• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BORXHE TË PAPAGUARA-PREMTIME TË PAMBAJTURA

March 20, 2021 by dgreca

(Kujtesë politikës shqiptare dhe kryeministrit Rama)

Nga Eugjen MERLIKA/

Fushatat zgjedhore i ngjasojnë shfaqjeve masive ku secila forcë politike shpalos programin e saj, parapëlqimet e saj kryesore, kritikat për kundërshtarët e premtimet për t’ardhmen. Por në gjithë këtë paraqitje të tërësishme të ideve apo dëshirave, një rol kryesor duhet të zejë llogari-dhënia, jo e parë në këndvështrimin e vetëlavdërimit e të “paradës” së sukseseve, mbeturinë trashëgimore e gjysëm shekullit komunist, por n’atë vetëkritik për të njohur mangësitë, sepse në një epokë rënieje vertikale të besimit tek politika, vetëkënaqësia mund të ketë pasoja rrënuese.

Vlen kjo për shtete të mëdhenj e demokraci të realizuara, po ashtu sikurse për shtete autoritarë e diktatorialë të cilët nuk e pranojnë në konceptin e tyre të bisedës me nënshtetasit atë formë komunikimi, që përbën bazën e proçesit demokratik të një shoqërie.  Por vlen edhe për shoqërinë tonë me shumë probleme, që ende mbetet gjysmake në sendërtimet e tyre e nuk arrin të gjejë rrugën e një normaliteti të çerekut të parë të shekullit 21.

Është krejt e papranueshme gjuha e përdorur nga kryeministri për të paraqitur tek dëgjuesit e tij në televizion apo në tubime të ndryshme kundërshtarët e tij politikë sot, aq më tepër se disa prej tyre janë ata me të cilët ka bashkëpunuar në fushën politike deri disa vite më parë. Është çështje etike politike që po rezulton tejet e vështirë për t’u përqafuar nga politikëbërësit mbas komunistë shqiptarë. Shprehje e kësaj mangësie mbetet edhe “dialektika” e presidentit Ilir Meta që bën thirrje për ndërhyrjen e popullit në mbrojtje të Kushtetutës nga “banda ndërkombëtare e lokale”. Populli nuk ka për detyrë të ndjekë në veprime dhune drejtuesit që ka mbi kokë, por duhet që, nëpërmjet votës së tij të dërgojë në shtëpi të gjithë ata që kanë pushtuar politikën prej tridhjetë vitesh.

Në këtë tërësi kundërshtish apo gjasme kundërshtish, bie në sy një mungesë, ajo e fjalës “borxh”, që duhet të rrokë edhe vështrimin makroekonomik t’ekonomisë e rritjes së borxhit publik, deri diku i ligjëruar nga dukuri madhore si pandemia apo fatkeqësitë natyrore, por edhe një forme tjetër të asaj fjale, që ka të bëjë me atë të trashëguar nga sistemi komunist e që në tre dhjetëvjeçarë nuk është arritur të shlyhet. Ajo fjalë duket se, në fushatën aktuale zgjedhore në Shqipëri, ka humbur të drejtën e qytetarisë.

Në jetën e përditëshme koncepti i borxhit ka forma të ndryshme e shënon marrëdhëniet mes njerëzve kur ai është i pranishëm, shpesh edhe duke përcaktuar ngjarje të dhimbëshme e ndonjëherë edhe tragjike. Madje edhe vrasjet e shumta të kronikës së zezë shqiptare, ndoshta e kanë burimin pikërisht n’atë dukuri. Pra koncepti është bashkudhëtar i jetës sonë e secili e zgjidh simbas mundësive të tij.

“Borxh nderi është një fjalë, në të cilën nderi është tmerrësisht i përdorur keq.” shkruante rreth dyqind vjet më parë një shkrimtar gjerman, K.J.Weber. Ideja e shprehjes është e lidhur me një borxh që nuk respektohet e që ka prirjen të mbetet i tillë, i përjetshëm, i papaguar. Një i tillë është ai për të cilin po marr mundimin për t’a trajtuar për të satën herë gjatë këtyre viteve të kalesës. Është borxhi, të cilin vetë politika dhe qeveritë shqiptare të këtyre viteve e kanë njohur në marrëdhëniet e tyre me atë pjesë të popullsisë që ka mbartur mbi shpinën e saj barrën më të rëndë të diktaturës komuniste, përndjekjen e pamëshirshme nëpërmjet burgjeve dhe internimeve të zgjatura në më shumë se dyzet vite të jetës së tyre.

Në vitet e para të tjetërsimit të regjimit Parlamenti i parë pluralist i Shqipërisë arriti në përfundimin se diktatura kishte vepruar në mënyrë të paligjëshme, duke dënuar dhjetra mijra vetë me masa të ndryshme që fillonin me vite të gjata burgimi me punë të detyruar e arrinin deri tek dënimet kapitale. Si pasojë logjike e këtij vendimi historik të Kuvendit shqiptar, lindi edhe një borxh i madh për mundësitë e shtetit të ri. Në vitet e para pati disa dëmshpërblime, më shumë simbolike, për të treguar konkretisht ndërrimin e kohëve, por nuk pati një plan të organizuar në afate të përcaktuara të pagesës së dëmshpërblimeve. Përpjekjeve të PD për të sendërtuar atë i shmangeshin socialistët, që ende nuk ishin të bindur plotësisht se krimet e komunizmit duheshin dënuar e dëmshpërblyer jo vetëm me fjalë, edhe ato tepër të matura e të pavullnetëshme, por nga vepra konkrete.

U desh të kalonin 17 vjet që qeveria Berisha – Meta të vendoste të bënte një plan masash konkrete financiare për të plotësuar pagimin e dëmshpërblimeve. Atëherë u fillua të veprohej duke i dhënë përparësi viktimave të mbijetuara të dhunës. Proçesi qe mjaft i ngadalshëm dhe shumë pak u shtri tek familjarët e atyre që nuk jetonin më.

Në 2013 qeveria e re e Rilindjes premtoi solemnisht, nëpërmjet kryeministrit Rama, se do të zgjidhte plotësisht problemin duke hartuar edhe një varg masash të përcaktuara në kohë. U tha se do të paguheshin jo vetëm të gjithë ata që ishin në jetë, por edhe trashëgimtarët e atyre që nuk jetonin më. Madje u premtua se tetë këstet e detyruara do të shlyheshin për një periudhë prej dhjetë vitesh. 

Deri në vitin 2016 u arrit të paguheshin vetëm dy këste nga tetë të caktuara. N’atë vit ish ministri i ekonomisë Ahmetaj shpalli se ata fonde “ishin ngrirë” e që nga ajo deklaratë vetëm disa kanë mundur të marrin këstin e tretë. Shkruajtësi i këtyre rradhëve pohon nën përgjegjësinë e tij se për këstin e tretë, mbas interesimit të tij pranë organeve përkatëse, përgjigja që ka marrë është se kësti i tretë do të arrijë në vitin 2022. Pra, plot gjashtë vjet për të marrë një këst. Nëse matematika është një shkencë e saktë, po të vazhdohet me këtë ritëm pagesash, moshës sime prej 78 vjeçari duhet t’i shtojmë edhe 30 vite të tjera për të mundur të marrë nga shteti borxhli dëmshpërblimin e një jete 15-vjeçare të babait, të kaluar në burgjet e kampet e ndryshme të punës së detyruar e të papaguar të regjimit komunist padrejtësisht.

Me që në qarqet e ndryshme politike të Rilindjes, në mos gabofsha, është vendosur që ata dëmshpërblime nuk duhet të vazhdojnë të paguhen më shumë se në brezin e dytë të trashëgimtarëve, pra bijt e mij nuk kanë të drejtë të përfitojnë, ata kthehen në “borxhe nderi” të shtetit shqiptar që, mbasi i ka grabitur pjesën më të bukur të jetës qytetarëve të tij, tani shmang plotësisht dëmshpërblimin për punën e papaguar të tyre. Se ku qëndron drejtësia apo morali politik e njerëzor i kësaj politike, besoj se u takon atyre që qeverisin sot Shqipërinë t’a shpjegojnë shkoqur, nëse ai është i pranishëm.

Në këtë fushatë zgjedhore, kreu i Opozitës, Basha, në trajtimet e shumë problemeve të jetës shqiptare e shtjelloi edhe këtë çështje, duke premtuar zgjidhjen e saj të plotë. Duke mbajtur parasysh përvojën e partisë së tij në këtë drejtim kur ishte në qeverisje, një farë mosbesimi mbetet i ligjshëm, por ne e marrim për ndjellamirë atë premtim deri në çastin konkret të sendërtimit të tij. Koha mbetet gjithmonë gjykatësi më i mirë.

Ndërsa rivalit të tij, Kryeministrit Rama, në morinë e premtimeve të tij për rritje financiare rrogash e pensionesh, gjëra të cilat na gëzojnë në thellësi të zemrës, sepse janë tepër të vonuara, nuk i ka shpëtuar asnjë fjalë për larjen e këtyre borxheve. Duket se ata nuk ekzistojnë aspak në “vizionet 30” apo “pesëdhjetë” të Shqipërisë s’ardhme, për të cilët ai flet me aq “largpamje” e sens Shteti. Duket se në “Shqipërinë që duam” të tij, dhjetra mijra shqiptarë që presin të marrin ata dëmshpërblime duhet të fluturojnë diku jashtë sistemit diellor, për të mos qënë të pranishëm në sendërtimin e vizioneve të lartpërmendura. Harron ai se ata borxhe janë sinonime gjaku, dhimbjesh, urie, dhune skajore deri në krim, të ushtruara pa kursim nga para-ardhësit e partisë socialiste, mbi shqiptarë të tjerë, më pak fatlumë se ai.

Do t’ishte detyrë e tij dhe bashkëpuntorve të tij të mbanin një qëndrim tjetër kundrejt dhunës dhe objekteve të saj të sistemit komunist, por ndoshta tridhjetë vite të demokraturës pas komuniste janë të “mjaftueshme” për të varrosur kujtesën e tij e detyrimet e saj e për të mbushur gojën me Evropën, Amerikën e vlerat e tyre, krejt indiferente ndaj problemeve të këtij lloji në Vendin tonë.

Për t’a përfunduar këtë shkrim të thjeshtë, që flet për një dukuri që i përket dhjetra mijra qytetarëve të Shqipërisë, po sjell një thënie të një shkrimtari gjerman të shekullit 19, M.G.Saphir, për borxhet e papaguara:

“Harrohet nga të gjithë, nga t’afërm, miq, deri edhe nga e fejuara, madje së fundi edhe nga armiqtë e tij, por kurrë nga borxhdhënësit. Prandaj kërko të bësh më shumë borxhe që të kesh mundësi të jetosh sa më gjatë në kujtesën e njerëzve të tjerë.”

Mars 2021   

Filed Under: Politike Tagged With: Borxhi, Eugjen Merlika

ISHTE NJËHERË HONGKONGU I LAVDISHËM

March 13, 2021 by dgreca

Nga Danilo Taino-Perktheu;Eugjen Merlika/

Një qytet i lavdishëm është zhdukur nga harta e ekonomive më të mira të botës. Për një të katërt shekulli  ishte ai në të cilin ishte më e lehtë për të bërë biznes: mund të hapej një i tillë e t’ishe i sigurtë në mënyrë t’arsyeshme që gjykatat vigjëlonin mbi korrektësinë e nevojshme për të bërë të shkonin mbarë gjërat. Papritmas Hongkongu është fshirë  nga Treguesi i Lirive Ekonomike që Heritage Founation përpilon çdo vit. Arsyeja e zhdukjes nga shkallëzimi është se tani nuk është më e pavarur nga Pekini, se parimi “Një Vënd, dy sisteme” ka humbur pjesën e dytë të fjalisë, se të bërët ekonomi në Hongkong nuk është e ndryshme se sa të bëhet në Shangai dhe në Shenzhen. Të njëjtat rregulla, të njëjtat metoda, të njëjtët rreziqe. Për 25 vjet ish kolonia britanike ishte gjithmonë e pra në Treguesin e Lirive Ekonomike, të llogaritur mbi bazën e faktorëve që shkojnë nga pesha e ndërhyrjrve shtetërore deri tek pavarësia e gjykatave.

            Në 2019 kishte zbritur në vendin e dytë, i kaluar nga Singapori. Këtë vit, në shkallëzimin që i referohej 2020-ës ishte zhvendosur (së bashku me Makaon), në fakt të përfshira n’ekonominë e Republikës Popullore Kineze, që në Tregues është në vendin e 107(në 178), në përkeqësim kundrejt 102 të vitit të shkuar. Në dhjetëvjeçarët e shkuar, më parë e më pas kalimit  nga Mbretëria e Bashkuar tek Kina më 1997, Hongkongu ka qënë qëndra e vetme për hapjen e saj, dera e hyrjes së ndërmarrjeve perëndimore drejt Azisë. Shumë sipërmarrje, edhe italiane duke filluar nga ato të modës, gjatë viteve e kanë bërë bazën e tyre në Lindje. Tani , nën drejtimin e Xi Jinping-ut, Pekini në fakt ka shfuqizuar autonominë dhe jashtzakonshmërinë e tij.Për një ndërmarrje demokracia dhe liria e shprehjes janë të rëndësishme. Por dyshimet e biznesit kanë të bëjnë veçanërisht me gjykatat, tradicionalisht ndër më të pavarurat nga pushteti politik, por sott ë nënështruara ligjit të sigurisë t’imponuar nga Pekini. Ishte njëherë Hongkongu.

          *  “Corriere della Sera”, 5 mars 2021      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Danilo Taini, Eugjen Merlika, Eugjen Merlika-Danilo Taini, Honkongu, Na ishte

VIRUSI, VAKSINAT, ZGJEDHJET: ÇFARË PO NDODH NË GJERMANI?

March 13, 2021 by dgreca

Nga WOLFGANG MÜNCHAU – Përktheu Eugjen Merlika/Era ka ndryshuar. Gabimet rendore të kryera nga qeveria gjermane në mbarështimin e pandemisë kanë çmontuar siguritë e hershme mbi efektshmërinë dhe sipëraninë e Gjermanisë. Gjatë një debati televiziv javën e shkuar me një grup analistësh, u fol për dështim të shtetit, pasojë e kushteve çrregulluese në të cilët kanë rënë drejtuesit e Vendit, qeveria dhe parlamenti.

            Angela Merkel, e pajisur me forcën e formimit të saj shkencor, është më shumë e prirur të dëgjojë mendimin e ekspertëve, e ndoshta kupton më mirë hollësitë e këshillave që i jepen. Por edhe ajo nuk është e paprekur nga paniku, siç ndodh tek të gjithë politikanët kur gjënden nën trysni. Javën që shkoi u detyrua të kthehej mbrapsht. Këshilltarët e saj më të besuar donin që qeveria t’I përmbahej cakut të paracaktuar të 35 infektimeve çdo 100.000 banorë, si parakusht për t’I dhënë fund lockdown-it. Merkeli adaptoi një pozitë kompromisi, duke e ngritur cakun në 100 infektime, aktualisht më shumë se sa mesatarja kombëtare që vërtitet rreth 60. Kjo do t’u lejojë disa guvernatorëve të heqin shtrëngesat, nëse do t’a quajnë me vend, megjithë vonesat në vaksinimet. Në këtë fund jave vetëm gjashtë përqind e gjermanëve janë vaksinuar, kundrejt 40 përqind të anglezëve.

            Nuk habit fakti që në Mbretërinë e Bashkuar simpatitë politike janë zhvendosur vendosmërisht në drejtimin e kundërt. Hulumtimi i fundit YouGov i jep 13 pikë më shumë konservatorëve mbi laburistët. Në fund të janarit – jo shumë kohë më parë –  e majta ishte 4 pikë përpara. Edhe këtu fatet janë ndryshuar. Por ndoshta mund të jenë të përmbysura. Këto zhvendosje masive politike duhet të na shtyjnë në përsiatje. Anglezët kanë vendosur se qeveria e tyre është duke bërë një punë të mirë, e ndërmjet tyre ka edhe shumë që kanë votuar kundër Brexit-it. Gjermanët kanë vendosur se qeveria e tyre ka gabuar gjithshka në fushatën e vaksinave. Ndërmjet tyre ka edhe shumë mbështetës të CDU-së. Vaksinat do të jenë të gatëshme, me pak durim. Pritet që nga prilli e tutje vaksinat do të shtohen në të gjithë Bashkimin Evropian. Nëse gjithshka shkon mirë, nga fundi i verës mund të arrihet një imunitet i parë e i pjesëshëm i tufës. Madje edhe në Mbretërinë e Bashkuar, me shërbimin e saj shëndetësor kombëtar, janë dashur tre muaj deri sa ingranazhet të fillonin të punonin me regjim të plotë. Të vaksinohet një popullsi e tërë përfaqëson një sipërmarrje prapavije me të vërtetë titanike, sidomos n’ata Vende, si Gjermania që kanë një sistem shëndetësor të shqëndralizuar.

            Sondazhet gjermanë kanë filluar të regjistrojnë kritikat e para për mbarështimin e krizës që nga nëntori i shkuar. Në janar, kur qëndrimi filloi të ndryshojë hulumtimet për zgjedhjet politike jepnin  një shumicë të pastër CDU/CSU-së. Ata numura sot janë në rënie. Këtë të djelë janë zhvilluar dy votime  të rëndësishme vendore në Baden – Würtenberg   dhe në Renania – Palatinato. Hulumtime e fundit zbulojnë një rënie të miratimeve për CDU-në. Nëse mbahen të qëndrueshme, këto shifra do të jenë zhgënjyese, por jo katastrofike. Nuk është ende shumë e qartë se çfarë efekti mund të kenë mbi Armin Laschet, udhëheqësi i ri i CDU-së dhe dëshirës së tij për t’u bërë kandidati i partisë së tij për kolltukun e kançelarit. Nëse përfundimet zgjedhore të kësaj fund jave nuk do të jenë në dobi të CDU-së, fati mund t’i buzëqeshë Marcus Söder-it, kryeministrit bavarez e kryetar i CSU-së, duke i siguruar trashëgiminë e Angela Merkel-it. Kush e di se shortet e CDU-së do të përmbysen përsëri sapo programi i vaksinave të marrë revanin e tij? A do të jenë të gatshëm votuesit të falin gabimet e qeverisë apo do të mbeten të bindur se gjëndja e saj është tashmë e dështuar? Kur programet e vaksinave do të kenë arritur masën kritike, qytetarët  do të qetësohen nga fundi i krizës e mund të jenë të tunduar të harrojnë të shkuarën. Megjithatë në këtë pikë do të mund të mateshin gabimet e qeverisë mbi baza statistike, duke numëruar të vdekurit. Prandaj edhe se don t’i kthejë kurrizin një viti dramatik, nuk është e qartë plotësisht nëse gjindja dëshëron të zgjedhë të njëjtët politikanë. Simbas mendimit tim, kriza pandemike do të ketë rrjedhime të gjata edhe në fushën politike.

            Analistët politikë gjermanë kanë shpikur një term të dobishëm, edhe se të vagët, Wechselstimmung, për të treguar ndiesinë e përgjithëshme që përhapet në një Vend mbi veprën e keqe të qeverisë së tij, të binjakëzuar me shpresën që një qeveri e re do të sjellë ndryshime ndjellamira. Për herë të parë nga zgjedhja e Angela Merkel në  2005, kam përshtypjen se kjo gjëndje shpirtërore po vërshon sot në Gjermani. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 e djathta kishte mbetur mjaft e zhgënjyer nga politika e saj për refugjatët, por qendra e kishte mbështetur. Sot qendra dhe e djathta janë të dyja të pakënaqura, dhe e majta as nuk e çon nëpër mënd që të formojë një koalicion me të.

            Është e çuditëshme të gjindemi sot në muajin e tretë të 2021, e duke kthyer shikimin mbrapa, të kujtojmë kohët e bukura të shkuara, kur kançelarja gjermane ishte universalisht e admiruar për drejtimin e saj në atdhe e jashtë tij, për numurat e infektimeve e të viktimave të Covid 19 të cilat ishin më t’ulta nga gjithë Vendet e tjera evropiane. Kjo ndoshta vlen të na kujtojë që Gjermania nuk është aq e ndryshme: është vetëm që shmangia nga përceptimi i vetvetes dhe i së vërtetës është pak i tepruar. E që të jetë një paralajmërim se sa rrënuese mund të jetë ndeshja me ngjarje të paparishikueshme.

            “Corriere della Sera”, 9 mars 2021       Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Wolegang Munchau

FAMILJA, PUNA, SHOQËRIA: TË RISHIKOHET ROLI I GRAVE

March 10, 2021 by dgreca

Nga CHRISTINE LAGARDE-Përktheu:Eugjen MERLIKA/

Me vërshimin e pandemisë së COVID – 19 gjithë botës i është  dashur të përballojë një vit sakrificash. Shumë kanë humbur jetën, ose të dashurit e tyre. Të tjerë kanë luftuar ashpërsisht për mbijetesë, në rrafshin fizik, emotiv e financiar. Viti që shkoi ka treguar dukshëm  se ndikimi shoqëror dhe ekonomik i pandemisë mbi jetën e grave ka qënë  veçanërisht i rëndë. Një numur jo proporcional i grave punon në sektorët më të goditur nga pandemia. Me shumë gjasë zhvillojnë veprimtari informale të pambrojtur nga programet e mbështetjes publike. Të shumtave u është dashur të kujdesen të vetme për familiarët më të rinj apo më të moshuar, ndërsa detyroheshin t’i bënin ballë detyrave të punës.   

Është shqetësuese se si këto rrethana rrezikojnë të shuajnë përparimet e arritura me çmim të lartë në frontin e barazisë gjinore. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë.

Por ka edhe shpresa ndryshimi. Krizat qenësore pështjellojnë mënyrën tonë të jetës së përditëshme e na shtyjnë të rithemelojmë disa prej vlerave tona. Pandemia jo vetëm ka hequr perden mbi mangësitë e rënda të shoqërisë sonë por na ka shtrënguar të veprojmë në mënyrë tjetër. Është pikërisht këtu që shoh mundësinë e një ndryshimi në të mirë. Për këtë sot, në Ditën ndërkombëtare të gruas, ftoj të gjithë të thyejnë skemat e të përqafojnë të reja, më të përshtatëshme ndaj nevojave të së sotmes. Familja, puna dhe roli i jonë i drejtimit janë detyra që kërkojnë shumë zotime.

Puna fillon në familje, zëmra dhe qëndra e jetës sonë gjatë izolimit. Pandemia ka nxjerrë qartësisht në dritë çekuilibrin ndërmjet burrave e grave sa i përket punës së papaguar. Por na ka vërtetuar se edhe shokët tanë mund të marrin peshën e tyre. Në disa raste etërit, të angazhuar në punë nga shtëpia apo të detyruar me një orar të punës të kufizuar, kanë marrë në dorë frenat e familjes, ndërsa nënat kryenin detyra thelbësore përtej mureve shtëpiake.

Një thyerje e tillë e normave, nëse vazhdon, mund t’i sjellë grave lirinë për t’u realizuar gjetiu, në punë e në bashkësi. Një pjesëmarrje më e gjërë e grave në botën e punës, me shërbime të përshtatëshme për ndihmën fëminore dhe një organizim jo të ngurtë në orarin e punës në dobi të grave e të burrave, do të lejonte të kryhej një hap i madh përpara në mbushjen e hendekut pagësor mes gjinive. Në BE gratë fitojnë mesatarisht 14,1 % më pak se burrat. Nëse detyrat shtëpijake janë ndarë në mënyrë më të barabartë në brendësi të familjes, bijtë rriten me një ide më barazuese të rolit në krahasim me brezat e mëparshëm. 

Kësaj i shtohet angazhimi në vëndin e punës. Pandemia ka nxjerrë në pah rolin profesional të pamohueshëm që gratë luajnë në shoqëri. Përfaqësojnë tre të katërtat e 18 milion punonjësve shoqo-shëndetësorë në zonën euro e japin ndihmesën në të njëjtën masë në botën e arsimit. Të dy sektorët kanë qenë të domosdoshëm gjatë pandemisë. Tashmë që kemi parë se cila është vlera e vërtetë e këtyre figurave për shoqërinë, është e rëndësishme që ajo të jetë e mirënjohur e të shpërblehet në mënyrë të përshtatëshme.

Ka nevojë edhe për më shumë gra dhe në fushat e shkencës, të teknologjisë, t’ingjinjerisë e të matematikës. Në këta sektorë të karakterizuar nga një trajtim më i mirë ekonomik, një prani më e madhe femërore do të japë ndihmesën që të pakësohet ndryshimi në pagesa ndërmjet gjinive. Veç asaj profesionet shkencore përbëjnë një faktor përcaktues për risinë dhe për kalimin drejt një ekonomie më digjitale dhe më të pranueshme.

Duhet të shohim përtej karrierave tradicionale: le të nxisim gratë e vajzat të shquhen n’ato fusha në të cilat pak prej tyre janë futur. Sot Banka Kombëtare Evropiane fillon një organizim të ri të programit të bursave të studimit për studentet n’ekonomi, që synon të mbushë praninë e kufizuar të grave në këtë sektor. 

Puna angazhon edhe në drejtim. Pandemia ka treguar vlerën e drejtimit femëror, veçanërisht në kohë krizash. Kërkimet e zhvilluara gjatë pandemisë kanë zbuluar se gratë janë konsideruar nga bashkëpuntorët e tyre më t’efektëshme se burrat. Janë në gjëndje të bisedojnë e të merren vesh më mirë me vartësit.

Por megjithatë janë gra vetëm 18,5% të kryetarëve të qeverive të Vendeve të BE. Edhe se përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë së BE (51%), prania e tyre në parlamentet kombëtare nuk kalon një të tretën e antarëve. Asnjë nga bankat qëndrore të zonës euro, guvernatorët e të cilave janë emëruar nga qeveritë kombëtare, është e drejtuar nga një grua. Përqindja e përfaqësisë femërore është po aq e ulët në organet administrative të ndërmarrjeve. Në shoqëritë më të mëdha evropiane të kuotuara në bursë, gratë zenë vetëm 7,5 % të posteve drejtuese. Në BQE, nga viti 2013 deri në 2019, kemi më se dyfishuar praninë femërore në drejtimin e lartë dhe objektivi i ynë është t’arrijmë një kuotë prej 40% deri në 2026.

Është çasti të rishikojmë drejtimin e të sjellim më shumë ndryshueshmëri në organet e administratës, në parlamentet e në administratat publike. Një ndarje më e barabartë e detyrave shtëpiake dhe mundësi më të mëdha për karrierë do t’i lejojnë më shumë grave të japin ndihmesën e tyre akoma më tepër për shoqërinë, të marrin pjesë veprueshëm në jetën politike dhe t’i japin zë mjaft aspiratave ende të padëgjuara.

Të shkojmë përpara me ambicie drejt këtij qëllimi në mënyrë që shoqëria e jonë të rishfaqet më e fuqishme, më e barabartë e më e pranueshme nga pandemia.

Christine Lagarde ka qënë për tetë vite drejtoreshë e Fondit monetar ndërkombëtar. Mga 2019 ka pasuar Mario Dragin në kryesinë e Bankës qëndrore evropiane.

“Corriere della Sera, 8 mars 2021      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Christine Lagarde, Eugjen Merlika

BURRAT QË NUK DUAN TË HUMBASIN

March 3, 2021 by dgreca

Nga DACIA MARAINI/

E përktheu Eugjen Merlika/

 E kuptoj se sot është e vështirë të flasësh për tjetër, por dua të tërheq vërejtjen e atij që lexon mbi tatëpjetën e rrezikëshme që po merr dhuna kundër grave. Për të gjitha desha të ndaloj mbi rastin Ceccarelli që ka paguar përcjelljen mortore të saj ndërsa ishte shumë mirë, duke kërkuar të gjente një njeri që me pagesë të kujdesej për babain e moshuar dhe djalin e vogël. Pësonte trajtimin e keq të një shoku të dhunshëm. Por përse nuk I ngrinte padi? Mund t’a marrim me mënd se Clara kishte frikë të keqësonte gjëndjen. Shoku, Renato Scapusi, nuk lejonte të braktisej dhe e frikësonte me kërcënime të vazhdueshme. Por veç frikës, me gjasë Clara nuk e padiste duke ditur se gratë nuk besohen. Po nëse ajo gënjen? Nëse bëhet fjalë për maninë e përndjekjes? A mos ndoshta ajo do t’a verë në një dritë të shtrembër?

            Clara është vrarë me tridhjetë goditje të tërbuara me thikë, që i kanë shpuar mëlçinë, zemrën, fytin, mushkërinë. Në fillim burri iku, pastaj u paraqit në polici.”Donte të më linte dhe un nuk e duronja”. I njëjti argument. Thuajse ai argument ligjëronte atë vdekje të llahtarëshme. Por nëse historitë përsëriten gjithmonë të njëjta, a nuk mund të parashikojmë shkatërrimin e të ndihmojmë këto gra më parë se të humbasin jetën? Ndodh kështu: të dy janë dashuruar, madje kanë lindur edhe fëmijë së bashku. Por në një farë çasti ai fillon të bëhet xheloz për pavarësinë e saj e nis keqtrajtimin. Ajo kundërpërgjigjet, ai shton dhunën gojore; ajo kërcënon me ikje; ai fillon me grushta. Ndonjë herë (por jo atëherë kur duhet) ajo e padit. Në këtë rast ai qëndron paksa larg për pak e pastaj rifillon përndjekjen. Pastaj shtiret sikur pendohet, i jep një takim jashtë shtëpije e n’atë rast e vret. Dikush pyet përse, ndërsa në Vend pakësohen vrasjet, shtohen vrasjet e grave çdo vit?

            E kam shkruajtur por po e përsëris: çdo arritjeje të pavarësisë femërore i përgjigjet një humbje e privilegjeve mashkullorë. Ata burra, që janë shumica, e kanë një minimum barazpeshe e urtësie në vetvete, pranojnë ndryshimet edhe se humbasin. Të tjerë, më të dobët e më frikacë, që njëjtësojnë burrërinë me zotërimin, nuk lejojnë autonomi të reja femërore e më parë se të humbasin kontrollin dhe zotërimin mbi gruan, që e quajnë të tijën, parapëlqejnë t’a vrasin.

            “Corriere della Sera”, 1 mara 2021   E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: burrat qe nuk humbasin, Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT