• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Epitafi i hipokrizise

January 18, 2017 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150Nga Reshat  Kripa/ Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/

Një ditë prej ditësh m’u tek të shkoja të vizitoja varrezat e qytetit. Ide e çuditshme do të thoni ju. Me të vërtetë ashtu është, por ja që mua m’u tek ta bëja një gjë të tillë. Kështu mbërrita atje. Sapo hyra ne bllokun e varrezave më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor që ndodhej  në krye të parcelës kryesore. U afrova dhe u mundova të lexoja emrin e të ndjerit që prehej aty. Për çudi, vura re se nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi  të gdhendur në pllakën e mermerit:

“Këtu prehet hipokriti

                                                Gojëmjaltë e trupërlyer,

                                                Që s’tha fjalë pa lezet,

                                                Që s’u prish në muhabet,

                                                Dhe s’e ndyri kurrë gojën,

                                                Me ata që kish nevojën!”

            Qëndrova i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm. Po thartoja trutë për të gjetur se kush duhej të ishte ky i paemër që prehej aty. Mendja më vajti tek “i paemri” i romanit të Petro Markos. Por jo, nuk mund të ishte ai. Ai personazh ishte vetëm fryt i fantazisë së shkrimtarit.

Nga kjo fantazmagori më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:

– Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?

Ktheva kryet dhe  pash një plak që po i afrohej të njëqindave.

– Jo, or mik, – iu përgjigja, – nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër.

Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:

– Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që sa janë gjallë  ligjërojnë e ligjërojnë lloj lloj mbroçkullash pra që  kanë dy fytyra, njërën për eprorin dhe tjetrën për vartësit.

Plaku nuk foli më dhe unë nuk e ngacmova më tej. Po mendoja dhe po mendoja për ndonjë figurë të tillë që kisha njohur. Në të vërtetë ishin të shumta figurat që më dilnin përpara syve,  por ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte ajo  e  një “bandill këndezi” që kishte fluturuar nga “qymezi” dhe që kishte zaptuar faqet e para të mediave të shkruara dhe atyre vizive, madje edhe të mediave ndërkombëtare..

Në të vërtetë ky bandill rridhte nga një familje me emër në krahinën e tij. Por fati e kishte degdisur nëpër disa hone dhe shkrepa, sa që ia kishte trazuar trutë fare. Fatmirësisht, kjo kohë kishte perënduar dhe kishin ardhur ditë më të mbara. Fati i kishte çelur edhe bandillit tonë dritën e gjelbër. E kishin emëruar drejtor të një institucioni që merrej me rehabilitimin e njerëzve të përvuajtur.

U copëtua dhe u ropëtua i ngrati që t’i ringjallte përsëri të mjerët e përvuajtur. I ranë këmbët sa në një dikaster në tjetrin, duke bërë lutje e duva për ta.  Por shumica e tyre e përcillnin ashtu siç kishte hyrë. Kjo gjë bëri që në ndërgjegjen e tij të rrënjosej një ndjenjë tjetër, ajo e inferioritetit, si pasojë e të cilit i lindi vesi i hipokritit, shumë i përhapur në kohët tona. Kështu që arriti puna deri aty sa, kur ndodhej para ndonjë eprori, për të kërkuar diçka, harronte përse kishte shkuar dhe në fytyrën e tij dallohej vetëm një buzëqeshje skllavi dhe një përulje alla Uriah Hip i Dikensit. Një buzëqeshje e tillë nuk i mungonte edhe kur dilte para ekraneve të televizioneve për të dhënë ndonjë intervistë ose për të shfaqur ndonjë mendim, që natyrisht nuk ishte i tij. Mblodhi majtas e djathtas kallëpe të llojeve të ndryshme, ca gjoja filozof, ca gjoja për të drejtat njerëzore dhe ca për bodigardë dhe arriti në majën e të përvuajturve. Tani të tjerët i shikonte nga lart poshtë dhe në zërin e tij ndihej toni i autoritarit.

Një ditë prej ditësh një lajm i bujshëm mbushi faqet e medias. Bandilli do të organizonte një kuvend të madh, në sallën kryesore të pallatit më luksoz të kryeqytetit, me njerëzit e përvuajtur ku do të shpallte edhe krijimin e një partie të tyre dhe, natyrisht sipas mediave ai do të ishte kryetari i saj. Një kuvend i tillë në një sallë të tillë kushtonte disa miljona të holla, por bandillit kjo nuk i interesonte pasi e dinte ai se kush do ta sponsorizonte. Kështu, ditë për ditë, në çdo konferencë shkencore ku ishte i ftuari i perhershem, ai deklaronte:

“Nuk ka forcë në botë që më vendos mua përballë të përvuajturve. Unë jam dhe do të mbetem në krah të komunitetit tim, si një aktivist  i kauzës së tyre. Tek unë ata do të gjejnë udhëheqësin që do të realizojë aspiratat e tyre.”

Lidhur me sa më sipër unë do të doja ta pyesja:

  • Per cilët  të   përvuajtur  e  quani veten  përfaqësues  të  tyre,  pasi   jo   të   gjithë  ata kanë të njejtin ideal. Midis tyre ka të djathtë dhe të majtë, ka demokratë, republikanë, liberalë, ballistë, monarkistë, socialist, social-demokratë dhe ku e di unë se çfarë tjetër. Një pjesë e tyre kanë patur idealin e Shqipërisë  Etnike, ndërsa të tjerë idealin komunist por që përfunduan në burg apo interninm për ndonjë tekë apo mosmarrëveshje jo parimore me idhullin e tyre diktator. Madje ka patur edhe nga ata të dënuar ordinerë që vidhnin apo kryenin veprime incesti me familjarët e tyre dhe regjimi totalitar, për t’i dënuar më tepër, u shtonte edhe akuzat politike për agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisjeje. Atëherë prej cilës prej këtyre shtresave të përvuajturish do përbëhet partia  juaj? Do të jetë një parti e djathtë apo e majtë? Cilët do të jenë aleatët tuaj?

Këto pyetje i bëjë pasi vë re se në Shqipëri nuk merret vesh se kush është e djathta dhe kush e majta.  Ka parti që e quajnë veten të djathtë por që janë në aleancë me të majtën, madje edhe financohen prej tyre dhe midis tyre është edhe një parti tjetër e të përvuajturve e drejtuar nga një bandill tjetëri njohur.

Një gjë e tillë më kujton një përrallë që kam lexuar dikur:

“Një natë, ndërsa flinin, bashkëshortja i thotë Nastradinit:

 – O burrë, në krahun e djathtë ke një qiri, të lutem ndize!

Nastradini, ashtu i përgjumur siç ishte, i përgjigjet:  

– E ku e di njeriu natën se ku e ka krahun e djathë dhe ku të majtin?”            

Mua më duket se kjo sëmundje ka kapur edhe bandillin tonë ndaj nuk e di se kush është e djathta dhe kush e majta. E them këtë pasi po ta dinte se ishte i djathtë ai, si drejtor i institutit të të përvuajturve  qysh prej disa vitesh, duhej t’i ishte drejtuar qeverisë prej së cilës varet realizimi i rezolutës së miratuar vite më parë mbi te përvuajturit:

A do të kërkonte bandilli si kryetar partie dënimin e diktatorit të përmbysur si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër  diktatorial komunist  në  Europën

Lindore?

A do të kërkonte rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore?

A do të kërkonte bërjen publike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë dhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve?

A do të kërkonte hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të  administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara?

A do të kërkonte hartimin e një strategjie kombëtare për eleminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipëri dhe a do të ftonte institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur  me statusin e të përvuajturit për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike?

A do të kërkonte fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollore, shpalljen e nje dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe rikthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar?

A do të kërkonte organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve,  për krimet e kryera nga regjimet totalitare?

Personalisht jam i mendimit se bandilli ynë nuk do të mundet t’i realizojë këto, pasi nuk do ta lejojnë padronët e tij. Ndaj dua t’i drejtohem atij me vargjet e të pavdekshmit Ali Asllani:

“Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zoq e zoga si përhera?
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Shqipëria e  shqipëtarve!”

 

 

                                                           

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Epitafi i hipokrizisë, reshat kripa

Epitafi i hipokrizisë

May 28, 2014 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/
Një ditë të djelë m’u tek të shkoja në varrezat e qytetit. Përse, do të thoni ju? Desha të vendosja nga një tufë lule në varret e miqve të mi që nuk jetojnë më. Kaloja nga njeri varr në tjetrin dhe lexoja epitafet e shkruara në to.
Në hyrje të varrezave më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor. U afrova dhe u mundova të lexoj emrin e të gjorit që prehej aty. Për çudi, nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi, pa autor, të gdhendur në pllakën e mermerit:

Këtu prehet hipokriti
Gojëmjaltë e trupërlyer,
Që s’tha fjalë pa lezet,
Që s’u prish në muhabet,
Dhe s’e ndyri kurrë gojën,
Me ata që kish nevojën!

Qëndrova i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm. Po thartoja trutë për të gjetur se kush duhej të ishte ky i paemër që prehej aty.
Nga kjo gjendje më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:
– Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?
Ktheva kryet dhe pas meje pash një plak që po i afrohej të njëqindave.
– Jo, or mik, – iu përgjigja, – nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër me këtë epitaf.
Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:
– Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që, kur ishin gjallë, kishin dy fytyra, njërën për natën dhe tjetrën për ditën.
Këto tha plaku dhe iku duke më lënë në meditimet e mia. Thartoja trutë për të gjetur të ngjashmit e këtyre që citonte epitafi. Para syve më dilnin portretet e disa kryetarve të parlamentit apo partive të ndryshme, deputetve apo funksionarve të shtetit, historianëve apo analistëve të shquar, përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme apo edhe disa që e quajnë veten “të pavarur”, duke mbajtur fjalime prekëse lidhur me një përvjetor të harruar të një ngjarje të periudhës së “luftës së madhe”, sipas tyre. Ndërsa këta karafila ligjëronin, një turmë nga ata që quhen “veteranë”, brohorisnin për një djall të kuq me brirë, që vetë ky popull e përmbysi disa vite më parë, madje duke mbajtur në dorë portretet e tij. Unë nuk e di se çfarë veteranësh janë ata se, nga pamja e tyre, më i vjetri nuk i kalonte të 70 vjetët dhe nuk e kuptoj se ku e dinin historinë e asaj ngjarje, kur ende në atë kohë nuk kishin lindur. Bëjë një llogari me veten time. Lufta ka 70 vjet që ka përfunduar. Që të jesh një veteran i asaj lufte duhet të jesh të paktën 85 vjeç sot, domethënë të kesh marrë pjesë qysh në moshën 15 vjeçare në luftë. Por mua nuk më zuri syri asnjë të asaj moshe. Sa veteranë të kësaj moshe mund të jenë gjallë sot në Shqipëri?
– Ne nuk kemi parë gjë, nuk kemi dëgjuar asgjë, – i tha njeri nga ligjëruesit gazetarëve kur
e pyetën.
Të njejtën përgjigje kishte thënë edhe një miku i tij nja tre javë më parë duke përkujtuar atë që ata e quajnë “dita e dëshmorëve”. Të ngratëve! Mirë veshët që i paskan lënë, po sytë çfarë i gjeti.
Për cilët dëshmorë e kanë fjalën këta karafila? Mos vallë Shqipëria paska dëshmorë vetëm ata që kanë rënë me yll në ballë? Po ata me zhgabën dykrenore/ Po ata që u masakruan pas marrjes së pushtetit prej tyre? Mos vallë ata nuk janë dëshmorë? Çështë kjo ndarje e popullsisë së këtij vendi të vogël në “çlirimtarë” dhe “bashkëpuntorë”? Më kujtohet një këngë që këndohej në kohën e luftës:

Çohi, o vllazën, pa dallim feje,
Krahine dhe ideje,
Në një front të përbashkët,
Në luftë kundra fashizmit,
Çohi të gjithë,
Se ma koha nuk na pret!

Fjalët e kësaj kënge i dëgjoi një popull i tërë. Ai u ngrit i gjithë, dikush majtas dhe dikush djathtas. Sipas fjalëve të këngës ata luftonin në ndihmë të njeri-tjetrit. Kjo vazhdoi deri sa djalli i kuq e ndërroi tekstin e këngës me parullën “pushteti buron nga gryka e pushkës”. Kur vuri re se forcat e djathta kishin fituar epërsi ndaj atyre të majta, djalli i kuq vendosi t’i godiste ato. Një luftë e paparë civile shpërtheu në vend. Vëllai luftonte kundër vëllait. Vëllai vriste vëllanë, dhe, kur mori pushtetin, i shpalli kundërshtarët “kolaboracionistë të fashizmit”. Vini veshin! A keni dëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës të shpallen kolaboracionostë më shumë se gjysma e qytetarëve të një kombi. Këtë bëri bisha e kuqe.
Por, fatkeqësisht, kjo frymë vazhdon edhe sot, kur bisha është përmbysur, por në një formë tjetër. Sot kërkohet të lihet në heshtje kontributi i dhënë nga e djathta gjatë luftës për liri dhe të hymnizohet i ashtuquajturi heroizëm i paparë i së majtës. Figurat e shquara të së djathtës, që nga rilindja deri tek pavarësia, që nga pavarësia deri më sot, janë lënë qëllimisht në hije. Nuk flitet asnjë fjalë për to. Nuk shkruhet asnjë rresht nëpër gazeta, libra apo tekste shkollore. Emrat e tyre nuk figurojnë në asnjë shesh, rrugë, shkollë apo institucion tjetër. Epo Shqipërinë e bëmë bashkë dhe bashkë duhet t’i ndajmë meritat e saj. Oligarkia komuniste nuk u përmbys dhe demokracia nuk erdhi vetëm me kontributin e dhënë nga studentët e lëvizjes së dhjetorit 1990. Nuk erdhi me përpjekjet e vetëm atyre katër ditëve. Por është kontributi i dhënë nga e djathta shqiptare gjatë 46 viteve të një rezistence të papare në historinë e vendit dhe që u finalizua me lëvizjen studentore të dhjetorit, shto këtu edhe kontributin e madh të politikës amerikano-perëndimore që e detyruan sistemin socialist të kapitullonte pa kushte./
Po përse e majta shqiptare dhe, veçanërisht, brezi i ri i saj vazhdon, pothuajse, të njejtën politikë diskrimuese me të djathtën tradicionale? A thua të kenë ata ëndërrime për atë sistem që vetë një pjesë e tyre e shembën në vitin 1990? Unë nuk e besoj. Unë nuk besoj që bosët e së majtës që drejtojnë verndin, të duan të humbin milionat e fituara me mënyra nga më të ndryshmet pasi, po të rikthejnë sistemin e përmbysur duhet t’i thonë lamtumirë atyre, pasi ai sistem nuk shkatërroi vetëm të djathtën tradicionale, por u bëri varrin edhe shumë nga protagonistve të atij sistemi. Një fat të tillë ata nuk mund ta pranojnë. Nuk mund ta pranojnë atë sistem bosët që shpenzojnë vetëm për një ditëlindje disa dhjetra shishe verë me vlerë disa qindra dollarëshe. Vetëm pak kohë më parë një funksionar i lartë australian dha dorëheqjen pasi kishte pranuiar si dhuratë një shishe verë të kësaj kategortie. A ka fuqi një funksionar i vendit tonë të jap dorëheqje për një veprim të tillë/ Asnjë.
Atëherë përse? Vargjet e epitafit të përmendur në krye të këtij shkrimi na tregojnë arsyen. Është hipokrizia politike që ata përdorin për të mashtruar një popull të tërë. Ata janë zbatuesit më besnikë të sentencës së thënë nga Seneka i madh se: “Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret”. Për këtë përdorin demagogjinë. Kërkojnë të ndajnë periudhën totalitare nga ajo e luftës. Kërkojnë t’i paraqesin “heronjtë e luftës” të ndryshëm nga ata të periudhë totalitare. Madje edhe djallin e kuq kërkojnë ta paraqesin ndryshe gjatë kohës së luftës dhe ndryshe gjatë periudhës totalitare. Ata bëjnë sikur harrojnë se, djalli i kuq, ishte njësoj djallëzor dhe përbindësh si në kohën e luftës dhe pas saj. Se pikërisht, në kohën e luftës, ai kreu krimet nga më të rëndat, siç janë shfarrosjet e grupeve të tëra kundërshtarësh politikë apo qytetarësh të pafajshëm. Ai arrti deri në atë pikë deri sa të eliminonte edhe bashkëluftëtarët e tij më besnikë. Ky ishte djalli i kuq që sot kërkojnë ta ringjallin.
Por rrota e historisë nuk mund të kthehet më prapa. Ajo periudhë e errët e historisë së vendit tonë ka perënduar përgjithmonë. Së bashku me të edhe ithtarët e saj. Shqiptarët sot kërkojnë më shumë qetësi, më shumë mirëkuptim. Nuk duan më ndarje në patriotë dhe tradhëtarë. Shqiptari nuk e ka pasur traditë tradhërinë. Tradita e tij ka qenë besa dhe ajo duhet të sundojë në vend. Mjaft më me ndarjet abstrakte të qytetarëve. Kur do të lindë ai burrë shteti që do të sjellë paqen në marëdhëniet ndërmjet vëllezërve të një kombi? Kjo është dita e shumëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Epitafi i hipokrizisë, reshat kripa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT