Nga Fadil LUSHI/
Njohësit e mirë të procesit zgjedhor në nënqiellin politik të Gadishullit Ilirik, me plot gojën dhe me të drejtë do të thonë se zgjedhjet vendore, presidenciale, të parakohshme, po edhe ato të jashtëzakonshme, jo gjithherë përçojnë mesazhe të qarta. Edhe në këtë pranverë të motit 2014 qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të përballen me dy të tilla, gjegjësisht me ato presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare. Si do të organizohen ato, ka pak rëndësi. Një është e vërtetë, edhe në këtë “vit politik” do të karakterizohen me ato telenovelat e bezdisshme, me atë muzikën tallava, me ato oferta a premtime të rrejshme, mbase edhe të sajuara, me atë logjikën makiaveliste, me filozofinë e injorimit të përcaktimit, me nëpërkëmbjen e mendimit ndryshe, me abuzimin e votës deliberative të sovranit, respektivisht të trupit votues…, me arrogancën kolektive, me inatet histerike të pakuptimta dhe homerike ndër shqiptarë.
Këtij procesi zgjedhor (ende pa filluar) do t’i bëhen hile dhe fyerje të mëdha…, do t’i ngjiten qindra e mijëra bishta, do t’i bëhen me dhjetëra komente serioze dhe pa numër të tjera joserioze, joprofesionale…, do të ketë edhe të tilla tmerrësisht me tarafllëqe. Këtij procesi që në zanafillë do t’i bëhen sondazhe politike (toptan të porositura e të paguara) nga lloj-lloj kompani të ashtuquajtura “të specializuara” për çështjet në fjalë. Në kontekst të kësaj, gjithsecili votues i emancipuar (i kapluar këmbë e krye nga ankthi i brendshëm) do të parashtrojë me të drejtë pyetjen se pse duhet që në fillim t’i abuzohet dhe kontrabandohet e drejta e votës, pse duhet t’i nëpërkëmbet përcaktimi i tij kushtetues, pse e drejta e tij kushtetuese duhet gjithmonë të mbetet peng i partive politike…, do parashtrojë pyetjen se a mos vallë gjithsecili duhet t’ia kontestojë filozofinë e të menduarit ndryshe, pse e drejta e votës së tij duhet të përcaktohet ndryshe apo sipas qejfit të atyre që mëtojnë ta “zaptojnë pushtetin”!.
Sot, pas gjithë kësaj katrahure politike dhe kushtetuese, nuk është me rëndësi se kush do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare (hiq mënjanë ato presidenciale), nuk është me rëndësi se cila do të jetë adresa politike e atyre që “do të mashtrojnë”, fare nuk është me rëndësi se kush do të “trishtohet” nga disfata, ama hiç fare nuk është me rëndësi se cila do të jetë logjika e procesit të numërimit të votës…, pavarësisht se ajo do të viktimizohet pak a shumë (kjo gjithsesi se nuk na hyn në punë), nuk është me rëndësi se “rezultatet përfundimtare do të përmbysen në tavolinë”, nuk janë me rëndësi emrat që në vijimësi lakohen në diskursin politik shqiptar, emra këto që pak e humanizojnë dhe e emancipojnë imazhin e cilësdo qoftë parti politike (e gjithë kjo të krijon përshtypjen kinse në familjet e partive politike nuk paskësh figura të tjera politike). Ne do të vazhdojmë ta përsërisim fjalinë: nuk është me rëndësi fakti se “rezultatet” (me a pa të drejtë) në këto zgjedhje parlamentare do të shpallen paralelisht nga taborët kundërshtarë, pavarësisht se ato fillimisht duhet t’i bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Për ne me rëndësi është fakti se cili do të jetë roli i medieve të shkruara dhe elektronike në procesin zgjedhor (si dhe denigrimi i moralit të konfiguracionit a gjeografisë së tyre) në veçanti propaganda politike, mashtruese, shpifëse, demagogjike si dhe përdorimi i mjeteve dhe metodave të tjera në përpjekje për t’i mobilizuar a për t’i mbushur mendjen votuesit se kujt duhet t’ia japë votën. Sot e gjithë ditën nga hapësirat e medieve të shkruara, po edhe vizuale, dalin lloj-lloj informacionesh. Detyra parimore e tyre konsiston në faktin që ato fillimisht të jenë humane, emancipuese dhe të drejta…, aq më tepër nëse ato i dedikohen të drejtës së lexuesit a dëgjuesit. Nëse lajmi del nga institucioni shtetëror nuk do të thotë gjithmonë të pranohet nga lexuesi. Është e drejtë e tij e patjetërsueshme të zgjedhë se çka do të lexojë ose do të dëgjojë. Do ta pranojë si “lajm me tamam” apo edhe si të shtrembëruar. Së fundi, është e drejtë e tij ta refuzojë pavarësisht se është i rremë, i sajuar, i vrazhdë dhe me moral të dyfishtë, njësoj a përafërsisht si puna e Paul Jozef Gebelsit që qëndroi nga viti 1933 deri më 1945 në krye të Ministrisë për Propagandë të Gjermanisë, i cili me një rast kishte thënë: “Nëse e tregoni një gënjeshtër mjaft të madhe dhe vazhdimisht e përsërisni atë, populli më në fund do t’i besojë asaj. Gënjeshtra mund të mbahet për një kohë të atillë derisa shteti mund t’i hedhë popullit hi syve nga pasojat politike, ekonomike të gënjeshtrës. Kështu gënjeshtra bëhet tepër e rëndësishme për shtetin në shfrytëzimin e tërë pushtetit për shtypjen e disidencës, sepse e vërteta është armiku i gënjeshtrës dhe, kështu duke u zgjeruar, e vërteta është armiku më i madh i (pu)shtetit”! (Autori i këtij artikulli përjashton çdo paralelizëm të thënies së ish-ministrit të propagandës me zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Maqedonisë).
Roli politik i ambasadorëve. Asnjeri nuk mund të thotë se roli i ndërkombëtarëve në procesin zgjedhor është i papërfillshëm, andaj lirisht mund të parashtrohet pyetja se ç’kuptim dhe ç’qëllim kanë “ndërhyrjet (i) legjitime” të ndërkombëtarëve gjegjësisht të ambasadorëve të huaj (të sistemuar në Shkup) në lidhje me zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare që do mbahen në Maqedoni, në veçanti në pjesën shqiptare!? Ç’kuptim kanë (dhe do të kenë) “qortimet, mesazhet a edhe këshillat” e tyre adresuar shqiptarëve…, mos vallë këto “këshilla” do t’i ndërgjegjësojnë njëherë e përgjithmonë lidershipët e partive politike shqiptare…, edhe për sa kohë kanë nevojë politikanët shqiptarë për kësi “këshillash“…, a mos vallë shqiptarët do t’u lejojnë ndërkombëtarëve edhe në të ardhmen të “fusin hundët” në autonominë e organizimit të procesit zgjedhor (edhe ashtu të shëmtuar)!?? A mos vallë kjo “ndërhyrje” të ambasadorëve ka për qëllim t’u ndihmojë shqiptarëve në ndërtimin e infrastrukturës (së re) morale, shpirtërore dhe politike!? Ndoshta këto janë mesazhe shtesë dedikuar shqiptarëve ndaj krijimit të standardeve krejtësisht të ndryshme rreth procesit zgjedhor…, ose, tekefundit, është fjala është për një dëshirë të tyre për të mësuar diç më tepër për tiparet e karakterit të shqiptarit…, për avazet tona të vjetruara, për shpirtrat e trazuar të shqiptarëve apo diç tjetër që është karakteristikë jona kolektive!
Nëse e gjithë kjo që u nxor në pah ka të vërteta, atëherë pse gjithë kjo marrëzi e radhës e partive politike, përse duhet që këto zvetënime të dalin nga institucionet kushtetuese të “kontrolluara dhe të mbikëqyrura” nga partitë politike, përse institucionet e lartpërmendura edhe sot duhet “të mbeten me barrë nga një lidhje jashtëmartesore”(!???) Përse për disa politikanë të Shkupit nuk paskësh rëndësi fakti se çfarë ishte ngjyra e mesazheve të dala nga goja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e disa të tjerëve të Bashkimit Evropian të sistemuar në Shkup. Nëse të gjitha “faktet” që llafosin ngjarjet e lartpërmendura janë të parëndësishme, atëherë pse të mos jenë të rëndësishme provat dhe argumentet sa i përket përsëritjes së kësaj historie të gjymtuar.
Të shpresojmë që kësaj radhe nuk do të përsëritet ajo historia e shtrembërimit të statusit juridik të votës shqiptare, një status që sot e kësaj dite mbetet peng i partive politike, qofshin ato në pushtet a në opozitë. Të mos përsëritet nëpërkëmbja e votës së sovranit, të mos përsëriten inatet a edhe qejfet e politikanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë kuptim për mëhallët e tyre!?? Të mos përsëritet anashkalimi i votës së sovranit, vota të mos karakterizohet si e porositur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, të mos nëpërkëmbet, të mos konceptohet si jopersonale, si e kornizuar a edhe si e mohuar. Dhe që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, një dedikim i vullnetshëm e racional, demokratik dhe mbi të gjitha një gjest i lartë emancipimi, gjegjësisht çlirimi nga varësia e dikujt a e diçkaje, atëherë nuk duhet të ngacmohet! Se nuk do të ngacmohet e drejta e votës së sovranit, unë dyshoj.
PSE “HESHT” INTELIGJENCIA “OPOZITARE”?
Nga Fadil LUSHI/
Dikur moti presidenti francez Fransua Miteran kishte vizituar Londrën dhe pasi kishte përfunduar takimi protokolar me Margaret Thaçerin, ai kishte kërkuar prej saj të takohet me intelektualët anglezë. Fatkeqësisht, shefi i protokolit nuk e përmbushi kërkesën. Jo se nuk i kishte pranë, por pse mungonin intelektualë të tipit të Zhan Pol Sartri! Shefi i protokolit e kishte ditur saktë konceptin francez mbi intelektualin dhe nuk e kishte zgjatur këtë lojë të presidentit francez.
Se nënqielli ynë politik, ekonomik dhe kulturor ka intelektualë të mirëfilltë apo të kalibrit evropian, unë nuk kam as prova e as argumente, se sa është “numri” i tyre, edhe për këtë nuk kam informacion, por se cili është statusi i tyre shoqëror do të bëj përpjekje të mos e paragjykoj. Para se ta diskutojmë këtë, do t’i referohemi Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe rreth nocionit “intelektual”, jepet ky shpjegim: Ai që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, të teknikës, të kulturës e një formim të gjerë arsimor dhe merret kryesisht me punë mendore, njeri i punës mendore… Intelektualët popullorë. Shtresa e intelektualëve. Që ka të bëjë me mendjen, me arsyen e me gjykimin, që i përket intelektit; mendor. Zhvillimi intelektual. Punë (jetë, veprimtari) intelektuale. Që merret kryesisht me punë mendore. Rrethe intelektuale… e të tjera.
Me sa duket shoqëria shqiptare ka “ndërtuar” dy lloje intelektualësh:
intelektualë të cilët pa “dëshirën dhe vullnetin e tyre ikin nga shkenca dhe kultura” për të shkuar në takim me politikën dhe për t’iu ngjitur asaj në qafë si dhe intelektualë “opozitarë”, apo thënë ndryshe, ata që nuk parapëlqejnë të heshtin. Të parët, që në fillim janë të destinuar të etiketohen si “puçistë a si horra bulevardi”! Të gjithë këta “ikanakë” do të veprojnë nën ombrellën e pushtetit, do të frymojnë pranë ca partive politike (sidomos atyre partive politike që u janë ngushtuar rrugët e veprimit) dhe kryeparëve të tyre, pranë ca pushteteve dhe pushtetarëve, pranë ca presidentëve të shteteve dhe presidencave, pranë ca akademive të shkencave dhe arteve që janë shndërruar në bastione nacionalizmash të rrezikshëm a në kuzhina politike, pranë biznesit dhe biznesmenit, pranë arrogancës dhe rrëmujës, pranë vlerave të sajuara, pranë fjalës së heshtur dhe gjuhës të bastarduar, pranë pseudokritereve, pranë pseudostandardeve, pranë paragjykimit dhe marrëzisë sonë kolektive, pranë sekserëve, pranë “tyxharit dhe tyxharëve”, pranë recidivistit dhe butaforisë mashtruese, pranë Makiavelit dhe makiavelistëve, pranë njerëzve të cilët arsimin universitar e kanë përfunduar para se ta kalojnë atë të mesmin, pranë kalorësve të vonuar të çështjes kombëtare apo pranë atyre që rrahin gjoks për shqiptari, pranë njerëzve që nuk i takojnë “entitetit akademik”, pranë njerëzve “që nuk durojnë padrejtësinë”, pranë zyrtarit dhe zyrtarëve, të cilët nevojtari nuk i takon dot kollaj, pranë njerëzve me nga “dy palë surrate” dhe me një buzëqeshje tallëse, pranë njerëzve që mbajnë kokën përpjetë, por ama që nuk duan të mbajnë çfarëdo përgjegjësie morale dhe materiale… e të tjera!?
Nëse të gjithë këta intelektualë edhe në të ardhmen do të qëndrojnë pranë institucioneve a subjekteve që u përmendën më lart dhe nëse mbeten nën përkujdesjen “e veçantë materiale” të shtetit, të pushtetmbajtësit si dhe të politikës ditore, atëherë që nga ky paragraf duhet t’i perceptojmë si “specie në zhdukje e sipër”, si pseudointelektualë, si njerëz që vuajnë nga sindroma i intelektualizmit provincial, si njerëz të cilëve u mungon pragmatizmi, interesimi për gjymtimet tona…, interesimi ndaj degradimit të arsimit si dhe ndaj mungesës së perspektivave…, si njerëz të cilët “preferojnë” heshtjen madje edhe që përjashtojnë çdo raport të tyre me realitetin, si njerëz që nuk “çojnë dorën” për të diskutuar sjelljet tona të shthurura.
Janë njerëz që fare pak shqetësohen me mungesën e të menduarit autonom dhe prej aristokrati, njerëz të cilët përjashtojnë çdo komunikim me njerëzit e rëndomtë, janë njerëz që pavullnetshëm u nënshtrohen urdhrave a imponimeve të atyre që dinë fare mirë të të çojnë në rrugë të gabuar a në kahun negativ. Janë njerëz të paguar që të mos e demaskojnë vulgaritetin, të mos i hetojnë jovlerat, thjeshtë do të veprojnë sipas udhëzimeve “që vijnë nga lart”! Në instancë të fundit, ata parapëlqejnë të “hiqen si intelektualë” që mund të “ekuilibrojnë” mendimet, inatet dhe zënkat e “kalamajve të lagjes” së tyre…, ata parapëlqejnë të “hiqen si intelektualë” po njëkohësisht vetëpromovohen a vetëshpallen Promete të inteligjencies gjithëshqiptare, si njerëz që janë pa “kusure, pa hipoteka a me borxhe të pashlyera”! Mbase kur një ditë do të “pendohen” për veprimet e tyre të gabuara dhe kur do të ballafaqohen me “dhembjet e tyre teatrale”, lëre që nuk do të kursehen nga ata që i “futën” në ato rrugica “qorre”, por edhe do të tallen nga ana e “punëdhënësit a atij që bën punë inati ose punë qejfi”!?
Intelektualët e mirëfilltë që nuk heshtin gjithsesi se nuk duan të jenë as cinikë e as arrogantë si dhe mosbesues ndaj gjithë asaj që ndodh pranë tyre…, asnjëherë nuk do të bëjnë miqësi me pushtetin, me politikën a me biznesmenin…, dhe, kur nuk do ta bëjnë këtë, atëherë nuk do të parapëlqehen nga pushtetarët dhe politikanët. Statusi i tyre (edhe ashtu i palakmueshëm dhe i mjerueshëm) këmbë e krye do të margjinalizohet…, pa marrë parasysh se ky status i tyre është i përcaktuar me ligj. Se ky epitet (“opozitarë”) që u ngjitet intelektualëve të mirëfilltë është tamam ose jo, ne nuk e dimë, por një gjë është e saktë: intelektualët e mirëfilltë nuk janë as heshtakë, as frikacakë, as konformistë, as partiakë dhe as apatikë. Ata me zërin kritik edhe në të ardhmen do të luftojnë që ta mbajnë gjallë frymën progresive…, ata nuk do lejojnë që përpjekjet e tyre të anashkalohen dhe të nënçmohen. Një gjë është e vërtetë, sot e gjithë ditën ne ende nuk jemi të ndërgjegjshëm se në çfarë “pike të mjeruar ka arritur një pjesë e inteligjencies shqiptare, përballë injorancës” a nëpërkëmbësve të vlerave tona kombëtare.
Njohësit e mirëfilltë të teologjisë thonë se Zoti e krijoi shoqërinë njerëzore me Ademin a.s dhe Havën a.s. Fillimisht, këta të dy i largoi nga parajsa për arsye se nuk kishin përfillur urdhrat e tij. Të parin e dënoi që të punonte, ndërkaq të dytën që lindjet t’i bënte me dhimbje. Që të dy nuk kishin kërthizë. Vallë sot, ca intelektualë shqiptarë”vërtet” nuk kanë “kërthizë”!?
Dikur moti Jeffersoni, president i Amerikës, kishte thënë: “Kur njerëzit kanë frikë nga qeveria e tyre, atje është tirani: kur qeveria ka frikë nga populli: atje është liria”! Se qeveritë u frikësohen intelektualëve që nuk tremben, ne këtë nuk e dimë.
“NJERËZ TË JERMUAR”?
Nga Fadil LUSHI/ Dikur shumë herët, ca pjesëtarë të një familje ishin prekur nga tifoja e morrit dhe, mbasi gjatë kohë nuk ishin kuruar, ata kishin filluar të flasin jerm. I mjeruar nga kjo, kryeplaku i shtëpisë kishte ulëritur duke thënë: “O milet, m’u mbush shtëpia me budallenj”! Në mungesë të njohurive të tij për këtë sëmundje ngjitëse, kryeplaku i kishte paragjykuar që në fillim këta “dertlinj të tij” si “halabakë”, si njerëz me lugë në brez, si “hazërxhinj” dhe fare pak si njerëz që kanë nevojë për një përkujdesje paksa tjetëfare. Aq shumë qe katandisur, sa që kishte harruar ta rikujtojë atë thënien biblike: “Edhe budallait i duhet hapur rrugë, deri ku nuk prish punë”! Se “të kllapiturve të tij a u kishte hapur rrugë”, kurrën e kurrës nuk u mor vesh.
Ne me këtë rast do të shkruajmë derisa nuk e denigrojmë kureshtjen e lexuesit dhe deri aty ku nuk hetohen broçkulla dhe paralelizma.
Një ditë u gjenda goxha në siklet. Çupëza e shtëpisë, Erda, gjegjësisht ajo lozonjarja dhe e asdisura jonë, më kërkoi t’i shpjegoja se ç’do të thoshte “paragjykim”! Një herë më shkoi mendja t’ia ftilloj sipas asaj që jepet në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, po pastaj thashë me vete se është e tepërt për moshën e saj mendore. Ta bëja shkurt edhe kjo s’ka kuptim didaktik. Në fund vendosa që këtij nocioni t’i bëj “sqarim” popullor: “të paragjykosh do të thotë, të flasësh jerm”!? Se a e mori vesh këtë a jo kjo çupëz , unë as që e kuptova!?
Që ky paragraf të mos e prishë “kuptimin e kësaj shkarravine” të radhës…, do të bëj përpjekje që e gjithë kjo thënie të mos dalë si ajo puna e “maces që kërkon të kapë bishtin e saj, por ama që nuk ia del dot”! Këtë “të folme tonën jerm” do ta fillojmë me një mesele të një mendjendrituri nga krahina jonë, i cili është zhgënjyer këmbë krye nga budallakitë e bashkëmendimtarëve dhe bashkëvendësve të tij. Ka shumë vite që nuk i vë gishtin kokës, ka vite që nuk mediton, ka vite që “nuk i ha palla” për katrahurat dhe pisllëqet që duken a hetohen pranë tij dhe përreth tij. Një ditë prej ditëve (të tij të bezdisshme), kur e pyetën se pse “nuk e vë” gishtin në kokë dhe pse “nuk vë” në funksion mendjen, ai u përgjigj: “Gishtin ma prenë folkpatriotët, ndërkaq mendjen ma hallakatën kalorësit e vonuar të çështjes kombëtare…, ata që në sabah të martojnë e në aksham të harrojnë”! Që e dha këtë përgjigje kështu, ai mbase këtë e tha me plot gojën dhe me të drejtë, sepse koka e tij është “shumë e vogël” në krahasim me budallakitë e mëdha të të tjerëve që (mbi)jetojnë dhe “veprojnë” aty pranë tij!… Ai do të vazhdojë të thotë se nuk kam kohë që juve t’jua tregoj rrugët që shpijnë në parajsë, nuk kam kohë ta “ushqej” atë çmendurinë tuajën “fiziologjike” gjegjësisht veprimet tuaja prej adoleshenti!?
Ne shqiptarët, a mos vallë edhe pas një shekulli nga mëvetësimi i shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës mëtojmë të flasim jerm, ashtu njësoj si ai “haxhi baba i mëhallës sonë”, i cili sa herë që kishte vajtur në ndeja, aq herë e kishte prishur muhabetin…, sepse nuk kishte përfillur këshillat e plakës që kur i kishte thënë:… ti nuk je më për ndeja ku ka njerëz të shkujdesur, që gjykimet i ndërtojnë ashtu së prapthi…, ti “nuk mban avdesin dhe pordhën…, ti nuk mban as fjalën e as premtimin“!?
A mos vallë “shoqëria” postdiktaturiale na mësoi të flasim fare mirë jerm, të flasim jerm për njerëzit që kanë rënë në gjumë, do të flasim jerm për ish-komunistët të cilëve dikur u “dilnin fekalet nga goja në vend nga prapanica”… Edhe sa kohë do të duhet të flasim jerm për arsim, për kulturë, për drejtshqiptim, drejtshkrim po edhe drejtlexim, edhe sa kohë do të na duhet të flasim jerm për histori kombëtare, të flasim jerm për politikanë e lidershipë, të flasim jerm për futbollistë shqiptarë që “për lekë na qenkëshin konvertuar në tradhtarë”, edhe sa kohë do të na duhet të flasim jerm për figurën e Shemsettin beut (Sami Frashëri) përse ai kishte shkruar Fjalorin normativ të gjuhës turke- Kamusi-i Turki…, a mos vallë edhe sot e kësaj dite duhet të flasim jerm për Skënderbeun, pse ai duke vajtur në Krujë paskësh “tradhtuar Sulltanin dhe fenë e tij”, a mos vallë edhe sot (nuk) flasim jerm për Faik bej Konicën si dhe për flirtet e tij me zonjat joshqiptare (ai me një rast qe detyruar që një kundërshtari të tij t’i thotë: “Duhet ta dini se unë Shqipërisë ia kam falur nga kërthiza e sipër: nga kërthiza e poshtë bëj ç’të dua, si hyn në punë Shqipërisë”!)…, pse edhe sot duhet të flasim jerm për shqiptarin Mehmet Aqif Ersoj, pse ky paskësh shkruar himnin shtetëror të Republikës së Turqisë. Pse duhet të flasim jerm edhe për Ferid Muratin duke ia shtuar pyetjen: pse ti Ferid nuk e solle në Shqipëri Çmimin Nobel dhe viagrën…, së fundi, çka u duhej ca zhurmaxhinjve dhe thashemexhinjve të flasin jerm, duke parashtruar pyetjen idiotike, pse kryepari i VETVENDO-
SJE-s, Albin Kurti, për nuse kishte marrë norvegjezen Rita Knudsen e jo shqiptaren!?.. Vazhdojmë të flasin jerm për krijimin e Shqipërisë natyrale, e të tjera “jerm të folme”!? Si duket, ne shqiptarët e kemi shumë më lehtë të flasin “në hava”, të flasim jerm, me bërryl dhe me hundë, sesa me prova a argumente. Ndryshe nuk na shkon përshtati. Ku ta dijë njeri!
Se na u martua Albini me norvegjezen, se dikush dikur kishte thënë: “Çudi e madhe që Konica të jetë shqiptar…, sepse nuk gjendet një i tillë nga lloji i tij”(!??), se Samiu shkroi Fjalorin normativ të gjuhës turke, se Ferid Murati zbuloi viagrën dhe “nuk ua solli politikanëve në Tiranë”, se Skënderbeu kishte “tradhtuar” Sulltanin, se shumë figura të tjera të ndritura shqiptare ç’kishin bërë, se haxhi baba “nuk mbajti avdesin dhe..,”, se ai mendjefemër dhe mendjendritur nuk e vuri gishtin në kokë, se politikani bëri gafën e radhës, se ateisti kërkoi rrugën që të shpie në parajsë fare pak është me rëndësi. E veçanta e gjendjes sonë shpirtërore është se ne shqiptarët sot e gjithë ditën e Perëndisë ku do vejmë, çka do bëjmë dhe a do vazhdojmë të flasim jerm, gjegjësisht a do të paragjykojmë dhe a do të paragjykohemi “toptan”, siç thuhet në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe…, apo do të na duhet ta parafrazojmë atë thënien paksa pesimiste të Konicës: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë”! I nderuar vëlla im, nëse në këtë shkrim nuk thash gjë të “mençur”, atëherë më ndje për kohën tënde të humbur!
ZGJEDHJET POLITIKE, FERRË NË SY TË FUKARASË!
Nga Fadil LUSHI/Shumë kohë më parë një analisti nga Tirana i kishte “munguar” informacioni për një vaki. Përtej kësaj, gjatë ndërtimit të një analize të radhës, ai ia kishte “futur bythëpraptas ashtu kot së koti”. Lëre se e kishte bërë ashtu si e kishte bërë, lëre se ia kishte “futur ashtu si me (pa) tamam”, por ama edhe ia kishte postuar një gazete goxha prestigjioze! Kryeredaktori i kishte thënë: “Që kjo analizë jotja politike të botohet në gazetën time, fillimisht duhet të heqësh paragrafin që denigron kujdesin dhe durimin e lexuesit”. Ky analist “qerrata” as që e kishte pasur ndërmend të përfillte sugjerimet e kryeparit të gazetës dhe lëre që nuk e hoqi këtë “kot-futje”, por ia shtoi edhe një tjetër më të “vrazhdë”. Kur e pyetën se pse nuk e hoqe paragrafin, ai u “justifikua” me përgjigjen: e mori “havaja”!?
Shumë kohë më vonë “inati i tij prej shqiptari”, ia “mori kokën”, sepse në analizën e tij politike kishte “ngatërruar” njerëzit e mëhallës së tij me kafshët shtëpiake, kishte “ngatërruar” të mençurit me budallenjtë, kishte “ngatërruar” esnafin me legenin, kishte “ngatërruar” pronarin e bordellos me teologun, mandej thashethemexhiun me intelektualin, kishte “ngatërruar” kurvarin me moralin e moralistit, kishte “ngatërruar” kumarxhiun me doktorin nga Tropoja, kishte “ngatërruar” sharlatanin me bohemin nga Parisi, kishte “përzier” spurdhjakun me bamirësin, kishte “ngatërruar” çallamxhiun provincial me “telashet dhe sikletet” e fukarenjve, kishte “ngatërruar” njerëzit që kanë një barrë mend me ata që kanë fara kungulli në kokë, shpresën me zhgënjimin, kishte “ngatërruar” demokracinë me diktaturën, kishte ngatërruar lëvdatat me sharjet, kishte “ngatërruar” premtimet politike me gënjeshtrat, kishte “ngatërruar” lakuriqin e natës (që nuk ka sy, por që shikon) me politikanin që ka sy, por që nuk sheh gjë atypari, kishte “ngatërruar” kontrabandistin me votuesin dhe…, një Zot e di çka tjetër “(nuk) kishte ngatërruar”! Në fund, kishte vajtur deri aty sa që kishte kritikuar vasalët e partive politike! Këto “ngatërrime” i kishte bërë kryekëput me qëllim.
Ky analist që sot e gjithë ditën e Perëndisë konceptohet si një njeri me shpirt të trazuar dhe me “mendje të vakët” kishte harruar se mirëqenia e tij materiale kryekëput varet nga “dorëzgjatja” e atyre që mbase punët i kanë në “terezi”. Ata që në vijimësi e përgojojnë analistin në fjalë do të thonë se i gjithë ky inat i tij “i përngjan shehërliut”, i cili kur nuk ka punë më të mençur për të bërë, ecën a endet këmbëzbathur nëpër livadhet e “katundarëve” të mbushura me ferra. Se kjo analizë politike i këtij analisti nga kryeqendra e shqiptarëve të rebeluar ishte komedi, dramë a butafori, vetëm një dreq e di. Sikur sot ta “pyesësh kryeplakun e dreqërve” se ç’është kjo “shkarravinë”, e Fatosit, ai do të japë përgjigjen se e gjithë kjo thënie s’është ngjarje a ndodhi që të bën të qeshësh, s’është as ngjarje e rëndë a tronditëse, po s’është as shkrim mashtrues, mbase duhet të jetë thjesht një trilogji që është karakteristike për Gadishullin Ilirik!?
Që edhe ky shkrim yni “të mos ngatërrohet” dhe të mos jetë “kot-futje” do t’u referohemi dy barsoletave politike që lakohen nga koha e njëmendi-
msisë, ndaj do t’i sjellim edhe në “gjuhën e origjinalit”. E para thotë: “Më me rëndësi është që nesër në zgjedhje të merrni me vete letërnjoftimin, sesa mendimin tuaj. Pa letërnjoftim nuk mund të votoni, kurse mendimin tuaj mund ta merrni në vendin e votimit”! E dyta ka këtë shpjegim: “Më kërcasin zorrët. Më falni që po prish heshtjen parazgjedhore!”. Ata që merren me shpjegimin e barsoletave thonë se ato janë gjysmë të vërteta, ashtu sikurse edhe këto të lartpërmendurat.
Ne, në këtë shkrim, fillimisht do të llafosim institucionet kushtetuese siç janë: Zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare që do të organizohen në Republikën e Maqedonisë, tash në kohën e tranzicionit të tejzgjatur, të bezdisshëm, banal si dhe të pafund, një tranzicion që është shndërruar në strehë të përhershme për njerëzit që kur nuk kanë pulën, e hanë sorrën…, veçmas njerëzit të cilët duhet të bëjnë politikë parimore, me vizion dhe pa tarafe…, hiq mënjanë politikanët e mirëfilltë dhe të kulluar.
Ky ndërkalim a tranzicion politik, ekonomik, social kulturor…, një herë e përgjithmonë duhet hequr nga qafa e shqiptarëve. Që ta bësh këtë gjithsesi se duhesh të jesh një politikan largpamës që do t’i sfidoj të gjitha paragjykimet, të gjitha inatet a ngatërresat, sidomos tash në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre të parakohshme parlamentare. Nëse do të mungojnë të tillë njerëz, atëherë shqiptarët edhe kësaj radhe do të duhet të ballafaqohen me atë avazin e vjetër, me atë retorikën politike grindëse, me thashethemet e njohura, me atë ADN-në politike të padefinuar, me atë moshën politike të cilës i mungon arsyeja, me mungesën e pragmatizmit politik, me mungesën e impaktit politik, me mungesën e fjalës së lirë a mendimin ndryshe, me atë retorikën denigruese të konsumuar si dhe me fyerjet e harxhuara. A mos vallë, votuesi shqiptar (pavarësisht se cilës parti politike i takon) edhe kësaj radhe nuk do ta dallojë mishin prej peshkut, a mos vallë edhe kësaj radhe do ta “ngatërrojë” shapin me sheqerin, a mos vallë “sabah e aksham” do ta “ngatërrojë” të drejtën e merituar me atë të pamerituarën, të nëpërkëmbur a edhe të abuzuar. A mos vallë, edhe kësaj radhe gjegjësisht kur do të organizohen zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare, neve (nuk) do të na interesojë se vota shqiptare a do të jetë fituese a humbëse…, për ne me rëndësi është se ajo votë sa do të jetë e ndershme, autonome, humane dhe emancipuese. Kjo votë deliberative e gjithsecilit votues, a mos vallë, edhe kësaj radhe që në fillim do të kontrollohet e mandej edhe do të fyhet, a mos vallë (nuk) do të duhet që kulti i votës ta prevalojë kultin e partisë politike dhe kryeparit të saj, a mos vallë (nuk) do të duhet që kjo votë e lirë e votuesit të jetë autonome apo do të jetë peng a “kurban” i tranzicionit dhe partisë politike që ka “ngjyrë donkishoteske”, a mos vallë që edhe kësaj radhe “obligimi i votuesit” (nuk) duhet të konceptohet si ajo “puna e Sizifit”…, a mos vallë kjo votë (nuk) duhet të konceptohet si konfliktuale…, votë kjo që do prodhojë konfliktualitete ndër shqiptarë…, a mos vallë, edhe kësaj radhe kjo votë do të nëpërkëmbet ashtu mizorisht…, a mos vallë kjo e drejtë e votës së gjithsecilit duhet të mbetet peng i tranzicionit tonë të stërzgjatur, apo (nuk) duhet të mbetet në pronësi të ideatorëve provincialistë…, atyre që e sajuan këtë “gjëegjëzë politike a edhe ekonomike”…, a mos vallë kjo votë (nuk) duhet t’u mbetet në pronësi atyre që e sundojnë atë të drejtë kushtetuese…, a mos vallë edhe njëherë do të lejojmë që sorra të na i hajë mendtë…, apo, në instancë të fundit, ashtu pavullnetshëm, do të detyrohemi t’i shikojmë edhe një herë ato “telenovelat politike të bezdisshme dhe bajate” këtu dhe matanë nesh.
Se edhe kësaj radhe a do të votoj apo jo me kartën e identitetit, është e drejtë imja, pavarësisht se vota “do të shkojë huq”…, mendimin nuk do ta “ndryshoj pasi që nuk e kam dhe as që e kam pasur”(!?)…, ndoshta nuk më duhet, sepse në këtë kohë të pakohë, për mua dhe për shumë të tjerë të tillë si unë ka kush të mendojë. Sikur Mitrush Kuteli të ishte në mesin tonë, do ta parafrazonte atë mendimin e tij sarkastik: “Rroftë mileti pa brekë”! Ju lutemi, na ndjeni për këtë fjalë, pavarësisht se këtë fjalë nuk e thashë unë, po e ka thënë Kuteli dikur.
“SECILI PËR VETE, ZOTI PËR TË GJITHË“!
Nga Fadil LUSHI/
Shkrimin në vijim do mundohem ta bëj “për inat të mbamendjes sime”, pavarësisht se në fund mund të dalë si ai muhabeti me “zarar”! Ndoshta këtij shkrimi që në fillim do t’i nëpërkëmbet pjesa humane dhe ajo emancipuese. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, do të bëj përpjekje që sa më pak të hetohet ana johumane e saj. Dashamirësit e fjalës së shkruar thonë se nëse do “ta vrasësh” poetin “vidhja” idetë dhe stilolapsin, nëse do “ta asgjësosh qemanexhiun dëmtoja” gishtat, nëse do që ta “hidhërosh” historianin, rishkruaja historinë, nëse do “ta zymtosh” një nënë të re, hiqja fëmijën e sapolindur nga gjiri…, nëse do “ta përlotësh” mërgimtarin, “vidhja” kujtimet, shpresat dhe ëndrrat. Unë, si shkrues i këtij artikulli, nuk i dua fjalët denigruese që u përmendën më lart.
Kryepersonazhi i këtij shkrimi do të jetë një mik imi nga fëmijëria. Mbase sot e gjithë ditën e Perëndisë, nuk është një njeri dokushdo. Kohë më parë ishte kthyer nga një vend shumë i largët. Po përgatitesha emocionalisht për takimin me të. Thënë intimisht, që në fillim “nuk e doja dhe nuk e parapëlqeja” këtë takim. Thash më vete, e “ç’ta dua” këtë takim pas plot pesëdhjetë motesh. Nuk doja ta “bëj a ta realizoj” këtë, sepse e dija paraprakisht se më mungon “takati emotiv”? Që në fillim më tha se kthehet nga një vend i madh dhe shumë i pasur. Këtij “vatani të dytë” të tij ia shtoi një “të keqe” duke thënë: “Ha, merr dhe ik, po nuk ike, të hëngër”!? Se pse “kishte ikur” nuk më tha gjë, po as që më dha mundësi t’i parashtroj pyetje shtesë rreth kësaj vakie. Më dukej një njeri krejt tjetërfare, sikur kujtimet e tij, po edhe të miat, i kishte futur në strajcë dhe i kishte varur diku në një cep të asaj anijes tejoqeanike, me të cilën kishte rrugëtuar shumë kohë më herët drejt tokës së premtuar!? Më dukej sikur mallin për vatanin e stërgjyshit donte ta godiste me kokë.
Eh sa me zotnillëk e aristokraci e vazhdoi muhabetin. Fjalët i thoshte me karar me temsil dhe me atë filozofinë popullore…, fjalë të qëlluara dhe të denja për trashëgiminë familjare. Fjalët që i dilnin nga goja sikur ishin të heshtura, të pathëna, të përgjysmuara, të shkurtra…, kohë pas kohe i tërhiqte zvarrë…, ca i thoshte me atë theksin geg…, pavarësisht se disa prej tyre nuk i thoshte me “tamam”! Sikur koha si “për inat” e kishte bërë të veten. E gjithë kjo më krijoi përshtypjen se ishte një evokim i tij personal dhe i papërsëritshëm. I parashtrova pyetjen se ç’hall e solli këtej afër nesh. Vonë u ndërgjegjësova rreth pyetjes së gabuar dhe idiotike, më iku dhe pse më iku nuk i di! “Hazërxhevapin” e kishte majë gjuhës, por që fare nuk përkonte me pyetjen time të parashtruar! Sikur e preu fjalën me sëpatë dhe duke mos u hamendur më tha: “Edhe ti, miku im, do të merresh me hallet e mia…, edhe ti do ma qash hallin”!?? Ç’është e vërteta, halli dhe malli i tij përkonte me vatrat e stërgjyshërve dhe vaktet e tyre, me vaktet e rebeluara, përkonte me dëshirën që donte ta shfaqte botërisht edhe atë pak nostalgji dhe pak dashuri që i kishte mbetur për vatanin, sikur donte ta fshihte mllefin e tij me shumicë ndaj njerëzve që e kishin harruar.
Për të mos e zvarritur e stërholluar paragrafin hyrës të këtij shkrimi, do të them se njeriu që duhej ta takoja, nuk është dokushdo, ai është pinjolli i vetëm dhe i fundit i familjes më të njohur në historinë e Tetovës. Ky nuk është i vetëshpalluri patriot, s’është as i vetëshpalluri pinjoll i familjes së tij elitare…, atë familje ka shumë kohë që për elitare e ka shpallur historia kombëtare. Ai nuk kishte ardhur në vendin e stërgjyshërve, për “të bërë” pazarin e historisë e të të qenit patriot a populist…, ai kishte ardhur për ta prishur atë pazarin e madh të heshtjes dhe indiferencës sonë kolektive sa u përket emrave që ndërtuan një kapitull të ndritur të retrospektivës sonë! Nuk kishte ardhur “të shesë dhe as të shfaqë” historinë e familjes, nuk kishte ardhur të kërkojë tokën e zaptuar…, thjesht donte të thoshte se kjo histori nuk mund të shtrembërohet apo të keqkuptohet nga kalorës të vonuar të kauzës së përbashkët. Nuk arriti dot “ta prish këtë treg”, sepse mbamendja kolektive e njerëzve, sidomos e atyre që mashtrohen lehtë dhe që nuk dallojnë mikun nga armiku dhe që sot jetojnë në trevat e stërgjyshërve të tij, moti kishte dhënë shpirt! Vendin e atij shpirti të çiltër e kishte zëvendësuar pamirësia, çmenduria, egoizmi, harresa, dashakeqësia, inati homerik (ndërshqiptar) si dhe shpirtvogëlsia!
Se kjo ishte bisedë, takim, se ishte një evokim i njëanshëm, se ishte një këmbim fonetik dhe në instancë të fundit edhe një fundajë e një muhabeti emocional, nuk e kuptova dot. Një është e vërtetë: secili prej nesh bënim përpjekje “të vjedhim” nga njëri-tjetri kujtimet adoleshente, sikur shtireshim si të rinj, sikur gënjenim njëri-tjetrin, sikur përballeshim me kohë të humbura, sikur e gjithë kjo bisedë të ishte e sajuar paraprakisht. Aq shumë kishim për të thënë, saqë në fund nuk e thamë atë që duhej ta thoshim dhe ta dëgjonim. Në “fund” të bisedës më tha: “Mik i dashur, më ndihmo ta gjejmë mejhanen e Sazanit, atë pijetoren ku venë lloj-lloj njerëzish që bëjnë zhurmë”!? E pyeta se ç’i duhej “mejhania”! Ma ktheu: do shkoj të paguaj një borxh që i kam mbetur kamerierit për dy pije! Dhe kur vajtëm për ta “shlyer borxhin”, pronari i ri i mejhanes, na tha se Sazani ka shumë kohë që nuk ka shkelur në derë të mejhanes sime. Ku ta dijë njeri se ku kishte degdisur.
Gjithsecili që do ta lexojë këtë histori ka të drejtë ta pëlqejë a të mos e pëlqejë, në veçanti ata që fare pak e njohin, assesi nuk kanë të drejtë t’i shtojnë a t’i heqin asnjë të vetme provë, pikë a presje. Në fund të këtij shkrimi, dedikuar një historie të lavdëruar, do të themi se kryepersonazhi në fjalë, nuk lejoi që t’i “.., nënshtrohet atij parimi tribal, ku pos të tjerash thuhet: Secili për vete, Zoti për të gjithë…, andaj sot, në këtë rrëmujë dhe zhurmë të madhe, nuk ka rëndësi kush je, e ç’ke bërë, por si dhe ku di të shfaqësh (d.m.th. ku do të shesësh) veten”!, do të thoshte Kiço Blushi nga Shqipëria. Miku im nuk erdhi këtu as ta shesë e as ta shfaqë veten…, sepse këtë që moti e kishte bërë për të historia jonë kombëtare. Shoku i fëmijërisë sime përgjithmonë mbetet pinjoll i kryefjalës së kryeqytetarisë tetovare!
P.Sh.Në këtë shkrim kam përdorur qëllimisht pjesë të nëndialektit të Fushës së Pollogut.
- « Previous Page
- 1
- …
- 9
- 10
- 11
- 12
- 13
- …
- 20
- Next Page »