“Më mirë të kesh një armik të mençur, sesa një mik anarkist dhe budalla!”./
Nga Fadil LUSHI-Tetove/
Kur disa muaj më parë “doktori im personal ma mori të drejtën e të shkruarit”, në hapësirat e Gadishullit Ilirik u hetuan një varg meselesh a vakish politike. Teksa unë isha “jashtë” këtyre rrjedhave, ishin shfaqur ca “furgona” mendimesh, disa prej tyre qenë personale, disa kolektive, disa përfaqësonin qëndrimet e institucioneve të pushtetit, ndërsa do të tjera qenë “mendime me qira dhe të dala nga fiqire të sëmura”.
Ne, në këtë shkrim a opinion të radhës, nuk do të bëjmë diferencën e këtij shkrimi me të tjerë të tillë si ky, andaj për këtë arsye besojmë se ky shkrim, nuk do të mbetet pa identitet…, njëkohësisht nuk do të lejojmë që ky vështrim të shndërrohet në një “ekzemplar bezdisës!?”. Këtë nuk do t’ua dedikojmë “trimave” të çartur e të azdisur nga pasuria e…, as atyre që njihen me mendjemadhësinë dhe me atë nacionalizmin folklorik dhe provincial, nuk do t’ia kushtojmë as “dembelit”, i cili sa herë do të flas përgjumshëm, aq herë do t’ia qan hallin kalorësit se i varen këmbët, as filantropëve të rremë, as miqve tanë të mirë e të mençur, as atyre që janë të “trashë nga mendja”, as anarkistëve, por as edhe armiqve tanë “fiktivë”. Nuk do të shkruajmë as për “patriotët tanë jashtë atdheut”, sepse për të qenë i tillë duhet të jesh pranë vatanit…, duhet të jesh pronar i vulës së mëmëdhetarisë, nuk do të shkruajmë as për politikanin shqiptar qoftë ai nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e mërgata…, sepse të jesh politikan nuk do të thotë se je “pronar i myhyrit të politikëbërjes së mirëfilltë!?” Nuk do të shkruajmë as për atdhetarinë e çiltër të Albinit, as për “pisllëqet politike të N.N.”…, as për shpresat e fukarenjve, as për rënkimet e nënave kosovare, as për ushtarakun me paterica, i cili nuk troket dot më në dyert e blinduara dhe të mbyllura të pushtetarëve të Prishtinës…, as për xhamat e thyer të qeverisë së Kosovës, as për korrupsionin që ashtu pamëshirshëm e ka kapur për fyti shoqërinë shqiptare…, as për atë krimb fekalesh serbe, gjegjësisht për ministrin Aleksandar Jabllanoviq, i cili kohë më parë në një lagje të Gjakovës ofendoi nënat gjakovare (çuditërisht kryeministri i Kosovës ia fali “gabimin”, kinse deklaratën e tij e kishin “keqinterpretuar”)…, nuk do të shkruajmë as për “shqiptarin” i cili në stadiumin e “Partizanit” në Beograd “bëri Shqipërinë natyrale”…, duke e harruar atë “londinezen”…, nuk do të shkruajmë as për të rinjtë shqiptarë, të cilët (udhë e pa udhë) ia mësyjnë kontinentit të vjetër për një kafshatë bukë…, nuk do të shkruajmë as për atë foton simbolike të lapsave disangjyrësh për lirinë e shprehjes dhe fjalës…, as për “Marshimin e Bardhë”…, as për kryeministrin Edi Rama, i cili bashkë me komunitetet fetare (shqiptare) zhvilloi homazhe pranë redaksisë së revistës satirike “Charlie Hedbo” në Paris…, nuk do të shkruajmë as për aksidentin automobilistik të lidershipit Ali Ahmeti, i cili nga gojëkëqijtë shqiptarë u paragjykua në mënyrën më të ulët…, një paragjykim që mbase nuk është dhe nuk mund të jetë në natyrën e shqiptarit…, nuk do të shkruajmë as për hilet që na i bëjnë kundërshtarët tanë (ca prej të cilëve janë të imagjinuar)…, nuk do të shkruajmë as për shqiptarët që parapëlqejnë të jenë nacionalistë dhe trima, por ama, kur duhet ta vërtetojnë këtë, dalin frikacakë…, nuk do të shkruajmë as për zhurmaxhijtë dhe “çallëmxhijtë”, as për ata që premtojnë dhe gënjejnë, për ata që në “aksham të martojnë e në sabah të harrojnë”, as për njerëzit me a pa “kusure(!?)”, thjeshtë do të shkruajmë për ca politikanë shqiptarë “taksiratli” që i vardisen Evropës plakë duke ia bërë “qejfin me e pa arsye” për ata të cilët kur takohen me diplomatë të huaj fyejnë edhe nënën edhe motrën edhe atdheun…, politikanë të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë, rrugëtojnë në drejtime a kahe të panjohura…, në veçanti për ata shqiptarë me fjalor të shthurur të cilët, kur do të përfundojnë a konsumojnë të sharat dedikuar njëri-tjetrit, atëherë do të fyejnë grekun, serbin, maqedonasin e të tjerë. Do të shkruajmë për njerëzit të cilët dikur në disa “kuzhina politike të dyshimta, qofshin ato orientale a oksidentale”, kishin konsumuar çorbë të prishur të cilën po e vjellin madje sot e gjithë ditën(!?)…, do të “shkarravisim” për njerëzit të cilët dikur ia kthyen shpinën partisë amë…, për ca politikanë të cilët mëtojnë të bëjnë marrëveshje të ulët, pazarllëk të turpshëm e të njëanshëm me armik serbin duke e përdorur logjikën dhe monedhën e popullit (një dialog të cilit i mungon dëgjimi reciprok, një dialog politik që është i njëanshëm dhe i papërfillshëm…, bisedë johumane…, jocivilizuese, ku të merret fryma e fjala e radhës dhe, në instancë të fundit, nuk arrin dot të zbërthesh mendimin a dertin që ke)…, do të shkruajmë për politikanët që fshihen nën kostumin apo nën “ferexhenë” e tolerancës së sajuar dhe gjuhës së tyre brutale dhe provinciale…, për njerëzit emotivisht të boshatisur…, njerëz të cilët harruan të vërtetën rreth partisë politike e cila mbetet një ndër rrëfimet tona më të çiltra, mbetet kryeshtylla a kryefjala e gjuhës sonë politike, mbetet pasthirrma jonë urdhërore, mbetet udhërrëfyesi ynë evropian, mbetet shprehja jonë unike që lakon a shpjegon filozofinë e politikës së moderuar.
Paçka se unë (nuk) shkrova për “meseletë” e vjetra e të koklavitura kur nuk më dëgjon dot njeri. Mbase politikan Albin Kurti ka të drejtë.
P. S. Malësorët kanë një shprehje proverbiale që tingëllon pak a shumë kështu: “Më mirë të kesh një armik të mençur, sesa një mik anarkist dhe budalla!”.
DEBATE TË BRISHTA DHE JOPARIMORE
NGA FADIL LUSHI/
Gjithsecili që merret me publicistikë të mirëfilltë, gjithmonë parapëlqen ta lakojë atë shprehjen e vjetër frazeologjike: ”Njëri i bie gozhdës, tjetri potkoit”. Ne në këtë vështrim nuk e kemi ndërmend ta “përdorim” këtë thënie të urtë greke, nga fakti se nuk duam që miqtë tanë të na konceptojnë si “nallbanë, gjegjësisht si ustallarë që mbathin kafshët thundrake me potkonj!?”…, por as që do të mëtojmë të theksojmë e as të masim inteligjencën e opinionistëve politikë shqiptarë të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë, të Luginës apo edhe të mërgatës, të cilët disa javë më parë u dukën në disa mediume (pamore) kombëtare: Tv-Klan, Top Channel, TVSH, “Vizion Plus” e tjerë. Nuk e kemi ndërmend as të “fusim hundët” në këndvështrimet a analizat e tyre dedikuar “ndodhive a meseleve” të caktuara, pavarësisht se kryefjala e përmbajtjeve “mund të ishte” politike, kulturore, sportive e tjerë…, sepse sipas institucionit mendimi a fjala ndryshe, nuk të lejohet ta bësh atë sipas qejfit tënd…, është e drejtë e tyre se si do të pozicionohen (“E drejta ime shkon deri aty ku fillon e drejta jote”), si do të prononcohen dhe, së fundi, cila do të jetë filozofia e mesazheve të tyre…, do të jenë “mesazhe me një kokë, me dy a më shumë koka!?”. Thjeshtë, këtë nuk do e bëjmë nga fakti që kjo “futjehunde”, mos vallë, një ditë të ardhme na del si ajo meseleja e breshkës, që kur kishte “vajtur te nallbani për t’u mbathur, kishte gjetur belanë”…, andaj ne nuk do ta kërkojmë “belanë”, pasi që nuk jemi të “belasë” dhe nuk e parapëlqejmë si të tillë.
Që neve dikur nuk na dilnin “hesapet adoleshente” (edhe sot nuk na dalin) sa u përket ca argumenteve apo provave (për do mesele), lëre që nuk kishim “kaçik burrash” t’i konceptonim, por edhe i paragjykonim si të pavërteta…, dhe kur ngecnim mes rrugës së dyshimit, ata që na edukonin dhe mësonin na qeshnin e përqeshnin dhe në fund na merrnin për budallenj. Se çfarë ishin ato “prova në mungesë”, do t’i parashtroj në vijim të vështrimit. Ishin prova më shumë pamore, sesa dëgjimore a të shkruara. Thonë se argumentet pamore më shumë peshojnë, sesa ato dëgjimore dhe të shkruara.
Në këtë vështrim do të llafosim për ca “polarizime mediatike”, për disa shfaqje a dukuri shoqërore, ku u denigruan skajshëm normat dhe rregullat e vendosura në suazat e gazetarisë hulumtuese a të veprimtarisë publicistike autonome…, do të llafosim për ca debate televizive që për kryerresht kishin ndeshjen e futbollit mes kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë, të zhvilluar në stadiumin e ish-armatës popullore të Jugosllavisë…, një ndeshje paraprakisht e “kurdisur” nga FOOTBALL ASSOCIATION OF SERBIA, me dhe dijeninë e kryeparit të UEFA-së, Mishel Platini dhe të tjerë funksionarë, ndeshje kjo që “polli sherrin” mes opinionistëve nga Kosova dhe Shqipëria. Do të shkruajmë për njerëzit dhe për retorikat e tyre të paredaktuara, të palekturuara, të pasistemuara, të çekuilibruara a edhe të papërtypura dhe, në istancë të fundit, qëllimisht të paragjykuara. Duhet të theksojmë se ato debate ishin thjesht të trishta, denigruese, jomeritore dhe mbase edhe jodinjitoze në veçanti për emisionet e mediave pamore që hiqen si serioze dhe prestigjioze, media këto që për një moment ashtu pavullnetshëm, “toptan” me “mysafirët” a protagonistët e ftuar, në vend që të shndërroheshin në një takim të njerëzve për të biseduar miqësisht me rastin e një gëzimi ose të diçkaje tjetër, ato debate u shndërruan kryekëput në hapësira zhurmuese, në arena gladiatorësh, në “mexhlise kalamajsh”, në ndeja ku bëhen muhabete inatesh, ku zhvillohen biseda mospërfillëse, në hapësira jotolerante, në ndeja njësoj si ato “pazaret siciliane e anadollake”, në një rrëmujë të madhe (as vertikale e as horizontale), ku nuk merrej vesh se kush i “binte patkoit e kush gozhdës”, ku nuk merrej vesh se kush ishte (përveç moderatorit “shkurtpamës dhe tarafxhi”) nacionalist i rremë, kush më pak e kush më shumë patriot, kush internacionalist, kush historian, kush (pseudo)intelektual, kush (a)politikan, kush mysliman, katolik, ortodoks, kush afetar dhe kush filoserb e kush filogrek “me a pa tapi!?” Këta filogrekët që hiqen si opinionistë të moderuar dhe si analistë mejhanesh tironse dhe që në vijimësi kundërshtonin opinionistët nga Prishtina, sot e kësaj dite e kanë vështirë ta njohin historinë trishtuese të nënave të Kosovës dhe të kosovarëve…, këta filogrekë, sot e gjithë ditën e Perëndisë nuk ndërgjegjësohen rreth bëmave serbe gjithandej Kosovës…, këta filogrekët sot e gjithë ditën i “habiten” nacional-shovinizmit serb a të Beogradit. Se “me gjithë mend” nuk e njohin atë të vërtetë apo edhe së fundi shtiren, kjo mbetet në ndërgjegjen e tyre!?
Nëse lexuesit e mi të nderuar do të dyshojnë në vërtetësinë e këtij vështrimi, atëherë unë do të parashtroj vetëm ca prova që janë të njohura edhe për kalamajtë. A mos vallë gjatë debatit në Top Channel, avokati Spartak Ngjela, duke mos u pajtuar me mendimet e Halil Matoshit, sa që nuk ia nxori sytë, a mos vallë kryebashkiakut të Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, nuk i ngjitën atë nocionin e “nacionalistit dhe shovinistit”, a mos vallë ca opinionistë tironsa, nuk u dëshpëruan për prezencën e Gllauk Konjufcës në studion e televizionit…, a mos vallë u zhgënjyen me provat që ai parashtroi rreth gjenocidit serb a edhe për bëmat serbe në Kosovë. Së fundi, a mos vallë gjithë këtij debati që më shumë i përngjante asaj “tenxheres së palarë me vjegë” së cilës kapakun ia vuri gazetari i Top Channel-it, Sokol Balla, i cili pa asnjë provë…, ”akuzoi për spiunazh kolegun e tij nga Kosova, Baton Haxhiu, se ky paskësh qenë pjesë e delegacionit shqiptar në ndeshjen ndaj Serbisë. Edhe pse nuk ka përmendur emrin e tij, mesazhi i Ballës i shkruar në Facebook lë të kuptohet se bëhet fjalë për drejtorin e Klan Kosovës, Baton Haxhiu, pasi ky i fundit ka qenë i vetmi gazetar nga Kosova në stadiumin e Partizanit në Beograd ku u zhvillua ndeshja Serbi – Shqipëri (e cila u ndërpre pas tensioneve në minutën e 42-të të takimit). Sipas Ballës, Haxhiu, ka spiunuar te policia serbe vëllanë e Edi Ramës, Olsi Ramën!?”. “Një gazetë pro-serbe dhe e kontrolluar nga një udbash, ka marrë përsipër të më sulmojë. Por unë thjesht po qesh me xhuxhin e vogël që gjoja është kryeredaktor…, i cili ditën e ndeshjes në Beograd, shkoi te policët dhe spiunoi se në cilën lozhe, ishte vëllai i KM të Shqipërisë”, thotë Balla.
Të nderuar lexues, nëse ju, gjithë kësaj zallahie i thoni debat televiziv, atëherë mua më takon t’i them “berbat berberhane provinciale!??”
“ISH-POLITIKANI“ ME ÇELËSAT E KASHTËS
Nga Fadil LUSHI/
Para disa vitesh një miku im që hiqet si “puro shehërli ” dhe paksa si “amerikano-shqiptar” (përndryshe biznesmen), në vigjilje të organizimit të manifestimit të Akademisë solemne kushtuar “Kongresit të Manastirit”, erdhi në zyrën time për të më vizituar. Me vete kishte një strajcë me disa sende të pëlqyeshme që i duheshin dhe që i shkonin manifestimit në fjalë. Këto materiale (në mungesë të mjeteve tona) ishin “më shumë se të mjaftueshme” dhe të mirëseardhura për Shoqatën e pedagogëve shqiptarë të Tetovës. Pos të tjerash më “dhuroi” edhe ca monedha “bojëjeshile” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një doracak ku ishin përfshirë imazhe të disa shqiptarëve mendjefemër që kishin vepruar në “tokën e premtuar”, një pikturë (kopje) e Abraham Linkollnit, një abetare me kapakë të zhubrosur, një stilolaps si atë të Mit’hatit, një hartë të Shqipërisë “etnike” dhe një fotografi të mbretit Ahmet Zogolli. Pasi m’i dorëzoi, më tha: “…, ki parasysh dhe ki në dijeni se ne të mërgatës Kongresin e organizojmë më mirë se ju !?”. Nuk e nguca. Jashtë asaj strajce kishte edhe një “fener dore”. Kjo ndihmë e tij sa më emocionoi, po aq edhe “ma trazoi gjakun dhe mendjen”, për arsye se paraprakisht kur një “kryebashkiaku katundi” iu drejtuam për ndihmë, ai në vend që të na jepte ndonjë lek, na tha troç: “Sa manifestime mëhallësh organizohen këtejpari, ju nuk jeni në prioritet…, unë nuk i kam ato mjete…”, kurse ne më vonë kuptuam dhe dëgjuam me veshët tonë se “lekët” i kishte destinuar për restaurimin e një kishe fshati. Se pse ky mik ma solli “fenerin” nuk e kuptova, por as që i parashtrova pyetje, duke menduar se ndoshta gjithë këtë e kishte me dhe për shaka…, prandaj dhe pyetja më mbeti majë gjuhës. Po edhe sikur ta pyesja, mendova, do ta trash batutën e radhës. Se ishte ”fener”, ishte, këtë e konceptova me “tamam”, por ama “fener” minierash nuk ishte, nuk ishte as “feneri i arabaxhiut” të atij mendjendriturit vlonjat, nuk ishte as “fener” makine, biçiklete, motoçiklete, “fener” gjuetari, as i atij hekurudhori, as “fener” i hajdutit e aq më pak i Diogjenit!? Ai ishte thjesht një “fener me karbit”.
Në ikje e sipër, miku im më tha: “Këto materiale do t’i përdorësh për alfabetin e Manastirit, ndërkaq fenerin do ta mbash për ditët kur nuk do të të shohin sytë…, kur do të të lërë takati i prapanicës si dhe kur do të të tradhtojë arsyeja jote, të cilën e shfrytëzon vend e pavend, sa për ta ushqyer atë “nacional-shovinizmin tënd të shfrenuar” dhe të të tjerëve si ti!?” Dhe shih ky “qerrata”, duke e përfunduar muhabetin, pos të tjerash i “dërdëlliti!?” edhe këto llafe: ”Nëse nuk arrin ta nxjerrësh mllefin me gojë e me shkrime, atëherë me këtë fener dore me karbit, do t’ua prishësh rehatinë gjumashëve!?”… Ia ktheva – ta bëj këtë budallaki në këtë moshë, nuk më shkon. Në të ikur ia përcolla një falënderim, mandej ia “futa a ia hoqa” një “sharje të ulët anadollake” dhe një “gjysmëshqiptare” (kjo sharje nuk ishte “seksuale”, përkundrazi ishte një “fyerje animale”, pavarësisht se ky gjest i ulët imi ishte paksa jashtë standardeve të moralit personal, po edhe atij kolektiv… (Që të dy “selamet” amerikano-shqiptari i kuptoi fare mirë dhe për këtë nuk u sikletos dhe nuk u hidhërua). Sharja “anadollake i dedikohej fenerit”, ndërkaq mirënjohja i shkonte kontributit të tij material si dhe mbështetjes morale. Mbaj mend, nuk u duk atypari në manifestimin në fjalë, jo se nuk e ftuam, por pse kishte pasur ca obligime të tjera më të rëndësishme. Pasi “ngela” vet ne zyrën time, ashtu ndër dhëmbë, i parashtrova pyetje “fiqirit tim”se pse pikërisht mua ma solli këtë “fener dore me karbit” (po ç’më duhet karbiti në këtë moshë, sidomos tash, pas gjashtë dekadash!?…, ndonëse intimisht ma ka “ëndja” që atë kanoçen e madhe të birrës së Korçës ta mbush me karbit, mandej t’ia “fus fitilin” dhe ta hedh në atë “oborrin e inatit dhe harresës sonë kolektive”, si dhe pranë derës së asaj mejhanes së bllokut tonë, ku qarkullojnë gjithfarë thashethemesh nga ana e atyre që bëhen “tapë” dhe që ia kthejnë shpinën shtëpisë së tyre. (Meqenëse më “mungonte informacioni i plotë” rreth karbitit, e pyeta një kolegun tim kimist se ç’kuptim kishte ky nocion, kurse ai ma ktheu: “Është një substancë kimike që ndryshe quhet karbur kalciumi (CaC2) dhe kur vjen në kontakt me ujin prodhon acetilen dhe nëse këtij të fundit ia fut zjarrin “bën potere të padurueshme”, andaj ki kujdes me karbitin!”. Pikërisht, ky shpjegim profesional i mikut tim, më ktheu në vaktin kur iu nënshtrova (ri)provimit nga lënda e kimisë. Meqë nuk dija ta lakoja këtë formulë, përsërita vitin. Lëre që ma ngjitën nofkën “ngelaq”, por edhe më përjashtuan a më shporrën nga gjimnazi i atëhershëm prestigjioz i Tetovës).
Lexuesit e nderuar (që humbasin kohën e tyre të çmuar duke lexuar shkrimet e mia) besoj se do të pajtohen nëse pjesën e dytë të këtij vështrimi do ta nisi dhe do ta përfundoj me “fenerin me karbit”, të cilin miku im “amerikano-shqiptar”, realisht duhej t’ia “dhuronte” një ikanaku politik të mëhallës së tij…, e “jo mua dhe bashkëpunëtorëve të mi”. Do t’ia kushtoj një ish-funksionari politik që dikur braktisi partinë politike dhe kryeparin e saj, një kryepar i cili e solli në “shehër” me opinga. Unë në këtë shkrim nuk do t’ia përmend emrin e as “partinë politike”, nuk do t’ia përmend as nofkën, për faktin se njerëzit të mos mendojnë se jam këmbë e krye “tarafxhi”…, nuk do të llafos as të shkuarën e tij të trazuar politike, e as qëllimet e tij, por thjesht do “të prek” vetëm një pjesë të historisë së vijimësisë së tij, në kërkim të një strehe të re politike. Një gjë e di, ai ndërroi të gjitha partitë politike shqiptare (ekzistuese) këtejpari në Maqedoni…, dhe ku shkonte a ku strehohej, lëre që bënte a hiqej si “i gjithëditur dhe i gjithëfuqishëm”, por edhe nxiste urrejtjen dhe përçarjen brenda në partinë politike “sezonale”…, dhe kur e zbulonin se kërkonte vendin e kryeparit si dhe çelësat e partisë, aq herë ia ngjitnin bishtin e lugatit, i jepnin një “fener dore” dhe “çelësat e kashtës” dhe, në fund, ashtu pamëshirshëm e dëbonin nga radhët e veta.
Dhe shih, për çudi, disa ditë më parë u duk në një medium nacional me ca kritika të zbehta drejtuar ca partive politike shqiptare dhe liderëve të tyre. Nuk “harroi” të kritikojë edhe ca mediume për arsye se në kohë të fundit kinse nuk ia kishin rikujtuar bëmat e tij. Nëse ky ish-ikanak, mëton ta “ringjallë të kaluarën e tij politike”, po edhe nëse me të vërtetë parapëlqen të jetë në “shënjestër” të vëmendjes së opinionit publik, atëherë fillimisht do të duhet të “marrë avdes” dhe mandej detyrimisht duhet të ndërtojë “një sjellje krejtësisht të ndryshme”, një qasje të re bashkëpunuese dhe një komunikim të mirëfilltë, sidomos me ato mediume (qofshin ato pamore, dëgjimore a të shkruara), për të cilat mendon se “…, nuk ia fusin me tamam”. Nëse paraqitjet e tij edhe në të ardhmen do të kenë atë ngjyrën nostalgjike, atëherë përgjithmonë do të përjashtohet nga vëzhgimi dhe vëmendja mediatike. Në instancë të fundit, mediumet nuk janë e as që mund të jenë zona të ndaluara…, aq më tepër kur dihet se ato veprojnë sipas rregullave, standardeve, kritereve dhe kodit të gazetarisë…, dhe kjo s’ka si bëhet ndryshe. Ky, me “fenerin në dorë”, vazhdon t’u “vardiset” partive politike. Duke e përfunduar këtë shkrim, miku im i “formulave”, përsëri më sugjeroi: “Ki kujdes me fenerin me karbit!?”
“NGA KËMBËT BORROVIQ, NGA MENDJA EKSIQ (MANGËT)!?“
… “Mendimi shqiptar lindi me kandil, u ndërtua nga atdhetarët me fener dhe sot po vdes me qiri”…, ndërkaq Kosova u ndërtua me gjakun e martirëve të saj dhe jo nga parti-të politike ekzistuese. Ajo nuk do vdesë!/
Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Është një refren i një kënge të vjetër qytetare, ku pos të tjerash thuhet: “Kush m’i qan hallet e mia…, bini ju moj dajre bini, juve hallin moj nuk ma dini…, e mos qaj e mos qaj, të kam shpirt moj, të kam xhan!”. Kjo këngë rrallë dëgjohet dhe nëse “i shkon” dikujt në vesh, atëherë shkon në veshin e atyre që “hiqen” paksa të moshuar apo janë “jashtë moshës mendore!”. Kjo këndohet gjithandej ku jetojnë shqiptarë, qofshin ata jugorë, veriorë, “shqiptarë maqedoncë, kosovarë, luginas dhe malazias”, të krishterë, ortodoksë, myslimanë, gegë, toskë, fukarenj, të dashuruar a edhe të dëshpëruar. Secili e këndon në dialektin dhe zhargonin e vet, qoftë ai të jetë amator a profesional. Këtë këngë, dikur moti e këndonin edhe të burgosurit politikë shqiptarë në “Petrova Rupa” të Goli Otokut famëkeq…, ata paksa ndryshonin ca fjalë të refrenit dhe thoshin: “kush i qan hallet e fëmijëve tanë!?”… Këto refrene i donte edhe arabaxhiu i mirë dhe i respektuar i mëhallës sonë. Se i kishte për shpirt këto refrene arabaxhiu, e dimë vetëm ne që e njihnim nga afër. Sot, kohë pas kohe, këtë këngë e “parapëlqejnë” edhe nipërit e ish-politikanëve të lartë komunistë si dhe ata stërnipërit e spahinjve që u shërbenin bejlerëve dhe pashallarëve. Sot, këtu pari duken ca pasanikë “të moderuar” që nuk e kanë “për qejf” këtë këngë, për faktin se punët i kanë në “terezi” (e çfarë “terezie” se!). Ata në vend të kësaj kënge e preferojnë atë refrenin: “Ti (pushtet, nënvizim yni) je drita e syve të mi!?”. Ne që shkruajmë këtë vështrim, nëse do ta respektojmë institucionin e mendimit ndryshe, atëherë duhet të themi se e gjithë kjo është një shije e përzgjedhjes së tyre dhe këtu nuk ka kurrgjë të keqe.
Miqtë e mi të nderuar do të pyesin me të drejtë se po ç’lidhje ka pasthirrma e këtij refreni të këngës në fjalë me shkrimin tim dhe të tjerë të tillë si ky. Para se t’u përgjigjem (nëse nuk harroj t’ua kthej “xhevapin”), më duhet të parashtroj një paragraf të ndërtuar nga një komunikim mes dy zonjushash, diku në kufirin shqiptaro-shqiptar…, një “llaf muhabet” që edhe sot e kësaj dite të Perëndisë nuk më “ik a nuk më del nga fiqiri!?”. Një zonjushë nga jugu i Shqipërisë, që ishte shumë e bukur dhe me take të larta, por që në fakt ishte e papërmbajtur, me veshët e mi dëgjova kur një tetovares i tha: “…, që ti nuk je shqiptare, por maqedonce…, dhe kështu siç e mban të folmen (aludonte në idiolektin e saj) tënde vetëm një dreq i mallkuar mund ta kuptojë!?”. Tetovarja e mençur nuk iu përgjigj, jo se i mungonte “hazër- xhevapi!?”, por pse kishte nxjerrë përfundimin se kjo “jugorja”, lëre që nuk kishte fare “haber” për të folmet krahinore por njëkohësisht dukej si një “lopë e gjallë komuniste!?”. Ndoshta kjo “budallaqe” ishte në të “drejtë”, sepse nuk kishte njohuri për faktin se ne jemi një komb me dy dialekte dhe shumë të tjera sociolekte, me një gjuhë standarde, me një kulturë, me dy shtete, me dy kuvende popullore, me dy “vezirë e nënvezirë”, me dy presidentë, me dy “bajrakë” (njëri me shqiponjë dykrenore), me dy himne, me shumë parti politike, me kushedi sa e sa të përzgjedhur të popullit, “me shtatë palë inate homerike “ si dhe me pesë shtëpi, tri prej të cilave i mbajmë me qira.
Në vazhdim të këtij vështrimi gazete do të parashtrojmë pyetjen se a mos vallë “banda (politike) frymore” e Prishtinës (nuk) e pëlqen refrenin: “…, kush (duhet) të na i qaj hallet tona…, bini ju moj dajre bini, juve hallet nuk na i dini…, mos qani e mos qani, ju kemi shpirt, ju kemi xhan!??” A mos vallë Republika e Kosovës nuk vonohet në formimin e qeverisë së re, a mos vallë partitë politike të Republikës së Kosovës bashkë me presidenten nuk e nëpërkëmbin Kushtetutën, a mos vallë ata që e ndërtuan “ligjin themelor të shtetit, ligj ky që përcakton rendin politik dhe ekonomik e shoqëror të tij, dhe në veçanti sistemin e zgjedhjeve, organet e larta dhe lokale të pushtetit shtetëror e të administratës shtetërore” e të tjera, sot nuk dinë ta lexojnë a edhe ta interpretojnë (drejt a gabimisht) ose “për inat duan t’i ngjisin bisht të paqenë”, a mos vallë atë e lexojnë sipas rregullave të alfabetit arab, a mos vallë qëllimisht duan t’i ngjisin gjymtime të sajuara, a mos vallë, duan ta bëjnë me “paterica”, a mos vallë kjo zvarritje a ky luks nuk i shkon përshtati politikës së shovinizmit shtetmadh të Beogradit , a mos vallë kjo vonesë e zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe e formimit të qeverisë nuk abuzon afatet, a mos vallë e gjithë kjo nuk e vë në dyshim cilësinë e Kushtetutës dhe detyrimet e presidencës…, a mos vallë ky ligj themelor duhet të lexohet nga gjithsecili ashtu si t’i teket dhe kur t’i teket…, a mos vallë politikanët që duan të “bëjnë pazare” me Kushtetutën dhe me detyrimet kushtetuese të presidencës, një ditë do të detyrohen ashtu pavullnetshëm të shkojnë te punëtoria e qelqpunuesit për të porositur një kornizë për të vënë “fotografinë e tyre artistike” dhe më pastaj ta varin në murin e partisë politike dhe në atë “Murin e Vajit-Ankimit” (jo të Jerusalemit)!??? Ta nëpërkëmbësh kushtetutën, është njësoj sikur “një besimtar katolik njëkohësisht të bëjë kryqin ortodoks, avdesin dhe lutjet myslimane si dhe ritet bektashiane” dhe anasjelltas…, atij dhe komuniteteve të tjera u mbetet të respektojnë fetë e njëri-tjetrit dhe asgjë tjetër.
Një ditë, një njohësi të shkëlqyeshëm të instrumenteve muzikore i parashtrova pyetjen me sa vijon: A mund të ekzekutohet gajdja, dajrja, lodra dhe borizani bashkë me qemanen…, ma ktheu: Gjithsesi jo, sepse katër prej tyre janë shumë zhurmues dhe rrjedhimisht nuk mund të prodhojnë harmoni zërash (“politike”). Dhe, së fundi, a mos vallë politikanët e Prishtinës, me “axhamillëkun e tyre politik”, një ditë nuk do ta “aneksojnë” tërë territorin administrativ të Republikës së Kosovës (përjashto Mitrovicën e Veriut dhe Graçanicën)!??? Ndonëse në këtë kaos dhe ngërç politik nuk ka logjikë, prapëseprapë ca “politikanëbërës që hiqen për të mençur dhe për fodullë”, gjurmojnë a kërkojnë logjikën e paqenë…, kjo i vjen si ajo thënia: “Kur s’ke ara në mal, pse bën dava me çakejtë?”.
Dikur moti, kur babait tim doja t’ia tregoja “kufijtë e arës sonë të zaptuar me manaferra si dhe t’ia zbërtheja filozofinë” e një kryetitulli të një shkrimi tim, ma ktheu si me inat: a mos vallë edhe ti ke hise në të…, sikur donte të më thoshte: “edhe ti, nga mendja je eksiq (i mangët)!?”. Kishte pasur të “drejtë”, sepse nuk më “doli” ajo fjala e urtë popullore: ”Bëmë nënë të të ngjaj”…, unë “asnjëherë nuk i ngjava” Nënës Nazë në mendime. Eh, sikur ta kisha gjallë, do ta luftoja kralin! Ndjesë pastë Nëna Nazë!
“Mendimi shqiptar lindi me kandil, u ndërtua nga atdhetarët me fener dhe sot po vdes me qiri”…, ndërkaq Kosova u ndërtua me gjakun e martirëve të saj dhe jo nga parti-të politike ekzistuese. Ajo nuk do vdesë!
MË MIRË NJË “ARMIK DIKTATOR”, APO NJË MIK ANARKIST?!
Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Sa herë që ne bëjmë përpjekje të shkruajmë diç për miqtë tanë dhe për gazetën, aq herë vihemi në “siklet”, sidomos kur duhet të “kërkojmë” një kryefjalë që do t’i shkonte me “tamam” a do t’i përshtatej opinionit a vështrimit të radhës. Edhe kësaj radhe “ramë në grackë të asaj dilemës së gomarit të Buridanit!?”. Për këtë shkrim kemi dy tituj, i pari: “Më mirë një armik diktator, sesa një mik anarkist!” dhe titulli i dytë: ”Një fjalim a retorikë e retarduar dhe letargjike!”. U pajtuam dhe u përcaktuam për të parën, për faktin se ky i fundit, ndoshta, shkrimin na e nxjerr shkarravinë.
Dikur moti rilindësit shqiptarë mendjendritur kishin parapëlqyer që të ndërtojnë institucionin e dorëheqjes politike. Këtë e kishin bërë në emër të moralit kolektiv, në emër të emancipimit dhe humanizimit të fjalës së lirë a asaj ndryshe. Një ndër të parët që e respektoi këtë institucion ishte Mit’hat bej Frashri. Ata që e njohin mirë të shkuarën e tij thonë se e kishte braktisur postin e ministrit, duke e zëvendësuar me profesionin e mësuesit parauniversitar. Gjithë këtë e kishte bërë pasi që kishte hetuar anarkinë në qeveri. Asnjëherë nuk u pendua sa u përket bëmave të tij, mbase për këtë ishte i ndërgjegjshëm. Që ne të mos i lakojmë a interpretojmë gabimisht dy nocionet sociologjike në vijim (sepse, tekefundit, nuk është puna jonë), do t’i referohemi fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, ku pos të tjerash thuhet: DIKTATURË f. 1. Pushtet i dhunshëm e i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish; pushteti i diktatorit. Diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste). Diktaturë absolute. Diktaturë e egër. Diktatura e skllavopronarëve (e feudalëve, e borgjezisë). Kishte vendosur diktaturë në shtëpi (në zyrë, në ndërmarrje), e tjerë.
Këtij nocioni të interpretuar do t’ia bashkëngjisim në vijim një “mesele”: Mbaj mend një detaj nga një “bisedë informative” të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, me një inspektor të UDB-së, i cili ishte i ngarkuar zyrtarisht të inspektojë veprimtarinë armiqësore timen, të shokëve dhe të profesorëve të mi. Ai na mori në pyetje rreth trazirave a demonstratave të vitit 1968. Ne, me atë ndërgjegjen tonë adoleshente (hiq mënjanë mësimdhënësit tanë të mirë dhe të nderuar) dhe të trazuar e “paragjykuam së prapthi”. Në fillim e konceptuam si një njeri të mençur, të moralshëm dhe “demokrat”. Pas shumë vitesh mësuam të vërtetën; ai paraprakisht kishte kryer detyrën e gardianit të një burgu famëkeq. Që atëherë thoshin se e kishin avancuar për faktin se “fyelli i kishte ngecur në një vrimë…, ishte emërmadh e kryefikët”. Ai, me sjelljet dhe veprimet e tij, lëre që diktonte vullnetin dhe qasjen prej diktatori, por edhe nuk përfillte përgjigjet tona. Ndonëse ishte një diktator i kulluar, çuditërisht nuk reflektonte anarkinë.
Christiane Hoffman, opinioniste e njohur gjermane, në një vështrim të saj për diktaturën thotë: “Kur rrëzohen despotët duket sikur ka një arsye për t’u gëzuar. Por ajo që pason diktaturën (hiq mënjanë demokracinë, nënvizim yni) shpesh është më e keqe”. Rrjedhimisht, sipas “mendimit tonë”…, ajo që pason diktaturën duhet të jetë demokracia dhe jo diçka tjetër!??…, por sipas saj, “… nëse njerëzit do të ishin përpara zgjedhjes mes një diktature funksionale dhe një kaosi të shtetit të dështuar, diktatura do të ishte e keqja më e vogël”. Historia e zhvillimit shoqëror thotë se jo gjithherë despotët dhe diktatura zëvendësohet me demokracinë dhe demokratët (shembujt e tillë vijnë nga Siria, Iraku, Libia e shtete të tjera, të cilat këmbë e krye nëpërkëmbën e përjashtuan ligjet). Kësaj ndryshe i thonë anarki funksionale, qoftë ajo të hetohet në familje, në mëhallë, në institucionin e caktuar a edhe në kuadër të një partie politike. Në vijën e korrektesës, po i referohemi fjalorit të shqipes standarde edhe për nocionin e anarkisë.
ANARKI f. 1. Gjendje që krijohet në shoqëri, kur mungon pushteti shtetëror i organizuar dhe kur nuk veprojnë ligjet e rregullat e detyrueshme për anëtarët e shoqërisë; mohim i shtetit dhe i çfarëdo pushteti politik të organizuar. Anarkia feudale. Mbretëron anarkia. 2. Çrregullim që krijohet nga mungesa e drejtimit, e organizimit dhe e planifikimit; çrregullim i madh…, në një fushë. Anarkia në prodhim. Bie në anarki. Sjell (mbjell) anarki.
Një pështjellim i tillë u hetua në Partinë Demokratike që në momentin kur ajo i humbi zgjedhjet e fundit parlamentare. Këtë pështjellim më së miri e diktuan ata që dikur lindjen e kësaj partie e konceptuan si “shpëtim dhe shpresë të kombit”. Kjo anarki funksionale nuk ishte kurrgjë tjetër pos një pjellë e abuzimit të tejzgjatur të posteve nga ana e ca funksionarëve të lartë partiakë, ca prej të cilëve shkuan aq larg, saqë disa struktura të partisë politike i shndërruar në stane për të grumbulluar a sistemuar “barinj” që nuk dallojnë djathin nga gjiza, leshin nga lëkura, pelën prej kalit, dashin prej deles, delen prej qengjit, shqerrën prej kecit, kecin prej maçokut, pronarin a qehajain prej rrogëtarit…, disa nuk dalluan kryesinë e partisë prej kryeparit, kuvendin prej degës dhe nëndegës së partisë, nuk dalluan dhe nuk vlerësuan votën e sovranit, premtimin prej gënjeshtrës e të tjera. Ca prej tyre edhe e nëpërkëmbën moralin e dorëheqjes politike, jo pse nuk e bënin punën e tyre ashtu siç duhej, por pse padrejtësisht kishin zënë vendet e njerëzve të cilët dinë ta bëjnë punën ashtu si duhet.
E gjithë kjo katrahurë, lesheli apo anarki u duk a u reflektua në kuvendin e fundit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në veçanti në atë fjalimin e Lulzim Bashës. Se ishte një fjalim në veten e parë, të dytën a të tretën, se ishte një fjalim i dalëboje, letargjik, patetik dhe dëshpërues, se ishte një fjalim nostalgjik, se ishte një kopje e keqe dhe e zbehtë e asaj retorikës së doktorit, se ishte një përpjekje a alternativë e radhës për të dalë nga humnera ku kohë më parë ishte zhytur fund e majë…, se (nuk) ishte as peshk e as mish, se ishte një fjalim dënese për pushtetin e humbur, se ishte një fjalim ndjesie dhe i nxituar i dalë nga një mendje e shkapërderdhur gjithandej…, asnjeri nuk e kuptoi, por ama se ishte një retorikë që përloti “bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët” e tij, gjithsesi se ishte “me tapi!?”. Njerëzit e urtë dikur thoshin: Të gabosh pa qëllim është njerëzore, të kërkosh të falur në emrin tënd personal, është më shumë se humane, por ama të gabosh me qëllim dhe të kërkosh ndjesë në emër të të tjerëve ose edhe këtë hiç fare të mos e bësh, o është marrëzi, o është tallje me njerëzit që të shkojnë pas. E kjo e thënë ma kujton vaktin e njëmendjesisë apo diktaturën e proletariatit si dhe njerëzit të cilët vetvetes po edhe të tjerëve pranë tyre u jepnin a u ngjitnin tituj jomeritorë a të përdalë. Ditë më parë doli një kërkimfalje nga goja e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, që m’u duk njësoj si një thes mielli bosh, që sa herë që ta shkundësh, aq herë prej saj dalin krunde. Fjalimi a retorika e tij ishte njësoj si ai mentaliteti komunist i së shkuarës, një vështrim sa qesharak, po aq edhe tragjik, sa i vonuar po aq edhe… Fjalimi i Lulzim Bashës përloti edhe Majlinda Bregun, do lot që nuk dihej se kujt i dedikoheshin…, partisë, Sali Berishës, kohëve të shkuara, pushtetit absolut apo posteve të humbura. Nganjëherë këto përlotje (të paragjykuara) ta rikujtojnë ditën kur u varros Enver Hoxha. Neve na mbetet të parashtrojmë pyetjen: në atë ndjesë sa kishte me të vërtetë moral (nëse vërtet ishte ndjesë politike).
Një njeri që donte t’i ndihmojë mikut, i pat sugjeruar me fjalët – pse nuk shkon te psikiatri të kurohesh, kurse ai ia paska kthyer – nuk kam nevojë se kam zonjën në shtëpi!? Ndërkaq një proverb popullor thotë shkoqur: “Kur nuk më tirret ago baba, nuk më tirret!”. Ose ajo tjetra me kopenë e dhenve të uritura që – kur nuk duan të kullotin – kërkojnë dajakun e çobanit dhe atë thikën e kasapit!?
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 20
- Next Page »