• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

June 16, 2023 by s p

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.”

FIODOR DOSTOJEVSKI

Nga Eugjen Merlika (Vijon nga numuri i kaluar) 

Ja çfarë ka shkruajtur për Markun shkrimtari e poeti i madh Ernest Koliqi, në një shkrim të vitit 1971, me rastin e një të katërtit të shekullit të ndërrimit jetë të tij, me titull tejet kuptimplotë, “Mark Gjomarkaj, theror i traditës”:

“…..Të moçmit na lanë fjalë se dielli me shoshë nuk mbulohet. E dijmë mirfilli  se herët a vonë, në çastin që vjen stina historike,vlerat e njimendta dalin në dritë duke i dhënë secilit protagonist në fushë të përparimit dhe të lartësimit të lartë kombtar vendin përkatës sipas meritave. Por kjo nuk do të na ndalojë të shfaqim një ndiesi keqardhjeje për padrejtësitë si të njerëzve ashtu dhe të fatit përballë disa fatosave tek të cilët spikatën vetitë eprore të gjakut tonë.

Nji ndër ta është dhe Mark Gjomarkaj.

Markun e njoha kur ishte student 24 vjeçar në Romë. Më bëri përshtypje që prej takimit të parë pjekuria e mëndjes së tij, një pjekuri ku me zgjuarsi natyrore plot vetëdije për pozitën e veçantë krahinore në shoqërinë shqiptare, shartohej pamja e gjërë realiste e problemeve të kohës dhe kuptimi i nevojës për t’u inkuadruar me qëllime e drejtime në jetën e përgjithëshme kombëtare. Kapidani i ri, me moshë e me mendësi, ashtu m’u duk dhe ashtu e tregoi veten dhe më vonë, Mark Gjomarkaj.

I rysun prej një mërgimi politik 5 vjeçar që më kishte dhënë mundësinë për të njohur e për t’u miqësuar me persona e personalitete të ndryshme nga mbarë Shqipëria, u përpoqa kur u bëmë miq të ngushtë, me i folë Markut për nacionalistët tonë të spikatur. Në shpjegimin tim ai pëlqeu mbi të tjerët si njeri politik me ide të qarta e të prera, Mustafa Krujën, të cilit i a kishte dëgjuar emrin…..”

Ka një përputhje pothuajse të plotë të opinioneve të dy shkrimtarëve të sipërpërmendur mbi personalitetin e Mark Gjomarkajt. Është një dukuri që vërteton dëshminë e tyre se i përgjigjet së vërtetës. Marku shkoi në Itali për të studjuar Drejtësi, në traditën më të mirë të profesionit shekullor të familjes. Mbas pak kohe Italia e pushtoi Shqipërinë dhe dërgata e Shkodrës në parlamentin shqiptar, në të cilën bënte pjesë edhe Kapidan Gjoni, babai i Markut, qe ajo që kundërshtoi më shumë formën e re të marrëdhënieve me Vëndin fqinjë. Në këtë kundërshti pikërisht Kapidan Gjoni pati rolin e parë. Por pushtimi i Shqipërisë ishte edhe pragu i luftës së Dytë botërore, e juristi i ri, kapidan Marku, shpresonte në sendërtimin e ëndërrës së madhe të bashkimit të shqiptarëve në një Shtet të vetëm. Kështu ai përqafoi vijën politike të Mustafa Krujës, e pranoi të bënte pjesë në qeverinë e tij, duke marrë postin e zv.ministrit të Brëndëshëm, mbasi atë të ministrit e mbante vetë kryeministri. Ishte ministria më e rëndësishme në kabinet, sepse duhej të ruante barazpeshat e detyruara ndërmjet mëtimeve të pushtuesve e kërkesave të shqiptarëve. Marku ishte ministri më i ri në moshë i një kabineti që shquhej për cilësinë e lartë profesionale dhe integritetin moral të gjithë pjestarëve të tij.

Pak muaj mbas betimit si zv. Ministër, i ngarkuar nga kryeministri Kruja, u angazhua në shpëtimin e 320 familjeve hebrenje, duke u shpërngulur nga Kosova në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, z. Engjëll Çoba e ndonjë tjetër pëfaqësues të  qeverisë, shkuan në Kosovë e në fshehtësi shpërngulën në Shqipëri hebrenjtë e vendosur në Kosovë mbas ribashkimit të trojeve, të cilët ishin shënuar në dokumentet e Legatës gjermane në Beograd. Këto familje hebrenje u pajisën me dokumente zyrtare letërnjoftimesh me emra shqiptarë, siç ishte rënë në ujdi ndërmjet Mëkëmbësit Jakomoni e kryeministrit Kruja.

Miqësia me Mustafa Krujën erdhi duke u forcuar gjithënjë e më shumë, duke vërtetuar fjalët e Koliqit në lidhje me bindjet e Markut mbi politikanët shqiptarë. Më 12 korrik 1942 Mark Gjomarkaj ishte në Bari të Italisë, në ceremoninë e martesës së birit të parë të kryeministrit, Petritit, me vajzën e gazetarit kolonjar Sotir Gjika, Elenën. N’atë ceremoni ai nënëshkroi në regjistrin e Bashkisë, si dëshmitar nga ana e djalit, së bashku me Shuk Gurakuqin, ndërsa dëshmitarë të vajzës ishin Gjovalin Kamsi e Kostandin Kotte. Mustafai i zgjodhi dëshmitarët ndërmjet miqve e antarëve të kabinetit e Marku ishte më i riu prej tyre, dy vite më i madh se vetë dhëndërri.

Ai qëndroi në atë qeveri deri në fund e dha dorëheqjen, së bashku me të gjithë ministrat e tjerë kur Mustafa Kruja vendosi të ndërpresë detyrën e tij së bashku me veprimtarinë politike, si pasojë e mos pranimit nga ana e autoriteteve italiane, për të hetuar e marrë masat përkatëse ndaj vrasësve të Qazim Koculit, komisar i lartë i qeverisë për Vlorën, i ngarkuar me një mision të fshehtë nga kryeministri, mik e bashkëpuntor i tij.   

Marku u tërhoq në Shkodër e në Oroshin e tij. Ai tashmë , megjithëse vetëm 30 vjeçar kishte familjen e tij, të përbërë nga një shejtëreshë, që ishte bashkëshortja e tre fëmijë të vegjël, dy vajza, Kristina e Çelestina dhe djali, Gjoni. Por gjëndja në Shqipëri keqësohej dita ditës. Marku e kuptonte se e ardhmja e saj vihej në rrezik nga një përfundim i luftës, në të cilën mund të dilte fitues Fronti Nac-Çl. Me partinë komuniste në qëndër, të drejtuar nga jugosllavët e me mbështetjen e aleatëve që kishin vendosur të mos njihnin kufijtë e krijuar nga lufta e që përkrahnin ardhjen e komunistëve në pushtet.

Shkruan Kol Bib Mirakaj në librin e tij të kujtimeve “Vetvrasja e një Kombi : “Që në verë të 1942-shit, në ndeshje me forcat e Milicisë sonë në Mal të Zi, nji të vramit malazez i kje gjetë në trup nji dokument që përcaktonte masakrimin e Shqiptarëve të Kosovës dhe okupimin e Shkodrës…. 

Plani “Mihajloviq” ishte aq i kjartë e i tmerrshëm ndër synimet e tij për shfarosjen e të gjithë shqiptarëve, sa çdo shqiptar me ndërgjegje përgjegjësie para kombit e historisë, duhej prej atij çasti me drejtue veprimin e vet drejt forcimit ushtarak të Vendit, që mund t’arrihej vetëm në harmoni me “okupatorin” e jo me sabotime dhe provokime.”  

Kjo frazë e fundit e Mirakajt përmbledh në vetvete, me pak fjalë, tragjedinë e vërtetë të problemit shqiptar gjatë luftës së Dytë botërore. Ai, copëzimi i bashkësisë, me njohjen e të drejtave sërbe, greke, maqedonase e malazeze lakmisë grabitqare të fqinjëve, duke mos mbajtur parasysh asnjë nga arsyet historike, gjeografike, etnike të popullsisë shqiptare mbi trojet e tyre, të rrëmbyer padrejtësisht e barbarisht në një periudhë kalimtare, kur Turqia ishte në perëndimin e fuqisë së saj perandorake e Shqipëria ishte një bebe e sapo lindur, shkaktuan padrejtësinë më të madhe që pësoi populli shqiptar në shekullin e atomit. Fatkeqësisht, aleatët perëndimorë, në bashkëpunim me Rusinë, që përcaktuan këtë padrejtësi, madje atë katrahurë të shqiptarëve, nëpërmjet konferencave të Londrës e të Parisit, shpallën vendimin e tyre edhe gjatë luftës, për të ngulur këmbë n’ata qëndrime, të cilat shkaktuan zëmërim të ligjshëm tek shqiptarët. Kundërshtarët e tyre, pjesëmarrësit e Boshtit, u a kthyen atyre të drejtën e bashkimit të atdheut. Prandaj pjesa më atdhetare e tyre e quajti parësore këtë gjë e nuk vendosi të luftojë kundër ushtrive të tyre, edhe se ishin pushtuese.

Historia e fituesve duhet t’a kuptojë qëndrimin e asaj klase politike shqiptare, që qe e vetmja në Evropën e luftës së Dytë botërore që nuk i u nënështrua politikës antisemite kriminale të Gjermanisë e Italisë e i vunë Vëndit të tyre një kurorë dafinash të fituesve moralë, edhe se praktikisht të mundur. Ai qëndrim nuk ishte në dobi të diktaturave, madje synonte një Shqipërin në sintoni me vlerat më të spikatura të traditës arbërore, por edhe të demokracive të Perëndimit, por një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë e jo të ndarë në të gjithë fqinjët e saj.  Lufta e vendimet e saj sollën në Shqipëri Shtetin e rindarë me fqinjët, e një diktaturë më të keqe se ajo e pushtuesve gjatë luftës. Nuk ka asnjë lloj arsye njerëzore, që të mos u japë të drejtë atyre drejtuesve shqiptarë, ndërmjet të cilëve edhe Mark Gjomarkaj, pavarësisht fundit të tyre dhe përfundimit të tyre.

Oficerët e misioneve angleze dhe amerikane, në vetvete e kuptonin se nuk ishte në dobi të tyre e të Shqipërisë një qeveri komuniste e mbas luftës, se lëvizja kombëtariste duhej të përkrahej krahas asaj komuniste. Por e para mbetej në hijen e së dytës sepse për të dytën problemi kombëtar nuk kishte asnjë farë rëndësie, mbasi ata ishin ngritur për të luftuar për atdheun e Stalinit e të komunizmit ndërkombëtar. Veç asaj shenjat e ndryshimit të epërsisë luftarake vinin nga Rusia e Stalini kërkonte pjesën e tij nga fitorja e mundëshme. Marku e kuptonte se e vetmja shpresë që mbetej ishte ajo e asgjësimit të lëvizjes komuniste e afirmimit të një lëvizjeje të bashkuar kombëtariste që duhej të përbënte një forcë të konsiderueshme edhe në sytë e anglo-amerikanëve. Prandaj ai i dha përparësi krijimit të një fuqie ushtarake me besnikët e krahinës së tij e përpjekjeve për të gjetur një gjuhë të përbashkët me Lëvizjen e Legalitetit të Abaz Kupit e Ballin Kombëtar të Mithat Frashërit, të cilët, mbas prishjes së marrëveshjes së Mukjes e kishin kuptuar se mbas luftës nuk do të kishte asnjë mundësi pjesëmarrjeje në qeverisje me partinë komuniste. Këto përpjekje synonin t’i dilnin përpara një rreziku që, me gjasë, i kërcënohej Shqipërisë së bashkuar nga zhvillimi i luftës.

Një strategji e tillë, që të mbante parasysh interesin madhor të Shqipërisë, ruajtjen e kufijve të vitit 1941, ishte bërë urdhërues për të gjithë atdhetarët kombëtaristë, edhe se ndërmjet tyre kishte ndryshime herë herë të theksuar pikëpamjesh e vlerësimesh të gjëndjes në Shqipëri e jashtë saj, në marrëdhëniet me botën që n’a rrethontee në të cilën bënin pjesë. Shumllojshmëria e mendimeve, e vlerësimeve dhe interesave përcaktoi një gjëndje pasigurie që çonte në mos veprime e pritjeje që nuk qenë aspak të dobishme për strategjinë kombëtare. Politikani atdhetar Kol Bib Mirakaj, ish ministër i partisë fashiste në pjesën e dytë të kabinetit të Mustafa Krujës, më vonë titullar i dikasterit të Punëve të Brëndëshme në qeverinë e dytë të Eqerem bej Vlorës, në librin e tij me kujtime “Vetvrasja e një Kombi”, ndoshta vepra më e saktë e më e plotë, përsa i përket vërtetësisë historike, e shkruar mbi periudhën e luftë së Dytë botërore, tregon mbi bisedën që ka zhvilluar me Benito Mussolinin  në Romë, më 23 prill 1943, në prani të zotërinjve Hilmi Leka, Vasil Alarupi e Hysref Frashëri, në të cilën ka shtjelluar me guxim qytetar e largpamësi politike problemet që shtroheshin para Shqipërisë n’atë çast e në t’adhmen, madje duke hamendësuar edhe një humbje të luftës nga Italia dhe Gjermania. Ja disa nga pikat e shtruara nga Mirakaj në marrëdhëniet ndërmjet Italisë e Shqipërisë:

“1.Asht ba gozhdë e ngulun e shqetsim i përgjithshëm në mendje të Shqiptarëve:  Frika e kolonializimit, që si rrjedhim do të sillte shkombtarizimin e ngadalshëm tek ne.

Populli shqiptar duhet të sigurohet për tash e për t’ardhmen nga synimi i kolonializimit, t’i hiqet ky preokupim.

2.Asht nevojë imperative dhe e ngutshme me rikrijue ushtrinë shqiptare ashtu si e keni premtue Ju, me komandë të veten, me flamurin e vet kombtar dhe me divizione të veta, dhe njiherit me përgatitë planin e mobilizimit të përgjithshëm, qi të mund të përballojmë për kohën e nevojshme rrezikun që U tregova. 

3.Italia, ka detyrë ta venë në gjendje Popullin shqiptar të mbrohet nga rreziku i shuemjes nga faqja e Dheut. Ma interes ka Italia të jetë populli Shqiptar  mik në bregun kundruell Adriatikut, se sa i shuem e i zëvendësuem nga anmiq të fortë e të papajtueshëm t’Italisë.

4.Asht nevojë e domosdoshme që kjo kolonë e pestë e sllavizmit të zhduket rrajsisht, para se të mundet me krye krimin që synon dhe që i asht ngarkue nga Kremlini.

5.Në kët raport, U kam ba edhe nji propozim që mund të prekë sensibilitetin: pushimin e funksionit të P.F.SH. dhe zëvendësimin e saj me Lëvizjen e Birëve të Shqipes…

Nji lëvizje kombtare për të kenë i sigurtë suksesi i saj, duhet të ketë zanë fill nga ndijesitë e tradicioni i Popullit. Ju vetë e keni thanë se fashizmi nuk asht për eksportim, pra nuk mund të kopjohet integralisht, siç ban komunizmi. Tentativa e disa jerarkëve me e kopjue në Shqipni,  e ka sjellë në negativitet.”

            Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

June 14, 2023 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.” – FIODOR DOSTOJEVSKI

Këto fjalë të shkrimtarit gjenial rus, njërit ndër më shquarit, në mos më I shquari në studimin e në zbërthimin psikologjik të natyrës njerëzore, duket sikur janë shkruar enkas për jetën dhe veprën e një shqiptari me Sh të madhe, që u flijua në malet e Mirditës së tij legjendare, për idealet e Shqipërisë e të Shqiptarizmit në moshën në të cilën dymijë vite më parë u vu në kryq Jezu Krishti, për të shpëtuar njerëzimin nga mëkatet e tij në gjyqin e fundit. 

Sot mbushen plot 77 vite qe u ngjit në amshim shpirti i Komandantit Mark Gjomarkaj që mbeti “theror” i idealit te tij në krye të detyrës për të kundershtuar me çdo mjet te mundshëm rënien e Shqipërisë nën thundrën e regjimit komunist mbas luftës së Dytë botërore.

Kjo e fundit qe një varg provash për vetë shqiptarët. Pushtimi italian i Shqipërisë shkaktoi dhimbje e zhgënjime edhe n’atë pjesë njerëzish që i kishin parë marrëdhëniet me Italinë si një rrugë të drejtë për të hyrë në Perëndim, mbas gati pesë qindvjetorësh të sundimit të perandorisë osmane në Shqipëri. Por pushtimi ushtarak i 7 prillit 1939 tregoi se ajo rrugë nuk ishte e lehtë dhe kishte çmimet e saj. Ndoshta një nga çmimet më të larta për t’u paguar ishte, veç lirisë së rrëmbyer, copëzimi i ideve, projekteve e mendimeve që lindi ndërmjet shqiptarëve para gjëndjes së krijuar.  

Tre vitet e para të pushtimit shënuan një farë “qetësie”, në të cilët shqiptarët pothuajse e ndjenë pak peshën e luftës. Mbreti Zog kishte lënë autoritetin e tij politik në Vënd. Opozita kundër-zogiste ishte kthyer në atdhe e kishte filluar veprimtarinë esaj në organizimin e forcave të reja politike. Lufta kundër pushtuesve nuk kishte marrë ende format e saj zyrtare, sepse qëndresa e armatosur, mbas ditëve të para të prillit 1939, ishte zbehur, e përfaqësuar vetëm nga grupe të vogla mbretërorësh.

Kultura ishte ajo pjesë e superstrukturës që shënonte arritje të dobishme nën ndikimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, që kishte mbledhur në gjirin e tij forcat më të shëndosha intelektuale të Vëndit, madje edhe të studjuesve italianë dhe arbëreshë. Komunistët, të ndarë në disa grupe, në sajë të traktatit Ribentrop – Molotov shijonin kohë “qetësie”, duke pritur krijimin e proletariatit për të zhvilluar revolucionin , simbas mësimeve që vinin nga Ndërkombëtarja komuniste dhe nga Kremlini.

Gjëndja ekonomike e popullsisë ishte përmirësuar, mbasi ishte krijuar një farë bollëku nga një prirje e qeverisë italiane për të bindur shqiptarët se “Bashkimi i kurorave” ishte një dobi për ta, e që mbeti në kujtesën e përfytyresën shqiptare, edhe mbas shumë vitesh si “koha e Italisë”. Kjo gjëndje palëvizshmërie e përgjithëshme ndryshoi papritmas në prill 1941, me bashkimin e trojeve me popullsi shqiptare, të mbetura jashtë Shtetit shqiptar në Konferencën e Londrës më 1913. Kjo ngjarje e re elektrizonte gjithë popullin shqiptar brënda e jashtë Shqipërisë zyrtare. Ishte një ngjarje madhore, që kurorëzoi ëndërrat e shqiptarëve për bashkimin kombëtar e krijoi mundësi për të ngritur institucionet e shkollat në gjuhën shqipe në Kosovë e në trojet shqiptare në Maqedoni e në pjesë të Malit të Zi e zonat e Liqejve. Sidomos të rëndësishme qenë hapjet e shkollave, të cilat edhe më vonë, me rikthimin e atyre trevave në zotërim të Jugosllavisë, si pasojë e nënështrimit të fituesve të luftës politikës jugosllave, mbetën të hapura e përcaktuan shkollimin në gjuhën amtare të fëmijëve shqiptarë. Si pasojë e veprimtarisë së palodhur të dy ministrave atdhetarë të atëhershëm të arsimit, prof. Ernest Koliqit e dr. Xhevat Korçës, u vunë në shërbim të shkollave në “Tokat e lirueme” qindra mësues nga “Dheu amë”, me zellin më të madh për t’i shërbyer idealeve kombëtare. 

Vera e atij viti shënoi thyerjen e traktatit të mos sulmimit ndërmjet Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik, që pati pasojat e saj edhe në Shqipëri, si në të gjithë Evropën, në të cilën filloi të organizohej qëndresa e të majtëve, të drejtuar nga partitë komuniste. Kështu edhe në Shqipëri, grupet komuniste të Korçës, të Shkodrës e të Tiranës, vendosën të krijonin partinë komuniste, nën mbikqyrjen dhe drejtimin e Miladin Popoviçit e të Dushan Mugoshës, të dërguar të partisë komuniste jugosllave, edhe se në Mërgatën shqiptare kishte mjaft elementë komunistë që kishin qënë në Bashkimin Sovjetik mbas vitit 1927.  

Ngjarjet e vitit 1941 polarizuan mendimin politik shqiptar në disa drejtime e krijuan të çara në të, përsa i përkiste qëndrimeve të ndryshme ndaj pushtuesve italianë. Klasa politike kundër-zogiste, që në mërgatën 15-vjeçare ishte organizuar në Bashkimin Kombëtar e në grupin e Zarës, në ata vite përbënin pjesën kombëtariste të politikës, së bashku me Lëvizjen e Legalitetit. Ndërsa Bashkimi Kombëtar krijoi Ballin Kombëtar, grupi i Zarës, i drejtuar nga Mustafa Kruja që, në dhjetor 1941 u bë kryeministër, bashkëpunonte me italianët, në perspektivën e ruajtjes së Tokave të Lirueme, që quhej si arritja më e rëndësishme për interesat shqiptare.

Tashmë çështja e pushtimit ishte parë se, në kuadrin e luftës do të kishte përfundimin e tij jo më në Shqipëri, por në frontet e tjera të mëdha, si ai i Rusisë apo i Evropës Perëndimore. Për Shqipërinë ishte e rëndësishme të fuqizohej Shteti, në kufijtë e tij të rinj e synimi madhor ishte që ai të ruante atë gjëndje kur të mbaronte lufta, cilido të ishte fituesi.

Që nga viti 1943, qëndresa kundër italiane filloi të merrte formën e saj të organizuar. Në të bënin pjesë veç partisë komuniste edhe Lëvizja e Legalitetit e Balli Kombëtar. Që nga konferenca e Pezës më 16 shtator 1942, e deri në mbledhjen e Mukjes (1,2, e 3 gusht 1943) u krijua ideja e luftës së përbashkët kundër pushtimit italian më parë, e atij gjerman që nga vjeshta 1943, me kapitullimin e Italisë zëvendësoi këtë të fundit.

Konferenca e Mukjes, në të cilën morën pjesë Fronti Nacional-Çlirimtar me përfaqësuesit  dhe Balli Kombëtar, me një përfaqësi të zgjedhur në nivel të lartë, vendosi bashkërendimin e veprimeve luftarake të qëndresës. Në të u bisedua edhe çështja kombëtare, për të cilën Legaliteti e Balli Kombëtar kërkuan një zotim të përgjithshëm për të ruajtur bashkimin e trojeve shqiptare edhe mbas luftës. Por në atë rast ky problem, më i rëndësishmi që vihej para shqiptarëve, e që kërkonte zotimin e gjithë spektrit politik, pavarësisht nga qëndrimi kundrejt pushtimit italian, nuk gjeti një zgjidhje të vendosur e u shty për më vonë. Kështu edhe marrëveshja e firmosur nga palët pasqyroi atë pavendosmëri. Por vetë fakti i bisedës mbi problemin  bëri që të dëguarit e PKJ, që drejtonin Frontin Nac.- Çl., mbas pak ditësh të firmosjes së marrëveshjes t’a hidhnin atë në kosh, duke bërë të qartë se mbarimi i luftës nuk do të kishte asnjë tjetër parti në drejtimin e Shqipërisë, veç partisë komuniste në udhëheqje të Frontit.

Më 8 shtator 1943 Italia kapitulloi. Gjermania e zëvendësoi menjëherë me trupat e saj zbrazësirën politike duke i bërë të ditur shqiptarëve se ajo nuk kishte asnjë projekt pushtimi për Shqipërinë, por nuk do të lejonte hapjen e një fronti të aleatëve në Ballkan. Në këtë mënyrë gjermanët i linin mundësi më të mëdha politikës shqiptare të organizohej për qeverisjen e Vëndit.

Më 18 tetor 1943 u hap “Kuvendi Kombëtar”, i zgjedhur me vota të lira nga të gjitha viset me popullsi shqiptare, të bashkuara nën administrimin e Tiranës. Kjo asamble, e vetmja në gjithë historinë bashkëkohore shqiptare, që përfaqësonte edhe se jo krejtësisht Shqipërinë etnike u gjuajt me top nga ushtria partizane, si për të vërtetuar se për Frontin Nac.-Çl. Ishte më jetike mbështetja e Jugosllavisë se sa Shteti i bashkuar shqiptar.

Në këta çaste, tejet të rëndësishme për qëndrueshmërinë e vetqeverisjes shqiptare shquhet ndihmesa e Mark Gjomarkajt, si garant i zhvillimeve normale të punimeve t’asaj Asambleje kombëtare, me prurjen e treqind mirditësve t’armatosur në roje të institucioneve, duke filluar nga ndërtesa e parlamentit të vetëm të Shtetit shqiptar të bashkuar. Kush ishte Mark Gjomarkaj, të cilin shumë vite më vonë, në një tubim me rastin e krijimit të Bllokut Kombëtar Indipendent, që përkonte me çerek shekullin e vdekjes së tij, më 14 qershor 1971, profesor Ernest Koliqi do t’a përcaktonte “theror i traditës”?

Ai ishte më i madhi i nëntë bijve e bijave të Gjon Markagjonit, pinjollit të më të vjetrës shtëpi princore të aristokracisë shqiptare, prejardhja e së cilës zhytet thellë në humbëtirat e kohëve, në shekullin lavdiplotë të Gjergj Kastriotit e të Nikollë e Lek Dukagjinit, nga të cilët mendohet se është zanafilla e familjes Gjomarkaj. Një gjë është e sigurtë historikisht: në shekuj pjestarët e asaj familjeje, që ka drejtuar Mirditën e pashkelur nga ushtria otomane, kanë qënë gjyqtarët e njohur zyrtarisht jo vetëm në krahinën e tyre, por edhe në gjithë Malësinë veriore shqiptare. Ky nder dhe detyrë të zbatuar prej përfaqësuesve të kësaj familjeje dëshmon jo vetëm për autoritetin e ligjshëm që ajo gëzonte në botën shqiptare, kryesisht veriore, por edhe për aftësinë e pjekurinë e trashëguar që ata kanë treguar në ushtrimin e ofiqit më të lartë të shoqërisë. Përfaqësuesit e asaj dere mbanin titullin “kapedan” e ashtu janë të njohur në historinë e Vëndit tonë, deri në ardhjen e regjimit komunist, që ktheu në hi traditat më të çmuara të kombit e bartësit e tyre.  

Për figurën e Markut kanë shkruar, veç të tjerëve, dy nga përfaqësuesit më në zë të politikës dhe kulturës shqiptare. Profesor Ernest Koliqi dhe atdhetari Tahir Kolgjini, që e kanë njohur nga afër. Ja disa fragmente të shkrimeve të tyre. Po filloj me një artikull të të dytit, të botuar nga gazeta “Lajmëtari i të Mërguemit”, organ mujor i Bllokut Kombëtar Indipendent, që dilte në Romë, në numurin e tij të korrikut 1976, në rastin e 30 vjetorit të largimit nga jeta të shtetarit mirditor:

“…. Të gjithë shqiptarët, qi kanë flijue jetën e tyne për nji Shqipní të lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë  me qëllim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në këtë mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm  të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botërore. E kemi për detyrë…..

Sidomos për Markun, sido qi të jetë shkrue, ato nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shumë pak. Prandej edhe un, tue u mundue me tregue dishka për këtë HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesve të mij të dashtun.

Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëherë kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeti nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Italí. Rastësisht u përshndeta me tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e përcjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qëllim qi të përbâj nji mendim, fillova me tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tij ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëherë, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për ktê student të ri, si djalosh i nji derës së mirë, do të mbërrîjë në gjêndje me i shërbyem Shqipnís në kohën e ardhëshme. 

Ai qe nji student shqiptar vërtetë idealist. Mâ vonë e shoh si Nënministër i Punëve të Mbrêndshme në Tiranë, kur erdhi në fuqi qeveria e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942…..

Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipní, atê nuk e lakonte kurrgjâ në ket botë. As vdekja nuk i bânte përshtypje. Mâ vonë, me dorëheqjen e qeveris së Mustafa Krujës, ai, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej, me kapitullimin e Italís në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvêndin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalistë të shquem , me qëllim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeverí.

Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msýmje, ose kërcnim. Në këtë nmëyrë ai, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjêndje  me punue me qetësi e me gjak të ftoftë….”

Shkrimtari kombëtarist Tahir Kolgjini, me një stil të përkorët  i ka lënë historiografisë shqiptare, nëpërmjet atij shkrimi, jo vetëm një dëshmi të vyer të atij HEROI të kombit, por edhe një portret të përkryer të një djaloshi që, pa mbushur ende të tridhjetat, kishte fituar shtatin e burrit të Shtetit dhe shërbyesit të zellshëm e të vyer të Kombit, në disa nga çastet më të vështira e më të brishta të qënies së tij.

Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika

PAQEJA DHE MBROJTJA, NDESHJA DYFISHE N’EVROPË

May 26, 2023 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Të lexohet tani politika e Anxhela Merkelit kundrejt Rusisë ndihmon të kuptohet se cili ka qënë “gabimi” i vërtetë i Perëndimit, përgjegjësia e vërtetë e tij, në luftën në Ukrainë.

Takimi i nivelit të lartë të G7 në Japoni, mbi të gjitha ka qënë një pranim. Ka shënuar ndryshimet rrënjësore që prej kohësh tashmë janë në veprim ndërmjet West and the rest, ndërmjet Perëndimit dhe pjesës tjetër të botës. Të mbyllura kllapat e një periudhe që zgjati vetëm pak dhjetëvjeçarë, mbas fundit të Luftës së ftohtë, në mbizotërimin e pakundërshtueshëm të amerikanëve, të gjithë duhet të bëjmë përsëri llogaritë me shemërinë tradicionale, të ashpër të fuqive të mëdha. Siç ka qënë gjithmonë. Është vullneti i Kinës për të rishkruajtur rregullat e bashkëjetesës ndërkombëtare në pajtim me tashmë statusin e saj të mbifuqisë. Edhe duke përdorur fuqinë (Taivani) nëse do t’a quajë të nevojshme. Dhe është belegu rus Perëndimit (Ukraina). Mund të thuhet se në rastin e evropianëve, të mësuar, në sajë të mbrojtjes amerikane, me një paqe të gjatë që vazhdon që nga fundi i luftës së Dytë botërore, nuk do të kishte qënë asnjë zgjim, asnjë pranim pa mësymjen ndaj Ukrainës. Më 24 shkurt 2022 (fillimi i mësymjes ruse) evropianët papritmas zbuluan se n’atë mëngjez ishin zgjuar në një botë të re.

Asgjë nuk tregon më efektëshëm ndryshimin e përceptimeve e të gjykimit nga ana e evropianëve se sa ndodhia e Anxhela Merkelit. Duke folur ndihmon për të kuptuar se cilët janë problemet me të cilët evropianët do të përballohen sot.

Mund t’a përmbledhim në një formulë parabolën e ish kançelares gjermane: nga “menjëherë shënjtëreshë” në “Merkeli, kush?”. A e kujtoni? Anxhela Merkel u festua nga shumë evropianë (italianët në krye) si njëra nga shtetaret e mëdha të shekullit, një drejtuese që, për shumë vite, kishte udhëhequr me urtësi jo vetëm Gjermaninë por edhe Bashkimin Evropian në tërësinë e tij. Por shtati i saj politik aq i festuar, fama e saj e madhe, u bënë copë e çikë kur Putini filloi mësymjen e Ukrainës. Papritmas u kuptua ajo që, në mënyrë të fajësueshme, nuk ishte kuptuar më parë: nëse përqafon një egërsirë (siç bëri Merkel me Putinin) në përpiekje për t’a zbutur, ajo shpejt a vonë do të të shqyejë. Politika e Merkelit kundrejt Rusisë ndihmon të kuptohet se cili qe “faji” i vërtetë i Perëndimit, përgjegjësia e tij e vërtetë, në luftën në Ukrainë. Simbas teorikëve të dy imperializmëve të barazvlefshëm (rus e amerikan), është NATO, me politikën e saj të shtrirjes në Lindje, shkaku i luftës në Ukrainë. Por faji i Perëndimit (që është), është ai i mos vënies në zbatim prej kohësh i masave bindëse që ndoshta do të kishin shkurajuar imperializmin rus: nuk është përqafimi, por tundja para hundës së saj të një shkopi të trashë që të mund të ndalonte egërsirën për të kafshuar. Merkeli nuk ishte përgjegjësja e vetme. Përgjegjësia më e madhe, natyrisht, i takon Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve të tjerë, si francezët e italianët, që bënë pjesën e tyre duke dhënë ndihmesën në vërtetimin e katastrofës. Por Merkeli, pikërisht sepse ishte në krye të Shtetit më të fuqishëm evropian, pati një rol vendimtar.. Nuk u shqetësua aspak (ashtu sikurse evropianët e tjerë) për sulmin ndaj Gjeorgjisë të 2008-tës, Merkeli zgjodhi të mos shohë se çfarë Rusia po i përgatiste botës. E vazhdoi (në mënyrë djallëzore) më 2014, kur Putini mësyu Donbasin e mori Krimenë. Për të parën herë mbas luftës së Dytë botërore, një fuqi e madhe dhunonte tabunë mbi të cilën themelohej paqja n’Evropë (tabuja simbas së cilës, kufijtë mund të ndryshohen vetëm nëse janë të shkëmbyeshëm me dëshirën e dy palëve), por Merkeli nuk e ndryshoi as edhe për një milimetër qëndrimin e saj kundrejt Rusisë. Së bashku me mikun e saj, Putinin, ajo i vuri rreth qafës së një Ukraine të raskapitur lakun e quajtur “marrëveshjet e Minskut”. Për më tepër, ndërsa shtirej sikur nuk shikonte e nuk dëgjonte, nën qeverinë e saj, mbas 2014-ës vartësia e Gjermanisë kundrejt gazit rus u shtua në vënd që të pakësohej. Është e vërtetë: edhe Italia bënte të njëjtat gjëra, por është dukëshëm se nëse Gjermania do të kishte këmbyer politikë, italianët do të kishin qënë të detyruar të përshtateshin.

Është ky grumbull gabimesh që shpjegon se pse gjykimi i përgjithshëm mbi Anxhela Merkelin ka ndryshuar kaq shpejt. Ish kançelarja na ka lënë (krejtësisht pa dashje) një mësim mbi atë që nuk mund e nuk duhet bërë.

Në Ukrainë luhen njëherësh dy ndeshje. E para ka të bëjë, natyrisht, me fatin e atij Vëndi. Mbështetja perëndimore është jetike për të ndihmuar ukrainasit për të liruar tokën e tyre nga pushtuesi. Ndeshja e dytë, po aq jetike për ne e për paqen n’Evropë, ka të bëjë me nevojën për të krijuar pikërisht atë që ka munguar e që shpjegon mësymjen: një sistem frikësimi, aq të fuqishëm e kryesisht aq të besueshëm sa të ndalonte në t’ardhmen përpjekjet për të vënë përsëri në diskutim kufijtë evropianë, në vetëdijen se të gjithë do të duhej të kishin n’atë pikë, se ajo është e vetmja rrugë për të pamundësuar një luftë të përgjithëshme n’Evropë.

Por që një sistem frikësimi i vërtetë të jetë i rimëkëmbur e në gjëndje të t’i qëndrojë kohës, varet jo vetëm nga përfundimi i luftës në Ukrainë, por edhe nga vendosmëria me të cilën perëndimorët do të dijnë t’a mbështesin. Do të jenë drejtimet që do të mbizotërojnë në demokracitë tona, të cilët do të vendosin nëse ato do t’arrijnë t’a mbrojnë paqen me masa të përshtatëshme ose nuk do t’i a arrijnë. Opinionet publikë janë të ndara, n’Amerikë si n’Evropë, përsa i përket Ukrainës. Deri kur do të jetë e mundur n’Evropë të përmbahen trysnitë e asaj pjese të opinionit publik (n’Itali është tepër e fuqishme), që ka bërë të veten, duke i a përshtatur kohëve të reja (pas komuniste), fjalën e urtë të lashtë “më mirë të kuq se të vdekur”? Po atë pjesë të opinionit publik për të cilën ajo që ndodh n’Ukrainë nuk ka të bëjë me ne, ne duhet të shohim punët tona, nuk duhet të rrezikojmë që Putini të fillojë edhe me ne. Janë drejtime të përhapura që pakica të politiçizuara, kundëramerikane më shumë se filo-putiniane, kërkojnë të shfrytëzojnë për të detyruar fundin e mbështetjes evropiane ndaj Ukrainës.

Paqeja n’Evropë është e varur në aftësinë e amerikanëve dhe evropianëve për t’i qëndruar sirenave t’atij që, për një jetë të qetë, do të donte të n’a kthente në të paarmatosur, të pambrojtur. Çështja e Anxhela Merkelit na mëson: në hapësirë kohe, nuk janë zgjedhjet që dukeshin më popullore në çastin ato që përcaktojnë madhësinë e një udhëheqësi. Janë më të drejtat.

“Corriere della Sera”, 21 maj 2023 Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Reportazh Tagged With: Eugjen Merlika

JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE

March 27, 2023 by s p

Nga DANILO TAINO/

Një Vënd fashist tek dyert do t’ishte një tragjedi e një kërcënim vdekësor për Evropën e për shoqëritë evropiane. Debati italian, gjithënjë e më i ndezur, mbi armët që shërbejnë për të mbrojtur Ukrainën do të duhej të bënte llogari me pasojat që do të kishte qoftë edhe vetëm një gjysmë-fitoreje e Moskës. Sepse e vërteta e trishtuar është që Putini e ka kthyer Rusinë në një Vënd që tashmë ka praktikisht të gjitha karakteristikat që e bëjnë një Komb fashist. Drejtuesi i Kremlinit ka vetëm një mundësi që të mos humbasë: që t’a lejojmë ne. Për këtë është e rëndësishme të dihet se çfarë pasojash dramatike do të kishte një sukses, qoftë edhe i pjesëshëm i agresionit të tij.

Një përcaktim shkencor i fashizmit nuk ekziston. Por të gjithë mund të bijen në ujdi mbi disa karakteristika që kanë regjimet e atij lloji. Nuk kanë zgjedhje të lira. Përndjekja e kundërshtarëve dhe shtypja e së drejtës së kritikës janë rregulli. Shteti është i policisë. Të gjithë institucionet janë të kontrolluar nga pushteti politik. Ekziston kulti i udhëheqësit. Propagandohet miti i së shkuarës së lavdishme të Kombit. Përdoret ideja e familjes tradicionale për të mënjanuar të ndryshmin. Por më pas bijtë e këtyre familjeve hidhen në luftë me këpucë kartoni, si mish për top. Ngrihet lart kulti i vdekjes. Organizohen mësymje pushtimi kundrejt Vëndeve të tjera. Shpiken simbole për të shtirë tmerre, si kryqi i thyer apo gërma Z. Gjindet një armik, i nevojshëm për të ligjësuar çdo veprim të regjimit: ata kundër nesh. Janë karakteristika që i përshtaten përsosmërisht Rusisë së Putinit. Me një shtesë: është ai vetë që shpik një armik nazist, në mënyrë që të tregohet trashëgimtar i lavdive të Bashkimit Sovjetik. Por nuk janë fjalët e propagandës që ndryshojnë realitetin: sot Vladimir Vladimiroviçi drejton një regjim fashist. Jo rastësisht është i paditur për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Nëse në ndonjë farë mënyre do të kishte ndonjë fitim në Ukrainë, për demokracitë e gjithë botës, veçanërisht për ato evropiane, do të hapeshin vite, ndoshta dhjetëvjeçarë  errësire. Çdo lëvizje jo liberale do të ndihej e fuqizuar. Duke mbajtur parasysh atë që ka ndodhur në Ukrainë, pjesë ndoshta jo të parëndësishme të opinioneve publike do t’ishin të gatëshme të mos kundërshtonin kërcënimet që sigurisht Moska do të kishte bërë, e siguruar nga politika e saj agresive: “më mirë të nënështruar se të vdekur” do të ishte një frazë që vrapon. Liria e tregut do të dorëzohej për t’u zëvendësuar nga një drejtueshmëri mbytëse e Shtetit. Disa Vënde, gjeografikisht më afër Rusisë – e për këtë sot kundër saj – do të kërcënoheshin drejtpërsëdrejti në pak kohë: tre Shtetet balltikë, Polonia, Sllovakia, Republika Çeke, me gjasë Finlanda. Jo mësymje, që ndoshta nuk do të ishin as të nevojshme më për Kremlinin, por trysni ekonomike, fushata të rënda çinformimi e sabotimi.

Dhe në Vënde të tjera evropiane, financime  forcave kundër-demokratike, fushata propagandash deri në nxitje për destabilizim. Ndoshta veçanërisht fushata për të thyer qëndrueshmërinë e NATO-s e për të lënë Evropën të prekëshme siç nuk ka qënë prej dhjetëvjeçarësh. Truaj mbi të cilët Putini sigurisht do të gjente mbështetjen e fuqishme të Kinës së Xi Jinpingut. BE vështirësisht do t’i qëndronte diçkaje të tillë. Shtatë dhjetëvjeçarë integrimi e rritjeje demokratike, përveç ekonomike, do të rrezikoheshin të merrnin fund. Do të shtoheshin grindjet mes evropianëve. Më shumë se një Vënd do të gjëndej i vetëm e i veçuar. Si do t’a përballonte një trysni të këtij lloji kuadri politik i dobët e shpesh i çatrafilluar italian? A do t’i qëndronte kërcënimeve e miklimeve të Moskës e Pekinit? Shkopit e karotës që do të bëheshin rregulla e marrëdhënieve ndërkombëtare?.

Kuadri me ngjyra të zeza i ravijëzuar  mund të quhet i tepruar. Jo gjithshka do të sendërtohej në mënyrën e përshkruar.  Por është e sigurtë që një Vënd fashist fitues e n’atë pikë i fuqishëm në dyert e Evropës do të nxiste një krizë qenësore të demokracive evropiane e të insitucioneve që kanë krijuar. Do të shkatërronte modele jete të shoqërive të tëra. E do të kishte përmbysur kuadrin politik në një numër jo të vogël Vëndesh: sigurisht në Itali, me gjasë në vetë Francën e në Gjermaninë gjithmonë të tërhequr nga Rusia; Vëndet e ish bllokut sovjetik do të dridheshin.

Por veçanërisht Putini ka treguar gjithë paqëndrueshmërinë e dobësinë e tij dhe skenari i natës së errët do të sendërtohej vetëm nëse ne do t’i a lejonim. Armët për ukrainasit që vdesin edhe për ne janë armë për të ndaluar fashizmin e Putinit e për të mos lejuar që të përhapet. I duhet thënë italianëve.

“Corriere della Sera” 24 mars 2023   Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

NYJA E BALLKANIT PËR EVROPËN

March 2, 2023 by s p

Nga GIULIO TREMOMTI/

Sot, rropama e luftës në Ukrainë sundon heshtjen që mbështjell Ballkanin, por të dyja,  ajo rropamë e ajo heshtje, janë njësoj të rëndësishme për Evropën, sot që historia është vënë në ecje me erëra luftërash që fryjnë nga lindja drejt perëndimit.

Ballkani, muri i jashtëm mbrojtës i Evropës, një trapez i gjatë më shumë se njëmijë kilometra e pak më pak i gjërë, një zonë gjeografike e pakalueshme, jo rastësisht Ballkan në turqisht do të thotë mal, e megjithatë vënd kalimesh e përplasjesh, kështu në shekuj fabrikohet historia. Kështu ka qënë edhe 900-ta, një shekull që ka filluar me “luftërat ballkanike”, që kanë vazhduar me Sarajevon, e që kanë mbaruar me luftën e Jugosllavisë. Kjo qe një luftë vendore, por vetëm sepse BRSS qe sapo shthurur e Rusia nuk ishte shfaqur ende në qëndrimin e zotërimit. Duhet kujtuar se sidoqoftë ajo e Jugosllavisë ka qënë një rast tronditës i t’ashtuquajturës “të drejtë ndërhyrjeje”, e zbatuar nga jashtë në kohët moderne, duke tejkaluar parimet shekullore të Augustës e të Westfalisë (“cuius regio, eius religio”) (“e kujt është mbretëria, e atij është edhe besimi fetar”).

Për të gjitha këto sot, edhe se në një dukje qetësie, shihet se e ardhmja e Evropës nuk është vetëm Ukraina, është edhe Ballkani, sepse nëse për Ballkanin Evropa është e rëndësishme, edhe Ballkani është i rëndësishëm për Evropën. E rëndësishme për Evropën që sot nuk mund të ndalet në Danub, përndryshe është Danubi ai që hyn çrregullisht n’Evropë.

Brënda Ballkanit numërohen sot shtatë Shtete: Sërbia, Bosnja, Herxegovina, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut. Shtete që kanë sot të përbashkët vetëm një gjë: interesin për të hyrë në Bashkimin Evropian. Por për të tjerat, që kur nuk mbahet mënd, janë ndërmjet tyre të ndryshëm e shpesh kundërshtarë, për gjeografi dhe ekonomi, për kryqëzime prejardhjesh, gjuhësh e besimesh fetare. 

Kryesisht për atë arsye, e jo vetëm për këtë arsye, që sot për të  futur Ballkanin në Bashkimin Evropian është aq e nevojshme sa dhe e vështirë, sepse nëse Ballkani priret të jetë i pështjelluar, Bashkimi Evropian është për hesapin e vet në të kundërt një makinë politike e sofistikuar e tejet e ndërlikuar.

Një shëmbull, për të filluar: nëse Ballkani futet në BE, njëzërësia sot e parashikuar për funksionimin e saj , kalon nga 27 në 34. Kjo nuk është vetëm një e dhënë numërash, sepse kështu ngrihet në shkallën më të lartë rreziku që të shfaqen ndikime të jashtëme – ruse, islamike, kineze – ndikime të tilla sa të paralizojnë proçeset vendim-marrëse në BE. E jo vetëm aq. Edhe sikur të mos mbajmë para sysh dhjetra kilometrat e “rregullave evropiane”, që janë tashmë – lloji Bolkenstein – a mund të përfytyrohet seriozisht zotimi i Ballkanit për automobilin elektrik ose për shtëpinë e gjelbër, këto të fundit, por ide të ardhëshme “evropiane”?

Megjithatë historia mëson se të gjitha ndryshueshmëritë mund të kalohen nga Evropa me zgjuarsi e me durim politik. Në Pragë kançelari Scholz ka hapur bashkëbisedimin, në Strasburg presidenti Macron ka hamendësuar t’i shtohet asaj të BE një ingjinjeri e re më e lëvizëshme e më e rrjedhëshme institucionale evropiane, në Trieste presidentja Meloni ka folur për Ballkanin me një vështrim të madh. Të gjitha këto janë në drejtimin e duhur, të duhur për të shmangur që e paarsyeshmja të bëhet e vërtetë  e që e paarsyeshmja të jetë vdekjeprurëse.      

“Corriere della Sera”, 28 shkurt 2023   Përktheu Eugjen Merlika                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                          

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT