• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KTHIMI NË RREGULL I NJË BOTE TË PËRMBYSUR DUKE LUFTUAR PANDEMINË

January 11, 2021 by dgreca

Nga ALDO CAZZULLO-Përktheu: EUGJEN MERLIKA/

Mbas Luftës së Madhe në artin qe il rappel à l’ordre, thirrja për rregull. U qetësuan tërbimet e avangardave e u rizbuluan mjeshtrit e rilindjes dhe klasiçizmi. Për të thjeshtëzuar: më parë piktorët kishin sprovuar: abstraksionistë, kubistë, futuristë. Më pas edhe vetë Picasso u kthye në artin figurativ, pra për të bërë figura (më vonë do të mohojë se ka vizatuar një kuadër abstraksionist gjatë gjithë jetës së tij). Ja, 2020 do të kujtohet në politikë si viti I kthimit në rregull ; gjë që në një botë të përmbysur nga pandemia, mund të duket kërshëruese.

Për të thjeshtësuar: nëntëqindi është shënuar nga komunizmi që predikonte diktaturën e një klase shoqërore; nga fashizmi që teorizonte mbizotërimin e një race apo të një kombi (sigurisht të tijin) mbi një tjetër; e të liberalizmit, i bindur që liria e sipërmarrjes dhe e tregëtisë me kohë do t’i kishte sjellur përfitime çdo klase shoqërore e çdo Vëndi. Fashizmi u thye me luftën e dytë botërore, komunizmi me luftën e ftohtë. Në fillimin e shekullit të ri u duk se edhe vetë liberalizmi ndjehej keq. Më parë 2008 e krizës së madhe, pastaj 2016 e Brexit dhe Trump-it dukeshin se i kishin dhënë një goditje vdekësore idesë së shkëmbimit të lirë, të globalizimit të lumtur, të rritjes së përherëshme, me një fjalë të demokracisë liberale.

Nëse një vit më parë ndonjëri do të profetizonte një pandemi të aftë të shkaktonte shëmbjen e prodhimit e të punësimit, të bllokonte fluturimet ndërmjet Evropës e Amerikës, madje të na ndalonte të dilnim nga shpëpia, do të kishim menduar se ishte gati për të shpërthyer revolucioni. Ndërsa ndodhi e kundërta. Kthimi në rregullin, pikërisht; ose së paku kështu duket, Trump-i ka humbur një zgjedhje që pa Covidin me gjasë do t’a kishte fituar, e Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur presidentin më të moshuar të historisë, një demokrat të qëndrës; një tip “normal”. Brexit ka pjellur më së fundi një marrëveshje që shpëton tregun e përbashkët mes Londrës dhe kontinentit. Jo vetëm, pa Brexit ndoshta nuk do të ishte hovi i Evropës. 

Risia e madhe e vitit është që, mbi valën e krizës shëndetësore dhe ekonomike Angela Merkel i hapi portën borxhit të përbashkët evropian. Një veprim që mund t’i a dorëzojë historisë si shtetaren e parë t’Evropës e jo vetëm si shtetaren e fundit gjermane; edhe se mbi vaksinat Berlini është zhytur përsëri në egoizmin e zakonshëm në dëm të aleatëve. Evropa sigurisht nuk i ka zgjidhur problemet e saj; paratë e Next Generation Eu ende nuk janë parë; megjithatë Gjermania e Franca, Vëndet e mëdha të qeverisura fuqishëm nga qëndra, kanë rifituar qëndërsinë e tyre, ndërsa revanshizmat e përhapura në Lindjen evropiane janë riçuar në përmasën e tyre, shqetësuese por jo detyrimisht të zgjidhëshme.

Në Itali, kthimi në rregullin ka shënuar si zgjedhjet vendore, si vijën e partive që njëherej quheshin populiste. Të djathtët në Campanjë e Puglie kanë rizgjedhur De Lukën dhe Emilianon; venetët dhe ligurët e së majtës kanë votuar Zaian dhe Totin. Aty ku nuk kishte një dalës si në Toskanë, u ripohua sistemi. Pesë Yjet kanë kaluar nga Jelek Verdhët tek Macroni. Lega pyet veten a është vërtetë rasti të qëndrojë përkrah Marinë Le Penit – që këtë vit ka hequr dorë nga tonet skajore – apo të bisedojë me gratë që komandojnë vërtetë Evropën: Merkel, von der Layen, Lagarde.

Kjo nuk do të thotë aspak që 2020 ka shënuar fundin e sovranizmit. Aq më pak në Vëndin ndoshta më  të dobët të Perëndimit, që mjerisht është Italia. Prova e jashtzakonëshme e dhënë nga shoqëria qytetare – nga mjekë e infermierë që kanë luftuar pandeminë në rrjeshtin e parë, deri tek punëdhënës e puntorë që kanë qëndruar fuqishëm – nuk mund të fshijnë gabimet e klasës drejtuese. Shtresat më në dukje të ngasjes sovraniste janë ato më të goditurat nga kriza: shtresat popullore janë dobësuar më shumë; është zgjeruar gërshëra ndërmjet atij që është i siguruar e atij që nuk është, ndërmjet atij që mund të punojë në smart-working e të marrë pagesën e plotë dhe popullit të autonomëve, të zejtarëve, të të punësuarve përkohësisht.

Veç asaj po fillohet të kuptohet se Evropa ka bërë një gabim mjaft gjëmëmadh, duke synuar pothuajse gjithshka mbi një vaksinë që ende nuk është e të porosisë pak doza të asaj që është.  Për pasojë Kina , e dalë më përpara nga piskama, do të ndiqet nga Amerika, jo nga kontinenti i ynë; me përjashtimin e vetëm të Gjermanisë që po kërkon rrugën e shkurtër që nuk i bën nder.

Mbas Luftës së Madhe nuk erdhi në politikë kthimi në rregull. Erdhën revolucione komuniste e fashiste. Historia nuk përsëritet kurrë dy herë, madje: “Nuk kthehet kurrë më asgjë”, siç qorton Francesco de Gregori; dhe fakti duhet të pranohet “si një fitore”. Por nëse Evropa nuk do t’arrijë të vaksinojë në mënyrë të kënaqëshme qytetarët e saj – duke mbrojtur përveç të moshuarve edhe punonjësit veprues – , as të mos krijojë punë me paratë e Recovery-t, atëherë 2021 do të sjellë të tjera të papritura; dhe jo pozitive.

“Corriere della Sera”, 28 dhjetor 2020      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: ALDO CAZZULLO, Bote e permbysur, Eugjen Merlika

BIDEN DHE EVROPA, ERA KA NDRYSHUAR POR ËSHTË E GABUAR

January 4, 2021 by dgreca

BIDEN DHE EVROPA, ERA KA NDRYSHUAR POR ËSHTË E GABUAR/

TË KETË SHUMË MIKLIME/

Nga FRANCO VENTURINI-Përktheu nga Corriere della Sera”, 1 janar 2021- Eugjen Merlika/ 

Evropa numëron ditët që mungojnë nga betimi presidencial i Joe Biden-it dhe lehtësimi i saj është më shumë se i ligjësuar. Mjaft më me një president të SHBA që uron shkërmoqjen e BE, që kërcënon shpërbërjen e NATO-s, ose që del nga traktatet që më shumë përfshijnë evropianët e i imponojnë atyre masa ndëshkuese tarifare. Por mbrapa kënaqësisë së pranueshme fillon të nxjerrë kokën një rrezik: që Evropa të ketë shumë miklime mbi kthimin e solidaritetit transatllantik të qëmoçëm. Shëmbulli themelor, vetkuptohet, është ai i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve me Kinën, si ajo më e fundit e lehtësimit të investimeve të ndërsjellta. Marrëveshja është e tëra për t’u vërtetuar, por Joe Biden ka bërë të njohur, nëpërmjet zëdhënësish tepër të besueshëm, se SHBA presin të jenë të konsltuar e të dëgjuar mbi politikën kineze të BE e të qeverive të tij. Si për të thënë se Amerika është e zotuar në një përballim me Pekinin që ka vlerë globale, e që aleatët evropianë nuk duhet të kundërshtojnë Manovruesin. Është një shpullë, kuptohet miqësore,  për synimet evropiane të një autonomie gjeopolitike. E nuk mjafton. Askush të mos mendojë se në selinë e Aleancës Atlantike SHBA do të heqin dorë nga kërkesa e shtimit të harxheve ushtarake të rëna n’ujdi për 2 % të PPI e ndoshta edhe më përtej (Italia është në një vonesë të madhe).

E pastajma për tregëtinë e tarifat a do të jetë vërtetë e ndryshme? E prirja për të hedhur vaj mbi zjarrin e luftës ukrainase, të cilën evropianët tundohen pa sukses që t’a ndalojnë? E Biden-i me të vërtetë dëshëron t’a shtojë praninë në Mesdhe, përfshirë dhe Libinë, si ne të parët do të donim? Për fat janë bashkëndarjet e mendimeve për mjedisin, mbi traktatet për t’u rivendosur (edhe me Iranin), mbi shumëkahësinë. Por duhet të mbajmë sytë hapur. Ndërmjet SHBA dhe Evropës shumë interesa nuk përputhen më. Problemi i Evropës, sot, është të përpunojë një politikë që, pa fyer SHBA, të ripohojë vullnetin për të qënë e pranishme në skenën ndërkombëtare, edhe përballë shtyrjes hapësinore të ekonomisë së Shtetit kinez, edhe në marrëdhëniet me Rusinë, që nuk duhet të mbeten peng të Russiagate të kujtesës trumpiane dhe, e këtu duhet të bëhet e gjallë një politikë e jashtëme e fikur italiane në Mesdhe, në Libi, në Lindjen e Mesme.

     Kemi përpara çështje rrënjësore që duhet të jenë objekt i nismave të menjëherëshme, e para mbi të gjitha përpjekja për të kufizuar armatimet bërthamore (ka ende pak kohë për të zgjatur marrëveshjen e fundit të përmbyllur me Moskën, “New Start”) por edhe teknologjitë e reja të shkatërrimit në masë. Nëse Evropa nuk do të dijë të stimulojë Biden-in do të përfundojë në zënien me të.

“Corriere della Sera”, 1 janar 2021             Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Politike Tagged With: Biden dhe Evropa, Eugjen Merlika, Franco Venturini

VAX DAY EVROPIANE PA KATËR KRYEQYTETE

December 30, 2020 by dgreca

“Jemi të bindur se duke lënë edhe vetëm një Vend mbrapa do të thotë të lihet gjithë Evropa mbrapa”/ ANTONIO TAIANI  dhe  MANFRED WEBER/Përktheu Eugjen MERLIKA/

Shkëputa këtë frazë të nën/Kryetarit Italian të Partive Popullore evropiane, Antonio Taiani dhe të Kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Popullore gjermane në Parlamentin evropian, Manfred Werner, të botuar sot në të përditëshmen milaneze “Corriere della Sera” me titull: “Drejt një bashkimi të vërtetë evropian të  shëndetit”.

27 dhjetori i vitit 2020 besoj se do të hyjë në historinë bashkëkohore të Evropës si një datë e shënuar, ndoshta ndër më të shënuarat, sepse u festua në të gjithë kontinentin si “dita e shpresës”, e rrezes së dritës në fund të tunelit, ku ai ishte zhytur gjatë pandemisë më të madhe të njëqind viteve të fundit. Qe një datë e caktuar nga kryesia e BE që, me shumë të drejtë, e shënoi të njëjtën për të gjithë Vendet, në të cilët filluan vaksinimet kundër koronavirusit, e keqja e këtij fillim mijëvjeçari që i ka shkaktuar, deri tani, vetëm Evropës 16 milion të sëmurë e 336 mijë viktima.   

Shumë personalitete të shkencës e të politikës e kanë cilësuar këtë përballim të kësaj sëmundjeje si një formë lufte të vërtetë botërore kundër një armiku të padukshëm, pra si një betejë të përbashkët, edhe se me zona të mbyllura e kufinj të pakalueshëm. Në vend të gjeneralëve e shtabeve të luftës ishin shkencëtarë e mjekë, të cilët jepnin udhëzime e punonin në laboratorët e tyre të shpërndarë në të gjithë botën, me zellin e pasionin e kërkuesit që donin të shpëtonin njerëzimin nga e keqja. Puna e tyre e lëvdueshme plotësoi në kohët më të shkurtëra të mundëshme arritjen e përfundimit të studimeve, shpikjen e vaksinës e cila, që në ditët e para paraqitej si mjeti i vetëm për të luftuar të keqen.

“Kemi një armë të re” u shpreh Kryetari i Shtetit francez, Emanuel Macron, duke nënkuptuar se ajo shpikje ishte një zbulim i vyer që do t’i shërbente të gjithë njerëzve, të pasurve e të varfërve, shteteve të zhvilluara e më pak të zhvilluara, e të gjithë evropianëve brënda e jashtë traktatit. Por ishte një dukuri jo shumë gazmore që në katër kryeqytete t’Evropës, në pjesën më të varfër të saj, në Ballkanin perëndimor, në Tiranë, Shkup, Prishtinë e Sarajevë njerëzit nuk mundën të prekin me dorë gëzimin e shpresës që buronte nga fitorja, mbi të keqen, nga vaksina që bëhej në 27 kryeqytete të tjera t’Evropës. Do t’ishte në bujarinë e njohur të Evropës që t’ishte e pranishme edhe kësaj rradhe në shpresëdhënien e Vendeve të Ballkanit. Komisioni evropian ka premtuar 70 milion dollarë për vaksinat e ballkanasve e kjo ndihmë do të ketë peshën e saj, por duket se më 27 dhjetor u mendua vetëm për antarët e Bashkimit evropian. Ndoshta ishte një shuplakë e merituar për klasat drejtuese t’atyre Vendeve që nuk patën aftësinë t’i bashkoheshin Evropës n’atë ditë të shënuar, por sido qoftë, mbetet si një farë përjashtimi të pamerituar të  atyre popujve.

Popujt e Evropës besoj se nuk e kanë ndjerë veten mirë, kur kanë marrë vesh se të tjerë banorë të kontinentit, nuk kanë festuar së bashku me ta sepse dikush në drejtimin e Evropës, ka kursyer një shumë vaksinash për t’u a dërguar edhe atyre, për t’u treguar se në çështjen e shëndetit kontinenti nuk ka kufinj, se shëndeti është një e mirë që duhet t’a gëzojnë të gjithë, pavarësisht nga pjesëmarrja zyrtare në Bashkësinë. Besoj se një veprim i tillë do të vlerësohej si një dëshmi solidariteti, qoftë edhe simbolik kundrejt atyre popujve që janë lënë ende mënjanë, qoftë edhe për mangësi të theksuara të klasave të tyre drejtuese, por që kanë të drejtën e shënjtë të ndjejnë dorën e shtrirë të Evropës drejt tyre, për më tepër në prani të një fatkeqësie të madhe botërore e shëndetësore.

Këto ditë Papa Françesku, ndërgjegjia kritike e botës së sotme, i ka bërë thirrje të fuqishmëve të botës të mendojnë për të varfërit në shpërndarjen e vaksinave. Po të ishte mbajtur parasysh kjo thirrje nuk do t’u kishin munguar shqiptarëve, kosovarëve, maqedonasve e boshnjakëve vaksinat në Vendet e tyre më 27 dhjetor.

Mendoj se “hymni i gëzimit” i Evropës së Bashkuar, notat e simfonisë së Nëntë  të Bethovenit që kanë shërbyer si sfond i atmosferës shpresandjellëse të 27 dhjetorit, simbolikisht  duhet të kishin ushtuar edhe në Ballkanin ende evropian për histori, gjeografi, ëndërra, dëshira, edhe se ende jashtë proçesit politik të Bashkimit evropian.

Mendoj se vlerat evropiane të solidaritetit, janë mbi llogaritë e përditëshme të ekonomisë e të politikës, sepse ato përfaqësojnë themelet, mbi të cilët ngrihet godina e përbashkët e kontinentit të vjetër, djepit të lashtë të qytetërimit e të kulturës botërore, jashtë së cilës nuk mund të mbeten jashtë për shumë kohë edhe Vendet e Ballkanit Perëndimor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Vax Day

UJGURËT, ASGJËSIMI I NJË POPULLI NË MOSPËRFILLJEN E PERËNDIMIT

December 24, 2020 by dgreca

Nga Pierluigi Battista-Perktheu:Eugjen Merlika/

Perëndimi, Evropa, demokracitë  nuk do të bëjnë asgjë e prandaj do të humbasin çdo besueshmëri të mbetur kur do të recitojnë madhështinë e vlerave të tyre, për të ndaluar përndjekjen e egër kineze kundrejt Ujgurëve, një popull (rreth njëmbëdhjetë milion njerëz), të etnisë turkofone e të besimit mysliman, të masakruar në krahinën e Sinkiangut tashmë të shpërngulur në masë në kampet e përqëndrimit. Lajmi i ri është që Huawei, kollosi kinez i telekomunikacionit, të cilit qeveritë perëndimore rrezikojnë t’i paguajnë një kambial në të bardhë, duket se ka vënë në punë një software për identifikimin fytyror të ujgurëve, me lejen pasuese të spiunimit për t’i a përcjellë xhelatëve të Pekinit. Të gjithë heshtin, me përjashtim të veprimit fisnik të kampionit francez Antoine Griezmann, që ka ndërprerë kontratën e tij me Huawei-n për të mos qënë bashkëpuntor i përndjekjes sistematike të një populli të tërë. Ajo që është e sigurtë është se në vitet e fundit janë asgjësuar qindra mijra Ujgurë. Është e sigurtë, tashmë ka një dokumentim të gjërë që e tregon se shpërngulja e Ujgurëve bëhet simbas formave që bëjnë t’i hyjnë të dridhurat të gjithë atyre që ruajnë sado pak kujtesën historike: njerëzit të grumbulluar një gjunjë pranë shinave me ushtarët që i mbikqyrin me pushkë të ngrehur, të gatshëm për të hipur në trena me vëndmbërritje të caktuar kampet e punës së detyruar; me shterpëzimin e detyrueshëm të grave; keqtrajtimin e të moshuarve; urinë; pushkatimin për atë që ngre krye. Sigurisht bëhet fjalë për një praktikë asgjësimi që do të duhej të fyente ndërgjegjet tona. Është e sigurtë se asnjë përfaqësues i qeverisë sonë nuk ka shqiptuar asnjë fjalë kundër Kinës, një fuqi kundrejt së cilës nivelet e nënështrimit ekonomik e pjesërisht gjeo-politik kanë arritur maja të turpëshme. Është e sigurtë se të mos shprehurit asgjë mbi përndjekjen kineze e kthen çdo fjalë e çdo veprim të të shenjtit dënim të Egjyptit e të dhunimit nga ana e tij të të drejtave njerëzore, një shfaqje të një hipokrizie të pakrahasueshme. Është e sigurtë se kur bëhet fjalë për një Vënd të pasur e të fuqishëm, nuk ka ngashërim për fatin e Ujgurëve që mund t’i japë jetë çdo shfaqjeje të guximit qytetar e politik. Nuk ka dyshim që Atoin Griezmann, që është një njeri serioz, nuk do të ketë shumë ndjekës e dëshmi solidariteti.

“Corriere della Sera”, 22 dhjetor 2020       Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, PERENDIMI, Pierluigi Battista, Ujguret

PESHA RELATIVE E KINËS MBI BE

December 24, 2020 by dgreca

Nga DANILO TAINO/ Perktheu:Eugjen MERLIKA/

Si duhet t’a shohim Kinën ne, evropianët? Me sytë e ekonomisë, siç kemi bërë gjatë dhjetëvjeçarëve të shkuar, apo me ata të politikës? Vëndet e BE a kanë të gjithë të njëjtën pikëpamje, apo Gjermania e Angela Merkel është shrregullimi, duke mbajtur parasysh marrëdhëniet e ngushta të saj me Pekinin? Pa dyshim, fuqia ekonomike kineze është e madhe: nga 2000 deri në 2019, vëllimi I shkëmbimeve me BE është rritur pesë herë, në 560 miliardë euro, simbas një studimi të shpallur të martën e shkuar nga Mercator Institute for China Studies (Merics), më i madhi think-tank evropian (gjerman) i përqëndruar mbi Perandorinë e Mezit. Kina është tashmë ortaku i dytë tregëtar i Evropës, mbas Shteteve të Bashkuara. Hiperbola e viteve të shkuara mbi peshën e saj ekonomike duhet relativizuar, thotë Merics. Investimet e përfshira kineze n’Evropë janë vetëm 5 % t’atyre të përgjithëshme, megjithë nxjerrjen në pah që presidenti Xi Jinping i bën politikës hapësinore të Belt and Road Initiative: bëhet fjalë për rreth 200 miliardë në krahasim me një grumbull prej 1.800 miliardë me prejardhje amerikane.

Edhe në import – export mallrat dhe shërbimet janë më të mëdha në drejtimin transatllantik se sa n’atë evroaziatik: rreth 600 miliard kundrejt mijës; veçanërisht eksportimet e Vendeve të BE drejt Kinës janë 2,4 % të atyre të përgjithëshme, ata drejt SHBA 5,7 % (67 % janë brënda në tregun e përbashkët): i vetmi përjashtim është eksporti i Bullgarisë. Në kuadrin e Vëndeve të BE, Gjermania shkëputet nga gjithë të tjerët, në sajë të diplomacisë ekonomike të themeluar nga Merkel që nga 2005. 48,5 % e eksportit të BE drejt gjigandit aziatik është gjerman: 4,6 herë më shumë se ai francez që është i dyti. Në tremujorin prill – qershor 2020 Kina është bërë, për të parën herë, tregu më i madh i eksportimit për ndërmarrjet gjermane, më i rëndësishëm edhe se cilido treg tjetër evropian. Në një fazë në të cilën, kur trajtohet me Pekinin, arsyet e gjeopolitikës bien në kundërshti me ato të ekonomisë, afërsia tregtare e Gjermanisë me Kinën mund të jetë një fre kundrejt zgjedhjeve evropiane. Duke mbajtur parasysh kthesën autoritare e agresive të Xi-ut, edhe Berlini duhet të relativizojë kuptimin e vartësisë së BE nga Kina: kërcënimet e Pekinit për të shkaktuar ndëshkime ekonomike për arsye politike kanë pak dhëmbë: “Rrallë herë janë më shumë se retorikë” vë re Merics.

“Corriere della  Sera”, 18 nëndor 2020             Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Danilo Taino, Eugjen Merlika, Pesha e Kines-BE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT