• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ligji bën sehir, nami në Tik-Tok me “çapaçulet” e qendrave të masazheve që ofrojnë sherbime seksuale 

March 7, 2023 by s p

Photo by: https://www.elconfidencial.com

Artikull investigativ

Nëntitulli: ‘Drejtësia e metë’, pronarët i shpëtojnë burgut, e pësojnë punonjëset e varfëra

E.L. është vetëm 29 vjeçe, nënë me dy fëmijë të mitur, bashkëshorti e ka dhunuar dhe braktisur duke e lënë në mes të katër rrugëve të vetme, pa një çati mbi kokë. Për t’u siguruar të vegjëlve të saj ushqim dhe një strehë për të fjetur, detyrohet që të kërkojë punë. Duke mos pasur fatin dhe mundësinë për të gjetur një punë të përshtatshme për të, detyrohet që të shesë edhe trupin, jo në rrugë, por e rekrutuar si një masazhatore, ku paguhet (në të zezë) me një shumë prej 20 mijë lekësh të reja. 

“Kam një vit e pak që kam nisur këtu. Bashkëshorti më ka braktisur. Fëmijët i kam të vegjël. S’kam punuar kurrë më parë, pasi jam dashuruar që në adoleshencë me të dhe ai na ka mbajtur. Kushtet e këqija ekonomike më çuan në rrethana të padëshiruara, ku ai më dhunonte dhe nuk siguronim dot as jetesën minimale për fëmijët. Shumë gjëra ndodhën mes nesh dhe shkuam drejt ndarjes, edhe pse jo ligjore, pasi nuk kishim para ta ndiqnim nëpër gjyqe”, shpjegon E.L., e cila nuk do të identifikohet. 

E pyetur rreth kushteve të punës te qendra e masazhit ku punon, ajo tregon se merr një pagë nën minimalen, pasi paguhet në të zezë dhe se është e detyruar që të kryejë shërbime ekstra për të fituar më shumë para. Ku për masazh çmimi është 40 mijë lekë të vjetra, seksi 60 mijë lekë të vjetra ndërsa ai oral 30 mijë lekë të vjetra. 

“E kemi të detyruar që të mos marrim më shumë, pasi nuk duhet të humbasim klientelën, që të vijnë prapë”, – sqaron më tej 29-vjeçarja. 

Policia dhe organet ligjzbatuese në shumicën e rasteve e kanë patur të pamundur ta godasin këtë fenomen, që shpesh herë rezultojnë të përfshira vajza dhe gra me vështirësi të theksuara ekonomike, sikurse është edhe rasti tjetër i shtetases A.D., e cila është një nga të dënuarat nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për prostitucion, me dy muaj burg, konvertuar në 4 muaj punë komunitare. Në rrëfimin e dhënë para trupit gjykues ajo ka pranuar fajësinë, duke treguar se shkak  për rrugëtimin e saj është bërë gjendja e rënduar ekonomike pas divorcit me bashkëshortin, me të cilin ka edhe fëmijë. 

Ajo ka rrëfyer gjithë rrugëtimin e saj lidhur me ushtrimin e prostitucionit në një nga qendrat e masazheve ku ajo punonte në bllok, ku përveç punës, shtetasja A.D. u ka ofruar klientëve edhe seks në këmbim të parave. 

Në vendimin e gjykatës, më nr. 1568, të datës 27 korrik 2020, shihet se pronari i qendrës, shtetasi me inicialet M.M. është shpallur i pafajshëm, ndërkohë që punonjësja e tij fajtore. Sikurse në shumë nga dënimet e dhëna nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pronarët dhe administratorët e këtyre bizneseve shpëtojnë ndërsa punonjëset dënohen. 

Sipas avokates Jerina Lëngu, zbatimi i ligjit në këto raste është i metë, ndaj shtohen dita-ditës këto lloj biznesesh të paligjshme.

“Në shumicën e rasteve, shfrytëzuesit dhe trafikantët i shpëtojnë dënimit pasi rastet e shfrytëzimit të prostitucionit apo trafikimit manipulohen dhe paraqiten në gjykatë sikur janë raste të ushtrimit të prostitucionit. Sa më sipër tregon në fakt që zbatimi i ligjit në këtë rast është i metë. Organet kompetente, me dashje apo neglizhencë, lejojnë që të krijohen lehtësira që trafikantët dhe shfrytëzuesit të mos dënohen”- pohon ajo.

Tik-TOKU, aplikacioni që po ushqen prostitucionin

Nëse deri në vitin 2020, ishte ‘Instagrami’, aplikacioni që po bënte kërdinë në gjetjen e klientëve nga këto qendra masazhesh, që ofrojnë dhe shërbime të tjera, tashmë, është Tik-Toku dhe vetë Reality Show ‘Big Brother’, që përmes personazheve të tij përdoret për të tërhequr klientët. 

Në një kontroll të detajuar të bërë në këtë program, shohim dhjetëra profile të qendrave të masazheve, që përfaqësohen me foto tejet provokuese të vajzave të reja, që punojnë aty. 

Pjesa më e madhe e fotove tregojnë të pasmet e vajzave, që shoqërohen me mbishkrime të tilla si  “Çapaçulja e Luizit’, ‘Flakë, flakë’, “Buzat lluksi, aty ku relaksi dhe kënaqësia s’kanë kufij”, “Ai rremn grun po dal me çunat dhe vjen per masazh te Bella”, “Femrat vdesin ta dinë me detaje historinë seksuale me shokun e ngushtë”, e të tjera mbishkrime të tilla që nënkuptohen si mesazhe për gjetjen e klientelës, shpesh herë shoqëruar edhe me muzikë, me këngë po ashtu provokuese si ajo e Mozzik “O ta hangsha p…” e të tjera. 

C:\Users\Acer\Desktop\Diploma Eva\foto provokuese bella spa.PNG
C:\Users\Acer\Desktop\Diploma Eva\bella spa capaculja.PNG

Një nga qendrat që bën promovime të tilla është edhe ajo ‘Gogo SPA’, që në QKB rezulton në emër të shtetases K.M., e cila sipas burimeve konfidenciale është partnerja e shtetasit A. R., vëllait të shtetasit M.R., i cili u dënua nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 1777, më 16.06.2021 me një vit burg për “shfrytëzim prostitucioni” dhe ‘mbajtje të lokaleve për prostitucion’ në qendrën e masazheve “Focus Center SPA”. Përveç kësaj, në ekstraktin e QKB-së, shohim që shtetasja K.M., ka ndryshuar shpesh herë emrat e qendrave të masazhit nga GOGO SPA në ‘KING SPA’, ‘QUEEN SPA’, ashtu sikurse dhe numrat e kontaktit dhe adresat për secilën. 

Ndërkohë në një postim në WhatsApp, rreth datës 21 shkurt 2023 njoftojnë ndryshimin e vendodhjes së biznesit dhe të emrit në ‘Masazhe Grande’ , duke mos i bërë përshtypje as organeve ligjvënëse për këto lëvizje të dyshimta, sikurse janë dhe postimet e shpeshta provokuese në rrjetet sociale apo ‘foletë’ e paligjshme që gjithashtu funksionojnë për prostitucion. 

Edhe ortakja e saj, shtetasja A.L., 23 vjeçe, e dënuar më parë më 2 muaj burg (në të njëjtim vendim me nr. 1777), të konvertuar në 100 orë punë në interes publik, brenda një kohe prej 6 muajsh dhe gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte me shërbimin e provës, thuhet në vendim, ndërkohë një verifikim i thjesht në QKB, na njeh me veprimtarinë e shtetases, e cila pas tre muajsh, nga 16 qershori i 2021-it kur është dënuar me vendim të formës prerë, më 13 shtator 2021 ka çelur biznesin e ri të qendrës së masazhit Sweet & Realx SPA, e cila vazhdon të jetë me statusin aktiv edhe pse burime pranë uniformave blu na tregojnë se shtetasja në fjalë është shpallur në kërkim po për të njëjtën veprimtari të paligjshme, prostitucionin. 

Statistikat/ Rritje e frikshme e numrit të bizneseve si qendra masazhi

Të dhënat zyrtare tregojnë se 5109 biznese të emërtuara si “Floktore dhe trajtime të tjera të bukurisë”, “Aktivitete të tjera të mirëmbajtjes trupore”, janë të regjistruara në total në rang kombëtar. Tirana kryeson me numrin më të madh, 2739 të tilla, për të vijuar  më tej me Durrësin me 581 prej tyre, ndërsa Dibra ka numrin më të ulet sipas Drejtorisë së Tatimeve. Vetëm në trevjeçarin e fundit janë regjistruar 1135 biznese të reja të këtij lloji që kanë në fokus trajtimin e bukurisë, ku disa prej tyre të cilat nuk janë të saktësuara në terminologjinë ligjore si “Qendra mesazhi”. 330 biznese të tilla janë regjistruar më shumë se në vitin 2020, 433 në 2021-in dhe 372 në vetëm gjashtë mujorin e parë të vitit 2022.  

Rritja e numrit të këtyre bizneseve ka sjellë edhe shtimin e numrit të atyre që mund të cilësohen si fole prostitucioni. Gjatë operacioneve të fundit policore janë evidentuar disa qendra ku në dukje ushtrohej aktiviteti i trajtimit të fizioterapisë ose masazheve, por në të vërtetë ushtrohej prostitucion. 

Disa nga këto qendra të mbyllura pas aksioneve të policisë janë “Lefteri Beauty Centre”, “Tirana Masazh”, “Pushi Masazh”, “Smart spa”, “SPA Megu”, “SPA Billionere”, ‘La belle Spa’ e të tjera. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2020 janë evidentuar 20 raste të ushtrimit të prostitucionit në “qendrat e masazheve”, në vitin 2021 10 të tilla , ndërsa në vitin 2022 janë goditur nga policia në operacione të ndryshme 17 ambiente ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme, ku janë vënë në pranga 13 shtetas dhe një rast i regjistruar në janar të 2023-it. 

Edhe pse ligji shqiptar është mjaft i qartë, kur bëhet fjalë për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit, që sipas kodit penal dënohet me gjobë deri në 3 vite burg, ndërsa për shfrytëzim prostitucioni, ndëshkimi bëhet me gjobë deri në 5 vite burg, sa i takon veprës penale të mbajtjes së lokaleve për prostitucion ligji parashikon dënimin deri në 10 vite burg. Por në përgjithësi organet ligjzbatuese dhe gjykatat i “tolerojnë” personat e akuzuar për këto vepra penale, ku shumica e tyre përfundojnë me dënime minimale apo me shërbim prove.  

Por, duket se ky biznes i ka ‘rritur punën’ këtij të fundit për shkak të numrit të madh të vajzave që rezultojnë të dënuara, sikurse e pohon edhe vetë drejtori Eriant Kulluri.  

“Përveç rasteve të shumta të të dënuarve për vjedhje, dhunë, që kanë qenë të zakonshme, në tri vitet e fundit janë shtuar edhe rastet e vajzave që janë dënuar për prostitucion”, – tregon ai.  

Në statistikat e marra nga Drejtoria e Shërbimit Provës, në trevjeçarin e fundit numërohen 30 raste, ku 21 prej tyre janë vajza, 4 në kategorinë e shfrytëzim prostitucioni dhe 17 raste të dënuara për prostitucion. 14 vajza/gra janë dënuar vetëm në vitin 2021, 13 prej tyre për prostitucion dhe 1 për shfrytëzim prostitucioni. 

Çdo vit numri i të dënuarave femra për këto shkelje ligjore është rritur, sikurse e tregojnë edhe statistikat e shpjeguara më lart. Ashtu sikurse është rritur edhe numri i të dënuarve për krime seksuale. Shifrat e publikuara në vjetarin e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë një realitet të hidhur për vrasjen e vajzës/gruas për shkak të seksit. Në trevjeçarin e fundit rastet e krimeve seksuale nga viti në vit janë në rritje, teksa shohim që vetëm në vitin 2021, janë regjistruar plot 21 raste, ndryshe nga viti 2019-të me 11 raste, në 2020-ën 7 raste dhe në janar të 2022-it 9 raste, duke kujtuar që është llogaritur vetëm një muaj i këtij viti. 

DEBATI PËR LEGALIZIMIN E PROSTITUCIONIT – PRO DHE KUNDËR 

Prej vitesh është diskutuar shpesh për legalizimin e shtëpive publike, sa herë që goditej ndonjë rast i trafikimit të qenies njerëzore. Por, a është gati shoqëria shqiptare për ta legalizuar?  

Akademiku Artan Fuga në arsyetimin e tij pranon që është e nevojshme hapja e një qendre të cilën e emërton “Shërbime të rregulluara të seksit”, edhe pse i qëndron fort mendimit që shoqëria nuk do të jetë gati për ta pritur një risi të tillë. 

“Jam pro, por të kontrolluar nga ana mjekësore, etikisht, financiarisht dhe juridikisht. Sidomos mbrojtja e punonjëseve të seksit. Nuk do ta quaja prostitucion, por “Shërbime seksuale të rregulluara. Shoqëria kurrë nuk është gati as ka qenë ndonjëherë gati për këtë. As shoqëritë e tjera. Por, kjo plotëson kërkesa të pakicës. Shoqëria bëhet gati kur sigurohet, mbrohet dhe edukohet”.  

Edhe juristja Jerina Lëngu mendon se shoqëria shqiptare ende nuk është e përgatitur për liberalizimin e këtij fenomeni, “çka për shoqërinë tonë do të ishte një “traumë” e vërtete”..  

“Nuk e di nëse shoqëria jonë është gati për ta hedhur këtë hap dhe sa efektiv do ishte ky dekriminalizim pasi mendoj që ka hapësira të shumta për abuzim, gjë që mund të përkeqësonte edhe më tej pozitën e personave që ushtrojnë profesionin duke favorizuar, në të kundërt, shfrytëzuesit apo trafikantët, por këtë herë të legjitimuar”, tregon Jerina Lëngu.  

Ndryshe mendon sociologia Marsida Simo, e cila është kategorikisht kundër legalizimit të Shtëpive Publike, duke theksuar se është një profesion që ndikon negativisht në jetën dhe psikologjinë e vajzave që e ushtrojnë, te cilat mbeten me pasoja të rënda, sikurse është edhe depresioni që i çon në vetëvrasje. 

“Nuk mendoj se legalizimi i prostitucionit do të ulte fenomenet negative që janë prezente në vendin tonë. Nuk është një zgjidhje e zgjuar kundër dhunimit të vajzave/grave në tërësi të dhunojmë një pakicë nga ana tjetër, sepse prostitucioni është dhunë gjithsesi edhe nëse kryhet me “dëshirë””.  

Ajo ndalet te çështja ekonomike, që sipas saj i detyron vajzat apo gratë ta bëjnë një punë të tillë, në të kundërt nuk do ta bënin.  

“ Në vendin tonë gratë që ushtrojnë prostitucion vijnë nga familje të cilat i kanë braktisur, janë në gjendje ekonomike jo stabël dhe nuk do ngrinin zë në raste padrejtësie apo abuzimi. Po ashtu do doja të përmendja edhe pasojat psikologjike të një vajze/gruaje e cila ka ushtruar prostitucion të cilat janë të parikuperueshme duke nisur që nga: traumat, stresi post traumatik, ankthi, depresioni, izolimi social, përjashtimi social, vështirësi në integrimin e një jetë normale, vetëvrasja”, – tregon Marsida Simo. 

KLERIKËT FETARË NJËZËRI KUNDËR

Të njëjtit mendim i qëndrojnë edhe tre klerikët fetarë, hoxhë Ahmet Kalaja, pastor Paulin Vilajeti dhe përfaqësuesi i komunitetit katolik, Dom Arben Gilaj. Sikurse edhe më parë komunitetet fetare kanë dalë njëzëri kundër idesë së “shitjes së trupit të femrës”. 

“Nëse diçka nuk është e mirë, atëherë nuk duhet të promovohet por të edukohet shoqëria për dashurinë e vërtetë e jo për reduktimin e personit në shfrytëzim të trupit e të personit deri në çuarjen në skllavëri. Duhet të edukohet shoqëria të ketë respekt për veten e vet e për tjetrin e jo e kundërta”, pohon Dom Arben Gilaj, ashtu sikurse në krahun tjetër, hoxhë Ahmet Kalaja i qëndron të njëjtit arsyetim ku thotë se duhet promovuar e mira.  

“Ne duhet të promovojmë atë që është e mirë, legjitime. Feja edhe adultëria nuk kanë gjuhë të përbashkët përveçse pendimi i sinqertë”, shprehet ai. 

Media dhe mjekësia më shumë ‘PRO’ legalizimit

Edhe gazetari i kronikës Ermal Vija mendon që legalizimi i prostitucionit nuk është ende gati për shkak se Shqipëria ka shumë probleme dhe mbi të gjitha mungon infrastruktura shëndetësore. Por ndryshe mendon kolegia e tij, gazetarja Etleva Delia. 

“Nisur nga rrethanat, rastet e shtuara (kryesisht me të mitura e të mitur) unë jam pro legalizimit të prostitucionit, që do të sillte një kontroll social dhe shëndetësor nga ana e institucioneve përkatëse, por nga ana tjetër do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e rasteve të abuzimeve seksuale. Kryesisht për këtë arsye, do ishte e nevojshme që të shikohej mundësia e legalizimit të prostitucionit” pohon Etleva Delia, e cila na zbulon se ky projektligj është gati për t’u miratuar nga autoritetet përkatëse. 

“Sipas informacioneve që kam nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, baza ligjore pothuajse është gati, por për arsye të ndryshme projekti zvarritet duke mos u finalizuar prej vitesh. Le të shpresojmë që institucionet përkatëse të marrin një vendim sa më shpejt. Për mendimin tim legalizimi i prostitucionit do të sillte reduktim të krimeve seksuale, dramave sociale në familje, por edhe probleme shëndetësore që lindin nga sëmundje seksualisht të transmetueshme”, përfundon ajo.  

Ndërsa mjekja Naile Baliaj është pro nëse kjo veprimtari do jetë e kontrolluar nga bluzat e bardha dhe ligji.

“Për mua si individ, si nënë, si grua, familja është e shenjtë dhe do isha kundra parimisht. Mirëpo, duke parë që në vende më të zhvilluara sesa ne ka funksionuar, do të isha pro në rast se dhe këtu do të kontrollohej po njësoj, si nga ligji dhe nga mjekësia. Pasi legalizimi mendoj do të ulte gjithë zallamahinë e përdhunimeve apo incesteve që ndodhin fatkeqësisht apo dhe të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme”.  

Mjekja thotë se problem mbetet mentalitetit që vazhdon t’i pengojë të rinjtë të flasin për seksin apo kontrollet mjekësore.  

“Është një problem i madh mentaliteti këtu. Seksi është tabu në përqindjen më të madhe të popullsisë. Prej vitesh punoj mjeke këtu në kryeqytet dhe vë re që vajzat e reja kanë shumë kompleks për të kërkuar një rekomandim për t’u vizituar te gjinekologu. Madje shoh vajza e gra të shoqëruara nga burrat për vizita të tilla dhe kur janë shtatzënë. Fillimisht duhet të mësohen me kulturën e seksit dhe të informohen e të komunikojnë me mjekët, pasi kjo është ende tabu. Kanë turp të flasin ose zgjedhin të shkojnë në privat të shoqëruar nga partnerët ose në rrethe të vogla shoqërore”, rrëfen ajo. 

SHOQËRIA CIVILE  E  NDARË PËR LEGALIZIMIN, MË SHUMË PRO SESA KUNDËR

Janë të paktë individët e shoqërisë civile që mendojnë se legalizimi është zgjidhje pozitive, edhe pse para pak vitesh (2012), një pjesë e mirë e saj dhe drejtues të shoqatave të ndryshme kërkuan në Komisionin e Ligjeve, që në ndryshimet në Kodin Penal, të futej legalizimi i prostitucionit. 

Për këtë çështje kanë mendimet të ndryshme dhe të rinjtë e sotëm. 

Anderson Kurti, ish-futbollist dhe Irgis Hysenaj, me një diferencë prej 7 vitesh në moshë, breza të ndryshëm por qëndrim të njëjtë. Të dy në parim janë kundër për shumë arsye, ku theksohet familja dhe gjendja psikologjike e femrës.  

“Në parim jam kundër, sepse një marrëdhënie duhet të ndërtohet në bazë të ndjenjave. Plus femrat të cilat shesin trupin kalojnë në një gjendje të rëndë psikologjike. Por nga ana tjetër mendoj që duhet legalizuar pasi do të ulte sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe meqenëse kohët e fundit është përhapur ilegalisht, ndoshta më i kontrolluar do ulte edhe numrin e krimeve seksuale”, shprehet Andersoni, ashtu sikurse edhe Irgisi, që nuk beson se ky ligj do ta zhdukte prostitucionin ilegal. 

“E marrim të mirëqenë faktin se ajo/ai ka dëshirë ta bëjë këtë punë. Sa e mbrojtur është? Sa shanse ka që të mos bjerë nën kontrollin e grupeve kriminale. Sa i rrezikohet jeta nga klientë të dhunshëm? Të pakta, nëse ka drejtësi dhe polici funksionale. A e kemi? Ende jo!  

Unë nuk e di nëse këto punonjëse seksi, do ta bënin këtë punë nëse do të kishin të tjera alternativa. Ky është një debat shumë i gjerë, që analizohet në aspektin ekonomik, njerëzor, juridik, social e fetar. Përgjigjja ime është vetëm për ato/ata që e zgjedhin këtë profesion me vullnet të plotë”, thotë me bindjen e tij gazetari sportiv i Klan News.  

Nga ana tjetër Genta Tufa, si grua dhe nënë, e sheh në një këndvështrim më të detajuar, ku ndihet e frikësuar për djalin e saj të mitur, pas rasteve të shumta që janë pasqyruar në media të pedofilëve apo maniakëve seksualë. 

“Shoh nëpër parqe burra në moshë kaq perversë dhe shpesh ndihem e kërcënuar për vetë dhe fëmijën. Mendoj që legalizimi dhe hapja e një shtëpie publike ku do gjejë veten ky target grup do jetë një lehtësim dhe do bien ndjeshëm rastet e përdhunimeve. Unë jam pro legalizimit dhe mendoj që edhe Shqipëria është gati ndonëse është pak tabu, jam e sigurt që frekuentimi i tyre do jetë i konsiderueshëm”, shprehet ndër të tjera ajo. 

Po brezi i moshës 50-të apo 60-të, a janë i këtij mendimi? “Po. Shumë pro”. Pikërisht kështu u përgjigj z. Osman K. dhe znj. Maria M. , të moshës 50-të e 60-të. Breza të ndryshëm por me një kthjelltësi dhe përgjigje spontane pa siklet.  

“Ne jemi pro. Pse të jemi kundër? Më mirë të përdhunojnë cepave, të kryejnë marrëdhënie me gra e burra që nuk e dinë nëse janë apo jo të prekur nga ndonjë sëmundje apo në kushte dhe vende të kontrolluara me mjekësi dhe ligj? Shumë më mirë të legalizohet, madje duhej të ishte legalizuar prej kohësh. Ekziston që ekziston kështu, i shohim plot nëpër lajme. U kap ky, u kap ajo”, thonë njëzëri të dy.  

A do të mundet shteti shqiptar ta kontrollojë në nivelet e vendeve anëtarë në BE si Belgjika, fqinji ynë, Greqia apo Gjermania, që e kanë kthyer në “biznes fitimprurës” këtë ‘industri seksi’? Është një debat i gjerë që e ndan shoqërinë në dy fronte, të cilët padyshim gjejnë arsyet e tyre bindëse për të qenë PRO apo Kundër. E megjithatë, mbetet të presim se si do të pritet në parlament ky ligj. Nëse do të jenë PRO edhe përfaqësuesit e popullit. 

Disa vite më parë, fjala “prostitutë” është hequr prej revistave mjekësore dhe është zëvendësuar me “punonjëse të seksit”.  

E gjithë ideja e ndryshimit të terminologjisë gjuhësore qëndron mbi nevojën për ta paraqitur çështjen e vjetër të prostitucionit si çdo biznes tjetër i ligjshëm dhe i ndershëm.  

Filed Under: Kronike Tagged With: eva marku

Mjerimi shpirtëror…

November 3, 2022 by s p

Eva Marku/

“Kafshatë që s’kapërdihet asht o vlla mjerimi, kafshatë që të ngec në fyt e të zë trishtimi”, kështu thoshte Migjeni, por mjerim më të madh sesa ai shpirtërori nuk ka. Nëse shpirtin e ke të mjerë, atëherë je krejtësisht i mjerë. Jo më kot për ta dëmtuar një komb, thonë, varfëroji në mendje e zemër. Dënim më të keq nuk ka për një popull të lashtë ilir, që ta pasqyrojë veten me shembujt e njëpasnjëshëm kaq çnjerëzor sikurse po shohim në tri vitet e fundit dhe jo vetëm.

Dhunimi seksual ndaj një vajze të re, sportisteje në mes qytetit në Pejë, dhunim ndaj një nëne të moshuar në azilin e pleqve, në po të njëjtin qytet, dhunim ndaj të miturve, vajzave dhe djemve në shtëpinë e jetimëve në Sarandë. Në të tria rastet e përmendura janë individë krejtësisht të pambrojtur nga shteti, madje as zoti, sikurse e thotë dhe shprehja popullore “Jetimi mbetet jetim, i pafat”. Ashtu sikurse në Kosovë, edhe në Shqipëri të tria kategoritë që veçova, vajzat/gratë, fëmijët jetimë dhe të moshuarit mbeten të pambrojtur, të diskriminuar dhe të nënshtruar.

Secili rast dhemb po aq shumë sa tjetri, por ajo çfarë dhemb më shumë është kur një femër, një vajzë e re apo qoftë dhe grua vë dorë mbi një zonjë, grua, nëne të moshuar. Madje, dhimbja bëhet edhe më therëse, prerëse, si maja e thikës që shkon gjer në kockë, nga gajasja e vajzave të tjera përreth dhe asaj që e regjistron me telefon gjithë këtë skenë të rëndë. Dhemb trishtimi, vajtimi, klithma e nënës së gjorë, që flijoi djalin për të ardhmen, lirinë pikërisht të këtij brezi, të atyre vajzave që zgërdhihen e torturojnë fizikisht dhe psikologjikisht një nënë të gjorë, të vetme, të pambrojtur. Një skenë që dhemb aq fort, sikurse vajtimi mbi varrin e djalit të saj.

Luftën nuk e kemi as me serbin dhe as me grekun, luftën e kemi me njëri-tjetrin. Ne jemi e keqja e vetës, e vendit dhe e brezave të ardhshëm. Ne, që nuk ngremë krye për padrejtësitë, ne që përqeshim dhe gabimet më të vogla të shokëve e shoqeve, të të varfërve, që tallemi dhe luajmë me fatkeqësinë e tjetrit, që nuk hezitojmë ta publikojmë në rrjetet sociale e të gajasemi të gjithë, njëjtë si këto vajza të mjera, që shfrytëzojnë një të moshuar për të shfryrë dufin dhe për t’u argëtuar me të në formën më të shëmtuar dhe çnjerëzore.

Kënaqësia që marrin dhunuesit duke e filmuar një akt të tillë të tmerrshëm, është kthyer në modë, te dhunuesi e përdhunuesi, madje sa më shumë virale që po bëhen akte të tilla edhe më shumë po shtohen rastet.

Në Kosovë, dhuna ndaj fëmijës është normale, nuk denoncohet, sepse ende ecin me ligjin “kush të rreh të do”, duke filluar që nga familjarët, me baba, nënë apo edhe kushërinjtë më të mëdhenj sesa ty kanë të drejtë të vënë dorë mbi ty, pa harruar mësuesin, që ai është shembulli i dhunës dhe forcat e policisë, që përveçse të kontrollojnë si të duan e sa herë duan, edhe të ofendojnë dhe e nisin me shpulla pas qafe, presion dhe më pas tortura vazhdon në rajon nëse guxon t’u kundërvihesh.

Kosova e vogël, me zemrën e madhe, ka një luftë më të madhe sesa me Serbinë, ka atë mes veti, të ndërgjegjësojë dhe edukojë brezat. Nuk çalon te shamia arsimi, por te rivendosja e një sistemi të mirëfilltë arsimor, edukativ, që të mos prodhojë më figura kaq të shëmtuara, të pista, si vajzat që dhunojnë nëna të moshuara apo djem që përdhunojnë vajza të mitura. Arsimi i dobët, jo cilësor, mentaliteti i gabuar dhe injoranca pjell personazhe të tilla që gajasen si ‘shtriga e Borëbardhës’ duke torturuar një jetë që i ka fal vendit një jetë për pavarësi.

Filed Under: Opinion Tagged With: eva marku

NË GRACKËN E INTERNETIT, TË MITURIT DHE ADOLESHENTËT NË RREZIK

July 23, 2022 by s p

Eva Marku/

Vetëm 15 vjeçe! E përndjekur nga një 32 vjeçar i martuar, që kishte arritur ta mashtronte, e më pas të abuzonte me të. Videot intime me adoleshenten i kishte shpërndarë te katër persona të tjerë. Ky ishte fillimi i makthit për 15 vjeçaren.

Kërcënime e shantazhe ndaj saj për të kryer marrëdhënie seksuale, ndaj të cilave u dorëzua. Marrëdhëniet seksuale të përsëritura e kishin shkatërruar psikologjikisht adoleshenten, që më në fund kërkoi ndihmë. Të pestë personat e përfshirë në këtë skandal, u vunë në pranga. Por makthet e vajzës nga Mirdita nuk kanë për t’u larguar kurrë. Ashtu si edhe rastet e tilla, në një botë që ka ndryshuar kryekëput, që kur interneti u bë pjesë e pandalshme e jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve.

Bota virtuale nga dita në ditë bëhet më e pasigurt. Për këtë mjafton vetëm një kërkim në Google për të parë rastet e shumta që kanë bërë xhiron në mediat online dhe rrjetet sociale, që lidhen me abuzimin dhe shantazhin ndaj të miturve, veçanërisht ndaj vajzave minorene, të cilat bien pre e rreziqeve të shpeshta që teknologjia moderne iu ofron atyre.

Raporti i Policisë së Shtetit

Krimet kibernetike pothuajse janë trefishuar në dy vitet e fundit dhe po targetojnë një numër në rritje të miturish në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit.

Numri i krimeve në internet u rrit nga 166 raste të raportuara në vitin 2019 në 440 raste në vitin 2021, ndërsa gati 3 për qind e të dëmtuarve janë fëmijë.

Ekspertët e lidhin lulëzimin e krimeve kibernetike me pandeminë e COVID-19, e cila shtoi numrin e të miturve me akses në internet. Ata thonë gjithashtu se shifrat zyrtare janë vetëm “maja e ajsbergut”.

“Rastet e ngacmimeve dhe abuzimeve online me të miturit nga viti në vit kanë një rritje të frikshme” paralajmëron eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj.

“Një nder problemet kryesore në Shqipëri është padija e prindërve mbi teknologjinë dhe rreziqet që ajo sjell. Gjithashtu një pjesë e madhe e viktimave nuk bëjnë denoncim dhe kjo pamundëson organet kompetente në ndjekjen e këtyre rasteve,” shtoi ai, ku ndër të tjera këshillon si zgjidhje të këtij problemi ndërhyrjen e shtetit edhe në sektorin e arsimit për edukimin e të rinjve në parandalimin e shtimit të viktimave të krimit kibernetik.

“Shteti duhet me patjetër të bëjë pjesë të kurrikulave shkollore mbrojtjen online dhe çdo shkollë të japë seminare me detyrim për prindërit ku të diskutohen të gjitha tipologjitë e këtij krimi bashkë me rrisqet që paraqet për çdo te mitur”- përfundon Semanaj.

Nga fronti tjetër, psikologët dhe punonjësit socialë që përballen në përditshmërinë e tyre në ambientet e shkollës, me të tilla raste, pohojnë se janë ngritur instanca të posaçme, grupe pune për t’u ofruar mbështetje dhe seanca këshillimi të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaz për rreziqet e internetit. Pjesë e kësaj nisme, të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, janë përfshirë edhe prindërit, që sipas psikologes Enerisa Guberaj, në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori”, kanë rol kyç në parandalimin e të tilla rreziqeve.

“Në fillim prindërit e kanë të vështirë ta besojnë një incident që i ka ndodhur fëmijës së tyre. Duke e lidhur dhe me një situatë që më ka ndodhur para disa vitesh dhe kanë qenë të dyzuar midis asaj që duhej ta besonin siç është versioni real që na ka thënë vajza apo ajo që na kanë thënë të tjerët. Por unë jam gjithmonë dakord me versionin që prindërit duhet të besojnë fëmijën e tyre dhe t’i krijojnë siguri e mirëkuptim që mos të kenë frikë të shprehen. Sepse nëse nuk e tregojnë të vërtetën kjo ndodh për shkak të tyre, prej presionit të madh që i krijojnë duke i bërë të kenë frikë të tregojnë e kërkojnë mbrojtje. Prindërit duan më të mirën për fëmijën e tyre dhe kur unë ua kam treguar gjendjen se si po ndihet fëmija në ato momente ata e kanë përkrahur 100%. Nëse në fillim kanë qenë 20%, më pas kanë reflektuar”- tregon ajo, duke theksuar se nga viti në vit, nxënësit e kanë humbur interesin për të komunikuar, për të mësuar pasi janë të përqendruar në rrjetet sociale.

Të njëjtin vlerësim të situatës jep edhe kolegia e saj, punonjësja sociale, Erminda Meshini, e cila thekson se fëmijët me prindër të divorcuar, janë më të rrezikuar.

“Përpos pjesës së divorcit janë dhe problemet e sjelljes së fëmijëve pasi janë të pakontrolluara. Mungesa e autoritetit tjetër, kryesisht të babait, pasi kryesisht fëmijët qëndrojnë me nënën sipas ligjit deri nën 18 vjeç. Nëna është e detyruar të punojë për një kohë të gjatë dhe fëmija e humb kontrollin, është i ekspozuar ndaj teknologjisë, rrjeteve sociale, rreziqeve të tjera që vijnë nga interneti ku ata navigojnë. Ne, si institucion, shkollë, bëjmë pjesën tonë, që është e rëndësishme gjithashtu, por kujtojmë që prindërit kanë një rol shumë më vendimtar në mirërritjen e fëmijës”, tregon zonja Meshini.

Ndërsa instancat arsimore presin më shumë nga përkujdesja e prindërve ndaj fëmijëve të tyre, nga ana tjetër këta të fundit shpresojnë pikërisht te këto institucione. Besa, është njëra nga mamatë, që punon me turne, së bashku me bashkëshortin e saj, i cili gjithashtu e ka të vështirë që t’i qëndrojë “mbi kokë” vajzës së vogël, 13-vjeçare, që çdo ditë i duhen para për në shkollë, sepse përndryshe bullizohet nga shoqëria. Ashtu sikurse edhe psikologia na tregoi në një intervistë të gjatë, se bullizmi është çështja më problematike te fëmijët.

“Është shumë e vështirë të kontrollosh në ditët e sotme, një fëmijë në moshën e adoleshencës, pasi punojmë me turne dhe më shumë fokusohemi te shkollimi dhe mirëqenia e tyre; duke u kujdesur për t’i siguruar një jetë komode me aq mundësi sa kemi. Ndonjëherë e kemi edhe të vështirë që të ulemi dhe të flasim me to për çështjen e adoleshencës sepse nuk jemi në një brez të tillë. Çdo gjë është ndryshe, por fatmirësisht mundohem ta kuptoj dhe ta këshilloj si një nënë, duke e ditur edhe ndryshimin e sjelljes në këtë moshë”, – tregon zonja Besa.

Raporti i CRCA-së

Fatkeqësisht faktet na pohojnë një të vërtetë të dhimbshme, që rastet nga viti në vit veçse sa shtohen, në vend që të ulen apo parandalohen. Edhe pse janë ngritur struktura të posaçme në ndihmë të çdolloj personi që ndihet i kërcënuar apo bullizuar në jetën e tij, siç është edhe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA).

Në raportet e tri viteve të fundit, që kjo organizatë ka bërë, vihet re që ka rritje nga viti 2019-të në 2020-ën, ku janë 104 incidente të raportuara, 111 faqe të denoncuara në të parin dhe 193 raste, 6273 faqe në të dytin (2020-ën). Ndërkohë në 2020-ën, në platformën online ISIGURT.AL (të CRCA-së), janë denoncuar 93 raste, përfshirë 2885 faqe me përmbajtje të papërshtatshme për të miturit.

55% e rasteve janë raportuar përmes rrjetit social “Instagram”, 20% nga “Facebok” dhe pjesa tjetër nga Youtube, Tik-Tok, Snap Chat, Telegram dhe aplikacione të tjera.

Ankesat përkundrejt platformave apo faqeve të tjera janë më të ulëta, edhe pse disa prej tyre janë të lidhura me pornografi të fëmijëve, nuditetit apo gjuhën e urrejtjes ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. 25% e rasteve janë pikërisht viktimë e gjuhës së urrejtjes, ndjekur pas nga vjedhja e adresave apo postimi i fotove të tyre të papërshtatshme në rrjetet sociale. Në 2020-ën janë 8 fishuar rastet e pornografisë me të mitur, krahasuar me 2019-ën. Gjithashtu edhe në 2021-in, 97% e faqeve të denoncuara kanë përmbajtje pornografike.

Mosha më e prekur është ajo 15-17 vjeç, ku vitin e kaluar 64% e denoncuesve kanë qenë djem, 32% vajza, por sikurse raporton edhe CRCA, tipologjia e ankesave është më e rëndë nga ana e të rejave, të cilat bien viktimë e shantazheve, vjedhjes së fotove, ngacmimeve seksuale, kërcënimeve dhe përndjekjes.

Tirana është qyteti që kryeson në të tilla raste, ndjekur nga Elbasani, Peqini, Vlora, e të tjera qytete.

Rastet abuzive

Shqipëria është tronditur nga krimet seksuale të ndryshme ndaj minorenëve. Një prej tyre është rasti i Abaz Dokut, 64 vjeçarit që abuzoi me nxënësen 15 vjeçare, të shkollës ku ai punonte si roje në Babrru.

Në 5 shkurt të këtij viti, katër djem të rritur, mbi 19 vjeç, kanë shantazhuar një 17 vjeçare përgjatë një muaji dhe i kanë marrë shuma të ndryshme parash në shumën 200 mijë lekë të vjetra deri në 8 mijë euro.

Apo rastin e tmerrshëm të Kavajës, ku një e mitur u përdhunua në grup nga moshatarët e saj, nxënës po në të njëjtën shkollë dhe klasë ku ajo ishte. E shumë të tjerë, që nuk mungojnë të pasqyruar ndoshta edhe në formën më të patetike në mediat sociale.

Të tilla raste kanë shokuar shoqërinë shqiptare, por rritja e numrit të rasteve tregon që duhet bërë më shumë. Në të kundërt, media shqiptare do të vazhdojë që të raportojë për abuzimet e monstrave!

Filed Under: Opinion Tagged With: eva marku

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT