• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BIDENI I ÇARMATOSUR PËRBALLË INFLAKSIONIT

November 30, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI“Corriere della Sera”, 19 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika/


Punë, punë, punë: duke qëndruar në mendimin që në dhjetëvjeçarët e fundit ka zotëruar politikën amerikane – krijimi i vëndeve të punës – Joe Biden duhej t’ishte në një fuçi hekuri. Infarkti ekonomik i pandemisë jo vetëm nuk ka zhytur Shtetet e Bashkuara në rënie ekonomike, por po e shpie, me gjithë frenimin veror për variantin Delta, drejt një fuqizimi të fortë me papunësinë e ulur në 4,6 përqind. Simbas analistëve të Goldman Sachs, një bankë e njohur e Wall Street-it, të papunët do të vazhdojnë të ulen duke arritur në gjysmën e vitit tjetër në 3,7 përqind e në fund të 2022 në 3,5: në fakt punësim i plotë. Ndërkaq partia e presidentit po shkon drejt një humbjeje kumbuese në votimet e mid term në vjeshtën e ardhëshme, jo vetëm për manevrat republikane mbi kolegjet e rregullat zgjedhore e për aftësnë e së djathtës për të fituar vota mbi “luftërat kulturore”, por sepse inflaksioni ka zëvendësuar punësimin si shqetësimin kryesor të amerikanëve. Rritja e çmimeve – e parashikuar por e nënëçmuar si dukuri e butë dhe e përkohëshme nga Thesari dhe Federal Reserve – është kthyer në një shkëmb që mbyll rrugën e kryesisë Biden. Vetë Goldman Sachs në fakt parashikon që flama e çmimeve (+6,2% në tetor) do të vazhdojë gjatë gjithë dimrit. Gjëndja do të fillojë të përmirësohet vetëm në mes të 2022: me gjasë shumë vonë për të shpërndarë pakënaqësitë e amerikanëve që do të votojnë në nëndor. Biden-i, gjithmonë e më pak popullor në hulumtimet, është i vetëdijshëm: në ndryshim nga ekonomistët e tij të rinj, ka jetuar në kohë të një inflaksioni të lartë dhe e din se gjindja sheh tek qeveria përgjegjësin e asaj takse të fshehtë. Ai thotë se duhet kuptuar dobësia e qytetarëve që shohin të dyfishohet çmimi i karburantit e shpenzojnë shumë më tepër për harxhin e përditshëm. Biden-i e din por është i çarmatosur. Duhet të mbrohet nga padia se ushqen inflaksionin me ndihmat (të dhëna në të njëjtën masë nga ai dhe nga Trump-i gjatë pandemisë) e nuk ka pushtet mbi fajdet industriale, të tregtisë e të punës që shkaktojnë ngritjen e çmimeve. E kur i kërkon OPEK-ut të prodhojë më shumë përqeshet me ligësi: “Bëj vetë: nxirr më shumë naftë nga SHBA”. Por të rihapen puset e mbyllura gjatë lockdown-it nuk është një veprim i lehtë. E po t’a nxiste do të përgënjeshtronte zotimet e tij për dekarbonizimin.
“Corriere della Sera”, 19 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

KUPTIMI I XXVIII NȂNDORIT

November 24, 2021 by s p

Për  djelmnin  shqiptare

MUSTAFA  KRUJA

“Shqipëria e Ré”  Kostancë (Rumani) 1932   

 

                   

Po më duhet edhe mue me shkarravitun diça për numrin e veçantë të “Shqiprís së Ré” qi do dalë ditën 28 nëntor. S’e pata kët mendim. Por “Shqipëria e ré” e di t’a fusi njerin në valle edhe kur s’e ka zanat kërcimin a s’âsht në fel me kërcye.

Pra po shkruej. Por ça me shkrue? Ju them të drejtën se m’âsht dashun t’a lodh  mjaft mênden për me gjetun nji themë qi t’i përshtatej rasës dhe kohës bashkë e qi mund të këndohej pa mërzí të madhe prej kënduesve të ksaj fletoreje.

Ah të kishem qênë dhe un poet, sa m’a kishte ânda me i a çue dikuj zêmrën peshë e ndonji pikë lot mallëngjimi ndër sy, ashtu si m’a pat bâmë mue disa vjet përpara D. Lazër Shantoja me “Kuvêndin e Deshmorvet” po në rasën e 28 Nëntorit ! Por mue kët cilsí m’a ka mohue natyra. Nuk dij me shkrue vjersha. E jam fort pak i aftë me gixilue zêmra. Më vjen mâ tepër për dore me i thirrë mêndes, gjykimit të ftohtë se sa me i nxitun kazanit të gjakut.

Prandej edhe dava me i a sjellë fjalën t’eme kryesisht djelmnís, e cila e ka gjakun në vlim të natyrshëm dhe ka nevojë mâ shumë për argumenta qi munt t’a shtien në nji kujtim të thellë mbi kuptimin e mâ së madhes ditë të historís së kombit t’onë, se sa për ligjerata qi t’a mallëngjejnë e t’i ndezin gjakun.

*****        

Plot  20 vjet para, më 28 – XI – 1912, nji kuvênd burrash të mbledhun në Vlonë ndënë prisín e Ismail Kemalit, i shpalli botës mbarë se Shqipnija, aty e mbrapa, do t’ishte vetëm e Shqiptarvet, se këta do t’ishin vetë zotën në plangun e përbashkët të tyne, mu nj’ashtu sikur e ndien dhe e njeh veten secili në shtëpi e gjâ të vet, se i hueji  nuk do të guxonte mâ me urdhnue e sundue mbi stërnipat e Illyrve.

Hân’ e yll po perëndojshin për jetë, po zhdukeshin nga horizondi i atdheut t’onë ; ishte tue lemë dielli i lirís. Nji flamur i madh zhdridhej rreth nji shtize të gjatë në dritoren e nji shtëpije të moçme ku ishte mbledhun kuvêndi : flàmur i kuq, si gjaku i dëshmorvet të tij, me shqipen e zezë dykrenshe në mes flàmur i Skanderbegut, qi po valonte për të parën herë n’ajrin t’onë mbas katër shekujsh e gjymsë.

Atypraty nji zâ i rreptë buçitte prej qinda krahnorësh e naltohej në qiell si nji lutje e fjeshtë e e kulluet dalë prej zêmrash të lame nga çëdo mëkat : rroftë Shqipnija !” Brohorí të padame e lot mallëngjimi….

20 vjet para ! Ju djelm të rij të Shqipnis së lirë s’kishi lemë edhe ose ishi edhe të njomë. Sod, 20 vjet mbrapa, ndokush nga ju mund të pyesë mallëngjyeshëm : “ku janë ata burra qi ngritën për të parët flàmurin kombtar ?” E un ju përgjigjem : mâ mirë mos pyetni për ta. Historija, ata qi meritojnë të kujtohen, do t’u a tregojë brezave t’ardhshëm. Ka pasun ndër ta apostuj lirije a së paku asish qi e kanë pritë e deshirue këtê me gjithë zêmër. Këta kanë vdekun a rrojnë të ngîmë e të kënaqun tue pamë mundimet e sakrificat e tyne të shpërblyeme nga realizimi i idés e i deshirit qi kan ushqye. Ka pasun dhe njerz të rrëmbyem prej nji rryme të pakuptueme, si lânda qi merr me vete nji lumë për me e lânë të zhytun në ledh të ndonji bregu a me i a falun detit. E mâ në fund ka pasun edhe shpekulatorë, farizij të kohvet t’ona, të cilët ndjekin çëdo rrymë qi t’u përshtatet interesave të tyne, qi ndërrojnë lëkurë e qime simbas stinës. Në qoftë se ju do të kërkoni me njohun e nderue kênd nga deshmitarët e ditës 28 Nëntor 1932 po ju siguroj se mâ të parët qi kanë me ju dalë përpara si fatosa të pavarsis shqiptare kanë me qênë këta të fundit. E ju, para fytyravet të tyne, keni për të humbun të tânë shijen e idealit të thjeshtë që ushqeni !

Kujtoni pra e nderoni vetëm dëshmorët e paemën qi kanë bâmë veten flî për t’i a mbërrîmë asaj dite e mâ vonë për të ruejtun frytin e saj, ata qi s’u dihen a së mund t’u përmênden emnat. Mu nj’ashtu sikur nderohet sod gati në të gjithë botën kujtimi i ushtarit të panjohun ramë deshmuer n’altarin e Atdheut.

*****   

“Por, do të më thoni, çfarë deshmorësh kur të gjithë e dijmë se Shqipnín s’e bânë Shqiptarët por Evropa ?”

Po, kështu thonë përnjimênd ata qi s’kanë çue as nji gisht dore për Shqipnín e lirë ; jo vetëm, por as qi kanë besue kurrë në nji “mrekullí” t’atillë e ndoshta as sod s’u besojnë syvet të vet. Janë pesimistat e paqortueshëm, ata qi s’e njohin historin e kombit të vet, qi s’e kuptojnë forcën e gjakut qi u vlon ndër dej. 

E ça me thânë mbandej për nji tjetër kategorí Shqiptarësh, për ata qi jo vetëm s’kanë besue se mund të bâhej e mund të qëndronte Shqipnija Shtet i lirë, por kanë luftue me të tâna armët qi kanë mundun të përdorin, prej fjalës e deri ke martina e mavzeri, për mos me lânë qi të ngrihej nji Shtet shqiptar, e mbrapa, si u ngreh, për me e shêmbun ? E mbasi panë se Shqipnija u bâ, po rron dhe do të përparojë, edhe kundër vullnetit të tyne, atbotë i a nisën me bërtitun me sa u punoi zâni : “ rroftë Shqipnija “, e u vunë me e shfrytue, me e kullotun.

*****  

Shqipnín e bâni Evropa ashtu si bâni Jugoslavín, Çeko-Slovakín, Polonín, Rumanín e madhe e Shtetet e Baltikut, për me folë vetëm për sà i përket kontinentit t’onë. Nuk besoj të ketë ndër këto Shtete gjind qi t’u a dijnë për nderë vetëm të huejve lirín e tyne.

Shqipnín e bâni kombi shqiptar vetë. E bâni forca e ksaj race krenare e kreshnike qi qe e zonja me u bâmë ballë me shekuj, si shkâmb graniti, valve mâ të rrepta qi e rrahën pa mëshirë në të djathtë e në të mângjët, përpara e përmbrapa, në të katër anët. Qe mâ se dymijë vjet nuk qenë të zotnit me i a ndërrue karakterin e vet as Helinët e vjetër me qytetnimin e madhnueshëm të tyne, as Grekët e rij me armën e fés të përdorun pa fé shkrupulli kundër nesh, as vala slave qi mbuloi Balkanet me tërbim qyshë prej të shtatit shekull, as sundimi romak e as shpata e Osmanllijvet. Shqiptarët ndërruen fé, por jo kurrë kombsí. As fuqija magjike e besimit nuk i bâni me e mohue gjakun e me e harrue gjuhën e tyne. Aty ku s’e përpini shumica e madhe për me psue proçesin e natyrshëm t’asimilimit Shqiptari mbeti gjithmonë Shqiptar, me doket e zakonet e veta, me gjuhën e vet.

Dhe mbet Shqiptar me armë në dorë. E ruejti kombsín me forcë, tue derdhun gjak e tue u strukun, vëlla me shqipen, ndër malet e veta të papushtueshme. Mbet i egër, ndoshta, jashta qytetnimit, por mbet Shqiptar. Luftoi për doket e zakonet e tija, për gjuhën e tij, për kombsín e tij ; luftoi për lirí.

E ça do të thonte Evropa përpara këtij fakti të gjallë e të pashlyeshëm në shekullin t’onë kur parimi i kombsis âsht imponue si bazë e politikës ndërkombtare ? Duhej të ndodheshim në nji botë të sundueme fund e majë prej Gjorgjeviqash për me pamë të mohueme kombsín shqiptare.

E si do t’a mohonte Evropa të qênët  e nji kombi i cili qytetnimit të saj e fés së krishtênë i ka dhânë nji Fatos si Skanderbegun e shumë gjak të derdhun për at qytetnim, për at fé e për lirí të vet.

*****  

Evropa bâni Shqipnin ? E pse mos me thânë mâ mirë, mâ drejt se Evropa e cungulloi, e përgjysmoi Shqipnin ? Shkëputi pjesët mâ të mirat të saja e i futi ndën zgjedhë të huej, shumë mâ zí se ishin, ku po ndrydhen e shkretohen pa pikë mëshrire, jashtë çëdo ligje njerzore. Evropa po hesht para ksaj mizorije në mâ të madhen apathí. Jo, djelmnija shqiptare s’ka si u beson përrallave të Shqiptarvet pa sedër kombtar e pa besim në veten e tyne e kombin e vet. Ajo do t’i përbuzë gjithmonë ata qi mohojnë forcën e vërtytet e racës, gjakun shqiptar të derdhun për lirí ; do t’i urrejë anmiqt e djeshëm e të kurdohershëm t’idés kombtare.

*****  

Dita XXVIII Nânduer âsht pa dyshim mâ e madhja ditë gzimi për kombin t’onë. Por në kët ditë gzimi të pashoqe s’âsht e mundun për né mos me e çue mênden edhe ke vllaznit t’anë qi vuejnë në nji robní politike ndër mâ të zezat qi njeh historija e gjithë shekujvet. Ata e dinë se Shteti shqiptar âsht tepër i vogël për me i shpëtue sod nga zgjedha. Me gjithë këtê kanë plot të drejtë me pritun prej nesh qi në mos tjetër të marrim pjesë me zêmër në zín e gjâmën e tyne, ashtu sikur çëdo gzim i ynë gzon e mbush me shpresë edhe zêmrat e atyne fatzezve. Shpresa e tyne e dashunija e jonë për ta janë nji peng sigurimi për kohën e ardhshme, mbasi botën  e ka bâmë natyra rrumbullake e mbas natës s’errët do të lejë pa tjetër drita e diellit. Në qoftë se jemi të dobët materjalisht le të jemi të fortë moralisht, tue njohun e çëmue të drejtat t’ona e tue shpresue gjithmonë. Kjo shpresë duhet të mbushë e të nxejë sidomos zêmrat e djelmnis s’onë qi do të përgatisë e të trashigojë kohën e ardhshme.

*****  

Lirija e nji kombi fitohet e ruhet me sakrifica të mëdhaja, me sakrifica gjâje e gjaku, me vetmohimin e secilit qytetas qi e gzon e e trashigon. Nuk âsht burim pasunimi të veçantë, a mâ mirë me thânë burim po, por jo mjet, siç e quejnë shpekulatorët pa shkrupull e pa ndërgjegje qi s’e kanë lodhun kurrë mênden për atdhe veçse për t’a shfrytue. Ajo âsht nji ideal qi ushqen shpirtin e atyne qi e kanë dhe siguron lumnín e kolektivitetit, të mbarën e të mirën e popullit. Të popullit qi e fiton dhe e ruen me gjakun e tij.

Lirija i gjân nji bime delikate qi lyp mâ të madhin kujdes e tokë t’aftë për me qëndrue e me u zhvillue në mënyrë qi t’i napë kombit pemët e veta për ditë mâ të mira e mâ të plota. Toka e ksaj bime âsht edukata shoqnore e patrijotike e popullit. “Shqipnija u bâ, tash duhet të bâjmë Shqiptarët” po thomi edhe na tue marrë hua nji frazë të formulueme për nji tjetër komb mâ se nji gjymsë shekulli përpara.

Kjo âsht barra mâ e rândë e mâ e shênjtë qi i bie djelmnis shqiptare, ajo qi do të sigurojë t’ardhmen e Shtetit t’onë e bashkimin e të tânë kombit ndën flamurin kuq-e-zi. Përpara, pra, djelmní !

   “Shqipëria e Ré”  Kostancë (Rumani) 1932                         MUSTAFA  KRUJA

 

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Mustafa Kruja

ESAT PASHË TOPTANI DHE “PRETORIJA” E DURRËSIT

November 21, 2021 by s p

Eugjen Merlika/

Mbas dorëzimit të Shkodrës malazezve figura e Esat Pashës merr një rëndësi të veçantë në jetën politike. Njeri me një formim të pakët kulturor, por me nuhatje politike të fuqishme, pa shumë skrupuj por me një ambicje të pasosur në veprimtarinë politike, me marrëdhënie të ndryshme në qarqet e huaja, Esat Pashë Toptani lakmonte të vihej në krye të Shtetit shqiptar. Në vjeshtën e vitit 1913 ai fillon një sulm të fuqishëm kundër Ismail Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës për të ndryshuar selinë e Qeverisë. Në letrën që Xhemal Belegu i dërgoi  M. Krujës, që mban datën 21 shtator 1913, flitet për një meting të organizuar në Durrës nga përkrahës të Esad Pashës, për të krijuar idenë se populli nuk e do më Qeverinë e Vlorës. Ishte preludi i shpalljes që, tri javë më vonë, Pretorija (Pleqësia) e Durrësit do t’i drejtonte shqiptarëve për t’a kandiduar Esad Pashë Toptanin në krye të një qeverie të Shqipërisë së mesme. Ndërmjet organizuesve të kësaj lëvizjeje politike kishte intelektualë të shquar si Faik Konica e Mitat Frashëri, veprimtarë të hershëm atdhetarë e publiçistë si Dervish Hima apo Menduh Zavalani, njerëz t’afërt t’Esadit si Hamit be Toptani apo Fazil Pasha, aventurierë politikë si Basri beg Dibra et. Motivet e kësaj kundërvënieje ndaj I. Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës janë të shumta e të ndryshme. Mbas më shumë se njëqind vitesh të këtyre ngjarjeve historiografia shqiptare nuk na jep ende një shpjegim të mirëfilltë shkencor të këtij çasti historik. Teksti i Historisë është i mbushur me interpretime “marksiste” të ngjarjeve, të paraqitura në mënyrë të sipërfaqëshme, pa asnjë objektivitet shkencor, duke anashkaluar ngjarje e personazhe që, më vonë, komunizmi do t’u ngjiste etiketën e “tradhëtisë” e të “tradhëtarit”. Vëllimi i tretë i “Historia e popullit shqiptar” as që e përmend fare këtë dokument që dëshmon për atë çarje në politikën shqiptare.

            Shqipëria e 1913-ës ishte një mozaik qendrash, ndikimesh, mendësish, figurash e forcash politike. Në këtë mozaik ishin të natyrshme zilitë e shemëritë që, herë herë, arrinin në kundërshti të fuqishme. Kjo ishte ana njerëzore, vetiake e marrëdhënieve mes pjesëmarrësve  që shpesh kapërthehej e ndikonte edhe veprimet në arenën politike. Gjëndja e jashtzakonshme në të cilën ndodhej Shqipëria me ushtritë e fqinjëve ballkanikë në trojet e saj, me një pozitë shumë të dobët në planin ndërkombëtar, me institucione të vjetra, të trashëguara nga Turqia, me njerëz t’administratës të mendësisë otomane, probleme të theksuara ekonomike e të infrastrukturës, me ndikime e prirje të ndryshme në drejtim të shteteve t’Evropës nuk i jepte askujt “shkopin magjik” të sistemimit të problemeve, që donin kohën e tyre të domosdoshme të viheshin në rrugën e zgjidhjes.

            Më duket me vënd të sjell këtu disa nga argumentat që themeluesit e “Pretorisë së Durrësit” shpalosnin në shpalljen e tyre në gjuhën turke. Shpallja fillon me një pohim të prerë mbi Qeverinë e Vlorës: “Shrregullimin qi ka shkaktue Qeveria e Përkohëshme e Vlorës në vênd , paligjsít dhe paudhsít e saj i din mbarë Evropa…..”[1]Nuk merret vesh se si gjithë Evropa ishte vënë në dijeni të “paudhësive” të Qeverisë që, në më pak se një vit ekzistence, nuk kishte patur kohë të merrej me problemet e panumurta të rëndësishme të Vendit, mbasi çështja e përcaktimit të kufinjve ishte ajo që mbizotëronte n’atë çast politik. Megjithatë autorët e Shpalljes së 13 tetorit 1913, të parët ushtrues të “dialektikës” shtetërore shqiptare, shtrojnë në tryezë arsyet e kundërshtisë së tyre.

            “Në shërbim të sigurimit janë shtí në punë shumë laro e gjaksorë….”

            “Nëpunsit nuk janë zgjedhun prej njerëzve të ndershëm e t’aftë dhe aqë sa ka qênë nevoja, por janë mbajtun në vênd zyrtarët e vjetër të regjimit turk….”    

            “Nji qeverí e përkohshme s’ka të drejtë e kompetencë me dhânë konçesione….”

            “Qeveria e Vlorës po të kishte marrë para sŷsh psikologjinë e popullit shqiptar duhej t’a kishte kuptue se lumnia dhe bashkimi i tij nuk mund të sigurohej veçse me nji princ në krye… Por asnji hap s’ka bâmë deri tash ke Fuqít e Mëdha për zgjedhjen e dërgimin e mbretit. Kjo provon se i pëlqen gjêndja kaotike e soçme qi të mundet kështu me sundue vetë si t’i dojë qejfi….

            Ky popull ka bâmë shumë metingje për me protestue kundra Ismail-Kemal Beut për këto veprime e shpërdorime qi kanë për qëllim me çue në vênd lakmít vetiake e me sigurue interesat e veçanta të tia….”

“Sikur t’ishim përpara nji qeverie të rregullt e të kishim nji parlament, sigurisht njerzit e saj do t’ishin marrë në gjyq dhe vêndet e tyne do t’i kishin zânë ata qi t’i meritojshin për zotsí e aftí….”

            Parsija e intelektualët e Shqipnís së mesme, dmth. të Durrsit, …. të Krús, të Tiranës, të Peqinit e të Mates me rrethet e tyne, qi gjinden ndërmjet ujit të Mates e lumit të Shkumbinit, tue pamë se vetëm me pushkë mund të rrëzohej nji qeveri qi përbuz pa tjetër e pa diftue asnji shkak e arsye dëshirat e kërkesat e popullit, por tue mendue edhe se gjaku qi do të derdhej kishte për të shkaktue nji dasí të përjetëshme e n’anë tjetër tue mos pasun as jetën e vet të sigurtë me këtë qeveri, u mblodhën në Kuvênd dhe simbas traditave t’ona kombtare zgjodhën nji krye e nji pleqsí për me matarue punët e popullit…”[2]

            Është i habitshëm fakti që një dokument i tillë, që përmban një padi kaq të fuqishme kundër së parës qeveri të të parit shtet të pavarur, të mos jetë i pranishëm në tekstet e historisë zyrtare të tetëdhjetë viteve të fundit. I parë sot në hapësirë kohe më shumë se një shekulli, mendoj se është shumë i vyer për të kuptuar ecurinë  e ngjarjeve dhe problemeve të kombit tonë fill mbas Shpalljes së Pavarësisë.

            Ka gjithshka n’atë dokument: shqetësim për mënyrën si u ngjiz shteti i ri, për mungesën e meritokracisë në rradhët e kuadrove themelues, për praktika që quheshin të paligjëshme e zotime për të mos njohur asnjë vendim t’asaj qeverie, për kritika t’ashpra sa i përket strategjisë së përcaktimit të kryetarit të Shtetit, madje padi për përfshirje në strukturat e shtetit të elementëve kriminalë…. Ka kaluar më shumë se një qindvjetor e gjuha e politikës nuk ka ndryshuar aspak, por ka ardhur duke u trashur. Sikur vetëm gjysma e atyre padive t’ishin të vërteta, proçesi historik kundrejt Ismail Qemalit dhe bashkëpuntorëve të tij shpallës së Pavarësisë, do të kishte qënë i pamëshirshëm. Fakti që ai proçes nuk ka gjetur zbatim në historiografinë tonë tregon se shumica e atyre padive nuk kanë patur bazë të vërtetë.

            Por ne sot, që e shohim të shkuarën tonë historike me syzet e nderimit e vlerësimit për një pjesë të mirë të veprimtarëve politikë t’atyre viteve, aq më tepër kur bëhet krahasimi i vetëvetishëm me kolegët e tyre të mbas vitit 1944, ai dokument duhet të na bëjë të përsiasim gjatë e thellë e ndoshta të rishohim në kah objektiv e kritik edhe opinionet tona. Duke mbajtur parasysh emrat e personaliteteve që qëndronin mbas shpalljes së “Pretorisë” e ndihmesën e tyre në jetën politike shqiptare të mëvonëshme, më duket se ka mjaft arsye për t’a parë me një farë mosbesimi të ligjshëm atë ndodhi në të gjithë dritë-hijet e saj.

            Kemi të bëjmë me një ndarje dy pjesësh të klasës politike shqiptare, një dasi që ndodhte mbas më pak se një viti nga krijimi i Shtetit, në një kohë kur ish kryeministri i Sërbisë, Vlladan Djordjeviç, botonte në gjuhën e tij e në gjuhët më të njohura evropiane librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, ku mundohej të vërtetonte idenë se “Shqiptarët nuk ishin t’aftë të krijonin e të mbarështonin një shtet të qytetëruar….”, ide që dëmtonte shumë çështjen kombëtare në mjediset politike e intelektuale t’Evropës s’asaj kohe. Nëse do të kishte qënë vetëm Esat Pashë Toptani ideatori e frymëzuesi i atij dokumenti, do t’a kishim quajtur atë si një shprehje të lakmisë për pushtet e të arritjes tek ai nëpërmjet metodave demagogjike e populiste, pa përjashtuar as përdorimin e forcës. Por kur në fushën e tij e n’ujdi me të luanin personalitete intelektuale si Faik Konica e Mithat Frashëri, përpilues të dokumentit, na mbetet një hidhësirë në gojë, sepse përfytyrojmë një Vend e një popull që, në hapin e parë të ecjes së tij të pavarur, fillon të çalojë. Në vend që të gjente tek intelektualët e tij të paktë frymën e bashkëpunimit për interesat e Vendit, qoftë edhe nëpërmjet një dialektike të fortë e kundërshti pikëpamjesh, gjindemi përballë një dasije që nuk i sillte asgjë të mirë atdheut. Ky qëndrim përligjej me një mbledhje të disa përfaqësuesve të një pjese të Shqipërisë, në këtë rast të asaj të mesme, së cilës i bashkohen intelektualë të Jugut të saj e të Kosovës.

            Ftillimet që përdoren, edhe se një pjesë t’arsyeshme, rrëshqasin në demagogji e në një gjuhë që na kujton atë të pasardhësve të tyre mbas tridhjetë vitesh. I parë në këtë këndvështrim, del më i qartë qëndrimi i gabuar i Mufid be Libohovës që, në mungesë të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, mori përsipër të hedhë poshtë propozimin e ardhur nga Tirana, pak muaj më parë. Sigurisht një Kuvend i ri i gjithë krahinave shqiptare do të kishte arritur në përfundime që do të kishin shmangur dasinë e madhe të klasës politike t’asaj kohe.

Shpallja e 13 tetorit 1913, që priret t’i hapë udhën një “principate” të Esad Pashës në Shqipërinë e mesme, duke vënë në pikëpyetje Shtetin e bashkuar, është një dokument që meriton një analizë të mprehtë e pa paragjykime. Pa hyrë në logjikën e vjetër e shterpë t’etiketimit bardh e zi të ngjarjeve e protagonistëve të tyre, studjuesit e sotëm duhet të thellohen në përmbajtjen e këtij dokumenti me objektivitetin e duhur, për të ndarë grurin nga egjra e për të përcaktuar shkencërisht cili ishte thelbi i kundërshtive, cilët ishin motivet e përgjegjësitë.

(Marrë nga vëllimi “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare)


[1] “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” OMSCA 1, Tiranë 2012  Faqe 213

[2]Po aty, Faqe 213 – 214

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika

ISH BRSS: JO VAKSËT VIJNË NGA E SHKUARA

November 20, 2021 by s p

Nga FRANCO VENTURINI

Po t’I mbivendoset një hartë gjeografike statistikave mbi vaksinat kundër-Covid, mund të besohet se Bashkimi Sovjetik nuk ka vdekur më 1991. Në Rusi pandemia shkakton 1200 të vdekur në ditë, të vaksinuarit janë 34 %, dhe të vdekurit janë 800.000, një katastrofë në një Vënd që duhet të luftojë kundër rënies demografike.

Në republikat që bënin pjesë në BRSS statistikat janë pak të besueshme, por mendohet se gjëndja është edhe më e keqe. Për shëmbull n’Ukrainë, që mund të ketë vaksinat perëndimore, përqindja e vaksinimit është m’e ulët se ajo ruse. Nëse vështrohet në ish perandorinë sovjetike, në rajonet e Paktit të Varshavës e të COMECONIT, shihet se Vënde që sot janë në Bashkimin Evropian e në NATO duhet të bëjnë llogaritë me dukuri të ngjajshme, veçanërisht në Rumani (të vaksinuar 24,9 % dhe në Bullgari (22%) që, të gjëndur tashmë në Perëndim, nuk kanë asnjë nevojë të besojnë në vaksinën ruse Sputnik V.  

Politologët dhe sociologët janë tashmë të bindur se nuk bëhet fjalë për cilësinë e vaksinës ose për dyshime mbi efektshmërinë e saj. Në këtë pjesë të botës ku mbretëroi BRSS ka mjaft “jovaks historikë”, bij e nipa të kulturës sovjetike, e më parë cariste, në të cilën ishte i detyrueshëm nënështrimi por në fshehtësi ushqehej mosbesimi më absolut kundrejt Shtetit në të gjitha përmasat e tij. Rënia e BRSS ka sjellë fundin e frikës (të sulmuar më parë nga Glasnosti i Gorbaçovit),  por një kulturë shekullore ka mbetur në shoqërinë e “socializmit real” e shfaqet edhe në kontekstin e autoritarizmit putinian e në kaosin ukrainas, me një dyshim të hershëm që ndalon të ndiqen këshillat e pushtetit.

Të merremi vesh: jovaksët  janë edhe te ne e në gjithë Perëndimin. Por përmasat janë shumë të ndryshme, edhe se këto nuk përjashtojnë përsiatjen mbi gjurmët e lëna nga totalitarizmat tona.

“Corriere della Sera”, 16 nëndor 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

FUNDI I ADELINËS DHE SHTETI I MUNGUAR

November 17, 2021 by s p

“ISHTE NJË AMAZONË PA SHQYT”

Myrta Merlino kujton gruan e vdekur pa shtetësi

Nga GIUSI FASANO

Vetëm dhe e dëshpëruar. Në xhep një leje qëndrimi me tre ”x” në vënd të kombësisë: Apolide. Në kokë më shumë guxim për të vdekur se sa për të jetuar.

Adelina 113 kapërceu parmakun e Urës Garibaldi e i u dorëzua errësirës, zbrazësirës, vdekjes. Dy kalimtarë e panë të shkonte drejt vdekjes, por ishin shumë larg për t’u përpjekur t’a shpëtonin. Binte shi me gjyma, mbi rrahjet e fundit të zemrës së saj e lotët, nëse ka qarë, janë humbur në shi. I janë afruar të parët policët e një patrulle të policisë hekurudhore. Kishte vdekur në vend, nën rrebeshin romak të natës ndërmjet të shtunës e të djelës së shkuar.

Jeta kishte qënë e egër me atë grua deri në çastin e fundit. Por, për të qënë të sinqertë, me atë qe i egër edhe Shteti italian, që ishte dashur t’a ndihmonte në shenjë mirënjohjeje për atë që kishte bërë ajo. Ndërsa e braktisi mbasi e kishte kthyer në një simbol. Myrta Merlino, gazetare, shkrimtare dhe autore programesh televizive, thotë se Adelina 113 “ishte një luftëtare, një amazonë pa shqyt”, e kishte ftuar shumë herë në emisionin Era që fryn (7), e me zor i mban lotët kur flet, sepse ka qënë e fundit së cilës i ka kërkuar ndihmë gjatë emisionit, tre ditë para se të vetëvritej, “dhe un nuk dita t’a kap vështrimin e saj të fundit”, vetëqortohet Myrta. “Me të kam humbur un, ka humbur Shteti tek i cili ajo besonte shumë, herë herë aq i verbër e i padrejtë. Ka humbur sistemi me burokracinë e tij vetëm në një kah. Ka humbur televizioni, që përtej të treguarit është i pafuqishëm.Qava nga zemërimi e shpresoj që ajo të na ketë falur të gjithëve”.

Të kërkohej ndihmë për Adelinën do të thoshte vetëm një gjë: të kishte nënshtetësinë italiane. Ishte ëndrra e saj e vetme.

Kishte lindur në Durrës, në Shqipëri, më 1974. Në moshën 22 vjeçare ishte gënjyer nga miklimi i një t’ardhmeje të shkëlqyer në Itali. Ajo si mijra të tjerë “t’inkurajuar nga bukuria e parë në televizion”, arriti në gomone në këtë Vënd që “i shëmbëllente një ëndërre të shtrirë për së gjati për t’u tharë”, për t’a thënë me poetiken Bukë e kurajë të Ivano Fossatit.

Njerëzit e premtimeve të gënjeshtërta e kthyen në një kurvë e në një skllave me fuqinë e grushtave. “Më prenë një këmbë me gërshërë e në plagët më hodhën kripë për të më dhembur më shumë” , tregoi ndërmjet mijë gjërave të tjera, kur më së fundi doli, mbas katër vitesh. Ishte betuar në vetvete se nuk do të kishte vdekur skllave e kështu në një natë, në Vareze, vendosi që asnjë nuk do t’a përdhunonte më. Thirri 113 e i u dorëzua në besë Shtetit. Që atëherë për karabinierët dhe policinë, që e kanë ndihmuar gjithmonë, u bë ”Adelina 113”, një lloj pseudonimi që e mbajti edhe gjatë hetimeve dhe proçeseve të lindura nga bashkëpunimi me Drejtësinë (emri i saj i vërtetë ishte Alma Sejdini).

Me dëshmitë e saj bëri të arrestohen 40 shqiptarë që vendosnin për jetën dhe vdekjen e femrave të përfunduara në kthetrat e tyre (shfrytëzues, pastaj të dënuar deri në njëzet vite burg). Ka bashkëpunuar gjithmonë me Prokuroritë e forcat e rendit pa ngurim e frikë, ka qënë një shëmbull për dhjetra e dhjetra femra që, në sajë të saj  i u kundërvunë organizatave kriminale të kurvërisë, e ka shpënë zërin e saj në Senat, edhe në komisionin e Çështjeve Kushtetuese si eksperte në gjëndjen dramatike të prostitutave. Ka folur nëpër shkolla, ka vënë në shërbim kohën dhe energjinë e saj kudo ku kishin nevojë për të. Një qytetare model pa nënshtetësi. Një paradoks.

Kishte qënë vetë Myrta Merlino, më 2019, t’i a paraqiste rastin ministrit të atëhershëm të punëve të Brëndëshme, Matteo Salvini. Ai ishte interesuar që ajo të merrte një leje qëndrimi të posaçme, në pritje të praktikës burokratike për nënshtetësinë. Por pastaj, ndërmjet  këmbimit të qeverive dhe gjatësisë së  çdo hapi burokratik, Adelina 113 u gjënd përsëri me përfundimin e lejes së qëndrimit. Vetëm se këtë herë kishte edhe një tjetër arsye më shumë për t’u ndjerë e vetme dhe e dëshpëruar: një tumor shumë agresiv që e kishte shtrënguar të bënte cikle rrënuese kemioterapie dhe një dobësim të vazhdueshëm.

Nëse kishte mbetur ende në këmbë kundrejt një fati kaq të zi, ishte se vazhdonte të ushqente atë ëndërr: të shuante nga jeta e saj turpin e tre “x”. “Un jam një fantazmë pa Shtet” përsëriste gjithmonë.

“E dashuronte Italinë e ndjehej thellësisht italiane”, kujton Myrta. “Në Shqipëri nuk dua të kthehem as e vdekur”, i kishte thënë herën e fundit që kishin biseduar. E kështu do të jetë. Do të mbetet këtu përjetë, asnjë “x” nuk do t’a kthejë mbrapa.

“Corriere della Sera”, 11 nëndor 2021   Përktheu Eugjen Merlika      

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT