• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË KANDIDATURË NË PRITJE

November 3, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA-

Krijimi i një Komisioni për të shoshitur e përzgjedhur kandidaturat  për t’u paraqitur në zgjedhjet e ardhëshme kuvendore, i shpallur para pak muajsh nga kryetari i PD, z. Lulzim Basha, u quajt si një risi e dobishme në jetën politike shqiptare të dhjetë viteve të fundit. Si e tillë, si një dukuri jashtë skemave populiste, krijimi i atij komisioni, i paraqitur si një ndihmesë në dobi të meritokracisë në përcaktimin e përfaqësuesve t’ardhshëm të partisë demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, të partisë së parë mbas komuniste në kalesën shqiptare, pati anët e saj pozitive, por edhe ndonjë mangësi.

Duhet pranuar se vëllimi i punës që ka përballuar ai komision ka qënë tepër i madh e pesha e vendimeve  në kohë tepër të shtrënguara, mjaft e rëndë. Si përfundim ka patur mjaft vendime që kanë zgjuar dyshime, qejfprishje e mos miratime, gjëra që janë edhe të zakonshme në raste të tilla vlerësimesh, ku kufiri ndërmjet objektivitetit “shkencor” dhe parapëlqimeve ideore a pragmatiste është një zonë e hirtë në të cilën pështjellimi i tyre nuk është i pamundur. Përbërja e atij komisioni pesë vetësh, ku tre prej tyre janë veprimtarë të hershëm të partisë, me funksione shumë të rëndësishme shtetërore në të shkuarën jo të largët të Vendit e dy të tjerë të marrë nga bota akademike e me një personalitet të përvijuar pozitivisht, mendoj se flet qartë për qëllimet e synimet e punës së tyre. Dy profesorët universitarë, Enriketa Pandelejmoni e Mark Marku, janë risia e dukurisë e janë një hap i mirë përpara në synimin e përzgjedhjes së kuadrove të një partie të madhe, por shërbejnë edhe si një mburojë që përligj “kthesën”në strategjinë e saj ku, në gjithë historinë e kalesës PD, ashtu si dhe partitë e tjera, kanë parapëlqyer në thelb trashëgiminë komuniste të drejtimit majësor edhe në përcaktimin e përzgjedhjeve cilësore e të përgjegjësimit të kuadrove. Por nuk është e vështirë të tejshihet në veprimtarinë e komisionit se përzgjedhja është kryer me logjikën e vjetër të partisë, mbasi raporti ndërmjet patriarkëve të vjetër e intelektualëve të rinj (jo aq në moshë sa në veprimtari politike) është tre me dy, në dobi të të parëve.

Pa hyrë në hollësi të vendimeve të komisionit, i cili ka dhënë ndihmesën e tij, por që nuk mbetet i plotfuqishëm, mbasi partia cakton një numur kandidatësh që nuk kalojnë në sitën e tij, por mbeten në fuqi për garën zgjedhore, po ndalem në një vendim të tij: Lorenc Luka caktohet në listë pritjeje. Konkretisht përjashtohet nga pjesëmarrja në garë, duke pritur një “mrekulli” të ditëve të fundit, që nuk kuptohet se nga mund të vijë. Un nuk e di se cilët kanë qënë kriteret që kanë mbizotëruar në atë vendim e po ashtu nuk di nëse vendimi ka qënë i njëzëshëm apo përfundim i një rrahje mendimesh në gjirin e komisionit. Në rastin e parë do t’a quaja shqetësues atë, sepse është marrë pa u thelluar aspak në historinë vetiake e familjare të kandidatit e në rastin e dytë do t’a quaja si një shfaqje të prirjes për të larguar emra të vjetër e për t’i zëvendësuar me prurje të reja të “revolucionit” të vitit 20019.

Lorenc Luka është bir i një familjeje të ndershme qytetare të shekullit të shkuar. Gjyshi i tij, të cilit Lorenci i trashëgoi emrin, ka qnë një tregëtar atdhetar, i njohur në qytetin e tij e më përtej për ndershmërinë e tij karakteristike. I papërzierë politikisht gjatë luftës së Dytë botërore, mbas mbarimit të saj pësoi marrjen me dhunë të gjithë pasurisë së tij, si qindra e mijra tregëtarë të tjerë në të gjithë Shqipërinë. Si pasojë e këtij akti grabitqar të fituesve të “revolucionit bolshevik shqiptar”, djali i madh, Zefi, kërkoi rrugën e jetës së tij jashtë Shqipërisë, duke u kthyer në një veprimtar kundërkomunist në rradhët e mërgimit të gjatë të mbas luftës. Babai i Lorencit, Karleti, me nënën e tij, Gjuzepinën, një grua ëngjëllore, u degdisën në kampin e çfarosjes së Tepelenës. Karleti njëzetvjeçar braktisi veglat e gjimnastikës në të cilën premtonte shumë e i u nënështrua ngarkesave të druve mbi shpinë në ferrin e Tepelenës. Vëllai tjetër, Viktori, u arrestua e kaloi vite të tëra të rinisë së tij në burgun famëzi të Burrelit.

Ky është kuadri familjar në të cilin lindi Lorenci. Mbas prishjes së kampit të Tepelenës, familja e Karletit u shpërngul, së bashku me shumë shokë e shoqe të fatkeqësive, në sektorin e Savrës së NB “29 nëntori” të Lushnjës. Atje ai u njoh e u dashurua me Margaritën, një bashkëqytetare të tij. Nga ajo dashuri, ndër të parat mbas vitesh të gjata internimi që përfundoi në martesë, lindi Lorenci. Ishte ai një ndër të parët fëmijë të lindur në kampin e Savrës. Për të gjithë banorët e kampit ai u bë simbol i shpresës, i jetës që rilindëte, i një t’ardhmeje më të mirë që zinte fill në arsyet e mpakura nga terrorizmi i viteve të Tepelenës.

Më pas familja e liruar nga internimi u kthye  në vendin e saj, në Shkodrën e traditave kulturore mijëvjeçare. Lorenci u rrit në mjedisin katolik e atdhetar t’atij qyteti që, edhe në gjysmë shekullin e zi të diktaturës komuniste, ruajti dinjitetin njerëzor duke mos pranuar skajshmërinë e diktaturës, duke ruajtur pjesërisht vlerat morale të trashëguara. Viti 1990 e gjeti Lorencin djalë të formuar tridhjetetre vjeçar, në sintoni me pjesën më të mirë të bashkëqytetarëve të tij, në përpjekje për të rrëzuar simbolet e komunizmit e për të kërkuar demokracinë. N’atë kohë Lorenci nuk mendoi, si shumica e bashkëmoshatarëve të tij të kohës, për t’u larguar nga Vendi i tij, edhe se n’Amerikë kishte xhaxhain e tij, të vendosur atje prej shumë vitesh. Ai vendosi të qëndrojë në qytetin e tij. I u vu studimit dhe u diplomua në drejtësi e hyri në partinë demokratike. Në sajë të ndershmërisë familiare e vetiake, të vullnetit krijues në punën e tij në vite ai fitoi respektin e besimin e bashkëqytetarëve e të partisë demokratike, të cilët e ngjitën dy herë në detyrën e kryetarit të bashkisë së qytetit e n’atë të kryetarit të qarkut Shkodër. Gjatë qëndrimit n’ato detyra të rëndësishme ai dha ndihmesën e tij për të ngritur Muzeun e Kujtesës në godinën e ish Degës së punëve të nbrendëshme të Shodrës, për të pasqyruar aty të gjitha shfaqjet mizore të luftës së klasave e të diktaturës gjakatare komuniste në qarkun e Shkodrës. Në legjislaturën ekzistuese Lorenci u zgjodh deputet, duke alternuar misionin e administratorit me atë të ligjvënësit, gjë që është mënyra më e mirë për formimin e plotë të një politikani.

    Sot Komisioni vlerësues i kandidatëve për deputetë e ka lënë në pritshmëri Lorenc Lukën. Më duket e drejtë që një njeri i lindur në një kamp internimi të regjimit komunist, fakt ky i përveçëm në gjithë aradhën e politikanëve të sotëm shqiptarë, të ketë mundësinë për të kërkuar edhe njëherë tjetër votbesimin e qytetarëve të tij. Nëse këtë votbesim ata , për arsye të ndryshme, nuk do t’i a japin më, ai besoj se do t’a pranojë me qetësi atë vendim, duke përsiatur në vetvehte gjithshka që e shkuara si administrator e si politikan do t’i sjellin para ndërgjegjes së tij, për të ballafaquar atë që ka bërë me atë që nuk ka mundur të bëjë, atë që ka dëshiruar të sjellë në jetën e qytetit të tij me atë që realisht ka sendërtuar në dobi të bashkëqytetarëve e të gjithë shqiptarëve, duke bërë kështu bilancin e gjithë jetës së tij politike.

Jeta është një provim i vazhdueshëm e prania vepruese në politikë ballafaqon këdo me përfundimet e punës së tij. Por në demokraci duhet të jetë gjithmonë masa e votuesve ajo që duhet të përcaktojë në të vërtetë suksesin apo dështimin e një politikani, vazhdimin ose jo t’asaj jete. Ky rregull themeltar i demokracisë që nga koha e Perikliut e deri në ditët tona, fatkeqësisht në çerek shekullin e fundit, në sajë të marrëveshjeve të ndryshme mes partive e mekanizmave zgjedhore të bashkërenduara po prej tyre në Shqipërinë tonë, të shoqëruara këto me tjetërsimin e votës, pothuajse është fshirë nga praktika e votimeve me listat e mbyllura të hartuara nga kryetarët e forcave politike. Shpresojmë që listat e hapura në zgjedhjet e ardhëshme të jenë fillimi i rivendosjes së këtij kriteri bazë të bashkëjetesës demokratike.

Lorenc Luka, ashtu si ndonjë tjetër, përfaqësojnë në politikën e sotme”të fundmit e Mohikanëve” t’asaj pjese të shoqërisë shqiptare që provoi në kurrizin e saj barrën më të rëndë të diktaturës, që u aktivizuan me partinë demokratike në gjithë këta vite të kalesës. Ata i besuan asaj partie, si një force politike që do të ndryshonte Shqipërinë, do të sillte për të një demokraci të vërtetë, do të ndreqte gjithë padrejtësitë e shekullit komunist. Si të tillë besoj se meritojnë të venë kandidaturat në një parti së cilës vazhdojnë ende t’i besojnë. Një komision në të cilin vendos ish presidenti Bujar Nishani që, ndërmjet të tjerave, ka mbetur proverbial për mos dekretimin e Ardian Ndrecës e Visar Zhitit, dy prej intelektualëve më të spikatur të jetës kulturore shqiptare si ambasadorë në Vatikan, me të gjitha pasojat negative t’atij veprimi, nuk besoj të ketë tagrin e duhur për t’i përjashtuar.

Një vendim i tillë do t’i jepte grushtin e nokautit shpresave të gjithë atyre shqiptarëve që ushqejnë iluzionin se partia demokratike vazhdon të përfaqësojë interesat e ish të përndjekurve politikë në Shqipëri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, NË PRITJE, NJË KANDIDATURË

NJË JETË NË DIKTATURË(3)

October 31, 2020 by dgreca

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”-NDRE  MJEDA /

I LIRUAR NGA TEPELENA NË GJIRIN E NJË FAMILJEJE TË DYTË–

Nga Eugjen MERLIKA-

Dy vite shkollë në qytetin e Tepelenës. Vetëm nxënësit lejoheshin të dilnin jashtë rrethimit të telave me gjemba, për të vazhduar shkollën shtatëvjeçare. Vetëm në arsimin e detyrueshëm nuk u bë dallim, atë mund t’a merrnin të gjithë. Më dalin parasysh skenat e vajtjes dhe kthimit nga shkolla. Më merrte për dore një vajzë mirditore, Bardha. Ishte më e madhe se un, më e rritur, megjithëse ishim në të njëjtën klasë. Ajo ishte kushërira e Pal Mëlyshit, familjen e të cilit e kishim karshi për karshi në kazermën e parë. Mësonim të gjithë ne, fëmijët e kampit; megjithëse t’uritur e të zhveshur, ishim më të mirët në mësime. Ç’ishte ajo fuqi që na jepte krahë të përballonim çdo ditë atë skëterrë? Ç’forca madhore viheshin përkrah nesh, për të na siguruar mbijetesën? “Zot i madh na ndihmo!”, kjo ishte ofshama nga thellësia e shpirtit, vetvetiu në çdo çast dhimbjeje e ligështimi…

Mbas dy vitesh qëndrimi në kampin e Tepelenës erdhi urdhëri që fëmijët të liroheshin nga interrnimi. Kush pati familjarë të lirë vajti tek ata. Un mbeta i vetëm me gjyshen, deri sa xhaxhai i babait, mjek i dëgjuar i fëmijëve në Korçë, më mori në shtëpinë e tij. Ai me të shoqen u bënë për mua prindër të dytë, më trajtuan me dashuri e dhëmshuri të madhe, u kujdesën për fatin tim gjithë kohën, u përpoqën me të gjitha mënyrat të ndreqnin sadopak jetën time të nisur keq. Por plaga në shpirtin tim ishte shumë e thellë. Kushtet materiale të jetës sime ishin si dita me natën me të shkuarën, por mungesa e prindërve nuk mbushet me asgjë, sado që un gjeta prindër të dytë që i desha me gjithë shpirt. Mëndja ime shkonte përtej telave me gjemba, ku veç e veç qëndronin gjyshja, nëna dhe babai. Pasiguria, ankthi për jetën e tyre, malli, dhimbja më bënin që fshehtas të derdhja lotë të hidhur. Ata lotë fëmije tetë vjeçe, ashtu si të mijëra fëmijëve anekënd Shqipërisë ishin perla që “stolisnin” kurorat e të fuqishmëve të botës. Por në atë moshë të njomë ne fëmijët nuk i kuptonim gjërat, kurse sot ata nuk e kanë naivitetin tonë të atëhershëm.

Prindërit tanë asokohe nuk bisedonin në sytë tanë për gjendjen e tyre e të vendit, apo problemet politike. Terrori kishte depërtuar  deri në qeliza dhe askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën. Kështu që ne brumoseshim me dashurinë e “pafund” për Partinë, xhaxhi Enverin, mbi të gjitha për xhaxhi Stalinin. Këta iluzione, që na fuste shkolla, binin ndesh me trajtimin tonë në jetë, por ne nuk ishim në gjëndje të mendonim me kokën tonë. Më kujtohet një episod sa qesharak aqë dhe i dhimbshëm. Kisha vajtur për takim tek nëna që ishte në kampin Nr. 3 tek Fabrika e tullave në Tiranë. Ishte vera e vitit 1953. Nëna dhe shoqet e saj punonin në kaminat e tullave brënda telavet të kampit. Mua më lejoi oficeri të qëndroja dy ditë brënda në kamp. Në bisedë me gratë dhe vajzat që banonin në një dhomë me nënën (mund të ishin rreth njëzet veta) un i pyeta ato pa të keq nëse kishin qarë kur vdiq Stalini. Ato filluan të qeshin dhe thanë se e vetmja gjë e mirë që përfituan ishte se patën dy ditë pushim. Un, i indoktrinuar nga shkolla dhe jeta jashtë, ju përgjigja me inat: “Mirë ja u bëjnë juve që ju mbajnë këtu brënda”. Ato shpërthyen përsëri në gaz. Kishin të drejtë të qeshnin me mua, që kisha harruar Tepelenën dhe s’kuptoja autorët e vërtetë të tragjedisë. Në krahasim me fëmijët e sotëm, që ngrenë dy gishtat lart, ne duhet të pranojmë se kemi qënë shumë naivë, për të mos thënë të marrë e ndoshta kjo spjegon dhe jetëgjatësinë e dogmave staliniste për dhjetëvjeçarë të tërë.  

Por dua të kthehem përsëri te Tepelena, një gozhdë e ngulur thellë në ndërgjegjen, zemrën dhe trurin e shumë bashkatdhetarëve të mi të mesit të shekullit njëzetë. Strategjia e shfarosjes fizike shoqërohej me një tjetër, ende më djallëzore, atë të prishjes së njeriut, për të cilën nuk kurseheshin mjetet e mënyrat më të ndryshme. Në kushte jashtzakonisht të vështira fizike, morale e psikologjike, shumica dërmuese e asaj bashkësie e mbajti ballin lart, nuk e nxiu faqen, ruajti dinjitetin, karakterin, respektin e dashurinë për njëri tjetrin. Në kazerma të mëdha, me dy rradhë shtretërish flinin mbi pesëqind vetë e për çudi të “arkitektëve të ndritur” të asaj poshtërsie njerëzore asnjë skandal moral nuk ndodhi. Të gjithë u quajtën motra e vëllezër e të tillë mbetën në kujtimet e njëri tjetrit, duke sfiduar diktaturën dhe ligjet e saj mizore. Pa asnjë ndihmë, ata njerëz mes të cilëve jetova dy vjet, përballuan ata vite të gjata derisa më 1953, si pasojë e “qiejve të hapur” dhe trysnisë së opinionit të jashtëm, Qeveria vendosi mbylljen e kampit famëkeq të Tepelenës. 

Për “çudi”, mbasi  “morën vesh” nga gazetat dhe radiot e huaja praninë e metodave të shfarosjes në praktikën e përditëshme të kampit, oficerët e Ministrisë së Brendëshme, që erdhën për të komunikuar prishjen e tij, si zëdhënës të denjë të padronëve të tyre, shprehën “habinë” për çka kishte ndodhur. Hipokrizia kriminale shkonte deri në ngarkimin e përgjegjësisë viktimave, mbasi “nuk qenkëshin ankuar më lart”, një mënyrë sa e ndyrë aq dhe cinike për të fshehur ata që kishin projektuar deri në detaje krimin e që drejtonin fatet e vendit. Ishte një përpjekje trashamane për të shpëtuar “faqen e larë” të udhëheqësve, për të cilët ”njeriu është kapitali më i çmuar”. Është për t’u habitur fakti që ende sot e kësaj dite ka njerëz që me ndërgjegje thonë se “uji vjen i kulluar nga lart, por turbullohet poshtë”, se Qeveria mendonte për njerëzit por kuadrot poshtë vepronin simbas dëshirave të tyre. Çfarë naiviteti për të gjetur spjegimin e aqë shumë të këqijave!   

Mbas strategjisë së shfarosjes së kampit të Tepelenës udhëheqja projektoi një sistem të ri për atë masë njerëzish që përfaqësonte “opozitën” ndaj socializmit. Kish vdekur Stalini dhe themelet e veprës së tij kishin filluar të lëkundeshin në endin e tij; përgatitej takimi i Gjenevës i Katër të Mëdhenjve, Nikita Krushovi filloi të fliste për kurs të ri. Udhëheqja staliniste shqiptare mendonte se nuk ishte më i dobishëm terrori masiv, i ushtruar për dhjetë vite me rradhë. Shembujt e tij janë fakte bindëse e të shumta. Mjafton të kujtojmë Bedenin, Orman-Pojanin, Vloçishtin, Vlashukun e të tjerë kampe pune të detyruar, ku kanë vdekur me qindra të dënuar politikë, ku njeriu varrosej i gjallë në llucën e kanalit nga çizmja e policit. Të kujtojmë gjithë ata të pushkatuar për bombën e hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike, represionin e pashëmbullt mbi popullin e Mirditës mbas vrasjes së Bardhok Bibës e të tjera shfaqje mizore të diktaturës  komuniste në ata vite të kobshme.

Tani duhej ndryshuar taktika. Internimi merrte një formë tjetër dhe vendi i zbatimit  të tij u caktua Lushnja, një qytet në qendër të Shqipërisë, pranë kënetës së Tërbufit. Aty do të ndërtohej një fermë e re dhe kishte nevojë për krahë pune. Këtu u grumbulluan shumica e t’internuarve, të shpërndarë në kampe të ndryshme. Këtu edhe un u bashkova me gjyshen, nënën dhe xhaxhain që kishte kryer  dënimin e tij me burg. 

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, Nje jete ne Diktature

TEPELENA- NJË JETË NË DIKTATURË(2)

October 28, 2020 by dgreca

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

TEPELENA DHE TMERRET E SAJ TË PËRBINDËSHME/

Një ditë nëntori të vitit 1949 na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena… e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njerit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të Kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, simboli më i gjallë e më rrënqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte. Tepelena, zyrtarisht Kampi i dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, pa dyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre por, puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila.

Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e Kombit. Është detyrë e veçantë e  demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është edhe një detyrë e letërsisë së lirë shqiptare t’i japë botës një Arqipelag Gulag të markës shqiptare. Tepelena ka aqë shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme ( besoj se demokracia do t’i nxjerrë ato) do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore. Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp nuk kanë të numuruar. 

Dita në kamp fillonte me natë, në orën tre të mëngjesit. Policët analfabetë e nisnin në atë orë leximin e apelit një për një të të internuarve dhe e mbaronin në ora pesë. Pastaj fillonte marrja e mëngjesit, një ujë i zierë që kishte emrin çaj. Më pas vargu i gjatë i grave, burrave, të rinjve nisej për në mal, për të plotësuar normën e druve- prerje e ngarkim në kurriz- nën vrojtimin e policëve me pushkë në krah. Do të furnizonin me dru ushtrinë, kampin për gatim, komandën për ngrohje, degën e punëve të brëndëshme, familjet  e oficerëve e të policëve, të nëpunësve të komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv… Njerëzit ishin kthyer në rolin e mushkës, episodet e dhimbjeve të kësaj pune arrijnë maja të tilla therëse, që do të fyenin ndërgjegjen e çdo qenieje që quhet njeri. 

Mbaj mënd sesi natën e Vitit të Ri 1951, sëbashku me gjyshen, prisnim të kthehej nëna nga mali. Gjyshja kishte gatuar diçka, një si qull me pak miell, që do t’a hanim për të “festuar” Vitin e ri. Nëna ime u kthye sëbashku me tri shoqe të saj, vajza të eksponentëve politikë të njohur antikomunistë, të ashtuquajtur “tradhëtarë”. Pasi u kthyen të gjithë në kamp, ato polici i ngarkoi përsëri me dru dhe i nisi për në qytet, për të çuar dru në shtëpinë e një oficeri të policisë. Afër mesnatës ato u kthyen në kazermë. Ç’vit i ri i bukur, ndërsa të tjerë, të “përkëdhelur të fatit”festonin me gjithë të mirat në Hotel “Dajti” apo në Pallatin e Brigadave…

Ajo punë shtazore përballohej me një ushqim që përbëhej nga gjashtëqind gram bukë, nga bollguri me krimba që notonin në lëngun e tij, e plotësohej nga lakrat e egra, kungulli, lendet e lisit, goricat, këto kur kishim mundësi t’i gjenim jashtë kampit. Po t’i shtoje kësaj tabloje kushtet higjenike të tmerrshme, mungesën e banjove të mjaftueshme, të ndërtesave, të vendit për të fjetur (gjithsej tridhjetë cm. gjërësi për person e njëzet për fëmijët), të krijohet pamja e vërtetë e torturës së përditëshme në atë vend të mallkuar, që quhej Kampi i Dëbimit.

Atje, që në moshën gjashtëvjeçare, u njoha me qelinë apo “birucën”, siç përdoret rëndom. Një ditë, duke luajtur si fëmijë, bëra një “gjynah” të madh. Kisha gjuajtur me gurë derrat e komandës që kullosnin të qetë në liri, jashtë telave me gjemba të kampit. Polici më kishte parë. M’u afrua, më kapi për leckash e më futi në birucë. Ende sot më rrënqeth  kujtimi i atyre orëve të kaluara në errësirën e birucës, i vetëm, duke qarë prej frikës së gogolit. Jashtë më fliste gjyshja ime e mirë: “ Mos ki frikë, e mbyt nona gogolin!”. Edhe ajo i rezistonte policit që i kanosej për t’a larguar. Në orën dy të natës një tjetër polic m’a hapi derën e birucës dhe un rifitova “lirinë”.

Ndofta fakte të tilla duken pak të pabesueshëm, por e vërteta është se pati dhe të tjera raste të tilla, krahas qindrave që përbënin ligjin mizor aty brenda. Njëri ndër to, që më vjen ndërmend tani, është ai i një gruaje të sëmurë që rënkonte nga dhimbjet në veshka e i “prishte qetësinë” policit i cili, për pasojë, e lidhi në një shtyllë për njëzetekatër orë. Mbas kësaj ajo mezi erdhi në vete për dhjetë ditë. Cinizmi dhe sadizmi i personelit të komandës besoj se ja kalonte shumë herë figurave të esesëve, që vite më parë shihnim në filmat tanë apo të vendeve të tjera të Lindjes. 

Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin këta ish partizanë në marredhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapterëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mëndjet e ish banorëve të kampit dhe kujtohen ende mbas dyzet viteve, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.

Gratë dhe vajzat e reja që vinin nga mali nëpër shi me rroba të lagura deri në mish, duke mos patur ndërresa ( në çastin e internimit nuk u ish lejuar të merrnin asgjë veç rrobave të trupit), detyroheshin të mbuloheshin lakuriq nën batanije, mbasi rrobat e shtrydhura i ndenin për t’u tharë. Ruajtësi “ vigjilent” i “rendit më të përparuar të njerëzimit”, kur e pikaste një gjë të tillë, shkonte dhe ia tërhiqte batanijen duke e lënë të zbuluar shqiptaren “ armike” në sytë e dhimbshëm të të pranishmëve. Prej cilit armik ndër shekuj shqiptari do t’a priste një kob të tillë?  Ku t’i kërkojmë krahasimet? Ndoshta në rrëfimet e kuvaitianeve të përdhunuara nga idhtarët e Sadam Hysejnit.

Puna e detyruar, uria e vuajtjet i kishin kthyer në skelete të gjalla mijëra njerëz. Mbi pleqtë, fëmijët e sëmurë, vallëzonte  përditë kosorja e vdekjes, që rrinte e gatshme të merrte pjesën e saj. Në një kamp pune, një të burgosuri, kur i thanë se të vdiq vëllai, pyeti a e kish marrë racionin e bukës për atë ditë…. Të tilla episode ndodhnin edhe në kampin e Tepelenës.

Një tjetër kapitull më vete, i llahtarshëm ishte ai i fëmijëve. Fëmijët e vegjël, që nënat e reja detyroheshin t’i linin lidhur në djep gjithë ditën, rriteshin në mëshirën e ndonjë plake të huaj. Qëllonte që mbasi kishte shkarkuar barrën e druve, natën, gruaja e re e gjente krijesën e saj duke u prehur në paqen e pasosur, me një pamje engjëllore… Lotët dhe mallkimet ishin shumë pak për të shprehur dhimbjen; të nesërmen, që në mëngjes, e priste rrjeshti me shoqet për në mal…

Fëmijët që mbetën të vetëm u rritën për mëshirë nga të afërm e madje herë herë dhe të panjohur, sepse nënat u çuan në kampet e punës, për të ndërtuar falas “veprat e socializmit”. Më kujtohet ajo ditë e hidhur, kur u ndava nga nëna. Mundohesha t’i kacavirresha kamionit ndërsa polici më godiste duart. Lotë rridhnin nga sytë e atyre grave bujare malësore që ishin ofruar vullnetarisht për të zëvendësuar nënën time në këtë transferim,  por urdhëri ishte i prerë: ajo duhej të ndahej nga un. Polici duhej të zbatonte këtë urdhër të eprorëve, duke goditur duart e fëmijës që nuk donte të shkëputej nga nëna… Ç’skenë e bukur për një pikturë të denjë për Gojën, subjekt i bukur për të ilustruar “humanizmin socialist”, të trumbetuar me zell në këtë gjysëmshekulli.   

“Lufta e klasave” ishte sistematike dhe me të vdekurit. Tri herë u ndërrua vendi i varreve, deri sa e çuan buzë Vjosës, që eshtrat t’i gëlltiste lumi, mbasi jetën ua shkurtoi ajo, e famshmja “vija e demarkacionit”, “guri i provës për marksistë-leninistët shqiptarë”. Dikush edhe sot i quan të drejta e, madje të dobishme, këto përbindshmërira, i përligj me “luftën e ftohtë”, me diversantët. Më vjen ndërmend personazhi i Hamletit, në bisedë me t’ëmën, kur shprehet:” Do të ve një pasqyrë ku të shohç të zit e zemrës tënde…”. Këtë pasqyrë e ka për detyrë çdo njeri i lirë t’ua verë para strategëve “të lavdishëm”  t’asaj lufte, që mishëronte në vetvete gjithshka mefistofelike kishte në natyrën njerëzore, skutat e errëta të së cilës i kish njohur aqë mirë kollosi Dostojevski, duke parahikuar edhe rrezikun, njëqind vite më parë.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, NJE JETE NE DIKTATURE 2

NJË JETË NË DIKTATURË

October 24, 2020 by dgreca

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

Shkruan:Eugjen MERLIKA/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/- NDRE  MJEDA /

FËMIJËRIA DHE FALLXHORI GREK

GRABIAN, QERSHOR 1990- Më  duket një detyrë morale ndaj vetvetes dhe nevojë e domosdoshme informimi ndaj atyre që patën fatin e mirë të mos i jetonin dhjetëvjeçarët e gjatë të sistemit monist shqiptar, të shkruaj disa faqe nga historia e jetës sime, thjesht për të bërë të njohura disa pamje nga një realitet, që kushtëzoi shumë jetë njerëzish. Eshtë një realitet, që sot është vënë në tehun e kritikës nga shumë njerëz të sferave të ndryshme të jetës kulturore të Kombit. Pa pretenduar të bëj pjesë në ato sfera, mendoj se jap një ndihmesë sado të thjeshtë në shpalosjen e disa të vërtetave të pakundërshtueshme, të pësuara drejtpërsëdrejti.

            Vetë fakti që po shkruaj këto rradhë, më detyron t’i filloj ato me një nderim të sinqertë ndaj gjithë atyre faktorëve e forcave që bënë të mundur ardhjen e këtyre ditëve të reja në të cilat e vërteta, e masakruar deri tani, shpaloset në të gjithë gjërësinë dhe thellësinë e saj. Nderimi im i veçantë shkon te populli i Shkodrës, i Kavajës, i Tiranës e qyteteve të tjera e, mbi të gjitha, tek studentët e Universitetit të Tiranës që, me guxim deri në vetmohim, luftuan për demokracinë e ditëve të sotme, duke i bërë një shërbim të madh kombit tonë. Mendoj, se për këtë shërbim, ky komb duhet t’ju jetë mirënjohës në jetë të jetëve.

Gjatë jetës sime nuk kam mbajtur një ditar të rregullt, siç ndodh shpesh tek njerëzit. Kjo ndodhi jo për përtaci apo lënie mbas dore, por thjesht prej një ndjenje vetëruajtjeje, që dhjetëvjeçarë me rradhë m’u imponua nga kushtet e një jete të pasigurtë, me shpatën e Damokleut mbi kokë (rreziku i arrestimit në çdo çast). Ky ditar do të kish paraqitur si një dokumentar shumë çaste të një jete të gjymtuar nga diktatura. Ndërsa sot, në moshën 47 vjeç, ( jam binjak me diktaturën që, për ironi të fatit, quhet “çlirim”) më duhet t’i drejtohem vetëm kujtesës së fashitur nga një mori faktorësh…

Kam lindur në Tiranë në prill 1944, bir i një çifti intelektualësh me shkolla të larta. Babai ka qenë inxhinjer elektrik, i diplomuar në Grenoblë të Francës ndërsa nëna mësuese letërsie, e diplomuar me 30 me lavdërim në një nga universitetet më të vjetra të  Evropës, në Napoli të Italisë. Ky ishte një fat disi i pazakontë për stadin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare t’asaj kohe. Jetën e kam nga Zoti dhe nga Dr. Hamdi Sulçebeu, i cili në asnjë mënyrë nuk pranoi të kryente dështimin e propozuar nga mjeku gjinekolog, kur nëna ishte shtatzënë, duke u përgjigjur: “Mua më kanë mësuar në shkollë t’i shpëtoj, jo t’i vras fëmijët.”. Por shumë herë gjatë jetës sime më ka munduar mëdyshja nëse duhet t’i isha mirënjohës dhuratës së tij…

Në klinikën e Dr. Sadedinit, ku ka qënë shtruar nëna ime, gjenin strehë edhe partizanët apo guerilasit e Tiranës. Kontrolleve të gjermanëve iu dilte para shprehja “un kam të shtruar të renë e Mustafa Krujës” dhe qetësia në klinikë sigurohej. Ndofta ky ishte një sinjal i largët, pararendës i pluralizmit që do të vinte pas pothuaj gjysëm shekulli, apo ndofta ishte një përllogaritje e hollë e mundësive të mbijetesës në një kohë që do të vinte me emrin e revolucionit socialist. Këto hollësi i mësova më vonë nga nëna, jeta e së cilës është një roman më vete, me përmasa tragjike, e denjë për një penë dostojevskiane, për përshkrimin e së cilës nuk e ndjej veten të aftë. Do të mjaftonin, për t’a mbushur atë roman, dëshmitë e shokëve e shoqeve të atij kalvari të gjatë gjysëm shekullor që sot janë shpërndarë gjithkund, në Shqipëri e në botë.

Ndodhia e  parë, e ngulitur çuditërisht në kujtesën time (kam qenë tre vjeç e nuk di a pranohet shkencërisht një fakt i tillë), ka qenë kacavjerrja në hekurat e portës së burgut të Tiranës me fjalët: “babi, hajde me ne” që shqiptoja i përlotur dhe me ngulmimin për të mos u shkëputur nga babai brënda saj. Aty ishte njohja ime e parë me absurditetin që nuk më lejonte të  përqafoja babain, si dhe takimi i parë me policin, shkaktar të kësaj ndalese, një figurë që ndryshoi vetëm fytyrat e që më shoqëroi gjatë gjithë rrjedhës së lumit të jetës sime. “Kjo është jeta jote Faust! Dhe këtë m’a quan jetë…” Gëte                                    

Ballafaqimi i parë i ndërgjegjshëm me jetën u bë nëpërmjet arrestimeve të babait e të xhaxhait. Mbeta vetëm me gjyshen dhe nënën time të re, asokohe 26 vjeçe. Banonim në Tiranën e re, në një shtëpi me qera, sepse shtëpia jonë ishte zënë nga Spiro Moisiu, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë “nacional-çlirimtare”. 

Një ditë të bukur të vitit 1947 vjen urdhëri i shpërnguljes nga Tirana për në Shijak. Në të njëjtën ndërtesë ku banonim ne ishte dhe një vajzë jugosllave me emrin Nada. Ishte me gradë kolonele, por nuk di se ç’funksion kishte. Fliste frëngjisht me nënën dhe ishin miqësuar edhe prej muzikës. Nëna i binte pianos, këndonte shumë këngë italiane dhe arie nga operat që asaj i pëlqenin shumë. Urdhëri i shpërnguljes sonë e dëshpëroi Nadën. U mundua t’a anullonte me të gjitha mundësitë, ndërhyri vetë tek ministri i brendshëm, por përgjigja ishte negative: “ Vetëm për atë familje nuk mund të bëj gjë.”

Kështu po atë ditë u gjendëm në kasollen e një evgjiti, në katër rrugët e Shijakut, un gjyshja dhe nëna. Babai kish filluar odisenë e tij të gjatë në kampet e punës. Ai ishte dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burgim, sepse kishte marrë pjesë në një mbledhje me pak shokë, për të krijuar ligjërisht një parti opozitare, në kohën që ato “lejoheshin” zyrtarisht nga “demokracia popullore”.

Nuk ruaj kujtime të veçanta nga kasollja e Shijakut, por mbas pothuajse një viti xhaxhallarët e babait na morën në Krujë, qyteti ynë i origjinës. Aty mbusha pesë vjeç. Nga që kisha zell e dëshirë të madhe për të mësuar, një mësuese shpirtmirë më regjistroi në klasën e parë. Por vendimi i marrë nga   Ministria e brëndshme, së bashku me degën e Krujës (ndofta disi i vonuar, sepse familjet e tjera kishin vite që qëndronin në kampe interrnimi) u vu në zbatim dhe ne u detyruam të banojmë për disa muaj në qelitë e degës së Krujës.

Para syve më del si nëpër mjegull figura sa e bukur aq dhe njerëzore e mësueses sime të parë, që më merrte përdore e më sillte nga shkolla në burg, ndërsa çdo mëngjes polici hapte portën në të njëjtën orë, për të më lejuar të shkonja në shkollë. Më vjen shumë keq që nuk i mbaj mënd emrin e asaj vajze dhe nuk di  a rron… Por i jam shumë mirënjohës, jo vetëm se më mësoi shkronjat e para, por se me kujdesin e dhëmshurinë e saj prej nëne m’u bë shumë e afërt. Nuk di a pagoi çmimin për njerëzinë e saj, sepse tallazet e ashpra të luftës së klasave nuk lejonin një qëndrim të tillë dashamirës kundrejt një fëmije “armiqsh”. Për mua ajo qe si një rreze drite në tunelin e gjatë nëpër të cilin do të kalonte jeta ime, një shembull që më tregoi se në jetë ka dhe njerëz të mirë, gjë të cilën do t’a vërtetoja herë pas here në vitet që pasuan.

Aty, në qelitë e seksionit të Krujës, së bashku me dy familje të tjera ishte dhe një grek, monarkist, i ardhur këtej si pasojë e luftës. Ai shikonte filxhanët e kafesë. Një ditë i pa gjyshes filxhanin dhe i tha këto fjalë:”Që këtej do të ikni së shpejti. Do të shkoni larg, do të kapërceni male, fusha e lumenj e do të qëndroni në një vend mes malesh.. Aty do të vuani shumë, shumë dhe mbas disa vjetësh do të ktheheni përsëri nga ajo rrugë, por jo më këtu. Do të qëndroni në mes të rrugës në një fushë. Aty jeta juaj do të përmirësohet, por mirë siç keni qenë ju nuk do të bëheni kurrë më, kurrë…” Ato gra e vajza, që e dëgjuan, qeshën e thanë se fall është e nuk i dihet, por greku kishte qenë si Kalkanti. Falli i tij u vërtetua me një saktësi të habitëshme…

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, NË DIKTATURË, NJË JETË

DËNIMI I DMITRIEVIT DHE CAQET E POLITIKËS SONË

October 19, 2020 by dgreca

Nga Giovanni Belardelli-Përktheu Eugjen Merlika /

Ka, kaluar pothuajse i pa vënë re në Vëndin tonë dënimi i fundit i rëndë me trembëdhjetë vite burg, i pësuar 29 shtatorin e shkuar nga Juri Dmitriev, historian rus dhe veprimtar i shoqatës Kujtesë. Vendimi ka shkaktuar protesta në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian, të bindur që mbas padisë së rreme të pedofilisë kundrejt të dënuarit fshihet vullneti për të goditur punën e  tij në mbrojtje të kujtesës së viktimave të stalinizmit. Në vitin 1997 Dmitriev qe një prej atyre që zbuluan në Sandarmoh, në pyjet e Karelisë në kufi me Finlandën, më shumë se dyqind varreza  të përbashkëta, në të cilat ishin hedhur trupat e mijëra njerëzve, të sapo pushkatuar me një plumb mbas koke. Vinin nga ishujt Solovki, i pari kamp për të burgosur politikë, i themeluar më 1923 në kohën e Leninit; më 1937 u vendos të mbyllej kampi dhe të asgjësoheshin të gjithë të burgosurit.

Në çastin kur ndodhi zbulimi i varrezave të përbashkëta autoritetet ruse dukej se mbështesnin këtë lloj kërkimi dhe bashkëndanin frymën që e përkrahte: në tetorin 1997, përvjetori i gjashtëdhjetë i vrasjes së tyre, viktimave të Sardamohut i u kushtua një ceremoni e më pas një përmendore, e paracaktuar të mbetej e para dhe e fundit e këtij lloji. Me ardhjen në fuqi të Vladimir Putinit gjëndja do të ndryshonte. Gjithënjë e më shumë e shkuara sovjetike (përfshirë edhe stalinizmi) gjykohej në mënyrë thelbësisht pozitive, mbasi përfaqësonte periudhën në të cilën Rusia ishte pohuar si një fuqi e madhe botërore. Kjo vazhdimësi e mëtuar për Rusinë e sotme dhe përvojën sovietike është aq më e fuqishme sa më shumë takon miratimin e sektorëve të gjërë të opinionit publik, prej kohësh i interesuar nga dukuria e – siç është quajtur – mallit sovjet. Beteja në mbrojtje të kujtesës së viktimave të komunizmit është bërë e vështirë (shoqata Kujtesa është quajtur “një agjente e huaj”) dhe sulmohet drejt për së drejti nga një histori zyrtare që priret të errësojë të vërtetën shtypëse e kriminale të regjimit komunist; madje është bërë e rrezikëshme dëshira për të dokumentuar vrasjet masive të ndodhura në epokën staliniane.

Në këtë kuadër rrjeshtohet e shpjegohet edhe ndodhia Dmitriev. I arrestuar në dhjetor 2016, në fillim u lirua më 2018, por në vitin e ardhshëm një tjetër proçes e dënonte me tre vjet e gjysmë burgim. Kjo duhej të thonte se, duke mbajtur para sysh periudhën e kaluar në burg, ai duhej të dilte prej tij në nëntorin e ardhshëm. Dënimi i ri i dhënë në fund të shtatorit – një “rrufe në qiell të kthjelltë” e ka përcaktuar Le Monde – i ndalon kthimin në liri të një historiani veçanërisht të zotuar në mbrojtjen e kujtesës së viktimave të Gulagut.

Mungesa n’Itali e kundërveprimeve zyrtare për çështjen Dmitriev shënon një cak të përhapur të klasës sonë politike si – edhe se mund të duket e pabesueshme tridhjetë vite mbas fundit të BRSS – përsa i përket gjykimit historik të dhënë komunizmit sovjetik, ashtu edhe qëndrimit për t’u mbajtur kundrejt Rusisë së Putinit. Sa i përket vështrimit të parë caku ka të bëjë më shumë me të majtën. Kujtoj, për shembull, se kur një vit më parë Parlamenti evropian miratoi një rezolutë dënimi si të fashizmit e të nazizmit po ashtu edhe të regjimeve komuniste, ANPI (Shoqata kombëtare e partizanëve italianë) protestoi ashpër duke kujtuar se si sovjetikët kishin qënë ”çlirimtarët” e Evropës (pohim i vërtetë, madje i afërmendshëm, por që harronte në të njëjtën kohë se brënda BRSS e kundrejt regjimeve të Lindjes, Pushteti sovjetik kishte ushtruar rolin e shtypësit e shpesh të xhelatit). Në anën tjetër, n’atë të qëndrimit të marrë kundrejt “demokraturës” putiniane, dallohen – në një aleancë të nëndheshme verdh-jeshile – si Pesëyjet ashtu edhe Lega. Pak ditë më parë, në fakt, një dokument i Parlamentit evropian që kërkonte një hulumtim ndërkombëtar mbi helmimin e Aleksej Navalnit, mori votën e kundërt të Legës, ndërsa përfaqësuesit e L5Y kanë abstenuar së bashku me ata të Fdi (Vëllezërit e Italisë). Nuk është për t’u  habitur pra që, për një arsye apo për një tjetër, fati i njërit si Juri Dmitriev që lufton për të shpëtuar gjurmët e viktimave të komunizmit i intereson pak ose aspak politikës italiane, që megjithatë nuk le rast t’i kalojë për të na ftuar (ndoshta në mënyrë pak hipokrite) në detyrën e kujtesës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Giova Belardelli, Juri Dimitriev

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT