Nga Fadil LUSHI/
Është e drejtë e gjithsecilit lexues të nderuar që ta lexojë si të dojë këtë opinion, por asnjeri nuk ka “të drejtë” ta vërë në dyshim a ta kontestojë origjinën e kryetitullit në fjalë (!?). Dhe kryetitulli i këtij vështrimi më “doli” nga një komunikim me një kolege timen, e cila, pos tjerash, më tha: “Sot unë do të iki më herët nga vendi i punës, do të shkoj në shkollë për të shikuar një shfaqje teatrore për fëmijë, ku im bir do të luajë rolin e një njeriu që është hem jabanxhi, hem mëkatar dhe hem harrestar”(!?). Se i kishte fjalët me tamam, hiç fare nuk dyshova. I dëgjova mirë dhe me vëmendje, por ama, pasi shkoi ajo, unë fillova të vras mendjen rreth stisje së këtyre fjalëve. Thashë me vete, a mund të zënë vend këto fjalë pranë njëra-tjetrës, a mund të “frymojnë” bashkë dhe, në fund, me këto nocione socio-psikologjike a mund të ndërtosh një gjysmëfjali dëftore (!?). Nuk ma kapi “fiqiri”, sepse të “përfshish” një fëmijë në një rol të tillë, është paksa joedukative, jodidaktike dhe mbase edhe johumane. Megjithatë nga ky rol i nxënësit kishin dalë shumë mesazhe, mesazhe këto që mund t’u hyjnë në punë njerëzve të angazhuar ta bëjnë punën me nder dhe me profesionalizëm.
Gjuhëtarët për JABANXHIUN do të thonë: Njeri që ka ardhur nga një vend tjetër e nuk e njeh ende mirë vendin ku ka ardhur, i ardhur, i huaj. Ishte jabanxhi …, për MËKATARIN do të japin këtë shpjegim: 1. Ai që ka bërë mëkat a që bën gjithnjë mëkate… Pendesa e mëkatarit. 2. Ai që ka shkelur një rregull a diçka të ndaluar, fajtor; ai që ka bërë një veprim të turpshëm a të dënueshëm…, ndërkaq për HARRESTARIN do të thonë: 1. Që harron shpejt, që nuk mban mend shumë. Plak harrestar. 2. përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit. Harrestar i madh.
Nëse “meseleja e nxënësit është tamam” dhe nëse shpjegimet që u bëhen nocioneve të sipërpërmendura janë të sakta, atëherë le të na lejohet qe të parashtrojmë një mal pyetjesh drejtuar “…, aktorëve të mëdhenj që sot e gjithë ditën e Perëndisë janë të paguar të luajnë role serioze në skenën e teatrit tonë kombëtar” (!?) si dhe njerëzve që ashtu “detyrimisht” shkojnë t’i shikojnë shfaqjet artistike që janë mbase shumë aktuale.
Ne do të përpiqemi që ky vështrim yni të mos na dalë si një hartim mature apo edhe si një togfjalësh përcaktues. Për këtë arsye nga ky vështrim gazete do t’i përjashtojmë fillimisht fjalët si, për shembull, “më tha”, “i thashë”, “i thamë”, “u thashë” e të tjera fjalë që janë pjesë të pandashme të thashethemeve tona, thashetheme që janë në fjalorin dhe në natyrën e njerëzve llafazanë dhe shpirtvegjël. Se a “do t’ua lagim a jo bishtin” “roleve” të njerëzve, kjo ka pak rëndësi, se këtë vështrim a do t’ia “varrim” në qafë “fajtorit apo edhe të pafajshmit”, kjo nuk na hynë në punë…, për ne është me rëndësi fakti që këtë mesele të nxënësit t’ia përshtatim një vakie ku kryepersonazh kishte qenë një nënë e plakë, e rraskapitur dhe e stërlodhur nga varfëria e skajshme. Kjo nënëloke, një ditë kishte vendosur të trokiste në derën e një “burokrati jabanxhi”(!?). Që në fillim e kishte “konceptuar dhe e kishte pandehur si një njeri shpëtimtar dhe shpresëdhënës”. Nuk kishte trokitur në derën e zyrës së tij për të kërkuar lëmoshë, po përkundrazi, nënëlokja i ishte drejtuar “jabanxhiut” me lutje për një vend pune për nipin e saj pa prindër(!?). Burokrati “…, që hiqej si kokëkrisur dhe që njihej për atë historinë e virgjërisë morale të familjes së tij, një familje e cila kishte qenë e përkëdhelura e çdo sistemi”(!?), pasi ia dëgjoi fjalët e ëmbla, të buta, të ngrohta dhe përkëdhelëse të nënëlokes, njëherë mbyll gojën, i ndërron syzet, mërgon shikimin mënjanë, përgjumet, merr çehre tjetër dhe pastaj e përçudnon edhe atë pak moral dhe humanizëm që i kishte mbetur në ndonjë xhep të grisur të ndërgjegjes(!?)… Shikimi i tij mënjanë sikur krijoi te nënëlokja përshtypjen se nga ky takim dhe kjo lutje e saj, nuk del gjë. Para se ta braktiste zyrën e burokratit, nënëlokja ia parashtron pyetjen: “Pa më thuaj, o biri im, a hanë bukë fëmijët e tu, pa më thuaj, o biri im, a nuk ke siklet kur vihesh në shërbim të të tjerëve për qëllime të pista e interesa meskine (?!?)…, pa më thuaj, o biri im, ku ishe ti kur unë nënëlokja gatuaja bukën për ata që kishin dalë të kërkojnë lirinë e vonuar të vatanit…, pa më thuaj, o biri im, ç’bëje ti kur unë, dhe të tjerët si unë, kërkonim ca gurë për varre të humbura…, ç’punë bëje ti, kur të tjerët kërkonin të vërtetën…, ç’punë bëje ti, kur shumë të rinj braktisnin vendin për të shkuar në kurbet ?!” (Ndërkaq, jabanxhiu, mëkatari e harrestari sikur donte t’i thoshte “…, unë luaja me gogla dhe, meqë kisha moshë beqari, u shkoja pas gocave të mëhallës…, isha i pashëm, por ama nuk më merrnin për djalë serioz” (!?) a gocat e mëhallës, ndoshta kishin pasur të drejtë).
Për pyetjet e para, nënëlokja nuk mori përgjigje, kurse pse nuk i mori, edhe ajo vetë nuk e kuptoi. Nënëlokja sikur donte të thoshte se këtë jabanxhi, mëkatar dhe harrestar nuk e shpëton dot as prifti, pavarësisht se a do të shkojë a jo të rrëfehet tek ai. (Ç’është e vërteta, rrëfyesi po edhe prifti janë të ndërgjegjshëm se larja e mëkateve është një perceptim i gabuar i radhës).
Duke e përfunduar këtë shkrim, thashë, do të ndërroj mendjen dhe qëndrimin ndaj njerëzve të cilët kishin vendosur që nxënësi të luante “rolin e jabanxhiut, mëkatarit dhe harrestarit”(!?)…, mbase kishin pasur të drejtë, sidomos tash kur jetojmë në kohën kur njerëz të papërgjegjshëm vendosin për fatet e njerëzve fukarenj, të demoralizuar dhe të çorientuar.
“Që të kullohet uji, turbulloje!”, dikur kishte thënë një burrë shteti. Ne nuk deshëm ta turbullojmë ujin…, sepse s’na mbajnë shpatullat (!?)
“HEJ, JU PUSHTETARË, MOS MA DENIGRONI ZANATIN!“
Nga Fadil LUSHI-Tetovë/
Fjala a nocioni “psikiatër” nuk i takon etimologjisë së gjuhës sonë standarde, por po ta kërkosh domethënien e saj shqip, atëherë të del se me të kuptohet: “Mjek i specializuar për mjekimin e sëmundjeve mendore…” Një specialist, për punë të tilla, dikur moti e kishin angazhuar në oborrin diktatorial të Enver Hoxhës. Meqenëse ai nuk i parapëlqente fjalët e huaja, këtë mjek e kishte quajtur si “trushtrydhës-i, by…zbutës, hajt të mos themi, ko…zbutës”(!?). Ata që i kishin shërbyer dhe që e njihnin për së afërmi “xhaxhin”, thonë se ai me kësi nofkash tallëse e kishte më lehtë ta perceptojë këtë njeri me privilegje paksa të veçanta. Edhe ne jemi “kundër” kësaj shprehjeje, jo pse nuk është jona, jo pse nuk ia “gjejmë fijen”, jo pse nuk ia “gjejmë kuptimin”, por pse nuk na hyn në punë.
Kur jemi te Enveri dhe bashkëkohanikët a edhe bashkëmendimtarët e tij, këtij paragrafi do t’ia “shtojmë” edhe një vaki që llafos mençurinë e një të riu gjirokastrit. Krerët e Partisë së Punës kishin vendosur që “prej këtij të riu” të “bëjnë një gazetar investigues” (edhe kjo shprehje nuk është jona) “tebdil” dhe njëkohësisht të merrte rolin e “hafijes”, diku nëpër ndejat a mexhliset e katundeve. Sipas “tyre”, detyra parësore e tij konsistonte në “zbulimin e vendeve nga ku ngjallen krimbat e gjirizeve imperialiste” (!?). Një ditë prej ditësh, ky “qerrata” në vend që të bënte “gazetarinë hulumtuese”, në një “mexhlis burrash”, duke qenë në siklet dhe në zor, i “kishte ikur” pordha dhe lëre që e kishte kundërmuar ndejën, por edhe “nuk ia kishte dëgjuar” zërin. Këtë nuk e kishte “bërë nga qejfi”, po thjesht e kishte bërë nga halli!? “I zoti i mexhlisit” aq shumë ishte sikletosur nga budallakia e këtij “haberdhënësi dhe lajmmbledhësi fjalësh që dalin nga goja gjysmë e mbyllur e miletit”, saqë ishte çakërdis nga mendtë dhe për këtë ia “kishte lëshuar ca qyfyre” (ofendime): “Ti do të ishe një çun i mirë, sikur të mos i përngjaje atij dylberi nga Stambolli dhe nga Kavaja…, ti, katundar do të mbetesh, o derëzi”. Çuditërisht, gjirokastriti nuk reagoi. Kjo ndejë kishte një “mangësi” – nuk ishte “sade mexhlis burrash”(!?). Në të ishin dukur edhe gra të kooperativës së fshatit dhe ca shërbyes me sjellje prej kalamani. Gratë, ulërinin dhe qeshnin, ndërkaq burrat kohë pas kohe zgërdhiheshin pa vend e pa shkak, duke shtrembëruar fytyrën e duke nxjerrë dhëmbët jashtë, ca prej të cilëve sikur ishin me “ngjyrë teneqeje”. Në këtë ndejë nuk merrej vesh se kush kujt i bënte “karshillëk”, nuk “diktohej mirëfilli” se kush kujt ia shante mamanë, nuk merrej vesh se kush kujt ia bënte me “isharete”, por ama se kush kujt i pëshpëriste në vesh, kush kujt ia bënte me sy, kush kujt ia “merrte masën e samarxhiut “ shihej “ashiqare”. Thonë se Enveri këtë gazetar asnjëherë nuk “e qortoi për pordhën dhe as që e akuzoi” për kallëzimet e tij të “rreme”, sepse në kohën e tij nuk kishte gazetarë që “përcillnin lajme të sajuara”…, aq më tepër kur dihet se në ato mote nuk ekzistonin mediume të selektuara, qofshin ato të shkruara a pamore. Ai në vend të qortimeve dhe akuzave, e dërgoi në Spaç, ndërkaq familjen ia syrgjynosi!?.
E gjithë kjo histori e “gazetarit gjirokastrit” na kujton fabulën e Ezopit ”Katundari dhe gomari”. Një katundar për çdo javë me gomarin e tij kishte bartur mallra nga fshati në shehër dhe anasjellas. Një ditë kishte vajtur në shehër për të blerë kripë. Dhe pasi e kishte ngarkuar gomarin e tij, kishte marrë udhën drejt katundit. Duke u kthyer, i del përpara një përroskë i vockël, por e rrëmbyeshme. Gomari, nga që kishte peshë të rëndë, pengohet dhe bie në një gropë me këmbët përpjetë. I zoti u mundua në çdo mënyrë dhe sa më shpejt ta çonte gomarin në këmbë, vetëm e vetëm që të mos i tretej kripa. Mirëpo gomari nuk po e bënte këtë gjë. Fatkeqësisht, kripa tashmë ishte tretur. Pasi mori fund ky telash, ata vazhduan rrugën për në katund. Gomari ecte shpejt dhe shumë i gëzuar nga shkaku se barra e tij u bë shumë më e lehtë. Fytyra e katundarit ishte e zymtë dhe e trishtuar, kurse mendja rrëmujë nga fakti se “biznesi” i qe bërë çorap. Një ditë një shehërli leshpunues e kishte porositur katundarin që, kur të vijë në shehër, t’i sjellë lesh. Katundari në sabah herët e ngarkon gomarin dhe merr udhën për në shehër. Gjatë rrugës, atyre prapë u doli përpara përroska. Gomarit, iu kujtua rrugëtimi paraprak dhe hë për hë i çoi këmbët vetë përpjetë, duke menduar se edhe kësaj radhe do t’i lehtësohet barra, por ama, leshi aq shumë thithi ujë sa që u bë plumb i rëndë. Për këtë, kur katundari u ndërgjegjësua se me këtë farë gomari (që nuk vihej dot binarëve) “biznesit” të tij nuk i dilte hesapi, u detyrua ta dërgojë në Pazar, ta shesë dhe të blejë një tjetër. Megjithatë nuk i eci zari, pasi që harroi se edhe tjetri “veshmadh” emrin e kishte gomar.
Para se ne të diskutojmë për veprimtarinë publicistike të gazetave dhe revistave të Ballkanit, nëse na lejohet, do t’i referohemi një mendimi të Jerry Horst-it, përndryshe ish-sekretar shtypi i presidentit Gerald Ford dhe njëherit një prej ikonave të medies amerikane, i cili dikur moti, pos të tjerash, kishte thënë: “Një shtyp që hiqet si i pavarur nuk ka asnjë detyrim të mbrojë politikën e shtetit dhe pushtetarët, siç nuk ka edhe asnjë detyrim që të ngurrojë kur vjen rasti për ta mbrojtur atë”. Ky mendim sot e kësaj dite frymon në shtetet që njihen dhe shquhen me demokraci mediatike…, andaj mediet e tyre të shkruara a edhe ato elektronike me plot të drejtë do të konsiderohen si “pushteti i katërt, pas legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit”. Ndonëse kjo thënie e Horstit është shumë humane dhe mbase edhe emancipuese, nuk do të thotë se me çdo kusht duhet të “frymojë” në shtetet ku mediet janë të kontrolluara dhe të varura nga pushteti dhe pushtetarët. Ç’është e vërteta, gazetarët, opinionistët dhe editorialistët që marrin guximin të shkruajnë kundër pushtetit po edhe që nuk shkojnë në një vijë me qëndrimet e politikës aktuale, përgjithmonë ngelin “hyzmeqarë pa dinjitet”, pa emër dhe pa bukën e kalamajve të tyre. Së fundi ata “detyrohen” që “lirinë e tyre të shprehjes ta shndërrojnë në liri të gënjeshtrës”(!?) siç me të drejtë kishte thënë Giovani Sartori në një vështrim të tij. Diku në një rrugë të Tiranës, një gazetar shakaxhi kishte dalë në protestë me një pankartë, ku kishte shkruar një parullë paksa komike: “Dua të më blini një kasolle për lopën time”(!?). Se çfarë ishte ajo “lopë”, askush nuk e mori vesh, por një është e vërtetë, në kryeqendrën e shqiptarëve nuk ka lopë, nëse “pankartisti” nuk ka aluduar te zonjusha me taka të larta!? Se “cili budalla e kishte blerë gomarin e Ezopit, se ç’ndodhi me trushtrydhësin e Hoxhës, se ç’ndodhi me gjirokastritin dhe me gazetarin që kërkonte një kasolle për…,” asnjëherë nuk u dhanë prova. Ne që bëjmë përpjekje të shkruajmë diç për lexuesin e nderuar, kemi një provë: ”Demokraci pa liri të shprehjes dhe pa media të lira nuk ka” dhe as që do të ketë ndonjëherë. Ku ta dimë!
“NJERËZ“ TË URITUR PËR PUSHTET!?
Nga Fadil LUSHI/
Vite me radhë në gazetat tona të përditshme opinionistët “hedhin” shpesh pikëpamje a vështrime që llafosin a lakojnë vaki të ndryshme. Kur t’i lexosh mes rreshtash, të krijojnë përshtypjen kinse janë shkruar me stilin e mendimtarit të madh shqiptar, gjegjësisht “me atë fjalorin cinik dhe mosbesues konician”(!?). Disa prej tyre me kësi “shkarravinash” mëtojnë ashtu padrejtësisht të vihen në nivelin intelektual të Faikut, madje edhe kur janë të ndërgjegjshëm për pamundësinë, ata bëjnë përpjekje, pa marrë parasysh kaçikun e vet, që në shkrimet e tyre të përçojnë mesazhe ashtu “identike” si të Konicës. Disa prej këtyre shkrimeve “thuren” me qëllim që të na “çarmatosin” nga ai “tarafllëk” yni (politik) kolektiv, disa sikur duan ashtu me “zor” ta ushqejnë e ta mbajnë gjallë atë kujtesën tonë pamore dhe dëgjimore edhe ashtu të brishtë…, ka edhe shkrime të tilla që kanë në “shënjestër” “kotësitë dhe iluzionet” tona të trashëguara…, pastaj ka shkrime, opinione a vështrime që ndjellin pesimizëm, që ndjellin trishtime, që ndjellin mërzi dhe gjumë…, ka vështrime që asnjëherë nuk shkojnë përtej “veshit të shurdhër të lexuesit, sidomos të atij që i ka punët në “terezi”, shkrime që nuk shkojnë në vesh të “miletit” e aq më pak në vesh të lexuesit serioz…, ka edhe të tilla vështrime a opinione që janë pa “bojë”, ca të tjera të stisura a të sajuara me atë gjuhën e zymtë e të zbehtë dhe me “zërin e ftohtë”. Marrë në përgjithësi, këto vështrime ta rikujtojnë atë punën e mëllenjës me ngjyrë të bardhë, e cila kur s’ka “për të bërë punë tjetër”, vend e pa vend e lëshon glasën dhe mandej shkel mbi të. Ndërtohen edhe opinione të mirëfillta, të cilat kanë për kryefjalë njerëzit me dilema nga më të ndryshmet, me dilema në identitet, me “dilema gjinore”, me “dilema hamletiane”, me dilema politike etj., ndërkaq opinionet që “hartohen” aty për aty, kanë kryetemë “urrejtjen e argatëve injorantë të politikës ditore”, si dhe “kryeplakun dhe klerin e fshatit të harruar“, të cilëve dikur moti, në burgjet famëkeqe, ua kishin hequr ca dërrasa(!?).
Neve nuk na “takon të dimë” se çka ndodh me shkrimet që u ka “dalë kallaji”, neve nuk na intereson fakti se pse ato editoriale “duhej të dalin domosdoshmërisht” nga sirtarët e partive politike a edhe të pushtetarëve, neve nuk na “duhet të dimë” se nga dalin analizat dhe vështrimet, sidomos ato të cilat vakitë dhe meseletë i shtrembërojnë deri në atë “derexhe”, saqë “ta çojnë pordhën në zemër(!?)”, ta kallin neverinë dhe të detyrojnë të dyshosh në moralin e atij “shkarravitësi”, i cili asnjëherë nuk mban përgjegjësi për atë që shkruan. Tekefundit, opinionet, analizat, vështrimet, editorialet etj. përherë kanë qenë pjellë e politikës ditore respektivisht asaj aktuale…, të asaj politike që ka ngatërruar drejtimin, asaj politike grabitqare, e politikës së grushtit të hekurt…, e politikës së kulaçit dhe të kërbaçit që bëhet herë me premtime të bukura herë me kërcënime!?…, të ca politikanëve “axhami” që “sundojnë” këtu në nënqiellin e Gadishullit Ilirik dhe përreth tij, opinione që dalin nga mexhlise provinciale ku kryefjala a kryeshtylla e tyre është politikë mëhallësh, politikë “kalamajsh”, politikë çajtoresh katundi e të tjera, politikë e dalë nga njerëz provincialistë të cilët në të “u futën pa ftesë e pa leje”, pa merita, pa përgatitje paraprake e pa taban…, njerëz që morën vendin e njerëzve të merituar, njerëzve të cilëve ashtu padrejtësisht iu nëpërkëmb dinjiteti, njerëzve që iu nëpërkëmb trashëgimia familjare, njerëzve që iu nëpërkëmb e drejta e të qenit i barabartë me të tjerët e tillë si ata…, njerëz që iu nëpërkëmb e drejta e të menduarit ndryshe…, njeriun që e mallkuan me atë thënien e poshtër dhe johuman: “të rëntë damllaja e të vdektë plaka(!?)”…, njeriun, të cilit dikur i kishin thënë, “mblidh mendjen a fiqirin dhe ik nga këtu dhe mos na e prish rehatinë…, nëse nuk e bën këtë, atëherë do të duhet të heqësh dorë nga nacionalizmi yt i fëlliqur, do të braktisësh vendin a vatanin, ose do të ndërrosh mbiemrin që ka lënë nishan në jetën e familjes dhe të fisit për të keq”(!?).
Që ky vështrim yni të mos futet në “strajcën e shkrimeve të sajuara”, do bëjmë çmos që në fillim ta pezullojmë “tarafllëkun” tonë, gjegjësisht do të përjashtojmë çdo anim qoftë dedikuar opozitës a pushtetarëve. Ne në vijim të këtij vështrimi do të shkruajmë vetëm për atë që po ndodh këtejpari në “kazinotë politike” të Gadishullit Ilirik, qoftë në Tiranë, në Prishtinë a në Shkup. Ajo ç’po ndodh me “zaret politike” në Tiranë, çuditërisht do të bëjë vaki edhe në dy qendrat e tjera shqiptare. E përbashkëta e tyre është e lidhur ngushtë me grumbullimin e aktivistëve të partive politike opozitare. Se ato do t’i “emërtosh” si manifestime paqësore e dinjitoze, se do t’i quash mitingje apo tubime, është çështje e “shijes së fjalorit politik të gjithsecilit”(!?). Një gjë është e vërtetë, ato tubime, mitingje pothuaj edhe manifestime, në instancë të fundit, mbeten vetëm “blof-mitingje, blof-tubime apo edhe makijaveliste”, ku opozita “e përgjumur” politike me atë “komunikimin e saj ungjillor” kërkon me çdo kusht “shporrjen e pushtetit aktual dhe bashkë me të edhe shkuljen dhe sikterisjen e së keqes së trashur”…, “sikterisjen” e politikanëve të cilët për “një çerekshekull, lëre që nuk bënë gjë tjetër, por edhe shkatërruan e grabitën gjithçka që ishte ndërtuar e ngritur prej djersës së popullit…,”, politikanë që për një çerekshekull premtuan, gënjyen dhe u tallën me votën deliberative të votuesit, politikanë të cilët për një çerekshekull ishin shitës të përrallave politike, të përrallave për fëmijë, politikanë të cilët për një çerekshekull ishin dëshmitarë të heshtur të korrupsionit, politikanë të cilët për një çerekshekull “aminuan” punët e pista të aparatit shtetëror të korruptuar, politikanë të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë mëtojnë me çdo kusht ta (ri)marrin pushtetin (e ko-rruptuar) dhe po këta politikanë “çuditërisht harrojnë”(!?) ta pranojnë të vërtetën se vetë ata ishin krijues “të së keqes të trashur”.
Sot, të heshtësh a të mos heshtësh, kjo (s)është çështja, të shkruash a të mos shkruash me a pa “tamam”, askujt nuk i plas fare, të ulërish a të mos ulërish, është njësoj sikur ta pranosh atë hilen a zullumin që ta kanë bërë, të dërdëllisësh a të mos dërdëllisësh, nuk çon peshë, sepse asnjeri nuk të dëgjon dhe mbase edhe nuk ta fut…, paçka se ne ndërtuam një shkrim a vështrim me moral të dyfishtë, kur kjo askujt nuk i hyn në punë, sidomos sot kur gjithsecili prej nesh është “dalldisur me dertet e veta”. Paragrafi i fundit i kësaj “shkarra-vine” ma kujtoj atë çudinë e mbretëreshës së Danimarkës, njëqind vjet më parë, kur i kishin thënë se njerëzia (populli) kishte dalë në demonstratë dhe kërkonte bukë, ishte përgjigjur e habitur: “Duan bukë!? Po pse nuk hanë biskota”(?!). Se kryeministri Isë (në Prishtinë), se kryeministri Nikollë (në Shkup) dhe se kryeparlametari Ilir (në Tiranë) ç’u thanë protestuesve, unë nuk dua të paragjykoj…, dhe se cili ishte morali i mesazhit të shkrimit tonë, as që e mora vesh(!?). Mua më mbetet që njëherë e përgjithmonë “ta braktis” të vërtetën lakuriqe. Dikur moti, im at më thoshte: “Bajgës hidhi sheqer sa të duash, ajo bajgë do të ngelet”.
“IK O QAR, SE KAM ZARAR!?”
Shkruan:Fadil LUSHI*/
Thonë se “modestia është virtyt për aq kohë sa njeriu nuk e proklamon si të tillë”. Ngandonjëherë modestia e tepruar lëre që kalon në banalitet, por edhe keqpërdoret, saqë edhe “di të ta hajë kokën”, të të bëjë budalla a të marrë dhe, në instancë të fundit, shpesh “di edhe të të bëjë njeri pa sherr”. Ç’është e vërteta, disa ditë më parë ca njerëz “vdekatarë”, që hiqen më të ditur se ne e që nuk duan të dinë për modestinë, me a pa qëllim për pak sa nuk “na i hoqën kokat”. Mësuesit korçarë e kanë shumë për qejf ta lakojnë atë proverbin e vjetër shqiptar, ku thuhet se më mirë është të kesh një armik të mençur, sesa një mik budalla a bastard. Kështu, disa ditë më parë, armiku im që është më i mençur se unë, më parashtroi disa pyetje lakonike rreth 7 Marsit. Pyetja e tij e parë ishte: “Deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që hodhën farën e dijes, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që ndërtuan atë kështjellën e pamposhtur të shkollës suaj…, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni me pietet dishepujt dhe shërbëtorët e popullit dhe vatanit tuaj…, deri kur ju shqiptarët myslimanë dhe bektashinj do ta rikujtoni Pandeli Sotirin, atë ortodoksin nga Korça i cili e humanizoi shkollën e parë në gjuhën shqipe, deri kur ju shqiptarët katolikë dhe ortodoksë do t’i rikujtoni vëllezërit nga Frashri i Përmetit, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni rilindësit tuaj dhe të tjerë të tillë si ata”. Ia ktheva se ne shqiptarët myslimanë do ta kujtojmë Pandeliun ortodoks nga Korça për aq kohë sa do të ekzistojnë shqiptarët, do ta rikujtojmë e do ta nderojmë për aq kohë sa do të frymojë harmonia fetare ndër shqiptarë, do ta nderojmë për aq kohë sa do të jetojë ajo shprehja filozofike dhe unike e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!” Ndonëse pyetjet e armikut tim të mençur ishin lakonike, në esencë mbeten altruiste, emancipuese dhe humaniste…, në krahasim me “mikun tim që është më budalla” se unë, i cili në vigjilje të çdo manifestimi kulturor kushtuar datave të shenjta të shqiptarëve, nuk heziton të më parashtrojë pyetje idiotike, duke më thënë: “Deri kur ti dhe të tjerët të tillë si ti do na bezdisni me këto “telenovela” për 7 marsin, 22 nëntorin, 28 nëntorin e të tjera data të sajuara(!?)”… Nuk ia ktheva përgjigjen, jo se më mungonte, por pse nuk desha ta “trash muhabetin“, që mbase edhe nuk ishte kushedi se çfarë “muhabeti”. Vendosa të hesht duke shpresuar se një ditë do të marr atë lajm që llafos konvertimin e tij nga shqiptari në sllav a në kaur…, nga gjysmë shqiptari në lesh arapi…, nga njeriu në viç provincialisti (!?).
Këtë vështrim nuk e kemi ndërmend t’ia dedikojmë armikut tonë të mençur, aq më pak “mikut tonë bastard”, këtë të fundit do e heqim mënjanë, sepse nëse ky do të zinte vend në këtë opinion, atëherë nga kjo do të dilte pilaf me kos dhe tarator për rakixhinjtë. Para se të vazhdojmë ndërtimin e opinionit në fjalë, do t’i referohemi një paragrafi të Faik Konicës, i cili në revistën e tij mujore “Albania” (që botohej në Bruksel), më 15 shtator të motit 1901, një të riut i kishte shkruar a kishte përcjellë ca këshilla pasonjëse…, në lidhje me një gazetë shqip që asokohe duhej të botohet në Misir (Egjipt). (Ne që shkruajmë këtë opinion, duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se s’është korrekte hiç fare që shkrimin ta “ushqejmë” me mendime të huaja, në rastin tonë me ato të Faik Konicës). Meqenëse, edhe sot e kësaj dite të Perëndisë, ajo thënia e tij mbetet aktuale dhe pse jo edhe unikale, një thënie që reflekton gjithë filozofinë e inatit homerik ndër shqiptarët, një inat që ka zënë vend në përditshmërinë e tyre, andaj edhe përkundër rregullave të gazetarisë “besojmë se do të na lejohet” ta parafrazojmë pikë për pikë.
“I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë. Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi”…
Disa ditë më parë, unë dhe disa miq të mi, nuk deshëm të “… bëjmë gazetë me fletë të mëdha, as me fletë të vogla, as me letra të holla e as të trasha…, as shkrojtëm toskërisht e as gegnisht…, nuk shkrojtëm as për politikën e as për Padishahun, as për Vezirin e as për Turqinë…, nuk shkrojtëm e nuk shajtëm shqiptarët muhamedanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj…,” ne nuk deshëm të themi se ky manifestim dedikuar mësuesit është më i miri…, këtë ua lamë ta vlerësojnë dashamirësit e shkollës shqipe…, përkundrazi organizuam akademi solemne kushtuar ditës më të shenjtë të shqiptarëve, 7 Marsit, gjegjësisht Ditës së Mësuesit…, atë akademi nuk ua kushtuam as politikanëve e as akademikëve, as ministrave, as biznesmenëve, as megalomanëve, as sherrxhinjve, as “mikut tonë” bastard, as njerëzve që mendja u është bërë “havale”, as njerëzve me paragjykime, thjeshtë (e bëmë aq sa mundëm) deshëm t’ia dedikojmë… mësuesit të vërtetë…, atij mësuesi i cili asnjëherë “nuk kërkoi asgjë në këmbim…,” atij mësuesi me shëndet të brishtë, atij mësuesi me një mal dashurie të çiltër për nxënësit të tij…, atij humanisti që është familjarizuar me gjithsecilin prej nesh…, atij iluministi dhe mallit të tij. Ua dedikuam “të gjithë mësuesve të vërtetë…, atyre heronjve të heshtur të dashurisë sonë fëmijërore, udhërrëfyesve të jetës sonë, bartësve të filozofisë së jetës, Mësuesit”, siç do të thotë Lindita Nikolla. Me gjithë sakrificat, me gjithë mundin që dhamë për këtë akademi solemne…, ca njerëzve e gjithë kjo nuk u pëlqeu fare, sidomos atyre që kërkojnë ta gjejnë gjilpërën në thesin me kashtë!? Ngandonjëherë të marrit nuk i duhet koka…, po mbase herë-herë edhe të mençurit nuk i duhet kryet, sepse do ta “përdorë si lavatriçe të vetëlavdërimit dhe mendjemadhësisë së tij”(!?). Modestia e tepruar dhe ajo përulja jo e merituar ndaj njerëzve të paragjykuar, mund të të sjellë “telashe”, sidomos me njerëzit me të cilët nuk ke gjë të përbashkët. Andaj, është mirë të jesh modest, por ama, gjithsesi “me karar dhe pa zarar” Sa shumë kishte pasur të drejtë Konica kur ia kishte përcjellë ato këshilla pasonjëse atij të riut që mëtonte të botonte një gazetë.
*Bashkepunetor i Diellin-Tetove
“TRIMËRIA“ E ARUSHËS DHE “FRIKA” E LEPURUSHIT!?
“Mjerë ti, o Shqipëri, mjerë ti, o vendi im, mjerë ti o vendi tënd, një i çmendur po çmend një vend”, tha Dritëroi i Agollëve./
NGA Fadil LUSHI/
Të nderuar miq, do të bëjmë përpjekje që këtë vështrim tonin të radhës ta shkruajmë me atë “stilin” e Edmond Tupjes, i cili në rrethet intelektuale shqiptare njihet me shkrimet e tij paksa erotike. Duke pasur parasysh faktin se krypersonazhet që do të zënë vend në këtë “opinion” gazete mund të identifikohen me ata të “botës shtazore” të Ballkanit të trazuar, ne detyrohemi që pjesën më të madhe të opinionit ta vëmë në thonjëza, jo pse “mund” të paragjykohemi si plagjiator a edhe si “huazues i drejtpërdrejtë mendimesh të huaja”, por sepse nuk duam të ndërtojmë paralelizma (jo) të natyrshëm, paralelizma të figurshëm, po edhe të kotë. Specialistët e gazetarisë hulumtuese shpesh lakmojnë që në editorialet e tyre kohë pas kohe të lakojnë batuta. Një prej tyre ne do ta parashtrojmë në vijim.
“Prej shumë kohësh, Lepurushi çapkën kishte vizituar shpellën e Arushës (!?) Gjithë këto vizita i kishte bërë kur kishte munguar ajo, pra nikoqirja e shpellës! Sa herë që kishte ardhur aty, aq herë i kishte ngucë këlyshët dhe poaq herë u kishte sugjeruar që të mos i tregojnë Arushës, për shqetësimet që ua krijonte. Këlyshët një ditë aq shumë ishin ndier të ofenduar nga sharjet e Lepurushit, saqë kishin vendosur që t’i lakojnë fjalët ofenduese të tij, i cili, pos të tjerash, u kishte thënë se ai herëdo-kurdo do t’ua q… mamanë (!??). Dhe kur Arusha u kthye nga gjezdisja nëpër Evropë, këlyshët ia përcollën haberin. Atëherë Arusha vendosi të fshihej aty brenda në shpellë. Pas një kohe, u duk atypari Lepurushi dhe, me të parë Arushën, filloi të ikte dhe u fut në zabel. Meqenëse Arusha po i afrohej, Lepurushi u hodh të kapërcente një dru me çatall… Edhe Arusha në vrap e sipër deshi të dilte matanë drurit të bigëzuar… Por, për fatin e saj të keq, u mbërthye brenda bigës dhe mbeti pezull. I dolën punët çatall!? Ajo provoi të çlirohet duke lëvizur herë para, herë pas, herë majtas, herë djathtas, herë në qendër dhe herë poshtë e herë lart. Të gjitha këto përpjekje i shkuan huq!? Ajo mbeti e shtanguar. Lepurushi i lodhur, fillimisht mori frymë thellë, kurse pastaj i doli pas, ia çoi bishtin dhe ia futi Arushës duke bërbëlitur: A kam thënë se do ta fus(!??)” Se “ç’futje” ishte, atë e dinte vetëm Arusha…, por ama Lepurushit, pas shumë kohësh i dolën telashe me organin gjenital…, kishte probleme me urinimin!?
Kur “banorët e zabelit” dëgjuan këtë lajm (që kishte marrë havanë), i sugjeruan Arushës që sa më shpejt të lirohet nga pesha a ndjenja e të qenit e para e “shpellave” të mëhallës së Gadishullit Ilirik… Ca të tjerë propozuan që Arushës t’i hiqet a t’i pezullohet ai mentaliteti i zaptimit të “shpellave” që asnjëherë nuk kanë qenë në pronësi të saj…, sidomos ato “shpella” që nuk i duheshin dhe që nuk i hynin në punë.
Edhe Lepurushi nuk u la mënjanë. Ai u “akuzua” për veprimet e tij a për do gjëra që ishin të pahijshme dhe të ndaluara, pavarësisht se ai kërkonte më shumë të drejta “karshi” mbrojtjes së dinjitetit të tij…, pavarësisht se ai në këtë “ngatërresë” nuk u fut për qejfin e tij, por për inatin e të gjithë “banorëve të zabelit të dendur”…, pavarësisht se donte t’i “bindte” se nuk është më ai frikacaku i madh…, pavarësisht se i thoshin se ishte një i pastrehë, pavarësisht se i thoshin se duhej të preste edhe shumë kohë për të qenë edhe ai i moshës madhore (!?)…, pavarësisht se ai kishte nevojë që ta shpërqendronte vëmendjen e të gjithë armiqve të tij, sidomos të atyre që padrejtësisht nuk e hesaponin a nuk e përfillnin si të tillë…, pavarësisht se në vijimësi kërkonte që t’i hiqet atributi i të voglit dhe frikacakut. Edhe përtej “kërkesave” të tij, në një ditë të vjeshtës së dytë, “kapadainjtë e zabelit” ashtu padrejtësisht vendosën që ta përjashtonin Lepurushin nga “zabeli”, me arsyetimin se nuk i respektonte “parimet a rregullat” e moralit kolektiv. Së fundi, ia kishin ngjitur atë epitetin goxha denigrues: “pederast i fëlliqur apo byth…(!?)”.
Të gjithë ata që e njohin mirë “prapavijën” e historisë së kësaj barsolete, sot do të thonë me plot gojën se koha e të fortëve dhe “kontrabandistëve të zabelit” ka marrë fund, se ora e “çallëmit”, po edhe ajo ndjenja e të qenit i madh (të Arushës), ka përfunduar që nga momenti kur u “çnderua” nga ana e Lepurushit. Njohësit e historisë së kësaj meseleje do vazhdojnë të thonë se Arusha me trup “shpellari”, hiç fare nuk “sëkëlldisej” me vakinë, sa “sikletosej” me faktin se Lepurushi, ndoshta një ditë do ta shpërndante gjithandej këtë “lajm”.
Ne që kur filluam ta ndërtojmë këtë shkrim deshëm të përjashtojmë çdo paralelizëm të figurshëm a të kotë, sepse ngandonjëherë paralelizmat e tilla mund të nxjerrin “telashe të panevojshme”…, sepse ngandonjëherë edhe mund të keqkuptohen. Për këtë arsye ne nuk e kemi ndërmend që këtë barsoletë ta lakojmë verbazi, nuk e kemi ndërmend që nga kjo të nxjerrim mendime përgjithësuese të paqëndrueshme. Se a do jenë me “tamam” a jo mesazhet që dolën nga ky shkrim, mbetet për ta parë e për ta dëgjuar(!?). Se kush u identifikua me “Arushën” e kush me “Lepurushin” në këtë vështrim, unë asnjëherë nuk e mësova, po as që e kam ndërmend ta mësoj(!?). Për këtë arsye unë do ta përfundoj këtë shkrim për faktin që “ punët mos të më dalin çatall “…, nuk dua që “mendja të më ik për lesh”…, nuk dua që plagës sime t’ia vë gishtin apo t’i hedh kripë…, nuk dua që të “mbytem në një pikë ujë deti!?”…, nuk dua që të jem pjesë e këtij “muhabeti a t’i shkoj pas kësaj barsolete”…, nuk dua ta di se “kush kujt ia futi: shteti miletit a mileti…”… nuk dua, sepse nuk i duroj dot thashethemet dhe ato rrëmuja me potere e shamata…, mbase, në instancë të fundit, në këto kohë pa kohë politike nuk i dihet se çka mund të të bëjë vaki. Ndoshta, “sehirxhinjtë dhe hazërxhinjtë”, dikur kishin “pasur të drejtë kur kishin mbyllur gojën!?”.
P.S. “Mjerë ti, o Shqipëri, mjerë ti, o vendi im, mjerë ti o vendi tënd, një i çmendur po çmend një vend”, tha Dritëroi i Agollëve.
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- …
- 20
- Next Page »