• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ani Kosovë

October 2, 2014 by dgreca

Ilir Levonja/Florida/
Aktualisht Kosova gjëndet në ngërç politik. Njëri krah mbahet tek e drejta kushtetuese, por nuk ka votat e duhura për të formuar qeverinë e re. Kurse krahu tjetër, koalicioni post zgjedhor, i ka votat, por formimi i qeverisë është me probleme ligjore. Kjo gjithmonë në bazë të Kushtetutës së vendit, së cilës i referohen përditë edhe palët.
Deri vonë, të gjithë ishim me sy e vesh aty. Por seanca e caktuar për këtë të enjte, (sot) u shty sërish. Deklarata e Flora Brovinës si deputetja më e vjetër e Kuvendit, futi në siklet edhe Presidencën. Sërish bisedime, sërish këmbëngulje. Unë do thosha vetëm kaq, ani Kosovë, u infektove edhe Ti. Nuk i shpëtove dot dheut amë, Shqipërisë. Akoma as majtas, as djathtas, as mespërmes. As veçmas. As tok, të gjithë. As zgjedhje të tjera.
Them u infektove, pasi në krahasim me zgjedhjet në Shqipëri, aty kishte më normalitet. Nëse mund ta quajmë kështu. Të paktën nuk kontestoheshin nga palët. Humbësi njihte fituesin. E uronte. Dhe rezultati dilte krejt në kohë. Kurse në Shqipëri, dalja e rezultatit kap kohën e shtatzanisë. Në këtë aspekt, Kosova qe një version për tu marrë shembull. Edhe në rastin Surroi me ngritjen e përqindjes së pragut elektoral. Mjaft më me parti që i shërbejnë individit. Me kryetarë që mbledhin votat thërrime të ”kryetarëve” në degë, për të qënë përjetësisht kryetar. Shqipëria, në raport me popullsinë është kampione e Ballkanit. Plot 113 të tilla. Shëmbulli i përkryer, Skënder Gjinushi.
Por në Kosovë ka ndodhur ndryshe. Madje edhe në aleanca të forta mes kundërshtarësh të ashpër. Siç ishin ato Rugova, Thaçi. Apo edhe qeverisja Rugova Haradinajn etj. Ndofta atëhere, e deri vonë, trysnia e luftës, e Serbisë ishin si të thuash një lloj shtyse e fortë për të bërë lëshime. Tani më, kjo atmosferë është bjerrur. Kosova ndihet plotësisht e lirë. Për rrjedhojë nisën e çelën tekat. Sepse më shumë se në luftrat e viteve, apo diktaturat, problemi më i madh i yni është Liria. Të jetuarit në Liri. Me njëri-tjetrin. Ne e kemi gati të pamundur.
Në webe të ndryshëm të Kosovës, deri vonë mbrëmë emetoheshin tabela rrugore me emra qytetesh, kilometrat. Për sa të tillë mund të shkosh në Romë, Paris, Vlorë, Durrës, Tiranë, Krujë etj. Kjo i përket së njëjtës frymë si edhe në Shqipëri. Ka kuptimin se njëra palë pengon tjetrën, si e si Kosova të mos bëhet pjesë e Europës. Dhe populli duhet të ngrihet. Sërish në emër të popullit. Nga ana tjetër kur futesh në komisionin zgjedhor të Republikës së Kosovës, vë re se pjesmarrja në zgjedhjet e fundit, 8 qershor 2014, është më e ulta në historinë e re të vendit. Megjithatë Kryeministri foli në emër të Popullit. Se kujt populli? Këtë e di, jo vetëm Thaçi, por të gjithë politikanët tanë.
Ndaj paraqitja e tabelave është logjika e demagogjisë së radhës. Kësaj here lidershipi në Kosovë e ka të vështirë të kapërceka mbi vetveten. Më shumë se popullin në Europë, burrat aty duan pashallëkun e tyre. Njësoj si në Shqipëri, kryetarë të përjetshëm, qeveritarë të tillë. Ani, Kosovë t’i dhembja e bukur. U infektove edhe ti.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ani Kosove, esse, Ilir Levonja

Monolog dhimbjesh, dashurie, malli e proteste….

February 18, 2014 by dgreca

Esse-analizë e vëllimit me poezi, “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes” e Poetit e Publicistit -Vasil Tabaku)/

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

 Poeti dhe publicisti i njohur, Vasil Tabaku i prezantohet audiencës së lexuesve dhe botës shqiptare, si një ndër  autorët mjaft interesantë e mbreselënës i dhjetra vëllimeve në të treja gjinitë; poezi, prozë dhe publicistikë, ndërkohë është  autor i mijra editorialeve gazetareske, esse, analiza dhe opinione social- ekonomike- politike e kulturore. Dhe kjo nuk erdhi krejt rastësisht, por as e papritur. Ato janë dëshmi e prirjeve të shpirtit letrar-artistik, psikikes e filozofikes, aftësisë dhe kredencialeve të identitetit krijues të tij. Në një nga ato ditët e nxehta të korrikut, 2013, isha në Tiranë, kur  në celularin tim u shfaq numuri i poetit e publicistit  Vasil Tabaku. Deri atë cast njiheshim nëpërmjet eksperiencës krijuese si dy miq e kolegë virtualë në rrjetet sociale. E lamë të pinim kafe në qendër të Tiranës, te Bar – Kafe “Europa”, mjedis i njohur ky, ku mblidhen e  takohen intelektualë, shkrimtarë, poetë e gazetarë, kafe e biseda “për qejf të poezisë e  të letërsisë”. Ishte një  ditë e këndshme dhe impresionuese mes kolegësh. Por edhe dicka më shumë! Vasili më dhuroi dy libra të tij, -romanin “Baleti i drerit të plagosur” dhe vëllimin me poezi “ Dhimbjes i rrinë të vogëla, këpucët e heshtjes”. Poezinë e poetit Tabaku e njoh mirë për harmonizimin e bukur, zhvillimit të identitetit të pjekur poetik dhe  gjetjes poetike brenda detajit artistik, kujdesit estetik e filozofik,  tonit qytetar e intelektual dhe vargjeve lirike, c’ka ai deklamon atë që askush nuk e mendon, imagjinon dhe të paparashikueshmen. Poezia e poetit Tabaku  deklamon më shumë se fjalët që reflektohen në  tekstin melodioz muzikor të një kënge. Ne dëgjojmë përmes tingujve  muzikorë të ndryshëm notat e shpirtit tradicional e klasik, por  poetët nuk janë pinjollë të muzikës, ata janë  njerës të talentuar që krijojnë vargje falë dhuntisë dhe imagjinatës poetike të tyre. Si poezia dhe  muzika të ngjallin emocione se i këndohet, jetës,  dashurisë e dhimbjes,-asaj njerëzores. Argumenti është sekondar,  finishi  poetik i vargjeve është primar. Fjalët dhe veprat janë mënyrat indiferente të energjisë hyjnore e njerëzore, ku fjalët janë vepra dhe veprat  në një farë mënyre janë fjalët. Nëpërmjet metaforës poezia prodhon afërinë mes detajeve jetësore e njerëzore, filozofike e artistike, që kurrë nuk i kemi menduar më parë se ato do të mund të bashkëjetojnë të veshura me artin e fjalës së bukur. Teksa lexoj poezitë e vëllimit “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”, mendoj se poeti Tabaku nuk është një poet “ i famshëm”, por ai është një poet i mrekullueshëm dhe njeri i jashtëzakonshëm. Ky fakt është shumë më e rëndësishme e domethënës  për mua, se sa pyetjes që mund të lindë,  se a po shkruaj për dikë të njohur…?! Ky vëllim poetik reflekton personalitetin e maturuar poetik të  autorit, që  është i dallueshëm për qartësitë dhe  skepticizmin e tij ndaj realitetit e përvojave jetësore, kur koha duket sikur mbaron. Karakteristikat e tjera të stilit të tij poetik plot ajër dhe liri, janë forma të strukturuara të hapjes  me botën shpirtërore, psikiken e humanen, tërheqjes drejt momentit poetik  nga njëra anë dhe ndaj jetës në anën tjetër, imazhin e simbolit të dhimbjes e harmonisë, dashurisë dhe përjetimit shpirtëror, dhembshurinë, heshtjen dhe  pikëllimin, vetëdijen e mosvetëdijen, pranë e larg. Të gjithë takohemi në këtë jetë jo thjesht për mirë apo për keq, por  në marrëdhëniet me njerëzit gjithsecili prej nesh, pret  një përgjigje sa herë ka pyetje  në  “fushëbetejën”-e  jetesës e mbijetesës.

 

Stili poetik  e poetit Vasil Tabaku,  është dyvalenca  e ekzistencës njerëzore.

 

Vëllimin  poetik autori nuk e ka ndarë në kapituj, por ndërsa shfleton atë dhe  lexon poezitë kupton se është  cikël poetik i plotë alegorik, inteligjent dhe ambicioz. Autori me mjeshtëri letraro – artistike e filozofike prezanton kontrastet e dy aspekteve të personalitetit të tij poetik; 1-nga njëra anë  vargje entusiaste ku brenda realitetit human është njeriu, me kompleksitetin e larminë e ndjenjave e emocioneve, të strukturuara këto  me  imtësira psiko-analitike dhe metaforike:

“Thesari i vetëm që kemi/është puthja…/Meteorin e këputur të kokës së kaprollit/mban në duar/ /kërkon të mbështetesh/tek një përqafim.”(poezia “Realitete”,f.51).

Poeti përkufizon pikëpamje komplekse dhe intensitetin simbolist  njerëzor me simbolikën  e lidhjes të fortë të  lirisë së shpirtit, gjëndjes emocionale të natyrës njerëzore, si pozitive ashtu edhe  negative, dhëmbshurisë e etjes për të dhuruar  e marrë dashuri.

“Dhimbja vesh këpucët e heshtjes,/mbi rrugën e kafshuar,/nga hapat e varfërisë,/supet e mi,/janë frymëmarrja e detit ,/me hënën,/nga zambakët e bardhë./Duart/kanë/humbur ndjesinë e prekjes./Pëllumbat e gjinjve fërfëritës/qajnë/nga mungesa e dashurisë.”,(poezia “Shpërbërje”f.53).

–  2-nga ana tjetër të vërtetën e pamëshirshme me mall e brengë, melankoli e heshtje, trishtim e gëzim, vargje   që motivojnë luftën për jetën dhe përmirësimin e të kundërtave në hapësirën e dimensionit njerëzor dhe stalagitet e shpërbërjes në hapësirën e boshtë të farsave sociale, në dritën e gjërave të shkruara në heshtje nga mendja e dhimbja,  monologon sinqerisht dhe emocion poetik  dhimbjen e dashurinë njerëzore, dhe arrin në përfundimin se poezia e poetit Tabaku është dyvalenca  e ekzistencës njerëzore.

  “Ne ishim bashkë/ kisha pirë vesën e syve të bukur/kisha puthur lulet/zjarri ishte derdhur brenda meje/si shkrepëtimë rrufesh…/Kisha ndjerë ftohtë/kisha ngrirë përpara syve,/statuja e dhimbjes sime/kishte mbetur memece/.(poezia “Sytë e bukur”f.170)

Poeti Vasil Tabaku në këto vargje ka saktësi lirike, sinqeritet e ciltërsi të  drejtëpërdrejtë të ndjenjës e shpirtit poetik. Përzgjedhjet e figurave letrare janë   jashtëzakonisht të goditura e të zbuluara, të lakmuesheme dhe i pavëndshëm ndaj energjisë simbolike. Autori me termat – “sytë e bukur, puthja, zjarri, shkrepëtima, ftohtë, ngrirë, dhimbje, rrufesh,  memece”, terma që  nënkuptojnë – dashuri, besnikëri, durim, kurajo dhe ka  argumentuar vecorinë për të monologuar me lexuesin me  forcën krijuese artistike e filozofike të dala nga shtrati i ndjenjave të fuqishme. Poezi të tilla si “Ajkuna qan Homerin”, “Dashuri e dashuruar”, “Krizë”,  “Me c’dhimbje të dua”, “Puthja e zambakëve”, “Etyd”, Të ndezësh zjarre”, etj, janë ndërtuar me vargje lirike  që dramatizojnë kontrastet mes jetës, artit dhe krijesave natyrore përreth, dashurinë e dhimbjen ndaj paqëndrueshmërisë së natyrës, këndvështrime lirike origjinale e të arrira, psikikja dhe përjetimi shpirtëror që demonstrohen nëpërmjet  artit e forcës së fjalës  artistike e filozofike, -magjia e artit në të përditshmen. Poeti demonstron  mjeshtërisht dualitetin; me brengë e trishtim, gjuhë të figurshme e letrare për vashën e heroin lirik në kohë e hapësirë, sikundër;  “Ajkuna fshin lotët e derdhur për Homerin/vetëtimat/ka varur në qafë/Me yjet si gurë të cmuar”, dhe emërton  përshkallëzimin e  intensitetit të tyre me epitete, krahasime e metafora, nën vëzhgimin e hollë e të vëmendshëm të personazheve,  temperamentet e emocioneve individuale, të gjallë e të paharrueshme. Vetëdija e poetit Tabaku monologon me lotët e gurët e cmuar, të  Ajkunës që fshin lotët për Homerin –një vajtim ky, që ka muzën dhe perëndinë e saj brenda mjedisit elegjik e poetik.

“Prej kënge është bërë edhe zemra ime/Po shpirti eh shpirti/Qënka një humnerë/shpresë e dhimbjeje…/Ku bisqe drite/Ushqehen me frymën time/Me dashurinë dhe puthjen/me zjarrin e thinjur e ëndrrat.”(poezia “Me c’dhimbje të dua”).

Ndjeshmëria e nevoja e poetit për të zbuluar shtigje e gjetje poetike, mediton e monologon, i ngroh  brenda shpirtit të tij që është zjarr nga ndjenja e dashurisë, poeti identifikon tensionin qëndror të subjekt/objektit, tërheqjen e tyre drejt artit të fjalës nga njëra anë dhe ndaj jetës nga ana tjetër, mision për të transmetuar filozofinë e jetës, dhimbjes e dashurisë njerëzore.

“Me emrat e Mujit e Halilit/Me vajin madhështor të Ajkunës/një qarje,/Që rrëqeth planetët dhe njerëzit/Me qumështin mitik të zanave/Dhe pluhurin qiellor/të kreshnikëve…./Bota/ Ka shtangur/Dëgjon këngët hyjnore/Nga gurrat e zërave të aedëve popullor.”(poezia “Eposi shqiptar” (f.129).

Kjo është poezi –baladë me temë historie me mendim, sqimë e klasike. Ka edhe të tjera poezi të tilla baladike, elegjike, historike dhe  sonetë. Por zgjodha këtë se më tërhoqi vëmendjen si krijim i individualitetit të vecantë dhe  përmasat artistike e filozofike. Paraqitja e heronjve me emrat e tyre, nuk se është prirje e rastësishme për poetin Tabaku, por është aftësia krijuese tij, koeficenti artisik me koeficentin filozofik që kristalizojnë dhe evokojnë historinë, heronjtë, traditën, krenarinë, dashurinë dhe  përcohet thelbi i përjetësisë të vetëdijes e kujtesës njerëzore e historike, të vërtetën e kumtuar nga dialektika e kreshnikëve  me qumështin mitik të zanave. Poezia e poetit dhe e publicistit Vasil Tabaku ka ritëm funksional, metafora lehtësisht të kuptueshme, të cilat të fusin në teleskopin poetik, zbulojnë prirjet  e mesazhit të tij pozitiv që nxisin vetëdijen njerëzore, meditimet, intimitetin, shqetësimin e poetit, tematika të vecanta me tendencën e vargut tradicional, estetik e bashkëkohor,  tematika që përcaktojnë biografinë kolektive të vetvetes e brezit që jeton e i përket. Kemi poezi lirike që i dedikohen atdhedashurisë, si; “Të puth Shqipëria ime”,(f.10), “Brenga e Mërgimtarit”(f.11), “Vështrim mbi Tiranë”(f.156), “ Realitete shqiptare”,(f.180), “Luaj dramën time”( f.172), etj,

dhe semantika e ideve të tyre,  është dashuria, historia, ndjenjat patriotike, krenaria, guximi  për të thënë të vërtetën e realitetit gri, të veshura këto me ngjyra gazmore e  të dhimbëshme, shpirtërores e psikikes,  dhimbjes e mallit, vuajtjes e  sakrificës, mungesën e njerëzve, shpresës e spekulimet mbi njerëzoren, pesimizmin dhe optimizmin, shpirtin intelektual, qytetar e  protestues, për të thënë të vërtetën, ëndrrën e ndaluar dhe ëndrrën e së ardhmes. Kemi poezi me ton qytetar, social  e intelektual, ku shpaloset aspekti human i poetit, sikundër; “Gjëra të trishta”(f.146), “Kthim te e vërteta”(f.128), “Reale” (f.124), “Fundi” (f.129), “Arratisje” (f.127), etj.

Është  një mision i tërë me konvecione të goditura artistike e filozofike, që poeti Tabaku  penetron  në dramën cinike e tragjedi të ngurtësuara; “Shqipëri/dhimbje e dimërt/e shpirtit tim/Dimërzuar dimërisht/hesht/në cep të shekullit të ri./Nëpër zërin tim/rrokullisen gurë/si tragjedi të ngurtësuara nën një qiell klithmash.”

Në këto vargje ndjejmë  nervozitetin, stresin, virtuozitetin dhe kujdesin human,  si thirrje e ankthit të kohës së mbarsur nga  stereotipet e kontrasteve të mëdha, farsave sociale dhe bujarinë njerëzore. Me inteligjencë, grintë ironie, poeti  monologon raportin shpirtëror intim me atë që është shpallur botërisht; e varfëra me të pasurën, të vërtetën e të pavërtetën, e anashkaluara me gjërat që janë në skenën e jetës, vlerën e antivlerën, zotin, ankthin, grotesken e sarkazmën, qytetaren dhe intelektualen, realitetin e hidhur dhe shpresën e pashpresë, me vitalitetin e pushtetin e habitshëm moral, social e politik të tyre  -mes të bukurës e së përditshmes njerëzore.

“Hap qiellin/kërko/sytë e humbur të të verbërit…/duart e mija/janë mbushur/me shi lotësh…/I verbëri/vërtitet brenda natës së vet/gishtat /I digjen/nga copëzat e thyera të dritës.”(poezi “Dhimbje qielli”,(f.92).

 Në këteë poezi kemi imazhin e dukshëm. Hija e copëzave të thyera të dritës ndaj hijes së errësirës në sytë e të verbërit, mbulon plotësisht imazhet e tjera, që dëshmojnë sfidën në kohë e hapësirë të imponuara vetvetiu me  vizionin ekspresionist poetik. Poeti e ka formuar këndvështrimin e tij poetik me anë të rrënjës së ideve, figurave retorike dhe metafizike, prirje kjo drejt qasjes të intimitetit personal e kolektiv, ku poeti edhe ne  të gjithë banorët në tokë e qiell, por pak prej nesh guxojnë apo ta përshkruajnë atë me ngrohtësi, sic bën autori Tabaku. Poeti shpengon dhe shpëton veten nga heshtja e syve të të verbërit, një heshtje që i ngjan dhimbjes qiell…vdekjes….

Poeti dhe Publicisti Vasil Tabaku përmes krijimit letrar artistik e filozofikes, përmes grintës poetike të imagjinatës,  lirikes, psikikes e shpirtërores, në vëllimin poetik “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”, i dalë nga shtëpia botuese “Ada”,  na ka dhënë mjeshtërisht monlogun e dhimbjes, dashurisë mallit e protestës – me besimin dhe aftësinë e shpirtit krijues, qytetar, intelektual e njerëzor, jo vetëm ngjall emocione e mbresa të jashtëzakonëshme për audiencën e lexuesve e dashamirësve të poezisë, por  përcon edhe mesazhin botës, që  të mendoje më ndryshe, i jep optimizëm e shpresë se e ardhmja ekziston e i përket jetës e dashurisë njerëzore

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA

Shkurt 2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: analize, esse, Raimonda Moisiu, Vasil Tabaku

Brengat e Pjerin Ashikut

February 6, 2014 by dgreca

Nga Kabil Bushati/ Ne mbrëmjet e vallëzimit që organizonim  kur ishim në gjimnaz, në aureolën e tangove që interpretonte orkestra ishte pa diskutim “Lulja e Majit”. Ne shkriheshim nën tingujt e kësaj muzike të embël që kur e dëgjon mund të themi pa hezitim se ajo shkrin akujt e zemrës më të ftohtë në botë dhe e bën të përjetojë valë të ngrohta. Kjo këngë magjike u bë hymn i mbrëmjeve të vallëzimit dhe koncerteve të asaj kohe.  Kënga kishte marre skenat dhe kishte marre zemrat e shkodranëve. Po ku kishte linde kjo këngë lapidare. Kishte lindë në tokën e dashurisë, aty në Pjacën e Shkodrës. Atë e kishte kompozuar Pjerin Ashiku i cili jetonte në Pjacë dhe dilte përnatë aty tek dyqani i valutës duke përjetuar botën mistike të tingujve dhe melodive. Në këtë Pjacë kanë lindur mijra këngë nga kompozitorë të ndryshëm shkodranë. Si perherë në krah të tij qëndronin dy aktorë brilantë të humorit shkodran Tano Banushi dhe Bik Pepa. Bile Tanon e këcënonin shpesh se do ta përjashtonin nga partia se rrinte pasdrekeve me Pjerin Ashikun i cili nxirrte barcoleta kunder partisë, si e vetmja mënyre kundervënie ndaj padrejtësisë që i bënte dikatura. Po kush ishte ky njeri që nxorri ketë këngë perlë e cila i ka rezistuar kohës për gjysëm shekulli dhe bëhet përditë më e dashur dhe më e kërkuar? A ka kompozuar këngë të tjera apo është mjaftuar me një?  Nga vinte dhe çfarë konservatori kish kryer,të Romes apo të Vjenës, të Parisit të Berlinit?

Pjerin Ashiku lindi në qytetin e Shkodrës me 10 tetor 1926 në një familje të vjetër dhe me tradita shkodrane. Familja e Pashko Ashikut (baba I Pjerinit) ban pjesë në ato familje që e kanë kultivuar kulturën në Shkodër. Për katër breza kjo familje ka mbajtur farmaci moderne në mes të Shkodrës duke i shërbyer bashkëqytetarëve me ilaçe qysh ne shekullin e XVIII-të. Falë kësaj dinastie efemere Shkodra përdorte ilaçe të prodhuara në Itali,Gjermani,Austri e Francë kur Tirana ziente akoma gjethe mullage e hithërash për semundjet e stomakut e te melçsë. Babai i Pjerinit ishte doktor farmacist i diplomuar në Romë që në vitin 1903. Ndersa nëna, Teresa ishte me prejardhje ruse e lindur ne kryeqytetin e Rusië; Perburg. Nëna Teresa ishte e motra e konsullit rus të akredituar në Shkodër. Nuk e teprojme po të themi se kjo dinasti ishte e një rangu për nga kultura me familjet europiane. Ndaj prinderit ishin të interesuar për edukimin e fëmijëve kryesisht me kulturë europiane.

Që në moshë të njomë,akoma pa i mbushë 7 vjetë, bie në sy të prindervet se shijet e Pjerinit anonin nga muzika dhe kënga. Kjo ra në sy edhe të Ndrekë Kaçulinit i cili kishte në Pjacë dyqanin kryesor të kinkalerisë. Nuk vonoi dhe Ndreka, duke qenë vetë muzikant, t’i dhuronte Pjerinit të vogël një kitarë dhe një fizarmonikë, te parën që kishte ardhë në Shkodër. E ku mbahej Pjerini tashti duke bere muzike  me shokë më  të rritur se vehtja. Që në moshën adoleshentë aktivizohet më  Ndrek Kaçulinin në  orkestrën muzikore. Duke pa se ishte talent në muzikë, prinderit e fusin me marrë mësime muziket në violin  tek Pader Martin Gjoni. Shkollën e mesme e kreu pranë Kolegjit Saverian, ku u dallua si talent i lindur shumë premtues në fushat e muzikës, kantos dhe aktrimit. Pjerini ishte një instrumentist  i talentuar në kitarë, fizarmonikë, instrumeta të cilat gjatë gjithë jetës do ta shoqëronin në krijimtarinë e tij muzikore. Çlirimi I Shqiperisë nga pushtimi italo-gjerman e gjeti Pjerinin maturant të sapodiplomuar. Aktivizohet në melodramat Juda Makabe, Basifondi. Ishte mik I kompozitorit të madh Prekë Jakovës, Zef Zorbës dhe më vonë I basit Lukë Kaçaj dhe kompozitorit Zef Lekaj. I vjen koha të kryejë shërbimin e detyrueshem ushtarak  por edhe aty I buzeqesh fati dhe e kalon pranë Korit të Ushtrisë. Aty duan ta mbajnë përherë,por se kujt i kujtohet prejardhja e tij “borgjeze” dhe e largojnë. Kthehet ne Shkodër.

Për nevoja ekonomike nderpret tërë aktivitetet muzikore dhe kërkon punë. E cakojnë punëtor në Ndërmarrjen Ushqimore. Pas pak kohësh drejton grupin e estradës të kësaj nderrmarje dhe fiton çmimin e parë. Në këtë grup amator këndohen edhe këngë që kishte fillu të kompozonte Pjerini, të cilat biejnë në sy të opinionit të at’herëshëm për embëlsinë e tyre. Me krijimin e Estradës së Shkodrës caktohet me orkestren e saj. Aty shquhet për shoqerimin muzikor të parodivet dhe intermexove. Gjatë kohës që qëndroi në estradë bie në sy një hop cilësor dhe promovimi I talenteve të reja si Zyliha Miloti,Tonin Tërshana e Besnik Çinari etj ,të cilët vite më pas u bënë këngëtar dhe aktorë estrade të njohur në gjithë Shqipërinë.

Por nuk qe e thënë që të vazhdonte gjatë në estradën e qytetit. E largojnë prej estradës dhe e caktojnë axhustator ne Parkun e Automjeteve. Kjo ishte një goditje e rëndë për Pjerinin. Nga Estrada profesioniste dergohej në një ndermarrje si axhustator. Në vend të fizarmonikës a kitarres do te merrte në duar tornon. Por edhe aty ai nuk dorëzohet, por krijon një grup amator estrade që konkurroi denjësisht në shumë takime kombetare dhe mori çmime te para. Shtojme ketu se i terë libreti dhe muzika ishin krijimtari e Pjerin Ashikut. Kjo ka qenë periudha më kulminante e Pjerinit në drejtim të krijimtarisë tij muzikore. Ketu spikati talenti i tij dhe kultura e tij e gjerë. Krijoi parodi të shumta dhe kompozoi shumë këngë të pa harrueshme që këndohen edhe sot, mbeshtetur kryesisht në motive popullore shkodrane.

Pjerinin, falë humorit të tij, e njihnin të gjithë në Shkodër e më gjerë, përsëri punonte në Parkun Automobilistik, tashmë edhe i rritur në “përgjegjësi”, si dizenjator, dhe njëheri ishte libretist, kompozitor dhe fizarmoniçist i përkryer që ishte zemra e estrdës së ndërmarjes së asaj kohe. Në këtë periudhë lindën këngët prestigjioze “Trotuari I qytetit tim”, “Çilma shtegun”, “Det e dashuri”, “Ermira”, “Miri i vogel”, “Kukulla”, “Valbona” etj etj. Ndërkohë gjatë këtyre viteve spikatë talenti i tij edhe si piktor.

Krijimtaria e mirëfilltë muzikore e kompozitorit Pjerin Ashikut  përfshinë 140 këngë, e shume parodi e intermexo muzikore. Në kohën e diktaturës këngët e tij janë kënduar me sukses në Dekadat e Majit si psh këngët “Një zog i vogël” dhe “Ermira” por ajo që e nevrikoste gjithmonë Pjerinin ishte fakti se asnjeherë nuk dilte  emri i tij si kompozitor. Kjo fshehje e emrit  të tij nga ana e pushtetit e mërziste dhe e therte në zemër. Në këtë periudhë,pranohet në Festivalin e Këngës në RTV, por është për t’u shënuar  transformimi që pëson kënga e “Kukullës” të cilës i shndrrohet emri dhe titullohet “Vashat”. Le që i ndryshohet titulli por i bëhën transformime rrënjësore dhe skartohet qysh në naten e parë të festivalit. Më vonë kënga e “Kukullës” këndohet nga këngetarja e mirë njohur Justina Alija në “ 100 vjet muzikë”, këngë të cilën e kishte kënduar në Festivalin e Fëmijëvet qysh në vitin 1964. Një transformim të skajshëm pësoi edhe kënga “Ermira” të cilës ju vu emri “Bija ime” dhe nuk iu përmend fare autori. Kënga “Miri I vogël” pëson një skandal edhe më të madh duke ju nderruar titulli dhe duke u kthyer  “Besmiri I vogel” duke ia kushtuar nipit të Enver Hoxhës. Gjithnjë pa u pyetuar dhe përmendur autori, sepse diktatorët  kishin nevojë edhe për këngë që të kushtoheshin nipave të tyre, ku pyesnin ata për autorët..

Në kohën e demokracisë kënga “Një zog i vogel”, me tekst të shkrimtarit të mirë njohur shkodran Fadil Kraja dhe me muzikë të kompozitorit  Pjerin Ashiku përvehtësohet me paturpësinë më të madhe nga një këngëtar korçar bile arrin të quajë vehten edhe  kantautor në radio-televizionin shqiptar në vitin 1999. Si e thamë edhe në fillim të shkrimit, Pjerin Ashiku është autori dhe kompozitori i këngës brilante “Lules se Majit”, një nga perlat e muzikës shkodrane dhe shqiptare.

Të befason fakti që edhe kësaj këngë i janë bërë tokë krijuese dhe të tjera vise si Korça, Ulqini e Kosova.  Sepse tekefundit kudo ka të dashuruar dhe të brengosur nga dashuria. Kudo ka një  lule maji dhe për çdo njeri do kishte një këngë apo serenatë. Por nuk ka kudo kompozitor si Pjerin Ashiku, ata nuk lindin kund tjetër veçse në Shkodër. Në vitet e demokracise këtë këngë e këndon Ermira Babaliu dhe e paraqet si pa gjë te keqe si këngë korçare (serenatë), duke i ndryshuar edhe linjen muzikore dhe duke i nderruar pa përgjegjësi teksitin. Për këtë Pjerini i drejtohet me një letër drejtorit të RTSH-së por nuk mori asnjëherë përgjigje. Shteti po i kundervihej me heshtje duke i lënë të tjerët të bënin çfarë të donin me këngët e tija. Historia e përvehtësimit të kesaj kënge vazhdon dhe sot e kësaj dite. Po t’i pyesesh korçarët të thojnë:”gjene mirë “Lulka e majit”  eshtë një serenatë pe Korçe”,  po t’i pyesesh kosovarët të thojnë;” heu,hala se ke marre vesh o shqipe se asht kajkë gjakovare e k’ndueme prej Isës(Ismet Pejës)” e keshtu me radhë. Sejcili tenton t’i  vëjë myhyrin e vet., gjithë sejcili kërkon ta “hipotekojë” dhe  ta shpallë pronë të veten. Kjo “luftë” dixhitale vazhdon prej vitesh sikur të kishte filluar dje. Mos harroni se kjo këngë e Pjerin Ashikut mban të shënuar vitin 1954. Gjithsesi kënga ka udhetuar në kohë dhe hapsirën mbarëshqiptare duke u bërë një “Vals i Danubit” shqiptar, nëse hungarezët kanë një valcer famoz siç eshtë ‘Valsi I Danubit” edhe shkodranët  kanë një tango monumentale siç eshtë “Lulja e Majit” ose Tangoja e Bunes. Tingujt e saj të vihen mbrapa dhe te shoqerojne gjate gjithë Pjacës Pedonale te qytetit të Shkodrës si hije të ëmbela.

Por ti je vyshke e më s’ke erë

Lulet e tua për mua s;kanë më vlerë,

Nuk je ti lulja e bukur e ditës së majit

Por je lulja e këngës sime të vajit…

Kur e dëgjon ajo provokon me të njëjtën magji edhe me vibrimet e më të akulltës zemër që mund të ekzistojë në botë. Ka shtegtuar kjo lule e erëandëshme pothuajse në të gjitha trojet shqiptare prej më se gjashtë dekadash dhe përsëri ka mbetë këngë monumentale.  Por erdhi një ditë që Pjerini u lodh nga kjo shtypje e heshtur që dalngadalë po e cfiliste dhe po i merrte shpirtin.  Ishin vitet e diktaturës dhe në dhjetra mbledhje të komitetit ekzekutiv për artin i shkaktonin fyerje gjer në dhimbje shpirtërore duke e etiketuar si sentimentalist e pesimist në muzikën e tij. Në një rast proverbial kompozitori iu është përgjigjur me fjalët lapidare duke cituar  vargjet e këngës “Miri i vogël” që ja kishin transformuar e cila thoshte se; “një pushkë e një kazëm i shtohen atdheut” këtu kompozitori u ngrit në këmbë duke u rebeluar e u tha me ironi:”apo doni këngë vetëm   me pushkë e mitraloz…I u duk sikur shfreu tërë brengen që i ishte grumbulluar në shpirt.

Kompozitori Pjerin Ashiku kurr nuk pati asnje sadisfaksion moral apo trajtim ekonomik. Gjithë jetën u la në harresë e me rrogë të vogël sa për të mbajtur frymën gjallë. Megjithëse ishte kompozitor, instrumentist, kantautor, e humorist  që i këndoi tërë jetën me shumë dashuri Shkodres dhe njerëzve të saj, ishte njeri i dashur dhe me shpirt polidimensional ai u la në internim virtual në mes që qytetit.  Me 21 shtator 1995 Pjerin Ashiku mbylli sytë përgjithnjë. Bashkëshortja me djalin e vajzen kanë emigruar në SHBA. Mark Bregu, shoku i tij, i ka kushtuar këto vargje në një gazetë lokale:

Syt me lot mbushen prej vajit

Vajtojn’ Zanat e Veleçikut

Kur kujton “Lulen e Majit”’,

Kangen perl’ t’Pjerin Ashikut.

Muzikant e humorist

Që e deshti Shkodra mbarë,

Si piktor e si artist

Shpirt e zemer qytetar.

Pjerin Ashiku ka vite që ka vdekur, duke marre me vehte brengat dhe hidherimet që i shkaktoi jeta nen diktaturë. Zanat e Velçikut  ka vite që vajtojnë mbi murrana. Mbi varrin e tij atje në Rmaj  harliset selvia dhe çelin drandofillet. Era u përkëdhelë  gjethet ,dhe se bashku me erën akoma dhe sot vijnë ato tinguj e famoz  të “Lules së Majit” ose nëse mund ta quajme “Tangos se Bunës”…U prehsh në paqe o Pjerin…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Brenga e Pjerin Ashikut, esse, Kabil Bushati

Malli për Korçën…

January 20, 2014 by dgreca

Esse nga Raimonda MOISIU/

Gjithmonë kam pasur optimizmin dhe besimin se përvojat jetësore indikojnë në mënyrën se si gjithkush nga ne mendon e vepron me cilësitë e virtytet që mbartim në vetvete. Situatat, ngjarjet, njerëzit e thjeshtë, qytetarët, intelektualët, njerëzit e letrave shqipe, elita e shquar e botës hyjnore të artit e kulturës, përballen e kontribuojnë gjatë jetës së tyre në forma e përmbajtje të ndryshme.

Ashtu si edhe unë, ata kanë qënë e janë optimistë, besojnë në ndryshimin dhe progresin duke dhënë nga forca e inteligjencës e qytetarisë, forcën e talentit të mëndjes së shëndoshë dhe krahëve të fortë, më të bukurën e të mundëshmen që mendimet dhe idetë e tyre të ndryshojnë zemrën e identitetit të vendlindjes, identitetit tonë. Ambiciozë për të kaluarën e të tashmen, cdo ditë që vjen na gjen më të rritur e të pjekur dhe ngadalë kuptojmë se duhet të punojmë e jetojmë për të njëjtat obligime e qëllime, për hir të gjeneratave që vijnë, të pergatisim rrugën e përjetësimit të veprës e qytetarisë, të njerëzve të shquar të cilët kanë lënë gjurmët e arta të progresit qytetar, social dhe krijues. Jo vetëm gjatë fëmijërisë e rinisë sime por edhe tani, unë kam qënë gjithmonë dhe e kam konsideruar veten time me “fat” që jam lindur, rritur dhe edukuar në një mjedis mondan e historik, me “fat” që jam qytetare pasardhëse e elitës së shquar qytetare korcare , simboleve të eposit shpirtëror, sfidës që kapërcen kufijtë etnikë të sublimes dhe aspiratës nëpër vite, në kohë e hapësirë, dlirësisë të kontributit njerëzor, talentit krijues, midis dy botëve; botës ku ne ndjehemi se i përkasim vazhdimisht në nivele të reja, momenteve të jetës së përditëshme dhe dimensionit të ri, ku pena ime bëhet analogji për të prezantuar imazhin e gjallë të njerëzve të shquar dhe subjektet në shumicën e tyre janë në dijeni të pavdekësisë. Sa herë vij në vendlindje, Korça më duket më e bukur, malli për të më shtohet akoma më shumë, dua të prek me dorë, mendje e shpirt gjithçka që mban brenda zemra e saj, të eci e shkujdesur në sokakët me gurë dhe pastërtinë e tyre, ashtu si dikur kur hodha hapat e para, apo belbëzova për herë të parë emrin e vendlindjes sime, që më bën të ndjehem krenare, që me themelimin e saj është mbartëse e bukurisë natyrore dhe mondane, traditës, historisë, dijes, kulturës, dashurisë, njerëzve të shquar që kanë bërë e bëjnë historinë e saj. Dua të prek e shijoj aromën e blireve, të ndjej melodinë fëshfëritëse të gjetheve e përzierë me melodinë e serenatave, të më puthë krahët, fytyrën, buzët, era e freskët e mëngjesit, ashtu sikundër “puth” shpatullat e Korçës sime mbështetur përjetësisht në malin e Moravës. Të prek e ndjej nga afër idealizmin e qytetarisë korçare për zhvillim, për ta pasuruar e zhvilluar Korçën në çdo aspekt. Çdo gjë që shoh, kudo që unë hedh sytë, shoh mendjet krijuese në forma të ndryshme; ndërtesa, libra, piktura, skulptura, monumente, lulishte me barin e blertë e aromën e luleve shumëngjyrëshe, qetësinë e qytetit, ecjen e njerëzve me kohën e për kohën, ndërtesat antike qindravjeçare mondane dhe historike, shtëpitë karakteristike, trashëgiminë kulturore, qytetare dhe intelektuale korçare, që në përfytyrimin tim janë si ato pikturat që kanë ardhur e të tjera presin të vijnë në jetë, piktura që komunikojnë mesazhe të thjeshtë e komplekse, një dialogim i së kaluarës, qartësi e së tashmes, udhë e së ardhmes, pa njohur moshë dhe flasin gjuhën e çdo kulture. Këto ndjenja të shpallura në forma të ndryshme janë shprehje e festës së jetës e përjetësisë. Ato mbartin në vetvete pasurimin me kulturë, art, bukuri, dinjitet dhe sigurojnë identitetin e qytetarisë korçare, sfidës, sepse ato kërkojnë kohë për të kuptuar dritën dhe bërë të njohur emrin e qytetit tim Korçës.Unë si bijë e lindur dhe e rritur në Korcë, i besoj shumë qytetarisë dhe inteligjencës së shpirtit korçar, që gjithmonë më frymëzon mua dhe që është gjithmonë në ecje, gjithmonë në ndryshim, kontributi i saj është kompleks, i gjallëruar, sepse edhe vetë dashuria për vendlindjen vjen nëpërmjet promovimit të vlerave të kësaj qytetarie, ndikimit të zhvillimit, progresit e begatisë të qytetit, si premisa bazë për enticitetin e botës të artit,kulturës e dijes, që e pasurojnë të tashmen tonë mes të bukurës e të përditshmes njerëzore.

Hartford CT USA

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Malli per Korcen, Raimonda Moisiu

Mishërimi i të vërtetave tek Mark Twain….

January 17, 2014 by dgreca

Esse nga  Raimonda Moisiu/

Hartfordi është Kryeqyteti I shtetit amerikan, Connecticut (Kënektikat apo Kenerike sipas “slang”-ut të vjetër) I shtrirë në distriktin e Hartford -it. Emri indian I qytetit ka qënë Suckiaug  dhe në vitin 1637 mori emrin Hartford sipas një qyteti anglez. Lundërtari  hollandes Ardien Block, ishte I pari europian që eksploroi duke lundruar në lumin Kenerike në  anijen me vela.  Në vitin 1633-e  kolonistët e parë hollandezë   ndërtuan  fortesën e  quajtur  “Shtëpia e Shpresës së mirë”, e cila humbi shpejt kontrollin nga puritanët  anglezë dhe një qëndër tregëtare që ekziston edhe në ditët e sotme pranë  Hartford-it. Ndërsa në vitin 1636  hollandezi, I përndershmi Thomas Hooker arriti me rrugë tokësore nga Newtown (Canmbridge), Massachusetts, së bashku me kongregacionin e tij  dhe fillimisht e quajti Newtown. Në vitin 1639 me miratimin dhe nënshkrimin e “Parimeve themelore”,  që konsiderohet si Kushtetuta e Parë  moderne,  solli  krijimin e qeverisë së parë. Që prej atij viti  shteti amerikan Connecticut, do të quhet “Shteti I Kushtetutës”. Hartford shërbeu si Kryeqyteti I kolonisë hollandeze deri në vitin 1701, duke përfshirë edhe  distriktin e Neë Haven në koloninë e tyre. Vecojmë se në  atë kohë, do të ishin dy kryeqytete; Hartford & Neë Haven.  Përfundmisht në vitin 1875 Harftordi do të bëhej kryeqyteti I vetëm I shtetit të Kenerikes. Sot për sot rradhitet si një nga qytetet e treta të mëdha në këtë shtet, pas qyteteve Bridgeport dhe Neë Haven. “Greater Hartford është  metroja më e madhe në tërë shtetin kenerian dhe I 45-i në të gjithë Amerikën, me një popullsi metropolitane prej 1,188,841. Distrikti I Hartford-it ka një peisazh të bukur e mahnitës natyror me shtrirjen e tij përgjatë Lumit Kënektikat, urën gjigande mbi këtë lumë, dhe lartësohen hotelet me pesë hyje,  gratacela,  institucione financiare dhe tregëtare, ndërtesat antike dhe  parqet  e bukura kombëtare të përhapura në të gjithë distriktin. Fillimisht zona e njohur sot si Parku Elisabeth ka qënë në pronësi të industrialistit, burrë shteti dhe Guvernator I Thesarit të Shtetit të Kënektikat-Charles M.Pond. Kur Mr. Pond vdiq tokën ia  la trashëgimi, Qytetit të Hartfordit me kusht që të shëndrrohej në park të hortikulturës dhe të mbante emrin e gruas së tij Elisabet, vdekur disa vite më parë se ai. Bashkia  e Hartford-it punësoi mjeshtrin hortokulturist (kopështar) Theodor Wirth I cili në vitin 1904  krijoi  një kopësht të bukur, kryesisht me  trëndafila, gjelbërim, lule të varieteve të ndryshme dhe ndërtoi pranë rrjedhjës së lumit një kafene me emrin e industrialistit Mr.Pond! Sot Parku Elisabeth është një nga Parqet kombëtare më të bukur  të  hortikulturës, jo vetëm në Amerikë, por në tërësinë e kontinentit amerikan. Por ajo c’ka e bën të dallueshme civilizimin e shoqërisë është kujtesa, identiteti individual, zhvillimi, ruajtja e trashëgimisë kombëtare në kontekstet shoqërore, kulturore, historike, gjeografike, infrastrukturë, mjetet për ta materializuar e pasuruar atë, nëpërmjet librave, restaurimit të tyre, kronikave, muzeumeve, identifikimin e  individëve të shquar, lidhjet e tyre personale me komunitetin, kombin dhe  botën. Këto lidhje artikulojnë  dhe paraqesin kohën, vendet dhe sistemet  social –kulturore dhe  shprehin vlerësimin për ndikimet  e kulturave të ndryshme historike e bashkëkohore. Është interesante për të theksuar se sa shumë artistë, shkrimtarë, aktorë, regjizorë, politikanë, muzikantë dhe producentë kanë lindur e  rritur në Hartford, apo studiuar dhe  shkolluar në Universitetet famose të Kënektikatit, si YALE apo UCONN. Në Hartford   është varrosur themeluesi I Kënektikatit, Thomas Hooker, ka lindur dhe është varrosur gjithashtu,  aktorja e famëshme e Hollyvood-it, Katharine Hepburn, Linda Evans, aktorja e Dynasty Fame, nga Hartfordi është aktorja simpatike dhe shumë e kërkuar amerikane, Meg Rajan,  kongresisti amerikan I viteve  1776-1832 Parmenio Adams , George Ë.Bush etj, etj. Por në Hartford është shtëpija ku u shkruajt “Ditari I Ana Frank” apo “Kasollja e Xha Tomës”. Në Hartford jetoi dhe zhvilloi veprimtarinë e tij, një nga autorët më të njohur në botë, Samuel L.Clemens, I njohur më mirë si Mark Tëain, me më shumë se 30 libra, qindra tregime dhe esse, leksione e studime shkencore. Në Hartford jam edhe unë banore e tij prej më shumë se një dekadë. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rritet interesimi im për të mësuar, zbuluar dhe njohur më nga afër historikun e jetës të këtij qyteti. Kur u vendosa fillimisht këtu teksa vozitja rrugëve të tij, më ranë në sy ndërtesat karakteristike si ato të qytetit tim, apo ndërtesa në formë “vapori”, si ajo që ka qënë dikur në qëndër të Korcës, -(ish-Farmaci) ndërsa sot Prefektura e qytetit). Parkun Elisabeth e shëmbëllej me parkun Rinia. Forcën e dijes, kulturës, inteligjencës e qytetarisë korcare, themelimin  dhe muzeumet  për identetin individual dhe zhvillim të Korcës, i lidh me  historikun hartfordian. Gjatë qëndrimit të tij në Hartford Mark Tëain është I njohur edhe për shtëpinë e tij me shumë dhoma dhe ambiente, që nga dhomat e gjumit, kuzhinën, banjot e shumta,  të clodhjes, bibliotekat, dhomat e studimit, muze, teatro, kinema,  të gjitha të përfshira me sistemin rrjedhës ngrohës, oborr të madh, lulishte me gjithfarë lulesh, gjelbërim, , belvederen, shatërvanet,  dhe statuja të ndryshme, që shprehnin forcën e dijes e të kulturës të jetës e veprës së tij.  Sot kjo shtëpi luan një rol të dyfishtë, jo vetëm si shtëpija e Mark Tëain, por edhe Muze kombëtar, për të nxitur ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e jetës e veprës së Mark Tëain, për të treguar rëndësinë e krijimtarisë së tij letrare, shkencore, në fusha të tjera dhe për të shprehur  idetë, mendimet dhe opinionet e qytetarëve të botës.  Teksa vizitoja këtë shtëpi muze, më përqasej   Shtëpija Muze e Shkollës së Parë Shqipe, në Korcë, me shumë dhoma, (klasa) që përhapnin dije, shkrim e kulturë,  oborri me shtaërvanin dhe monumentin më gërmat simbolike dhe korespondimi kohor.  Por edhe për një arësye tjetër, sepse në ballafaqimet me botën perëndimore unë kurrë nuk do të lodhem se transmetuari këto vlera, vetveten, ndikimin që kanë këto vlera, në këtë vend multikultural me qëllimin e mirë  vetëm e vetëm për t’I bërë të njohur dhe integruar,  shpirtin intelektual, identitetin dhe krenarinë kombëtare shqiptare krahas kulturës hartfordiane dhe kulturave të tjera. Në këtë tentativën time kësaj here do t’u rrëfej  historinë, që është sa intriguese, interesante, origjinale, informuese, historike, – pra do t’u rrëfej,  mishërimin e këtyre të  vërtetave tek Mark Tëain,  jo vetëm si një vizitore e Shtëpisë së tij muze, por edhe si dy bashkëqytetarë të Harford-it, në kohë të ndryshme.

 

Jeta dhe veprimtaria e Mark Twain, në Hartford.

 

Për disa vite rradhazi, para viteve 1880-t, Mark Twain ka jetuar në Harford, të shtetit të Kënektikat-it (Kenerike), -në një shtëpi të ndërtuar përgjatë lumit Connecticut. Në shtëpinë ku ai shkroi  “Qyteti I të vdekurve”, “Aventurat e Tom Saëyer”-it,  “Monologu I Mbretit Leopold”, “Aventurat e Huckelberry Finn”-it, “Princi dhe I varfëri”, dhjetra libra, qindra tregime, esse, studime shkencore dhe publicistike në mbështetje të shpirtit zezak dhe luftës kundër racizmit, për të rikuperuar  atë gabim që kishin  bërë të bardhët ndaj popullsisë me ngjyrë. E gjithë kjo veprimtari letrare dhe sociale e bënë atë të njohur botërisht ende pa I mbushur të 45-t. Shprehja :”Sic thotë Mark Tëain”, u bë një frazë universale. Në Ëashington, ku ai pat kaluar disa muaj, pasi shkroi  “The Innocents Abroad”, libër I cili u lexua nga të gjithë anëtarët e administratës amerikane të kohës, dhe intrigoi dy senatorë t’I propozonin Mark Tëain dy poste të rëndësishme si:ministër apo këshilltar! Shkrimtari I ri kishte goditur në shënjë të epokës që po jetonte, pat fituar ngrohtësinë,  mbështetjen, vetbesimin e kombit triumfues, I bashkuar e I vetdijshëm  tashmë pas Luftës Civile.  Ai qëndroi në qendër të ndërgjegjes e ndjenjave kombëtare, ai shprehu homogjenitetin e pazakontë e të cuditshëm që Feminore Cooper dhe Ëilliam Dean Hoëells zbuluan në një vend që ishte ndryshe, I paqëndrueshëm dhe kaotik, një vend ku të gjithë e kishin një farë mënyre; “është atje”, – që e patën ndjerë dhe kishin përvojën  e përbashkët, megjithëse kjo  ishte krejt e pavërtetë për brezin e ardhshëm. Në madhështinë e tij, I lirshëm e I ciltër, ai foli për pionierin perëndimor,  atë c’ka ai gjeti, zërin e hershëm të Linkoln, dhe dramatizoi pikëvështrimin e tij, si aktor dhe prezantues, me një zell e dëshirë, që të sillte ndërmend Tom Saëyer-in. Gjithmonë në qendër të vëmendjes, Mark Tëain ishte një simbol I Amerikës së re, plot gjallëri, tërheqës dhe mahnitës, si ai ishte për botën e jashtëme, I pakrahasueshëm e me plot shije, ndjenjat dhe interesat e veta nuk I ndante nga ato të kombit. Humanitarizmi I tij impulsiv ishte tipik amerikan, ashtu sic ishte respekti për Gjermaninë dhe mospërfillja për Francën, në kohën kur Gjermania ishte “qendra” e Europës,  edhe pse në librat e parë të tij, ai pat gjetur te Napoloni I Tretë, “ shpirtin, dhuntinë, forcën, inisiativën, këmbënguljen tipike amerikane”. Po aq mirë edhe në aspektet e tjera, personaliteti I Mark Tëain, ishte mbi gjithcka, një emblemë e pashëmbullt e vendit dhe  kohës, në atë shkallë sa emri I tij evokohej nga  bashkëkohasit një përshkrim I gjallë i Amerikës të post – luftës. Ai ishte  demokrat, I thjeshtë e I ciltër, kur shkroi “Princi dhe I varfëri”, për të treguar se ishin identikë kur ata ndërruan rrobat; I cili ishte më I interesuar se si të fitonte lekët, shpikjet dhe makineritë në një moment kur sistemi kapitalist po cfaqte zenithin e tij. Me instiktin e një nismëtari dhe investitori  të  lindur, I cili pat përfituar nga “kohët e nxehta” të Nevadës dhe minierat e Sierra-s, e shtynë të investonte në dhjetra projekte për të fituar lekë më shpejt dhe patentën e shpikjes së sistemit ngrohës, (kaloriferëve)  të vendosur pas muri. Herë duke humbur dhe herë duke fituar, herë duke negociuar me shpikës të tjerë, përpiqej të shlyente edhe detyrimet, borxhet dhe shpresonte  të kontrollonte luhatjet e “qilimit të industrisë botërore”. Ai ishte autori I parë që përdori makinën e shkrimit, dhe lidhi telefonin  në shtëpi. Këto vecori të personalitetit të Mark Tëain, lindën karakterin letrar të tij, duke e shëndruar atë në shkrimtarin më të madh, të admiruar  e popullor të kohës. Ai ishte edhe një nga gazetarët e parë të kohës, si redaktor I një gazete që nuk u tërhoq nga botimi I saj edhe kur u gjend në borxhe. Komercialiteti dhe motivet e tij letrare ishin të ndërlikuara me njëra tjetrën. Ai kishte pak krenari në veten e tij si shkrimtar. Në “In life on Mississippi”, ai shprehet se e pëlqente profesionin e tij të pilotit,- sepse pilotët ishin ‘të pakontrollueshëm” dhe “indipendentë”, ndërsa shkimtarët “ shërbëtorët bësnikë të popullit”dhe kurrë nuk mund të jenë “trima e të ciltër”si pilotët. Nuk tregonte respekt për shkrimet e tij në fakt: ai e quante veten e tij “ sakat”  kundrejt “një prozatori të lindur e të sprovuar” dhe atij “njëfarësoji”. Mark Tëain kurrë nuk e dinte se kur shkruante mirë,- dhe shpesh metodika e tij e  të shprehurit dhe ndërtimit të kompozicionit të një tregimi, resultonte e dështuar. Ai ishte indiferent ndërsa shkruante një nga librat e tij më të mirë, “Aventurat e Huckelberry Finn”-it, sepse pjesërisht në të njëjtën kohë ai po shkruante edhe “ Simon Ëheeler, Dedective Amateur”. Ai shkriu tërë energjitë e tij, në “verbërinë e romanit të shkurtër”, -pati shumë pak kontroll prej artsiti, – përzierjen e absurdes me shënjtërinë, të tragjedisë me farsën. Mark Tëin ishte pikërisht ajo c’ka ka thënë Arnold Bennett për të:”Ai ishte një “piktor shpirtëror”, dy nga veprat  e tij janë kryevepra, “episodikisht  madhështore” dhe “inferiore” si “vepra të plota arti”. Po cfarë ishte Mark Tëain atëhere??!!

Mark Twain është  shkrimtari që bëri revolucion në prozën moderne realiste amerikane, shkrimtari që trashëgoi artin folkorik, edhe më pas te autorë të ndryshëm. Me sa shihet, në veprat e Mark Tëain vërehet  personaliteti dualist, një nga temat më të preferuara të Mark  Tëain,  të cilin e rishfaqi në shumë anekdoda  dhe tregime të tij, – personalitet që e vendosi atë pak a shumë në krahun popullor. Të gjitha këto reflektojnë mendjen e një shkrimtari I cili jo vetëm ishte dhe jetoi si një artist, mendja e të cilit ishte “e lirë”, por edhe shkrimtari që mbeti më I njohuri, vecanërisht  më  popullori si Benjamin Franklin Rusvelt, Lincoln dhe David Crocket.Është mëse e sigurtë që disa  nga veprat e  Mark Tëain ishin të destinuara  të jetonin me Amerikën, dhe ky njeriu që do të kujtohet gjithashtu si simbol I epokës së tij, humoristi dhe investitori inteligjent, dramatik, mëndjemprehtë, mirësinë e shpirtit,  djaloshi impulsiv,-“burri  nga Missouri”,  që e filloi jetën si Samuel L.Clemens, – u njoh e vdiq  si  Mark Tëain. Ai ishte filozofi dhe njeriu I shquar I letrave amerikane, klasiku    – që  u shëndrrua në legjendën e Amerikës.

Raimonda Moisiu

Hartford CT USA 

Filed Under: Featured Tagged With: esse, Mark Twain, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT