Nga Faik KRASNIQI/Prishtinë/
Amerikanët idenë e kombit e kanë, madje shumë më të theksuar se ne, bashkë me patriotizmin që vjen me të. Retorika dhe koncepti i kombit amerikan, “american nation” është prezente kudo në jetën publike amerikane, sidomos gjatë fushatave zgjedhore e vetmja gjë që ndëgjon në lajme është sa i veçantë është kombi amerikan, sa shumë meriton kombi amerikan, dhe sa ka rënë kombi amerikan dhe sa e papranueshme është kjo. Dhe për sa kohë mijëra të rinj amerikanë janë gati të shkojnë të japin jetën për kombin e tyre, vënë re kombin, jo qeverinë, unë nuk shoh se ku mund të shkojë më lart ideja e kombit.
Sigurisht që koncepti i kombit amerikan është ndryshe nga i yni, por edhe i yni është ndryshe nga të tjerët. Jam i sigurt se serbët e grekët e gjejnë qesharake idenë tonë të kombit. Për ta, ashtu si për tërë popujt e Ballkanit, kombi është një etni, një fe. Për ne kombi është një etni, tre fe. Ndërsa për amerikanët kombi është shumë etni shumë fe. Thjesht një koncept tjetër i kombit pra, por jo më pak i vlefshëm apo më pak perfekt.
Përsa i përket luftërave fetare në Francë, edhe ato vërtet shumë të ashpra kanë qenë. Por ato kanë ndodhur gjatë mesjetës dhe obskurantizmit kishtar që e shoqëronte atë periudhë, ndërkohë që tek ne në atë periudhë luftëra fetare nuk kanë ndodhur, edhe pse peisazhi ynë fetar po fragmentohej me hyrjen e islamit. Kjo më bën të mendoj që me formimin e kombit dhe shtetit shqiptar në hyrje të shekullit 20, në një kohë që luftërat fetare kishin kohë që ishin ndalur në Evropë, gjasat që luftëra të tilla të ndodhnin tek ne ishin akoma më të vogla.
Unë thjesht nuk e kuptoj konkluzionin logjik se po të kishim vazhduar të ishim një shtet i lirë multi-fetar pas 1944 ne do kishim pasur konflikte fetare. Shqipëria ishte shtet i lirë multi-fetar nga 1912 në 1944 dhe shenja për konflikte të tilla nuk pati. As ato 523 vjet që jetuam nën Perandorinë Osmane në besime të ndryshme konflikte fetare nuk patëm. Është ajo thënia e famshme që përdoret tek ne shqiptarët; ”një shqiptar mysliman ishte gati të vriste 10 turq për një shqiptar katolik, apo anasjelltas”. Prandaj nuk e shoh si arrijnë disa opinionistë në konkluzionin, për mua të frikshëm, se ndalimi i fesë me dhunë në 1967 në Shqipëri paska qenë diçka e mirë apo e domosdoshme, ndryshe ne do ishim bërë copë për shkak të fesë. Kjo për mua është totalisht e gabuar, sepse shqiptarët ndër shekuj e kanë dëshmuar tolerancën ndërfetare, dhe fatmirësisht vazhdojnë akoma ta bëjnë një gjë tillë.