• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANIJA VLORA, TRIDHJETË VJET MË PARË: NJË PËRKUJTESË E STËRMADHE

June 24, 2021 by dgreca

SHKRUAN: BEPPE SEVERGNINI-PËRKTHEU:EUGJEN MERLIKA/DIELLI*

Tridhjetë vite më parë, e enjte 8 gusht 1991, anija tregtare Vora, e përshtatur për transportin e sheqerit, hynte në portin e Barit me tetëmbëdhjetë mijë shqiptarë në bord: një qytet. Atë ditë vere ndryshonte historia italiane e mërgimeve. Mbasi kishte eksportuar njerëz për më shumë se një shekull – tridhjetë milionë nga 1861 deri më 1985 – fillonim të importonim. Ende nuk kemi sosur.

Përfytyresa e Vlorës është e shtypur në kujtesën tonë të përbashkët. Anija kullonte qënie njerëzore: rrinin gjithandej  edhe mbi oxhakët edhe mbi antenat. Autoritetet italiane autorizuan ankorimin në port – çfarë mund të bënin ndryshe – por urdhëruan që anija të kthehej mbrapsht mbas pak orësh. Një gjë e pamundur, natyrisht duke mbajtur parasysh ngarkesën. Sapo mbërritën në port shqiptarët filluan të hidheshin në ujë. Një skenë madhështore e dramatike, që dukej se dilte nga fantazia e Dante Alighierit. Ndërsa ndodhte nga trasmetimi i drejtpërdrejtë televiziv, përpara një Italie mosbesuese.

Data dhe episodi më erdhën në mëndje duke lexuar”Më parë italianët (po, por cilët’)” të Francesco Filippit, historian i mendësisë (kështu e përcakton pala e kapakut të botimit Laterza). Një syzim i thatë e i dobishëm, plot me numëra e fakte, i lezetuar me idealizëm dhe i parfumuar me ideologji. Një libër që detyron t’arsyetuarit. Autori pohon se në verën e vitit 1991 Italia, për të parën herë, kthehej në Amerikën e dikujt tjetër. Shqiptarët, të hipnotizuar nga televizioni i ynë i shkujdesur i viteve 80, ishin të bindur se përtej horizontit, fillonte parajsa. E shëmbur diktatura, vinin të shikonin si ishte bërë.

Anija Vlora duhet të përbëjë një përkujtesë të stërmadhe. Dhe një qortim. Mërgimi nuk mund të mbarështohet me fatalizmin e zemrës (një iluzion i së majtës, nga Laura Boldrini tek Alexandria Ocasio-Cortes). Po nuk mund të kthehet mbrapsht, as të kontrollohet krejtësisht, siç tregon e djathta (nga Donald Trump tek Matteo Salvini para-Draghit). Historia nuk kërkon leje. Hyn pa trokitur. Ka një mërgim të pashmangëshëm dhe një mërgim të organizueshëm. Pra, të fillojmë të organizohemi. Dhe të veprojmë, të vetëdijshëm se diçka duhet të pranojmë. Përndryshe në horizont, t’ardhur nga Afrika, do të shfaqen dhjetë, njëqind, njëmijë Vlora. E atëherë do të jetë vonë.

“Corriere della Sera”, 19 qershor 2021 – Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: anija Vlora, Beppe Severgnini-Corriere della Sera-Eugjen Merlika, Eugjen Merlika

PËRSE ALEANCA ATLLANTIKE ËSHTË NJË RIKTHIM I MIRËPRITUR

June 19, 2021 by dgreca

Nga PAOLO LEPRI- Përktheu Eugjen Merlika/

Një ent i kotë? Përgjigja është jo. Dhe as një organizatë pranë “vdekjes cerebrale”, siç kishte parashikuar presidenti francez Emmanuel Macron. NATO shërben ende e do të shërbejë në t’ardhmen. As më shumë dhe as më pak se sa ka ndodhur në një të shkuar të afërt që nuk ka kaluar krejtësisht. Në kufijtë e saj, në fakt, është “kërcënimi” i Rusisë. Të “Tridhjetët” (që dje në tryezën e Brukselit është edhe Maqedonia e Veriut) dënojnë “politikat aggresive” të Vladimir Putinit, dinë shumë mirë se çfarë mendohet në Kremlin për marrëdhëniet Lindje – Perëndim e për përballimin ndërmjet liberalizmit dhe autoritarizmit në lidhjet ndërkombëtare. Rreziqet janë të shumta e roja duhet të jetë e lartë.

            Por do t’ishte e gabuar të ndalohemi në Moskë. Një aleancë strategjike ka për detyrë të shohë larg, edhe shumë më përtej kufijve të saj, në një botë ku lëviz me shumë vendosmëri një Vend si Kina që “i bën beleg sigurisë, mirëqënies dhe vlerave perëndimore”. Në 2010, vit i të fundmes formë të atij “koncepti strategjik” që do të përditësohet në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, Rusia ishte përmendur si “partner i mundshëm” dhe Republika popullore sapo ishte prekur. Tashmë është gjithshka ndryshe. 

Të ndryshohet gjuha është shenjë gjallësie, të duam të mbrojmë lirinë tonë është diçka më tepër. Me të njëjtën frymë, ndoshta, që ka nxitur vitet më të lavdishme të një organizate që ka dhënë ndihmesën e saj për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Një frymë e pranishme tani edhe në fjalët e kryeministrit Draghi, në përfundim të takimit të nivelit të lartë dje: “Duhet të jemi gati për të përballuar të gjithë ata që nuk bashkëndajnë lidhjen tonë me rendin ndërkombëtar të bazuar mbi rregulla e që janë një rrezik për demokracitë tona”.

            Sigurisht, u desh i gjithë zotimi i presidentit amerikan, që ka vënë menjëherë në dukje në Bruksel ”rëndësinë themelore” të NATO-s për interesat amerikane. Joe Biden ka bërë çmos, në këto javë, për të rivënë së bashku copërinat e shkaktuara nga papërkoritë veçimtare të para-ardhësit të tij e të antipatisë së tij përbrendësore në drejtim t’Evropës. Raporti transatllantik ishte dëmtuar nga tensione kaq të fuqishme sa që vetëm ndiesija e përgjegjësisë dhe përkatësisë politiko – kulturore të një bashkësie kanë shmangur katastrofën. Paditë e Trump-it (kush nuk e kujton udhëtimin e tij në Bruksel më 2017, kur “The Donald”mëtoi paratë e partnerëve? Rrezikonin për të nxitur kundërveprimin zinxhir për kohë të gjata, pikërisht përceptimit të vetë dobisë së Aleancës. N’atë epokë ishte normale të mendohej se Evropa duhej “të vepronte vetëm”, ose që të mund të shkonte edhe më shumë në rend të shpërbërë, në të kundërt, në marrëdhëniet me protagonistët e sfidave që përfundonin të ishin të nënvlerësuara. 

            Tani, siç po thonim, rreziku i dorëzimit tepër shpejt, ndërsa Rusia dhe Kina priren të imponojnë përparësitë e tyre, është pakësuar mjaft. Neni 5 mbi mbrojtjen e përbashkët (që Trump-i nuk pranoi as t’a mbështesë e që pasardhësi i tij e ka përcaktuar “një detyrim të shenjtë”) mund të zgjerohet në drejtim të sulmeve kibernetike. Në 45 faqet e komunikatës përfundimtare, numërohen kërcënime të reja për t’u përballuar të gjithë së bashku për t’i u ruajtur rrezikut: inteligjenca artificiale, dizinformacioni, teknologjitë e reja të raketave. Por me gjithë respektin për këto fusha të rëndësishme të veprimit, në të cilat është mirë të tregohet efektëshmëri e përbashkët, NATO-ja duket se don të thotë, ndërmjet rradhëve të 79 paragrafeve të miratuara dje nga kryetarët e Shteteve e të qeverive, se nuk ka asnjë synim të bëhet e parëndësishme.

            Nëse e gjithë kjo është e vërtetë, debati i vjetër mbi “përmasën politike” të Aleancës merr një vështrim të ndryshëm. T’i jepet përparësi vështrimeve ”jo ushtarake” për të mos biseduar mbi kundërshtinë e mundëshme të përforcimit të mbrojtjes së përbashkët evropiane nën flamujtë e Bashkimit, nga disa anë është një çështje e tejkaluar. Ajo e themeluar më 1949 në Washington, objektivisht është bërë një organizatë politike e krijuar për t’u matur me problemet e globalizimit, veçanërisht duke mbajtur parasysh lidhjen që paraqitet ndërmjet kërcënimeve të luftërave teknologjike dhe ideologjive autoritare. Tashmë që “kundërshtarët” e saj – t’i quajmë kështu – janë Putini dhe Xi Jingpingu (duke ruajtur gjithmonë dëshirën për të inkurajuar vullnetin për bisedime e bashkëpunim në zona qenësore) shtysa ideale nuk mund të mos jetë mbështetja me mjete të reja, i aftësisë më të përgjithëshme për të mbrojtur Vendet antare nga kërcënimet.

            Si përputhet ky ndryshim i dëshiruar i vijueshëm i lëkurës me praninë në brendësi të Aleancës, të “zonave të hirta”? Mendojmë natyrisht tek Turqia e Rexhep Taip Erdoganit. Nuk do t’ishte absolutisht e çuditëshme të mendohej për “rregulla sjelljeje”të detyruara – në rrafshin e mbrojtjes së Shtetit të së drejtës e mbi një rol jo agresiv në marrëdhëniet ndërkombëtare – që mund të shartojnë një mekanizëm virtuoz. Edhe në këtë mund të jetë vendimtar roli stimulues i një presidenti si Biden-i që e ka të qartë qënien e një përballimi, të shtrirë në të gjithë nivelet në botë, ndërmjet demokracive dhe regjimeve autokratikë. U pa ditët e shkuara në G7 të Carbis Bay.

            Një përmasë e re e aleancës do të thotë edhe një rishikim i organizimit të brëndshëm, në nevojën për të nxitur bashkërendimin politik ndërmjet Vendeve antare. Jo i fundit është edhe problemi i drejtimit, me që sekretari i përgjithshëm i tanishëm, norvegjezi Jens Stoltenberg, arrin në mbarimin e mandatit të tij në shtatorin e vitit t’ardhshëm. Bashkimi i rigjetur ndërmjet dy brigjeve t’Atllantikut, në një kuadër mbrojtjeje të vlerave, mund të përforcohej nga një kandidaturë të shprehur nga një Vend historikisht evropeist, makar mesdhetar. Si për shembull Italia.

            “Corriere della Sera”, 15 qershor 2021     Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Aleanca Atlantike, Eugjen Merlika, Paolo Lepri

REGAN, GORBAÇOV DHE JASHTËTOKËSORËT: DHE NË GJENEVË

June 17, 2021 by dgreca

Nga PAOLO VALENTINO– Perktheu:Eugjen Merlika/

“Zoti sekretar, po nëse Shtetet e Bashkuara do të sulmoheshin nga një fuqi jashtëtokësore, ju do të vinit në ndihmën tonë”, pyeti Ronald Regani një Mihail Gorbaçov të habitur. Drejtuesi sovjetik u përgjigj me një frymë: “Pa dyshim, zoti president”. “Edhe ne do të ju kishim ndihmuar” i a ktheu kreu I Shtëpisë së Bardhë. Ndodhte më 19 nëndor 1985, në shëtitoren buzë liqenit të parkut La Grange në Gjenevë. “Në vënd që të hynin në vilën ku ishte parashikuar takimi formal, kryetarët e dy Mbifuqive kishin befasuar protokollin, duke vendosur të bënin një shëtitje në breg të Lemanit për të shkëmbyer katër lloqe. Filloi kështu, me një premtim të ndërsjelltë aleance kundër jashtëtokësorve, takimi I nivelit të lartë SHBA – BRSS, i pari ndërmjet Reganit dhe Gorbaçovit, hyrja në një stinë të jashtzakonëshme që në rrjedhën e një pesëvjeçari do të kishte çuar në fundin e Luftës së Ftohtë dhe në shëmbjen e Bashkimit Sovjetik. 

Tridhjetëegjashtë vite më mbrapa genius loci i qytetit zviceran bëhet sfondi për Joe Biden-in e Vladimir Putin-in që, të mërkurën e ardhëshme do të kërkojnë të rimarrin perin e bisedimit, në kulmin e një faze të rëndë tensioni në marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Moskës. Edhe në takimin e lartë të vitit 1985, Regani dhe Gorbaçovi arritën mbi valën e gjashtë viteve të jetuara rrezikshmërisht. I zgjedhur më 1980, presidenti amerikan kishte filluar programin më të madh të armatimit të Mbasluftës, në përgjigje të vijës gjithënjë e më agresive të Kremlinit, që kishte arritur majën me mësymjen e Afganistanit në 1979. Lajmërimi amerikan i një shqyti yjor mbrojtës, projekti i “Luftërave Yjore”, e  kishte vënë në një qoshe xherontokracinë sovjetike, që kishte parë tre sekretarë të përgjithshëm – Brezhnjevin, Andropovin dhe Çernjenkon – të vdisnin brënda tre vitesh.

Zgjedhja e Gorbaçovit në prill kishte hapur një fazë të re. Rruga që çoi në takimin në Leman ishte e mbjellur me pengesa. Regani ishte nën trysninë e skifterëve të qeverisë së tij për të mos pranuar asnjë propozim sovjetik. Gorbaçovi haste ende qëndresa të fuqishme në brëndësi të Byrosë politike. Por Regani, edhe në sajë të Margaret Thatcher-it që e kishte takuar, dinte se Gorby ishte një drejtues i ndryshëm. Dhe ai vetë që e kishte vulosur BRSS si Perandoria e së Keqes, ishte bindur se holokausti bërthamor ishte “një rrezik i vërtetë e i shpejtë”. Jashtëtokësorët shërbyen për të thyer akullin. Gjeneva qe vetëm fillimi. M’e mira do të vinte mbrapa.

“Corriere della Sera”, 16 qershor 2021     Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Gjeneve, Jashtoksoret, Paolo Valentino

TË SHPËTOJMË ATË QË NA NDIHMON NË KABUL

June 13, 2021 by dgreca

Nga PAOLO MIELI-E përktheu Eugjen Merlika/Bën përshtypje kujdesi I pakët me të cilin mediat perëndimore ndjekin tërheqjen ushtarake nga Afganistani, që duhet të përfundojë brënda 11 shtatorit t’ardhshëm. Ushtarët që lenë tani Kabulin bëjnë pjesë n’atë kontigjent që u dërgua njëzet vite më parë, fill mbas atentatit të Kullave Binjake. Gëzonin miratimin e Kombeve të Bashkuara; misioni i tyre ishte ai i shkatërrimit të Al Qaedës, të mundnin talebanët e t’i siguronin Vendit lirinë politike së bashku me mundësinë e ushtrimit të të drejtave themelore. Fatkeqësisht gjërat nuk shkuan simbas dëshirave të OKB: asnjëri prej atyre synimeve nuk u arrit, luftën e humbëm e tani do të pregatitemi të jemi të pranishëm në skena të zakonshme në këto lloj rrethanash. Të gjithë ata që, në çfarëdo mënyre, e kanë ndihmuar  regjimin e “liruesve” do të kenë frikë se do të pësojnë pasoja e do të grumbullohen në portat e ambasadave tona për t’u lutur të mos braktisen në kthetrat e fituesve. Siç ndodhi më 1783 në kolonitë amerikane (atëherë ishin administrata dhe ushtarët britanikë që duhej të shkonin), më 1962 atëherë kur francezët u detyruan të lëshonin Algjerinë, më 1975 kur Shtetet e Bashkuara u shtrënguan të braktisnin Vietnamin, i kobshëm do të jetë humori i atyre që do të braktisin fushën.

Por akoma më i mbyllur do të jetë fati i atyre që kishin shpresuar tek “shliruesit”, dolën haptas pë t’i ndihmuar ata dhe tani do të pësojnë trajtimin që në raste të tilla i u ruhet “bashkëpuntorvet”. Do të lulëzojë – siç ndodhi në Saigon në pjesën e dytë të viteve Shtatëdhjetë – një letërsi mbi paligjshmëritë administrative të kryera në dy dhjetëvjeçarët e fundit nga disa qytetarë afganë së bashku me pushtuesit. Korrupsioni – nga ana tjetër i paditur e i dokumentuar nga mediat perëndimore – që tashmë do të shërbejë si shkak për të ndëshkuar cilindo që nuk do të dojë t’i nënështrohet regjimit të talebanëvë të rinj, duke filluar nga gratë.

Që tani lexohet për disa prej tyre të rrahura në Herat në sheshin publik. Për të tjera të gjuajtura me gurë. Për makinën e një doktoreshe të hedhur n’erë në Jalalabad. Për dy vajza që punonin për një tv vendor të vrara me të shtëna revolveri. E për një pafundësi rastesh të tjera të llojit. Gratë janë e do të jenë akoma më shumë të parat që duhet të paguajnë një çmim tejet të lartë sepse kanë zgjedhur jo për të hequr perçen – shumë e kanë mbajtur – por për fajin se kanë jetuar si njerëz të lirë. E sepse kanë rritur një brez të mësuar të jetojë me liritë që i kanë hije Vendeve jo despotikë. Në një intervistë në këto faqe dhënë Andrea Nicastro-s, Muhamed Naimi – zëdhënës i talebanëve në tryezën e bisedimeve të Doha-s, ka siguruar se nuk do të ketë probleme të këtij lloji nga çasti kur ”islami i siguron grave të drejtën e studimit e të punësimit”. Por më pas ka shtuar se “natyrisht” këto të drejta duhet të ushtrohen “në dritën e traditave afgane”. Shpresojmë të gabohemi, por neve na duket se ky bisht përmban një kërcënim.

Pak, kemi thënë, janë ata që i venë kujdes mënyrës se si po përmbyllet misioni   “Resolute Support” n’ Afganistan. Ndërmjet këtyre është Bernard-Henri Lévy që ka folur për një “nisje pa lavdi”, e ka përcaktuar si “të padëgjuar” mënyrën me të cilën afganët braktisen në fatin e tyre në përfundim, për më tepër, të një “disfate të vetëpësuar”. Pak a shumë ajo që – me të njëjtën shkujdesje – Shtetet e Bashkuara kanë bërë pak kohë më parë me kurdët në Siri dhe n’Irak.

Filozofi Michael Walzer ka propozuar që Shtetet e Bashkuara të marrin me vete të gjithë “burrat, gratë që, me familjet e tyre, janë në rrezik përndjekjeje, burgimi ose vdekjeje”. Mbi të gjitha për shkak të atij që e ka përcaktuar “mvatimi i ynë”. Njerëz që rrezikohen “drejtpërsëdrejti” sepse “kanë bashkëpunuar me ne”, ose “tërthorazi” sepse kanë demostruar për demokracinë, organizuar sindikata ose kanë hapur shkolla për të rinj”. Një bashkëpunim që ka ndodhur në dritën e diellit sepse ishte “nën mbulesën tonë”. Gjithsej bëhet fjalë për shtatëdhjetë mijë njerëz që tashmë kanë kërkuar vizën për në Shtetet e Bashkuara. T’i marrim me vete, ka thënë Walzer, “është një detyrim moral absolut”.

Në shëmbullin e fjalëve të Walzer-it, shtojmë se janë nja pesëdhjetë përkthyes që kanë shërbyer për kontigjentin italian e që tani – së bashku me familiarët e tyre (gjithsej rreth katërqind veta) – na kërkojnë të jenë të pritur në Itali për të mos pësuar pasoja për ndihmën që na kanë dhënë. Do t’ishte mirë që ministri i Mbrojtjes Lorenzo Guerrini – i cili ka treguar se është në njohuri të këtij problemi të veçantë – të zotohej publikisht për të mos i braktisur ata njerëz në fatin tashmë të shënuar. Nuk duam t’i shtojmë më shumë se pesëdhjetë të rënëve n’atë tokë, edhe të vdekur ndërmjet atyre që kanë punuar për neve.

 Një luftë që nuk merr përsipër një problem të këtij lloji është e paracaktuar të kujtohet si një përvojë pak e ndershme. Që t’a kemi humbur nuk është agjë në krahasim me turpin e të lënit të paguajnë çmimin e plotë të humbjes atyre që kanë qenë për dy dhjetëvjeçarë përbri nesh.

“Corriere della Sera”, 6 qershor 2021  E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Kabul, PAOLO MIELI

ATISEMITIZMI, KU LIND HELMI I URREJTJES

June 13, 2021 by dgreca

Nga PAOLO SALOM/Të paditet amtisemitizmi, sot duket një mundim I kotë. Është e vështirë të gjindet ndonjëri që të mos jetë I një mëndje se urrejtja kundrejt hebrenjve është një ndjenjë që I përket çasteve më t’errta të Historisë. Megjithatë gjindemi, në këto ditë të vështira, përballë një shtimi në fuqi të shumëfishtë të rasteve që është vërtetë e lodhëshme të përcaktohen në mënyrë tjetër. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë teatro rrahjesh njerëzish të njohur si hebrenj nga veshja e tyre, thirrje sharjesh para sinagogave e qëndrave kulturore hebraike, kryqe të thyera të vizatuara në muret e lagjeve që janë të banuara kryesisht prej hebrenjsh.   

Në social-ët kjo fushatë sulmuese arrin nivele marramendëse. Për të bërë vetëm një shembull: fjalia “Hitleri duhej të kish mbaruar punën e tij”, në lakime të ndryshme, është dukur së fundmi në 17 mijë mesazhe në Twitter. Arsyeja e gjithë kësaj? Lufta ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, përballimi për të satën herë në një Lindje të Mesme ku paqja duket në ikje sa herë që është gati për t’u sendërtuar. Tani, pa hyrë në arsyet e një lufte që vazhdon prej një qindvjetori e pa shpallur se Izraeli – ose më mirë qeveria e tij – nuk është e pakritikueshme, duhet të pyesim se përse sa herë që fjala, n’atë kontekst tejet të vështirë, kalon në armët, lind një cunami sharjesh (dhe veprimesh) kundër Izraelit dhe hebrenjve.

E nuk janë vetëm rrymat islamike motorri i gjithë kësaj: një pjesë e gjërë e politikës dhe e opinionit publik, nuk ka rëndësi se në ç’Vënd, hedh rregullisht helmin. Pra: ç’është antisemitizmi? Si t’a shquajmë nga kritika e ligjëshme ndaj Shtetit hebraik? Përgjigja është e thjeshtë. Është antisemitizëm çfarëdo pohimi, që duke u nisur nga problemi i pazgjidhur palestinez, i mohon hebrenjve – dhe vetëm atyre – të drejtën për të jetuar si një komb i pavarur. Njësoj si grushti i qëlluar mbi një hebre të takuar rastësisht dhjetëmijë kilometra larg Tel Avivit apo Jeruzalemit.

“Corriere della Sera”, 29 maj 2021            E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: atisemitizem, Eugjen Merlika, Paolo Salom

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT