• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“I DASHUR MARESHALI STALIN !..”

October 11, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

13 TETOR 1943: ORA 11-fritz-radovani3.13’/

503 –TË VRAMË NË TIRANË…/

  • Populli Shqiptar asnjëherë nuk ka kenë agresor, as pushtues i një pëllambë toke të shteteve fqinjë. Ai nuk asht angazhue në asnjë blok gjatë Luftës së Dytë Botnore, madje asht shteti i parë që u pushtue nga Italia fashiste më 7 prill 1939.
  • Nuk duhet harrue se ngjarja e 13 Tetorit 1943 asht masakra ma e përgjakshme e bame mbi Popullin e pambrojtun Shqiptar gjatë gjithë Luftës së Dytë Botnore.

Atëherë, pse na bombarduen dhe mbasi na gjakosën… edhe heshtën?

Nexhmije Hoxha i ka deklarue Rudina Xhungës në 1998: “Atë e bënë Aleatët. Ne nuk kishim sesi të ngrinim zërin përderisa né ishim të lidhur me Aleatët, ata e bënë!..”

  • Aleatët ishin të lidhun me komunistët shqiptarë, bombardojnë e vrasin vetëm me ushtrue terror mbi popullsinë e pafajshme për me e nënshtrue até!
  • Vazhdojmë me dokumenta të botueme:
  • Lexoni tek libri “I dashur Stalin…” Letërkëmbimi i plotë i Fraklin D. Ruzveltit dhe Josif V. Stalinit. Radaktuar dhe pajisur me shpjegime nga Susan Butler,

Parathënia nga Arthur Schlesinger, Jr.

Përkthye nga Olgerta Visi, Shtypur nga “KRISTALINA-KH”, Tiranë 2006. 

  • Faqe 240:

“Ruzvelti  – 134 –  

12 Tetor 1943

Mesazh personal për mareshal Stalinin

Badolio do t’i shpallë luftë Gjermanisë me 13 tetor.

Bazuar në marrëveshjet e traktatit të mëparshëm, Aleatët do të sigurojnë ndihmë ajrore dhe detare në Azore.                      RUZVELT   

  • “Stalini – 135 –

14 tetor 1943

Stalini, drejtuar Ruzveltit

Mora mesazhin tuaj të datës 13 tetor. Ju falënderoj për informacionin e vënë nën dispozicionin tim. U uroj forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe suksese të mëtejshme.” 

  • Faqe 360:

Çërçill shkon në Moskë tek Stalini. Me të mërritur në Moskë në mbremje të po asaj dite (10 tetor 1944), i propozoi Stalinit të ndanin Ballkanin si më poshtë:

“Lè të zgjidhim përfundimisht problemet tona në Ballkan. Armatat tuaja ndodhën në Bullgari… Lè të lidhim marrëveshje midis nesh – Britanisë dhe BS-së.

Si do të gjykonit, do të ishit të kënaqur sikur të kishit nën kontroll 90 për qind të Rumanisë, ndërsa né 90 për qind të Greqisë dhe, Jugosllavia të ndahej përgjysëm?”…

Më pas sipas pohimeve të Çërçillit,

  • “Stalini mori shkumsin me ngjyrë blu dhe bëri një shenjë V miratimi mbi planin e paraqitur. Gjithçka ishte zgjidhur sa hap e mbyll sytë, më shpejt se të ulesh e të ngrihësh.”             
  • Faqe 399: “ Jalta.

6 shkurt 1945.

I dashur mareshali Stalin,

…Jam i vendosur të ndërmarr çdo masë të mundshme që marrëdheniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik të mos cenohen aspak. Sigurisht që pikëpamje të ndryshme do të ketë, por do të gjejmë gjithmonë gjuhën e përbashkët dhe një mënyrë për të sheshuar mospajtimet…

  • Sinqerisht i juaji FRANKLIN D. RUZVELT”

***

■Për mos me ndikue lexuesin e këtij materiali me mendimet e mija në lidhje me këto ngjarje tragjike të fatit të popujve të Botës, do të kaloj në disa dokumenta tjera shumë me rendësi, që i përkasin po kësaj periudhë historike të Luftës së Dytë Botnore.

■HENRY KISSINGER “DIPLOMACIA”, “Leximi në kancelaritë e Perëndimit, duhet të fillojë detyrimisht nga ky libër”Alan Clark, The Times.

Përkthye P. Pojani; Red. M. Raxhimi. Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së

Shkrimtarëve, 1999. Shtypur në Shtypshkronjën LAERT Tiranë, 1999.

■Henry A. Kissinger asht betue me 22 shtator 1973 si Sekretar i pesdhjet e gjashtë i Shtetit, detyrë që e mbajti deri me 20 janar 1977. Ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1973, si dhe çmime të tjera të rëndësishme të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

 ■Faqe 333: “Stalini futi katekizmin rigoroz të formimit të tij të hershëm fetar në interpretimet e pamëshirshme të botkuptimit bolshevik dhe e shndërroi ideologjinë në një instrument politik… Stalini ishte vërtetë një përbindsh; por në drejtimin e marrëdhenjeve ndërkombëtare ai ishte realisti më i madh – i duruar, dinak e i paepur. Risheljeja i kohës së vet… Rreptësia e Stalinit shtrihej vetëm në ideologjinë komuniste.”

 ■Faqe 337: “Fobia e Stalinit u shpreh gjerësisht në eleminimin prej tij të të gjithë kundërshtarëve poltik, të mundshëm të brendshëm dhe në vrasjen e internimin e miljona të tjerëve që e kundërshtonin atë, vetëm në fantazitë e tij.”

 ■Faqe: 339: “Rasti ishte Kongresi i XVIII i PK të BRSS, …mbledhja e parë mbas pesë vjetësh …nga 2000 delegatë, merrnin pjesë vetëm 35 nga ata të pesë viteve ma parë; 1100 të tjerë ishin arrestuar për veprimtari kundërrevolucionare; ishin likujduar 98 nga 131 anëtar të komitetit qendror, sikundër edhe tre nga pesë mareshalët e Ushtrisë së Kuqe dhe 11 zëvendëskomisarët e mbrojtjes, të gjithë komandantët ushtarakë të rajoneve dhe 75 nga 80  anëtarët e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes.”

 ■Faqe 343: “Çdo ushtri “çlirimtare” sovjetike do të kthehej në një ushtri pushtuese.”

■Faqe 344: “Stalini, i cili e ndjente që lufta është e paevitueshme, donte përfitimet nga lufta, pa marrë pjesë në të.” 

■Faqe 370: “Çdo udhëheqës i madh ka rrugën e vet…Ruzvelti kishte krejt karakterin, energjinë e mjeshtrinë e diktatorëve dhe ishte në anën tonë.”

■Faqe 371: “Deri në raportin para Kongresit mbi Jaltën me 1945, Ruzvelti qëndronte gjithmonë më këmbë sa herë që mbante ndonjë fjalim të rëndësishëm. Duke qenë se media i përshtatej përpjekes së Ruzveltit për të luajtur rolin e tij me dinjitet, shumica dërmuese e amerikanëve, asnjëherë nuk e kuptuan sesa i gjymtuar ishte Ruzvelti ose perceptimet e tyre kishin ngjyra mëshire…. Ishte një kombinim i papërcaktuar i manipuluesit dhe ëndërrimtarit politik. Ai drejtonte më tepër në bazë të instiktit, sesa analizës…” 

■Faqe 396: Ruzvelti deklaroi: “Britania e Madhe duhet të mbronte Europën, pa asnjë ndihmë nga Amerika… Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit….Në shkurt 1945, në konferencën e rëndësishme të fituesve në Jaltë, Ruzvelti qortoi Çerçillin në prezencë të Stalinit…ai vuri në lojë qellimin e tij…”

 ■Faqe 410: “Ruzvelti mbështetej në marrëdhënjet me Stalinin në një mënyrë që Çërçilli kurrë nuk do ta bënte…në Teheran nga 28 nëntori e deri me 2 dhetor 1943, dhe në Jalta nga 4 deri me 11 shkurt 1945…Ruzvelti parapëlqente të shihte te Stalini më mirë një mik si xhaxha, sësa një diktator totalitar.”

 ■Faqe 443: “Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore, pa ndermarrë një rrisk të  tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona. Por, kur puna erdhi për të imponuar regjime të tipit sovjetik në këto territore, ai u tregua shumë më i kujdesshëm.  Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”

 ■“Jalta polli turpin për fizionominë e botës së pasluftës.”

***

■Lufta e Dytë Botnore përfundoi me mbi 50 miljon varreza…mbi të cilat diktatorët ngritën monumentet e tyne rrethue me “lulet” e mjerimit të popujve.

U bombardue mbarë Europa… U hodhën bombet atomike edhe në Japoni!

U vranë miljona djelmë nanash në lule të rinisë… Vdiqen miljona njerëz të pafajshëm…

 ■U bombardue edhe Tirana…

Tirana u bombardue me 13 tetor 1943 dhe u la varrezë e një Populli Martirë, që për 50 vjet të tjera vazhdoi me u shkallmue, me u rrënue, me u torturue, me u masakrue, me u shpartallue, me u burgosë, me u pushkatue, me u interrnue, me u vorfnue, me u dhunue, me u shkombtarizue… E prap sot ajo vazhdon me u plaçkitë nga komunistët kapitalistë, bijtë e Enverit, Ramizit e stërnipat e Stalinit!

■ÇDO KOMUNIST NË PUSHTET ASHT NJË BOMBE SHPERTHYESE !

  Melbourne, Tetor 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Hoxha, Fritz radovani, Marshall Stalin

“NACIONAL-ÇLIRIMTARËT” E DUSHAN MUGOSHËS…

September 27, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: Enver Hoxha: “Xерој народа Југославије”/

 ■1946 – KORRIK – 70 VJETORI I DEKORIMIT NGA TITO… 

KUR DO TË HAPET DOSJA E TRADHËTARIT TIRAN ENVER HOXHA ?!..

JANAR 1945 Enveri i jep urdhën me shkrim trupave që ndodheshin në Veri:
–“Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufinjve, pa treguar as më të voglën tolerancë!..”

■VITI 1946 – NGA DITARI I TIRANIT ENVER HOXHA:

  • HAPNI NË SHKODER 26 BURGJE, HETUESI, QENDRA TORTURASH E VRASJESH…
  • HAPNI “SEKSIONIN KATOLIK” NË DEGËN E PUNËVE TË MBRENDSHME!..

20 SHKURT 1946 Pushkatohet At Anton HARAPI OFM…(Dosja 1086), Lef NOSI dhe Maliq BUSHATI. As sot nuk ua dijmë varrin dikund në brigjet e Lanës, Tiranë.

4 MARS 1946: Pushkatohen nga Organizata “Bashkimi Shqiptar”: At Gjon FAUSTI SJ, At Daniel DAJANI SJ, At Gjon SHLLAKU OFM, Mark ÇUNI, Qerim SADIKU, Prof. Gjelosh Lulash BAJRAKTARI dhe pak ditë ma vonë Frano MIRAKAJ.

23 MARS 1946: Vritet pabesisht dijetari Don Nikoll GAZULLI.

27 PRILL 1946: Arrestohet Don Injac GJOKA dhe dënohet 8 vjet burg.

25 MAJI 1946: Vdes i izoluem Imzot Gasper THAÇI, Argjipeshkvi i Shkodres.

MAJI 1946: Arrestohet Don Nikoll Mazrreku… Ka ba mbi 37 vjet burg e interrnim…

18 KORRIK 1946: Pushkatohet Don Alfons TRACKI, Misionar nga Breslau…

12 GUSHT 1946: Arrestohet Don Pjeter TUSHA, dhe dënohet 6 vjet burg…

31 GUSHT 1946: Arrestohet Don Nikoll TROSHANI, dhe dënohet dy herë…

9 Shtator 1946: Lëvizja Antikomuniste e Postribës, e motivueme nga vetë Ata një shperthim i parakohshëm “Lëvizje….”, që mori disa qinda jetë fshatarësh e deri tek ishoficerë, intelektualë e Klerikë PA FAJ që, as nuk dinin ku bije Postriba. Mbas sa e sa muej torturash u pushkatuen dhe u mbytën ndër hetuesi Kolec Deda, Riza Dani, Cin Serreqi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Rasim Gjyrezi, Simon Darragjati, Ingj. Fahri Rusi, Guljelm Suma, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjeter P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal e Abdyl Hardolli, Prof. Kolë Prela, Avokat Paulin Pali, Avokat Muzafer Pipa, etj.

9 SHTATOR 1946: Arrestohet per “Lëvizjen e Postribës” edhe romancieri i parë i Letersisë Shqipe Don Ndoc Nikaj, 82 vjeç, nder themeluesit e Shoqnisë “Bashkimi”.

10 TETOR 1946: Arrestohet në Mirditë Don Mark BICI, dënohet 15 vjetë.

11 TETOR 1946: Arrestohet në Dukagjin At Karlo SERREQI, dënohet me vdekje, dhe mbasi i kthehet dënimi me burg të përjetshëm, vdes në burgun e Burrelit në 1954.

25 TETOR 1946: Arrestohet Don Ndre SIMONI, dënohet 10 vjetë burg…

26 TETOR 1946: Arrestohet Don Jakë ZEKAJ, per agjitacion e propagandë.

27 TETOR 1946: Arrestohen në Tiranë heren e parë Don Shtjefen KURTI dhe At Pjeter MESHKALLA SJ. Në arrestimin e dytë Don Shtjefen KURTI në 1971 pushkatohet, ndersa, At Pjeter MESHKALLA, plotson 25 vjetë burg nder kampet e shfarosjes…

28 TETOR 1946: Arrestohet në Tiranë At Pashko GJADRI SJ, dënohet 8 vjetë burg.

28 TETOR 1946:Arrestohet At Mëhill TROSHANI në Tiranë, arrestohet prap 1967.

31 TETOR1946:Arrestohet në Korçë Papa Josif MIHALI, varroset i gjallë në kënetë të Maliqit nga policët e kampit me datën 26 Tetor 1948. Punoi per unifikimin e Kishave.

6 NANDOR 1946: Arrestohet në Mirditë dhe dënohet Don Prengë QAFALIJA.

10 NANDOR 1946: Vritet pabesisht në Reç Don Luigj PICI, ishte 39 vjeç…

12 NANDOR 1946: Arrestohet në Elbasan At Petraq ISAK, bani 15 vjet burg…

12 NANDOR 1946: Arrestohen në Shkoder At Donat KURTI, Don Mark HASI, Don Anton MUZAJ. At Donati ban 20 vjetë burg. Don Antoni mbas një viti vdes, ndersa Don Mark HASI, ban 7 vjetë burg… Arrestohet prap në 1967, dhe vdes në Ballsh 1981.

Me këte grup Klerikësh dënohen: Çesk HILGEGA, Fazio TARCIZIO, Injac SERREQI, Viktor KUJXHIJA, Albert ÇOBA, Ana DAJA, Gjon KOVAÇI, Liza PALI, Elez NURJA, Shefqet LUTFIJA. Pothuej asnjeni nuk ka perfitue zbritje dënimi.

14 NANDOR 1946: I dorzohet Sigurimit Jugosllav nga Sigurimi ynë në Tuz, dhe pushkatohet atje Imzot Nikoll TUSHA (NOGA), në moshen 50 vjeç.

16 NANDOR 1946: Pushkatohet Misionari gjerman Don Zef MAKSEN…45 vjeç.

16 NANDOR1946: Rreth orës 02.00 të natës futen armët nga Sigurimi i shtetit në Kishen e Fretenve në Shkoder, si dhe në Orosh të Mirditës, dhe arrestohen Fretnit të gjithë shka ishin në Kuvend, i cili kthehet në Burg dhe thirrej “Burgu i Kishës”…

U burgosën Imzot Frano GJINI, Imz. Nikoll DEDA, At Mati PRENNUSHI, At Çiprian NIKA, At Pal DODAJ, Don Tomë LACAJ, Don Ndoc SAHATÇIJA, At Gjon KARMA SJ,

Don Nikoll SHELQETI, At Mëhill MIRAJ, Fra Zef PLLUMBI, Fra Ndue VILA.

■Imz. Frano GJINI, Imz. Nikoll DEDA, At Mati PRENNUSHI, At Çiprian NIKA, janë pushkatue me 11 Mars 1948. Në Burgun e Kishës vazhdonin hetimet 700 të burgosun.

25 NANDOR 1946: Pushkatohen në Prizren At Bernard LLUPI, Kol PARUBI, Marije SHLLAKU dhe Gjergj MARTINI, akuzue nga UDB per “Katoliçeskaja Banda”.

2 DHJETOR 1946: Mbytet në tortura dijetari At Bernardin PALAJ.

4 DHJETOR 1946: Arrestohet At Leon KABASHI dhe dënohet 20 vjetë burg.

4 DHJETOR 1946: Arrestohet At Alfons ÇUNI, per armë të futuna nga Sigurimi.  

6 DHJETOR 1946: Arrestohet Imz. Jul BONATTI, dhe mbytet nga Sigurimi në manikomjo të Durrësit në vitin 1951, kur ishte i dënuem me 5 vjet burg.

10 DHJETOR 1946: Arrestohet At Sebastjan DEDA. Dënohet 5 vjet burg.  

11 DHJETOR 1946: Arrestohet At Aleks BAQLI, dënohet 10 vjet burg…

■Kanceri i Popullit Shqiptar asht komunizmi! Ndersa, metastazat janë Sigurimi i shtetit dhe Akademia e shkencave… që shkatrrojnë trunin dhe trupin e njeriut…

■Nëse realizohet “Rilindja”, ajo tregon se Populli Shqiptar nuk sherohet kurrma!

  • KA EDHE NGA “ATA” QË AS KËTE… NUK E QUEJNË GJENOCID !!

■Sami FRASHERI ka shkrue:

“Kalben njerëzit e ndershëm, atje ku lartësohën kriminelët !”

Melbourne 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Hoxha, Fritz radovani, Nacionalclirimtaret

HAPNI DOSJEN: “SHOKËT DUSHAN MUGOSHA, ENVER HOXHA…”!

June 26, 2016 by dgreca

HAPJA  E  DOSJEVE  TË  SIGURIMIT  TË  SHTETIT ASHT  AUTOPSIA  E  KRIMIT  TË  ORGANIZUEM/

8 NENTOR 1941-“Partia ynë”… “Наша странка”…/

Nga Fritz RADOVANI/Melbourne-Australi/*

 Filloni me dokumentin e Josif Broz TITO: “…Josif Bros Tito që në 1939 ja pati dhënë si detyrë Miladin Popoviçit kujdesin dhe ndihmën për lëvizjen komuniste shqiptare. Pëlqimi dhe plani i tij për ta mobilizuar vartësin partiak në këtë punë qe sepse ai përfaqësonte Komitetin Krahinor për Kosovën. Kryebolsheviku jugosllav gjykonte se vetëm nëpërmjet shqiptarëve të Kosovës do të mund të depërtonte më lirisht, për të ndikuar, tek shqiptarët e Shqipërisë. Në të vërtetë të njëjtën gjë bënë edhe tre grupet kryesore komuniste shqiptare të parathemelimit, të cilët zgjodhën degën bolshevike të Kosovës për të shkuar deri në Partia Komuniste Jugosllave dhe prej andej në Moskë e Komintern, ku do të merrnin lejen për ta formuar dhe të drejtën e anëtarësimit pas formimit të PKSH-së.” E shka pritet nga këta terroristë?

  • Vazhdon Enver HOXHA: Edhe pse e mohueme për dekada të tana, do ta pranonte në plenumin e Beratit, në tetor 1944: “Kur u formua partia besimi im për ata dy shokë, Miladinin dhe Dushanin, qe i madh, por unë qeshë pa eksperiencë dhe pa pikëpamje organizative e politike të qarta…Që nga ajo kohë lindi jo një simpati, por një dashuri për Aliun (D.Mugosha) dhe çdo gjë që thoshte Aliu për mua qe një gjë e mirë, e mbaruar”.
  • 20 Mars 1943 u formue Sigurimi i shtetit, mjeti që krimineli Enver Hoxha perdori me eleminue fraksionet, grupet e ndryshme në PKSh, opoziten dhe kryesisht rivalët e tij per karrigen e drejtimit të PKSh, që ma vonë ishin subjekti i vetem per ruejtjen e kolltukut.

Motivacioni asht i perbashkët: Edhe një “reaksionar më shumë”! Vrasjet vazhdonin!

  • Sllavokomunizmi ndoshta, asht i pari që ka zbulue “DNA” dhe e ka zbatue nder Dosje të Sigurimit të shtetit me agjentët e kudondodhun “kryetarët e lagjeve dhe këshillave të fshatrave”, tue plotsue Dosjet personale dhe familjare të sejcilit person të dyshuem ose të arrestuem nga Sigurimi i shtetit. Dosjet ishin të shperndame nder disa drejtime që sot bahet sikur janë “harrue ose zhdukë”… Kjo nuk asht e vertetë, mbasi veteranët vrasës nuk do të kishin asnjë mundësi me vertetue krimet e veta 47 vjeçare, per të cilat edhe sot paguhen, shperblehen dhe dekorohen, ndersa pasardhësit vazhdojnë rrugen e tyne!
  • Sot nder Dosje shenohet gjaku i pistë i baballarëve të tyne nga stergjyshat, dhe lidhja e atij gjaku të ndytë me një tjeter edhe ma të ndytë që trashigojnë vrasësit hajdutë sot.
  • Flitet se gjoja “dikush” mendon që në të ardhmen “kandidatët e rinjë” të kenë si kusht të domosdoshem “mosqenjen e tyre në organet e dhunës”… Një përrallë 25 vjeçare…

E kam thanë dhe po e persëris prap: “Krimet e komunizmit kunder njerzimit që janë ba në Shqipni, asnjëherë nuk parashkruhen!” Madje, unë, as nuk pajtohem me injorantët që drejtojnë shoqatat e të perndjekunëve politik, as me qendrimin e drejtuesëve të Fesë në Shqipni, që vazhdojnë “heshtjen” vetem per një arsye: “Mue nuk më ka vra asnjënjeri Gjenocidi i bamë kunder Klerit Katolik Shqiptar, nga tiranët E. Hoxha e Ramiz Alia!”

  • Kjo asht e pafalshme dhe e pajustifikueshme per Ata që per trup kanë veladon e zhgun!
  • Kohen e fundit disa nga “hamajt” e titujve “demokratë apo pushtetarë”, kanë shprehë frikë të “hapjes” së Dosjeve, gjoja “kjo reformë, e futur në Parlament, sjell luftë civile!” dhe, fatkeqsisht, disa nga të perndjekunit politik deklarojnë: “Ne do vazhdojmë për të bërë propagandë per PD…!” Një shterrje truni e pafalshme! Njëditë do të Ju dalin në shesh fëtyra e vertetë! Mos kujtoni se koha shlynë krimet!
  • Rruga e shtetit Shqiptar asht rruga e krimit t’ organizuem dhe korrupsionit në shkallen ma të naltë. Ajo rrugë përditë rremben jetë njerzish. Por, asgja nuk asht rastësi. Ajo sot tregon saktësisht kush janë ideatorët dhe zbatuesit e vrasjeve të djeshme dhe të sotme!
  • Nëse Populli Shqiptar nuk do të kerkojë Rrugë të Re, Ai do të vazhdojë robninë që e ka fillue në diten e zezë të 8 nëntorit 1941… Po, në Tiranen e tiranëve Mugosha e Hoxha!
  • Hiqni dorë njëherë e pergjithmonë nga filialet e PPSh, nga partitë PS dhe PD, do të keni vetem fukarallek dhe vuejtje, mbasi mbi të tilla thëmele janë krijue në Venecia, kur në tavolinen e turpit kanë nenshkrue Fatos Nano dhe Sali Berisha deklaraten e tyne të vazhdimsisë së rrugës PPSh së diktueme nga Ramiz Alia, në praninë e Mentor Qokut.
  • Prania e Mentor Qokut aty në 1990, perforcon idenë e Ambasadorit Amerikan Rajerson, që ka shpreh pak ditë perpara në Gazeten Dielli: “Pikë së pari i uroj paqë dhe ju lutem largoni prapambetjet e perandorisë osmane, zakonet një shekullore që u përforcuan edhe nga qeveria komuniste, favoritizmat dhe korrupsionin.”

            Melbourne, Qershor 2016.

*Enver Hoxha me tutorin e tij Miladin Popovic

 

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Hoxha, Fritz radovani, HAPNI DOSJEN: “SHOKËT DUSHAN MUGOSHA

AVOKAT MUZAFER PIPA- I MBYTUN MIZORISHT NGA TRADHËTARI ENVER HOXHA

May 16, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: MUZAFER  PIPA (1914 – 1946)/

 ■30 SHTATOR 1946 : “ZHDUKET” DR. AV. M. PIPA… DHE  DOSJA  E TIJ…

Muzefer Pipa asht le në Shkoder në 1914. Mbaroi studimet per jurisprudencë në Padova.

Me 28 Janar 1946, mbronte At Gjon Shllakun në gjyq, me grupin “Bashkimi Shqiptar”…

Tue dalë nga kafe Bar’Impero, prokurori vrasës Aranit Çela i tha: “Hëëë, Muzafer Pipa, e kemi rajtur njëgjysëm leku edhe per ty!..” E arrestuen nga fundi i muejt Gusht 1946…

■LEGJENDA: Vazhdonte hetimet me kriminelin Zoji Thëmeli…Muzaferi, në mëngjesin e 30 Shtatorit 1946, vendosi me ikë nga hetuesia… U dëgjuen krisma armësh! Kryetari i Degës, Zoji, dergoi Elez Mesin me marrë një pulë, i këputën kokën… dhe shperndanë gjakun e saj në çimenton rrethuese të hetuesisë…Pra, “Muzaferi u vra nga rojet tue ikë”.

■E VERTETA: Me 29 Shtator 1946, Zoji Thëmeli dhe Vaskë Koleci, i kishin lidhë krahët mbrapa Av. Muzafer Pipës, per një karrigë të mberthyeme per dysheme. Skuqën një hekur dhe vendosën me ia kalue në muskujt e dy krahëve mbas shpine… Mbasi hekuri kaloi krahun e djathtë…nga dhimbjet e forta, Trupi i Muzaferit bani lëvizje që katilët nuk mujtën me i kontrollue… Hekuri i skuqun takoi per shtyllen kurrizore dhe Muzaferi, mbylli jetën në mënyrën ma mizore. Me 30 Shtator 1946, u perhap edhe “Legjenda”!

■Po, “shokun komandant” kush e njoftoi “për zbatimin e urdhërit tij dhenë K.Xoxes?”

■Në këte 70 vjetor të kësaj mbytje barbare të Dr. Avokat Muzafer Pipës, Shqipnia që Ai e ka dashtë aq shumë, nuk duhet t’a vajtojë… Po, perballë Një Monumenti të Muzaferit, shka janë Shkodranë e Libohovitë, të gjithë bashkë të këndojnë “Hymnin e Flamurit”!

Melbourne, Maji 2016…

Nga Prof. Arshi PIPA:    

    Elegjia Vllaznore  
Ma thonte zemra e ngrâta
se jeta t’kishte lânë,
edhe pse miqt’ e shokët
nuk dojshin me ma thânë.
Der’sa mbi krye mandata,
kur s’e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka në andërr
prej kohe m’ishte g’jâ.
E pau epileptiku
qi s’njifte mue as ty.
Po kapërcejshim lumin
kur befas ura u thye…
Un rashë… m’u turr vërtiku…
humba! Uluroi nji zâ…
Ti u hodhe, m’kape, m’qite…
por vetë nuk dole mâ!
Ti vuajte, ti rreziqe
durove simbas stinës
nga ishulli i Ventottenes
ndër telat e Prishtinës.
E pse përbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmonë armik i shtypjes
e Bir’i Atdheut besnik.
Sot qi nga dita e mortit
Ka rrjedhë mâ se nji mot,
tue t’a nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.
Pse për vdekjen e t’fortit
i fortë duhet me u bâmë.
As i përmendi fajtorët:
nuk kam mâ çka me i nâmë…
Kur ndofta nga mizori
Po përgatitet ura
për mue kët herë e, kânga
e mbramë âsht kjo qi thura,
me gjakun tând Dëshmori
vulosi sot nji bè:
Përbuzi komunizmin
e truhem për Atdhè!..

■U shkrue në Burgun e Durrësit, në vitin 1948.

Filed Under: Histori Tagged With: Avokat, Enver Hoxha, MUZAFER PIPA- I MBYTUN MIZORISHT NGA TRADHËTARI

Ndodhi Sot, 5 Maj-Komunistët nderojnë dëshmorët me foto të Enver Hoxhës

May 5, 2016 by dgreca

Partia Komuniste nuk ka munguar në monumentin e “Nënës Shqipëri”, për të nderuar dëshmorët e Atdheut në ditën e tyre përkujtimore.

Me foto të Enver Hoxhës, dhe pankarta “Rroftë Partia Komuniste” ata janë përkulur para monumentit, me shenjën tipike të komunistëve, grushtin lart.

Filed Under: Komente Tagged With: 5 maj, Enver Hoxha, komunistet

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT