• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIKTATURA DHE QËNDRESA E GRUAS

June 19, 2014 by dgreca

(Rreth vëllimit “Kalvari i grave në burgjet komuniste” me autore Fatbardha Saraçi (Mulleti)
Nga Eugjen Merlika/
“Po sa mija e mija gra i a vunë shpatullat këtij kombi, atëherë kur burrat e vërtetë i përtypte plumbi o kurbeti i detyruem…”- Jozef Lazër Radi/
Nëna – kryefjala e jetës njerëzore, burimi i saj i pashterrshëm, maja më e lartë e ndjenjës, simfonia më e thellë e saj, vegimi më i ndritshëm i botës së mbrendëshme lidhet me atë emër, që mbetet i vetëm, pa sinonime, në madhështinë e tij të paarritëshme. Sa shumë është shkruar në mijëvjeçarë për nënat dhe dhimbjet e tyre për humbjen apo vuajtjen e bijve, që nga “Vaji i Hekubës” deri tek “Nëna” e Gorkit, në shekullin e shkuar që vuri në provë, më shumë se të gjithë paraardhësit, mizorinë njerëzore në shfaqjet e saj më të ndryshme, duke çuar në mbretërinë e vdekjes së dhunëshme miliona bij e bija, duke cfilitur e vrarë po aq zemra
Në këtë tabllo të errët të shoqërisë njerëzore dhe Shqipëria pati pjesën e saj, një histori të tejzgjatur dhimbjesh, të cilën znj. Fatbardha Saraçi (Mulleti) me shumë bujari e zemërgjërësi merr përsipër t’a lerë të shkruar, të zezë mbi të bardhë, duke na dhënë një vepër monumentale e të veçantë në gjininë e saj, përsa i përket rëndësisë që bart për sot e për t’ardhmen, në fushën e njohjes e të dëshmisë të së vërtetës historike. Vepra i ngjet një enciklopedije të vogël të dhimbjes njerëzore e të dhunës shtetërore në Shqipërinë e viteve 1944 – 1991 sepse, me gjithë punën e admirueshme të autores, paraqet vetëm një pjesë të realitetit t’asaj periudhe, atë që ajo ka mundur të hulumtojë e t’a prekë me dorë, nëpërmjet bisedave me personazhet e gjallë të veprës së saj.
Kjo minienciklopedi e barbarisë së një sistemi e ndërtuesve të tij është vetëm maja e ajsbergut e një realiteti që zgjati gati gjysëm shekulli e që paragjykoi jetën e tre brezave. Çuditërisht ai realitet mbahet ende i fshehtë në male letrash të panjohura e të pazbuluara nga njerëz që vazhdojnë të drejtojnë shtetin shqiptar. Ata i quajnë pasuri të tyre ato letra e vazhdojnë të venë vulën e sekretit shtetëror mbi to. Ato dosje që kutërbojnë erë kufomash dhe mbartin në vetvete të gjithë gamën e përfytyrueshme të poshtërsisë njerëzore dëshmojnë faktin se ne, në nivel politik, ende nuk kemi kurajën të ballafaqohemi me të shkuarën tonë në dritën e diellit. Ajo dëshmon gjithashtu se ne vazhdojmë t’a mbrojmë atë, sepse jemi pjellë e saj, e lidhur pazgjidhshmërisht me rrënjët e diktaturës, të paaftë për t’u ndarë mendërisht e shpirtërisht prej saj…
“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” është një mozaik i larmishëm fytyrash, emrash, karakteresh grash shqiptare, kryesisht të qytetit adoptiv të autores, Shkodrës, por edhe të pjesëve të tjera të Shqipërisë, ku spikasin “veteranet” e kampeve të internimit të socializmit shqiptar, ato gra që lindën fëmijët në qelitë e burgjeve të improvizuara, apo i prunë kërthija në to, për të dalë prej andej me thinja në kokë, një vit mbasi ishte shëmbur Muri i Berlinit. Secila nga më shumë se 250 gratë e vajzat që gjejnë strehim në pendën e autores, ka të veçantën e saj, por të gjitha kanë të përbashkët fatin e tyre, atë të viktimës së dhunës së një sistemi që, për zgjedhje vetiake të drejtuesve të tij, rezultoi më kriminali në Lindjen evropiane, nxënësi më besnik i njërit prej tiranëve më të zinj të shekullit komunist, J. Stalinit.
Galeria e personazheve që , ish mësuesja e kimisë në shkollat e rrethit të Lezhës, rendit në veprën e saj përfshin emra të njohur e më pak të njohur të asaj pjese të popullsisë që mbiquhej si “armike e klasës” nga nomenklatura e regjimit e që përbënte “Soveton” e shoqërisë socialiste shqiptare. Ka në to emra si Marije Deda (Zojzi) e Gjela Llesh Biba, që vriten me armë në dorë përbri burrave të tyre në qëndresën antikomuniste, të cilave Shqipëria demokratike duhej t’i kishte ngritur monumentet e merituara. Përmenden me nderim emrat e një pjese shumë të vogël të atyre 450 grave e vajzave të dënuara me vdekje nga diktatura, si heroina shkodrane e martire e çështjes së Kosovës, Marije Shllaku, Marije Dedë Prela, Dila Bala, File Mimani etj. Zenë vendin e tyre në vepër figura të shquara intelektuale si Sabiha Kasimati, Musine Kokalari, Zyrika Mano, Elena Gjika, Safete Sokoli, Elena Luli etj. Flitet për familjet e internuara që në fillim të regjimit si Markagjonët, Mirakajt, Dinet, Përvizët, Kolajt, Kaloshët, Kupët, Demët, Merlikët etj., për të cilët internimi mbaroi më 1990, me të gjitha pasojat dramatike të një përndjekjeje, gati gjysëm shekullore, që ishte kalvari i plotë i paracaktuar për ta nga institucionet e diktaturës.
Në këtë kalvar të gjatë e të larmishëm, që diktatura projektoi e zbatoi për atë pjesë të shoqërisë që nuk u uniformua me të, hynin vazhdimisht njerëz të tjerë, ata që “revolucionet” psikopatike të udhëheqjes e të kryetarit të saj i caktonin si viktima flijore të marrëzisë së përherëshme që fabrikonte në pafundësi “armiqtë” e klasës e të socializmit. Kështu familjeve të vjetra të antikomunistëve të parë u shtoheshin, në fatkeqësinë e tyre, të tjerë “tradhëtarë” të çështjes së partisë dhe kontigjentet e të dënuarve t’atyre që “synonin minimin e rrëzimin e pushtetit popullor” përfshinin atëherë dhe vetë ata që i kishin shërbyer me besnikëri e vetëdije regjimit. Kjo dukuri në libër pasqyrohet, ndërmjet të tjerash, nëpërmjet figurave të grave të huaja, t’ardhura në Shqipëri nga Vendet komuniste të Lindjes për të sendërtuar ëndrrën e dashurisë për djemtë shqiptarë, ashtu sikurse para luftës vajzat italiane, franceze, austriake braktisnin Vendet e tyre për të ndarë me ta jetën familjare në Shqipëri.
Në këtë kuadër besoj se institucionet e dhunës të diktaturës komuniste i janë tepër borxhlinj imazhit të Shqipërisë në sytë e shqiptarëve, por edhe në sytë e botës. E kanë katandisur këtë imazh në formën më të keqe, duke kryer krime të përbindëshme, me arrestime e dënime të grave të huaja, me padi të sajuara në kulisat më të errta e më kriminale të Sigurimit të shtetit. Ai shtet i shqiptarëve, që kishte shpëtuar qindra jetë hebrenjsh, duke qënë nën pushtim italian apo gjerman, me guximin e burrërinë për të pohuar vlerat e traditave të Vendit si mikpritjen e mbrojtjen e “jabanxhijve” edhe para autoriteteve gjermane që kishin mbushur Evropën me kampe çfarosjeje të hebrenjve, nën udhëheqjen e “ndritur” të komunistëve enveristë, mbushi burgjet me gra të huaja të pafajshme, vetëm pse donin të ruanin familjet e tyre.
Autorja na sjell dëshmitë e disa prej këtyre grave, dëshmi që përbëjnë njolla turpi, jo vetëm për institucionet dhe njerëzit që i kryen ato përndjekje mizore, por edhe për emrin e Shqipërisë në botë. Po kujtoj këtu historinë e një gruaje daneze, Olga Schweitzer Libohova, bashkëshortja e shtetarit të njohur Myfit bej Libohova, e cila edhe mbas vdekjes së burrit, më 1927, vendos të qëndrojë në atdheun e tij. “Në vitin 1944, në operacionin e qershorit, ajo u tregua trimëreshë, hyri midis njëqind burrave, që gjermanët donin t’i pushkatonin, tek rrapi i madh, në qendër të fshatit. Ajo e kërcënoi oficerin, se nëse ai do të vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të. Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, që i foli gjermanisht u shpëtuan nga vdekja 100 burra….”
Kudo kjo grua, në sajë të një veprimi të tillë, sa të guximshëm e fisnik, po aq të dobishëm e njerëzor, do të kishte gjetur vlerësimin e respektin e merituar të shoqërisë e të shtetit. Ndërsa shteti komunist shqiptar, më 1945, i grabiti gjithë pasurinë, përfshirë këtu edhe 2500 libra të bibliotekës së Myfit Libohovës, të cilët u dogjën në mes të fshatit, të cilit ajo i kishte shpëtuar njëqind jetë njerëzish. Ky ishte “rendi i ri”, që sillnin “çlirimtarët”, duke shkatërruar gjithshka, së pari kulturën, duke i a kaluar në këtë drejtim edhe hunëve që dogjën Evropën romane, por kursyen monastiret ku ruheshin veprat e mëdha të lashtësisë greko – romake.
Danezen fisnike partizanët e detyruan të jetojë në një stallë lopësh, duke e internuar pastaj në vende të ndryshme, i burgosën djalin e vetëm që u kthye nga Italia për t’i shërbyer Vendit të tij. Ajo vdiq e dëshpëruar në fshatin Tresh të Lezhës më 1963. Ishte ky një nga shembujt e shumtë që shkrimtarja Saraçi rendit në librin e saj dhe jo më i pamëshirshmi i tyre. Mizoria e sistemit komunist dhe e njerëzve që i shërbyen, sidomos në organet e dhunës “proletare”, nuk ka kufij poshtërsie e kriminaliteti të përfytyrueshme. Çdo emër, historia e të cilit ftillohet nga autorja, mund të ishte një subjekt romani më vete. Fatkeqësisht letërsia e viteve të kalesës u muar pak ose aspak me tragjeditë e pafund të komunizmit në Vendin tonë. Frymëzimin për t’u a lënë pasardhësve ato tragjedi e patën pak penda si Visar Zhiti, Atë Zef Pllumbi, Makensen Bungo e ndonjë tjetër që, për mendimin tim modest, kanë lënë vepra artistike e, njëherësh dëshmi të fuqishme të atij proçesi të gjatë historik, që në hollësi fotografohet nga Fatbardha Saraçi (Mulleti).
Në këtë drejtim mendoj se mungesa e trasparencës së vërtetë nëpërmjet arkivave të mbyllura, madje pjesëmarrja ende masive e protagonistëve të dhunës në organet dhe organizmat e shtetit “demokratik”, në shumllojshmërinë e formave, ndihmon synimin e fshehjes e të minimizimit të së vërtetës tragjike të gjysëm shekullit të zi të Shqipërisë. Antikomunizmi për fasadë i shumë personave të politikës, në këta 23 vjet, ka shërbyer si gjethja e fikut për të ndihmuar atë synim.
Kuadri i dëshmive dhe personazheve jetësorë të librit plotësohet me të tjera emra grash si Liri Lubonja, Shpresa Ngjela, Vera Bekteshi, Kozara Kati etj., disa prej morisë së familjeve të nomenklaturës së lartë komuniste, të bëra fli në famëkeqen “luftë kllasash”, së cilës i kishin besuar me entuziazëm që nga rinia e parë deri në çastin fatal të vendimit që merrej mbi kokën e tyre.
Autorja i skicon me shumë dashuri portretet e personazheve të librit të saj, hyn në thellësi të dhimbjeve, brengave, fatkeqësive të tyre, u qëndron pranë, u nxierr në pah vlerat, forcën e karakterit, që është tipari dallues i personalitetit të tyre. Ajo mahnitet nga vullneti i tyre për të mposhtur të keqen, me të cilën përballohen çdo ditë, për të mbijetuar edhe në çaste katastrofash, duke patur shpesh në këtë luftë të pabarabartë, në anën e tyre vetëm ndihmën e Zotit, të cilit i luten në heshtjen e vetmisë, për të gjetur shpresën e fuqinë për të shkuar përpara.
E bën këtë jo vetëm si idhtare e letrave, por edhe si grua, si nënë, si një prej tyre që i ka vënë vetes një qëllim sa fisnik aq dhe të vështirë : të pasqyrojë figurën komplekse të gruas së përndjekur shqiptare në gjysëm shekullin e kataklizmës, me bindjen se është ajo si krijesë në rolin e nënës, të bashkëshortes, të motrës, të shoqes, ngadhnjimtarja e vërtetë e epokës së tiranisë. Ajo u ballafaqua më shumë se kushdo me të, i qëndroi asaj me dinjitet në të gjitha shfaqjet e saj të dhunës, në vite të gjata provash masakruese të sajuara djallëzisht për të shbërë qënien njerëzore. Me baballarët, burrat, vëllezërit në burgje, kampe pune të detyruar e internime, të luftuara nga maqina e përbindëshme e partisë – shtet, të përndjekura, të fyera e të keqtrajtuara, ato femra punuan në punët më të rënda e më të vështira, ngarkuan në shpinë trastat me kursimet e pakta të tyre, përshkuan rrugët e vështira të maleve e fushave të Shqipërisë, në kërkim të një takimi disa minutësh nën mbikqyrjen e policëve të rradhës, për të mbajtur gjallë t’afërmit e tyre në kushtet çnjerëzore në të cilët jetonin. Rritën fëmijët me njëqind sakrifica e mungesa, pritën burrat në shtëpitë e tyre duke sakrifikuar vitet më të bukura të jetës, mbetën pa u martuar sepse u duhej të mendonin për baballarët e vëllezërit në burgje. Të gjitha këto i bënë me vetëdijen se ishte detyra e tyre, se ishin bija të një mendësie tradicionale shqiptare që jetën njerëzore e konceptonte si shfaqje të përherëshme të luftës së përditëshme në mbrojtje të nderit e të dinjitetit.
Ky është heroizmi i vërtetë, ai që nuk vret njerëz, qoftë dhe kundërshtarë, por shpëton, rrit, edukon e formon njerëz. Nëse shpëton gjë në gjysëm shekullin e zi, është pikërisht ky heroizëm i gruas shqiptare që meriton piedistalin. Çdo shfaqje mosbesimi në këtë drejtim, i bazuar në episode apo raste të veçanta duhet quajtur e pavlefshme. Ne duhet të jemi krenarë për nënat, gratë e motrat tona që, në vazhdim të traditave pozitive të familjes shqiptare, nderuan dhe mbajtën lart vlerat më të bukura edhe në kohë tepër të vështira, kur vetë jeta njerëzore kërcënohej çdo ditë.
Shumë prej tyre sot nuk janë më, e kanë plotësuar parabolën e tyre, të tjerat janë të lodhura, të provuara nga jeta, nga vështirësitë, nga një shtet mospërfillës, për të mos thënë ende armiqësor kundrejt tyre dhe problemeve të tyre, një shtet që synon harresën kundrejt jetëve e vlerave të tyre. Kësaj mendësie i kundërvihet shkrimtarja me librin e saj. Ja si e shpalos ajo shqetësimin, motivin e brendshëm nxitës të punës që e shtyn të kryejë veprën e saj :
“Kjo është një betejë…,çka është brenda mundësive të mia, të veproj kundër të harruarit. Me qenë i harruar është një vdekje e dytë. Të harruarit e genocidit, të luftës së klasës, s’është gjë tjetër veçse një formë e re dhune. Është shumë e dëshirueshme që kujtimet të mbahen gjallë mbi jetën e njerëzve dhe sikur fundi të jetë pa shpresë….”
Këto fjalë na kujtojnë veprën e Atë Zef Pllumbit dhe amanetin e njohur të Atë Mati Prenushit : “Rrno për me tregue”. Në atë mesazh beson edhe znj. Fatbardha Saraçi (Mulleti), madje me modesti e bën atë lejtmotivin e ekzistencës së saj, një detyrë qytetare së cilës i kushton pasionin e saj, aftësinë e të shkruarit, vullnetin e hulumtimit, pjesëmarrjen shpirtërore në dhimbjet e të tjerëve. E kryen detyrën me përpikmërinë që ka karakterizuar jetën e saj, me dëshirën dhe vetëdijen për të dhënë ndihmesën në një projekt sa të domosdoshëm po aq të vështirë në Shqipërinë pas komuniste, atë të shpëtimit të kujtesës historike të viktimave te diktaturës komuniste. Është një projekt që i shërben së tashmes dhe së ardhmes së Vendit, sepse shpejt a vonë krimi komunist do t’i nënështrohet gjykimit të ndërgjegjes së kombit dhe asaj të historisë së vërtetë, gjykime që deri tani nuk kanë qenë të mundura, si pasojë e tabuve që mbajnë peng jetën politike dhe akademike të demokracisë pas komuniste shqiptare.
Respekt e nderim autores së vëllimit “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” dhe te gjithë atyre, sado të pakët, që japin ndihmesën për sendërtimin e atij projekti.

Qershor 2014 Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: DIKTATURA DHE, Eugjen Merlika, QËNDRESA E GRUAS

BIJA E RIKTHYER NË GJIRIN E NËNËS

February 10, 2014 by dgreca

Nderim kujtimit të paharruar të Vaçe Zelës/

Nga Eugjen MERLIKA/

  8 shkurti qe një ditë e trishtuar për Shqipërinë dhe bijtë e saj, të shpërndarë nëpër botë. Atë ditë u përcoll për në banesën e fundit tokësore një grua shqiptare, një nënë, një bashkëshorte, një motër, një artiste, një këngëtare që, me zërin e saj, bëri epokë në një Vend ku mungonte zhvillimi, mirëqënia e, mbi të gjitha, liria. Vaçe Zela u njëjtësua jo me zymtësinë e Vendit që e lindi, por me shpirtin e tij poetik, duke u kthyer në zëdhënësen më cilësore të artit të këngës, të cilin ajo e thithi së bashku me qumështin e nënës në Myzeqenë e viteve të luftës e të mbasluftës.

Për vlerat e këngëtares myzeqare dhe ndihmesën e Saj në interpretimin e këngës, në larminë e saj të pafund në të gjitha gjinitë, shqiptare e të huaja, është folur shumë nga kolegët e saj të shumë viteve, nga kompozitorët, kritikët, artistët, madje dhe nga personalitete të jetës politike. Këta të fundit, atë paradite të 8 shkurtit në sallën e teatrit të operas e baletit, ku i jepeshin nderimet e fundit “Nderit të Kombit”, Vaçe Zela, përfaqësuan Shtetin që nderonte, pa instrumentalizuar politikisht, një qytetare të tij, që e kishte futur emrin e saj në fondin e artë të vlerave të tij madhore.

Ceremonia mortore, që u zhvillua n’atë teatër, qe një nga shfaqjet më të arrira të jetës shqiptare të viteve të fundit. Përgëzime të sinqerta organizatorëve, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Lushnjës për këtë spektakël, sa prekës e të ndjeshëm, po aq madhështor e të fuqishëm, në ujdi me shpirtin e ngjarjes e me përmasat e saj. U desh një vdekje e madhe për të bashkuar lirisht të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Tiranë e Lushnjë, por në të gjitha trevat shqiptare, brënda e jashtë atdheut e, nëpërmjet televizionit, në çdo skaj të planetit, në një mendim të vetëm, në një dhimbje të përbashkët, në një vajtim nëpërmjet këngëve që nuk u mbyllën në arkivolin me trupin e artistes, por mbetën të lira, të shëtisin n’eterin e pafund, si një mesazh i përjetshëm i artistes lushnjare bashkatdhetarëve të saj, pa asnjë dallim, si një thirrje e përmallëshme për të ruajtur e shpënë më tej vlerat e trashëguara të këtij populli, pasurinë e pamatur shpirtërore të tij.

U arrit kjo në sajë të një konceptimi realist, njerëzor e jo burokratik të ngjarjes, u çvesh ajo nga çdo nuancë apo tonalitet politik në vetvete, mbeti një përcjellje lamtumire e përgjithëshme e një populli një bije të dashur që kthehej për t’u prehur në tokën e të parëve, mbas shumë vitesh shtegtimi e dhimbjesh në qendrën e Evropës, një artisteje që, me këngët e Saj, kishte shoqëruar rritjen e formimin e dy brezave, që i kishte dhënë atyre entuziazëm, forcë, optimizëm, kënaqësi estetike e shpirtërore. Mund të përzgjidheshin më mirë folësit, në përfaqësi të gjithë segmenteve të shoqërisë e të moshave të saj, por është e kuptueshme se improvizimi, në të tilla raste, kur koha të shtrëngon me të tepër, nuk mund të prodhojë përsosmërira. Të gjitha përshëndetjet ishin të ndjera, prekëse, dëshmi  ndjenjash të fuqishme dhe emocionesh të rralla, që i përcilleshin shikuesve të pranishëm, por edhe qindra mijrave që kanë ndjekur ceremoninë nëpërmjet televizionit. Ndërmjet tyre më duket me vënd të veçoj përshëndetjen e Kryeministrit Rama që paraqiti me realizëm mjedisin e ngrirë të Shqipërisë ku lulëzoi talenti i Vaçe Zelës, gjë që ngriti edhe më lart vlerat artistike, shpirtërore e karakteriale të këngëtares së madhe, të cilën po e përcillnin.

Një tjetër veprim domethënës e i bukur qe zbritja e arkëmortit në Prishtinë, në rrugën e tij drejt Tiranës. Nderimi i kosovarëve dhe i Nexhmije Pagarushës i a shtoi vlerën kësaj ceremonie, duke i u kujtuar të gjithëve se, pavarësisht nga meandret e laqet e real-politikës, shqiptarët mbeten një komb i vetëm, që respekton të njëjtat vlera e që ndan njëlloj dhimbjet e gëzimet në të gjitha trevat e tyre.

Emblema e këngës shqiptare u përcoll me nderime të papara. I meritoi ata sepse, për një kohë të gjatë, qe këngëtarja më e spikatur e muzikës shqiptare, sepse këngës shqiptare i ngriti monumente, i dha asaj shpirt, duke e kthyer në një pasuri kombëtare e njerëzore, të prekëshme e të ndigjueshme nga brezat që do të vijnë. Në këtë drejtim mendoj se Ministria e Kulturës duhet të bëjë më shumë për të shumfishuar CD-t me zërin e Saj, në mënyrë që ato të mos jenë një privilegj i pak “të zgjedhurve”, por një stoli e domosdoshme për çdo familje shqiptare, kudo qoftë. I nënëshkruari ka patur fatin t’a ketë treshen e CD-ve si dhuratë prej Saj, një dhuratë tepër e çmuar, të cilën e ruan me fanatizëm, duke dëgjuar, pothuajse çdo ditë zërin e Saj e duke u kthyer me kujtime në kohë të largëta. Brezi i ynë, brezi i Saj, që me këngët e kënduara prej Saj ka lidhur episode të ndryshme të jetës shpesh të hidhura (festivalet e këngës në RTV, të dëgjuara në sallat e mencave të Spaçit, Qafë-Barit, të Ballshit, Thumanës e të tjera kampeve të punës së detyruar), por edhe të çasteve të iluzioneve të lumturisë që mund të jepte një dashuri e realizuar (Djaloshi dhe shiu), sot e përcjell Vaçen së bashku me një pjesë të vetvetes, me vetëdijen se u shkëput diçka nga brenda, diçka që na kujton se jeta njerëzore po i afrohet fundit e se është kohë bilanci për këdo.

Këtë bilanc, sigurisht e ka bërë dhe këngëtarja jonë prej kohësh, jo vetëm si artiste e si njeri publik, por edhe si bashkëshorte e si nënë. Mendoj se përmasat e personalitetit të Saj në jetën artistike mbeten të pandryshuara në jetën familjare. Familjes së saj, të lindur e të krijuar, i shkon mendimi e ngushullimi i të gjithë shqiptarëve që marrin pjesë në dhimbjen e tyre. Krahas bashkëshortit të nderuar, motrave e vëllait, në jetën e Vaçe Zelës, një vënd të veçantë ka zënë bija e vetme, Irma. Nëse fëmija mund të quhet, deri diku, pasqyrë e prindërve, Irma Rodiqi do t’ishte një dëshmi e gjallë e sendërtimit në shkallën më të lartë të rolit të nënës, sepse vetëm një nënë shëmbullore mund të rrisë e të edukojë një bijë të rrallë, pa lënë mënjanë rolin përcaktues të babait, me të cilën mund të krenohet çdo prind, në çfarëdo Vendi të botës, në çfarëdo shkalle shoqërore, në çfarëdo kushtesh të një shoqërie njerëzore.

Irma Rodiqi është një model i pakrahasueshëm i një vajze të virtytëshme, i një vajze të traditës më të mirë të Shqipërisë fisnike e të zakoneve të bukura. Por ajo është dhe një vajzë bashkëkohore, që jeton në shoqërinë evropiane të shekullit 21, që përballon kërkesat e asaj shoqërie me aftësi të lëvdueshme, duke harmonizuar plotësimin e tyre me ligjet madhore të kodit të trashëguar të familjes shqiptare. Ajo punon në Institutin e Statistikave të Bazelit, një nga qytetet kryesore të Zvicrës. Për këdo që e ka sado pak idenë se për çfarë bëhet fjalë, është e qartë aftësia profesionale dhe përkushtimi në punë i kësaj zonjusheje shqiptare. Përkushtimi në profesion  shkon në një hap me përkushtimin në familje e këtu qëndron madhështia e kësaj vajze që, në shumë vite të sëmundjes së nënës së adhuruar, ka mbajtur mbi supe një barrë të rëndë, një familje në kushte të vështira. Në këtë mision ka patur tek babai bashkëpuntorin më të vullnetshëm e mbështetësin më të çmuar. Vetëm një koncept i tillë i familjes mund të përballojë gjëndje të pazakonta si ajo e familjes Rodiqi. Cilido mund të marrë me mënd se çfarë energjish e durimi njerëzor duhen për të qëndruar çdo natë pranë nënës së sëmurë e çdo ditë në krye të një detyre që kërkon mëndje të kthjellët e gjykim të saktë, ku nuk lejohet as gabimi i një presjeje.

Irma e ka përballuar atë jetë me vetmohimin e bijës, për të cilën prindërit janë të dashur e të respektuar, jo vetëm se kështu thotë pika e katërt e Urdhnimit të Tenzot, por edhe se kështu e kërkon tradita më e mirë e popullit të saj. Shpesh herë ky qëndrim kërkon edhe flijime të diçkaje nga vetja e jo të gjithë, në botën e sotme, janë të gatshëm t’i bëjnë. Të gjithë patën mundësi të shohin qëndrimin dinjitoz në këtë ceremoni dhimbjeje të Irmës në krahun e babait, Pjetrit, lotët e saj të heshtura, të përziera me vetëdijen e të qënit një bijë e denjë e një çifti prindërish të denjë.

Zoti lehtësoftë dhimbjen e tyre e u dhëntë atë qetësinë e domosdoshme mbas furtunës, nëpër të cilën kaluan, për të patur fuqinë e duhur për të vazhduar jetën me kujtimin e paharruar të nënës e bashkëshortes, që vigjëlon mbi ta nga bota e së vërtetës e që këtu u flet me gjuhën e luleve, të cilat me aq dashuri i mbolli atje në kopshtin e saj, në tokën e huaj, por edhe të dashur të Bazelit.

Mirënjohje e respekt të përjetshëm kujtimit të Vaçe Zelës, bijës që u kthye në gjirin e nënës Shqipëri, së cilës i dhuroi gjithshka pati më të shtrenjtë, talentin e përkushtimin e saj.

Shkurt 2014

Filed Under: Featured Tagged With: bija e rikthyer, Eugjen Merlika, ne gjirin e nenes

RRUGA E PËRPJETË DREJT EVROPËS SË BASHKUAR

January 7, 2014 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Viti 2014 e gjeti  Shqipërinë mes halleve të përditëshme të një jete që shtrenjtohet gjithënjë e më shumë në një Vend që shkon drejt varfërimit të pjesës më të madhe të popullsisë. E gjeti me një Qeveri, të re në moshë e në fytyra, e me një Kuvend ku shumica i ka të gjitha numurat për të bërë edhe reforma të rëndësishme. Por muaji i fundit të vitit të vjetër solli me vete një zhgënjim të ri, atë të mospranimit nga ana e Këshillit të BE të kërkesës shqiptare për shoqërizimin, mos pranim që përsëritet, në mos gabofsha, prej katër vitesh.

Ndërkaq, në mjediset e Evropës, u njoftua se, më 1 janar 2014, klubi i Euros u shtua me një antar të ri, Letoninë, një  republikë balltike ish sovjetike, me pak më shumë se dy mil. banorë, që filloi ecjen e saj drejt Evropës në të njëjtën periudhë me ne e në kushte pothuaj të përafërta. Sot treguesit ekonomikë të antarit të 18-të të Eurozonës janë të lëvdueshme, për t’u patur zili edhe nga themeluesit e BE. Rritja e PBB në gjashtëmujorin e parë të 2012, në zemër të krizës globale, është në masën 5,9 %, përqindja e interesit të bankave në 3 %, raporti defiçit PBB 1,3 % e borxhi i brëndshëm më pak se 40 %.

Në 1 janar edhe qytetarët rumunë e bullgarë panë dritën jeshile për të punuar pa asnjë kufizim në BE.

Një kuadër i tillë i Evropës na le hidhësirë në gojë, ne shqiptarëve, që mbetëm duke përtypur si “Legjendën e misrit” të kujtesës migjeniane, iluzionin e një premtimi që, me “bujari” të jashtzakonshme, politikanët tanë e ndonjë kuadër i lartë i BE na e shërbejnë, në këmbim të një dëshire të madhe për të hyrë në rrugën e integrimit evropian. Psikodrama e refuzimit të Evropës ndaj kërkesave shqiptare fillon të ndihet e të rëndojë mbi shpresat e qytetarëve tanë që, prej më se një shekulli, e kanë lidhur përfytyresën e Shqipërisë me atë të shteteve t’Evropës.

Njëqind vjet më parë, Evropa, edhe pse krijoi një shtet të gjymtuar shqiptar, u përpoq të marrë në dorë drejtimin e tij, nëpërmjet KNK-it e Princit Wied, që do të vinin gurët e parë të shtetformimit në rrugën perëndimore. Atëherë rebelimi filoosman i Shqipërisë së Mesme ndërpreu proçesin e sapo nisur evropian dhe lufta botërore plotësoi kuadrin ogurzi të shtetit më të ri të kontinentit. Sot quhemi ende të papjekur për të hyrë në Evropë, në një proçes që na gjen të vetmuar, në shoqëri të Bosnjës e të Kosovës.

Duhet të jetë një çast përsiatjeje të thellë për të gjithë ata që i besojnë ende ëndrrës evropiane. Kjo përsiatje nuk mund të kufizohet në deklaratat e qeveritarëve e të politikanëve, në shtyrje afatesh, që pasohen nga shpjegime të thata e në shkarkime përgjegjësish. Ajo përsiatje duhet të jetë kërkesë madhore e shoqërisë, një kërkim llogarie i përpiktë  atyre që kanë drejtuar Shqipërinë në këta 23 vjet kalese, me përfundime kaq të varfëra. Si në të gjitha krizat e mëdha të historisë sonë, edhe sot ngre krye një prirje për të shkarkuar mbi të tjerët, mbi “burokracinë e Brukselit”, apo forcat anti-sistem të Vendeve të ndryshme, përgjegjësinë e dështimit për të satën herë të proçesit të shoqërizimit, kur edhe Sërbia, para 15 vjetësh nën bombardimet e NATO-s, sot e gëzon atë status. Ajo prirje është tepër e dëmshme, sepse largon vëmëndjen nga thelbi i problemit që është një dhe vetëm një : paaftësia e mungesa e vullnetit e klasës politike shqiptare, për të sendërtuar ato masa që do të plotësonin kriteret e pranimit në BE.

Një Ministri integrimi, që prej vitesh punon pa asnjë rezultat, asnjëherë nuk na ka thënë shkoqur e shqip se ç’duhet të bënim konkretisht për të respektuar kriteret, dhe përse nuk veprohej n’atë drejtim. Është folur gjithmonë në terma të përgjithëshme e në tone triumfaliste për të mbuluar një kërkesë që, siç duket, nuk shkonte mbas mides së politikanëve shqiptarë, “pa dallim feje, krahine apo ideje”. Ideja e integrimit në BE binte ndesh me krijimin  e shtetit mafioz, në të cilin, synimi kryesor i pushtetarëve nuk ishte shërbimi ndaj interesave të Vendit, pra plotësimi i kushteve të kërkuara, por pasurimi vetiak, familjar, klanor, partiak me çdo mjet të ligjshëm e të paligjshëm….

Autoritetet e Evropës na thonë se duhet të luftojmë më mirë korrupsionin e duhet të gjejmë në institucionet gjuhën e dialogut. Nuk di a do të mjaftonin këto arritje për të sendërtuar synimin, mbasi duhet të shoqërohen nga treguesit ekonomikë. Por qoftë dhe tfillimi i atyre dy kërkesave nuk le asnjë shteg për të shkarkuar te të tjerët sado pak përgjegjësi, mbasi mbetet nder dhe detyrë e politikës dhe institucioneve shqiptare. Fjala “korrupsion” është ajo më e lakuara në historinë politike të këtyre viteve. Çdo fushatë zgjedhore ka patur në qendër të propagandës së saj paditëse atë fjalë “magjike”, veshur kundërshtarit të rradhës. Në vitet e fundit fjala zhdukej nga qarkullimi, sapo krijoheshin “koalicionet” qeverisëse e një amnisti e përgjithëshme ndehej jo vetëm mbi nivelet e larta të politikës, por edhe mbi vetë konceptin.

Shqiptarët i besojnë “profetëve” ( të tillë mund të quhen ata që janë në politikë prej një të katërt shekulli) të tyre e janë gati të votojnë këdo që i premton më shumë, edhe nëse këta premtime të pambajtura përsëriten në pafundësi, pa çka se këta shquhen vetëm për demagogji e për pasurim. Institucionet e kontrollit të zbatimit të ligjit, prokurori e gjykata, marrin bajrakun e paligjshmërisë. Simbas ambasadorit amerikan, rreth 80 % e sistemit është i korruptuar e simbas gojëve të “liga”, për çdo antar të Gjykatës së Lartë posti paguhet me 500.000 €. Ka një ligj për kontrollin e pasurisë së funksionarëve shtetërorë, por Komisioni i ngarkuar me atë detyrë, bën një gjumë letargjik, i kërcënuar s’dihet se si, apo i shpërblyer po ashtu…

Qarkullojnë fjalë mbi vila prrallore e “pasuri” të reja në bregdet, të ligjëruara nga pasanikët e rinj, ndërsa ata “të vjetrit” vërtiten me dhjetëvjeçarë gjyqeve e komisioneve të kthimit të pronave. Në rastin më të keq nuk arrijnë të marrin asnjë copë letër që t’u njohë pronësinë e trashëguar e në më të mirin i u duhet të përballohen me policinë e shtetit, që mbron selinë e PSD-së, të njohur si pronë nga gjykata pronarit të ligjshëm, por jo si të tillë nga kreu i partisë që ende, mbas shtatëdhjetë vjetësh, vazhdon të teorizojë grabitjen e shtetit komunist…. Gjykatat arkivojnë krime të çdo natyre, duke i paraqitur si të paqena, kur në mes janë shtetarët apo politikanët apo bijtë e tyre e, si kompensim, për të ruajtur formën, bëjnë të tringëllijnë prangat, edhe atëherë kur nuk është e nevojshme, duke dhënë përfytyresën e një Vendi të kthyer 40 vjet mbrapa, për të shërbyer si kornizë e një portreti t’urryer që ende shpaloset me mall edhe në ceremonitë zyrtare…

Vendi jeton çaste të pafundme ankthi, si pasojë e pushimeve masive nga puna (vetëm në një ditë 80 vetë në ministrinë e brëndëshme), që lidhen me këmbimin e administratës së “depolitizuar” shtetërore. Kjo praktikë është kthyer në një tumor asfiksues të shtetit të së drejtës. Ka arsyet e saj objektive e subjektive të të qenit, si mungesa e një ekonomie që krijon vende pune, por është edhe pjellë e një mendësie të trashëguar komuniste, që e mbështet krijimin e kastës së nëpunësve më shumë mbi kritere të besnikërisë partiake se të meritokracisë. Zoti Rama kishte premtuar se do t’i jepte fund kësaj praktike negative, duke kryer një hop cilësor të lëvdueshëm në afrimin e konceptit të shtetformimit me atë të mendësisë liberale evropiane. Faktet po e përgënjeshtrojnë dhe heqja e shumë nëpunësve t’aftë e shumë të aftë si Nevila Nika, për të marrë një shembull, nuk i japin imazhin e duhur kursit “të ri” edhe se duhet pranuar se ka edhe prirje pozitive në emrimin e kuadrove të larta të dikastereve. Dua të përmend këtu zv. Ministrin Radovani në Turizmin e zonat urbane, apo zonjat Elira Kokona e Ledia Mirakaj në Ministrinë e kulturës, emërime që përbëjnë një fije shprese në drejtimin e duhur.

U miratua një ligj për Statusin e Nëpunësit Civil, por Qeveria e mëparëshme e la të mangët, pa nxjerrë dekretet plotësuese, kurse e reja shfrytëzoi rastin për të pezulluar zbatimin.

Shqipëria, prej vitesh, ka qenë në shënjestrën e Interpolit për trafiqet e paligjëshme drejt Evropës. Gjatë këtyre viteve duket se ka një përmirësim në luftën kundër tyre, por problemi nuk mund të quhet i zgjidhur. Qënia e Lazaratit, si shtet brënda shtetit, është një shkëmb i madh, i vendosur tërthor në rrugën drejt Evropës e, çuditërisht asnjë qeveri shqiptare nuk ka guxim të matet me atë problem e t’a verë në rrugën e zgjidhjes.

Borxhet e shtetit ndaj qytetarëve, sipërmarrësve, shtresave në nevojë, ish të përndjekurve politikë vërtetojnë funksionimin e keq të makinës shtetërore. Tingëllojnë krejtësisht të pathemelta paditë e Opozitës për marrjen e borxheve, kur Vendi lihet në një gjëndje të tillë. Akuzat e ndërsjellta, mbi çështje që janë mjaft të dukëshme, dëshmojnë mangësitë e theksuara të klasës politike. Përsëritja e qëndrimeve kundër-shtet, si braktisja e Kuvendit, tregojnë se nuk ekziston një vullnet i qartë për t’i shërbyer projektit evropian. Miratimi i një rezolute t’Opozitës, para vendimit të Këshillit të BE, është një flluskë sapuni që mund të bindë ndonjë sylesh në Shqipëri, por jo qeveritarët e Evropës plakë.

Përmenda vetëm disa prej problemeve të Shqipërisë, që shihet e bllokuar në rrugën e saj në ngjitje drejt Evropës. Janë të gjithë pllaka të një mozaiku që përbën përfytyresën e asaj që është sot Shqipëria reale. Janë të gjitha simptoma të një organizmi të sëmurë, që ka nevojë për terapi shoku, të cilën nuk besoj se janë në gjëndje t’a zbatojnë ata që e sollën në këtë gjëndje. Duhet një mobilizim i fuqishëm i shoqërisë civile, që të shërbejë si nxitje e shtytje kundrejt politikës, t’i detyrojë asaj kohët dhe zgjedhjet, të ndikojë drejt për së drejti në zhvillimet e saj. Përvoja e manifestimeve për armët kimike mund të jetë një metodë për t’u ndjekur e për t’u përsosur. Shoqëria shqiptare ka sot një rini universitare e një klasë intelektuale që duhet të marrin në dorë flamurin e Evropës. Duhet t’a marrin, pa u kushtëzuar nga ideja e rreme se Evropa ka paragjykime se jemi myslimanë. Nuk ka asgjë të vërtetë në atë pohim veç prirjes për të fryrë pjerrjet kundër evropiane të hershme e të sotme. N’Evropë bashkësitë myslimane gëzojnë të gjitha të drejtat e qytetarëve evropianë. Madje ato nuk janë vënë në diskutim, as mbas ngjarjeve tragjike të atentateve terroriste në Londër e Madrid. Të ndërgjegjshëm se fatet janë në duart tona, duhet të shkojmë para me besim e siguri se, nëse duam, rezultatet do t’i arrijmë, nëse këmbëngulim jo vetëm të teorizojmë shtetin ligjor, por edhe t’a sendërtojmë atë.

Do të sugjeroja krijimin e një organi këshillimor, pranë Kryeministrisë, që të merrej vetëm me integrimin në Evropë. Duhet të jenë dhjetë burra e gra të elitës së shoqërisë, pa asnjë lidhje me politikën, me aftësitë e kompetencat e duhura, me shtatin moral të provuar, me dashurinë për Vendin e t’ardhmen e tij, me vullnetin e mirë për të punuar për të, jo për interesin e tyre. Do të kishin një rol të përkohshëm, një shembull kushtimi atdheut në një çast të vështirë, që kërkon ritme të shpejta veprimi, sepse kohën e kemi shpërdoruar në mënyrë të pafalëshme. Mund të ishte një mjet i dobishëm për të ndihmuar proçesin, gjithënjë duke i kërkuar politikës mos t’a quajë si ndërhyrje në fushën e kompetencave të saj, por si një ndihmesë në atë rrugë të përpjetë që, për mungesën e saj, po del më e vështirë se sa parashikohej njëzet vjet më parë.

Janar 2014                                                                     Eugjen Merlika/Itali

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Europes, Rruga e perpjete drejte

Ç’NA MËSON MANDELA ?

December 10, 2013 by dgreca

“Mandela është, me Martin Luther King dhe Gandhin, një nga të pakët udhëheqës që kanë arritur të rrëzojnë çdo pengesë race, ngjyre e besimi, duke na bërë që të dukemi të gjithë njësoj përballë vuajtjes dhe ngadhnjimeve të jetës.”/

Shkruan: Eugjen Merlika/

    Toni Morrison (shkrimtare amerikane, laureate e Çmimit Nobel 1993)

Mbas muajsh të gjatë dergjeje në shtrat, si pasojë e një sëmundjeje mushkërish, në shtëpinë e tij pranë Johanesburgut, në mbrëmjen e 5 dhjetprit 2013, në moshën 95-vjeçare, ndërroi jetë njeriu simbol i Afrikës së Jugut, ish Kryetari Nelson Mandela.

Keqardhja e politikës dhe opinionit publik botëror u shfaq menjëherë mbasi Kryetari aktual Jakob Zuma, lajmëroi Vendin e tij dhe botën mbarë me këto fjalë : “Kemi humbur birin tonë të madh. Shpirti i Tij pushoftë në paqe. Zoti bekoftë Afrikën.” Shprehjet e asaj keqardhjeje dolën nga gojët e shumë përfaqësuesve të kombeve të ndryshme si Obama, Merkel, Cameron, Hollande, Napolitano, George Bush, Mihail Gorbaçov, Jimmy Carter, Xi Jingping, Dilma Rousseff, për të pëmendur vetëm disa prej tyre, por edhe nga drejtuesit e organizmave më të rëndësishme ndërkombëtare si Ban Ki-moon (OKB), Herman Van Rompuy dhe Manuel Barroso (BE), Christine Lagard (FMN) etj. U mbajt një minutë heshtje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në Konferencën për Paqen e Sigurinë e Afrikës, të hapur në Pallatin Elisé, në presidencën franceze, në prani të 53 kryetarësh shtetesh e qeverish. Kanë shprehur hidhërimin e tyre të thellë e vlerësimet e tyre të çmuara udhëheqësit shpirtërorë të Krishterimit e të Budizmit, Papa Françesku dhe Dalai Lama. U shpall  zi kombëtare 12-ditëshe në atdheun e të ndjerit e pesëditëshe në Indi, për të nderuar vdekjen e një “gandiani të vërtetë”. Kanë shpallur zi kombëtare treditëshe Nigeria, Kuba, Portugalia dhe Brazili. Flamuri në gjysëm shtizë u hepua në shumë kryeqytete të botës, duke filluar nga Washingtoni, por edhe në ndërtesat e OKB-së dhe BE-së. Në ceremoninë e varrimit, në Vendin e tij të lindjes, që do të zhvillohet më 15 dhjetor, janë të ftuar rreth 2000 personalitete politike dhe të fushave të tjera, nga e gjithë bota.

Nderimi për Nelson Mandelën merr përmasa të jashtzakonëshme, ndoshta të papara deri më sot, të tilla që detyrojnë këdo të bëjë një përsiatje të thellë mbi dukurinë dhe subjektin e saj, mbi personalitetin e këtij shtetari që ka patur një jetë shumë të trazuar në Vendin e tij.

Kishte lindur më 1918, në një kasolle në Mvezo (sot Eastern Cape), me një emër të vështirë, Rohihlahla. Mësuesja e tij e parë e pagëzoi me emrin Nelson. U rrit jetim, mbasi babai vdiq kur ai ishte nëntë vjeç. Nëna e çoi në një fshat të afërt, në Kunu, një vend që mbetet i dashur në kujtime fëminore të djaloshit, aq sa t’a zgjedhë si vendin ku do të prehet në përjetësinë tokësore, pranë dy djemve, të larguar para kohe, vite më parë. Nëna e nxiti të vazhdojë studimet për antropologji e për drejtësi. U diplomua më 1943. Mbas një viti u martua me gruan e parë, Evelynën, nga e cila do të kishte dy djem dhe një vajzë. Filloi veprimtarinë e tij, si avokat në një studjo me mikun e tij, Oliver Tambo, por edhe në lëvizjen kundër aparteidit, dallimit racial që, në Bashkimin Jugafrikan, kishte marrë përmasa proverbiale. Jetoi në Soveto, në geton e Johanesburgut, ku ndihej më shumë dallimi i racës, i ushtruar sistematikisht nga pasardhësit e boerëve krenarë që qeverisnin Vendin.  Arrestohet për herë të parë më 1956, por del shpejt, mbas 15 ditësh. Kur kthehet në shtëpi nuk gjen të shoqen, që është larguar me fëmijët, e mërzitur nga flertet e të shoqit me gra të tjera. Atëherë njeh infermieren Winnie Madikizela, me të cilën qëndron i martuar për 38 vjet (1958 – 1996). Më 1960 arrestohet dhe qëndron vetëm pesë muaj në burg. Kur lirohet del në klandestinitet, duke themeluar “Heshtën e Kombit”, krahun e armatosur të Anc, lëvizjes kundër dallimit racial në Afrikën e Jugut. Mandela filloi veprimtarinë e tij kundër strukturave ushtarake të regjimit, një veprimtari që binte ndesh me ligjet në fuqi e quhej subversive. U arrestua përsëri më 5 gusht 1962, u dënua me burgim të përjetshëm, 17 vjet prej të cilit i kaloi në burgun e ishullit Robben Island. U lirua nga burgu më 1990, me një vendim të posaçëm të Kryetarit të Shtetit Frederik de Klerk.

Njëzet e tetë vite burg kishin ndryshuar botkuptimin e Mandelës, që nuk ishte më revolucionari i aksioneve guerile, që kërkonte të shembte sistemin. Kishte kuptuar se të bardhët e të zinjtë duhej të bashkëjetonin në atdheun e përbashkët, se duhej gjetur rruga e marrëveshjeve, e paqes, për të ndërtuar demokracinë, në një Vend me shumë probleme, ku kundërshtia racore ishte shumë e theksuar. “Të bardhët janë bashkëqytetarët tanë, kush heq dorë nga dallimi racial do të mirëpritet në luftën e përbashkët për demokracinë.” Kështu u shpreh sapo doli nga burgu. U hap kështu një epokë e re në historinë e Afrikës së Jugut me moton : “Asnjë hakmarrje, jemi një fuqi e disiplinuar për paqen.” Ishte fillimi i ringjalljes  së kombit që vinte mbas dhjetëvjeçarësh lufte, urrejtjesh, dhunimesh të të drejtave, të pësuar nga popullsia me ngjyrë e atij Vendi. Komisioni i Nobelit i dha atij, së bashku me Kryetarin e bardhë De Klerk, çmimin për mbrojtjen e paqes, ndoshta një ndër më të merituarit në historinë njëshekullore t’atij vlerësimi.

Më 1994, në 23 miljon votues, Mandela u zgjodh Kryetar Shteti, i pari i llojit me ngjyrë, por vazhdoi të bashkëpunojë me Kryetarin e mëparshëm, që u bë zëvendës i tij. Kreu mandatin më 1999 dhe nuk kërkoi një të dytë. Gjatë kësaj kohe ndahet nga gruaja e dytë dhe bashkohet me të venë e Presidentit të Mozambikut, Samora Mashel, Graçën, e vetmja grua në histori, e martuar me dy Kryetarë shtetesh. Më 2004, në moshën 86 vjeçare, tërhiqet në jetën vetiake e familjare. Me pak fjalë kjo ishte jeta e Nelson Mandelës, një burri shteti që sot kujtohet me respekt në gjithë botën. Arsyeja është se, me gjithë botkuptimin e tij të majtë, madje revolucionar në rininë e tij, u bë emblemë e paqtimit kombëtar, luftëtar i vendosur kundër dhunës, në çdo formë të saj, flamurtar i demokracisë, i tolerancës, i faljes, në një Vend që kishte njohur faqet më të errëta të kundërvënies racore, duke u bërë personaliteti më i spikatur në historinë e popullit të tij dhe shëmbull i shkëlqyer i shtetarit largpamës e të vetëdijshëm për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e njerëzore në parimet bazë të saj.

Vepra e tij u vlerësua në Perëndim e në Lindje, në Veri e në Jugë, nga miqtë e nga kundërshtarët, që  nga ish Presidenti De Klerk tek Presidenti Clinton, nga Fidel Kastro tek Muamar Gedafi, nga Mbretëresha e Anglisë, së cilës i drejtohej me emër, tek presidenti Bush, tek Kancelarja Merkel, tek Presidenti Ciampi e shumë të tjerë. Në një botë që, mbas rënies së Murit të Berlinit, u duk se do të shkonte drejt një paqtimi të përgjithshëm, ku vlerat e lirisë e të demokracisë së popujve duhet të ishin parësore, mendimi politik dhe veprimtaria shtetërore e Mandelës u ngritën në një simbol të një politike të re, që nuk shihte në përdorimin e dhunës kyçin e zgjidhjes së problemeve të një shoqërie që, deri atëherë, ishte njëjtësuar me atë dukuri, duke shkaktuar qindra e mijra tragjedi njerëzore. Këtu qëndron madhështia e atij biri të thjeshtë t’atij populli, që u ngrit mbi të gjithë bashkëkohësit e tij, duke arritur maja që mund të krahasohen me ato të rrallat, profetiket a atyre që kanë ndriçuar rrugën e njerëzimit. Mandela nuk u mjaftua me shpalosjen e bindjeve të tij, por në sajë të autoritetit që i jepte martirizimi i tij i gjatë, arriti t’i verë në jetë së bashku me De Klerkun, duke shmangur kundërshtitë e gjata mes banorëve të bardhë e të zinj të atdheut të tyre. Këtë nuk e bëri për të marrë e mbajtur sa më gjatë pushtetin, siç kanë bërë shumica dërmuese e drejtuesve të lëvizjeve antikoloniale, apo të revolucioneve e grushteve të shtetit të Vendeve të Botës së Tretë. Pushteti për të nuk ishte mjeti për t’u hakmarrë ndaj gjithshkaje të zezë kishte pësuar ai dhe populli i tij, por instrumenti për të vënë në jetë idealet e tij të lirisë, të barazisë e të demokracisë, që do të kishin fushë zbatimi në një Vend që do t’a mbyllte të kaluarën e tij me një shpirt të fuqishëm tolerance, faljeje të ndërsjelltë e një përftyrese të një shoqërie, ku nuk duhej të shfaqeshin më dhuna dhe shkelja e të drejave dhe lirive për asnjërin nga antarët e saj.

Ja sepse Bota e sotme, në një zë, merr pjesë në hidhërimin e Afrikës së Jugut, që kthehet n’atë të gjithë njerëzimit, sepse mesazhi i tij mbetet si një yll që ndriçon këtë të fundit, edhe sot nevojtar për fuqinë dhe largpamjen e tij. Ndoshta , më shumë se të tjerët, kemi nevojë ne, shqiptarët, për atë porosi, ne që natyra nuk na dhuroi në 70 vitet e fundit një personalitet largpamës e bujar si Mandela në jetën tonë shoqërore e politike. Ne dallimin rracial nuk e kishim njohur, sepse ishim të gjithë bij të një rrace të lashtë, por huajtëm nga arsenali më kriminal i ideologjisë komuniste dallimin klasor, e përvehtësuam duke bërë një hop cilësor e duke e quajtur “luftë e klasave”, e zbatuam me rreptësi doktrinare e shpirtngushtësi proverbiale, e shtrimë në kohë duke synuar t’a bëjmë të përjetëshme, duke paragjykuar jetën e tre brezave e martirizimin e pjesës më të mirë të shoqërisë. Qemë të fundit në Evropën e sotme që pranuam ndryshimin e kohëve dhe dështimin e sistemit të dhunës, por nuk patëm as aftësinë, as guximin dhe as ndershmërinë të kryejmë sinqerisht shndërrimin e shoqërisë.

Hendeku ndërmjet të shtypurve e shtypësve të djeshëm u thellua, sepse të parët mbetën të varfër siç ishin, ndërsa të dytët u pasuruan në mënyrë marramendëse. Të dytët u rinuan në paraqitje, duke kaluar në një “pleqëri t’artë” shtabin e diktaturës gjysëm shekullore, me në krye hienën Alia, përsosën metodat e demagogjinë për t’u bërë të pranueshëm nga Arvizu apo Sequi i rradhës, por, në thelb, ruajtën “urrejtjen klasore”, së bashku me përçmimin dhe kënaqësinë që “Enveri i kishte lënë pa shkollë kundërshtarët”. Përfundimi qe se proçesi i markës mandeliano – deklerkiane në Shqipëri nuk filloi kurrë, as në rradhët e partisë që merrte votat e ish të shtypurve, as në rradhët e “kundërshtarëve” të saj që, me arrogancën kriminale të trashëguar, hodhën poshtë çdo kërkesë të ligjëshme të tyre, n’emër të parimit të shpallur nga Ramizi se “Shqipëria u takon atyre dhe bijve të tyre”.

Sa larg nga heroi i Afrikës së Jugut, që mbeti simbol i prirjes për të ndërtuar një shoqëri pa dhunë, pa urrejtje, pa shtypje, pa mungesë lirie e oportuniteti për të gjithë qytetarët e saj, prirje për të cilën ai vihet sot në piedistalin më të lartë të kujtesës historike të njerëzimit, edhe se varroset në një lëndinë të thjeshtë të një fshati të vogël të Afrikës së Jugut.

“Kam luftuar mbizotërimin e të bardhëve e mbizotërimin e të zinjve. Kam përkëdhelur idealin e një shoqërie të lirë e demokratike, në të cilën mund të jetojnë të gjithë në harmoni e me të njëjtët oportunitete. Është një ideal që shpresoj t’a shoh të sendërtuar, nëse do të jetoj gjatë. Por nëse do të jetë e nevojshme, është një ideal për të cilin jam gati edhe të vdes.”

          Kjo ishte besojma e Mandelës, që sot gjëndet në të gjitha gazetat e botës, si mesazhi madhor i tij në dobi, jo vetëm të popullit të tij, por të gjithë njerëzimit. Uroj që të përvehtësojë një pjesë të vogël të këtij mesazhi dhe klasa politike shqiptare, aq e mangët në ide dhe synime të larta e ideale, të rrezatojë diçka nga “drita e madhe që u shua në botë”, simbas britanikut Cameron.

Dhjetor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: C'na meson Mandela, Eugjen Merlika

FITORJA E PIRROS

November 18, 2013 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/
“Ne vetë, kur marrim vendime, shqyrtojmë me kujdes ngjarjet : jemi të bindur se nuk janë rrahjet e mendimeve që dëmtojnë veprimet, por mos grumbullimi i njohurive të nevojshme, nëpërmjet diskutimit, para se të kalohet në veprim.”
Perikliu : Bisedë me Athinasit në vitin 430 para Krishtit.
Java e shkuar qe ndër më të trazuarat e kohëve të fundit për Shqipërinë. Ajo u mbyll me një lajm që bëri punën e një bari qetësues mbi plagën e hapur : “Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”. Këto ishin fjalët që mbyllën daljen e Kryeministrit Edi Rama në televizion, para bashkatdhetarëve të tij, e që qetësuan qindra mijra prej tyre që, prej disa ditësh shprehnin kundërshtinë e vendosur ndaj mundësisë së shkatërrimit të armëve kimike siriane në territorin e Vëndit të tyre. Lajmi kishte filtruar nga një deklaratë e Ministrit të Jashtëm, Bushati, në Paris.
Përhapja e tij krijoi natyrshëm një gjëndje shqetësimi që përshkoi gjithë shoqërinë shqiptare, që nga institucionet më të larta shtetërore e deri tek qytetarët e thjeshtë. Kundërveprimi qe i menjëhershëm, i prirë nga elementë të shoqërië civile, të jetës intelektuale, të botës studentore e të Opozitës kuvendore. Dalja e qytetarëve në rrugët e kryeqytetit me parullat “Jo armëve kimike” dhe mijra mesazhet në rrjetin elektronik, shprehnin një ankth që buronte nga frika e një dukurie tmerrndjellëse, ndotjes së ajrit me helme kimike, që do të kishte pasoja shkatërruese në jetën e shqiptarëve për sot e për t’ardhmen. Në këtë drejtim ata tubime shënuan një hap para në zhvillimin e koncepteve shtet – shoqëri, treguan ndërgjegjësimin e kësaj të fundit në mbrojtjen e interesave madhore të saj, në rastet kur i pari nuk është në lartësinë e detyrës, në pohimin e një të vërtete të madhe, se në një Vend demokratik, duhet të marrë pjesë populli drejt për së drejti, në vendime që i përkasin jetës e shëndetit të tij. Ky ishte morali dhe mesazhi i atyre ditëve.
Por ka diçka në historinë e tyre që le shteg për t’u thelluar n’arsyetimin, mbasi lind një mëdyshje, që na ve para pikpyetjesh, të cilave duhet të mundohemi t’u gjejmë përgjigjet me urtësi e gjakftohtësi sot e për t’ardhmen : A ishte real kërcënimi që ushqente shqetësimin, deri në dëshpërim, të qytetarëve shqiptarë ? Cili ishte motivi që përcaktonte propozimin amerikan, për të shkatërruar në Shqipëri armët kimike të Sirisë, ideja se Vendi ynë është “kazan plehrash” i Evropës, siç u shkruajt e u tha nga shumë anë n’ato ditë, apo një “partneritet ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë”, siç u shpreh ish ambasadori Arvizu në televizion ? Çfarë dobie do të kishte Shqipëria në këtë operacion të një rëndësie të veçantë ? Cili qe roli i politikës, në tërësi, dhe i Opozitës, në veçanti, në këtë kuadër ngjarjesh ? A përputhet ai me parimet bazë të një demokracie të arrirë në përballimin e problematikave të tilla ?
Mungesa e informacionit të plotë e të tejdukshëm, lidhur me problemin, e vështirëson mjaft përgjigjen e këtyre pyetjeve, por do të mundohem të gjej “fillin e Arianës”, për të dalë nga ky labirint, duke u bazuar në ata elementë që na japin fjala e Kryeministrit më 15 nëndor dhe intervista e z. Arvizu më 14 nëndor. Thelbi i gjithë problemit, kyçi i tij, përmblidhet në përgjigjen e pyetjes së parë, që mund të coptohet në mjaft të tilla e që, së mbrami, përfundon në pohimin e një koncepti themelor : siguria e mbrojtjes së mjedisit nga ndotja kimike e, për pasojë, e shëndetit të banorëve të tokës shqiptare sot e në t’ardhmen. Kryeministri, në fjalën e tij, bën një pohim tejet të rëndësishëm, edhe se pak të vonuar :
“Ky ishte njëri nga mesazhet që u lexova partnerëve tanë gjatë diskutimeve dhe në fund, të gjithë ranë dakord se Shqipëria e meritonte me patjetër që ekspertët më të mirë të botës, bashkë me teknologjinë më të shkëlqyer për mbetjet kimike, të mos shkuleshin nga Shqipëria me të mbaruar punë me mbetjet e Asadit-po të vazhdonin punën në Patos-Marinzë, Ballsh, Fier, Elbasan, Rubik, Laç, Berat, Lushnjë, Bajzë, Rrëshen, Prrenjas, Burrel e me rradhë të tjera, për të mbaruar punë njëherë e mirë, edhe me mbetjet e rrezikshme të pesëdhjetë vjetëve komunizëm, plus njëzet vjet barbarizëm mjedisor….. “
“Shtetet e Bashkuara e shohin Shqipërinë si një aleat shumë besnik ; e në fund të fundit s’po kërkojnë asgjë nga Shqipëria përveç një pike mbështetjeje në tokë – një bazë ushtarake tërësisht të izoluar në dispozicion të tyre, ku lëndët vijnë, asgjësohen dhe ikin për t’u djegur e varrosur gjetkë. Jashtë Shqipërisë.”
Nëse kjo është e vërteta e mirëfilltë, paragjykimi e shqetësimi skajor për rrezikun e proçesit, zvogëlohet shumë, madje zhduket fare. Pra motivi i kundërshtimeve kthehet në një faktor tjetër : besueshmëria. A duhet t’i besojmë sigurisë që na japin SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë,në lidhje me mjedisin tonë e mbrojtjen e tij ? Lënda është tepër teknike e opinionet mbi të nga njerëz profanë, që mund të bëjnë levë vetëm mbi panikun që mund të shkaktojë edhe vetëm mendimi i shlirimit të gazit sarin apo të tjerë produkte helmuese në mjedisin tonë, nuk janë të besueshme. Kryeministri, në fjalën e tij, është i qartë dhe vendimi përfundimtar i tij i kuptueshëm, edhe se jo plotësisht i justifikueshëm, më shumë rrjedhojë e emocioneve të çastit se sa e logjikës së ftohtë. Nëse ai ishte i bindur në sigurinë që merrte nga autoritetet amerikane, në nivelet më të larta, nëse shihte n’atë propozim një dobi për Vendin e tij, duhet të kishte qenë më këmbëngulës në sqarimin e situatës, edhe se mbeti mjaft i veçuar në qëndrimin e tij. Jo rrallë vendimet e rëndësishme, sidomos të kësaj fushe, nuk merren me miratime të shumicave dërmuese por, nëse janë dobiprurëse, marrin vlera historike.
Në kuadrin e këtij vendimi ka vend për të folur edhe për rolin e politikës, në përgjithësi, e të Opozitës, në veçanti. Në situata të këtilla, kur Vendi përballohet me një kërkesë lidhur me një gjëndje të ndërlikuar ndërkombëtare, për më tepër kur kjo kërkesë vjen nga “aleati strategjik” më i fuqishëm, por është mjaft e diskutueshme për brishtësinë e saj në opinionin publik, përgjigja e politikës, Shumicë e Opozitë, duhet të jetë e njëzëshme. Nuk u tregua pjekuri politike nga Opozita, në qëndrimin e saj, as në sytë e shqiptarëve, aq më tepër në ata të aleatëve e të botës së huaj. Ambasadori amerikan foli shkoqur për bisedën që kishte zhvilluar me Kryetarin e PD-së, prandaj prania e e tij në mes të tubuesve, i shërbente jo imazhit të Shqipërisë, as perspektivës së saj, por vetëm lojrave të ngushta politike të interesave të pushtetit. Nuk është e justifikuar kërkesa e ish Kryeministrit për dorëheqjen e Z. Rama, vetëm sepse ai kishte marrë në shqyrtim një propozim të aleatit kryesor. Ishte detyrë e Kryeministrit të ndante me udhëheqësit e Opozitës trajtimin e problemit dhe vendimin përkatës. Nuk e di nëse e ka bërë por, në një demokraci të vërtetë, kjo duhet të jetë etika e jetës politike, jo instrumentalizim vënd e pa vënd i problemeve, e paraqitje e tyre në mënyrë të shtrembër, vetëm në funksion të fitimit të votave.
Politika e jashtëme e një Vendi është e bazuar mbi një trategji të përpunuar mbi parimet kryesore të pranuara, por dhe mbi interesat e tij afatgjata. Kjo strategji, në Vende serioze, bëhet urdhëruese për të gjithë segmentet e politikës, pavarësisht se kush drejton pushtetin. Çështjet me rëndësi të politikës së Shtetit tonë të vogël në fushën ndërkombëtare nuk duhet të bëhen objekte të luftës provinciale të partive për pushtet, por duhet të kenë një trajtim të përbashkët, në përputhje me interesat kombëtare. Diskutimet në Kuvend, që i ngjante më shumë “Këshillit të ndrikullave”, se sa institucionit madhor të vendimarrjes, dëshmuan krejt të kundërtën e parimeve të mësipërme, duke shtuar tymnajën që zotëronte mjedisin politik.
Problemet e ndotjes së ambientit nuk kanë shqetësuar kurrë qeveritarët tanë. Përndryshe nuk do të kishim “31 zona të rrezikshme mbetjesh kimike të trashëguara nga e kaluara”, që përkojnë me të gjitha zonat industriale të regjimit komunist dhe qytete të reja të pajetueshme, ku është ndërtuar pa mbajtur parasysh asnjë kriter të detyrueshëm të raporteve njerëz – hapësira. Në atë drejtim, në këta 23 vjet, nuk është bërë asgjë, me përjashtim të vendimit të Qeverisë aktuale për të bërë të pavlefshëm një tjetër vendim absurd për importimin e plehrave nga Italia. Shpresojmë që vala e kundërshtimeve ndaj armëve kimike të shtrihet edhe në këta fronte të përherëshme të mbrojtjes së mjedisit.
Ngjarjet e këtyre ditëve kanë bërë të flitet për fitues e humbës. Secili, simbas këndvështrimit, i ka përcaktuar ata, përkatësisht në shoqërinë civile e në institucionet. Nëse premtimet ,për mbarështimin e proçesit të shkatërrimit të armëve kimike, janë të vërteta, pra nëse ai do të bëhej nën mbikqyrjen e ekspertëve më të mirë të botës (personalisht besoj se do të ishte kështu), nuk më duket se ka ndonjë fitues, sepse frikën tonë, që mund të jetë e ligjëshme, në kushtet e mungesës së informacionit dhe të besimit, do t’a paguajmë shtrenjtë. Jo vetëm me humbjen e besueshmërisë së aleatëve në nivel politik, pavarësisht deklaratave “qetësuese” të ndonjë zëdhënësi të huaj, me humbjen e rastit për t’u bërë pjesë në proçeset e rëndësishme të politikës botërore, por edhe me shkelmimin e mundësisë për të bonifikuar zonat e ndotjes kimike të mjediseve tona.
Nga ana tjetër, kemi fituar “qetësinë” që sjell shmangia e rrezikut, qoftë dhe hipotetik, e njëkohësisht, kënaqësinë që vjen nga ideja e “të qenit Zot në Vendin e vet”, së bashku me detyrimin e Shtetit, si rrallë herë në historinë tonë, për të mos marrë një vendim në kundërshtim me opinionin e shoqërisë civile. Madje ministri Tahiri sheh edhe një tjetër dobi se “me urdhër të Kryeministrit nuk do të ketë asnjë ndjekje penale për organizatorët e tubimevet”, a thua se është një gjë e zakonshme ndjekja e tyre. Ministri duket se nuk është i vetëdijshëm për funksionin që ka. Harron se në një demokraci normale, nuk mund të ketë ndjekje penale për manifestues paqësorë, cilido qoftë objekti i tubimit. Ngatërron dhe kompetencat e institucioneve kur i vesh Kryeministrit të drejtën të japë urdhëra në një fushë që është e Prokurorisë.
Në përfundim të bilancit të këtyre ditëve, nuk më duket se ka vend për entuziazëm. Nëse dikush sheh flamuj fitoreje, ajo më duket si fitorja e Pirros. Koha shpejt do të na thotë nëse sot ne e ndihmuam t’ardhmen tonë, apo e dëmtuam atë. Të tjerë, bëhet fjalë për Francën, Belgjikën apo Danimarkën, do të kryejnë në territoret e tyre shkatërrimin e armëve siriane. Ajo përvojë e të tjerëve do të na japë saktësisht përmasat e mënçurisë apo të mungesës së saj, në këtë ditë vendimi.
Nëndor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Fitorja e Pirros

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT