• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjysmë shekulli pa u parë!..

November 17, 2015 by dgreca

(Esse) nga SOKRAT SHYTI/
1.Në jetën e secilit ndodhin të papritura befasuese,të cilat në fillim na duken si ëndërrime ,ose mendime të përtej vetëdijes së përditshme. Madje rastis që një telefonatë me pak fjalë na nxjerrë nga sënduku i kujtesës dekada të ndrydhura përjetimesh,ndonëse gjenden në thellësi të vetëdijes dhe aty kanë formuar koren mbrojtëse të sedrës së plagosur nga pabesitë hakmarrëse të së shkuarës,tmerrësisht të hidhur,që të mos ngacmohet e lëndohet. Pikërisht kur dëgjojmë telefonata të tilla,ne mbetemi të shtangur e mosbesues ndaj asaj që dikur na ka shqetësuar dhe na ka tromaksur,ngaqë na duket kumt i panatyrshëm dhe mjaft i sforcuar çfarë na sjell zëri përtej telit,e sidomos na bënë përshtypje që zotëron një forcë kaq të fuqishme,sa vë në lëvizje të vrullshme gjithë kujtimet tona të fjetura të viteve më të zjarrta.
Prandaj ende s’e besoja që,Maliqi,shoku im i fëmijërisë,më përcolli në orën dy të mesditës një kumt kaq të trazuar,mbarsur me ngacmim gërryes,i cili më ka gërricur herë pas here me djegësirën e paduruar të helmit,ndonëse njoftimi i tij ishte thjeshtë një thirrje për të shkuar në Shkodër,më 30 maj,në takimin e tre maturave të Gjimnazit,pas një gjysmë shekulli ndarje!
Në këtë çast trurin tim e goditi pyetja e përsëritur shpesh herë:pse ndodhi mes nesh ndarja e stërzgjatur,gjysmëshekullore,kur takimet mes nxënësve,pas mbarimit të shkollës së mesme,bëhen në çdo pesë apo dhjetë vjet?!…Dhe rendita shkaqe e justifikime të ndryshme për të shpjeguar këtë dukuri të pazakontë. Në fund u ndala tek bindja e pa kundërshtuar:asnjë nuk e pranon pohimin,që pengesën kryesore duhet ta kërkojmë tek vetvetja,sado të na vijë thartë e hidhur,me shpjegimin se ndarjen e kemi sjellë vetë,ngaqë tek ne ka munguar dëshira për t’u parë e takuar me njëri tjetrin! Në të vërtetë shkaqet gjenden gjetkë,dhe janë mbuluar me zhgunin e trashë të heshtjes tek pritat dhe pengesat e padukshme. Ndarjen e solli përdhunisht grupimi i shoqërisë në bashkësi kundërshtare!…
Ky ndëshkim mizor,që iu bë rinisë,veçanërisht gjimnazistëve,ishte goditja e parë më e egër e pushtetit komunist ndaj nesh,pjesës më vitale dhe të ndjeshme të shoqërisë,me synim të shkatërronte edukatën e shëndoshë,të mëkuar nga prindërit tanë me dëlirësi hyjnore! Kjo mësymje vrastare na zuri në befasi,të papërgatitur, pikërisht kur ëndërronin për të ardhmen me frymëmarrje të gjerë,ndaj nuk mund të na shkonte mendja tek dukuria më e kobshme,tragjike,ndarja e shoqërisë në klasa kundërshtare. Por edhe nëse dikush nga ne pajisej me fantazinë e orakullit,bënte përjashtim,dhe nën shtysën e një ngacmimi të brendshëm përmendte rastësisht fjalën e dhimbshme,ndarje,enkas për të parë si do reagojmë ne,shokët dhe shoqet,asnjë s’do ta merrte seriozisht,pasi na dukej absurde të hamendësohej për të pamundurën tragjike,se vjen një ditë tmerrësisht e mbrapshtë,që do t’i shkatërrojë lidhjet tona të pastra,si rrjeta kristalore diamanti!Sepse tek shumica jonë gëlonte dëshira,që vezullimet tona rinore do të mbeten të virgjëra e të paprekura,sido të shfaqen në të ardhmen brejtjet dhe ndotjet e kohës!…
Pikërisht ky premtim më shkaktoi tronditjen deri në palcë,në çastin kur dëgjova kumtin e ftesës,ndaj dhe ndenja disa sekonda në heshtje, pa iu përgjigjur.
-Duhet të shkojmë pa tjetër!…këmbënguli zëri i Maliqit,duke e marrë me mend që isha i pështjelluar nga mëdyshje kundërshtuese. Dhe që të mos hallakatesha në qerthullin e hamendjeve të trazuara,shtoi më tej:-Po të vë në dijeni se,ftesa ime shpreh dëshirën e shumë shokëve,të cilët ma theksuan disa herë në telefon,dhe unë kam detyrë ta përmend: malli gjysmëshekullor dhe shtysa e brendshme ju bënë thirrje të jeni pranë nesh! Për hir të së vërtetës,edhe ne kemi dëshirë për t’i parë e takuar. Apo jo? Mua më duket krejt e natyrshme që ata përjetojnë mall dhe kureshtje të pazakontë,duan të bashkëbisedojnë me ne,të mbijetuarit e Diktaturës së egër të Proletariatit,për të dëgjuar nga ne ku e gjetëm forcën e duhur të mbajmë mbi shpatullat tona të kërrusura peshën tmerrësisht të rëndë të atij ndëshkimi përdhunues…
Pohimet e shokut tim të fëmijërisë ishin bindëse. Asnjërit prej nesh,në moshën e artë të adoleshencës,nuk i shkonte ndërmend kobi i llahtarshëm,se brezin tonë do ta ndiqte pas mallkimi i gjëmës çnjerëzore:ideologjia komuniste do na helmonte gjakun e limfën e do na çorodiste mendimet,deri sa të na e shpëlante trurin me soj-soj broçkulla rrëqethëse, kanosëse,pastaj me metoda satanike të mbjellë brenda vetëdijes tonë rrjetat e trysnisë së skëterrshme,që do sprucojnë narkozën e padukshme të ideologjisë vrastare,e cila do trullosë deri në tjetërsim ndjenjat tona të pastra rinore,dhe do na përçajë e grupojë në formacione kundërshtare,duke kryer nëpërmjet mashtrimit seleksionimin e shoqërisë! Sigurisht në ballë do vendoset “Elita” e Kombit. Pas tyre do rreshtohen të përkëdhelurit e zgjedhur,duke patur detyrë parësore të ndërsehen egërsisht kundër pjesës së padëshiruar të shoqërisë,të vjellin orë e çast shkulma me urrejtje e thirrje histerike “armiq”,dhe vetëm në raste kur e kërkon politika e Elitës mund të përdoret një epitet pak më i zbutur, ”të deklasuar”!
Si pasojë e këtij shformimi të llahtarshëm klasor,u këputën ligamentet e u shkatërruan hallkat e lidhjeve të vjetra të adoleshencës rinore! Në kushtet e shtypjes së tmerrshme të trysnisë së vazhduar politike e ideologjike u shfaq çarja e madhe e shoqërisë,ndarja mes të përkëdhelurve të Diktaturës së Proletariatit dhe atyre me biografi të “njollosur”,të cilët, sipas botëkuptimit komunist të “Elitës”,përbënin ”llumin e shoqërisë socialiste”. Duke na cilësuar të tillë,mbi kokat tona filloi të vërtitej kamxhiku i ndëshkimit!Ndërkaq edhe mes të përkëdhelurve u bënë seleksionime e përzgjedhje,sepse duhej veçuar nga qumështi gjalpi dhe hirrën,me shpjegimin “bindës” se nuk mund të rrinë brenda të njëjtit grupim emrat e mëdhenj, anëtarët e Byrosë Politike,me anëtarët e komitetit Qendror të Partisë e të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
(Një shoku im,me biografi të “njollosur”,më kish treguar para ca kohësh se diçka e tillë ka ndodhur në dy takimet e fundit,me maturantët e vitit 1959,para shembjes së murit të Berlinit,sepse njërit prej ish nxënësve të klasës tonë i buzëqeshi ylberi i karrierës,u ngjit me katapultë në kupolën e Piramidës,dhe menjëherë pas këtij ndryshimi u fut në Grupin e më të Mëdhenjve,ruhej me truproja,u veçua me mure ndarëse nga të tjerët,askujt nuk i lejohej t’i drejtohej në emër,pa përdorur ndajshtimin e detyruar,shoku!…)
Tjetërsimet përdhunuese në shoqërinë shqiptare lëshonin rrënjë gjithnjë më të thella,dhe u përhapen me shpejtësinë e zërit në plazmën e secilit,si metastaza kanceri,duke injektuar helm në çdo qelizë të moralit e mbjellë gërryerje tmerrësisht të dhimbshme! Në këto kushte,ne,të “deklasuarit”,vërtiteshim vazhdimisht në vorbullën e goditjeve të katrahurës së llahtarshme,dhe na shtrëngohej çdo ditë e më shumë kulari i urrejtjes: na ndalohej të takoheshim me shokët tanë të dikurshëm,për të shkëmbyer dy fjalë e pirë një kafe! Madje na kërcënonin të mos i përshëndetim as me kokë,në largësi, që këtyre të mos u bëhet pis “biografia e pastër”!
Kjo ndarje mizore na drithëronte e rrëqethte deri në palcë!Çdo ditë duhet të gjenim forca të shumëfishta për mbijetesë,që të mbroheshim nga kafshimet vdekjeprurëse të bishës së përçudnimit,Diktaturës së Proletariatit,duke patur parasysh se ishim krejt të zhveshur nga të drejtat më elementare qytetare! Përçmimi i gatuar me urrejtje klasore qe’ futur si pykë ndarëse ndërmjet nesh,dhe grupimeve të tjera të shoqërisë,me biografi “kristalore”, (thuajse të “deklasuarit” kishin lebër,apo ishin skllevër të bardhë!),ndonëse para pesë dekadave disa prej nesh përbënin ajkën e maturantëve,krenarinë e gjimnazit, dhe në universitetet ku studiuam ia lartësuam emrin shkollës tonë!…
Na dukej sikur Shqipëria qe’ caktuar poligon qitje i Ballkanit,për të derdhur rrufetë e ndëshkimeve,ndaj pushteti komunist po tregohej kaq i tmerrshëm e mizor,sa drithërohej e lebetitej foshnja në barkun e nënës!Prandaj prognozat politike tejet të zymta,dëshpëruese e të pashpresa,i mjegullonin parashikimet e guximtarëve të përndjekur politikë,i pengonin të saktësonin kur do vijë koha e përmbysjes biblike,që tërmetet dymbëdhjetë ballësh të urrejtjes popullore të lëkundin e shkallmojnë themelet e betonuara të Diktaturës së Proletariatit. Megjithatë,ëndërrimtarët e Lirisë asnjë çast s’e humbën besimin,prisnin me padurim të shfaqej vërshimi i cunamit të revoltave rinore studentore,që do përhapte në mbarë shoqërinë shqiptare thirrjen jetike më të domosdoshme,pluralizmin politik,i cili do t’i jepte fund Diktaturës së egër çnjerëzore komuniste!
Më në fund,pas pesë dekadash përpjekje për mbijetesë,flladi i Atlantikut dhe ëndrra evropiane kapërcyen telat me gjemba të shtetit më të izoluar, dhe sollën tek ne sinjalet e pranverës së demokracisë,na zgjuan nga gjumi letargjik i dëshpërimit e na këshilluan të ndërgjegjësohemi për të ardhmen,si e vetmja rrugë të çlirohemi nga zhgualli i tmerrshëm i Diktaturës së Proletariatit:erdhi koha e shansit të shumëpritur të merrni fatin në duart tuaja,tani që komunizmi në arenën botërore e atë evropiane e ka humbur forcën e tij të mëparshme,dhe po futet fshikëzën e kolapsit të plotë,si krimbat e mëndafshit.
Menjëherë pas këtij kumti shpresëdhënës,nëpër hapësirat demokratike shqiptare filloi të flitet fare haptazi për qasjen e ditës biblike,shembjen e murit të Berlinit,e cila do shënojë agimin e një ere të re mbarë Evropiane!Ky lajm i bardhë e ngrohu shpirtit tonë të sfilitur me premtimin e shumëpritur për fundin e vuajtjeve,na krijoi besimin e ndryshimeve, sidomos pasi vumë re shenjat e nervozizmit të egërsuar tek demonët e skëterrshëm,se si këta po nxitonin të merrnin masa të ethshme tmerrësisht shtypëse për të mbajtur në këmbë me çdo kusht mekanizmin e Diktaturës së Proletariatit,duke patur gjithnjë parasysh mësimet “dritëdhënëse të pavdekshme” të Babait shpirtëror, se pavarësisht ndryshimeve të klimës politike në arenën botërore, pushteti duhet mbajtur me çdo kusht!
Por tashmë qe’ bërë e qartë për popullin tonë të martirizuar se,Djalli nuk e pengon dot ylberin e Shpresës së Madhe,dhe së shpejti do të lindi dielli nga Perëndimi,ndaj pas çdo bashkëbisedimi përsëritej prej mëngjesit deri vonë në mbrëmje krye vargu i poezisë së ditës:drejt botës së qytetëruar! Kudo ndjehej jehona e përmbysjes së madhe.
Ndërkohë pushtetarët e alarmuar,të cilëve po u rrëshqiste toka nën këmbë,nuk rrinin duarkryq:të egërsuar deri në shtazëri nga tmerri i përmbysjes,thurnin me ngut plane djallëzore në katakombet e territ të zi,për të shpëtuar Diktaturën e Proletariatit nga asfiksia e furisë së revoltës popullore. Sepse ishin plotësisht të bindur që xhandarët amerikanë dhe politikanët e Perëndimit,me institucionet e tyre inteligjente,po i vëzhgojnë ,prandaj duhen marrë masat për ta patur situatën nën kontroll,që kurrsesi të mos lejojnë forma të buta shndërrimi,pa gjakderdhje,e të mos ndodh disfata e turpshme,si në Rumani.
Pas shumë dredhish e pazare spekulativ,demonët e Udhëheqjes tinëzare të Komitetit Qendror gjetën zgjidhjen më të suksesshme për të bërë tjetërsimin e vrullshëm mashtrues: retushuan ngjyrën e Partisë së Punës,nga e kuqja në rozë,dhe në vend të drapër-çekanit vendosën një trëndafil. Në përputhje me këto ndryshime,Partia ndërroi emrin,u quajt Parti Socialiste,duke lënë të paprekur boshtin e vjetër ideologjik! Dhe për të mos cenuar aspak rolin udhëheqës të Sekretarit të Parë të Partisë së Punës,Kongresi vendosi njëzëri që në zgjedhjet e para “të lira” pluraliste të vitit ’91,pikërisht Ky Udhëheqës do të mbajë titullin më të lartë shtetëror:“President Popullor”!…
Parashikohej dhe shpresohej deri në 99 për qind të sigurisë,se tjetërsimet e detyruara do kryhen të suksesshme sipas parashikimeve të tyre,dhe Udhëheqjes,anëtarëve të Byrosë Politike,Qeverisë,Komitetit Qendror e Presidiumit të Kuvendit Popullor nuk do t’iu futet asnjë gjemb në këmbë! Kjo direktivë thelbësore përbënte tharmin e tjetërsimit, mbante gjallë tek ithtarët e Partisë së “Re” shpresën dhe besimin, se synimi do përmbushet vetëm nëse mbeten në postet e tyre prokurorët,hetuesit,gjykatësit,përdhunuesit mizorë, inkuizitorët e skëterrshëm të qindra e mijëra shpirtrave të pafajshëm ,(që ëndërruan me dekada për një demokraci perëndimore)!Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi tinëzar do përdoren të gjitha format,duke infiltruar disa nga zyrtarët e djeshëm në administratën e re “pluraliste”,mjeti më i sigurt për të patur ligjërisht mbështetjen dhe imunitetin e domosdoshëm të paprekshmërisë!
Por i kishin bërë hesapet pa hanxhinj. Shkulmat e papërmbajtura të urrejtjes popullore u shfaqën disa herë më të fuqishme,se pritat e demonëve të kuq: Uragani gjigant i lirisë përmbysi me forcën e tij shpërthyese të gjitha hamendësitë djallëzore.Vala e nëntë e verdiktit popullor dha ndëshkimin e merituar për Diktatorin gjakatar të Shqipërisë. Fuqia herkuliane e pashembullt rrëzoi dhe tërhoqi zvarrë shtatoren e Enver Hoxhës,në sheshin Skënderbej,urinuan mbi portretin e Hitlerit shqiptar,duke i llahtarosur deri në shokim bythëpuplat e djeshëm!
Ndërkaq,ky veprim i papërmbajtur kurajoz popullor shërbeu si mesazh i qartë për politikanët e ardhshëm demokratë,si paralajmërimi i parë serioz për të mos rrëshqitur në grackat intet e marrëveshjeve të heshtura:u thanë këtyre të kenë parasysh pikën kritike më parësore më të rëndësishme,se të ikurit nga pushteti do kërkojnë në këmbim të lëshimit “paqësor” të mos u preket qimja me ligjet e reja. Dhe në pamundësi të kundërshtimit të drejtpërdrejt,do pranojnë sa për sy e faqe të mashtrojnë vegjëlinë me sajesën e gjyqeve qesharake,farsë,(të “akuzohen” për disa shpenzime gjoja të tepruara,e për këto të jepen dënime simbolike),pa përmendur bëmat e tmerrshme të mizorive të panumërta,që u përdorën gjatë pesë dekadave,si mjete dhune për të mendërisht e shpirtërisht “rebelët e pabindur” të Diktaturës së Proletariatit!…

2.

Të përndjekurit politikë,të porsadalë nga burgjet e tmerrshme,dhe të internuarit e liruar ,(por që ende vazhdonin të jetonin në kampet e dikurshme),dukeshin më të trullosur se pjesa tjetër e shoqërisë,pasi ende nuk e ndjenin flladin e lirisë ngaqë vazhdonin t’i shihnin të krekosur persekutorët e tyre,të cilët livadhisnin me buzëqeshje vetëkënaqësie.(Për më tepër pëshpëritej lart e poshtë se,pas zgjedhjeve të 31 marsit disa persekutorë do zgjidhen e emërohen në poste kyçe të organeve më të larta të drejtësisë,thuajse mizoritë makabre të kryera prej tyre u përkasin kohëve të para Krishterimit,e jo pak vite më parë!)
Po të përmbushej me të vërtetë ky qëndrim judist,atëherë të përndjekurit politikë do mbeten prapë si zogjtë e korbit për shumë vite me radhë,edhe pas shembjes së murit të Berlinit!E ashtuquajtura “marrëzi politike”,që po ndodhte në Shqipëri, dëshmonte qartazi se në këtë truall rrënjët e komunizmit gjenden të paprekura në thellësi të katakombeve të krimit,s’kanë pësuar asnjë dëmtim e tërheqje gjatë rrëzimit të shtatores së Diktatorit, përderisa po instalohet e zbatohet pikë për pikë platforma e Gorbaçovit,parashtruar në Katovice,e cila i udhëzonte pushtetarët e rinj ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj të përndjekurve politikë,që këta të përdoren vetëm si fasadë e jashtme sa për të mashtruar diplomatët perëndimorët,t’iu krijohet përshtypja këtyre mendja se politikanët pluralistë janë bërë “antikomunistë”,ndaj nuk paraqitet nevoja që të deklasuarit e djeshëm të bëhen palë në mekanizmin e sofistikuar të pushtetit!…
Ngjarjet që rrodhën më pas treguan të kundërtën e asaj,që duhet të ndodhte:u formua shtrati i përshtatshëm për mbirjen e Ançarit politik,sa demonian kaq dhe i çuditshëm,i cili s’lejoi të mbillet e rritet në truallin e Parlamentit shqiptar ligji i çrrënjosjes së Diktaturës komuniste më të egër mizore e çnjerëzore të Evropës,të zhvlerësohet e dënohet Diktatori gjakatar për krimet e panumërta,që i shkaktoi këtij vendi për gjysmë shekulli!( Qëndrimet e paskrupullta të politikanëve pluralist i dhanë mundësi hijes së Kanibalit komunist të shëtitë pa u shqetësuar në ekranet e televizorëve,si “Hero i Popullit”,të shfaqet me bujë e madhështor në tribunat e manifestimeve dhe kongreseve,të zëri vend qendror në Galerinë e arteve,madje të bëhet pjesë e diskutimeve akademike tek disa titullarë shkencorë me emër të përmendur!…)
Por paradoksi mori përmasa tmerrësisht rrëqethëse e tronditëse,kur u vu re e pabesuara, se hija e Diktatorit dhe idetë e tij kanibaleske gjenden të pranishme në mendësitë e disa intelektualëve në moshë të re,të cilët kanë mbaruar studimet në universitete evropiane e amerikane!Madje,që kjo lajthitje “intelektuale” ta risillte të plotë imazhin demonian, kalemxhinjtë e zellshëm botuan e botojnë libra mjeranë,me stisje arsyetimesh nga më absurdet,e paraqitin Enver Hoxhën si “shpëtimtarin” e kombit shqiptar,se ky paska bërë përpjekje të stërmundimshme për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë!(Po të pranohen të njëmendëta këto pohime,të mbështetura mbi disa gjoja shkresurina arkivash,si do ta shpjegojnë këta “autorë” faktin e njohur nga të gjithë,se pikërisht Diktatura e egër e Enver Hoxhës terrorizoi barbarisht e mizorisht pothuaj gjithë emigrantët e ardhur ilegalisht nga Kosova,në vitin 1948,duke i futur nëpër kampe përqendrimi e burgje,në vend t’iu krijonte kushte të përshtatshme jetese,si vëllezër të një gjaku,e vetmja mundësi për t’ua lehtësuar sadopak mërgimin në tokën amë,e të zhdukte nga përfytyrimi makthin e përndjekjeve shtazarake të Udëbashëve të Rankoviçit?!…)

3.

Ethet e pluralizmit politik morën me kalimin e viteve simptomat e sëmundjeve ngjitëse. U mbollën dhe lulëzuan kushte mjaft të përshtatshme që,mediokriteti të ngjitet në majat marramendëse të pushtetit e politikës,duke ndihmuar tërthorazi komunizmin “pluralist” të hakmerret kundër demokratëve,që i pruri në pushtet furia e vrullshme popullore,i njëjti uragan që rrëzoi shtatoren e Diktatorit.Edhe pse 22 marsi i vitit ’92 i kaloi në minorancë komunistët socialistë,duke i detyruar ta lëshonin pushtetin pa derdhur shumë gjak,(siç ndodhi në Rumani),në vetëdijen e tyre hakmarrëse ata kurrë s’e pranuan humbjen.Prandaj që ditën e parë në opozitë synuan rikthimin me çdo kusht në pushtet,jo duke pritur katër vjet,por nëpërmjet zgjedhjeve të detyruara të parakohëshme,me trysni egërsisht të pashembullt,sa t’i kallej data dhe foshnjës në barkun e nënës!Një urdhër fantazmë i Hijes së dikurshme shëtiste si stihi e padukshme,duke kërkuar të rimblidhen forcat më të errëta të shoqërisë,kudo ku janë,që bota perëndimore ta dijë se Komunizmi ende ka aftësi ta rrimarë pushtetin me grykën e pushkës!…
Kështu,disa muaj pas zgjedhjeve të ’96-s,lubia e komunizmit u rishfaq me përmasa të llahtarshme e të përbindshme,duke vrarë,gjymtuar,plaçkitur,grabitur,djegur e shkatërruar çdo gjë që i dilte përpara!Një mizori kaq e lemerishme,si kjo,s’mbahej mend që nga koha e hordhive otomane!Kish ndodhur katrahura më e pashpjegueshme,të cilën as diplomatët mendjehollë evropianë e amerikanë s’dinin ç’emër t’i vinin e si ta quanin:grusht shteti komunist,apo përpjekje e përbashkët forcash të errëta për të rrëzuar demokratët?!…Vendi u shkretua llahtarisht:përqasej me Hiroshimën dhe Nagasakin!Burra e shquar të politikës botërore,si Romano Prodi,ndërmorën hapa të guximshme,pranuan takim me krerët rebelë! U kërkua me urgjencë të zhvillohen zgjedhje të reja,si e vetmja rrugë për të vendosur një pushtet të ligjshëm,edhe pse për diplomacinë ndërkombëtare qe’ katërcipërisht e qartë se zgjedhjet nën kërcënimin e kallashnikovëve do risjellin pa tjetër në pushtet komunistët e konvertuar në socialistë,për faktin se vendin e drejtonin bandat,trafikantët e armëve dhe drogës, kontrabandistët,bosët e Mafies!…
Kudo binte erë shkrumb!U dogjën komisariatet e policisë,repartet ushtarake,dyqanet, magazinat!U boshatisën burgjet. Morën arratinë vrasësit,kriminelët,hajdutët! Por pjesa më e madhe u bashkua me bandat!Shkatërrimi dhe shkretia përfshiu spitalet,çerdhet, kopshtet e fëmijëve!Shteti pushoi së ekzistuari!Qeveria e Pajtimit Kombëtar,që u krijua si zgjidhje e përkohshme,faktikisht shërbente si copë fasho plage për trupin e Shqipërisë,të djegur e përcëlluar nga flakët!Kjo pamje e llahtarshme tmerrësisht e trishtuar ia kalonte nga përmasat e plaçkitjes dhe grabitjes asaj të pas Luftës së Dytë botërore!
Për të “zbutur” sadopak përshtypjen rrëqethëse e kërcënuese të imazhit të Shqipërisë,në vështrimin e politikanëve evropianë e amerikanë,krerët në pushtet menduan të rifreskojnë parlamentin me prurje intelektualësh të njohur,të cilët treguan gatishmëri të retushojnë njëfarësoj gjendjen e tyre aspak të pëlqyer me emrin e nderuar të deputetit.Ky arnim ndërthurej e përputhej para së gjithash me interesat e kohës:”kokat e ndritura të kombit” ranë në ujdi që në rrjedhën e përzgjedhjes politike të futen kryesisht figura me krijimtari të shteruar,të cilët i pranojnë pa kundërshtime propozimet e ofruara,nën shtysën e ambicies së sëmurë,duke ëndërruar pareshtur se shoqëria do t’i vendosë në piedestal,e do t’iu japë statusin e personit publik,mundësinë e privilegjuar të dalin gjithnjë e më shpesh në ekranet e televizorëve,për rrjedhojë do t’u përmenden vazhdimisht emrat në faqet e gazetave e revistave!(Përsa u përkiste pëshpëritjeve nën zë të lexuesve dhe adhuruesve,që presin vepra të reja me përkushtim e frymëzim të kohës,këta do t’iu përgjigjen me krekosje se hëpërhë jemi tërhequr përkohësisht nga veprimtaria letrare,artistike,shkencore për shkaqe tepër madhore,pasi na kërkojnë interesat e larta të vendit të derdhim dijen dhe djersën tonë në politikë,ku rrihen problemet më të mprehta të ardhmërisë së vendit.Në të vërtetë përvoja parlamentare provoi të kundërtën:me përjashtime shumë të rralla,këta gjatë katër viteve e kaluan kohën nëpër seanca plenare duke dremitur e ëndërruar nëpër kolltukët e butë,pa e vrarë mendjen dhe pa iu bërë aspak vonë pse sherrosen e çirren mediokrit si të ndërkryer.Vetëm kur qaseshin pranë gotës së verës e mblidhnin toruarën dhe kujtoheshin për muzën,shprehnin pakënaqësi që kjo tregohet shpërfillëse dhe e pamëshirshme ndaj tyre,duke i braktisur!).

4.

Krimi i organizuar lulëzonte kudo.Bandat në qarqe e krahina të caktuara kontrollonin tërë veprimtarinë e shtetit.Mes kapove të bandave dhe drejtuesve të pushtetit ekzistonte një marrëveshje e pashkruar:Të parët i binin kraharorit me grusht,duke u mburrur haptazi se jemi më të fuqishmit e vendit,bëjmë zap jo vetëm opozitën por edhe bythëtundurit,të cilët duan të zhvatin më shumë nga sa u takon!Ndërkaq të dytët i këshillonin të mos bien kaq ashiqare në sy,sepse kështu dëmtohen të dy palët,pasi vëzhguesit e huaj kanë sy e veshë,përveç të dhënave të tjera,që vijnë nga zbulimet intilegjente!Vazhdonte kështu një kundërshti e heshtur,krahas bashkëpunimit,e cila me kalimin e kohës do shndërrohej në një gangrenë tepër të rrezikshme.Por kapot mendjemëdhenj këmbëngulnin në përparësinë e forcës së armëve,se me kërcënimet e tmerrshme i bëjnë gjëmën edhe opozitarit më zhurmues,prandaj dhe pushtetarët e majtë socialistë i kanë të gjitha kushtet të qeverisin duke përmbushur interesat e tyre,pa lënë asnjë çast në harresë marrëveshjet e ndërsjellta.
Imazhi i Shqipërisë në këndvështrimin e shteteve demokratike qe’tmerrësisht i frikshëm dhe mosbesues:Shqiptarët shiheshin më keq se banorët e botës së tretë,jo vetëm pse gjendja në vend ishte kërcënuese,e pasigurt,por sepse në kupolat e grupeve të mëdha mafioze të “Coza Nostra”-s italiane bënin pjesë kriminelë shqiptarë!Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e shihnin me shumë dyshim ecurinë e Shqipërisë. Pa një luftë të vendosur kundër krimit të organizuar ishte e pamundur të hamendësohej për pakësimin e korrupsionit në administratën e pushtetit. Nisur nga ky këndvështrim kritik, korrupsioni galopant me përmasa tmerrësisht të llahtarshme u bë temë qendrore e mbledhjeve të stërzgjatura të Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste:Shefi i Partisë nuk ngurronte të atakonte me ashpërsi të egër ministrat e tij,duke u vënë gjithfarë nofkash!Por lojës me emrin “Catarsis”, me gjithë kërcënimet e ashpra,duke përsëritur se dosjet e tyre do dërgohen së shpejti në prokurori, i doli shpejt boja.Sepse të gjithë e kuptuan që, edhe po të mbërrijnë në prokurori dosjet e tyre,këto asnjëherë s’do hapen, por do dremitin të mbuluara me pluhurin e harresës.Ndaj ministrat e përfolur si “hajdutë” ndjeheshin të sigurt në karriget e tyre,e dinin që asnjë gjemb s’do t’iu futet në këmbë,për faktin se në prokurori vegjetojnë ithtarët e bandave. Po e njëjta gjë ndodh në gjykatat e rangjeve të ndryshme. Zhurma e potershme në Komitetin Drejtues të Partisë Socialiste,pasqyruar me mënyrën më të bujshme në ekranet e televizorëve,ishte mashtrimi i radhës për vegjëlinë, që turmës t’i mbushej mendja se shteti ligjor po e vë në vend nderin e nëpërkëmbur.Por të vëmendshmit me nuhatje e kuptonin të vërtetën,se sherret e stërzgjatura brenda partisë Socialiste pasqyronin para së gjithash rivalitetin mes bandave,të cilat kishin filluar të asgjësonin njëra tjetrën për shkak të rindarjes së zonave të ndikimit për vjeljen e doganave,dhe se po zbeheshin e këputeshin lidhjet e mëparshme me anëtarët e Qeverisë.
Intelektualët e përndjekur politikë,ndonëse prej disa vitesh ndodheshin jashtë qelive të burgjeve e kampeve të internimit e ndjenin më afër se të tjerët kërcënimin mes grupimeve rivale.Përveç përjetimit llahtarisht të hidhur të terrorit të dikurshëm komunist,këtë ndjesi ua risillte në kujtesë fabula e njohur:”kur zihen buajt,shqelmat i hanë zhabat”. Sepse ende vazhdonin të ishin më të shpërfillurit e të pambrojturit e shoqërisë shqiptare.Kjo ndjesi e ndrydhur nuk shkaktohej vetëm nga shqetësimi i fantazisë së tronditur,por shfaqej shpesh si realitet i prekshëm me forma të ndryshme kërcënimesh.Për komunistët e konvertuar në socialistë,të përndjekurit politikë intelektualë përbëjnë edhe sot e kësaj dite pjesën më të urryer të shoqërisë,për shkak se në thellësi të vetëdijes së tyre këta ruajnë përjetimet e barbarizmave çnjerëzore,të cilat herë pas here i përshkruajnë me realizëm të dhimbshëm e therës nëpër libra e shkrime gazetash,duke treguar për bëmat e llahtarshme të Ferrit komunist 50 vjeçar,krejt ndryshe nga veprat e sheqerosura të Realizmit socialist,(qofshin këto madhore apo mediokre),duke i dhënë përmasat e duhura tragjedisë më mizore të gjysmës së dytë të shekullit të njëzet,që ende përbën paradoksin më tronditës të jetës parlamentare të pluralizmit politik,përderisa nuk e ka vendosur (dhe s’ka ndërmend) t’iu japë vendin që u takon në kodikun ligjor!…

5.

Synimi i pushtetarëve për të shkatërruar opozitën nëpërmjet terrorit psikologjik e fizik, që kjo të mos e merrte veten as pas një dekade nga tmerri i ngjarjeve makabre të vitit ’97, për fatin e mirë të këtij vendi nuk u përmbush,sepse Partia Demokratike gjeti forca shpërthyese të dilte nga zhgualli i hutimit dhe çoroditjes!Pjesa e saj më e qëndrueshme,që punonte me ngulm të rikthehej në pushtet,theksonte pareshtur në seancat parlamentare plagët e hapura të shoqërisë:krimin e organizuar,korrupsionin,kontrabandën,përvetësimin e fondeve publike,të cilat duke i ndeshur në çdo hap nuk i fshihte dot Qeveria qoftë me ndërrimet e kryeministrave,apo me ashpërsimin e lojës së brendshme,“Catarsis”.Në kampin e majtë hendeku i mosmarrëveshjeve po shndërrohej në çarje të pakthyeshme ,ndonëse në fillim u duk si përplasje mendimesh midis detashmentit të vjetër me të rinjtë. Në të vërtetë zhvillohej një luftë tmerrësisht e ashpër dhe e papajtueshme interesash,që çoi në shkëputjen nga trungu i partisë mëmë të degës më të madhe,me emrin Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo brejtje gërryese nga brenda u tha opozitarëve demokratë se erdhi koha e mësymjes së vrullshme për të rimarrë fatet e vendit në duar,dhe nëpërmjet reformave rrënjësore të guximshme t’ia ndryshoni Shqipërisë imazhin e rëndë,që e fut këtë shtet ndër vendet e frikshëm,me mungesë sigurie!
Prandaj zgjedhjet e korrikut të vitit 2005 risollën në pushtet demokratët dhe forcat e djathta. Sepse populli,të cilit i kishin ardhur në majë të hundës sherrosjet e pafund të grindarëve,(duke i shkaktuar një gjendje ekonomike përqasëse me ato të viteve 80-90 të tallonave uringrënëse),dha me bindje të plotë verdiktin e tij për të qeverisur të djathtët, i besuan premtimeve të tyre elektorale se do ta luftojmë me zero tolerancë korrupsionin dhe krimin e organizuar,të cilët gjatë tetë viteve të qeverisjes së kampit të majtë morën përmasat e gangrenës më të frikshme. Dhe për habinë më të pabesuar të krerëve të majtë ,(që ende shpresonin në marrjen e mandatit të tretë nëpërmjet manipulimeve të votimeve dhe derdhjes së tonelatave me helm kundër liderit demokrat,duke e quajtur “zjarrvënës të ’97-s”,siç bëri Hitleri me djegien e Raishtangut),ndodhi ndërrimi paqësor i pushteteve për herë të parë pas 14 vjet pluralizëm politik!Megjithatë u deshën të kalonin disa muaj mëdyshjesh e hamendjesh brejtëse,që këta ta pranonin mendërisht realitetin e ri,se tashmë përbënin pakicën,ndaj ishin të detyruar të kryenin detyrën e opozitarit,për më tepër,këtë herë të copëtuar,jo në një grup monolit parlamentar.
Pas dorëheqjes së liderit të majtë,për shkak të humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005,në drejtimin e partisë më të madhe opozitare ndodhi përmbysje tërësore përtej çdo hamendje e parashikimi,që krijoi pështjellim dhe hutim në opinionin publik,sepse në postin më të lart nuk u vendos asnjë kandidat me peshë të ndjeshme,i cili gjatë këtyre viteve kish treguar pak a shumë aftësitë e tij drejtuese,(ose njëri nga ish kryeministrat,ose “profesori”i shtruar,i cili e ushqeu me urtësi dhe moralisht partinë socialiste gjatë viteve të burgosjes së liderit).Gjasat po tregonin se të majtën shqiptare do ta drejtonte këtej e tutje ai që zotëron natyrshëm vullnet të hekurt, këmbëngulje të pathyeshme,vendosmëri të palëkundur,dhe vizion të ri.Dhe meqë askush nga drejtuesit e mëparshëm s’i gëzonte këto cilësi u ngërthye vëmendja tek kryetari i Bashkisë së kryeqytetit,i njohur nga të gjithë si “triumfator” në dy zgjedhje vendore.Për kushtet e rënda të krijuara,pas dështimit të turpshëm të 2005-s,ky mbetej kandidat i pakonkurueshëm me asnjë tjetër,i vetmi që do ta ngjiste të majtën socialiste në majën më të lartë të shoqërisë shqiptare,duke shprehur bindjen e patundur se në zgjedhjet e ardhshme këta do rikthehen pa tjetër në pushtet, pavarësisht nga dyshimet e disa skeptikëve të molepsur me ide të vjetra.
(Por të vërtetën lakuriqe,çfarë ndodhi realisht në partinë socialiste pas dorëheqjes së liderit të saj historik,na e rrëfeu ky vet në një intervistë të javëve të fundit,në televizionin Klan.Ndërmjet të tjerave,lideri theksoi me bindje të patundur dhe përçmim të hapur: “Kryetari zyrtar e bleu dhe e grabiti postin drejtues!”.Dhe për të qenë i besueshëm në arsyetimin e tij përmendi në formë pyetje,faktin e njohur:”Si ka mundësi që një program partie të rrëzohet nga shumica,dhe pas pak ditësh të ndodhi kthesa e plotë,treqind e gjashtëdhjetë gradë:autori dështak i programit të rrëzuar të zgjidhet drejtues partie?!”. Në fund shfaqi mendimin për fushatën elektorale të vitit 2009,përmes një sigurie absolute ,se e majta shqiptare llahtarisht e shpartalluar s’mund të rikthehet në pushtet pa u riorganizuar!”Kjo do të thotë që më 29 qershor më bije mua barra e rëndë e ripërtëritjes së partisë socialiste,duke kryer para së gjithash spastrime rrënjësore nga mentalitetet e sotme amatoreske,“përtej së majtës dhe të djathtës”,të cilat kryetari i papërgjegjshëm zyrtar i shpreh nga mëngjesi në darkë pa i kuptuar as vetë!”).
Ndërkaq demokratët,në krye të koalicionit të djathtë qeveritar,e kishin ngërthyer vëmendjen tek mbajtja e premtimeve dhënë elektoratit,për të merituar votëbesimin e tij: luftë me zero tolerancë krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mendësinë e popullit qe’ krijuar përshtypja se drejtuesi demokrat dhe stafi e tij i kishin plotësisht të qarta hapat e para shumë të rëndësishme,që do hidhte qeveria e re: Para së gjithash duhen shpartalluar bandat në një kohe sa më të shkurtër,që kriminelët dhe hajdutët,kontrabandistët e tutorët të shkojnë përpara drejtësisë,sepse vetëm kështu rikthehet siguria e humbur dhe besimi tek shtetarët për një jetesë të qetë.Këto masa të vrullshme,që kërkojnë vendosmëri dhe guxim,dëshmonin para botës ndryshimin e madh rrënjësor ndërmjet të djathtës e të majtës. Reformat e mëtejshme,(vendosja në dietë e Qeverisë,ulja e taksave,rritja e rrogave dhe pensioneve,përdorimi i fondeve publike për zhvillimin e vrullshëm të rrugëve kombëtare,hapja e fronteve të reja të punës,përmirësimi i ndjeshëm i legjislacionit për bizneset e huaja e vendase,shtimi i ndjeshëm i të ardhurave,për këtë në çdo muaj qershor të paraqitet një buxhet i dytë shtesë),kujdesi për shërbimet shëndetësore ,sigurimi i plotë i energjisë elektrike,decentralizimi i pushtetit qendror,fillimi i një bujqësie intensive,krijimi i një tregu të shëndosh financiar,frenimi dhe parandalimi i shpërdorimeve të fondeve shtetërorë,heqja dorë nga 15 përqindëshi i fitimeve shtesë për ministrat dhe drejtuesit e lartë të administratës,(në kundërshtim me atë që vazhdonte në Bashkinë e kryeqytetit dhe disa bashki të tjera ku qeverisin socialistët),e bindën opinionin demokratike për ndryshimet rrënjësore në drejtim të ndërtimit e forcimit të shtetit,krijuan një klimë të përshtatshme për investimet e huaja,rritën ndjeshëm besimin tek Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Drejtuesit e Kancelarive të Bashkimit Evropian,të cilët filluan ta shihnin Shqipërinë si vend me të ardhme më të sigurt falë një përparimi të dukshëm, sepse jo vetëm po shëronte me shpejtësi plagët e tmerrshme të së kaluarës,por me kthjelltësi e vendosmëri nxitonte të mbushte boshllëkun e qeverisjes shterpë tetëvjeçare,e cila e futi vendin në kolaps të zi,duke e renditur si shtetin me qeveri më të korruptuar të botës,ku bandat livadhisin lirshëm dhe trafiqet e paligjshme lulëzojnë!

6.

Kështu,pas ardhjes në pushtet të forcave të djathta,në Shqipëri,u duk së jashtmi se nisi era e ndryshimeve të thella,të papara ndonjëherë:u hapën rrugë të reja,që për nga vështirësitë inxhinjerike dhe kostoja e tyre krahasohen me arteriet më të përmendura të Evropës,si rruga e Kombit,Durrës-Kukës-Morinë,një vepër madhështore!Boshtet veri-jugë,lindje-perëndim,bashkë me disa arterie të tjera të rëndësisë së veçantë i dhanë përparësi e mundësi Shqipërisë të krahasohet me njërën nga periudhat më të ndritura të Shteteve të Bashkuara,kur drejtohej nga Presidenti Ajzenhauer!Ndërtimi i TEC-ve të reja, ngritja e parqeve industrialë,fillimi i punimeve të hidrocentraleve me përmasa evropiane ,krahas qindra të vegjëlve,ngritja e linjave ndërkombëtare të interkonjuksionit me Kosovën,Malin e Zi dhe Greqinë e të disa nënstacioneve të fuqishme,gatishmëria e investitorëve të huaj për të vënë në përdorim burime alternative,rreth pesë miliard euro,u duk sikur krijuan shtratin e plotë për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjitike për Ballkanin,duke zhdukur përherëshmërisht terrin dhe frikën!
Këto ndryshime të vrullshme,përtej çdo parashikimi,afruan me shpejtësi Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.Bënë që të ratifikohet me shpejtësi të paparë MSA-ja nga 27 shtete të Bashkimit Evropian!Të shpallet Kosova shtet i pavarur!Shqipëria të pranohet brenda një kohe rekord anëtare me të drejta të plota në NATO!Dhe duke u mbështetur mbi besimin e patjetërsueshëm të reformave rrënjësore demokratike,Qeveria shqiptare paraqiti në Presidencën Çeke aplikimin për kandidate në BE,me synim parësor që brenda vitit 2010 shqiptarëve t’u jepet e drejta legjitime të shëtisin të lirë në vendet e Evropës së Bashkuar,një mundësi më shumë për ta ndjerë veten evropianë!…

7.

Tek hidhja në letër disa shënime,që do më shërbenin për të shkruajtur esenë,Maliqi më njoftoi me telefon se kishte rënë në ujdi me katër shokë,(përmendi emrat),të nisemi nga Tirana ditën e premte pasdite,me autobusin e linjës,për të patur më shumë kohë të çmallemi e të merremi me përjetimet e kujtimeve.Ky mendim më pëlqeu,dhe i dha shtysë imagjinatës time të futej në thellësi të galerisë së gjysmë shekulli më parë,kur gjendeshin të hallakatura e të shkalafitura mbresat e një bote të shpërndarë.Para së gjithash shtrydha kujtesën të ravijëzoja pamjen e jashtme të shokëve,që përmendi Maliqi,për të formuar një përfytyrim përqasës.Por përveç Zenunit,me të cilin qemë takuar disa herë,(në bibliotekën Kombëtare),dhe kishim shkëmbyer mendime të përgjithshme rreth çështjeve të ndryshme ,të tjerët nuk u futën në fokusin e përfytyrimit:e kisha të pamundur të krijoja imazhin e një portreti të tjetërsuar,nga 18 në 68 vjeç!Megjithatë nuk i humba shpresat,duke i thënë vetes se ndoshta mund të ndodhë diçka e ngjashme,si në takimin me Avdullain,në farmacinë e tij,kur mjaftoi vetëm buzëqeshja simpatike për të rifreskuar kujtesën,dhe ai u rishfaq në përfytyrimin tim me shëmbëllimin e djaloshit të dikurshëm.Pothuaj e njëjta gjë i ndodhi Avdullait,pasi hoqa kapelën dhe syzet:pas disa sekondave e përcaktoi saktë cili isha.Dhe u përqafuam me sy gati të përlotur!
-A nuk të duket tepër e çuditshme që shihemi me njëri tjetrin pas pesëdhjetë vjet ndarje,sikur të kemi qenë banorë të dy kontinenteve të largëta?!…- më pyeti ai duke tundur kokën.-Askujt nga ne nuk i besohet që Shqipëria jonë e vogël paska patur hapësira kaq të mëdha ndarje!…”-psherëtiu thellë.
Përmes këtyre dy shprehjeve derdhi pezmin e ndarjes më të gjatë mes shokëve,që dukej më tepër si sajesë imagjinate se sa përjetim i njëmendët.Për të mos u futur më tej nëpër labirinte të trishtuara arsyetimesh,duke mërzitur veten me diçka që s’ndryshohet, nisëm t’i tregonim shkurtimisht njëri tjetrit çfarë ndodhi pas marrjes së maturës. Avduallai u pështjellua me një mjegullnajë tronditje të beftë,kur dëgjoi shkurtimisht për kalvarin tim,se Diktatura e egër e Proletariatit ma theu rininë,më shkrumboi ëndrrat,dogji me kënaqësi sadiste dorëshkrimet letrare në oborrin e ministrisë së Brendshme,më përzuri nga puna,më quajti me gjithfarë nofkash,dhe pas këtyre veprimeve përçmuese më degdisi nëpër fshatrat e Myzeqesë,si të padëshiruar!
-Mos more,mos more! …përsëriti Avdullai me vështrim të murrëtyer,tejet i tronditur.-Diçka kisha dëgjuar,por s’e dija kaq të rëndë!”.
Për të mënjanuar këtë gjendje nervangrënëse,të papërshtatshme për të dy,filluam të rikujtojmë emrat e shokëve,të atyre që mbanim mend,duke treguar me dy fjalë si i kishin kaluar dekadat pas largimit nga qyteti verior. Vështrimet tona u ngërthyen të trembur kur u përmend emri i Bahriut,burgosur për “agjitacion -propagandë”.
-Pothuaj e njëjta gjë si me Maliqin-i thash unë.-Veç këtë radhë gjetën strumbullar akuze sabotimin politik!.
-Kur të qepeshin zyrtarët komunistë ta vinin menjëherë bishtin prapa!…shtoi Avdullai. -Ma do mendja që hetuesit dhe prokurorët kanë përdorur akuzat e vjetra të sabotimit për tharjen e kënetës së Maliqit”-theksoi ai.
-U bë gjyq i bujshëm në Vlorë,me fortfolësa,që ta dëgjonin të gjithë,duke i cilësuar agjentë ekonomikë tepër të rrezikshëm të këtij vendi!-plotësova unë me një psherëtimë të thellë.
-Mos more,mos more!…përsëriu Avduallai.-Po më vonë,kur doli nga burgu,e mori vesh kush ia punoi rrengun?.
-Kujt ia mbante të rrëmonte? Edhe kur e pyeti një funksionar i lart:ore, inxhinier, akoma nuk më ke thënë pse të futën në burg. Maliqi me zgjuarsi iu përgjigj: As unë për vete nuk e di. Por përderisa më rrasën brenda,do të thotë se diçka duhet të kem bërë…Ti vetë e përcaktove saktë pak më parë:kur të qepeshin zyrtarët komunistë,ta ngjitnin shpejt e shpejt bishtin e “mëkatit” për të përligjur ndëshkimin”.
Para se të largohesha nga farmacia e njoftova të vinte tek stacioni i trenit,ditën e premte ,në orën pesë pas dite,pasi do nisemi grup gjashtë shokë me autobusin e linjës. Ai pranoi me buzëqeshje,duke lavdëruar nismëtarin e këtij mendimi të mrekullueshëm.
-Kështu kemi mundësi të çmallemi më shumë,të shohim konviktin ku kaluam katër vite të adoleshencës,si dhe të vërejmë ndryshimet e metropolit verior…shtoi i kënaqur duke më shoqëruar deri tek dera e taksisë.
Gjatë kthimit për në shtëpi i bëja pyetje vetes nëse me shokët e tjerë do ecte takimi po kaq përzemërsisht,sepse vazhdonte të më ngacmonte përbrenda një pyetje nevralgjike mjaft shqetësuese dhe e ndjeshme:deri në ç’pikë do na pengojnë dasitë e tanishme politike të qasemi pranë njëri tjetrit,si dikur,në rininë e hershme,kur të gjithë ndjeheshim si të barabartë?
Mëdyshja ime brejtëse, për ironinë e hidhur të rrjedhës së jetës doli mjaft e saktë:mes shokëve të dikurshëm qenë formuar çarje të thella,si çarjet e tokës,që shkaktohen nga lëkundjet befasuese të tërmeteve të fuqishëm! Ishte tmerrësisht e dhimbshme dhe mjaft e trishtuar që tek disa ish gjimnazistë,ideologjia e Partisë së Punës kish lëshuar rrënjë po kaq të thella,si një rrap shekullor,dhe qe’ shndërruar në bindje të pandryshuar,përqasësh me stalaktitet e shpellave gëlqerorë! Nuk më besohej që nostalgjia e të djeshmes gëlonte në mendjen e tyre me një forcë të tillë,sa edhe pas rënies së Diktaturës vazhdonte do t’ua errësonte arsyetimin,thuajse para këndvështrimit gjendej një perde ndarëse plumbi,mes logjikës dhe realitetit!Më vinte për të ulëritur, kur vëreja formimin e vijave të kithëta të mendimeve,gjurmët e dukshme të ndarjeve,shkaktuar nga brejtjet gërryese ideologjike! Dhe pyesja veten mjaft i shqetësuar:si ka mundësi të jetë krijuar kjo shkëputje mendore, ,sa as dëshira më e hovshme e kujtimeve rinore nuk mjafton për të kapërcyer pengesën e hijes së djeshme?Si ka mundësi t’i tërheq për hunde me forcën e saj të mohimit, duke i kërcënuar në heshtje të mbeten ushtarë të “papërlyer”,ithtarë të luftës së klasave,duke u thënë me kanosje se pavarësisht nga ndryshimet e jashtme,tesera e kuqe e partisë do mbetet në limfën dhe gjakun e tyre, prandaj Enver Hoxha do jetojë në mendje e në zemër,si Baba shpirtëror,deri në firomën e fundit!…
Takimi me Skënderin dhe Hysenin nuk krijoi në brendësi të qenies time të njëjtën lidhje të ndërsjellë,si me Avdullan,(për shkak të tjetërsimeve të jashtme dhe informacionit tepër të zbehtë në kujtesë,i pamjaftueshëm për të formuar në përfytyrim përqasjen e duhur me 18 vjeçarët e gjysmë shekulli më parë).Por as këta nuk e patën të lehtë të shquanin në portretin tim tiparet e dikurshme. Sidoqoftë,pas shkëmbimit të përshëndetjeve të para,të gjashtë u rrëmbyem pas ndjesive rinore,të harruara prej kohësh,dhe filluam të përjetonim mendërisht pjesë të shkëputura të pesëdhjetë viteve më parë,që atëherë ishin përbërësit e dëshirave tona të zjarrta.
Rruga për në Shkodër na u duk shumë e shkurtër,rreth një orë e gjysmë,kur pesë dekada më parë zgjaste katër orë!Kjo shkurtësi kohore na solli ndërmend agjencinë e udhëtarëve ,prapa Orës së madhe të kryeqytetit,radhët e gjata për të blerë biletë,se duhej të vije këtu pa u gdhirë drita e të dergjeshe tërë ditën në këmbë,pa qenë i sigurt se mund t’ia dilje mbanë!Pastaj kujtuam autobusët e vegjël,”Satat”,që të merrnin frymën me ngushtësinë e hapësirës,dhe për shkak të mungesës së ajrit të ndrydhur shumë udhëtarë nxirrnin zorrët, duke e rënduar mjedisin me thartirën e të vjellave!(Për ta bërë më të plotë tablonë e rrugëtimit,nga nisja e qytetit,ku banoje,duhet t’u shtoje këtyre peripecive mundimet e lodhshme të mbërritjes deri në kryeqytet,shpesh herë hipur mbi karrocerinë e kamionit,si një dëng malli!…)
Koha e udhëtimit kaloi shpejt,duke biseduar.U befasuam kur vumë re nga dritaret e autobusit kalanë e Rozafës,me krenarinë dhe legjendën e saj të murosjes së nuses së re, me foshnjën në gji.Bahçallëku kish marrë pamje mahnitëse,me rrugë të zgjeruara dhe trotuare të reja.Buna madhështore dukej e përtëritur me vlerat e reja,që kish fituar nga lokalet luksoze,në të dy anët e saj:ajo rridhte e qetë drejt vendtakimit me vëllanë e saj të zhurmshëm,Drinin,për t’u derdhur në det bashkërisht.
-Cili nga ju ka ardhur fshehurazi për t’u larë në Bunë?…pyeta shokët e mi.
-Nga të gjashtë vetëm ne të dy,si më kokëshkretët,vinim të sodisnim guximtarët se si hidheshim nga hekurat e urës!…u përgjigj me buzëqeshje Avdullai.-Dhe pas kërcimit tërë qejf notonin nga njëri breg në tjetrin…Por sigurisht na pengonte frika mos zbuloheshim nga kujdestari i konviktit,që ta provonim vetë,duke e ditur se për këtë do hanim një ndëshkim të rëndë. E megjithatë prapë nuk hiqnim dorë nga kjo dëshirë,dhe sado rrallë, prapë gjenim rast të vinim kur ngrohej moti. Ndërsa në Kir shkonim më shpesh,për të mos thënë në të gjitha ditët e provimeve,sapo na lejohej të studionim jashtë konviktit…
-Ju kujtohet?Atje na kapi kujdestari,duke u larë!…ndërhyri Maliqi.-Sigurisht jo rastësisht, por dikush nga spiunët e brendshëm, që i jepte të dhëna për lëvizjet tona…
-E di,e di…tha Avdullai me vështrim të zymtë.
Me kaq bashkëbisedimi ynë u ndërpre,po hynim në qendër të qytetit.(Vijon)

8.

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Gjysmë shekulli pa u parë!...., Sokrat Shyti

ZEMRA, MAGNETOFON KUJTIMESH

October 23, 2015 by dgreca

Në vend të parathënies për librin me kujtime të muzikatit Ruzhdi Keraj/
Esse nga PROF. DR.KLARA KODRA/
& FASLLI HALITI-MJESHTËR I MADH/
Manjetofoni më i mirë për të regjistruar kujtimet është zemra./
Brezat e ndryshëm kanë secili kujtimet e tyre, problemet që kanë përjetuar, përvojat e tyre.
Përvoja të veçanta kanë brezat të cilave ua thau iluzionet diktatura pesëdhjetëvjeçare.
Megjithatë edhe këto breza kanë kujtimet dhe pasojat e tyre të bukura.
Nuk është e rastit se në letërsinë tonë të sotme janë përhapur shumë veprat jo –fiction, veprat e llojit memuaristik, autobiografitë.
Aty janë fiksuar përvojat e periudhave të ndryshme historike nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët.
Në këto vepra ndërthuret besnikëria ndaj realitetit si në shkrimet gazetareske apo veprat e llojit historik me përzgjedhjen e episodeve më kuptimplote dhe riprodhimin e tyre me ngjyra jete.
Këtyre llojeve letrare u përket edhe vepra e Ruzhdi Kerajt “Copëza e një ditari e një liceisti” (Autori rrëfimtar dhe protagonist i veprës ka qenë nxënës i liceut artistik).
Jo më kot autori e ka emërtuar veprën “Copëza”. Kjo vepër i ngjan një kaleidoskopi që përbëhet nga copëza me ngjyra të ndryshme.
Po ato copëza kanë midis tyre edhe unitet.
Filli i ndritshëm që i mban të lidhura këto copëza, këto fragmente të ruajtura në kujtesë për të ringjallur rininë, si rruazat e një gjerdani është humori.
A nuk na befason kjo? Sapo thamë që koha e jetuar nga brezi i Ruzhdi Kerajt ishte dramatike. A s’është e vërtetë? Po, është pa dyshim e vërtetë, po rinia ka në vetvete një energji të pashtershme optimiste dhe di të qeshë edhe në rrethana të vështira.
Autori ka futur në vëllim personazhe dhe situata komike. Ndër këto të fundit mund të përmendim varrimin e lepurit, të papriturën që përjeton kujdestarja e rreptë e konviktit, dalja pa leje e protagonistit që kapet në flagrancë nga drejtori i konviktit dhe “shpëtimi” i situatës nga vajza, Tufja që e paraqet veten si motrën e tij, “gara” e protagonistit me profesorin e matematikës për të siguruar notën.
Personazh komik mund të quhet nestori që “gjithë kohën vizatonte fshesën fije për fije” ndërsa personazhe si Roberti, Milika ose Tufja janë të rinj me ndjenjën e humorit që krijojnë vetë situata komike. Patosi komik ia lëshon vendin atij satirik në vizatimin e personazheve antipatikë si drejtori i konviktit Osmani, komunisti Agim (shoku A), kujdestarja e egër që u hiqte batanijet nxënësve në mëngjes, mësuesi sadist i matematikës që e ushtron autoritetin e vet duke munduar nxënësit.
Ironia e autorit ndihet edhe në portretizimin fizik të këtij të fundit (një burrë i dobët, idhnak me sy si të skiles) edhe në gjestin karakteristik të tij, çukitjen me gisht të nxënësve të papërgatitur me të cilët “kënaqet kur sheh si hidhen përpjetë dhe zverdhen në fytyrë”.
Një rol të veçantë luajnë edhe batutat komike. Nëpërmjet batutave të tilla vetëdemaskohet shoku A. kur pohon për mundësinë e anullimit të një eskursioni për shkak të shiut “Atë e di Partia” apo kur e zënë në flagrancë me kopje “A kopjojnë komunistët?”
Kurse batutat e Robertit pikojnë humor të këndshëm rinor.
Ka personazhe që vizatohen me dashuri dhe ngrohtësi si profesor Ramadani, mësuese Pandora, nëna e protagonistit etj.
Figura e mësuese Pandorës ndriçohet më qartë kur ajo i kundërvihet sekretares provokuese të rinisë dhe shokut A. për sa i përket vlerësimit të hartimit të protagonistit të cilin e tremb mundësia e një keqkuptimi ideologjik ashtu si kishte ndodhur në episodin tragjikomik, po që bëhet tragjik të nxënëses së mbilodhur nga pritja e gjatë me rastin e ardhjes së Hrushovit së cilës i shpëton një fjalë e pamatur (ajo thotë se kapelja e Hrushovit që e tundte duke përshëndetur iu duk si oturak) dhe përjashtohet nga shkolla. Këtu vihen përballë njeri tjetrit dy karaktere të kundërta: pedanti budalla dhe spiuni shoku A. dhe një grua e aftë dhe zemërgjerë që sheh te nxënësi i vet vetëm prirjen për letërsi dhe refuzon t’ia keqkuptojë një frazë të natyrshme si shprehja e dashurisë për nënën me të cilën, me të drejtë, sipas tij, fillon dashuria për atdheun, duke ia kundërvënë në mënyrë të djallëzuar si sekretarja e rinisë dashurisë për partinë.
Protagonisti edhe e autoportretizon veten si një të ri të zakonshëm që e do të bukurën në jetë, në shkencë e në art, po nuk i duron dot rregullat pedante dhe rreptësinë e padrejtë të disa mësuesve, plot humor dhe dashuri për gëzimet e jetës si edhe i gatshëm për ndjenja të pastra rinore.
Në vëllim ka një linjë të përshkuar nga lirizmi dhe komizmi që papritur shndërrohet në dramatizëm (dashuria me vajzën e mbiquajtur Tufe që e bën për vete protagonistin jo vetëm me pamjen e jashtme tërheqëse, po me zgjuarsinë dhe gjallërinë e saj, dashuri që ndërpritet brutalisht nga i ati i vajzës i cili u beson shpifjeve të drejtorit të konviktit për djalin që dashuron të bijën).
Djali ka krenarinë dhe sedrën e vet prandaj refuzon t’i lutet së dashurës që s’pati mjaft besim tek ai, ndonëse shoku i tij Tishi përpiqet ta shpëtojë atë ndjenjë të bukur duke ndërhyrë vetë. Djali vuan, po parapëlqen t’i vërë një gur zemrës. Kjo është një mikrolinjë që spikat në vepër.
Vajza që dashuron protagonisti, Tufja, është, në kundërshtim me personazhet e tjerë që skicohen në vepër, një personazh kompleks, ka ndjenjën e humorit, është e gjallë, e shkathët, plot dashuri për gëzimet e jetës, e aftë të preket nga një ndjenjë e pastër, po edhe e ndikueshme prej prindërve dhe e thyeshme.
Të tilla drama ishin të zakonshme në atmosferën patriarkale të mjedisit të ndërlikuar me puritanizmin hipokrit të diktaturës dhe konformizmin e përgjithshëm.
Stili i veprës është konçiz, dinamik, tepër i thjeshtë, me dialogje të natyrshme. Autori jep edhe detaje realiste nga kushtet e vështira në të cilat jetonin nxënësit të cilëve u mungonte ngrohja në konvikt e në shkollë dhe nuk ngopeshin në mënyrë të mjaftueshme.

***

Ruzhdi Keraj ka ditur të zgjedhë copëza realiteti nga kujtimet e veta, duke ringjallur rininë e dikurshme me vështirësi, po plot ëndrra dhe shpresa dhe duke sjellë personazhe realë nga bashkënxënësit dhe mësuesit të cilët skicohen si tipa letrarë. Megjithatë duke qenë bashkautor e parathënies së opuskulit me copëza nga ditari bashkëliceistit Ruzhdi Keraj, në morinë e kujtimeve gjithë elokuencë, melos muzikanti, kolor piktori, me butësinë harmonike të një kompozitori, të një poliedriku, meqë ra rasti, dua të kujtoj një event nga klasa e tretë “A” të cilën nuk e ka cek Keraj.

*** KLASA E TRETË

Klasa e tretë “A” kishte dy veçanti. E para se në klasën tonë kishim vetëm një vajzë thuthuqe, por e shkëlqyer në mësime dhe një komunist, gjithashtu i shkëlqyer në mësime, sidomos në histori dhe në njohuri fillestare të marksizmit.
Ç’na ndodhi në orën e psikologjisë me mësues Zenel H, ish mësues i Mehmet Shehut që për të forcuar autoritetin e tij para neve nxënësve, meqë e kishte kaluar moshën e pensionit; një e dy, me rast e pa rast, na thoshte se kishte qenë mësues i kryeministrit Mehmet Shehu të cilit i kishte shkulur disa herë veshin. Kjo nuk kalonte pa ndikim tek ne nxënësit. Në orën e tij rrinim sus. Por pyeste Fitimi, shoku ynë i talentuar si skulptor dhe karizmatik. Se ç’i hipi një trill një ditë. Më tha se po ta ngrinte profesori i psikologjisë në mësim, ai do t’i thoshte me gjakftohtësi olimpike se Fitim mungonte, se ishte dezhurn në mensë. Të them të drejtët s’ia vura veshin kësaj teke apo marrëzie. Duke e pabesueshme, madje fare e pabesueshme, sikur kjo ngjarje nuk ka ndodhur, por se po e trilloj unë vetë. Nuk dua të më besoni, por dua vetëm të më dëgjoni.
Sapo ra zilja për mësim, profesori i psikologjisë u fut në klasë. U ngritëm të gjithë në këmbë. Profesori u ul në katedër dhe hapi regjistrin. Skënder, kush mungon, pyeti ai, kujdestarin e klasës. Mungojnë dy nxënës, tha kujdestari që raportonte mungesat. Mirë, tha profesori. Të ngrihet në mësim Fitim M…, tha profesori. Fitimi u ngrit me gjakftohtësi të frikshme sa na tmerroj të gjithë ne nxënësve të klasës. Fitimi u çua në këmbë dhe tha i tha profesorit, pa ia bërë syri terr se, Fitm M., mungonte, se ishte dezhurn në mens. Me gjithë gjakftohtësinë e tij, Fitimi, prapë la një shenjë që e bëri profesorin e psikologjisë t’i lindte një fije yshimi qësa erdhi e po trashej. Jepte psikologjinë. Ishte te psikolog. Dyshimi e bëri që të verifikonte. Umëroi nxënësit prezent. Gjithsej ishin prezent pesëmbëdhjetë nxënës, plus dy nxënës dezhurn në mensë, kështu gjithsej bëheshin shtatëmbëdhjetë nxënës. I numëroi nxënësit për së dyti, së treti. Të tri herët i dilnin po shtatëmbëdhjetë nxënës. U bind se dyshimi i tij nuk ishte i kotë. Po ju shtatëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë nxënës jeni, pyeti klasën profesori me ironi e nervozizëm.
Gjashtëmbëdhjetë jemi, profesor. Po ju këtu në klasë dilni sejeni shtatëmbëdhjetë nxënës. Dy në mensë e pesëmbëdhjetë në klasë, sa bëjnë?, pyeti me ironi e jo pa inat. Shtatëmbëdhjetë, profesor… !
Ashtu ?
Pa më thuaj ti Vangjelica Vangjelica, është Fitimi në klasë?
Jo profethor!.
Mirë. Ulu!
Skënder, është Fitimi në klasë?
Jo profesor!
Mirë, e mora vesh, mund të ulesh.
Po të pyes ty idhtarit të drejtësisë dhe kritizerit të padrejtësisë, m’u drejtua mua profesoi me qesëndi, në nuhatje të përgjigjes sime. Është Fitim në klasë?
Jo, profesor, iu përgjigja unë duke ruajtur mrekullisht qetësinë.
Të kuptova, më tha profesori i ngrysur. Ulu!
Ty Ermir Dizdari, të besoj më tepër se kë do tjetër. Ti i sinqerti i klasës. Është Fitim Mati këtu me ju në klasë.
Jo, tha Ermiri dhe u ul, para se profesori t’i thoshte:mire, të kuptova dhe ty. Ulu.
Thanas, po të pyes ty në fund, si nxënës i klasë dhe si komunist.
Është Fitim Mati këtu?
Jo profesor, u përgjigj kumunisti Thanas Dede.
Klasa mori frymë e lehtësuar. E gjitë klasa mendonte se Thanasi si komunist do t’i thoshte profesorit: Po profesor, këtu është Fitimi, ja ku është në bankën e katër, rreshti i tretë.
Ra zilja për mbarimin e orës së mësimit.
Një nga nxënësit e klasës tjetër, hapi derën. Roland, është Fitim Mati, këtu në klasë?
Ne ia bëmjë jo me dorë Rolandit.!
Jo, tha Rolandi, flautisti më i talentuar i shkollës.
Të mora vesh dhe ty, tha profesori, disi i nxehur. Mbylle derën.
Hapet përsëri dera dhe në klasë futet profesori rusishtes.
Profesor Shundi, është Ftim Mati këtu?, pyeti profesori.
Ja ku e ke sa një derr…!, iu përgjigj profesori i rusishtes të cilin e kishim profesor kujdestar të klasës sonë.
Profesori i psikologjisë nuk kishte dyshuar kot. Kur zbuloi se Fitimi ishte në klasë, u qetësu, si mësues i psikologjisë, kishte pasur arsye të dyshonte. E kishte pikasur sinjalin e mashtrimit, të hiles. S’e kishte turpëruar intuita dhe profesionit si psikolog…
***
Të nesërmen, para gjithë shkollës u shpall vendimi i Këshillit pedagogjik për ngjarjen e shëmtuar në klasën e trtë në orën e mësimit të psikologjisë, ku ishte shfaqur sheshit ndikimi i huaj perëndimor i klasës e cila në vend të denoncimit të fajtorit, zgjodhi heshtjen mikroborgjeze. Për klasën tonë ishte marrë vendimi që të rregullonte lulishten e shkollës; Fitimi të përjashtohej pesëmbëdhjetë ditë nga shkolla, por jo nga konvikti, pasi ishte nga Peshkopia, shumë larg Tiranës. Kurse organizata bazë e partisë dhe byroja e shkollës kishin propozuar që komunisti i klasës sonë Thanas Dede, të përjashtohej nga Partia. Por u fol se profesori i psikologjisë Zeneli Hekali. e kishte kundërshtuar, nuk ishte dakord me propozimin e organizatës bazë të partisë. Dhe kur një komunist ortodoks tha se komunisti i klasës sonë Thanas D., duhej përjashtuar pa një, pa dy, sepse nuk ishte treguar i partishëm, profesori i psikologjisë që ishte komunist që në kohë të luftës, i ishte përgjigjur:
Po. Nuk u tregua i partishëm, por u tregua shok…
***
Në vitet që ishim bashkëliceistë, ka ndodhur dhe një ngjarje tjetër mes ngjarjeve të rëndomta.. Një nxënës rom që studionte për obojë, në inat e sipër qëlloi me grusht një shokun e tij muzikant që u mbyt në gjak. Bëri përshtypje të jashtëzakonshme në gjithë masën e nxënësve. Drejtoria e shkollës, të nesërmen në mëngjes, para se të fillonte mësimi, i theu notën në sjellje oboistit. Kaq. U futëm në mësim. Klasa e oboistit kishte hartim me temë të caktuar dhe me temë të lirë. Oboisti zgjodhi temën e lirë dhe shkroi për zënkën e tij, me një pendesë të thellë, të rëndë. Hartimi u gjykua si një pendesë të thellë, të sinqertë, me emocione tepër humane, vëllazërore. Në orën e korrigjimit të hartimit, profesoresha e letërsisë e lexoi para klasës, hartimin e oboistit, të vlerësuar me notë dhjetë. Të nesërme u mblodh këshilli pedagogjik për t’i rregulluar oboistit para kohe, notë e thyer në sjellje, me motivacionin se hartimi i ti ishte shembulli i një pendese të besueshme të thellë, të sinqertë të padyshimtë. Pa dyshim që autori i kujtimeve në rast ribotimi, do t’i përfshijë në minibiografinë e tij, këto dy raste që përmenda unë e të ndonjë kujtimi tjetër që i ka shpëtuar ose ia kishin sfumuara vitet.
***
“Copëza nga ditari i një liceisti” mund të përkufizohet si një autobiografi në miniaturë ose si një vepër – dokument, e këndshme dhe njerëzore.

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Faslli Haliti, Klara Kodra, magnetofon kujtimesh, RUZHDI KERAJ, Zemra

KOHËN E NDALI DASHURIA

July 6, 2015 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/*
I çuditshëm ky titull libri me poezi, shkruar nga Agim Bajrami dhe publikuar kohët e fundit. U nguta kur shkrova fjalën i çuditshëm, pasi çfarë nuk pret nga poetët, që nga titujt më të bukur e deri tek ato më të habitshmit, sepse kanë brenda frymëzimin, artin dhe magjinë e fjalës. E them këtë pasi nuk besoj se ka ndodhur që koha është lodhur e po bën pushim, ndaj nuk po lejon dashuri. Nuk besoj edhe për një arrësye tjetër, në të gjitha poezitë e këtij libri, që nga fillimi e deri në fund, kanë brenda lëng jete dhe dashuri, diku me nota e ngjyra të zbeta e diku të ndezura prrush. Në fakt ky titull kaq ngacmues është një varg i huazuar me goxha fantazi nga poezia “Meditim”, pjesë e këtij libri, ku autori na e thotë mrekullisht atë që dijetarët e të mençurit e kanë thënë prej kohësh dhe ne e ujdisim për ta përsëritur sipas qejfit tonë: “pa dashuri nuk ka jetë”, ose “jeta pa dashuri nuk ka vlerë e bukuri”, etj, etj. Po shikoni çfarë gjetje na rrëfen Agimi:
“Dhe sot më dalin mangut vitet.
Sa herë i mbledh diçka mungon.
Një pjesë ma vodhën hipokritët
Një pjesë kjo kohë që s`dashuron”.
Ajo që bie në sy për çilindo lexues, është frymëzimi i çastit që e godit poetin dhe shtyn të mendojë e të shprehë mendimet, ndjenjat, filozofinë dhe hyjnoren dashuri. Pa bërë mëkat, dashurinë e gjen dhe e stis edhe pa shkak, si krijesë të brishtë të ndjesive të tij të holla që dalin nga shpirti i trazuar, i hazdisur, i turbulluar, shpesh i përmbajtur, mbase i trishtuar nga zhgënjimet, por i vendosur pa mëdyshje. Ja gjykoni vetë këto vargje të poezisë, “Dallëndyshja e shtëpisë së vjetër”, me të cilën pimë gllënjkën e parë të shurupit erëmirë:
“Mos ki frikë prej meje
dallëndyshe,
Zogu im i shenjët, i adhuruar.
Fundi asnjëherë mos më gjettë
ndryshe,
Veç në krahët e tu
i përqafuar”.
Ka një mision letrar, artistik dhe human në këtë libër, që e bën të këndëshëm e të dobishëm për këndonjësin e moshave rinore, të pjekura e më tej të thinjura, sepse dashuria nuk është pronë vetëm e djalit dhe vajzës, që dalldisen e marrosen në puthje e përqafime, siç jemi mësuar t`i lexojmë e vlerësojmë së shumti në poezitë dhe librat. Te Agimi, dashurinë e gjejmë të shpërndarë kudo, në kohë e hapsitë, madje edhe tek gjërat e vogla që hasim, prekim dhe shkelim në jetë. Shkon njësoj si uji në enët komunikuese, që nga shkelja e syrit e tek puthja e vajzës biondine, te gruaja, shoku, pulbardha, valët e detit, shiu që lag rrugicat e qytetit dhe këpucët e poetit, tek qyteti i vogël sa një thua, vazhdon tek cigarja e dollia e rakisë e deri tek vjeshta veshur me të verdha, tek dimri i acartë, tek era e çmendur dhe rrjedha e lumit që përmbyt fushën me inat.
Nuk do shumë kujdes për të vënë re, një përmbajtje të vetvetes edhe në rrethana e çaste të “vështira”, kur fare lehtë mund ta humbësh toruan e të bësh prapësira, për të mos thënë marrëzira. Është me mend në kokë e këmbë në tokë poeti ynë, ndaj ka një elegancë fine për të dalë njerëzishëm, fisnik e me kokën lart, pa u skuqur e zverdhur nga situatat dashurore të hasura jo rrallë. Besoj se lexuesi është në një mendje me mua, kur të lexojë e të japë gjykim, se si edhe mjeshtrit e mendimit e të fjalës, e kanë çarë gardhin për të dalë nga situata të tilla delikate:
“Mollë e ëmbël majë degës,
Jo! S`e harruan, por s`e arritën dot”.
Kështu shkruan këtu e mijëra vite më parë, poetesha e antikitetit Safo. Kjo është zgjidhja që i dha mosarritjes së dashurisë, duke e lënë shigjetën me harkun ngrehur tek pamundësia. Ndërsa Ezopi i lashtësisë, në fabulën “Dhelpra dhe rrushi”, rrudh buzët e tharton fytyrën nga inati e thotë me përçmim: “Rrushi i papjekur s`është për mua. Nuk e dua”. Po s`e beson njeri. Ndërsa poeti ynë, në poezinë “Treni i puthjeve”, i ndodhur në mjedis të rinjsh që putheshin e ndukeshin pa pushim e pa droje, i përhumbur në kënaqësinë e tyre, mbase pak i xhelozuar që s`po kujtohej ndonjë vajzë që të paktën t`i hidhte një bisht syri, i inatosur sa s`pëlcet kur thotë “Dhembja gjoksin ma pickon”. Ai nuk vajton apo mallkon fatin, as nuk e pranon humbjen, ndaj në heshtje i thotë vetes, por edhe ta dëgjojnë të gjithë:
“Si t`ua them vallë se jam i bukur
Dhe brenda rris kaq poezi,
Ta dini vajza ç`keni humbur,
Do zinit radhën që tani”.
…….
Dhe inati i tij nuk soset këtu, ndaj vazhdon me flakërima zjarri:
“Me flokët kërleshur si në garë
Do linit djemtë e shkretë qyqarë”.
Po kur vjen fjala për vajzat korçare, Agimi e ndërron penelin e ngjyrave. Bëhet më bujar e nikoqir në fjalë e shprehje letare. Nuk di se nga i vjen, mbase nga serenatat dhe netët pa gjumë, apo nga nazet dhe çapkënllëqet e çupkave që i prishin mendjen dynjasë nga sevdaja e bukurisë:
“Me zor kanë pritur të zbardhë dita
T`i shtojnë asaj ca puthje rozë”
……………….
“Kur i ke pranë të ikën truri
Dhe do dy javë të vish në vete”….
Agim Bajrami në të gjitha poezitë e këtij libri, si mjshtër i fjalës, është kujdesur t`i përcjellë vargut forcë e tingull muzikor, që ta lexosh duke kënduar! Ky është stili i tij që buron së brendëshmi. Kështu them unë. Po ku ka poet që “kujdest”, kur ai merr zjarr, apo fluturon tek yjet? Ndërsa Agimi është i drejtpërdrejtë. Ai digjet si eshka nën masat, por që ka fuqi të ndezë edhe ujin, dhe ne arrijmë të besojmë se është vetvetja, i matur, i saktë dhe i besueshëm për atë që ndjen e thotë, pa teprime e lale-lule që e zbehin forcën dhe bukurinë e fjalës e të vargut. Këtë po, do ta pranoni pasi mbaron së lexuari poezitë e këtij libri kaq të mirë e të bukur.
Vetëm poeti ka fuqi që me pak fjalë të thotë atë që të tjerët harxhojnë kohë, bojë e letër pa hesap. Agimi në të gjitha shkrimet e tij, me pak vargje, apo me një poezi, jep mesazhe jete sa dhjetra romane bashkë. Nuk e teproj kur shprehem kështu. Mjafton t`i hidhni një sy poezisë “Stacioni i vjetër në Athinë” e të bindeni në të vërtetën dhe njerëzoren bashkë, për çka provojnë të gjithë mërgimtarët e mjerë, kur ndjejnë shikimin, zerin, prekjen dhe dorën e dhembsur të një nëne:
“Një nënë e panjohur më qëndronte përballë,
Me rrudhat e moshës ngarkuar me mall.
Më shihte pa fjalë me sytë e menduar,
e një gjysëm koromane ma vuri në duar”…….
“Nuk është e nevojëshme të pish tërë butin, për të provuar verën. Mjafton vetëm një gotë”, thotë i mençuri. Ndaj unë qëmtova vetëm pak vargje, duke qënë i bindur se libri thotë shumë. Duke e lexuar, kemi mundësi të ndjejmë e shijojmë bukurinë e vargut, muzikën e rimave dhe thellësinë e mendimit.
Libri “Kohë që s`dashuron” është një prurje me vlerë në dorën e lexuesit dhe në poezinë e letërsinë shqipe.
Urime poetit Agim Bajrami dhe suksese e libra të tjerë po kaq të bukur në të ardhmen.
*Ese kushtuar librit “Kohë që s`dashuron”, të poetit Agim Bajrami./

Filed Under: ESSE Tagged With: e Agim Bajramit, esse, Kadri Tarelli, per librin

Gjekë Marinaj –përkthyesi brilant i Turner-it.

June 9, 2015 by dgreca

Esse-profil Nga Raimonda MOISIU/
Konfident në erudicionin dimensional qytetar, intelektual e krijues të tij, i pari që studio idenë për të formësuar e paralelizuar atë me idetë e të gjitha ngjarjeve, privilegjin për të qenë pjesë e historisë së popullit shqiptar në të dyja kahjet e Atlantikut, me idetë e parardhësve të atyre që shënuan fillimet e bashkësisë etnike të emigrantëve shqiptarë, me lindjen e gazetës “Dielli” e “Kombi”, themelimin e “Vatra”-ës dhe Rilindjes Kombëtare , ishte -Gjekë Marinaj -duke mundësuar kështu vazhdimësinë e integritetit të letrave shqipe me kurajon, forcën dhe mundin e shkrimtarëve të vjetër e të rinj, -Pikën e Bashkimit të Letërsisë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare.Si një metaforë për të kuptuar të kaluarën interesante në kontekstin e trashëgimtarëve të atdhetarizmit e shqiptarisë, penës e dijes, për të përjetësuar vlerat dhe identietin kombëtar në mbarë botën shqiptaro-amerikane,-duke qartësuar të tashmën dhe hapur udhë të ardhmes. Me idenë e dëshirën e mirë se e ardhmja i përket gjeneratës së re, djaloshi nga Malësia e Madhe, Gjekë Marinaj karakterizohej nga karizma dhe kultura, që maturoheshin nga dita në ditë, për të lëvizur drejt fazës të bashkëpunimit, të natyrës universale, e tashmja me të kaluarën.Si personazh që duket sikur vjen nga Muzeu Historik Kombëtar i kohës, Gjekë Marinaj në vitin 1990-botoi poezinë satirike antikomuniste e titulluar “Kuajt”, poezi që do të ndryshonte krejt rrjedhën e jetës së tij. I ndodhur përballë kufirit izolues dhe arrestimit të pashmangshëm më 12 Shtator të atij viti, Marinaj sfidoi me trimëri liridashëse, arratiset nëpërmjet kufirit shqiptaro-jugosllav në Jugosllavi. Më vonë ai kapërxeu oqeanin dhe u vendos në SHBA-ës. Ardhja e Gjekë Marinaj në Amerikë ishte moment moral, shpirtëror e historik në jetën e tij. Me përpjekje e sakrifica, ngarkesë emocionale, lumë atdhedashurie për Shqipërinë e vendlindjen, me pasionin dhe talentin për letërsinë, ai vazhdoi studimet në Shkencat e Përgjithshme, u diplomua në Brookhaven College. Më pas diplomohet në degën e Letërsisë Bashkëkohore, i akordohet grada shkencore; Magna Cum Laude. Në të njëjtin Universitet mbaroi edhe Master-in në vitin 2008-ë, mbrojti gradën Ph.D. në Letërsi, në Universitetin e Teksasit, Dallas. Sot Prof. Gjekë Marinaj jep mësim gjuhën, komunikimet angleze dhe letërsinë botërore në Richland College. Është autor i dhjetra librave me poezi, studiuese e shkencore për letërsinë bashkëkohore, publicistikë e prozë, i vlerësuar nga Kritika e kohës me Cmime Kombëtare e Ndërkombëtare. Në kapërxyellin e shekullit 21-ë, poeti, përkthyesi, kritiku letrar dhe publicisti shqiptaro-amerikan Prof. Gjekë Marinaj doli me teorinë në lidhje me Letërsinë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare; Grupimin e krijuesve, autorëve, poetëve e shkrimtarëve në ekzil, në Shoqatë apo Lidhje Shkrimtarësh, – ide që pati efekt të thellë dhe mbështetje nga figura të njohura të Letrave Shqipe, mërguar në SHBA-ës, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar,-ide që do të bënte rrotacionin spektakolar dhe historik në letërsi; Themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Me këtë rast dua të përcjell emra të tjerë të zërit intelektual e krijues, figura të njohura të letrave shqipe, mbështetës dhe anëtarëve të Shoqatës që me themelimin e saj:poetin martir të Demokracisë Viktor Martini, Prof. dr.Thanas Gjika, shkrimtarin Spiro Gjikondi, poetja Julia Gjika, Genc Leka, poetja bilingual e vlerësuar nga kritika amerikane, Sidorela Risto, Kreshnik Ndreu, poeti i dhimbjes e atdhedashurisë, Lek Gjoka, Marash Mali, Tom Paloka, Nikolin Markaj, Ferhat Ymeri,etj.Të gjithë këta autorë në unitet mendimi e ideje, shënuan kthesën e parë historike në hyrje të shekullit të ri-pikërisht në vitin 2001-themeluan Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në përputhje me Ligjet amerikane, shoqatë jofitimprurëse, me President, ideaotorin, i konsideruar tashmë themeluesi i saj, Prof. Gjekë Marinaj e Kryetar i Kryesisë së Parë të SHSHSHA-së, shkrimtarin e shquar Naum R.Prifti, sekretar: Sami Milloshi, publicistin e mirënjohur herët në median shqiptare dhe poet. Me kontribut përkushtues e konstruktiv me opinione dhe mendime, i apasionuar pas letërsisë, vecmas në gjininë e poezisë, Sami Milloshi është autor i disa librave me poezi në shqip dhe anglisht, të vlerësuara nga kritika e kohës shqiptare dhe amerikane. Ndërkohë Milloshi ka hedhur idenë se historia e letërsisë shqipe duhet të rishkruhet mbi bazën e vlerave letrare, ashtu si në botën e qytetëruar. Ja si shprehet poeri, perkthyesi dhe publicisti Muje Bucpapaj per Gjeke Marinaj: “Gjekë Marinaj është një poet i universalizmit të atillë, ku dijenia e jetës dhe e artit japin bashkë pamjen më të përkyer të krijimtarisë. Me librin e fundit “Lutje në ditën e tetë të javës”, ai po sfidon emrat më të mëdhenj të poezisë bashkëkohore amerikane, duke tronditur formalitetin poetik dhe format tradicionale të të shkruarit. Marinaj bën atë që nuk e kanë bërë të tjerët para tij, duke bashkuar imazhe, legjenda, profile e filozofi të popujve, racave e kombeve, dhe e bën me lehtësinë e një poet që vjen nga Ballkani, vend i poezisë, legjendave e miteve. Marinaj, i cili provokoi në rininë e tij regjimin komunist me poezinë “Kuajt”, tani provokon bibliotekën e poezisë botërore, pas shumë vuajtjesh njerëzore, në fillim si emigrant që ka kaluar telat me gjemba, pastaj si student i shkelqyer dhe pedagog i letërisë bashkohore në Universitetin e Richlandit në Dallas të SHBA-ve. Marinaj ka eksperimentuar me një guxim të qartë, duke ndërtuar një kod të ri poetik të sofistikuar, i vlerësuar me shumë çmime letrare në Amerikë. E përpunuar në laboratorin e poezisë amerikane, krijimtaria e Gjekë Marinajt është një majë e poezisë bashkohore, ku rifilllimi i jetës zhvesh pamjen optimiste të poetit prej ëndërrës mashtruese, pasi për atë ka gjithnjë një ditë të tetë, e cila mund të quhet dita e lutjes, mallkimit apo lumnisë së poetit. Autori i përgjigjet me dinjitet nevojës për ndryshime në poezinë shqipe, duke sygjeruar një leksion të shkruari përfekt, si një “autorportret i avancuar” i stilit të poetit dhe jetës së tij, mes imazhit të Atdheut të braktisur dhe gjykimit për dashurinë e botës së pafund. Nëse Walt Whitmani i dha fund imitimit të shkollës europiane të poezisë në Amerikë, duke krijuar vargun i tij biblik e origjinal, edhe Marinaj me “Lutje në ditën e tetë javës” ka krijuar një civilizim të ri për poezinë shqipe, duke ndihmuar jo vetëm vendin e tij, por edhe poezinë europiane. Ndersa Poeti dhe intelektuali i talentuar, autor i dhjetëra vellimeve me poezi e proze, ish Kryetar o Shoqates se shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane, Pinjolli i filozofit, Isuf Luzaj, poet ii dhimbjes e dashurise Dalan Luzaj, i cili ka një bagazh njohjeje disi më të zgjeruar me Gjeke Marinaj , eshte shprehur ekzaktesisht; ” Desha të shtoja se Gjeka nuk e la atdheun me një trastë të mbushur me bukë e djathë, por kur u nis, ai e mbushi trastën me libra. Gjekë Marinaj është krenaria e shqiptarëve në Amerikë. Ishim në Çikago në promovimin e një libri, edhe aty kishte shkrimtarë e artistë të ndryshëm. Dikush pyeti, “more djema, a e dini se kush e ka shkruar atë poezinë Kuajt?” Ndonëse unë u thashë se atë e kishte shkruar Gjekë Marinaj, miku im, shkrimtari Imer Çelaj, që ishte në tavoline me mua dhe Pandi Sikun, nxori një kompjuter dore, dhe ashtu doli poezia… Nuk e besoni, por është aq e vërtet sa ç’jemi ne sonte në këtë sallë, njerëzit me ta lexuar filluan ta shkruanin nëpër napkine (shami), nëpër letra e çfarëdo gjetën. Unë në të njëjtën kohë i bëra telefon Gjekës dhe i thashë se edhe pas kaq vitesh po na ve në punë dhe po na jep kënaqësi poezia e tij.”Impresione të rralla këto, që sidoqoftë tregojnë për madhështinë e poetit Marinaj.
Gjekë Marinaj përkthyesi brilant i poetit amerikan Frederick Turner.
Ja cfare thote poeti e studiuesi Agron Tufa, një mik i hershëm i poetit Marinaj, për poezinë e Frederick Turner-it,-përkthyer dhe sjellë në shqip, nga Gjekë Marinaj.
“”Frederick Turner është një nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohorë botërorë, që ka bërë një punë kolosale, siç e ka thënë edhe Gjeka në hyrjen e librit, mbi formulimin e idesë mbi poezinë, si përfaqësues i poezisë në përgjithësi, i zbutjes së lidhjeve të saj me lexuesin, i zbutjes së tonaliteteve të saj me njerëzimin. Duke shfletuar librin disa here unë kam formuar një ide mbi rëndësinë e këtij poeti, pavarësisht se, siç thotë Gjeka, poezitë e tij në këtë libër nuk janë me doemos më të mirat, por gjithsesi ato na mjaftojnë të dimë se çfarë poeti na ofrohet. Ky poet na bashkon me traditat e harruara të poezisë: me poezinë klasike-por me një mbushje të re, apo me poezinë meditative. Nga kjo natyrë poetike na del një ndërgjegje tepër e ndërlikuar, e koklavitur, na del përfytyrimi poetik i një kulture të të gjithë shekujve, dinjiteti dhe mitet moderne, nga religjioni për tek zbulimet shkencore. Pra Frederick Turner është një poet që kërkon një lexues të kualifikuar sepse jo kushdo e ka të mundur përshtatjen e këtij lloj kualiteti artistik. Ky poet i përkthyer me kaq delikatesë nga Gjekë Marinaj, hyn krejt natyrshëm dhe do të bëhet pa diskutim një pjesë e natyrshme e përvojës poetike shqiptare. Ai tashmë është pjesë e paluajtshme e pasurisë së poetikes tonë kombëtare.””
Raimonda MOISIU
Kryetare e SHSHSHA-ë

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Gjek Marinaj, Raimonda Moisiu

Vendlindja që i dhuroi poezinë, Poetit!

April 30, 2015 by dgreca

“Varfëri e pasur” e Poetit Qerim SKËNDERAJ/
Esse nga Përparim Hysi/
Ndodh,- thotë populli,- që për një thelë, paguan një pelë! Kjo thënie me vlerë aksiome sikur më zgjoi nga gjumi dhe më bëri apel që të shlyej një “borxh” që ka kohë që më rri si mal mbi supet. Jo se me të vërtetë i kam marr dikujt borxh dhe nuk jam në gjendje që ta shlyej, por është një “borxh” moral që, ku e ku, rëndon po kaq sa një borxh financiar. Pa e zgjatur dhe ta bëj si litar fjalën time, po shpjegohem:
Vendlindja që i dhuroi poezinë, Poetit Qerim Skënderaj, është Ninëshi, një fshat me terren të thyer në zonën e Mallakastrës. Për ata që nuk njohin këtë zonë ku ndodhet Ninëshi, u them që është rreth 50 km larg nga Fieri, sa pa frikë, mund të thuash:” Larg, e larg “mërguar”/ tre male kaptuar/. Është larg apo afër, pak rëndësi ka. Qerim Skënderaj, një Poet e prozator me profil të plotë në fushën e Letrave, nuk e heq veten si “modern” apo “snob” dhe të thotë:- More, po ç’Ninësh më zini në gojë ju, kur unë Qerim Skënderaj jam tani nën efektin e”lavdisë” në fushën e letërsisë dhe bëj gjithmonë lart e më lart. Jo. Jo vetëm nuk e mohon, por përulet para vendit të tij të lindjes dhe, që të mos ma merrni si një retorikë të thatë fjalësh, unë po jua sjellë e bardhë mbi të zezë poezinë kushtuar vendlindjes, NINËSHIT!
Në një vend të largët linda, përrenj e pyje për rreth
Rripa-thikë e rrëpira (nuk kishte ara pa ledh)
Rrugët si gjarpër dredhonin(shkurre pafund:gjithandej)
Zilet e këmborët ushtonin dhe kënga e zogjëve në qiej

Nga stinët, pranvera sundonte (blerimi të mbushte me jetë)
Lofata në rozë lulëzonte dhe ndizte pllajat e përrenjtë.
Këto më fali vendlindja dhe ndjenjën e hollë: dashurinë!
Nën hije me ëndrra të flija; më dha dhuratë p o e z i n ë…
Ky bekim i vendlindjes është si një kumt i bukur që e bëri Qerim Skënderajn një Poet e prozator me peshë në letërsinë mbarëshqiptare.
Para se të shkoj tek përshtypjet e mia për “Varfëri e pasur”, dua të shpjegoj atë “borxhin” tim që nuk e kam shlyer akoma. Me këtë shkrim timin modest, ndoshta do arrijë që ta kem faqen të bardhë.

* * *
Ninëshi, sado larg e larg “mërguar”, për mua është një fshat ku kam ngrënë bukë. Ende sikur kam në mishërat e dhëmbëve bukën e atij fshati sa të varfër,aq dhe bujar.
Atje, larg e larg mërguar, tri male kaptuar, mbi pesëdhjetë km larg për arsye “biografie”, sado pak që punova si mësues në këtë fshat, atje kam hasur atë shprehjen e bukur: ” Për mikun, në mos kemi bukë, e kthejmë me ujë”. Prapa kësaj thënieje të atij ninëshjotit, shpaloset gjithë bujaria e gjithë Mallakastrës që e ruaj jo vetëm në kujtesë, por dhe në zemrën time. Dhe, ndërsa shkruaj për një ninëshjot si Qerim Skënderaj, them që po e shlyej atë “borxh”.

* * *
Për ata që nuk e njohin Qerim Skënderajn, po u tregoj sa më poshtë: ka mbaruar shkollën e bashkuar “Enver Hoxha” dhe është titulluar si oficer i artilerisë kondraajrore. Tek po shkruaj, sikur të jini pranë meje, do të vinit re me lehëtësi një si buzëqeshje në mimikën time. Jo më parë se dy ditësh, lakova shkollën e bashkuar si një shkollë që i ka dhënë letërsisë më shumë krijues se cilado shkollë tjetër në Shqipëri. I lakova disa në essenë e kaluar dhe, për “ngrirje kujtese” harrova disa syresh që janë po në shkallë të epërme,si: Hysni Milloshi, Arben Duka, Myrteza Mara dhe ,pa dyshim, Qerim Skënderaj. Cilido tjetër që nuk është cituar prej meje, të mos kujtoj se harresa është e qëllimshme dhe, veç kësaj, esseja ime nuk ka për objekt të analizojë ata krijues. Dhe diçka tjetër; asnjë prej të lakuarëve prej meje, nuk i gjykoj prej bindjeve (ato janë e drejtë ekskluzive e secilit), por për artin, për vargun e bukur dhe mesazhin që përcjellin. Sa për dijeni: çdo ditë freskoj mushkëritë me vargjet eishoficerit Arben Duka dhe në një dosje kam nga një faqe gazete një poezi të gjatë dhe shumë të bukur të tëndjerit Hysni Milloshi). E, sa për Myrteza Marën mund të them vetëm shkarazi: ” Ka qenë me fat i pavdekshmi Vivaldi (ai që arriti apogjeun me “Katër stinët”), që nuk njohu këtë poet të çartur: do binte në”ceitnot” si në lojën e shahut, se Myrteza Mara i ka nxjerë stinët pesë!!! Jo vetëm kaq, por librin me poezi e ka titulluar “Stina e pestë”. Epo poetët ndaj janë dhe pak si “Ufo” dhe, sidomos, këta që mbaruan Shkollën e Bashkuar!!!

* * *
Qerim Skënderaj,sado që u emërua oficer në rrethinat e Tiranës, pas pak kohësh, u dërgua si për dënim në Karaburun, mandej në Vlorë e Lushnje. Rikthehet në Vlorë.Shkon në emigracion në Itali. Rikthehet në Tiranë. Por dhe kur u “privua” nga detyra, edhe në gjithë ec e jaket, me vete kishte bekimin e vendlindjes: poezinë e mbarti me vete dhe nuk ka shkruar pak. Ajo që ia zbukuron karizmën këtij krijuesi me vlerë, është fakti shumë domethënës: është i sukses-shëm në poezi, por dhe në prozë. Dhe në të dy gjinitë fiton çmime.

Fiton çmim me romanin në Itali dhe, pse kishte bekimin e vendlindjes, e shkruan atë në gjuhën italiane.Po kështu fiton çmimin e parë në festivalin poetik të Vlorës”Atdheu në vargjet e poetëve” me poemën “Kuq e zi në qiellin blu” në vitin 2012.

* * *
Si në një vështrim kalimthi, duke bërë pak paralelizëm me fjalën time në promovimin”Varfëri e pasur”, po u sjell veprat e tij në poezi e prozë:
“,,, pasi piva”Një godë pikëllimë” në vitin 1995,”Mendimet m’u çmëndën” në vitin 1996. Pashë”Qiellin në pikën e lotit” në vitin 1997 dhe “Djalërinë e thinjur” më 1999. “.. “M’u rrudh malli” në 2002 dhe zbulova “Lulet e fajit” në 2005. “Nën hijet e fundvjeshtës” në vitin 2008 bënë që”U thinjën varret” më 2012.
Në prozë: “Përplasje e madhe” (me tegime në vitin 2000).”Varri i gjallë”(roman) viti 2000. Pas kuintave të teatrit diktorian(roman,botuar më 2006).
Në gjuhën italiane: Albania. L’ultimo atto (roman,2011).Itaca affondata, esse, tregime, 2013.
Siç e shihni, është një bekim i madh,ky, i vendlindjes.

* * *
“Varfëri e pasur” është botuar në vitin 2014. Se ç’vlera ka, vlen që ta lexoni librin. Nuk mësohet noti, po nuk u fute në det. Por si një reklamë aspak komerciale, u them lexuesëve:- Në e blini këtë libër, kini një përfitim të madh vlerash,se atje do gjeni lirikën e dashurisë; peizazhin e gjallë të fshatit nga ka marr bekimin; do gjeni aktualitetin shqiptar në këtë tranzicion made in Maratonë;do gjeni fatin e mërgimtarit; do gjeni Atdhedashurinë nga Kosova tek Çamëria (vetëm për Çamërinë ka 6 poezi); dashuria për nënën me pesë poezi; për Vlorën tri poezi; do gjesh portrete ku shquhet ajo për NËNË TEREZËN dhe, pa dyshim, edhe fëmijërinë.
Edhe diçka shumë sinjifikative: parathënien e këtij libri të bukur e me vlera të epërme, e kanë bërë një studiuese e nderuar,si: profesor-doktor Klara Kodra dhe një poet i”peshës së rëndë në fushën e LETRAVE SHQIPE”,siç është poeti, prozatori, publicisti dhe përkthyesi i bukur, Faslli Haliti.
Ajo që dua të theksoj për mbarëlexuesit është një fakt tjetër shumë domethënës: lirikat e Qerim Skënderajt janë aq të mira siç është ujë i pijshëm që,sa e pi, e kërkon prapë. Me to nuk ngopesh. Nga ana tjetër, janë të shkurtëra dhe si një aperativ që të kënaqë shpirtin. Provoni t’i lexoni dhe nuk do të zhgënjeheni.
Tek e mbyll këtë shkrim, dua të evdindentoj fjalët e poetit amerikan Jim Morison që thotë: ” Nëse do të jesh dikushi, ji vetvetja!”. Dhe Qerim Skënderaj është vetvetja. Shumë nga poezitë e tij janë për muzikë dhe them, nëmos ka”vjedhur” gjë i biri, kantautori Alban Skënderaj, nga Qerimi që është kaq i sukses-shëm? Ka të ngjarë. Po, në fund të fundit, pse të mos ndodhë kështu kur vendlindja të falë si dhuratë dhe poezinë, por dhe këngën.
Tiranë,29 prill 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, perparim Hysi, Qerim Skenderi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT