Nga Fadil LUSHI/
Temat e shkrimeve zakonisht i zgjedh vetë dhe jo me “sugjerime a me porosi”. Tema e vështrimit në vijim më “doli” nga një vizitë që kohë më parë ia bëra motrës, diku pranë Dardaneleve. Ishte një takim me “sebep” të caktuar. Detyrimisht duhej të merrja pjesë në një ceremoni të përmortshme diku në varrezat e një lagjeje të Stambollit (Erenkoy), aty ku prehen eshtrat e Shemsettin beut, gjegjësisht Samiut nga Frashri i Përmetit. Për këtë arsye në një agshol të “vonuar” vendosa, ashtu pa qejf, të marr udhë për në “vatanin e dytë” të fisit tim dhe shumë fiseve të tjera shqiptare. Ishte një agshol i zymtë dhe pa “dritë”. Unë dhe ca bashkudhëtarë të mi, sikur donim që ky “sabah” të ishte paksa më ndryshe…, më human, më i ngrohtë, më i…, por ja, natyra jo gjithmonë është në “harmoni a në përputhje” me vullnetin dhe dëshirat e njeriut!?
Në atë funeral disi zyrtar, më ra rasti të takoj shumë njerëz. Ishin shqiptarë, shumë më të mençur dhe shumë më të moshuar se unë. Njëri prej tyre më parashtroi pyetjen se a e njoh, kurse unë ia ktheva se jo. Nga ta njihja… Ai pastaj më tha: “Nuk më njeh se gjatë kohë isha në burgun e… A e keni shtëpinë që ia shita babait tuaj diku në vitet e gjashtëdhjeta…” Po, i thashë, po edhe sot e gjithë ditën e Perëndisë e “mbajmë me qira dhe pa tapi”(!?).
Njerëzit që i takova të gjithë ishin me gjak shqiptari, kush më i moshuar, kush më i ri, kush me flokë të bardha, ca me “bastunin” në dorë, kush me shikime të humbura, me vështrime të thella, ca prej tyre mbamendjet u ishin shndërruar në robinja të së kaluarës, të asaj të kaluare që nuk shpjegohet as me gojë, nuk lakohet as me laps dhe nuk ndihet as me…, në sytë e tyre nuk kishte lot…, kishte vetëm kujtime të shpërndara gjithandej…, sikur ishin të vendosura në “hapësirat e shpellave nënujore”, aty ku futesh e nuk del dot asnjëherë…, kush me kujtime të paharruara, me kujtime të fëmijërisë…, ca të tjerë tundnin tespihet dhe sikur donin t’i numëronin motet e tyre të “humbura”. Ishin njerëz të dashur, të “qeshur”, të ndershëm, të maturuar, të gojës…, njerëz me taban. Se të gjithë ishin shqiptarë, i njoha nga faqkat dhe nga rrudhat e ballit, rrudha që janë karakteristike për shqiptarët, rrudha që numërojnë mote, rrudha që shpjegojnë agsholet e “vonuara të orientit”, rrudha që lakojnë një të kaluar të rraskapitur, rrudha që shpjegojnë “derte”, rrudha balli që “hiqen” si dëshmitare pamore e dëgjimore të meselesë së shpërnguljeve të pavullnetshme, të psherëtimave…, rrudha që shpjegojnë të kaluarat e breznive. Të gjithë i takonin një race…
Pa hezitim takohen me mua, pas gjashtë dekadash…, të gjithë llafosin me atë të folmen fisnore, me atë dialektin e kulluar, por të “mallkuar deri në palcë”, një dialekt i arratisur nga brezni të tëra, një dialekt gegë i “arrestuar a që është kapur dhe që mbahet në rojë të Grykës së Bosforit”, një dialekt që jeton me të kaluarën në tokë të huaj…, një dialekt që i bën sfidë harresës së tyre kolektive. Kur i dëgjoja se si flisnin më krijohej përshtypja se më shumë dominonin emocionet, sesa logjika. Ata flisnin herë shqip e herë turqisht, herë me “isharete e herë me temsile”, herë me… Ishte një bisedë e mbarë…, pavarësisht se ngatërronte shikimet, një bisedë që ngatërronte mendimet, një bisedë që pështjellonte kujtesat e njëri-tjetrit, një bisedë që nuk kishte fund.
Kësaj bisede iu “bashkëngjit” edhe varrmihësi. Ky varrmihësi më dukej sikur qëllimisht më sillej vërdallë, sikur donte “të më merrte në nishan të lopatës së tij(!?)”(se ç’më kishte fiksuar nuk e kuptova dot), sikur qëllimet i kishte “vrastare”, sikur donte të më thoshte: “ti duhet të jesh arnavut“, si-kur donte të thoshte: “më jep ca lekë dhe unë të gjej një vend në xhehnetin tonë otoman”. Nuk i “besova”, sepse sipas etimologjisë a drejtshqiptimit të gjuhës së tij, fjala “xhehnet” nga fjala “xhehnem” dallon vetëm me një shkronjë. Nuk “desha ta paragjykoj”. Në vend se ta pyesja se ç’kishte me mua, e “sikterisa” me dialektin e tij anadollak…, duke i thënë: Shporru nga unë dhe nga hija ime prej shqiptari… Por ai ma ktheu: “Para se të shporrem, më duhet të të tregoj se përballë e ke varrin e Shemsettinit (Samiut) nga Frashri. Të takon t’ia thuash një dua…, sepse ka shumë kohë që nuk është dukur shqiptar të përulet pranë lapidarit të tij, atij lapidari shkronjat e të cilit tashmë kanë filluar të zbehen, ashtu siç kanë filluar të zbehen kujtimet ndaj tij dhe të tjerëve të tillë si ai!?” Duke bërë duanë kushtuar Samiut, më shkoi mendja te poezia Anës lumenjve të shkruar nga Fan Noli: “Arratisur, syrgjynosur, /Rraskapitur dhe katosur, /Po vajtonj pa funt, pa shpresë, /Anës Elbë-s, anës Spree-së. /Ku e lam’ e ku na mbeti, /Vaj-vatani e mjer mileti, /Anës detit i palarë, /Anës dritës i paparë, /Pranë sofrës i pangrënë, /Pranë dijes i panxënë, /Lakuriq dhe i dregosur, /Trup e shpirt i sakatosur.” Duke përfunduar lutjet, pash një njeri duke hedhur një grusht dhe mbi varrin e shqiptarit të sapovarrosur, edhe ai quhej Shemsettin…, edhe ai grusht dhe u “tret a u shkri” mbi dheun e Orientit…, ishte tokë vatani…, dhe përveç që pash njeriun, ia dëgjova edhe atë fjalinë me dënesë: “Mëmëdhe të kam ndjerë, s’të kuptova asnjëherë”!
Para se të ndahesha nga bashkatdhetarët e mi, më shkoi mendja te disa burokratë të shtetit ku jetoj, në veçanti tek ata që merren me demografi, respektivisht me studime statistikore (të përbërjes së popullsisë shqiptare). A mos vallë në ata numra nuk janë “bërë hesap” edhe shqiptarët që i përmendëm më lartë…, apo janë shtrembëruar dhe abuzuar kokë e krye nën ndikimin e politikës shoviniste.
P.S. Motra ime (Nermineja), ajo fatkeqja e gjeneratës së saj, kësaj radhe “nuk më përcolli”…, me shpresën se prapë do ta vizitoj…
NJË DINJITET I “SAKATOSUR“ DHE I VRARË!?
Nga Fadil LUSHI/
Para se ta hidhja në letër kryetitullin e këtij vështrimi, fillimisht ia shpjegova një “mikut” tonë. U bëra “pishman” pse ia ftillova, sepse kjo gjë nuk do t’i hynte në punë. Ky “miku” ynë nuk është “dosido njeri”. Ka kohë që ka një “hall të madh”(!?) dhe ky hall lidhet me vit-lindjen e tij. Sa herë që feston ditëlindjen nuk i “dalin hesapet” hiç fare, jo se nuk di të “hesapojë”, por pse nuk e pranon të vërtetën. Sipas kalendarit të ri, gjegjësisht atij gregorian, ditëlindja e tij është e lidhur ngushtë me muajin shkurt të vitit të brishtë. Pos këtij “halli”, ka edhe shumë të tjera të tilla. Ç’është e vërteta, ky ka shumë kohë që nuk “merret me politikë”, por ata që e kanë inat thonë të kundërtën, se “politika ka filluar të merret me të”. Njerëzit që përreth tij e konceptojnë si një “plakush me fiqir të trashë”, një “plakush” që shëndeti ka filluar t’i “rrëshqasë nën këmbët e tij”…, një “plak” që ka filluar t’i “rrëfehet” gjithsecilit. Një ditë kishte vendosur që të më rrëfehet edhe mua (sikur unë “isha një prift i krishterë dhe sikur nuk kisha haber për bëmat e tij” !?)…, për mëkatet që (nuk) i kishte bërë. Ende pa filluar të pranonte të “fshehtat” e veta, më tha ashtu me “shumë zotnillëk e dinjitet”: “Para se të më dëgjosh me vëmendje…, të lus mos m’i numëro vitet, mos m’i numëro pordhat, mos m’i numëro datëlindjet e mia, mos m’i numërosh gotat…, ti që nuk je heqim (mjek) nuk do të më tregosh se ç’ilaç duhet të përdor për t’i ndalur jashtëqitjet e mia politike, mos më sugjero që të t’i lexoj ato broçkullat a shkarravinat e tua nëpër gazeta, ato shkrimet me temsile, ato opinione pesimiste, orientale a anadollake, popullore dhe njëkohësisht të qëndisura me atë fjalorin tënd të ndotur(!?)…, shkrime të cilat nuk i ke as për dynja e as për ahiret, e lëre më për lexuesit seriozë, mos bëj falltarin, ofiqarin e as furrxhiun?”. Duke e humbur durimin tim, ia ktheva: As që më bie ndër mend të t’i numëroj “pordhat”, as gotat, po as që do t’i shkruaj recetat e ilaçeve…, nuk do të bëj fallxhorin, furrxhiun e as…, do të të them se këmbë e krye je “hileqar” , sepse ti kur “rrije ulur në atë kryeminderin e mexhlisit politik”, në çdo katër vjet na premtoje, dhe ne, në çdo katër vjet, ashtu verbërisht të besonim, sepse ti në çdo katër vjet i ndërroje ngjyrat, në çdo katër vjet na gënjeje, në çdo katër vjet na bindje që të të vinim pas, sepse ti në çdo katër vjet atë që “e haje në sabah e dhjesje në aksham”, sepse ti në çdo katër vjet mëtoje “ta djegësh jorganin e miletit për një plesht”(!?), sepse ti në çdo katër vjet në ditëlindjen tënde na “hiqje nga një gjysmë të qerasure”(!?). Pasi m’i “dëgjoi me vëmendje” llafet, më tha: “Ti, miku im, që je një njeri gjysmë i trashë nga mendja, më trego se ku do e gjeje atë mejhane, ku një raki paguhet një lirë, e dy raki një gjysmë lire”. Shih ti këtë “qerrata”! Lëre që “rrëfimin nuk e kishte me tamam rrëfim“, lëre që i mungoi dinjiteti, por edhe më bëri “toptan” për budalla dhe për lesh!? (seç nga ky “rrëfim” doli i zhgënjyer nuk e kuptova dot). Dhe, duke ikur e drodhi fjalën: “Mbaje mend dhe mos harro, do të vetëflijohem politikisht…, dhe, nëse do ti dhe të tjerët si ti, do të vetëvritem edhe për vatan” (mjerë vatani me kësi “ të vetëflijuarish” !???). Kjo fjali e tij mosbesuese ma kujtoi atë insektin dëmtues, gjegjësisht akrepin, që rron nëpër orizoret e që bren rrënjët e orizit dhe që njihet me atë fenomenin e vetëvrasjes së tij – pra, kur rrethohet nga flakët e zjarrit, ai ngre bishtin dhe helmon veten (sa “shumë dinjitoze” për një insekt si akrepi!?). Nëse nuk gabojmë, do të themi se vetëflijimi i akrepit, shkencërisht duhet të jetë instinktiv, jo se ka bishtin, por pse “plakushi” nuk ka prapanicën…, dhe nga i dalin ato “pordha”, një dreq i mallkuar e di.
Ne nuk na habit sot recidivizmi i tij i dikurshëm i rrezikshëm, sa na çudit sot butaforia mashtruese e tij prej politikani, prej “kryepari të mëhallës sonë”, prej “pashai”, prej intelektuali të sajuar, prej abuzuesi, prej përgojuesi, prej “sherrxhiu” që dikur ishte në “sherr” edhe me fukaranë edhe me klerin mysliman…, edhe me mësuesin e popullit…, njeriu që ishte në “sherr” edhe me kalamajtë e bllokut ku banonte dikur, ishte në sherr edhe me kumarxhinjtë, edhe me kulturën e me historinë dhe, së fundi, kinse ishte në sherr me çdo gjë që nuk i shkonte për shtati. Sot, “gojëkëqijtë” do t’ia shtojnë “atë haberin” se kur kishte qenë “beqar” kishte bërë “zina” në ballkonin e apartamentit, madje para syve të fqinjëve të mëhallës, edhe para…, ia ngjitën edhe atë bishtin e dhelprës, ia shtuan edhe ato të këqija që mund t’i “bëjë vetëm beqari dhe beqaria”, i shtuan e çfarë nuk i shtuan.., bi-le-bile mikun tonë e identifikuan me shtetin dhe politikëbërjen e tij që prej “vaktit” që kur u mëvetësua.
Që ky vështrim të mos mbetet një kopje e zbehtë e shkrimeve tona paraprake, që të mos e gënjej as lexuesin, as vetveten (po as nihilistin), le të më lejohet t’i referohem piktorit dhe shkrimtarit kosovar, Rexhep Ferri, i cili në një gazetë prestigjioze të Tiranës, në kuadër të temës: “Na ishte njëherë fjala”, pos të tjerash, kishte shkruar edhe këto fjalë:”…, krejt në fund po ju tregoj se romanin tim të fundit e mbylla me dy vargje të një poezie që e kam shkruar vite e vite më herët: S’më dhimbset gjyshi, më dhimbset burrëria e tij”! Ne, nuk e dimë sa mund të na “lejohet që të habitemi” me atë “fenome-nin e vetëvrasjes së akrepit…, me atë çudinë instinktive të tij” si dhe me jetën e “plakut” të cilit i mungoi ndërgjegjja e dinjiteti, një dinjitet që mbase duhet të ishte “pjesë e pandashme e koloritit të karakterit të tij!?”.
“TENXHEREJA” E DIKTATURËS DHE “KAPAKU” I DEMO- KRACISË SË BRISHTË!
Nga Fadil LUSHI/
Ne, në këtë vështrim të radhës që do t’ua dedikojmë ca njerëzve që jetuan në dy vakte të ndryshme, do të bëjmë çmos që e vërteta të mbizotërojë gënjeshtrën, atë që është e rreme e kulluar dhe e akumuluar. Fillimisht do të na duhet t’i përjashtojmë të gjitha tarafllëqet a animet tona. Në këtë vështrim nuk do të ngremë debate të panevojshme për disa mesele të absolvuara, mbase edhe të shtrembëruara, po as që do të mëtojmë të komplimentojmë figurat e ndritura të kombit, në veçanti të përndjekurit politikë këtej pari, jo se nuk duam ta bëjmë, por pse nuk e kemi teserën e historisë së tyre. Që ta ndërtosh këtë komplementim, para së gjithash duhet të kesh nivelin e zgjuarsisë si dhe nivelin e kombëtarizmit të tyre, nivelin e ndërgjegjes së njerëzve të cilët në rininë e hershme të tyre kishin probleme me politikën dhe politikanët…, njerëzit të cilët, lëre që diktatura asnjëherë nuk i “kuptoi por (sot) as demokracia nuk e ka ndërmend hiç fare t’i mirëkuptojë…,”, nuk e kemi ndërmend po as që do të mëtojmë t’u japim mend të tjerëve. Sikur ta bënim këtë, atëherë e gjithë kjo do të ishte jashtë çdo logjike. Nuk do t’i glorifikojmë njerëzit që vatanit i dhanë më shumë se ç’duhej…, nuk do ta komplimentojmë intelektualin a njeriun e letrave të shkruara me emrin Visar Zhiti, i cili disa ditë më parë, ashtu i mllefosur tha: “Shqipërisë sime i kam shërbyer edhe në burg, kur nuk donte Shqipëria. Në burg kam qenë edhe me priftërinjtë e Vatikanit, me priftërinjtë e burgosur. Kemi bërë dhe festa e kungime të fshehta…, më vjen keq për vendin që ka njerëz kaq të dobët që nuk kanë interes të parë vendin, por interesat e tyre vetjake…, dal (nga presidenca-nënvizim yni) duke thënë: O Zot mëshiroje Presidentin se nuk e di çfarë bën”, këto ishin fjalët e Visar Zhitit, pas takimit (se ishte një takim, bisedë miqësore a protokollare, që një dreq e di) që pati me kryeparin e Shqipërisë, z. Bujar Nishani, në lidhje me kandidaturën e tij për ambasador në Vatikan.
Se pse kishte qenë në burg Visari, këtë më së miri e dinte Enver Hoxha. Nuk do ta komplimentoj as gjyshin tim, të cilit para pesë dekadash i parashtrova atë pyetjen paksa idiotike si vijon: “Ti gjyshi ynë, ç’kërkove në burgun famëkeq në Petrova Rupa të Goli Otokut…, ç’kërkuan bashkatdhetarët dhe bashkëmoshatarët e tu në ishullin ku dikur thyhej guri i bardhë.” Ma ktheu ashtu, paksa me inat: “Vajtëm ta kërkojmë atë shprehjen unikale që llafos ndërgjegjen kombëtare…, vajtëm ta kërkojmë atë lirinë e munguar të vatanit por…, fatkeqësisht nuk e gjetëm dot…, na gjeti belaja…, lirinë e kishin rrëmbyer komunistët si dhe tradhtarët e popullit që nuk vegjetojnë më!?”.
Kjo fjala “burg” lëre që ma trazon mbamendjen time, por njëkohësisht më detyron t’i “zbërthej” dy nocionet, siç janë: “diktaturë” dhe “demokraci”, për të cilat, pos të tjerash, thuhet: 1. Pushtet i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish; Pushteti i diktatorit. Diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste). Diktaturë absolute. Diktaturë e egër. Diktatura e skllavopronarëve (e feudalëve, e borgjezisë) etj. Ndërkaq koncepti demokraci (që është në kundërshtim me të parin) shpjegohet: Regjim a sistem politik, ku pushteti ushtrohet nga populli drejtpërdrejt ose nëpërmjet organeve të zgjedhura, ku shtetasit gëzojnë liri e të drejta të barabarta; shtet ose vend që ka këtë regjim a këtë organizim politik.
Këto dy koncepte nuk kanë kurrgjë të përbashkët mes vete në aspektin etimologjik dhe rrjedhimisht kanë ndryshime thelbësore, por përditshmëria postdiktaturiale sikur e “konteston a e vë në dyshim” këtë shpjegim të dalë nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe. Thjeshtë të krijon përshtypjen sikur këto dy sisteme politike sot “funksionojnë si një trup (!?)”. E gjithë kjo ma rikujton atë thënien e ca njerëzve mendjefemër që vë në pah se “mashtrimi ngandonjëherë mbizotëron të vërtetën”. Kështu, kohë më parë një “mashtrim” i tillë doli nga një komunikim paksa i denigruar dhe mbase edhe jo i ndërsjellë, një komunikim në relacion kryeministri-presidencë, një komunikim që për kryefjalë kishte kandidaturën e Visar Zhitit për ambasador në Vatikan, një komunikim ku nuk u mor vesh se kush i binte patkoit e kush thumbit, një komunikim këmbë e krye hileqar!? Ishte një komunikim, të cilit që në hyrje i mungoi niveli i barabartë dhe ai pak moral, një komunikim me procedurë të mbrapshtë, një komunikim që mbase të krijon përshtypjen se i përngjan gërshërëve të berberit dhe leshit të arapit. Që të dyja institucionet e filluan këtë komunikim nga bishti i dardhës. Njërës palë fillimisht i mungoi arsyeja, tjetrës i mungoi goja, veshët dhe në fund të dy palëve “toptan” u mungoi mbamendja dëgjimore dha ajo pamore. E keqja e këtij komunikimi qëndron në faktin se as ministri i Punëve të Jashtme e as presidenti nuk kishin të drejtë të bëjnë “aksham pazare”(!?) me kandidaturën e Visarit…, ata nuk e kanë e as që mund ta kenë atë luks që të tallen me njeriun i cili në vaktin e diktaturës, vite me radhë ishte në shërbim të fjalës së shkruar, ai “në asnjë libër të tij” nuk shkroi për politikën dhe politikanin e djathtë a të majtë…, përkundrazi, ai shkroi për “Shqipërinë që i ka rënë për pjesë të kufizohet me shtete nga ashti i saj…,”, ai shkroi për “Fatet e mbrapshta të shqiptarëve!”, siç do të thotë Ilir Levonja. Ata në këtë komunikim parashtruan një “furgon kriteresh” sa i përket kandidaturës a nominimit për ambasador të Visar Zhitit (!??). Ata prej tij “kërkuan që të (mos) jetë mysliman, ortodoks, katolik, bektashinj, toskë a gegë”(!??) (kjo kërkesë e tyre rreth përkatësisë fetare të Visarit, do të prekë themelet e harmonisë fetare në Shqipëri)…, me ato “kritere”, sikur donin ta detyronin t’i nënshtrohet çdo lloj realiteti të pështirë, sikur donin ashtu “pa qëllim” t’ia ulin a t’ia heqin krenarinë e tij, sikur donin “t’i bënin karshillëk”, sikur donin për inat t’ia nënvlerësojnë kontributin e tij dhënë fjalës së shkruar, sikur, sikur… Tekefundit, “Visar Zhiti nuk ka nevojë për institucionet, qofshin ato edhe diplomatike, përkundrazi, institucionet kanë nevojë për të dhe për kontributin e tij prej intelektuali”.
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në asnjë nen nuk shkruan se kandidatura e një shtetasi shqiptar duhet të jetë e lidhur ngushtë me përkatësinë e tij fetare dhe, kur njerëzit do ta vënë në dyshim këtë, atëherë do ta rrënojnë atë shprehjen unikale të Pashko Vasës, kur thotë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”. Kjo mesele e Visar Zhitit dhe e të tjerëve si ai nuk dallon me fatet e patriotëve të Goli Otokut, në magjen e miellit të të cilëve dikur pshurrej shkau.
HESHTJA VRASTARE E INATÇORIT TË PAPLAKUR
Nga Fadil LUSHI/
Ne, në kuadër të këtij shkrimi, do të ndërtojmë një paragraf që u dedikohet shtëpiakeve greke dhe turke, në veçanti atyre që banojnë në apartamentet pa ashensor, por që në hyrje të ndërtesës kanë “bakallin dhe bakalleshën paksa të moshuar”. Ata që i kanë vizituar banoret e këtyre hapësirave dhe që i njohin për së afërmi, thonë se e kanë paksa të theksuar “dembellëkun mediteran”(!?). Dhe, përkundër këtij “dembellëku”, ato janë shtëpiake të mira dhe të vyeshme…, kujdesen për të tjerët dhe nuk u hyjnë në “gjynah”. Ato në të gdhirë të çdo “sabahu”, gjegjësisht çdo mëngjes, përdorin shportën prej thuprash dhe me litar. Fillimisht në shportën prej thuprash fusin listën e produkteve që u nevojiten si dhe monedhat dhe e lëshojnë para derës së “bakallit”, kurse ky i fundit e “kryen” porosinë dhe ua kthen shportën shtëpiakeve…, “kusurin e mban për vete”(!?).
E gjithë kjo shportë e shtëpiakeve greke dhe turke (e cila tre herë në ditë lëviz poshtë e lartë) më krijon përshtypjen se i përngjan atij tranzicioni politik shqiptar të stërzgjatur, të sikletshëm, të bezdisshëm, atij ndërkalimi makiavelist, atij tranzicioni që nuk kurohet dot kollaj, atij tranzicioni që për kryefjalë ka krimin e organizuar, atij tranzicioni ku mezi mbijetojnë “axhaminjtë e moshuar”(!?). Kjo shportë me litar më ngjan me atë tranzicionin e vakive a meseleve të zeza, tranzicionin a ndërkalimin e skandaleve politike, atë ndërkalimin e vjedhjeve, atë ndërkalimin e antiligjeve, atë tranzicionin “futje hundë” në privatësinë e qytetarit, politikanit, atë ndërkalimin e fishekzjarrëve, bombave dhe tritoleve “të kurdisura”, atë tranzicionin e domateve, “patateve, specave, domateve, patëllxhanëve, trangujve dhe lakrave” të kalbura që kultivohen në Maqedoninë Lindore, atë “tranzicionin e ajrit të ndotur të Tetovës”, atë tranzicionin e “kallashit” nga Kosova dhe të tjerave “xharie” të ardhura nga Shqipëria, Serbia, Ukraina dhe Bullgaria, këtu në fshatrat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore (!?). Është një tranzicion grotesk dhe dramatik…, ku qeni nuk njeh të zotin, ku jetojnë njerëz të hutuar dhe të çorientuar në kohë dhe hapësirë, ku prindërit nuk kanë “haber” se kah “degdisin” fëmijët e tyre, ku mësuesi nuk shqetësohet hiç fare për sintaksën e shqipes së denigruar. Është një ndërkalim të cilit i mungojnë shembuj korrektë karshi autoritetit të qytetarit dhe shtetit…, është një tranzicion i mbushur plot e përplot me shembuj që llafosin atë kaptinën e zbehtë të pushtetmbajtësve…, është një tranzicion që njerëzve më shumë u solli “zullume”, sesa ndryshime pozitive…, është një ndërkalim tejet i stërlodhur nga “vend-numëro!?”…,një tranzicion ku njerëzit kur nuk kanë çka të bëjnë, atëherë “prodhojnë cinikun, fodullin, inatçorin, folk-patriotin, doktorin e dijes së blerë dhe thashethemexhiun provincial”…, një ndërkalimi që i mungon dritarja…, që i mungon ajo dera dalëse, që i mungon edhe ajo “…, vrima e fundit e kavallit“. Ky tranzicion a ndërkalim, qoftë ai të jetë politik, ekonomik, kulturor e tjerë, kështu siç frymon, të duket si ajo baxhoja vjeshtake e braktisur nga ana e barinjve me pagë(!?).
Në kuadër të këtij tranzicioni do të “lindë” edhe fenomeni i përgjimeve a survejimeve (pavarësisht se ato janë të brendshme a të jashtme), në të cilin do të përfshihet gjithsecili shtetas, pavarësisht funksionit që bart, pavarësisht se është figurë publike apo diç tjetër. Toptan do të goditen në mënyrë idiotike pavarësisht se çështja e privatësisë i takon drejtësisë, pavarësisht se përgjimi “është jashtë normave bazë të së drejtës”. Do të përgjohet edhe lidershipi i partisë politike dhe, kur ai do të jetë në shënjestër, atëherë në këtë proces do të përfshihet edhe elektorati bashkë me votën e tij të lirë respektivisht deliberative. Do të përgjohen edhe ca përfaqësues të “miletit pa brekë” (siç do të thotë Mitrush Ku-teli), të cilët në këto “vakte e pa vakte” (mëtojnë) t’ia kthejnë fjalën titullarit të “hyqymetit-qeverisë dhe dovletit-shtetit!?”…, do të përgjohen edhe ata njerëz të cilët kur duan t’i shqetësojnë “shtrigat e fqinjëve”, aq shumë do të bërtasin e ulërasin, sa që s’do t’u mbetet “takat” t’i mbajnë pordhat, erërat e të cilave do të kundërmojnë “gjithë mëhallën e haxhi babës!”.
Në gjithë këtë “proces përgjimi” që hetohet në mëhallët e vilajeteve të Gadishullit Ilirik në veçanti në Republikën e Maqedonisë…, vihen në shënjestër edhe titullarët e rendeve të privilegjuara, titullarët e Akademisë së Shkencave e të Arteve, nuk do të lihen mënjanë as titullarët e bashkësive fetare, as “kodoshët”, as njerëzit që punojnë në Ministrinë e Punëve Botore, as ata njerëz anonimë apo ata që kanë mbetur pa “nam e nishan”, as titullarët gjegjësisht pronarët e “livadheve të pakositura shqiptare”, as njerëzit që u është bërë mendja havele, as “titullarët a pronarët e mejhaneve, nuk do të kursehen as titullarët e berberhaneve, as të kumarhaneve gjegjësisht kazinove politike të Shkupit, as të hamameve orientale e ca edhe aksidentale(!?)”, as të shoqatave joqeveritare, të cilat ashtu “padrejtësisht fusin hundë” në punët e pushtetarëve, në punët e “kryeshefave të kuzhinave ku zihet çorbë e thartë”, në punët e ca “qebaptoreve të Bit Pazarit”. Në këtë ndërkalim “bozë” nga përgjimi nuk do të kursehet as politikëbërja e partive politike të mëhallëve tona, një politikëbërje që kalon momente të vështira, të padefinuara, nuk do të kursehen as politikanët sidomos ata a ato, të cil(a)ët me hir a pa hir ndërtojnë një kapitull të ri krize të brendshme, një recidivizëm të rrezikshëm, një kapitull pa perspektivë…, do të përgjohen edhe ata që “vetëndihen shehërli, katundarë, intelektualë a edhe…”
Njohësit e mirë të teorisë së demokracisë thonë se shteti e ka për detyrë dhe me ligj ta mbrojë privatësinë e gjithsecilit…, dhe lëre që nuk e bën këtë, ai me përgjime “futet në jetën private dhe kur ti, unë dhe ai, nuk do ta vëmë gishtin mbi fajtorin, atëherë neve na mbetet të hamë këmbët tona, hajt të mos themi të hamë…(!?)”. Të gjithë ata që janë përgjuar, çuditërisht kanë një reagim të zbehtë, mospërfillës dhe mbase pak të vonuar…, ca të tjerë fare nuk bëjnë përpjekje që ta kundërshtojnë këtë pisllëk…, ndërkaq ai “inatçori i paplakur politik gjegjësisht ideatori i përgjimeve ka heshtje vrastare”.
Se bomba e z. Zaev shpërtheu krejt rastësisht…, se sa është e gjatë lista e njerëzve të përgjuar, mbetet për t’u parë, se përgjimet do t’i quash incident, budallaki, zallamahi dhe, në instancë të fundit, edhe veprim prej “axhamie” nuk është me rëndësi, me rëndësi është pyetja se ç’i duhej këtij shteti “ky azganllëk, ky luks i tepërt dhe perandorak(!??)”. Nëse ne nuk kemi të drejtë në këtë kundërshtim, atëherë neve na mbetet që t’u “dalim zot qenve dhe zagarëve endacakë të beut”, të cilët “padrejtësisht” mëtojnë t’i quajnë edhe si “lavire bulevardesh(!?)”.
P.S. Rroftë mbretëria e arsyes…, poshtë mbretëria e errësirës!
“KASOLLJA?” E PLAKËS (SË MËHALLËS SONË)
Shkruan: Fadil LUSHI/
Dikur, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, stacioni hekurudhor i Shkupit ndryshe quhej edhe si vendi i lotëve a “stacioni i shpresave të vdekura”(!?). Ishte një vend ku takoheshin familjet shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Sanxhaku dhe nga Lugina e Preshevës. Ata pritnin trenin që do t’i degdiste pa kthim diku në “Ana-vatan”, gjegjësisht në Anadolli.
Në nënqiellin e Gadishullit Ilirik sot e kësaj dite lakohen ca refrene të një kënge shumë të vjetër qytetare. Dikur moti këtë këngë e dëgjonin nuset dhe nënat shqiptare, hiq mënjanë baballarët. Refreni i parë i kësaj kënge, paksa emotive, ishte kësisoj: “Kush ma s’pari bani, more djalë gurbetin, mos ja dhashtë allahi kurrë selametin…, pikë ma s’pari dola, pa bukë më shkoi dita, jabanxhi qëllova, ujë me lyp nuk dita, borë e shi tuj ramun në fund m’zuni nata…, jastëk guri pata…”. Sot kjo këngë nuk dëgjohet më në stacionin hekurudhor të Shkupit, po as në Kosovë, në veçanti në stacionin e autobusëve të kryeqendrës së saj…, aty ku nisen shpërnguljet biblike, trishtuese dhe tronditëse, aty ku grumbullohen njerëz të moshave të ndryshme, aty ku asnjeri nuk parashtron pyetjen: vallë ku do të shkojnë këta njerëz “taksiratli”, nuk pyesin sepse çdonjëri prej tyre e di vetëm atë të vërtetë se shkon drejt së panjohurës, drejt Evropës së lirë dhe të pasur, drejt demokracisë, drejt asimilimit, apo ndoshta edhe drejt një të ardhmeje më të mirë materiale (!??). Ata që janë më të moshuar dhe që kanë dalë atypari për t’i përcjellë “kurbetçinjtë allafrënga”, ashtu me dënesë do të thonë se: e gjithë kjo nuk është e moralshme nga ana e atyre që duhet të kujdesen për këta njerëz, e gjithë kjo nuk është e drejtë, e gjithë kjo nuk është me “tamam”, nuk është me vend…, ata do të thonë se: e gjithë kjo skenë është e llahtarshme, sidomos kur sheh foshnjat me lot në sy dhe të vendosura në “shporta thuprash”!??
“Arratisjet” a ikjet e shqiptarëve të Kosovës jashtë shtetit do të “pjellin”
qëndrime të ndryshme sidomos nga ana e gojëkëqijve, qofshin ata analistë, politikanë, nacionalistë provincialë dhe analfabetë. “Toptan” këta do të parapëlqejnë t’i shtrembërojnë lajmet burimore që janë trishtuese, por të besueshme…, ata këtyre lajmeve do t’ua heqin të gjitha të vërtetat duke i zëvendësuar ato me “fakte” të rreme a të sajuara. Disa do të thonë se, në gjithë këtë eksod biblik të shqiptarëve të Kosovës, kinse paska dorë a hise Serbia (!?) nga fakti se këtyre “dertlinjve” u mundësuaka ta shfrytëzojnë territorin e saj (!???)…, ca të tjerë do të thonë se pse autoritetet e Serbisë nuk i ndalojnë që të futen në tokën e tyre. Disa të tjerë do ta fajësojnë edhe shtetin e Hungarisë, se pse ajo i pranon shqiptarët nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, pse nuk u krijon “kushte të mira strehimi azilkërkuesve shqiptarë!?” Të gjithë “harrojnë” të thonë se fillimisht këtë ndalesë duhet ta bëjë vetë shteti i Kosovës, nga ku arratisen këta njerëz…, ata harrojnë të thonë se në gjithë këtë katrahurë dhe eksod ka hise nëntoka serbe, ajo hungareze si dhe në veçanti ajo kosovare gjegjësisht kontrabandistët dhe sekserët kosovarë që janë sistemuar në Beograd, Suboticë, Horgosh, Segedin, Budapest si dhe në fshatrat përreth kufirit austro-hungarez…, aty…, ku i presin shqiptarët respe-ktivisht bashkatdhetarët e tyre që ashtu pamëshirshëm t’ua heqin a rrjepin lëkurën!
Në didaktikë ekziston një fabul që u shërben arsimtarëve, pedagogë-ve, nxënësve dhe studentëve. Kjo përrallëz mund t’i shërbejë edhe analistit, edhe policit kufitar, edhe doganierit, edhe politikanit shqiptar, edhe makiavelistit, edhe pushtetarit si dhe të tjerëve, të cilët me të vërtetë nuk i dinë shkaqet e këtij eksodi biblik. Nëse vërtet nuk i dinë këto shkaqe, atëherë le t’i kërkojnë në tregimin e shkurtër në vijim, në tregimin që llafos konfliktet mes njerëzve a “kafshëve”(!?)…, shkaqet do t’i gjejnë tek ata që shkelin mbi fatet e fukarenjve, tek ata që ushqehen me koka njerëzish, këtu në Gadishullin Ilirik të trazuar.
Na ishte njëherë një njeri me emrin Mug. Ai një ditë, kur po qëndronte buzë lumit e po mprehte sëpatën, ia thumboi këmbën një grerëz. Mugu aq shumë u zemërua, saqë mori sëpatën dhe preu degën e lisit aty pranë. Lisi u zemërua, saqë e shkundi folenë e dallëndysheve të vogla, që gjendej në degën tjetër. Kur dallëndyshja e pa këtë, aq shumë u zemërua, saqë e quku me sqep gjarprin që ishte i shtrirë poshtë. Gjarpri u zemërua, saqë e kafshoi arushën që kaloi aty pranë. Arusha aq shumë u zemërua, saqë e përmbysi kasollen e plakës (së mëhallës sonë – nënvizimi ynë) qyqare.
“Oj arushë!”, bërtiti plaka e zemëruar, “Do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo kurrë!”, u përgjigj arusha. “Fajin e ka gjarpri, ai më kafshoi, prandaj ta përmbysa kasollen”. Plaka shkoi te gjarpri dhe, e zemëruar, i tha: “O gjarpër, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj gjarpri. “Dallëndyshja është fajtore, sepse ajo më çukiti me sqep!”. Plaka shkoi te dallëndyshja dhe, i tha: “Oj dallëndyshe, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj dallëndyshja. “Druri është fajtor se e shkundi folenë me të vegjlit e mi”. Plaka shkoi te druri dhe, e zemëruar, i tha: “O lis, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj lisi. “Fajin e ka Mugu që ma preu degën më të madhe”. Plaka shkoi te Mugu dhe i tha: “O Mug, do të duhet të ma paguash kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj Mugu. “Fajtore është grerëza që ma thumboi këmbën”.
Në fund, plaka shkoi te grerëza dhe, e zemëruar, i tha: “Oj grerëz, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. Grerëza nuk kishte kë të akuzonte, por edhe nuk mund t’i ndihmonte plakës (së mëhallës sonë). Prandaj derisa plaka e qortonte, grerëza fluturoi në pyll dhe asnjëherë më nuk u pa atypari.
Se cili politikan kosovar mund të identifikohet me atë njeriun që kishte emrin Mug, ne nuk e dimë. Po edhe sikur ta dinim, nuk jemi aq “budallenj” t’ia themi emrin…, se kush ishte ajo “plaka qyqare dhe e zemëruar”, edhe këtë nuk e dimë, se kush ishte ai “zvarraniku pa këmbë dhe me trup të gjatë”, nuk e dimë, se “grerëza nga shkoi a ku vajti”, nuk kemi haber, se “kasollja e plakës (nuk) u rindërtua diku në Kosovën e çliruar”, një Zot i madh e di. Ne që thurëm këtë shkrim, paksa johuman, dimë vetëm një gjë: thonë se dallëndyshet largohen (nga Kosova) në vjeshtë për të shkuar në vende të ngrohta, ato nuk duken më atypari, ndoshta në pranverë nuk do të kthehen më, ato tanimë janë zëvendësuar nga fise shqiptare…, nga “shtegtarët e shekullit njëzetenjë”…, nga njerëz që largohen e që shkojnë në vende të FTOHTA të Evropës hileqare!?.
P.S. Ti, i nderuar lexues, nëse gabova diçka në këtë vështrim, më ndje…, dikur edhe unë isha një “bari shtegtar!? ”
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- …
- 20
- Next Page »