Nga Fadil Lushi/
Ky vëllai im, që është më i moshuar se unë, disa ditë më parë më parashtroi disa pyetje paksa të paskrupullta, ndonjë si kjo përafërsisht: “Pa më thuaj, ti vëllaçko, shkrimet që i shkarravit a mos vallë nuk i redakton para se t’ua postosh gazetave të lira a autonome!?”. Sikur donte të më thoshte se ç’është ajo gjuhë a ai fjalor i bastarduar a horrash! Sikur donte të thoshte se a mos vallë shkrimet duhet t’i kesh më humane dhe paksa më emancipuese…, sikur në çdo shkrim prej vezës do të bësh karvan devesh, sikur prej tufës të bretkosave do të bësh grup të organizuar këngëtarësh, sikur prej analfabetit do të bësh intelektualin, sikur prej pronarit të bordeleve, do të bësh njeriun që besimtarëve u shpjegon mësimet e fesë, sikur prej bariut fisnik do të bësh politikanin e korruptuar, sikur prej faqeziut a maskarait, do të bësh zotërinë, sikur haberin e mirë do ta shndërrosh në lajm të rremë, sikur prej kurvarit do të bësh njeriun i cili merret me çështjet e moralit. Ky vëllai im, pos të tjerash, më tha, po të vazhdosh t’i “vardisesh” këtij fjalori dhe kësaj gjuhe, ke parasysh se këto vështrime në fund do të dalin kungull hesapi a kungull Stambolli, andaj unë të premtoj se në të ardhmen nuk do t’i lexoj këto “ibret dhe pa pehriz shkrime, shkrime këto që nuk kanë as din e as iman, shkrime që nuk i hyjnë në punë dreqit, e lëre më lexuesit të nderuar dhe serioz…, mos harro se edhe Sazanit do t’i sugjeroj që t’i flakë këto llafe tuat të gazetave!?”.
Pavarësisht “qortimeve dhe sugjerimeve” të tij, vendosa të gjurmoj e të kërkoj kryetitullin dhe personazhin (e “imagjinuar”), i cili me tamam do t’i shkonte kësaj “shkarravine” në vijim. Për këtë arsye, tim vëlla nuk desha t’ia ktheja “hazër-xhevapin” , sepse po ta bëja këtë, atëherë do më detyronte ta kërkoj “gjilpërën e humbur të saraçit” në dyshekun me kashtë, mandej ndoshta do më kërkonte shpjegime më të hollësishme karshi parimeve të humanizmit, një nocioni lëre që i kaluar vakti, por edhe është harruar nga vetë humanistët e moderuar. Ç’është e vërteta, unë “vdes” për fjalorin a gjuhën që kohë pas kohe ma do xhani ta përdor. Tekefundit, “ky fjalor a gjuhë imja e zvetënuar” më mundëson që ta ndaj “shapin prej sheqerit”, mandej më krijon mundësinë që ta dalloj të bukurën nga e shëmtuara, më mundëson që t’i perceptoj me tamam kalorësit e vonuar të çështjes kombëtare, më krijon mundësinë që t’i dalloj me tamam horrat respektivisht folk-patriotët nga atdhetarët, më jep takatin moral që të solidarizohem me fukarenjtë shqiptarë, në hall e në siklet, të cilët me pa të drejtë i bien vitheve “gomarit të pafajshëm, sepse s’kanë ç’t’i bëjnë të zotit të mushkës”…, më intereson “mënyra e urinimit të qenve të rrugës (të Tetovës, nënvizim im), të cilët kur pshurrin, fillimisht ngrenë njërën prej këmbëve të pasme” (siç do të thotë një pedagog i njohur i gjuhës frënge, nga Tirana) dhe lagin rrotat e veturave luksoze të ish-rojtarëve komunistë të tharkëve derrash me zile!? Do të shkruaj për njeriun e zvetënuar, i cili dikur më pat thënë: “Ti, nipi i ballistit, ki parasysh se nuk mund të masësh k..qe me mua!?”. Meqenëse muhabetin nuk desha ta bëj “tërkuzë”, ia ktheva shkurt: “Këtë që e thua është më se e vërtetë. Unë nuk mund të mas k..qe me njeriun i cili fund e krye është shndërruar në k..qe dashi!”. Do të shkruaj për politikanin opozitar maqedonas i cili gjithë ditën e Perëndisë, prej ca politikëbërësve shqiptarë “kërkon atë qyl sofër”, kërkon lugën e brezit, kërkon qofte të bëra me mish edhi, kërkon t’i takojë për t’i gënjyer toptan, për t’i manipuluar dhe për t’i detyruar që të heqin dorë e mendje nga identiteti i tyre politik, prej tyre kërkon që t’u shpallin luftë politike partive të tjera shqiptare, qofshin ato në pushtet a në opozitë… Do të shkruaj për bastardin e ngjizur, për mashtruesin, hileqarin, hafijen, llapaqenin, për dëshmitarin dhe ngordhalaqin, i cili është ulur ashtu rehatshëm dhe këmbëkryq në krye të mexhlisit të ish- komunistëve…, ngordhalaqi që edhe pas sa motesh nga ngordhja e njëmendjesisë, kërkon prej shqiptarëve “b..thë viçi”…, edhe më tej kërkon të pijë, të hajë dhe të rrojë në kurriz të shqiptarëve etj.
Ky politikani opozitar maqedonas, sikur ca politikanëve shqiptarë do t’ua mësojë atë fabulën e mrekullueshme të Zhan de la Fonten, “Dhelpra dhe cjapi”, sikur do që shqiptarët t’i identifikojë me cjapin dhe dhitë e egra…, ndërkaq vetveten do ta barazojë me dhelprën e Fontenit, sikur shqiptarëve do sërish t’ua tregojë vendin se ku gjendet “gryka, çikriku dhe kova e pusit”…, sikur do t’u thotë se ai pus lexohet kësisoj: “Një ditë një dhelpër ra në pus. U mundua sa u mundua, por nuk doli dot. Pastaj vendosi të presë, sepse nuk dinte si të dilte. Një cjap e kishte marrë etja dhe erdhi tek pusi për të pirë ujë. Aty pa dhelprën brenda dhe e pyeti: – O dhelpër, a është uji i mirë? Dhelpra filloi ta lëvdojë e ta mburrë qartësinë dhe kthjelltësinë e ujit sa s’ka më. Pastaj i tha: – Hajde më mirë këtu poshtë, se këtu e shijon më mirë. Cjapi zbriti poshtë, pasi e kishte marrë etja pa se nuk dilte dot nga pusi. – Si t’ia bëjmë tani? – tha cjapi. Si do të dalim prej pusit? Dhelpra i tha: Mos u bëj merak. Kam menduar unë për të dy. Shiko si do të dalim… Çoji këmbët e para në murin e pusit dhe afroji brirët. Kur të ngjitem unë lart mbi kurrizin tënd, do të të tërheq dhe do të të ndihmoj edhe ty. Cjapi pranoi. Dhelpra kërceu në shpatullat e tij, qëndroi në brirë, doli prej pusit dhe filloi të largohet. Cjapi i thirri: – O dhelpër, po mua më harrove? Cjapi e qortoi që nuk e mbajti fjalën e dhënë. Dhelpra u kthye e i tha: – I dashuri cjap, sikur të kishe aq mend sa ke qime në mjekër, ti as që do të zbritje në pus para se të mendoje se s’do kishe për të dalë”.
Ky Edmond Tupja, në një shkrim të tij paksa erotik, pos të tjerash, kishte lakuar edhe një mesele nga përditshmëria e Tiranës. “…, meqë byreku me presh është i shijshëm saqë të vjen t’i lëpish gishtërinjtë nga i vogli tek i madhi pa harruar kurrsesi gishtin e mesit, pavarësisht gjatësisë së tij të tendosur!?”. Pas gjithë kësaj katrahure politike, unë nuk besoj se politikanët shqiptarë, kësaj radhe do ta hanë byrekun me presh, byrekun që është gatuar diku në kuzhinën antishqiptare. Sikur unë të isha në vend të politikanit shqiptar, ju betohem se nuk do haja byrekun me presh e lëre më të “lëpija gishtin e mesëm të tendosur???”…, sepse njëherë dikur moti ky gatim prej brumi, fare nuk më shijoi. Se a do ta shijojnë të tjerët byrekun me presh, unë nuk dua të paragjykoj a edhe të paragjykohem!
Dikur moti, një nip kishte shkuar te dajallarët të kërkojë një cjap. Dhe dajët ia kishin plotësuar dëshirën. Por ama “nipi axhami” kishte harruar të kërkojë edhe një zile që do t’i shkonte tamam për qafe cjapit. Një zile të tillë e kishte blerë në pazarin e evgjitëve…, por ama ishte zhgënjyer këmbë e krye, sepse cjapi nuk ishte për atë zile!?
Hajt, të besoj se këtë shkrim nuk do ta lexojë as Sazani e as vëllai i madh. Të shpresojmë.
BANDA FRYMORE E TITANIKUT DHE MARRËVESHJA E PËRZHINOS!
Nga Fadil Lushi/
Që kur më lindi ideja për ta shkruar vështrimin e radhës, më mbërtheu për fyti ajo dilema e vështirë se ç’kryetitull t’i vë këtij artikulli. Që në fillim gjykova dhe thash se këtij vështrimi gjithsesi i duhet një emërtim paksa më “serioz” dhe, për këtë arsye, u detyrova ta “gjezdis rradaken” në kërkim të një të tilli. Thash se këtë mund ta gjej vetëm në mëhallën e “thashethemexhinjve”, atje ku njerëz të fiseve të ndryshme flasin ca toskërisht, ca të tjerë gegërisht, disa “otomanisht”, disa “shkinisht”, disa serbisht, bullgarisht, “kosovarisht” e greqisht…; mendova se këtë do ta gjej atje ku njerëz të kombeve dhe feve të ndryshme flasin me hundë, përçart, kot, shtruar…, atje ku njerëzit flasin në hava, atje ku “insanët” flasin me shaka, atje ku njerëzit flasin me zemërim, atje ku flasin me veten a jerm, andej ku njerëzit flasin nëpër dhëmbë…, atje ku njerëzit flasin me këmbë e me duar, disa me thumba, mbarë e prapë e tjera të folme…, ashtu pa e respektuar standardin. Në fund, pa pyetur njeri, vendosa për këtë të lartpërmendurin, pavarësisht se redaktorët mund të mos pajtohen me renditjen logjike të “llafeve” në fjalë.
Po e fillojmë me deklaratën e zëvendëspresidentit të White Star Line, Philip Franklin, kompania që kishte në pronësi anijen e luksit gjegjësisht Titanikun, e cila tingëllon kështu: “Nuk ka asnjë rrezik që Titaniku të mbytet. Kjo anije nuk mund të mbytet”. Këto fjali euforike kanë mbetur në histori, jo për vërtetësinë e tyre, por për faktin tragjik se treguan se sa të pabaza ishin. Anija e nisi udhëtimin e saj të parë më 10 prill të vitit 1912 nga porti i Southamptonit në Angli dhe ishte drejtuar për në Nju Jork. Çuditërisht, Titaniku pikërisht në 14 prill të motit 1912, do të përplaset me një ajsberg dhe do të përmbyset, por para se të mbytet Titaniku, banda frymore me tetë anëtarë vazhdoi t’u binte veglave pavarësisht kaosit të krijuar në anije. Sipas shumë dëshmive, mendohet se “Nearer, My God, to Thee” ishte muzika e fundit e interpretuar prej tyre… Bandë frymore e Titanikut as që e kishte ndërmend të merrej me “sëkëlldinë” e pasagjerëve që ballafaqoheshin me trishtimin se po përfundonin në ujërat e ngrira e të ftohta të Atlantikut”. Besojmë se do të na lejohet të vazhdojmë me (mos)Marrëveshjen e Përzhinos si dhe me “dirigjentin” Johanes Han, përndryshe Komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, i cili kur ditë më parë “zbarkoi” në Shkup, me vete “kishte pasur dy palë brekë, një kollare të kuqe, dy palë çorape bojë jeshile, një brushë dhëmbësh dhe çka jo tjetër”. Gojëkëqijtë, thonë se “pizhamet e holla verore prej mëndafshi me pika të kuqe, gjoja z. Han i paskësh harruar në Bruksel!”. (Këtejpari në Tetovë, thonë se sipas fesë dhe Kanunit, burrit a mashkullit i ndalohet të veshë gjëra nga mëndafshi?). Hajde tani ti, lexues im i nderuar, a mos vallë këta gojëkëqijtë dhe thashethemexhinjtë nuk meritojnë t’u thuash: “He, mor debilë, a nuk merrni vesh çfarë thuhet apo ju duhet dajaku!?…, po me ç’të drejtë këtij njeriu i shtoni gjëra të paqena…, po pse fusni turinjtë në strajcën e tij”.
Prania e (pa)nevojshme e Hanit në Shkup, sipas disa opinionbërësve opozitarë, të krijon përshtypjen se është vetëm një “idiotësi e bukur” për shqiptarët në hall e në nevojë…, sikur Hani shqiptarëve do t’u thotë: hiqni dorë nga ideja për Shqipëri natyrale, sikur maqedonasve do t’u thotë: harrojeni shtetin tuaj biblik, sikur të gjithëve do t’u thotë: hiqni dorë nga shpresa evropiane, sepse ajo ka një furgon probleme dhe telashe me “hordhitë me ngjyrë”, që çdo ditë ia mbysin a zaptojnë hapësirat e saj. Komisari Han, sikur shqiptarëve po edhe maqedonasve, do t’u thotë se “ju jeni shumë të dashur, ju jeni shumë të bukur, ju vërtet jeni shumë mikpritës, ju keni vuajtur shumë, ju jeni bërë telef karshi zaptimit të pushtetit me forcë a me hile…, por ama jeni: të papërmirësueshëm dhe së fundi jeni dembelë anekdotikë!?”. Ky zotëri Hani, politikanëve maqedonas sikur do t’u thotë se Marrëveshjes së Përzhinos i mungon ajo banda frymore e Titanikut, sikur do t’u thotë se edhe këtë që e keni nuk është as për “dynja e as për ahiret”, sikur kjo bandë frymore bën muzikë a politikë tallava, allaturka a orientale, sikur kësaj bande i mungojnë instrumentet frymore “allafrënga” (oksidentale), sikur kësaj bande i mungon “qemania e Paganinit” e të tjera instrumente. Ky komisari Han sikur thotë se “anijes së Përzhinos i mungon parimi detar që thotë se kapiteni mbytet së bashku me anijen, ashtu siç ishte kapiteni i Titanikut, Edward Smith, i cili qëndroi deri në fund në bord”…, sikur politikës së Maqedonisë i mungon një kapiten i tillë si Smith-i, sikur ky komisar Hani kishte ardhur në Përzhino të këndojë psalme për shpirtin e…, sikur kishte harruar se nuk mund edhe të këndosh po edhe të dirigjosh njëkohësisht… dhe, si duket, ky Hani pret të shohë se kush kujt do t’ia fusë…, duke harruar se këta ballkanas ,në veçanti shqiptarët, do t’ia fusin këtij “hilexhi komisari”.
Ky komisar Hani sikur kishte ardhur në Shkup për t’u shpallur “luftë kanibale” shqiptarëve të padëgjueshëm, sikur kishte ardhur në Shkup që bandës frymore të Përzhinos t’i tregojë se tenxherja me presion, të cilën e përdorin për të zier gjellë a tavë-turli, ka gjymtime serioze…, gjegjësisht e ka të dëmtuar valvulin, respektivisht vrimën nga del avulli. Kishte thënë: kini kujdes se ajo mund të shpërthejë…, sikur kishte ardhur në Shkup për të “ndërtuar një azil për politikanët e rrjedhur nga mendja”…, sikur kishte ardhur në Shkup që të konsultohet me njeriun i cili “merret me studimin e anatomisë së bythës së pleshtit me hemoroide”…, sikur kishte ardhur në Shkup ta pyesë leshaxhiun nga… se leshi maqedonas a mund ta mbrojë trupin e njeriut nga i ftohti dhe a mund të lahet leshi në legen në mungesë të banjës a dushit…, sikur kishte ardhur në Përzhino për ta bindur atë bostanxhiun nga…, që ta pranojë dhe të pajtohet me vendimet e marrëveshjes së Përzhinos…, sikur bostanxhiut i kishte treguar se minjtë e kopshtit zoologjik të Brukselit nuk i fusin kollaj hundët a turinjtë në çdo vrimë… Kjo ardhja e Hanit në Maqedoni më përngjan njësoj si puna e atij dhëndrit që i kishin rënë flokët, po i cili, për qejf dhe për hatër të nuses së re, dikur kishte mëtuar të bënte kaçurrelat midis ballit të tij. Sikur ky Hani kishte ardhur në Shkup që shkupjanëve t’ua mësojë ato urdhrat ushtarakë, siç janë: gatitu!, prapa kthehu!, majtas kthehu!, djathtas kthehu!, shtrihu!, ngjitu lart!…, e të tjera urdhëresa ushtarake…, se këto politikanët do t’i mësojnë nga shteti i Maqedonisë, Hanit hiç nuk i ha palla…, aq më tepër kur ai e di se hapësira e të bërit politikë konstruktive këtejpari, dita-ditës po ngushtohet dhe po zbehet, ndaj Komisar Hani për këtë është i ndërgjegjshëm këmbë e krye.
I gjithë ky ndërmjetësim i Brukselit me në krye Komisar Hanin bëhet për hir të faktit që në të ardhmen të mos përsëritet nëpërkëmbja e votës së sovranit, të mos përsëriten inatet a edhe qejfet e politikanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë kuptim për mëhallët e tyre!? Të mos përsëritet anashkalimi i votës së sovranit, që vota e gjithsecilit të mos konceptohet si e porositur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, të mos nëpërkëmbet, të mos konceptohet si e kornizuar a edhe si e mohuar. Dhe që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, racionale dhe demokratike, në asnjë mënyrë nuk duhet të ngacmohet! Se nuk do të ngacmohet e drejta e votës së sovranit, unë dyshoj. Se unë nuk besoj, u betohem në kokë të sorrës…, dhëntë Zoti që kleri të mos ma dëgjojë këtë gënjeshtër se ndryshe do më shkruajë gjynahe!
Kur doganierët turq hidhërohen dhe ngatërrohen me turistët rusë, thonë: “Sikter Boris!”.
“FIQIRI“ I KATANDISUR NË “LESH E LI“
Nga Fadil LUSHI/
Vështrimin e radhës do ta filloj me nocionin paragjykim për të cilin Fjalori i gjuhës së sotme shqipe jep këtë shpjegim: 1. Mendim i gabuar dhe i pambështetur, i ngulitur nga njohja jo e plotë e dukurive të botës dhe e shkaqeve të tyre, nga i cili niset dikush në gjykimet e në veprimet e tij në kundërshtim me dijen e arsyen; pikëpamje a qëndrim, që formohet si shprehi nën ndikimin e shoqërisë e të mjedisit dhe jo nga njohja e përvoja e jetës. Këtë e bëj me qëllim që as unë e as lexuesi im i nderuar të mos paragjykohemi.
Shumë autorë të huaj kanë shkruar për shqiptarët, duke krijuar kështu një portret të pazakontë sa i përket karakterit të shqiptarit të fillimviteve ‘900. Një ndër to ka qenë edhe albanologu dhe baroni hungarez Franc Nopça, i cili në shënimet tij vend e vend me a pa të “drejtë” na ka paragjykuar, ku, pos të tjerash, thotë: “Shqiptarët janë të lëkundur, të padisiplinuar, lakmitarë të parasë, të ndjeshëm, krenarë, inatçorë, por edhe trima, të vetëdijshëm, besnikë, mikpritës dhe me një zgjuarsi të jashtëzakonshme…,veprimet e tyre ndikohen vetëm nga instinkti; veprojnë shpejt dhe pa i peshuar konsekuencat; janë të mirë prej natyre dhe pranojnë dhurata pa u detyruar për mirënjohje, por gjithashtu janë dorëhapur dhe nuk pretendojnë mirënjohje. Urrejtja zë rrënjë të thella në shpirtin e tyre, por zhduket sapo kënaqet. Shqiptari aty qesh, aty gëzohet, aty zemërohet!”.
Edhe miqtë e mi, shpesh me a pa të “drejtë”, më paragjykojnë duke thënë se vështrimet që i shkarravis për ndonjë mesele a vaki, kinse i bëj me shumë vonesë, kinse i bëj ashtu bythëprapthi, kinse gjatë të shkruarit sillem me mospërfillje a pa respekt ndaj sintaksës dhe morfologjisë së gjuhës shqipe, kinse vështrimet e mia në vijimësi shkaktojnë ilaritet a të qeshura te lexuesit, gjoja bëj shaka pa kripë, shaka që padrejtësisht dëmtojnë të pafajshmin, kinse shtirem gjegjësisht mundohem të paraqes veten ndryshe nga ç’jam, kinse nuk dalloj të paqenësishmen nga e qenësishmja, kinse gjithë këtë e bëj vetëm e vetëm për të “mashtruar” të gjithë ata që më paragjykojnë për gjëra të paqena. Ca të tjerë, miq të mi, “që më mbajnë për inat”, lëre që asnjëherë nuk ma “dhanë” pafajësinë a padjallëzinë, por edhe mëtuan të ma “rrëmbejnë” mallëngjimin për NËNËN NAZË…, disa thonë se shkrimet gjoja i bëj me tarafe, po edhe i shkarravis ashtu pa rend alfabetik, kronologjik dhe pa “pehriz”; më “akuzojnë” se gjoja në shkrimet e mia të deritanishme asnjëherë nuk paskam shkruar për pronarin e “kumarhanes politike” të Shkupit, si dhe për rojtarin e “Kështjellës së Drakulës” atje përtej Vardarit, atje ku frymon shfrytëzuesi i egër, ai drakula që është i etur për gjak shqiptari, atje ku kleptomanët dhe piromanët, kërkesat e politikanëve shqiptarë për barazi politike, për barazi ekonomike, për marrëdhënie të barabarta me pronën shoqërore, për barazi kombëtare e tjerë barazi, lëre që i mohojnë, por edhe i marrin me tallje. Ata sot e gjithë ditën thonë se gjoja rendi a turrem më shumë pas sasisë, pas lekut, sesa pas cilësisë, gjoja në vështrimet e mia më ha meraku që për personazh kryesor të zgjedh njerëz të halucinuar, njerëz me prapanicë të dhjamosur, njerëz që vuajnë apo që janë të diagnostikuar nga sëmundja e tifos, njerëz të paranojave, njerëz që ia kanë kthyer shpinën shtëpisë së tyre, njerëz që kanë rënë në kllapi dhe që llafosin jerm! Së fundi, më pandehin për të “marrë a budalla”, kinse toptan shkrimet, lere që nuk i kam me tamam a në terezi, por edhe më krahasojnë me malësorët shqiptarë davaxhi, të cilëve kur u mungojnë arat në mal, bëjnë dava me çakejtë, më krahasojnë me optimistin, i cili, kur humb shpresat, mëton që ta shohë gotën gjysmë të mbushur dhe me atë pesimistin që atë e sheh si gjysmë të zbrazët, vazhdojnë të më krahasojnë me “dasmorët e Klinës, të cilëve u kishte ikur orkestra dy orë para ceremonisë së kënasë…, dhe me ata krushqit të cilët ishin detyruar t’u bien kusive, sahanëve e sinive që të vallëzonte nusja“. Mbase unë as që e kam ndërmend t’u bie kusive, sahanëve e as sinive, sepse po ta bëj këtë, atëherë mos vallë nuk do ta ngatërroj punën time me zanatin e daullexhiut…, me zanatin e kumarxhiut dhe, në instancë të fundit, edhe me zanatin e falltarit…, mbase nuk dua të ndërmendem dhe nuk do lejoj që gjithsecili të ma strukturojë mendimin ndryshe…, dhe, tekefundit, këtë nuk do ta bëj as për qejfin tim dhe as për hatërin e njerëzve të cilëve fiqiri u ka katandisur në lesh e li.
Në këtë shkrim nuk do lejoj të keqkuptohem, po as edhe të krahasohem me dy nënat e paragjykuara në vijim. Dikur moti, kur varfëria e skajshme shqiptarëve ua kishte vënë litarin në qafë, një nënë në moshë ishte takuar me një zonjë pasanike. Kjo e fundit kishte marrë udhë për ta vizituar të birin e saj në një kazermë të mbretërisë së Ahmet Zogollit. Nëna që jetonte në varfëri e në mjerim dhe që u ishte nënshtruar me forcë emocioneve torturuese të saj, i ishte drejtuar duke i thënë; “E nderuara zonjë e shtëpisë së madhe, kam një lutje dhe kërkesë për ju. Merre këtë mollë dhe, po ta takosh tim bir ushtarak, jepja dhe bëji të fala nga unë!”. Ajo e gjendur përpara kërkesës së saj të papritur, po edhe paksa të pakuptueshme, ia kishte kthyer: “Ti nuk ma the emrin e tij…, po më thuaj se si do ta njoh tët bir!?”. “Nuk të duhet emri…, shumë lehtë do ta identifikosh, ai që është më i bukuri në mesin e të tjerëve…, dije se është pjellë imja…, ai është një çunak i mirë, i ndershëm, i drejtë, i urtë, i dashur, i thjeshtë, i qeshur, i lumtur, me vullnet të mirë, i fjalës dhe i gojës…, ani se është i thatë dhe më ngjyrë!”. Fatkeqësisht, zonja e rëndë e beut, në vend që mollën t’ia dhuronte të birit të nënës nga Mirëdita, atë ia kishte dhuruar birit të saj, atij çunaku i cili në mëhallën e aristokratëve njihej si adoleshent i qejfit, i lekut si dhe me dëshirat dhe fantazitë e tij të azdisura.
Pavarësisht se kjo mesele është paksa e koklavitur, të krijon përshtypjen se është me moral të dyfishtë, andaj duam të besojmë se e gjithë kjo mesele tok me personazhet e saj, këmbë e krye është pjellë e paragjykimeve në fjalë.
Që e zgjodha këtë stil a mënyrë të shkruarit të këtij vështrimi, kam një shkas a një sebep. Dhe ky sebep është i lidhur ngushtë me një mik timin nga Kosova, të cilin ditë më parë kur e takova aty pranë kufirit administrativ shqiptar-shqiptar, më përshëndeti me “hundë e buzë!” Kur e pyeta se ç’janë këto “turinj”, ma ktheu ashtu me “inat”…, më ka zaptuar zhgënjimi i thellë nga rrethanat dhe ngjarjet politike në Prishtinë, ashtu me plot gojën, pos të tjerash, më tha: “Ju shqiptarët e Republikës së Maqedonisë nëse do të vazhdoni të paragjykoni dhe të paragjykoheni, përfundimisht atdhetarizmin tuaj do ta shndërroni në patriotizëm arkaik dhe në folk-patriotizëm të veshur me kostum të rremë legjendar a përrallor, andaj do të duhet të bëni shyqyr natë e ditë që jeni nën zgjedhën e kaurit se përndryshe…!?“. Nuk ia ktheva. Thjesht e “paragjy-kova” me atë meselenë e “manastirit pa hair“.
PUNË AXHAMINJSH
Nga Fadil LUSHI/
Dikur moti, kur unë dhe gjenerata ime ishim në moshë të mitur, “bënim ca punë axhaminjsh”. Mandej kur “fituam pjekurinë mendore”, punët i bënim pak me shaka, pak me zarar dhe së fundi edhe me humor ballkanas, gjithsesi pa kripë. Bënim përpjekje që ta rrënonim shtetin komunist. Ata që në ato mote ishin më të mençur dhe më të moshuar se ne, na thoshin se shteti nuk rrënohet dot kollaj, në veçanti me llafe boshe. Dhe kur punët i bën me shaka a humor, atëherë bie në bela. Disa ditë më parë vendosa ta vizitoj kryeqendrën e Shqipërisë Londineze, për qejfin tim dhe të familjarëve të mi, të cilët, shumë herë më parë më prokuruan që të bëjmë kësisoj “gjezdisje patriotike”! Diku atypari te hyrja e xhamisë të Haxhi Et”hem Beut, të Tiranës, takova gruan rome gjegjësisht Fatimenë me të cilën sa herë rastis të shihem, aq herë kërkon lëmoshë duke më thënë: “O ti çavo nga kasabaja e Tetovës, më fal ndonjë lekë. Bëj sevap, të dhëntë Zoti shnet!”. Përgjigjen ia ktheva në gjuhën e nënës së saj. Do të jap më shumë se ç’kërkon, me kusht nëse “fjalë-lëmoshës sate” do t’ia shtosh uratën: “Zoti të dhëntë një nuse dhe u bëfsh deputet!?” Këtë dëshirë timen ajo e shqiptoi me tamam dhe me plot gojën, pavarësisht se përballë kishte zonjën e shtëpisë sime. Pasi e futi në gji dyqindlekëshin, që ia dhash, më tha: “O çavo, ç’janë këto dëshira trupore dhe politike, o çavo pa më thuaj, a mos vallë i ke rënë gabim profesionit dhe moshës!?” Heshta dhe nuk i dhashë xhevap nga frika, se mos më thotë se ndoshta i kam rënë gabim edhe gjinisë? Më pastaj, duke u përpëlitur, mori strajcën dhe iku në drejtim të panjohur për mua dhe për të tjerët që rrinin rreth e rrotull meje. Këtë veprim e bëri kështu mbase pse ishte e ndërgjegjshme sa i përket “punës së saj me bela”. Si duket, unë vetë e kërkova belanë dhe lëre që e gjeta, por edhe e “bleva” shumë shtrenjtë me paratë e mia. Sazani, i cili qëndronte pranë meje, ma ktheu: “E po ti xhaxhi, ç’të duhej të bësh punë me bela…, ç’të duhet nusja, po sidomos kandidatura për përfaqësues të popullit në pushtetin legjislativ të Republikës së Maqedonisë”! I thashë: “Ore qerrata, ishte një shaka e radhës…”. Po ai ma ktheu: “Po, shaka, ama pa kripë!?”. Dhe pa përfunduar dialogun me Sazanin, më erdhi papritur në vesh një fjali nxitëse dhe paksa me ton urdhërues (nuk ishte zëri i Fatimesë), “Ec, o plak, se na plake me pallavra…, mblidh mendjen dhe shtrëngo dhëmbët e prapanicën, se ndryshe hesapet të dalin kungull Stambolli!”. Për një moment fillova të dërdëllis lloj-lloj gjepurash…, po njëkohësisht parashtrova pyetjen se pas gjithë asaj zhurme shurdhuese, a ia vlen të heshtësh!? Thashë se nuk ia vlen, sepse sipas një fjale të urtë popullore -“heshtja është vjedhje, ajo di të vjedhë guximin dhe të vërtetën, në instancë të fundit, heshtja është delikt i rëndë verbal”! Pas gjithë kësaj meseleje, fiqiri m’u bë përshesh…, çfarë fiqiri se.
Ne që e shkruajmë këtë vështrim, kemi një arsye, pavarësisht se karakterizohemi me atë mentalitetin arkaik dhe me atë moshën tonë “paksa” të shtyrë. Sot kur edhe pas gjashtë dekadash, vazhdojmë të frymojmë në kthetrat e kësaj rrëmuje ekonomike, politike, po edhe antivlerash, thjesht është “budallallëk të vrasësh mendjen” për do çështje tona të pambaruara, për do çështje të rëndësishme, për do çështje të diskutueshme a të pazgjidhshme, për disa çështje kufijsh, për çështje prone, për çështje lavdie, për disa çështje që llafosin shpërdorimin e pozitës zyrtare, për shpërdorimin e pasurisë kolektive, për disa çështje politike, për ca çështje (ri)kandidaturash për deputet dhe të tjera çështje. Sado qofshin këto çështje fisnike, nuk mjafton vetëm rishikimi i tyre. Prandaj ne që kemi moshë të thyer dhe që ndoshta gabimisht i kemi rënë profesionit, po edhe që nuk kemi takat t’i “bëjmë dot detyrat e shtëpisë qoftë në aspekt sasior a e edhe cilësor”, e lë më ato të shkollës, as që do bëjmë përpjekje të japim përgjigje. Neve na intereson ai fenomeni i “lëmoshës dhe lëmoshëtarit politik!”, na interesojnë njerëzit të cilët kanë filluar të “kërkojnë” edhe një mandat prej deputeti, na interesojnë njerëzit që kërkojnë atë formulën e shkurtër, e cila shpreh thelbin e uratës së romes nga Tirana, me sa vijon: “Qofshin me mua: Perëndia, mendja ime, votuesi dhe mbi të gjitha fjala a amini i kryeparit të partisë politike që e kam për xhan!?” Neve na intereson ai fenomeni i “dembelisë anadollake” të ca politikanëve të cilët me “zaptimin” e posteve politike, shndërrohen në “tul a mish pa kocka”, politikanë të cilët kur janë në pushtet bëjnë apologji të hapur, politikanë të cilët në vend që “të bëjnë deputetin”, shtrydhin puçrrat adoleshente, në vend që ta arsyetojnë votën, ata “bëjnë” hokatarin e mbretit, i cili e mbante në oborrin e vet për t’u zbavitur…, politikanë të cilët në vend që “të bëjnë deputetin”, lozin rolin e të shurdhrit, të verbrit dhe njeriut që nuk flet fare…, njerëz që lozin rolin e “avokatit të kryeparit të partisë në pushtet a në opozitë”…, të kryeparit i cili kur do ta humbasë pushtetin, po të njëjtin do ta bishtërojë e do paragjykojë, do t’ia vënë kazmën partisë dhe më vonë do të kërkojnë draprin që t’ia heqin kokën kryetarit pse i humbi zgjedhjet, pse “kaloi në opozitë”…, mandej “do të ndërtojnë idenë” rreth formimit të partisë së re politike…, politikanë të cilët kur e humbin besimin e kryetarit, atëherë “tregohen si nënçmues a përçmues dhe arrogantë me votëbesuesin, pavarësisht se i gjithë veprimi do t’i degdisë në qafëthyerje?!”…, njerëz të cilët kur nuk do t’i plotësojnë premtimet e tyre, u mbetet t’i referohen atij shpjegimit të Jake La Mottos kur thoshte: “Familja ime ishte e varfër sa çdo Vit të Ri, im at dilte nga shtëpia dhe shtinte disa herë në ajër me pistoletë. Pastaj kthehej dhe ne fëmijëve na thoshte se Plaku i Vitit të Ri kishte vrarë veten”!..,. deputetë të cilët harrojnë apo nuk duan të dinë se Kuvendi është njësoj si ajo thënia e aktores së njohur shqiptare Hajrie Rondos: “Se skena (politike-nënvizim ynë) është e bukur, por e egër, nuk të mban me hatër”!…, deputetë të cilët “sabah e aksham“ apo në vigjilje të zgjedhjeve fillojnë t’i vardisen kryeparit të partisë politike, si Fatimeja simpatike e Tiranës…, jo për një pesëdhjetëlekëshe shqiptare, përkundrazi për një (ri)kandidaturë për deputet a një post drejtori.
Seç këta politikanë do të (ri)kandidohen apo jo, gjithsesi mbetet në kompetencat e kryetarit të partisë politike. Trupi votues beson te kryepari dhe shpreson se ai nuk do të kërkojë emra eminentë për deputetë, përkundrazi do të kërkojë njerëz që nuk e tradhtojnë partinë për hir të formimit të një partie të re politike.
Në një analizë të shkruar në vitin 1923 (që vlen edhe sot), Fan Noli thotë: “Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin!” dhe…!? Thonë se “…hyjnitë antike e kishin dënuar Sizifin të përsëriste veprimet e veta, të ngjiste pa pushim një shkëmb në majë të një mali, nga ku guri rrokullisej vetvetiu. Ato kishin gjykuar me të drejtë se nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë. Opinionet janë të ndryshme për shkaqet përse Sizifi u dënua të bënte në ferr punë të padobishme. E qortuan për mendjelehtësi në sjelljet me perënditë greke…, nuk i ruajti sekretet e tyre…”.
Ne nuk e dimë se ky paragraf dedikuar Sizifit ka ose nuk ka gjë të përbashkët me ca politikanë shqiptarë, qofshin nga Kosova, Shqipëria a Maqedonia si dhe me vështrimin tonë në fjalë “që ka një titull të gjymtuar, brendi të zbehtë dhe një përfundim të paqartë”!?
PAZARLLËQE PREJ XHAMBAZËSH
*Azem SHKRELI-“Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”./
*Rebelët politikë të mbarë trevave shqiptare gjithmonë kishin mëtuar të vepronin në pajtim me thënien e filozofit Ukshin Hoti – “Bëje ose vdis”…, ca e bënë vetëm të parën, ca të tjerë vdiqën pa e bërë të parën dhe të tjerë mbetën gjallë pa i përmendur dot njeri. Këtë veprim e bënë për kushedi të satën herë dhe, çuditërisht, nuk vdiqën, por ama u bënë horë./
Nga Fadil LUSHI/
Ne Foto:Ukshin Hoti/
Kritikët letrarë shqiptarë thonë se Azem Shkreli ishte një poet që u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai një herë, pos të tjerash, kishte thënë: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”. Ky përgjysmim i së vërtetës shkreliane sot e gjithë ditën e Perëndisë gjen shprehje pa fije dyshimi te mediet e shkruara dhe ato elektronike (pro, kundër dhe të “pavarura”) të Shqipërisë politike dhe të Republikës së Kosovës. Nuk do mend se ky “komplot” vihet re brenda shkrimeve, opinioneve, kolumneve, analizave politike, editorialeve a komenteve redaksionale dhe debateve televizive, të gjitha këto të ndërtuara nga opinionbërësit e Tiranës, të Shkupit dhe të Prishtinës.
Është e drejtë e gjithsecilit të bëjë analiza politike, vështrime si dhe editoriale ekskluzivisht nga këndvështrimi i tij, mandej në pajtim me higjienën e mendjes po, në instancë të fundit, edhe në përputhje me interesin e tij. Ne këtë logjikë nuk duam ta kuptojmë ndryshe, andaj as që do ta kontestojmë dhe për këtë arsye në këtë shkrim, për të mos krijuar paqartësi eventuale, nuk do të hapim debate, madje as që e kemi ndërmend të krijojmë tarafllëqe të reja…, e ndiejmë për detyrë, që të jemi më të qartë, më të drejtpërdrejtë, më të afërt me lexuesin aq më tepër kur dihet se komentet a vështrimet tona të deritanishme disi paskan qenë jokomplete, të paqarta dhe mbase edhe paksa paragjykuese. Nëse paragjykimi respektivisht mendimi i gabuar është pjellë e ndjenjës së egoizmit, sidomos egoizmit profesional, atëherë këtë shkrim të radhës do ta mbështesim në fakte a dëshmi të arsyeshme. Që ne “…të vërtetën mos e ndajmë përgjysmë…”, do të bëjmë përpjekje që ky vështrim gazete, të mos na dalë si ai “pazari i vdekur politik” dhe si historia politike të ca njerëzve të cilët dikur me retorizmat e tyre të varfra a boshe “ngazëllonin” zemrat e njerëzve në hall e në nevojë…, të njerëzve që shpresat e tyre i mbështetnin te fjalët e politikanëve zhgënjyes, të cilët kur nuk kishin gjë për të thënë, atëherë u referoheshin gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre, vetëm e vetëm për të ndërtuar patriotizmin e tyre të sajuar a të rremë…, për të ndërtuar atë filozofinë e politikëbërjes së moderuar, për të ndërtuar një mendje krejt tjetër fare…
Kohë më parë lexova diku një reagim me sa vijon: “Jam këtu për të refuzuar një shoqëri autokratike, që në mënyrë arbitrare i vret fëmijët dhe i tall prindërit e tyre. Unë dal të reagoj kundër dhunës, kundër totalitarizmit, që kur të më ndodhë mua fatkeqësia, të ketë një zë që të reagojë për mua”, kishte thënë një shqiptar përndryshe shtetas i Republikës së Maqedonisë, thjesht ishte një përgjigje ndaj një ngacmimi të jashtëm që prodhon padrejtësi ndaj fëmijëve shqiptarë dhe prindërve të tyre. Këtë reagim të tij ne assesi nuk mund ta paragjykojmë, nuk kemi të drejtë ta heshtim e as ta anashkalojmë, por ama, as nuk mund ta konceptojmë si një lloj himni a një kënge solemne që i kushtohet vatanit, që ne sa herë të vihemi në siklet të madh ose sa herë të kemi nevojë për “publicitet”, aq herë ta intonojmë si të tillë. Ne duam të dimë se prej kur daton ky shtet arbitrar, na intereson të dimë se prej kur frymon ky shtet autokratik, prej kur ekziston ky arbitrarizëm që vret fëmijët dhe i tall prindërit e tyre shqiptarë…, jemi kureshtarë të dimë se prej kur frymon fatkeqësia kolektive shqiptare, duam të dimë se a mos vallë i gjithë ky arbitrarizëm, autokratizëm, dhe padrejtësi nuk ekzistonin edhe në kohën kur ca prej nesh ishin ministra, deputetë, drejtorë a diç tjetër…, apo mos vallë të gjitha këto të këqija lindën në momentin kur ju, të nderuar, humbët pushtetin apo u përjashtuat nga partia!? Është humane që të ngremë zërin ndaj padrejtësisë që na bëhet dhe që u “bëhet” ish-politikanëve pushtetmbajtës, por parashtrohet pyetja pse pikërisht ata dikur nuk reaguan, pse heshtnin kur punët i kishin në terezi, pse nuk u rebeluan në kohën kur “tambli u dilte mbi përshesh”, pse nuk reagonin kur arbitrarizmi, autokratizmi dhe padrejtësia, të gjithë ne shqiptarëve na kishin kapur për fyti. Edhe ne dikur moti u detyruam të reagojmë ndaj një dhune institucionale, por ama…, fatkeqësisht nuk u dëgjua asnjë zë reagimi për ne dhe për miqtë tanë…, nuk u dëgjua asnjë fjalëbutë a llaf solidarësie…, dhe, nëse nuk gënjejmë, atëherë ç’kuptim do të kishte kundërshtimi ynë dhe i të tjerëve si ne…, ndaj fatkeqësisë sate të sajuar (??). Besojmë se nuk jua kemi borxh shqetësimin, ne jemi të gatshëm po edhe kemi të drejtë për ta mbrojtur fjalën e lirë…, dhe jo ti, zotërote!?
Reagime paksa të ngjashme bëhen edhe nga njerëz që dikur bartnin poste politike nga më të ndryshmet dhe, kur mbetën pa to, filluan të ndërtojnë mendjemadhësinë dhe çallëmin e tyre prej daltonizmi dhe prej miopie politike…, politikanë të dështuar që padrejtësisht mëtuan të prekin sedrën tonë, sedrën e bujkut, të patriotit, mësuesit, shehërliut e fshatarit fisnik, akademikut dhe cilitdo qoftë prej nesh…, vetëm e vetëm pse nuk gjetën gjë të përbashkët me votuesit dhe me votën deliberative të tyre…, a me mendimin e tyre…, me fjalët e tyre të folura a të shkruara, fjalë që asnjëherë nuk shkuan në vesh të shurdhët…, fjalë që nuk patën takatin për t’ia ulur hundën dikujt…, politikanë që dikur njiheshin a ishin njësoj me atë lugën e sofrës së miletit dhe korrupsionit.., politikanë që në vend të opingave veshën “këpucë Stambolli”, politikanë të cilët kur kryepari i partisë i shporri jashtë, filluan t’ia shajnë fisin, filluan ta fishkëllejnë me gishta…, prej inatit se humbën pushtetin dhe postin prej ministri, deputeti e tjerë, padrejtësisht filluan t’ia tregojnë gishtin e mesëm të dorës së majtë, fillimisht kryeministrit Nikollë, mandej kryeparëve të partive politike shqiptare, siç janë Abduraman Aliti, Imer Imeri, Arben Xhaferri, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Sot të gjithë ata që sadopak kanë haber nga politika dhe historia e saj, me plotë të drejtë mund të thonë se të ndërrosh mendje, të ndërrosh bajrak partie, është një gjë humane dhe mbase emancipuese, por ama ta bësh atë pa e kthyer borxhin dhe ta bësh me aq shumë kollajllëk, po edhe për hir të mungesës së pushtetit a të një pozicioni të caktuar politik, hiç fare nuk është korrekte. Kosovarët thonë se ndejën a mexhlisin e prishin dy vetë, i mençuri që hesht dhe i marri a budallai që flet. Rebelët politikë të mbarë trevave shqiptare gjithmonë kishin mëtuar të vepronin në pajtim me thënien e filozofit Ukshin Hoti – “Bëje ose vdis”…, ca e bënë vetëm të parën, ca të tjerë vdiqën pa e bërë të parën dhe të tjerë mbetën gjallë pa i përmendur dot njeri. Këtë veprim e bënë për kushedi të satën herë dhe, çuditërisht, nuk vdiqën, por ama u bënë horë.
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 20
- Next Page »