• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETËRSIA DHE RISHKRIMI I HISTORISË

October 6, 2022 by s p

(Mbresa nga leximi i librit “Vdekja e Enver Hoxhës” i P. Kullës)

Nga Eugjen Merlika/

Kohët e fundit në librat e botuara sërishmi u shtua një titull që pushton përfytyresën e vë në provë kujtesën për ngjarje të zhvilluara një të katërt shekulli më parë.”Vdekja e Enver Hoxhës” është titulli i librit, kurse autori i saj, z. Pëllumb Kulla është një firmë e njohur nga lexuesi shqiptar. I afirmuar që herët në botën e humorit, jashtë kafazit të “realizmit socialist”, vazhdoi krijimtarinë e tij që, në gjininë e saj, mbetet pa dyshim në nivelet më të larta të letrave të sotme shqipe. Vepra e re është një hap i madh para n’atë krijimtari, mbasi ka meritën që, nëpërmjet fjalës artistike, të japë ndihmesën e vet në zbulimin e një realiteti tepër të zymtë të së shkuarës sonë, për të cilin ende heshtet, madje ekziston edhe një farë malli.

Nëntitulli i veprës është “Shumë romane në një” dhe shënon drejtimin e parë që i jepet lexuesit në shtjellimin e një gjinije letrare disi të veçantë. Por në parathënien, tepër të shkurtër e po aq konçize, autori zbulon pjerrjen e qëllimin e shkrimit të veprës, që i largohet disi traditës së tij humoristike, duke e vënë në plan të dytë atë, për t’i dhënë më shumë hapësirë përmasave dramatike e tragjike të epokës. Vepra hedh dritë mbi Shqipërinë komuniste të dhjetëvjeçarit të fundit të qënies së saj, madje fokuson qëndrën e saj të gravitetit, majën e piramidës ku vendosej deri në imtësi fati i frymorëve nënshtetas, në një çast kulmor siç është ai i ndarjes së Enver Hoxhës nga kjo jetë.

Autori saktëson: “ Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale.” Është ky shqetësimi i shkrimtarit, ballafaqimi i popullit të tij me një epokë historike të gjatë e të vështirë siç qe ajo e jetuar në vitet 1944-1991, traumat kryesisht morale të kësaj dukurie. Lënda e trajtuar është shpërthyese, mund të japë shkas për diskutime pa fund mbi dobinë e paraqitjes, rrok një gamë të madhe problemesh,  personazhesh e mjedisesh, duke vënë në pikëpyetje karakterin e një populli të tërë. Vepra trajton ngjarje të njohura në planin shoqëror e historik dhe autori që në fillim e siguron lexuesin mbi vërtetësinë e tyre. “Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur!”.

Vërtetësia e ngjarjeve të përshkruara, burimet e sakta të riprodhimit të tyre ndihmojnë lexuesin e ri, por edhe atë më pak të ri, të krijojë idenë e plotë mbi Shqipërinë e Enver Hoxhës, larg demagogjisë, retorikave dhe fasadave të një regjimi që, si objektiv të parë, kishte mbulimin e të vërtetave nëpërmjet një organizimi të përsosur që mund të krahasohej vetëm me atë të Rusisë staliniane. Ky realitet tragjikomik, i përshkruar me mjeshtëri nga autori, merr shkas nga vdekja e Enver Hoxhës, njeriut që hyri në historinë e popullit të tij si sundimtari më jetëgjatë e, ndoshta, më mizori, plot katër dhjetëvjeçarë. Vepra pasqyron ditët e fundit të qëndrimit të trupit të tij pa jetë në “kullën e fildishtë” ku e kishte futur përfytyresa legjendarizuese e një populli të traumatizuar nga terrori deri n’atë pikë sa nuk ishte në gjëndje të pranonte për udhëheqësin e tij as idenë e dukurisë më të zakonshme të ekzistencës njerëzore, atë të vdekjes.

Vepra, gjithmonë duke patur si bosht qëndror figurën e diktatorit dhe prapaskenën e organizimit mastodontik të funeralit të tij, shtjellohet në tre plane kryesore, që do t’ishin secili një roman me vete, por që përbëjnë një radiografi të plotë të shoqërisë shqiptare t’asaj kohe. I pari është ai i rrethit të ngushtë të udhëheqësit, duke filluar nga bashkëshortja e deri tek kuadrot kryesore të partisë e të Shtetit, nga qëndra deri në skajet më të largëta të Vendit, të përshkruara në përmasat e tyre të vërteta të mungesës së vlerave, të dinjitetit, të meritave, një klasë drejtuese e aftë vetëm për t’u jargavitur në lajka e hipokrizi karshi të parit të vet. I dyti është ai i militantëve të partisë, ish partizanëve, komunistëve, heronjve të punës, sigurimsave, të gjithë asaj hordhije jo të vogël shqiptarësh që e patën për nder e krenari të ishin baza besnike dhe e sigurtë e një diktature, e cila kishte si strategji kryesore të saj “luftën e klasave”, atë dukuri të pafund në kohë e mizori, një nga treguesit kryesorë të së veçantës së “socializmit shqiptar”. I treti është ai i viktimave të dhunës “proletare”, i asaj pjese të popullsisë që pagoi me vuajtje të pashëmbullta përkatësinë e të parëve të tyre në pjesën kundër komuniste të shoqërisë.

Episode komike, dramatike e tragjike përbëjnë lëndën e tre mini romaneve. Mjediset e përshkruara me mjeshtëri e vërtetësi janë terreni ku lëvizin personazhet, secili me botën e vet shpirtërore, secili me të veçantën e tij. Ata i ngjajnë një tufe insektesh që vërtiten rreth një llambe që i mban pranë me dritën e saj, por që në takimin me të përzhiten e bien në tokë. Llamba është arkivoli me trupin e Enver Hoxhës, ndërsa insektet janë njerëzit që, për mirë apo për keq, e kanë lidhur fatin e tyre me emrin e tij.

Në këtë galeri të gjërë personazhesh bien në sy, veç grimiorit që është treguesi në vetë të parë i ngjarjeve, Teloja, i plotfuqishmi i sigurisë së “shtëpisë mbretërore” të kuqe, njeriu në hije para të cilit rrijnë gatitu të gjitha kukullat e udhëheqjes së Vendit, Moisi Dhëmblani, një farë poeti oborri i qytetit të lindjes së diktatorit, nënkryetari i presidiumit të Kuvendit popullor në një episod sa komik aq kuptimplotë për të kuptuar mekanizmin infernal të regjimit, sosia e Komandantit që përfundon në arkivol për të ruajtur paraqitjen e jashtëme të tij në sytë e turmave, çifti Rico me kompleksin e tij të besnikërisë e adhurimit për Enverin por dhe me dëshirën për të festuar në një dasëm familjare, Kujtim Gjyzari, i “burgosuri i përjetshëm” i regjimit. Këta e të tjerë lidhen me figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës, qoftë për së gjalli, qoftë dhe kur ai gjendet pa frymë në arkivol.

Episodet, të cilat përshkruajnë këto lidhje, janë secili një hallkë e atij zinxhiri të gjatë që qe diktatura e personifikuar nga Enver Hoxha, një sistem në të cilin dhuna, pabesia e mashtrimi nuk njohën caqe, duke krijuar një shoqëri në të cilën frika ishte motivi zotërues i jetës. Kjo ndjenjë, që arrinte të kushtëzonte skajshmërisht çdo qelizë të shoqërisë, gjen shprehjen e saj më domethënëse në të gjitha veprimtaritë që përbëjnë skenën e shfaqjes së fundit të duetit Enver-Shqipëri, që përbën lëndën kryesore të veprës e shqetësimin më të madh të shkrimtarit. Depersonalizimi i bashkatdhetarëve, indoktrinimi skajor i tyre, tjetërsimi i karakterit që humbet vetitë tradicionale të racës, këto janë për autorin dëmet më të mëdha që komunizmi i solli Shqipërisë. Kriza morale në të cilën u zhyt shoqëria, simptomat e së cilës janë të gjalla ende, që i ktheu shumë qytetarë të këtij Vendi në automatë imoraliteti, duke patur për faltore ndërtesat e degëve të brëndëshme e për rrëfyes oficerët e Sigurimit, ishte ndoshta plaga më e thellë që infektoi trupin e Shqipërisë. Ai infeksion, për dobinë e zbulimit të të cilit vazhdojmë të diskutojmë ende sot, qe si një stuhi rrënuese që rrafshoi vlera e karaktere, pothuajse në të gjitha shtresat e shoqërisë. Asaj stuhije gjysëm shekullore i qëndruan individët më të shëndoshë, jo si prejardhje, as si shtresë shoqërore, por si karakter vetiak. Kam përshtypjen se autori është mjaft pesimist e i pezmatuar n’atë drejtim. Në mjediset që paraqet gjen pak motive shpresëdhënëse, ata i shëmbëllejnë një bataku pa kufi, ku notohet nën rrezikun e zhytjes në çdo çast.

Në gjithë këtë katrahurë, që është Shqipëria e ditëve të funeralit, shkrimtari shpëton vetëm një personazh, Kujtim Gjyzarin. Ai është kanakari i autorit, i zgjedhuri i tij, simboli i qëndresës ndaj së keqes, i luftës së pabarabartë me të. Historia e personazhit përbën lëndën e një romani më vete. Jeta e tij është një pasqyrë e mizorisë së një regjimi, që synoi të çthurë moralisht qytetarin, e që nuk nguroi të përdorë dhunën më skajore tek ata që i bënë qëndresë kësaj prirjeje. Kujtimi arrestohet në moshën 17 vjeçare, sepse do të paguajë haraçin e një familjeje në të cilën babai ishte në burg e tre vëllezërit u arratisën për t’i shpëtuar atij fundi. Ishte një i ri idealist i mëkuar me veprat e rilindësve dhe autorëve kombëtaristë të dhjetvjeçarëve të parë të shekullit të shkuar. Ishte një i ri i çiltër e i sinqertë i edukuar me bindjen se e vërteta duhet pohuar në çfarëdo rrethane. Të vërtetën për dënimin e padrejtë të tij nuk e mohon kurrë, madje as para Enver Hoxhës, që shkoi të “vizitojë” burgun. Ky pohim i kushtoi shumë mundime, vite burgu e tortura, por ai nuk u dha edhe kur pësoi zhgënjimin e madh, rrahjen nga bashkëvuajtësit pragmatikë në kërkim të një luge sheqer.

Lotët e tij në birucë, kur merr vesh nga altoparlanti vdekjen e diktatorit, janë një gjetje shumë e bukur e autorit që krijon një tabllo të pashlyeshme nga mëndja e lexuesit. Ato lotë shprehin gëzim e shpresë, por edhe dëshpërim sepse me emrin  që vajtonte atë ditë zyrtarisht Shqipëria, ishin lidhur shumë tragjedi e jetë të dhunuara si ajo e vetë Kujtimit, e prindërve të tij e sa e sa viktimave anekënd atdheut. Ata lotë nuk i bashkohen atyre të turmave servile e hipokrite anembanë Shqipërisë, ata lotë janë bilanci i hidhur që vetëdija e kësaj të fundit i bën vetes. Ata lotë shënojnë një fund e një fillim që duhet të burojë prej tyre. Aty duhet të marrë forcën e vet Shqipëria e ardhme për të filluar ngritjen e saj, në të cilën do të kenë një rol të rëndësishëm njerëzit si Kujtimi. Ky është mesazhi i shpresës që, tërthoraz përciell shkrimtari, ky është besimi i tij. Fatkeqësisht kjo nuk qe bindja e atyre që morën përsipër misionin e vështirë të ndërtimit të demokracisë shqiptare pas komuniste.

Për kushtet e veçanta të kombit tonë letërsia është binjakëzuar me historinë dhe ngjarjet e saj më të rëndësishme. Nëse për gjysëm shekulli kemi patur një letërsi që ka ndihmuar politikën për të krijuar realitetin “virtual” në mëndjet e shqiptarëve, duhet të kemi kurajon e forcën të krijojmë një tjetër letërsi që të vihet në shërbim të së vërtetës, mbasi ende “ kushtrimi i të parëve” vazhdon t’a mbulojë e tjetërsojë atë. Përgëzimet më të mira z. Pëllumb Kulla, që me veprën e tij  të arrirë jep një ndihmesë themelore n’atë drejtim, duke i bërë një shërbim të çmuar kulturës shqiptare dhe popullit të tij.

Filed Under: Fejton Tagged With: Eugjen Merlika

HENRY KISSINGER: “RUSIA KA HUMBUR, POR TANI DUHET SHMANGUR SHKALLËZIMI BËRTHAMOR”

October 5, 2022 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI/

“Rusia ka humbur luftën, tani duhet të ndalojmë shkallëzimin e saj bërthamor. Mund t’a mundim edhe n’atë skenar por natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe I gjithë sistemi botëror do të çakërdiseshin. Diplomacia duhet të kthehet në veprim”

Henry Kissinger flet në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtëme të New Yorkut, një vënd për të i dëndur në kujtime. Në këtë qëndër studimesh të gjeopolitikës më 1957 ai botoi syzimin që u bë guri themeltar i mendimit strategjik amerikan: “Nuclear weapons and Foreign Policy”. Teorizonte lindjen e armatimeve bërthamore taktike – të paracaktuara për t’u përdorur vetëm në fushat e betejave e kundër një agresioni të trupave armike – dhe maste të gjitha pasojat.

Ai studim qe paralajmërues i një karriere të re, nga profesor universitar në krye të diplomacisë amerikane nën presidentët Richard Nixon e Gerald Ford. Në moshën 99 vjeçe urtësia dhe mëndjemprehtësia e tij janë pyetur për të kërkuar një përgjigje kërcënimeve të Vladimir Putinit, pikërisht për përdorimin e armëve bërthamore taktike në Ukrainë.

Kissingeri ka botuar një libër të ri, “Leadership”, galeria e portreteve të gjashtë shtetarëve të mëdhenj të Nëntëqindës. Nuk tërhiqer mbrapsht mbi shkallëzimin bërthamor. “Që nga fillimi i mësyemjes së Ukrainës – thotë – duhej shmangur një fitore e Rusisë. Aq më tepër duhet shmangur që të kërkojë një hakmarrje bërthamore. Nuk mund të lejojmë që përdorimi i armëve bërthamore të bëhet i zakonshëm, të normalizohet. Jo vetëm për atë që do t’ishte përfundimi i llahtarshëm i menjëhershëm, por edhe për pasojat në ndërpretimin dhe ligjërimin e pushtetit nga ana e atij që i përdor.Nuk është e pranueshme që Rusia t’arrijë me armët bërthamore rezultatin që nuk ka qënë e aftë të mbërrijë pa ato”.

Ish sekretari i Shtetit shpjegon se çfarë lloj përgjigjeje do të duhej të jepte NATO, nëse Putini do të përdorte vërtetë bërthamoren. Është një temë mbi të cilën ka pasur së fundi komunikime ndërmjet drejtuesve të nivelit të lartë ushtarakë të SHBA e të Moskës. “NATO – vëren – duhet të kundërveprojë sa më gjatë me armët e zakonshme. Por drejtuesit rusë duhet të dijnë se në rastin kur të përdorin armët bërthamore caqet për një marrëveshje paqe do të bëhen më të rënda për ta, Rusia do të dalë si një komb më i dobët se më parë”.

I paditur herë herë për cinizëm në Realpolitikën e tij, Kissinger saktëson se një rrugëdalje nuk mund të kalojë mbi kryet e popullit ukrainas. “Ukraina nuk duhet demoralizuar. Duhet të ketë një rol të dorës së parë në proçesin e paqës”. Të hartojë një listë të gjithshkaje ka fituar Kievi në fakt që kur ka ditur të qëndrojë kundër pushtuesit e që duhet raktifikuar në çfarëdo marrëveshjeje paqeje. “Mbrojtjet e lirive ukrainase përfshijnë përkatësinë e saj në Bashkimin Evropian. Ndërsa për marrëdhëniet e saj me NATO-n tashmë është zgjidhur nga ngjarjet. Prandaj Rusija ka humbur. Në luftën e Parë e të Dytë botërore Rusia kishte treguar aftësinë e kërcënimit t’Evropës në terrenin e armëve të zakonshme, tashti kjo forcë e saj është mposhtur”.

Megjithatë teoricieni më i madh në jetë i diplomacisë don të kthehet pikërisht në këtë: diplomacia.

“Një bashkëbisedim, qoftë edhe vetëm zbulues, është thelbësor në këtë atmosferë bërthamore. Nuk ka rëndësi nëse Putini na pëlqen apo jo. Nëse arma bërthamore do të hynte në veprim, sistemi botëror do të pësonte një çakërdisje me rëndësi historike. Nuk duhet të lidhim veprimin diplomatik me njeriun që n’a rri përballë. Na takon ne të përftojmë një bashkëbisedim që të ruajë sigurinë tonë por që të na riçojë tek fryma e bashkëjetesës. Përmbysja e udhëheqësit kundërshtar nuk duhet të duket si një parakusht”. Nuk është i butë me të tijtë, nuk i bën zbritje gabimeve të së kaluarës. “Kur ra Muri i Berlinit e filloi riorganizimi i Lindjes evropiane, Shtetet e Bashkuara kërkuan të integrojnë gjithë zonën në një rend nën drejtimin e tyre. Nuk qe urtësi orvajtja për të futur Ukrainën në NATO. Kjo nuk është një arsye për mësyemjen e Putinit. Por problemi tani është nëse është e mundur të bëhet një paqe me të. Dhe ky duhet përballuar në një kuadër më të gjërë: e ardhmja afatgjatë e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Evropës, ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Një Rusi që është e vetëdishme për kufizimet e saj , do të dëshërojë të jetë pjesë e Evropës apo do të zgjedhë Azinë? Mbi këtë duhet të shtjellojmë bashkëbisedimin”.

Vëndin e tij në analet e Nëntëqindit, ai e pushtoi si regjizor i shkrirjes SHBA – Kinë më 1971 – 72. Ajo marrëdhënie ka mbetur në qëndrën e vëmëndjes së tij. Në krahasim me takimin e famshëm Nixon-Mao, sot marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Pekinit janë në minimumin e tyre historik. “Kina – përsiat Kissingeri – ka qënë gjithmonë një beleg i posaçëm për Amerikën, në sajë të përmasave të saj, sot më të fuqishme se kurrë në planin ekonomik, teknologjik e ushtarak. Nuk kemi patur të bëjmë kurrë me një Vënd kaq madhështor, filozofia e të cilit është praktikisht e kundërt me atë tonën. Kinezët e quajnë historinë si një proçes të vazhdueshëm që zhdërvjellohet në mijra vite. Problemet e veçanta – që ne i përballojmë një nga një – i shohin si shprehje të atij proçesi. Sot që raporti i forcave është pothuaj i barabartë, kërkimi i një modus vivendi duket i vështirë. Edhe se është thelbësor e ka të bëjë me t’ardhmen e njerëzimit.

“Gjatë dy administratave të fundit amerikane – vëren Kissingeri që ka vazhduar të jetë pyetur nga presidentët si në Washington po ashtu edhe në Pekin – ka zotëruar ndeshja. Duhet rivendosur një bashkëbisedim mbi tema dërmuese: një luftë ndërmjet mbifuqive do të kishte pasoja më të këqija se Lufta e Parë dhe e Dytë botërore. Së paku udhëheqësit amerikanë e kinezë e njohin se ky rrezik ekziston e që ata janë të vetmit që kanë mundësi t’a ndalojnë. Për pasojë venë në punë mekanizma paraprakë për të folur me njëri tjetrin në fazat e para të një krize. Pastaj janë temat e mëdha mbi të cilat bashkëpunimi i dyanshëm është i domosdoshëm: që nga ndryshimet klimatike deri tek e ardhmja e teknologjisë”. Përfundon me një thirrje Winston Churcillit mbi cilat janë tre kërkesat themelore për të bërë politikë të jashtëme: “Të studiohet historia. Të studjohet hiatoria, Të studiohet historia”. E me një përsiatje mbi rolin e Amerikës: “Kushtet për një drejtim tonin botëror janë përkeqësuar, veçanërisht për përhapjen e armëve bërthamore. Më shumë se kurrë, sot duhet të jemi krijues”

“Corriere della Sera”, 1 tetor 2022 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika

QEVERIA MELONI: ATO PIKA THEMELORE

October 3, 2022 by s p

Nga ANTONIO POLITO/

Italianët kanë vendosur t’i japin besim Xhorxha Melonit, apo janë zbuluar papritmas të së djathtës skajore (“far right”, siç shkruan Washington Post)? A na presin kohë me uniforma shajaku, apo në rastin më të mirë ala Orbán? Apo demokracia e jonë është mjaft e qëndrueshme sa t’i lejojë votuesve të zgjedhin qeverinë që duan pa rrezikuar hapa në tym apo mbrapa në histori? 

Për t’i u përgjigjur këtyre pyetjeve, që shqetësojnë shumë italianë dhe ndezin shtypin e huaj, duhet para së gjithash të pyesim kush janë zgjedhësit që kanë votuar për herë të parë Xhorxha Melonin (shumë, po të mbajmë parasysh se tetë vite më parë mori vetëm 4,3 %). Bëhet fjalë në pjesën më të madhe të valëve simbas përimtimeve të rrjedhjeve, për vota t’ardhura nga Lega apo Pesë Yjet. Nuk mund të përjashtohet që shumë prej tyre të kenë votuar Rencin në Evropianet e vitit 2014. Secili nga sukseset zgjedhore që tashmë përsëriten në seri, për t’u shfryrë më pas me po të njëjtën shpejtësi, shënon një zhvendosje të një mase votash që prej kohësh është duke dihatur në kërkim të një shpëtimtari t’atdheut, të një krijuesi që mund të na bëjë të dalim nga shtjella e rënies nga e cila jemi mbështjellur. Bëhet fjalë për italianë tashmë të shkëputur nga çdo kushtëzim ideologjik, të zhgënjyer e të zvjerdhur, politikisht të shpenguar, jo saktësisht të djathtë as përkatësisht të majtë. Shpesh i kemi përcaktuar “populistë”.

Deri tani këto pështjellime kanë prodhuar, më shumë se sa rreziqe për demokracinë apo tundime autoritare, kaos dhe paqëndrueshmëri politike. Në dy votime rradhas, më 2013 e më 2018, kutitë e votimit nuk i kanë dhënë shumicën asnjë lidhjeje zgjedhore; për pasojë, në dhjetë vitet e fundit, janë shfaqur qeveri frute të marrëveshjeve parlamentare, shpesh të drejtuar nga personalitete të cilët as që kishin marrë pjesë në votimet. 

Edhe se bëhet fjalë për një flegër të dobishme sigurie në regjimin tonë parlamentar, sepse e aftë të shmangë zbrazëti pushteti kur sistemi bllokohet, është e qartë se një demokraci është më e fuqishme nëse qarku zgjedhës-Parlament funksionon, e i jep jetë shumicave të puthura nga miratimi i kutive të votimit. Pra, nga kjo pikpamje, nuk mund të thuhet se përfundimi i zgjedhjeve të së dielës përbën një mbrapakthim. Përkundrazi. Udhëheqësja e opozitës ka fituar e do të shkojë në qeveri. Dikush ka shkruar se kësaj i shërben demokracia: shkëmbimit të klasëve drejtuese pa derdhje gjaku.

Një rend i dytë i problemeve dhe shqetësimeve  rrjedhin nga personaliteti dhe historia politike e fitueses. Qartësisht e së djathtës; madje të një të djathte me prejardhje nga Lëvizja shoqërore italiane, kombëtariste e nativiste. Simbas një studimi të Luiss, duke mbledhur votat e Melonit me ato të Salvinit arrihet rezultati më i mirë zgjedhor i së djathtës në historinë e Evropës perëndimore. Pra është i kuptueshëm shqetësimi i Vëndeve tona partnere, të cilat luftojnë për ditë në shtëpinë e tyre për të shmangur një përfundim të këtillë. Gjithashtu sigurisht kryeministreja e mundëshme e ardhëshme ka për detyrë për të shkrirë një droçkë armiqësish që përndryshe do të dëmtonte Italinë, përveç asaj vetë.

A mund të thuhet se Xhorxha Meloni është e vetëdijshme? Disa tregues na thonë se po. Nuk bëhet fjalë vetëm për premtimin e “qeverisjes për të gjithë”, për “të bashkuar Italinë”, të deklaruara mbas suksesit. Që në fushatën zgjedhore fjala e saj kyçe ka qënë “përgjegjshmëria”. Ka dhënë këshilla mbi tri pikat themelore për qeverinë e ardhëshme: lufta n’Ukrainë, kriza energjitike, disiplina e bilancit. Mbi të gjitha këto mund të thuhet se ka përqafuar rendin e ditës Dragi, duke mbështetur edhe nga opozita qeverinë, si mbi sanksionet e armët për Ukrainën, si mbi betejën n’Evropë për çatinë e çmimit të gazit, si për kundërshtinë ndaj borxhmarrjes së nxituar të Vëndit. Tani ka një mandat të qartë për t’u mbajtur në këto tre pika. Për të vërtetuar maturinë me të cilën deri tani ka kufizuar propozimet zgjedhore më shpërthyese të aleatëve për bilancin publik, mjaft të mendohet për flat tax.

Natyrisht prova e kremës është në të ngrënit e saj. E vështira për Xhorxha Melonin fillon tani. Nuk ka pothuaj asnjë përvojë qeverie, dhe nuk e ka as klasa drejtuese e një partie të mësuar (apo të shtrënguar) prej kohësh në opozitë. Duhet t’a kuptojë shpejt se Brukseli është më pranë nesh se sa Washingtoni, e që Berlini e Parisi janë aleatë të çmuar, sigurisht më shumë se sa Varshava dhe Budapesti.

Por suksesi  relativ zgjedhor i Berluskonit, që do të mundet kështu t’i veshë vetes përfaqësinë e të moderuarve në shumicën e ardhëshme, dhe humbja e padiskutueshme e Salvinit, që pakëson vendosmërisht për të  ose për pasardhësin e tij hapësirat e manevrës, do të duhej t’i siguronin një dritare mundësish për një apo dy vjet, në të cilët do të tregonte se din të marrë në dorë frenat e qeverisë e të shquajë interesat reale kombëtare të Italisë.

Mbetet së fundi çështja e brishtë e të drejtave e të lirive që është mirë të mos nënvlerësohet. Në të gjithë botën, edhe n’Evropë, jemi të pranishëm në orvajtje për t’i kufizuar të dyja. E djathta italiane është sigurisht tradicionaliste dhe konservatore në lëndët si familja, aborti, mëmësia , gjinia. Por ndërsa këtu jemi në fushën e zgjedhjeve të ligjëshme politike, çdo shpresë për t’u kthyer mbrapa në fitoret qytetare të një Vëndi bashkëkohor e të lirë siç është i yni, do t’ishte aq e papërshtatëshme sa që të bëjë të besohet që një drejtues i zgjuar as që do t’i a hynte t’a provonte. Tjetër çështje është zgjerimi i mundshëm i sferës së të ashtuquajturave të drejta: mbi të cilat shprehet sovranisht Parlamenti, simbas lojës klasike të dialektikës e të ballafaqimit.

Me gjithë respektin për kryeministren franceze, Elisabeth Borne, që don të “vigjëlojë” mbi këto tema, besojmë se mund t’i themi se Italia është në gjëndje të vigjëlojë vetë. Demokracia e jonë është herë herë rrëmujëmadhe por e qëndrueshme, dhe zotërojmë të gjitha siguritë e një shteti të së drejtës. Një Parlament të lirë, në të cilin veprojnë tre grupe të ndryshme e luftarakë të opozitës, një president i Republikës që siguron respektin e Traktateve e konventave ndërkombëtare, një gjykatës ligjesh që vërteton kushtetueshmërinë, një rrahje e gjallë mendimesh publike e një sistem mediatik veprues e demokratik.

Megjithatë tashmë jetojmë, ashtu sikurse të gjithë Vëndet e tjera, në një arenë publike gjithevropiane. Të tjerët na gjykojnë ashtu sikurse dhe ne gjykojmë të tjerët. I leverdis të gjithëve që ai gjykim të jetë apo të bëhet pozitiv.

“Corriere della Sera”, 26 shtator 2022       Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

KUJTESË PËR NJË MIK TË PATAKUAR ASNJËHERË

October 1, 2022 by s p

“Kur fati na ka hequr një mik, nuk ka ilaç më të mirë se sa të gëzojmë kujtimin e tij

e të rigjejmë në të ndonjë gjë që është thënë mprehtësisht apo trajtuar urtësisht”

NICOLÒ MACHIAVELLI (1469 – 1527), shkrimtar politik e historian italian.

Nga Eugjen Merlika

Pak muaj më ndajnë nga largimi i parakohshëm prej kësaj bote i një miku, i cili edhe pse nuk ishte pranë meje fizikisht, madje nuk kishim as numërat e telefonit të njëri tjetrit, la një zbrazësirë të madhe në zemrën time. Ai ishte i ndjeri Dalip Greca, me të cilin më lidhte një jetë bashkëpunimi në fushën e gazetarisë, pothuajse sa hapësira kohore e një brezi njerëzor. Na ndante një oqean ujor, por na bashkonte ideja e shërbimit, nëpërmjet shkrimeve, një epoke të re, jo vetëm të jetëve tona, por edhe të Vëndit në të cilin kishim jetuar.

Vinim të dy nga një qytet në mesin e Shqipërisë, fatkeqësisht i njohur nga të gjithë shqiptarët si një qëndër internimesh politike, një vënd grumbullimi i familjeve të “armiqve të klasës”, “kundërshtarëve” zyrtarë të regjimit komunist. Ishte qyteti i Lushnjës, i famshëm historikisht për Kongresin që u zhvillua në të në muajin e parë të vitit 1920, i cili i hapi rrugën një kursi të ri të politikës shqiptare e, njëkohësisht, aktit historik që solli në qëndrën e jetës politike të vetmin Mbret të ardhshëm të Shqipërisë bashkëkohore, Ahmet bej Zogollin. 

Dalipi kishte lindur n’atë qytet ndërsa un isha adoptuar prej tij që në moshën dhjetëvjeçare. Në mesin e viteve pesëdhjetë Shteti komunist e përzgjodhi këtë qytet e rrethinat e tij në buzë të kënetës shekullore të Tërbufit, si një vënd të përshtatëshëm për të krijuar sektorët e një ferme bujqësore, që do të bëhej m’e madhja e Vëndit, duke mbajtur emrin e datës kur u vendos komunizmi në Shqipëri e që përkonte me ditën e largimit të ushtarit të fundit gjerman nga toka e saj e pushtuar gjatë luftës së Dytë botërore. Ajo krahinë do t’ishte pra, një vënd i posaçëm internimi, më i zgjeruari e më i ashpri i sivëllezërve të tij të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, me tetë sektorë, në të cilët çdo ditë, për 36 vite, zhvillohej famëkeqja “luftë e klasave”, e çuar në përmasa skajore, para të cilave Soveto e Afrikës së Jugut ishte një shembëlltyrë e zbehtë e urrejtjes njerëzore dhe e dallimit klasor e racor….

Miqësia ime me të ndjerin kryeredaktor të Diellit, nuk lindi n’ata mjedise të realitetit lushnjar, mbasi ne n’atë kohë nuk njiheshim me njëri tjetrin. Un isha një banor i rregullt familjarisht i sektorëve të internimit të Plukut, Savrës, Gradishtit, përsëri të Plukut e së fundi të Grabianit, ku ishte internuar familja, mbas dënimit tim për agjitacion e propagandë më 1980. Miku im, Dalipi, kishte qënë më fatlum, duke mos patur një mbiemër që i shkaktonte bezdi mjediseve të larta të politikës e të vartësve të saj në Shqipërinë komuniste. Kishte lindur në Lushnjë në vitin 1950. Kishim gjashtë vite ndryshim, i lindur un në vitin 1944. Shkollën e mesme e kishte mbaruar në gjimnazin “Abaz Shehu” të Tepelenës, në qershor 1969, vit në të cilin un kreva shërbimin ushtarak në Ndërmarrjen Bujqësore Ushtarake të Burrelit. Tepelena ishte emri i qytetit të përzgjedhur nga Byroja Politike për të ndërtuar në fushën me katër kazerma të mëdha të ushtrisë italiane gjatë luftës italo-greke, kampin e dëbimit apo të shfarosjes, ndoshta më të llahtarshmin e të gjithë Lindjes komuniste evropiane. N’atë kamp kisha kaluar rreth tre vite të fëmijërisë sime, së bashku me nënën e gjyshen time.

Mbas mbarimit të gjimnazit, Dalipi shkoi në Shkodër, ku u diplomua me nota shumë të mira për gjuhë-letërsi në Institutin e Lartë pedagogjik dyvjeçar. Me t’a mbaruar atë u mobilizua në marinë për të kryer shërbimin ushtarak. Ajo ishte një nga armët më të vështira edhe në sajë të gjatësisë së shërbimit prej tre vitesh. Me të mbaruar atë shërbim, në sajë të vullnetit për të studjuar e dëshirës për të qënë sa më i përkryer në ushtrimin e profesionit të mësuesit, u regjistrua në Universitetin shtetëror të Tiranës, përsëri në degën gjuhë-letërsi, pa shkëputje nga puna. Punonte si mësues i gjuhës e letërsisë në qytetin e Lushnjës edhe mbasi mbaroi shkëlqyeshëm fakultetin e dytë. Pasioni për mësuesinë e mbajti n’arsim deri në vitin 1983. Më pas ai mori një tjetër rrugë, atë të gazetarisë, në fillim në gazetën vendore të qytetit të lindjes “Shkëndija” e më pas në organin e partisë republikane “Republika”, mbas dhjetorit 1990. Duhet theksuar se Dalip Greca kishte një talent të lindur për gazetarinë, që doli në pah më shumë mbas vitit 1990, kur ai, si dhe gjithë të tjerët kolegë të tij, u liruan nga vargojtë e partishmërisë që duhej të kushtëzonin përmbajtjen dhe stilin e të shkruarit.

Jeta dhe vepra e brezit tonë ka patur në fundin e viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar, një kthesë epokale, që ka përcaktuar e ndryshuar kursin e jetës vetiake e profesionale të secilit në veçanti, por edhe të shoqërisë shqiptare në tërësi. Ajo ngjarje madhore qe dështimi paqësor i komunizmit evropian si sistem, e megjithë “qëndresën heroike” të komunistëve dogmatikë të Shqipërisë për të mos e pranuar dukurinë evropiane (“Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim” Ramiz Alia dixit), enveristët shqiptarë nuk qenë në gjëndje t’a shtynin më shumë se një vit mungesën e ndryshimit, por arritën të shmangnin atë term, në kuptimin rrënjësor të tij, e t’a zëvendësonin me atë të tjetërsimit, në kënetën e të cilit vazhdojmë ende të lundrojmë. Vëndi i ynë, që deri në dhjetëvjeçarin e parafundit të shekullit të njëzetë, ruante dhe mbronte me ligje të sajuara shtatoret e Stalinit në sheshet e tij, i drejtuar që prej tridhjetë vitesh nga një grusht politikanësh të improvizuar të vitit 1991, mbetet ende sot i mangët përsa i përket demokratizimit të vërtetë. Paaftësia endemike për ndryshime rrënjësore përcaktoi edhe ecurinë e sistemit të ri që u kthye në një përzjerje hibride mes atij që linim pas e atij që ëndërronim me naivitetin fëminor që na karakterizonte.  

Si për shumicën e shqiptarëve ashtu edhe për ne të dy ata ndryshime sollën  pritmëri të reja. Dalipi u aktivizua menjëherë në lëvizjen e re që synoi në ndryshimin e sistemit e lënien mbas krahëve të regjimit komunist. Ai mori pjesë në partitë e reja që lindën më porosinë e “partisë nënë”, mbas dhjetorit 1989, duke zgjedhur partinë republikane, të themeluar nga shkrimtari e ish oficeri Sabri Godo. Mua ajo periudhë më gjeti në internim, të dhënë mbas lirimit nga burgu me amnistinë e 15 nëndorit të vitit 1982. Ato kohë të fillimit të tjetërsimit të sistemit, u mbushën me shpresa e iluzione për të gjithë shqiptarët, kryesisht për ata që kishin ndjerë më shumë përmbi shpinë barrën e diktaturës, në të gjitha shfaqjet e saj mizore. Ato lidheshin më së shumti me largimin familjarisht jashtë Shqipërisë.

Mbas “mrekullisë” hyjnore të shëmbjes së komunizmit lindi një prirje e shfrenuar për të arritur fizikisht në “botën e lirë”, të cilën e njihnim në mënyrë shumë sipërfaqësore e nuk ishim aspak të përgatitur për t’a përballuar. Synimi i parë u bë nxjerrja n’atë botë e fëmijëve për të ndryshuar jetën e tyre. Në ata që vinin nga kampet e internimit, që kishin patur “guximin”, apo “marrëzinë” të ripërtërinin mbiemrin e familjes me pasardhës, qëllimi i vetëm i jetës u bë ndryshimi i pritmërisë së jetës së tyre, vënia në kushtet e një normaliteti njerëzor, me mundësi studimi në universitet, larg një mjedisi mizor e armiqësor, të drejtuar nga kriminelë. U bë detyrë urdhëruese e atyre prindërve të shmangnin për fëmijët e tyre qënien n’ato mjedise në të cilët kishin lindur e në të cilët ishin përballuar me dallimin klasor që në foshnjëri, duke njohur mbi shpinë çdo ditë urrejtjen e pamundësinë për të sendërtuar në jetë dëshirat dhe ëndrrat  në vartësi vetëm të aftësive e vullneteve të tyre. I tillë ishte rasti i im dhe i familjes sime që, në gushtin e vitit 1991u shpërngul në Itali, në vëndin e lindjes së nënës, e cila e ripa atë Vënd për herë të parë mbas 47 vitesh të kaluara në shumicën dërmuese në kampet e internimit.

Jeta e mërgimit ka vështirësitë e veta, sidomos në vitet e para. Por ato vështirësi nuk kishin krahasim me mynxyrën që kishim lënë mbas krahëve e në të cilën kishim jetuar për afër gjysëm shekulli. “Liria jep rezultate!” qe kryefjala e vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker në Shqipërinë e sapo dalë zyrtarisht nga komunizmi. Fjala e mbajtur në tubimin, besoj më të madhin e karierës së tij diplomatike, qe ballafaqimi i parë i shqiptarëve me Perëndimin e ëndërruar e me Vëndin udhëheqës të tij, SHBA. Ndërsa postulati i Bejkerit vononte sendërtimin në Shqipëri, për shqiptarët e mërguar, megjithë vështirësitë, herë herë të pakapërxyeshme, liria fillonte të jepte rezultatet. Merrej frymë lirisht, pa frikën e ndjekjes nga prapa të oficerit të sigurimit apo të spiunit të tij, që kishte shënuar gjithë jetën tonë të shkuar. Fillonin të vinin edhe kënaqësitë nga studimet e fëmijëve e, krahas punës së rëndomtë, të viheshin në veprim aftësitë e fjetura e të pashprehura kurrë. Filluan shkrimet e botimet e librave, shprehje e lirë e mendimit pa zinxhirë.

Ndërkaq Dalipi jepte ndihmesën e tij jetës së re tek gazeta Republika e përgatitej të kalonte oqeanin, për të provuar aftësitë e tij në Vëndin simbol të demokracisë. Këtë e sendërtoi më 20 korrik 1999. Viti 2000 e gjeti në redaksinë e gazetës “Illyria”. Ai vit qe ai i takimit tonë virtual. Një mik familjar i imi, ing. Mërgim Korça, i dërgoi për botim Illyrisë një syzim timin: “Elegji për brezin tim”, të cilin e kisha botuar në Romë në gazetën “Bota shqiptare” të botuesit Roland Sejko. Shkrimi u botua menjëherë në Illyria e un mora përgëzimin e redaktorit të saj e ftesën për të filluar një bashkëpunim që zgjati më shumë se njëzet vite.  

Gjatë atyre viteve marrëdhëniet tona u bënë më të ngushta, më të ngrohta e më miqësore. U karakterizuan nga një korrektësi shëmbullore, nga një respekt i ndërsjelltë deri në dashamirësi. Mbaj mënd që në rastin e 90-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Dalipi më kërkoi një ndihmesë në hartimin e një numëri të posaçëm të gazetës, kushtuar atij përvjetori. E pranova me kënaqësi atë ftesë e shkruajta një syzim me titull “Në kapërcyell të mijëvjeçarëve (Marrëveshje e mosmarrëveshje mes shqiptarëve )” dhe i dërgova dy shkrime të Mustafa Krujës me tituj: “Të shpallët e Pamvarësisë” dhe “Kuptimi i XXVIII Nandorit”. Ishin shkrime kushtuar përvjetorëve të asaj ngjarje madhore në të cilën ai kishte qënë i pranishëm duke firmosur “Deklaratën e Mëvehtësisë”. Mbaj mënd se Dalipi më dërgoi numurin e shtypur të gazetës që kishte plot njëqind faqe.

Mbas disa vitesh pune te Illyria Shoqata “Vatra” vendosi t’i besojë Dalipit detyrën e redaktorit të “Dielli” që kishte afë tre vite që nuk dilte në shtyp. Por gjatë kësaj kohe, krahas punës me redaksitë e gazetave, ai gjeti kohën e vullnetin për të nxjerrë në dukje edhe aftësitë e tij të studimit në një tjetër fushë, që nuk ishte ajo, në të cilën ishte diplomuar dy herë në Shqipëri, gjuha e letërsia shqipe. Vëndi i adoptuar sikur e nxiti të njohë edhe fushën ekonomike. Kështu ai filloi e përfundoi në dy vite Institutin Tecnology of Busines në New York. Nuk më pati shkruar kurrë për këtë arritje të tij, që meritonte përgëzime e lavdërime të sinqerta në moshën e tij. Por ai burrë ndoshta e kishte me të tepër prujtuninë, që përbënte një dhunti jo vetëm të natyres por dhe t’edukatës që kishte marrë që herët në familje, e që është një nga virtutet më të çmuara të karakterit njerëzor. Megjithë diplomën e tretë, një dukuri jo fort e zakonshme  në fushën e publiçistikës, e që nxjerr në pah brumin e tij përbërës të intelektit, Dalip Greca mbeti përjetë i lidhur me fushën e ëndrrave të rinisë, duke i kultivuar ato deri në orët e fundit. Ai mbeti i zotuar shpirtërisht e mendërisht  me Vatrën e me organin e saj, më se shekullor, “Dielli”, në shërbim të të cilëve vuri të gjithë aftësinë e vullnetin e tij të pazakontë, në një veprimtari të gjatë, me zellin e dëshirën për të punuar në heshtje, pa bujë e lëvdata, duke kërkuar shpërblimin e mundit të tij në ndërgjegjen e tij, më shumë se në vlerësimet e të tjerëve. 

Bashkëpunimi ndërmjet një publiçisti dhe botuesve të tij është një proçes që, në shumicën e rasteve, sidomos kur është i gjatë e i frytshëm, pa tjetër krijon një farë lidhjeje që i kalon caqet e një njohjeje të thjeshtë. Mes meje e Dalipit ka ndodhur kështu. Ne jo vetëm njoftonim njëri tjetrin edhe për problemet e ndërsjellta familjare, e në raste vështirësish, sidomos shëndetësore, ishim pranë, sigurisht nëpërmjet mesazheve. Kështu për ngushullimin tim, me rastin e ndërrimit jetë të babait të tij ai u përgjigj me këto fjalë: “I dashur mik, Të falënderoj me shpirt për mesazhin. E vlerësoj shumë dhe ndjehem i lehtësuar. Babain e vizitova dy javë para se të ikte nga kjo jetë, Më mbeti peng që nuk munda t’i hidhnja një dorë dhe. U a shpërblefsha në gëzime.” Mesazhi mban datën 11 shtator në përgjigje të ngushullimit tim të 10 shtatorit 2018.

Më parë, në vitin 2017 un ndërrova kompiuterin. Ndoshta, për fajin tim, gjatë veprimit me të, u fshinë nga ai dhjetra shkrime e përkthime që kisha botuar ndër vite. I shkruajta Dalipit, duke kërkuar ndihmën e tij. Brënda pak ditësh ai m’i dërgoi më shumë se tridhjetë shkrime origjinale, veç përkthimeve. Ishte një dëshmi e kujdesit të tij, për të cilin i jam shumë mirënjohës.

Më 13 shtator 2018 i dërgova Dalipit këtë e-mail: “I dashur Dalip, Uroj të jesh mirë me shëndet e lus Zotin të të lehtësojë dhimbjen e madhe. Po të dërgoj  një film dokumentar mbi kampin e Tepelenës, të xhiruar nga Admirina Peçi, me dëshminë e gruas së xhaxhait tim, Klara Mirakaj Merlika. Po t’a dëgoj që, brënda mundësive tuaja, t’a shpërndash ku ke mundësi e të duket e arsyeshme. Është një mënyrë për të mos e lënë të mbulohet me pluhurin e harresës atë periudhë tragjike të  historisë sonë, me që janë mjaft në Shqipërinë tonë që e dëshirojnë atë gjë.”

Mbas dy orësh mora këtë përgjigje: “I dashur Eugjen, E pashë me një frymë…. E tmerrshme…. Çdo njeri me “shpirt, me mish, me gjak”- si thotë Klara- nuk mund t’i mbajë lotët… Pasi e ke ndjekur dokumentarin të mbeten në mëndje Cuklina, nëna që pa me sytë e saj vdekjen e 13 fëmijëve… dy binjakët që u shuan brënda një çasti…. Apo Dila e Prenda Gjikola, …. 24 fëmijët e shuar për 24 orë….. Tifo që gëlltiste jetë, tifua…. Uria…. përvuajtja e grave dhe e fëmijëve…. Një dokumentar që thotë shumë, një rrëfim drithërues i Klara Mirakës….. Dhimbje për vuajtjet e saj dhe atyre qindra grave, fëmijëve, pleqve, të syrgjynosur aty pa asnjë lloj faji…. Faleminderit që m’a dëgove…. E shpërndava….. E vendosa edhe në faqen e Diellit dhe Vatrës në Facebook.”   

Ajo përgjigje ishte një dëshmi e shpirtit të tij fisnik e të dhëmshur, që tronditej e ligështohej për dramat e tragjeditë e popullit të tij, ndjente dhimbje për bashkatdhetarët që kishin vuajtur me dhjetëvjeçarë të tërë nëpër kampet e internimit, për padrejtësitë, mortnimet e salvimet e njerëzve të pafajshëm që ishin mbyllur n’atë kamp çfarosjeje, për pleqtë, fëmijët e gratë shqiptare. Dalip Greca ishte i bindur se ai realitet mizor i Vëndit të tij të martirizuar duhej bërë i njohur jo vetëm për botën e huaj, në të cilën ai jetonte, por edhe për të rinjtë shqiptarë që nuk e kishin jetuar. Si publiçist e redaktor i “Dielli”-t, ai e vuri atë organ shtypi në përdorim të përhapjes të së vërtetës historike, duke hulumtuar në mjediset e shqiptarëve t’Amerikës, mbi veprimtaritë e shumë atdhetarëve që, në Vëndin e tyre, u quajtën “armiq populli”, ndërsa ata ishin vetëm kundërshtarë të armiqve të vërtetë të shqiptarëve e të shqiptarizmit. Ata u quajtën të tillë jo vetëm nga sistemi kriminal i politikës, që nuk përbëhej vetëm nga nomenklatura komuniste në të gjithë nivelet, por edhe nga kultura që u vu në shërbim të saj. 

Puna e gazetarit dhe dëshira e tij vetiake për të njohur diasporën e vjetër bashkatdhetare e vuri në lidhje me shumë antarë të saj  dhe nga dëshmitë e intervistat e tij me to lindi libri “Armiqtë që e donin me shpirt Atdheun”. Me atë libër ai jo vetëm tregoi të vërteta të mohuara për një gjysmë shekulli nga atdheu i tyre, por i ktheu një borxh nderi që publiçistika shqiptare i detyrohej figurave t’atyre që kaluan gjithë jetën duke ëndërruar Vëndin e tyre e duke përtypur dhimbjen e tyre të thellë për fatin e tij. Janë shumë të pakët ata intelektualë të regjimit që kanë menduar të kryejnë një veprim të këtillë si Dalip Greca, të nxjerrin në pah të vërtetën për veprimtaritë e bashkatdhetarëve të tyre kundërkomuniste, të cilët lanë atdheun për të mos pranuar dhunën e diktaturës, e në jetën e tyre u përballën me vështirësi nga më të ndryshmet, por gjithmonë duke mbajtur lart dinjitetin njerëzor e shqiptar e duke ushqyer  në zemër dashurinë për vëndlindjen. Madje, fatkeqësisht, ka në Shqipëri “intelektualë” që gërmojnë në dokumentat e Sigurimit të Shtetit komunist, për të gjetur ndonjë “njoftim” për korifejtë e kulturës shqiptare e maja të saj si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, e për të ngritur mbi ta “hamëndje bashkëpunimi” me shërbimet e fshehta të huaja në dëm të Shqipërisë. Kjo ndodh në ditët tona dhe e gjithë godina që ata ngrenë për të poshtëruar ata emra të ndritur, është një veprim thellësisht kundër-atdhetar e i turpshëm.

Dalip Greca shkon ballëlartë në gjyqin e ndërgjegjes së tij e të kombit sepse në veprimtarinë e tij i ka shërbyer vlerësimit e nxjerrjes në pah të vlerave kulturore shqiptare të shprehura nga kundërshtarët e regjimit, në të cilin ai lindi, u formua e jetoi. Ky qëndrim e nderon atë edhe në përjetësi, ashtu siç ishte një fletë nderi sa ishte në jetë. Në këtë hulli  të mendimit e të veprimtarisë së tij publiçistike hyn edhe qëndrimi i ngrohtë që ai ka shfaqur në rastin kur i nënëshkruari i ka dërguar për bibliotekën e “Vatrës”, një kolanë të veprave të gjyshërve të tij, Mustafa Kruja e Sotir Gjika si dhe të vëllimeve të tij vetiakë. Falënderimeve të redaktorit të “Dielli”-t për atë veprim i është përgjigjur me këtë mesazh të datës 4 nëndor 2019:

“Jam shumë i gëzuar që libri im i fundit do të jetë në dispozicion të lexuesve të Vatrës. Ndjehem dhe un një pjesë e vogël e asaj organizate të lashtë, në të cilën ka dhënë ndihmesën e vet edhe gjyshi i im, Sotir Gjika, rreth 110 vite më parë. Faleminderit shokut tim të fëmijërisë, që e plotësoi porosinë. Faleminderit edhe ty, Dalip, për bashkëpunimin e gjatë në rreth 20 vite, gjithmonë me respekt e konsideratë të ndërsjelltë, marrëdhënie shëmbullore edhe se nuk kemi patur fatin të takohemi fizikisht, edhe se, në mos gabofsha, jemi parë një herë në Lushnjë, kur ti punonje për Republikën. Shpresoj se Zoti do të na ndihmojë të shihemi përsëri. Përshëndetjet më të përzemërta”

Në vazhdën e shkëmbimeve të mesazheve me këtë mik të vyer, po sjell atë të tij në përgjigje të urimit tim për daljen në pension, dukuri të cilën un, ndoshta gabimisht e lidha me ndryshimet në vitet e fundit në kryesinë e Vatrës:

“I dashur Eugjen,

Nuk kam fjalë për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për mesazhin e ngrohtë që më dërguat me rastin e pensionimit tim.

Kisha kohë që e mendoja ndarjen e dhimbëshme nga Dielli. Kohët e fundit janë vështirësuar punët në Vatrën e Diellit, me grupime brënda dhe jashtë saj, ndërkohë që shëndeti im ka kohë që më jep sinjale “hap rrugën”. Në këto kushte e mora vendimin dhe e publikova në gazetë, pa u dhënë kohë drejtuesve të Vatrës për diskutime. Sonte, ata shtrojnë një darkë në nderin tim, me pjesëmarrjen e drejtuesve të qëndrës e degëve, me ftesa të konfirmuara për ardhje nga ambasadat e konsullatat e Kosovës dhe të Shqipërisë, me një dekorim “Kalorësi i Urdhërit të Skënderbeut” nga Presidenti, me një mirënjohje “Faik Konica”nga Vatra, etj. Pra nuk po më heq Vatra, po shkoj të pushoj, ndërkohë që kam kohë të sistemoj materialet e mia më të mira në ndonjë libër si një Histori të Diellit mes dy shekujve jete, që e kam nisur një vit më parë, por do të dojë kohë.

Për ju i dashur, shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e gjatë  prej dy dekadash. Shpresoj që të mos e ndërprisni bashkëpunimin me Gazetën Dielli. E-maili: gazetadielli@gmail.com.

Me shumë të fala

Dalipi”

Në përgjigjen e tij ai më sqaronte me sinqeritet arsyet e dorëheqjes që kishin të bënin më shumë me shëndetin e tij. Nuk kam arsye mos t’i besoj fjalëve të tij e ajo që më jep kënaqësi të veçantë është respekti i institucioneve në rastin e dorëheqjes e vlerësimi i tyre i merituar për të. Por të gjitha këto gërshetohen me një ndjenjë të thellë dhimbjeje e keqardhjeje për ndarjen e parakohëshme nga familja, miqtë e dashamirët, nga jeta në një kohë kur ishte zotuar në veten e tij të sendërtonte një vepër, për të cilën kishte punuar e mbledhur materiale për vite të tëra. Ajo vepër do t’ishte “Një histori e Diellit mes dy shekujve jete”, një histori madhore e njërës nga bashkësitë më të mëdha e më të rëndësishme të shqiptarëve në botë, asaj në kontinentin e ri, që strehoi në gjirin e tij bujar shpresat, ëndërrat, përpjekjet, mundin e disa brezave shqiptarësh, të cilët gjetën n’atë Vënd të madh “Tokën e premtuar”. Së fundi ai më la një porosi, të cilën do të mundohem t’a sendërtoj deri sa Zoti të më japë mundësi të shkruaj, atë të “mos ndërpres bashkëpunimin me Gazetën Dielli”. Është amaneti i tij i fundit, që kthehet në një detyrë parësore në atë pjesë jete që më ka mbetur të përshkoj.

Kjo letërzë është ndoshta gjëja m’e bukur që më ka mbetur nga bashkëpunimi e miqësia e gjatë me Dalip Grecën. Është si “kënga e mjellmës” e miqësisë sonë, të përcjellë në vite të gjata nëpërmjet valëve të internetit, që zvogëlojnë e zhdukin hapësirat gjeografike, duke na afruar shpirtërisht me familjarët, shokët, miqtë, dashamirët, njerëzit me të cilët na lidhin botkuptimi, shllimet, shijet kulturore, qëllimet e synimet e jetës, përftimet e ngulitura nga përvoja e viteve, përkatësia një gjuhe, një populli, një Vëndi, në të cilin lindëm secili me të veçantën e tij, me fatin e tij, por duke ruajtur në zemër një flakë, atë të dashurisë për të e të dëshirës për t’a parë atë sa më të mirë, të bukur të begatë, sa më njerëzor e fisnik. Uroj që ky këndvështrim i botës të mos mbetet vetëm pasuri e brezit tonë, por të përcillet edhe te bijtë e nipat tanë.

Po e përfundoj këtë kujtesë të dhimbëshme për mikun tim të dashur me sjelljen e mesazheve të fundit  të shkëmbyer me të e që përkojnë me urimet e zakonshme për festën e parë të vitit 2022:

“E premte, 31dhjetor 2021

I dashur Dalip,

Arritëm në ditën e fundit të një viti që nuk qe shumë i mbarë për gjithë botën e që solli edhe për ty ndryshime, mbas vitesh të tëra pune të zellshme në publiçistikën shqiptare. Edhe këtë Vit të Ri, si shumë të tjerëve përpara, të vijnë urimet e mija më të përzemërta ty dhe familjes tënde për shëndet të mirë, mbarësi e gëzime, plotësim dëshirash, qetësi e suksese në punën tënde që vazhdon edhe se je në pension!

Miqësisht

Eugjeni”

“E hënë, 3 janar 2022

I dashur Eugjen,

Nga zemra ju falënderoj për urimin dhe mesazhin e ngrohtë që më dërguat me rastin e Vitit të Ri. 

Edhe un e familja ime ju përcjellim urimet më të mira. Qoftë një vit i mbarë për ju, familjen dhe miqtë viti 2022!

Të fala

Dalip Greca”

Jeta njerëzore ka kufijtë e saj, ka fundin e saj të pashmangshëm për çdo krijesë njerëzore që lind, jeton e vepron në këtë “lëndinë lotësh”, që është bota e jonë. Dukuria më e sigurtë në këtë jetë është fundi i saj, ikja prej saj, që së bashku me ardhjen në këtë botë përbëjnë edhe të panjohurat më të mëdha me të cilat përballen të gjithë njerëzit prej shumë mijëvjeçarësh…. Asaj dukurie nuk ka mundur askush t’i shmanget, ajo i barazon të gjithë, pavarësisht nga vlerat, ndihmesat, veprat e mira apo jo të tilla, rëndësia apo kotësia e tyre, fati i mirë apo i keq që shoqëron kohën e qëndrimit mbi këtë tokë…. 

Për ata që e besojnë, jeta vazhdon edhe mbas ikjes nga kjo tokë,me shpirtin që nga ai çast fluturon në një botë tjetër Kjo na frymëzon shpresën tek përjetësia, duke na e lehtësuar edhe çastin e fundit që jetojmë, edhe frymën e fundit. Për mikun tim të nderuar, Dalip Grecën, ai çast ishte pjesë e 16 majit të këtij viti 2022. Por veç asaj jete që na pret e “nga s’na u kthye kurrë udhëtari”, secili lë mbrapa trashëgiminë e tij njerëzore, morale, mendore, kulturore, të cilat përbëjnë kujtimin e tij që mbetet i gjallë tek familjarët, miqtë, shokët e në raste si ai i Dalipit, në shumë njerëz, të njohur e të panjohur, në zemrën e mëndjen e të cilëve ai ka hyrë nëpërmjet fuqisë së pendës së tij.       

Paqe në përjetësi shpirtit të tij të bardhë e jetëgjatësi pafund kujtimit të tij të mdritur!

Shtator 2022

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika

MUSTAFA  KRUJA

September 28, 2022 by s p

(Formimi, karakteri, personaliteti në shoqëri e ne familje)

Nga Eugjen Merlika

Kanë kaluar plot  50 vite nga ajo mbrëmje e 27 dhjetorit 1958, kur në një klinikë amerikane, n’afërsitë e ujvarës së famshme të Niagarës mbyllte sytë përgjithmonë Mustafa Merlika Kruja. Një ndërhyrje kirurgjikale në tëmth, në dukje e thjeshtë, shënoi fundin e parabolës së një jete të ndërlikuar, të filluar në një natë marsi me stuhi të 71 viteve më parë në Krujën legjendare të kryetrimit t’Arbërit, të ndërthurur me shumicën e ngjarjeve të trazuara të të parit shtet të bashkuar e të pavarur në historinë e shqiptarëve e të përfunduar në vetminë trishtuese të një mërgimi të gjatë nëpër Vënde të ndryshme, deri në strehimin mikpritës të Vëndit simbol të demokracisë.

Në qytetin ku lindi kaloi vetëm fëmijërinë, por Kruja mbeti në zemrën e Mustafait, jo vetëm si vendi me të cilin u lidhën kujtimet e para e të pashlyeshme fëminore, të shoqëruara nga portretet e familjarëve, ndër të cilët spikat ai i nënës me dhimbjen e thellë të largimit të saj të parakohshëm, por edhe sepse emri i saj i u bashkangjit mbiemrit të tij për të formuar atë tog fjalësh, që do të dukej në dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, duke u bërë një pikë riferimi në jetën politike, shoqërore e kulturore të Shqipërisë.

Në moshë ende të njomë, n’agim të djalërisë, mori rrugët e botës për të studjuar, më parë në Janinë e më pas në kryeqendrën e Perandorisë Turke, në një periudhë vendimtare për formimin e vetëdijes kombëtare dhe themelimin e Shtetit shqiptar. Djaloshi nga Kruja i kaloi me sukses të gjitha provat shkollore, duke ngjitur një nga një shkallët e dijes, në sajë të një vullneti të hekurt, të një zgjuarsije mbi normalen e të një vendosmërie të pazakontë për të arritur synimet. Këto ishin disa nga tiparet më të spikatura të personalitetit të fortë të Mustafa Merlikës. Një ligj madhor hipotetik kompensimesh të mundësive potenciale e të kushteve reale, në rastin e tij ndoshta shërbente si një shtysë e fuqishme për të shkuar përpara.

I lindur në një familje të mesme krutane, pa ofiqe e pa pasuri, i vetëdijshëm se vetëm me forcat e tij do të hapte rrugën e jetës, u shqua që në të ri për horizontin e gjërë të interesave kulturore në fusha të ndryshme të dijes. Poezitë e Naim Frashërit, “ lyriku shqiptar mâ i kënduemi, mâ i ndiemi, mâ i kuptuemi e mâ i çëmuemi” e traktati i Sami Frashërit, “mâ i madhi  dijetar qi ka pjellë deri sod raca e jonë”, mbi Shqipërinë e mbanin të lidhur me vendin e lindjes, por frëngjishtja e mësuar heret i hapte horizontet e Iluminizmit, e fuste në shtigjet e eseizmit të shekullit 17 (La Bruyère, La Rauchefoucauld), madje dhe në teoritë e socializmit. Shkolla turke që ndiqte i jepte mundësi të depërtonte në fushat e gjëra të kulturës arabe, persiane e orjentale në përgjithësi.   

Me këtë pasuri kulturore në mëndje, në moshën 23 vjeçare, u diplomua në Mylkijen e famshme të Stambollit për Shkenca politike e administrative. Veprimtaria atdhetare, e nisur me shkrimet në fletoret turke të kohës, që nga ai çast trupëzohet e merr formë me kthimin n’Atdhe e mospranimin e postit të zv.guvernatorit të një province të Perandorisë. Mbi veprimtarinë e Mustafa Krujës në fushën politike, të studimeve gjuhësore e historike, e mbi mendimin e tij politik folën studjuesit e shquar në Konferencën shkencore përkujtimore, të mbajtur në Tiranë, në ditën e 50 vjetorit të largimit të tij nga jeta tokësore.  Un do të mundohem të ravijëzoj këtu portretin e njeriut Mustafa Kruja, një portret i skalitur më së miri nga autoritete të kulturës shqiptare si Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Tahir Kolgjini, Lazër Shantoja etj., që e njohën nga afër e bashkëpunuan me të.

Un kam fatin të mbaj në deje gjakun e tij, jam nipi i lindur n’atë vit në të cilin ai u largua përfundimisht nga Atdheu. Isha vetëm pesë muajsh, kur gjyshi u nis me nxitim për në Austri, ku xhaxhai im i vogël, Besimi, ishte shumë i sëmurë në një klinikë të Vjenës. Para se të nisej, në një ditë fundi gushti  1944, më mori në krah, më puthi, e me një ofshamje dëshpërimi pëshpëriti: “ Të mijtë nuk i rrita dot vetë, as këtë nuk do të mundem t’a rris”. N’albumin e vjetër të vitit të parë të jetës është një fotografi e tij me mua në krahë. Kështu, “i mërguemi i përhershëm”, siç do t’a përkufizonte Koliqi, filloi ciklin e fundit të mërgimit të tij, atë më të dhimbëshmin e më të vështirin. E përballoi me forcën e karakterit dhe me ndershmërinë, për të cilën ishte shquar që në të rit e tij.

Nëse do të hartohej një listë e cilësive vetiake të Mustafa Krujës, mendoj se në krye të saj do të ishte ndershmëria, në kuptimin më të gjërë të fjalës. Ishte një cilësi e lindur por edhe kultivuar në një familje patriarkale, ku vlerat njerëzore i mëkoheshin fëmijës që kur thithte qumështin e nënës. Ishim një popull i varfër në mjete të jetesës, në përvojë qytetërimi e në kulturë, por i pasur në tradita, parime e vlera njerëzore siç ishin besa, mbajtja e fjalës së dhënë, respekti për të moshuarin, për familjen, për prindërit, për mikun e dashamirin. Mustafa Kruja ishte bir i kësaj Shqipërie që, fatkeqësisht, është në grahmat e fundit. Gjatë gjithë jetës së tij punoi që këtë Shqipëri t’a fuste në hullinë e qytetërimit t’Evropës e të zhvillimit bashkëkohor, kryelartë e pa kompleksin e përulësisë, në sajë të ruajtjes së atyre vetive. Krenaria për virtytet njerëzore të popullit të tij e shoqëroi kudo e kurdoherë. Çaste të shfaqjes së saj i gjejmë tek “Kujtimet …” e tij që nga episodet e tregtarëve të Vjenës e të Selanikut  e deri tek “bujtina” e Krujës e kujtimet e Dom Nikoll Kaçorrit.

Ndershmëria, e shfaqur në të gjthë çastet e jetës së tij vetiake, familjare e shoqërore, ishte një motiv krenarie për gjthë fisin e Merlikve që e deshi deri n’adhurim “Lalën” e tij. Në vitet e gjata të mërgimit, në “vetmitoret” e Egjyptit, të Italisë, të Francës apo të SHBA ai i thonte motrës Haxhire apo djalit Bashkim, të vetmit familjarë pranë, që ta thërrisnin “Lalë”. Kështu, thonte ai, më duket se kam pranë gjithë familjen e fisin…Ishte një formë vetë hipnotizimi për të lehtësuar sado pak dhimbjen e thellë që kishte në shpirt. Ndershmëria e tij  admirohej nga miqtë e bashkëpuntorët por vlerësohej edhe nga kundërshtarët. Ndershmëria ishte korrektësi e përkryer në marredhëniet me të tjerët, por ishte edhe respekt i bindjeve që ai i shfaqte hapur në lojën e ndërlikuar të politikës. Ka mbetur proverbiale korrektësia e tij në kuadrin e jetës bashkëshortore. Në “Kujtimet e vogjlisë e të rinisë” tregohet një episod i një bisede të autorit me Luigj Gurakuqin e At Gjergj Fishtën, në një restorant të Parisit, pikërisht mbi këtë temë. Luigj Gurakuqi ishte beqar, ishte një burrë i hijshëm, shpirtmadh, i lakmuar nga gratë. Në jetën e tij vetiake, sidomos n’Itali këto të fundit nuk i mungonin. Megjithëse Luigji për Mustafain ishte një idhull ai nuk i a kursente kritikat n’atë drejtim e shoku, “i martuar me Shqipërinë”, i kujtonte atij “gabimin” që kishte bërë, duke krijuar familje në një Vend në të cilin shpesh pasojat e veprimeve të politikanëve binin mbi familjarët e tyre. Por për Mustafain familja ishte institucioni më i domosdoshëm e më i respektuar në jetën e njeriut, një detyrë së cilës nuk duhej t’i shmangej në çfarëdo rrethanash. Kështu vrejtjes së të birit, Petritit, mbi papërshtatshmërinë e aktit të martesës në periudhën e luftës, ai i u përgjigj me një letër të gjatë në të cilën mbronte tezën se luftërat nuk kanë qenë asnjëherë, në historinë e njerëzimit, pengesa për martesat e njerëzve dhe lindjet e fëmijëve. Kështu ngulmimi i tij arriti synimin t’a martonte të birin me vajzën e mikut të tij të vjetër, Sotir Gjikës, Elenën. Kjo qe nusja e vetme që ai pati në shtëpi, një nuse që në pak kohë u bë për të një bijë e vërtetë, jo rastësisht ishte e vetmja në familje që e thërristë “Babë”, duke gjetur në të dashurinë e munguar të të jatit që e la jetime në moshën 7 vjeçare. Dhe ajo e deshi dhe e respektoi me gjithë forcën e shpirtit të saj e gjatë kalvarit më se dyzetvjeçar të përndjekjes komuniste, i përballoi vuajtjet e gjata kryelartë sepse ishte e reja e Mustafa Krujës. Zemra prej prindi u gëzua shumë kur mori vesh se edhe djali i dytë, Fatosi, ishte martuar me mbesën e një miku e bashkëpuntori, të Kolë Bibë Mirakajt. Ai nuk arriti të marrë me vete gëzimin e martesës së djalit të tretë, Bashkimit, por letrave të nuses së ardhëshme i përgjigjej gjithmonë me ngrohtësinë e prindit.

Në moshën 25 vjeçare, në Vlorë, ishte sekretar i Ismail Qemalit, për të cilin ruajti gjithmonë respektin e bindjen se “Plaku i Vlorës” ishte një atdhetar i panjollë që punonte për Shqipërinë. Besnik i kësaj bindjeje u kundërvu ndaj Esat Pashë Toptanit, njeriut që kishte vendosur drejtimin e shkollimit të tij, gjë të cilën për pak e pagoi me kokë. I dorëzuar tek Esati si pasojë e kërcënimit të tij për të vrarë të gjithë meshkujt e familjes, nuk nguroi t’i thotë atij në sy arsyen e qëndrimit të tij. Para një rreziku vdekjeje duhej guxim e kurajo të shpalosje bindjet dhe armiqësinë ndaj të fuqishmit, duke patur duart e lidhura. Guximi dhe kurajoja ishin pjesë përbërëse të karakterit të tij që nuk parapëlqente dredhat dhe transformimet e politikës. Ishte më shumë një Burrë Shteti se sa një diplomat, punonte më shumë i shtyrë nga parimet e bindjet se sa nga interesat vetiake. Madhore për të ishin vetëm interesat e Shqipërisë, ashtu siç i konceptonte ai. Para tyre mund të sakrifikoheshin të gjitha: fitimi, pozita madje edhe familja. Për të mbrojtur ata interesa, nuk nguron të sfidojë opinionin publik, të rrezikojë “komprometimin” e të verë në lojë karjerën e mirëqënien. E bëri më 1915 përballë Esat Pashës; më 1922 kur organizoi me Zija Dibrën kryengritjen e marsit; më 1927 kur u largua nga KONARE, mbasi pa të mbizotëronte në të fryma filosovjetike; më 1936, kur i u drejtua shokëve të mërgimit me një letër, në të cilën propozonte ndryshimin e qëndrimit ndaj Mbretërisë shqiptare, mbas ardhjes në fuqi të Qeverisë së Mehdi Frashërit; më 1938, kur përfaqësuesit të qeverisë italiane në bisedime  i u drejtua me fjalët “Le të qëndrojë Zogu edhe njëqind vjet të tjera në qeverisjen e Shqipërisë…”; në nëntor 1941 kur mori përgjegjësinë e qeverisë nën pushtim me të vetmin qëllim për të shmangur një fitore të komunizmit n’Atdheun e tij; më 28 nëndor 1942 kur i priu demostruesve në Vlorë me flamurin në dorë; në janar 1943, kur dha dorëheqjen si Kryeministër në shenjë thyerjeje të bashkëpunimit me italianët; më 1952 kur  i u drejtua Departamentit Amerikan të Shtetit për strehim politik, duke argumentuar arsyet e qëndrimit pro boshtit në luftën e dytë botërore.

Sa i vendosur ishte të mbronte bindjet e tij politike, shkencore apo morale, po aq i gatshëm ishte t’i diskutonte ato hapur, ndershmërisht. I ndjeri Mark Temali më tregonte në kampin e Gradishtës se si një bisedë prej dy orësh me ish kryeministrin e kishte kthyer nga një kundërshtar të Qeverisë në një bashkëpuntor të saj, duke pranuar detyrën e federalit në Korçë.

Mbas fjalimit në kinema “Savoja” me titull “Në hullí të historisë” qe i gatshëm të priste këdo që dëshironte të bisedonte sy më sy me të për problemet e Vendit dhe rrugët e zgjidhjes së tyre. Nuk kishte paragjykime t’asnjë forme, prandaj ishte i gatshëm të dëgjonte pikpamjet e të tjerëve, të çdo moshe, të çdo sëre, të çdo krahine, të çdo bindjeje politike, mjaft që t’i shërbenin çështjes shqiptare. 

Ishte një njeri që i pëlqente rregulli në jetën e zakonshme dhe serioziteti në punë. I përkushtohej skajshmërisht çdo lloj aktiviteti që ndërmerrte, si atij intelektual e shkencor apo politik, si dhe çështjeve familjare, të farefisit apo të rrethit shoqëror e miqësor. Ishte një kundërshtar i vendosur i anarkisë, i çrregullimeve, i punës shkel e shko, i mungesës së seriozitetit. Në konceptet e tij për jetën publike një vënd të veçantë zinte elementi disiplinë, pa të cilën ai nuk e kuptonte mbarëvajtjen e Shtetit dhe të institucioneve të tij. Disiplina nuk ishte një nënshtrim i verbër ndaj autoritetit epror, por një ndjenjë respekti ndaj detyrës që kishte secili, një ndjenjë përgjegjësie ndaj zbatimit të  rregullave e ligjeve të miratuara nga institucionet.

Një veti tjetër e karakterit të Mustafa Krujës ishte mungesa e ndrojtjes për të njohur gabimet edhe në hapësirë kohe. Në “Kujtimet..” ai, djegien e shtëpisë në Krujë mbas dështimit të lëvizjes së marsit 1922, nuk i a vesh “barbarisë” së Shtetit, por fajit të tij. Në fakt atë lëvizje, së bashku me revolucionin e qershorit 1924, mbas kalimit të viteve, i quajti veprime të dëmshme për ecurinë demokratike të jetës politike shqiptare. Në këtë kuadër mund të vendosen edhe ndryshimet e qëndrimit ndaj kundërshtarit të rreptë të tij, Ahmet Zogut. Tërësia e marredhënieve të tyre, që nga njohja në moshë fare të re në një shkollë të Stambollit e deri tek fqinjësia vëllazërore n’Aleksandri t’Egjyptit, përmban ne vetvete gjithshka nxori në pah politika shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të shkuar. Ajo ishte shprehje e idealeve por dhe e interesave, e respektit ndaj kundërshtarit por edhe e luftës së pamëshirshme ndaj tij, e vlerësimit të tij privatisht por edhe e denigrimit publik, e qëndrimit ngulmues në bindjet por edhe e ndryshimit të përkatësive politike.

Në vjeshtën e vitit 1943, kur u pa se fitorja e Boshtit, me të gjitha përfitimet e Shqipërisë etnike, po largohej gjithënjë e më tepër, ndërsa ajo e Aleatëve, me rrezikun e mbizotërimit të komunistëve në strukturat e qëndresës antifashiste, bëhej më e prekëshme, Mustafa Kruja ariti në përfundimin se Shqipëria kishte vetëm një rrugë shpëtimi: mobilizimin e të gjitha forcave të shëndosha të Kombit nën drejtimin e Mbretit të mërguar. Që nga shtëpia e Kapidan Gjonit në Shkodër niset mesazhi për kundërshtarin e shumë viteve: “ Si mue si Kapidanin e Mirditës do t’na kesh bashkëpuntorë e përkrahës!”. Ishte dora e shtrirë Mbretit dhe njohja e vetëdijshme e rolit dhe aftësive të tij, jo për komoditet politik apo përfitim vetiak, por për një bindje të thellë se kjo ishte rruga e shmangies së një katastrofe, të cilën ai e kishte paralajmëruar në të gjitha mënyrat. Para këtij synimi të gjitha vlerësimet, qëndrimet, mëritë e së shkuarës liheshin mënjanë, i dorëzoheshin kohës e historisë. Ishte pa dyshim një tregues burrërie e shqiptarizmi, ashtu siç kishte qënë, një vit më parë, mbrojtja e tezës se Shqipëria e bashkuar me Kosovën në gjysëm lirie ishte më e pranueshme se ajo pa Kosovën në liri. 

Kjo ishte me pak fjalë figura e Mustafa Krujës, mbi të cilën është hedhur sistematikisht balta e shpifjeve dhe diskreditimit. Ajo është e lidhur me një epokë, tashmë të largët, me një mendësi, një mënyrë të konceptuari të çështjes shqiptare, në një nga periudhat më të ndërlikuara të një shekulli të shënuar nga tragjedi të të gjitha niveleve. Ashtu sikurse ajo mendësi, në tërësinë e saj, po ashtu edhe ajo figurë presin sot një rivlerësim objektiv e të paanshëm, nga sita e historisë së vërtetë. Fatkeqësisht strukturat shkencore, politike, kulturore të Vendit tonë nuk janë ende në gjëndje t’a bëjnë, ato mbeten të ngujuara në kullat ideologjike të mendimit komunist. Konferenca përkujtimore në sallën Balsha të Hotel Tirsanës qe një hap i fuqishëm n’atë drejtim. Kumtesat e mbajtura  në atë sallë, nga studjuesit e shquar që shpalosën opinionet e tyre janë një dëshmi. Atyre u shkon falënderimi i përzemërt jo vetëm i familjes e farefisit të Mustafa Krujës, por dhe i atij opinioni shoqëror që është i etur të njohë, në termat e tij të vërteta, të shkuarën e Vendit të tij.     

Rishkrimi i historisë, kryefjala e këtij tubimi, duhet të jetë një proçes i thellë, i pandërprerë, i tejdukshëm, cilësor, në vazhdimësi, një proçes rindërtimi mbi kritere të së vërtetës të së shkuarës sonë, dukuri kjo e domosdoshme për të davaritur mjegullnajën e stërmadhe të mashtrimit që, për më shumë se gjysëm shekulli, ka errësuar mëndjet e shqiptarëve duke çoroditur idetë e tyre.                                                                                                             

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT