Nga Aurenc Bebja*, Francë /
Të dielën e 9 prillit 1939, gazeta franceze « Le Temps » i ka dedikuar një hapësirë të veçantë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ajo ka botuar asokohe një seri reagimesh në lidhje me këtë ngjarje tragjike, ku bie në sy gjithashtu reagimi i atdhetarit, diplomatit, politikanit dhe patriotit shqiptar, Faik Konicës.
Gazeta shprehet se ministri i Shqipërisë në Uashington, Z. Konica, ka vizituar të premten pasdite (d.m.th, 7 prill 1939), Z. Cordell Hull (Sekretarin amerikan të shtetit), me të cilin ka diskutuar për situatën në Shqipëri.
Para takimit me zyrtarin amerikan, diplomati shqiptar i ka dërguar shtypit deklaratën e mëposhtme, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/
« Përfaqësitë shqiptare në Londër dhe Paris tashmë kanë publikuar deklaratat e tyre me të cilat natyrisht jam dakord. Unë jam shumë larg Shqipërisë dhe nuk kam asnjë lajm të drejtpërdrejtë nga qeveria ime; kështu që unë nuk kam asgjë për të thënë si ministër.
Si shqiptar dhe ish-kreu i partisë nacionaliste shqiptare, unë do të bëj një deklaratë të shkurtër : Italianët kanë shumë cilësi të admirueshme dhe janë një popull i madh, por i Plotfuqishmi, në planet e tij të fshehta, u mohoi atyre të gjithë kuptimin kalorësiak.
Në momentin kur mbretëresha po sillte në jetë fëmijën e saj, italianët goditën befasisht. Nëna u detyrua të largohet nga shtrati me një fëmijë dy ditor, dhe të kërkojë strehim jashtë Shqipërisë. Do të ishte kundër natyrës së italianëve të prisnin disa javë përpara se të bënin këtë veprim.
Ky agresion, pa asnjë provokim nga pala shqiptare, me një diferencë dyzet me një (numër banorësh) apo një mijë me një të armatosur, çfarë do t’u sjellë ? Sigurisht, asnjë përfitim me kohën dhe asnjë nder.
Një kampion i mundjes, që dëshiron të masë forcën e tij, nuk përballet me një fëmijë, por sfidon një mundës tjetër të nivelit të tij. Unë e di se italianët qeshin me këto pikëpamje (krahasime). Ne gjithmonë tallemi me atë që nuk e kuptojmë. Unë nuk besoj se dikush do të admirojë Italinë për atë që ajo ka bërë.
Ashtu si intelektualë të tjerë shqiptarë, unë ëndërroja një bashkëpunim kulturor, ekonomik dhe politik të ngushtë dhe të ndershëm me Italinë. Përgjigjeja ‘elegante’ e Italisë ndaj kësaj ëndërre është një grusht në fytyrë ! » Kortezi:https://www.darsiani.com