut të Kukësit me Kosovën jo vetëm mundësonte krijimin e një shteti me kryeqytet Prishtinën, por do të pakësonte votat për opozitën shqiptare të djathtë. Në të dy rastet po përsëritej ideja hoxhiste e periudhës së Luftës dhe mbas Luftës së Dytë Botërore, sipas së cilës “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë rrezikon pushtetin popullor” të komunistëve. Kjo projekt-ide iu referua ambasadores së SHBA-vë në Tiranë, zonjush Mariza Lino. Ajo e refuzoi menjëherë, sepse politika amerikane nuk lidhej me ndarjen e Kosovës, por me lirinë dhe pavarësinë e saj të plotë. Më pas ideja e projektit u fsheh në sirtarët e Partisë Socialiste, por jo edhe në protokollet qeveritare, për t’u ringjallur dhe implementuar 20 vite më vonë, në ditët e sotme. Autori i kësaj ideje të atëhershme, Edi Rama, sot është aktori kryesor i padeklaruar i ndarjes së sotme të Kosovës. Ashtu si atëherë, edhe sot aktori tjetër më i rëndësishëm është Hashim Thaçi nga Kosova. Asokohe e shpallën udhëheqës politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa më pas, me ndihmën e Beogradit e promovuan në krye të shtetit të Kosovës. Pikërisht këta të dy luajnë kartat në interes të Sëerbisë. Madje e lusin Europën që të mos ketë frikë nga ndryshimi i kufijve dhe tallen me shqiptarët, duke u bërë thirrje që “t’i mbështesin në projektin e mendur të tyre”! Ndërkaq deklarata e Merkel e sotme me kërkesën e përsëritur që dialogu për Kosovën të përfundojë pa cënuar integritetin territorial të saj. Ndërsa shqiptarët janë rrjeshtuar në unison kundër ideve dhe përpjekjeve të paimagjinueshme të Hashim Thaçit për t’ia falë më çdo kusht pasuritë më të çmueshme të vendit, Serbisë.

Tirane, 28.08.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Fatos Nano, ndarje e kosoves, projekti, terheqja

Presidenti kamikaz në dy kuptime i Kosovës!

August 16, 2018 by dgreca

Për herë të parë në historinë e shtetit nga Hamurabi e deri më sot presidenti i një vendi, përkatësisht presidenti i Kosovës, “vullnetarisht” i fal territor vendit që Kosovën e pushtoi, e masakroi, e dhunoi, e përdhunoi, e dogji në flakë dhe e shkatërroi!

1-enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka lëshuar dje një deklaratë, me të cilën u sulet kritikëve të idesë së tij për ndarjen e Kosovës dhe i cilëson ata “kamikazë politikë”! I gjendur në vetmi, por edhe i mbështetur fuqishëm nga Edi Rama dhe klanet serbo-ruse në iniciativën për ndarjen e Kosovës, presidenti i këtij vendi duket se nuk di çfarë thotë, as çfarë bën! Në huti e sipër, në panik për kundështitë e panumërta ndaj planeve e projekteve të tij ogurzeza, ai ka zgjedhur të sulmojë opozitën dhe gjithë kundërshtarët e këtij projekti me akuza ekstreme. Këto kohë Hashim Thaçi ka ndërruar model: – Ndërsa në fushatat zgjedhore kopjoi vazhdimisht Ibrahim Rugovën, në situatat kritike si këto po kopjon me mjeshtri Edi Ramën. Herë mashtron dhe luan me termat, konceptet dhe nocionet për kufijtë, për ndarje, për marrje, e kështu me radhë. Herë sulmon në stilin e Milosheviçit kundërshtarët e tij. Nicioni kamikaz ka të bëjë me metodat individuale vetmohuese si taktikë e sulmit ushtarak, kryesisht gueril. Kjo metodë është përdorur që në shekullin e 13-të në luftën midis mongolëve dhe japonezëve. Ndërsa japonezët nga ana e tyre e përdorën masivisht metodën kamikaze të sulmeve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në kohët moderne të sotme termi kamikaz përdoret për të identifikuar ata njerëz, të cilët për një ideal ose besim vetësakrifikohen. Ky lloj vetësakrifikimi është shfaqur në lëvizjen palestineze, por edhe në aktet terroriste në emër të islamit politik. Hashim Thaçi thjesht i mësuar me përdorimin e shpeshtë të këtij nocioni u shpreh dje se ne që e kritikojmë atë për aventurën e tij të tjetërsimit të territorit të Kosovës qenkemi “kamikazë politikë”. Po si qëndron e vërteta dhe si duhej të zhvillohej dinamika në këto situata dramatike në historinë e Kosovës? Presidentët, mbretërit, perandorët, të gjithë ata që nga koha e Hamurabit e deri më sot kanë ushtruar detyrën e kryetarit të një shteti kanë ndjekur të njëjtën linjë, të njëjtin qëndrim, me detyrë, mision e funksion themelor mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të shtetit, forcimin e sigurisë, angazhimin për paqe dhe garantimin e prosperitetit të vendit e kombit të tyre. Në këtë kuptim presidenti i vendit ka detyrë kushtetuese të mbrojë atdheun, territorin e vendit dhe institucionet e shtetit. Kjo do të thotë se presidentët, mbretërit, krerët e shteteve e të qeverive janë garantë dhe gardianë të ruajtjes së sovranitetit shtetëror. Ata kanë detyrë kushtetuese të “bëhen kamikazë politikë” në mbrojtje të kufijve dhe integritetit territorial. Por Hashim Thaçi zgjodhi të kundërtën. Ai në vend të garantit të tërësisë territoriale të Kosovës u bë tregtar i territoreve të saj. Në vend të ishte “kamikaz politik” në mbrojtje të Kosovës në bisedimet me Serbinë, u bë palë me Vuçiqin. E në këtë rast nuk ka më nevojë për bisedime, sepse bisedimet bëhen midis dy palëve e tash kemi vetëm një palë. Kemi Thaçin dhe Vuçiqin, përsëri Vuçiqin e përsi Thaçin në të njëjtin rol, në të njëjtën valë, koordinatorë të të njëjtit projekt, ndajen e Kosovës dhe shkatërrimin e shtetësisë së saj. Kurrë në historinë e shtetit e as në historinë e kombeve nuk ka ndodhur që një kryetar shteti, një president, të vihet “vullnetarisht” në anën e okupatorit. Ka ndodhur që nën kërcënim dikush të lëshojë diçka, ndoshta dhe të pranojë pushtimin në kushte të pamundësisë për të luftuar. Por jo këtë që po bën Hashim Thaçi. Pas çlirimit të vendit dhe dhjetë viteve pavarësi, pas ngritjes së institucioneve bazuar në kushtetutë e në ligje, presidenti del dhe flet për shkëmbim territoresh, për ndarje të Kosovës e së fundmi për “korrigjim kufijsh”! Luginën e Preshevës po e përdor si karem, ndërkohë që në Preshevë politika është skeptike. Nuk do të duhet të mendohesh gjatë për të dalluar qëllimet, mashtrimet dhe manipulimet politike të Hashim Thaçit. Presheva është karem dhe viktimë e presidentit të Kosovës, njësoj si edhe Kosova. Në të vërtetë të dyja janë karem dhe viktimë e tre personave: Edi Ramës, në Tiranë, Aleksandër Vuçiq në Beograd dhe Hashim Thaçit në Prishtinë. Kush nuk e kupton këtë, ose është si Hashimi, ose është qorr nga sytë e shurdhë nga veshët. Presidenti Thaçi prodhoi kamikazë mediatikë në mbrojtje të territorit dhe të shtetit të Kosovës. Fatmirësisht këta janë shumë e kur “kamikazët” bëhen shumë, atëherë ata nuk mund të jenë më të tillë. Kamikazi i vetëm në Kosovë në shërbimm të antishqiptarizmit është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Tiranë, më 16.08.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, presidenti Kamikaz, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT