• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mungesa e shtetit ligjor, parajsë për kriminelët e politikës dhe biznesit!

April 17, 2015 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Padyshim që peshqit e mëdhenj të politikës, janë të lidhur me biznesmenët e papërgjegjshëm që tash e 16 vite bëjnë kontrabandë me grurin, miellin, qumështin pluhur etj! Sepse është vështirë të merresh me këto gjëra të paligjshme dhe të rrezikshme, nëse nuk qëndrojnë prapa teje njerëz të fuqishëm të politikës, që kanë interesa të përbashkëta biznesore dhe të mbrojnë prapa çdo pisllëku dhe skandali! Normal që me ndihmën e oligarkëve të politikës, prej pasluftës këto kompani kanë krijuar monopol në ekonominë e vendit, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe shtetin e Kosovës, dhe njëkohësisht duke i dëmtuar rëndë edhe bizneset e ndershme! Me këto gjëra duhet të merret drejtësia, por me që drejtësia tek ne nuk funksionon për njerëzit e fuqishëm të politikës dhe biznesit, vështirë se do ndryshojë kjo gjendje edhe për një kohë të gjatë! Kur Kosova të bëhet një shtet i fortë ligjor, atëherë të gjithë keqbërësit e politikës dhe biznesit, do të përgjigjen për të bëmat e tyre! E deri sa të bëhet shteti ligjor, ne të gjithë do të jemi vetëm spektator të veprave të tyre të paligjshme, pasurimit të mëtutjeshëm të tyre, pa pasur fuqi që t’i parandalojmë këto krime ekonomike, që e kanë lënë dhe po vazhdojnë ta lënë Kosovën të pazhvilluar ekonomisht, me papunësi shumë të madhe dhe vendin më të varfër në Evropë!

Rritja e TVSH-së i dëmton qytetarët!

Rritja e TVSH-së do t’i dëmtojë vetëm qytetarët, sepse këtë do ta shfrytëzojnë tregtarët e pandërgjegjshëm dhe do t’i ngrisin çmimet akoma më të larta, e në bazë të standartit jetësor në Kosovë, çmimet aktuale janë shumëfish më të larta, që nënkupton se shportat e qytetarëve do të jenë edhe më të varfëra seç kanë qenë deri më tash! Prandaj rritja e TVSH-së do t’i bëjë nder vetëm bizneseve të pandershme, por në anën tjetër do të sjell përkeqësim të situatës, dhe çdoherë ekziston rreziku për shpërthim të trazirave sociale, për shkak të papunësisë së lartë dhe varfërisë së madhe!

Evazioni fiskal dëmton bizneset, ekonominë dhe buxhetin e Kosovës!

Evazioni fiskal në Kosovë është në përmasa shumë të mëdha, do të thoja në masa tepër shqetësuese. Që nga paslufta në Kosovë, ekonomia joformale që llogaritet të jetë deri në 45% apo më shumë, ka dëmtuar konkurrencën e lirë të tregut, e sidomos buxhetin e Republikës së Kosovës! Evazioni fiskal e varfëron buxhetin e Kosovës, për më shumë se 1 miliard në vit! Me mbi 1 miliard euro në vit më shumë në buxhetin e Kosovës, dhe me investime të mençura në sektorin e ekonomisë, kryesisht në bujqësi, stimulimin e bizneseve të mesme dhe të vogla, brenda një periudhe 5 vjeçare, do të kishim zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe papunësia do të binte diku tek 20-25%!

Pasuria e Kosovës në duart e matrapazëve!

Nëse e shikojmë se me çfarë çmime qesharake janë shitur ndërmarrjet në Kosovë. nuk ka asnjë dyshim që prapa ndërmarrjeve të privatizuara, qëndrojnë njerëzit e politikës, sepse përmes AKM-së e më vonë AKP-së, ata përmes njerëzve që i kanë pasur anëtar të bordeve, e kanë pasur në dorë edhe vënien e çmimeve, por edhe se kujt t’i shiten
ndërmarrjet! E, fatkeqësisht pasuria e Kosovës, ra në duart e matrapazëve, që e dëmtuan ekonominë, në vend se ta zhvillojnë. Lëre që ndërmarrjet në Kosovë u shitën me çmime shumë të lira, por pas privatizimit ngelën papunë me dhjetëra mijëra punëtorë dhe shumica e tyre edhe pse kanë qenë ndërmarrje prodhuese, sot shërbejnë për gjëra të tjera! Tokat e koperativave bujqësore, në vend se të shërbenin për mbjellje, ato u shëndrruan në hekur e beton, në të cilat u bënë ndërtime banimi dhe pika karburanti!
Me një fjalë privatizimi është bërë për biznes, e jo për ta rimëkëmbur ekonominë e Kosovës! Prandaj privatizimi i ndërmarrjeve në Kosovë, duhet të rishikohet nga fillimi: se me çfarë çmimi janë blerë, kush është pronari i vërtetë, a i është ndërruar destinacioni dhe pronari a i ka përmbushur obligimet për investimet që i ka pasur si kusht dhe për rritjen e numrit të punëtorëve, në periudhën e caktuar me ligj!

Tregu i përbashkët Kosovë-Shqipëri, është domosdoshmëri!

Kosova dhe Shqipëria e quajnë njëri-tjetrin vëllezër, e në anën tjetër bëjnë tregti me Serbinë, Maqedoninë, Greqinë, Italinë etj, e më së paku mes veti! Por ky mosbashkëpunim tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, është e qëllimshme, sepse kompanitë që kanë monopol në mallërat e Serbisë, e pengojnë një gjë të tillë! Gjysma e mallit edhe kontrabandohet nga Serbia, përmes këtyre kompanive, e që e dëmtojnë rëndë buxhetin e Kosovës, që do të thotë se buxheti i Kosovës shkaku i kontrabandës, është më i varfër për 1 miliard euro në vit! Çfarë të mira i sjell Kosovës dhe Shqipërisë, nëse shkëmbejnë mallëra mes vete, ose më mirë të themi ta bëjmë një treg të përbashkët!
Shqipëria dhe Kosova, formalisht dhe joformalisht importojnë mallra nga vende të tjera diku në vlerën 10-12 miliardë euro në vit! Nëse do të bëhej një treg i përbashkët, atëherë importi do të binte përgjysmë, që do të thotë se 5-6 miliardë euro do të mbeteshin në dy shtetet shqiptare. Me këto 5-6 miliardë euro shtesë investime në vit, do të kishim një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe një zbutje të ndjeshme të papunësisë! Por siç thashë edhe më lartë, për shkak të interesave të këtyre kompanive që kanë krijuar monopol në të dy anët e kufirit, e që importojnë mallëra nga Serbia, Greqia, Maqedonia, Italia, Turqia etj, dhe padyshim që njerëzit e fuqishëm të politikës qëndrojnë prapa këtyre kompanive, pasi nuk po e bëjnë një gjë të tillë për ta hequr monopolin e krijuar nga këto kompani mafioze, e që është në të mirën e të dyja vendeve, sepse do të kishim një zhvillim të hovshëm ekonomik, një treg i përbashkët Kosovë-Shqipëri, është shumë vështirë të realizohet! Për shkak të mungesës së një shteti të fortë ligjor, pengesë e zhvillimit ekonomik si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri, është trekëndëshi kriminal, politikë-biznes-mafi!

Filed Under: Analiza Tagged With: e shtetit ligjor, faik Krasniqi, Mungesa

Ekonomia joformale dhe pastrimi i parave!

April 14, 2015 by dgreca

Shkruan:Faik KRASNIQI/
Prania e ekonomisë joformale në vend dëmton konkurrencën e lirë të tregut!
Evazioni fiskal në Kosovë është në përmasa shumë të mëdha, do të thoja në masa tepër shqetësuese. Rreth 40 deri në 45 për qind llogaritet të jetë ekonomia informale në vend, por kjo përqindje mund të jetë edhe më e lartë. Dhe kjo e dëmton shumë biznesin e rregullt në Kosovë, buxhetin e shtetit. Konsideroj se indikatorët që kanë favorizuar këtë situatë grupet e caktuara të interesit dhe disa nga bzineset që janë të lidhura direkt me oligarkët e politikës, të cilët në mënyrë indirekte janë të lidhura ngushtë me këto biznese, prej pasluftës kanë krijuar monopol në ekonominë e vendit, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe shtetin e Kosovës, dhe njëkohësisht duke i dëmtuar rëndë edhe bizneset e ndershme! Shumë prej bizneseve të ndershme shkaku i këtyre marifeteve dhe standartit të dyfishtë të aplikuar nga pushtetet e deritanishme, në raport me bizneset e lidhura ngushtë me politikën dhe bizneset e ndershme, kanë falimentuar dhe janë detyruar t’i shuajnë bizneset e tyre! Kurse një pjesë e tyre për të shpëtuar nga falimentimi, kanë zhvendosur bizneset e tyre jashtë Kosovës, pasi në ato shtete qeveritë e atjeshme, ju kanë ofruar kushte shumë të favorshme për të bërë biznes! Deri më tani Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë masa për të ulur këtë përqindje të lartë të ekonomisë joformale në vend! Nëse Qeveria e Kosovës nuk merrë masa për ta ulur këtë përqindje të lartë të ekonomisë joformale dhe shuarjen e gjitha monopoleve të krijuara në Kosovën e pasluftës, nga biznesmenët matrapazë të lidhur me peshqit e mëdhenjë të politikë, komplet ekonomia e Kosovës rrezikon të rrëshqas drejt një ekonomie që do të kontrollohet nga mafia politko-ekonomike! E nëse na ndodh një gjë e tillë, atëherë mos të presim as zhvillim ekonomik, e as zbutje të papunësisë, por do të kemi vetëm përkeqësim të mëtutjeshëm të ekonomisë dhe thellim akoma më të madh të papunësisë, sepse nga jostabiliteti ekonomik dhe me një ekonomi të dominuar dhe të kontrolluar nga mafia politiko-ekonomike, mos të presim që do kemi investime nga jashtë e as nga brenda, por do shuhen me mijëra biznese të ndershme dhe me shuarjen e tyre, do të thellohet akoma më shumë papunësia, e që mund të shkojë deri në tetëdhjetë për qind numri i të papunëve!

Sektori i ndërtimit, parajsë e pastrimit të parave!

Konsideroj që politikanët kryesorë të Kosovës, kanë lidhje me sektorin e ndërtimit në mënyra të ndryshme, për të mos thënë se më së shumti kanë lidhje me këtë sektor të ekonomisë, sepse pjesa më e madhe e biznesit të ndërtimit është kryefjalë e ekonomisë joformale. Nëse marrim parasysh pasurinë e vetëdeklaruar të politikanëve, e të gjithë e dimë se politikanët kryesorë të Kosovës posedojnë edhe pasuri marramendëse, por të fshehur, atëherë kjo tregon qartë se ata paratë e pista do t’i pastrojnë disi! E mënyra më e mirë e mundshme, sot për sot në Kosovë, është sektori i ndërtimit, ku ata më së lehti mund t’i pastrojnë paratë, pasi që pjesa më e madhe e kompanive të ndërtimit, prej pasluftës kanë qenë të lidhura ngushtë me njerëzit kryesorë të politikës, por kemi shumë kompani të ndërtimit që janë në pronësi të shumë politikanëve, por edhe në pronësi të familjarëve dhe miqve të tyre, dhe shumica e tenderëve janë marrë nga ata! Prandaj e kanë të lehtë edhe pastrimin e parave, përmes sektorit të ndërtimit, sepse prej që nga paslufta në Kosovë, kemi pasur ndërtime të shumta dhe ndërtimet s’po ndalen fare, por po vazhdojnë me intensitet shumë të lartë, e sidomos në Prishtinë, por njëkohësisht është edhe sektori më fitimprurës! Mjafton të shikojmë vetëm lagjet periferike të Prishtinës, se çfarë ndërtimesh të larta janë ndërtuar deri më tash, e me qindra ndërtesa të tjera që po ndërtohen! E kur t’ja shtojmë kësaj edhe keqpërdorimet miliardëshe të bëra për gjashtëmbëdhjet vjet rresht nga keqpërdoruesit e politikës, si në nivelin qendror por edhe në atë lokal, atëherë dyshimet bëhen edhe më të forta që prapa atyre ndërtimeve fshihet dikush, e kush tjetër pos politikanëve keqpërdorues! Vetëm kur ta kemi një shtet ligjor, me prokurori dhe gjykata të pavarura, që s’do të jenë fare të ndikuara nga politika, mund të zbardhen të gjitha krimet ekonomike dhe politike, por deri sa s’të kemi një shtet të fortë ligjor, keqpërdorimet kurrë s’do të ndalen dhe matrapazët e politikës dhe biznesit, bizneset e tyre vetëm do t’i lulëzojnë akoma më shumë, sepse do ta shfrytëzojnë mosfunksionimin e ligjit, prandaj prej përfundimit të luftës e kanë kapur drejtësinë, në mënyrë që ta keqpërdorin pushtetin në maksimum!

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe pastrimi, Ekonomia joformale, faik Krasniqi, i parave!

Të fuqishmit mbi ligjin dhe mbi shtetin!

April 10, 2015 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Edhe pse po rrezikohet popullata nga sëmundjet e rrezikshme të kancerit dhe leukemisë, e që po preken sidomos fëmijët e vegjël, deri më tash nuk kemi parë që Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë diçka, lidhur me shpërthimin e skandalit, rreth importimit të grurit të myktë, që në Serbi dhe vende të tjera përdoret për ushqim kafshësh, kurse ky miell shërben për t’u gatuar në sofrat shqiptare, në të dy anët e kufirit! Vetë qeveria e Shqipërisë dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ishte ai që ndezi alarmin për krundet e kafshëve, kur tha që Kosova po i shet Shqipërisë krunde të kafshëve! Por, ishte i njëjti ministër që erdhi në Prishtinë, dhe sigurisht nga presioni i oligarkëve të biznesit dhe politikës, në Kosovë dhe Shqipëri, e demantoi vetveten dhe tha që mielli është në rregull! E ky skandal i krundeve nga AVUK-u u mbyll me pretendimin se krundet janë në nivel dhe në përputhje me standartet evropiane! Madje AVUK-u ato krunde i cilësoj edhe më cilësore sesa në vendet e Bashkimit Evropian! Prandaj nuk besoj që Ministria e Bujqësisë do të bëj diçka për parandalimin e këtij gruri – dhe as për qumështin me pluhur që po importohet nga vendet e kontaminuara, sepse importuesit janë të lidhur ngushtë me politikën, në të dy anët e kufirit, shkaku i interesave të tyre biznesore, prandaj edhe çdo skandal mbulohet nga ana e tyre dhe në fund sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, e populli në fund dorëzohet dhe hesht, edhe pse është në pyetje shëndeti dhe jeta e tyre, e posaqërisht e fëmijëve të tyre!

Ligji nuk është i njëjtë për të gjithë!

Në Kosovë ligji nuk është i njëjtë për të gjithë! Për popullin e shkretë ligji zbatohet në përpikmëri, kurse për njerëzit e fuqishëm as që vije në shprehje, pavarësisht se çfarë krimi dhe vepra penale bëjnë ata! Në Kosovën e paluftës, të gjithë jemi dëshmitar për këtë gjë, në qindra e mijëra raste!E, mosfunksionimi i ligjit, e sidomos për njerëzit e fuqishëm të politikës dhe bizneset e lidhura ngushtë me ata, apo më mirë të themi bizneset e tyre por që janë në emrin e biznesmenëve, që i kanë krijuar vetë peshqit e mëdhenjë të politikës, kanë bërë që populli të ha çdo gjë: edhe krunde të kafshëve, edhe qumësht pluhur, ushqime të dyshimta dhe të kontaminuara, me afat të skaduar etj, sepse këta oligarkë të politikës dhe biznesit i kanë mekanizmat e tyre si AVUK-un, prokuroritë e gjykatat, që i mbrojnë prapa çdo pisllëku dhe skandali!
Deri sa nuk ekziston shteti ligjor, këto skandale që po rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, e që nga paslufta janë bërë të shpeshta sëmundjet nga kanceri dhe leukemia tek fëmijët, do të vazhdojnë akoma, sepse mungesa e shtetit ligjor krijon trekëndëshin kriminal, politikë-biznes-mafi!

Institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa!

Heshtja e institucioneve përgjegjëse, rreth këtyre skandaleve është shumë e rrezikshme, e turpshme dhe e papranueshme, sepse po rrezikohet seriozisht shëndeti dhe jeta e qytetarëve, e në veçanti po lozet me jetën e fëmijëve të vegjël dhe të porsalindurve!
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet përgjegjëse duhet të mirren seriozisht me këtë punë, dhe të bëjnë parandalimin e importimit të këtyre ushqimeve të rrezikshme, sepse me konsumimin e këtyre ushqimeve të dyshimta, të mykta, të kontaminuara dhe me afate të skaduara, tek popullata janë shpeshtuar sëmundjet e kancerit dhe leukemia tek fëmijët!

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, te fortet

Integriteti, personaliteti, respekti dhe karakteri i njeriut!

April 6, 2015 by dgreca

Opinion Nga Faik KRASNIQI/
Sot çmojmë fort njerëzit me integritet (që kanë integritet). Njeriun me integritet duan të gjithë ta kenë në familje, ta kenë komshi, ta punësojnë (së paku në kërkesën formale), ta kenë mik e bashkëqytetar. Por integriteti ka nevojë për dy shtylla të forta e jo të lehta për t’u pasur. E para është ajo që na shkon në mendje sapo përmendet shprehja “me integritet”: karakteri dhe ndershmëria. Shpesh e mbyllim këtu arsyetimin e të qenit me integritet. Por kjo nuk mjafton. Veç ndershmërisë duhet edhe dija. Ndershmëria dhe karakteri janë virtyte vetëm kur i fusin krahun dijes!

Çfarë është personaliteti?

Personaliteti mund të përkufizohet si një grup i organizuar dhe dinamik i karakteristikave të një personi. Fjala “personalitet” rrjedh nga latinishtja personalitet, që do të thotë maskë. Në mënyrë domethënëse, në teatër e Latine-flet botën e lashtë, maskë nuk është përdorur si një mjet komplot për të fshehur identitetin e një karakteri, por më tepër ishte një konventë të punësuar për të përfaqësuar ose typify që karakteri.
Shumë tipare njerëzore lidhen edhe me gjenetikën e individëve si për shembull sjelljet neurotike të cilat kanë lidhje me praninë e madhe të gjenit të serotoninës. Ajo që nuk dihet është mënyra se si tiparet e personalitetit ndikojnë në gjendjen shëndetësore të organeve të ndryshme të trupit edhe pse për këtë qarkullojnë shumë teori.

Çfarë është respekti?

Të jetosh në harmoni me të gjitha qeniet dhe objektet, pa qenë nevoja të bësh vlerësime pozitive. E keqja është e keqe dhe e mira është e mirë. Duke jetuar në harmoni me to i ke respektuar të dyja. Psh. Armiku që na dëmton është sinonim i të keqes, megjithatë duke harmonizuar veprimet dhe sjelljen tonë për kundrejt rrezikshmërisë së tij ne shfaqim respekt. Si të tillë ne i imponojmë respekt edhe armikut. Kur armiku nuk na respekton, atëherë ky është një tregues se ne kemi rënë moralisht dhe kemi humbur harmoninë me botën që na rrethon. Këtu më vjen ndërmend lufta athino-peloponese ku spartanët edhe pse dolën fitimtarë e respektuan armikun e tyre duke mos e asgjësuar atë krejtësisht.
Qytetshteti i Athinës e humbi përfundimisht luftën, lavdinë dhe prosperitetin e saj me 4o4 vjet para erës sonë, dhe mbas kësaj s’e mori më kurrë veten as lavdinë e dikurshme, por mund të kishte pësuar të njëjtin fat që pësoi Troja. Lakedhemonët (spartanët) i respektonin armiqtë ndaj dhe nuk i asgjësonin(shfarosnin) totalisht ata. Ata thjesht i dobësonin deri në atë masë sa të kishin kontrollin. Kjo njihet historikisht si meritë e tyre.
Kështu që respekti imponon respekt dhe si i tillë mund të bëhet shkas për miqësi të forta dhe të qëndrueshme. Nëse dikush nuk e vlerëson respektin tënd, atëherë kjo është e metë e tij dhe si pasojë ai e humbet vlerën por respekti për ekzistencën e tij si qenie qoftë edhe plot të meta qëndron por i kushtëzuar nga rethanat vetëmbrojtëse. Ajo e fundit “shpirtin ta qis” është shumë e ashpër dhe mizore dhe është barabartë me shfaqen e një të mete gjykimi të ashpër që veprimi i tij zbuloi tek karakteri apo qëndrimi yt. Respekt do të thotë ekuilibrim dhe harmoni me botën dhe qeniet që na rrethojnë. Psh. gjarpri dhe krokodili nuk bëhen kurrë miq, por respekti ynë për ta si qenie është detyrim moral ndaj botës (natyrës) dhe qenieve në përgjithësi. Çdo krijesë dhe qenie ka rolin e saj në jetë dhe botë. Thjesht padituria jonë na bën të pozicionohemi dhe gjykojmë gabim.

Çfarë është karakteri?

Karakteri i njeriut nënkupton veçoritë e tij psiqike (intelektuale dhe morale), sjelljet e tij, të shprehura këto në punë dhe në jetën e përditshme. Me një fjalë mund të thuhet se janë qëndrimet ndaj punës: qëndrim indiferent, përtac, i pakujdesshëm, apo qëndrim entuziast, iniciator, i kujdesshëm. Dhe qëndrimet ndaj njerëzve.
Kurse personaliteti nënkupton veçoritë e tij psiqike, sjelljet e tij, veprimtaritë e tij që e dallojnë atë person nga një tjetër. Për të joshur dikë duhet personalitet. Personalitet moral, intelektual dhe fizik. Një person me personalitet të diskutueshëm nuk mund të josh askënd. Dua të them se kur të tjerët vënë re tek ne se kemi një prirje për t’u dukur, jemi të pandershëm, jemi të pashoqërueshëm (të meta të rënda morale këto) atëherë ata jo që nuk do të na duan por do të na përbuzin. Një femër që ka një humor të gëzuar, rri e lirshme në prani të të tjerëve, ka një ndjenjë sakrifikimi, do të joshë qindra burra edhe nëse nuk është e bukur. Mjafton origjinaliteti. Biles femrat e bukura janë në disavantazh në prani të këtyre femrave. Sepse këto kanë një prirje shumë të fortë për t’u bërë interesante tipike, origjinale. Pra bashkë me këto më tërheqëse. Elementet pozitive të personalitetit janë gjakftohtësia (qetësia), vetëkontrolli i vazhdueshëm, besimi në vetëvete, origjinaliteti, ndjenja e realitetit, shpirti i humorit. Personaliteti nuk mund të fshihet. Nëse ke të meta të tjerët do të ta vënë re. Nëse nuk i ke cilësitë pozitive nuk mundesh t’i shfaqësh në marrëdhënie me njerëzit që të tjerët t’i ndjejnë ato. Napoleoni ja dedikon gjithë madhështinë dhe joshjen e tij faktit se realizoi plotësisht personalitetin e tij. Hitleri për pak sa nuk pushtoi botën sepse ushtronte joshje shumë të forta tek bashkëkombësit e vet, i sundonte ata. Edhe ju mund të fitoni një superioritet të tillë moral, intelektual dhe fizik që kushdo t’ju afrohet ta ndjejë këtë dhe të mos mund t’ju harrojë më kurrë.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Integriteti, personaliteti

‘FUKARALLEK-MASKARALLEK’

March 27, 2015 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/
Në planin familjar këto smirat ose gec-mecet ekzistojnë me shumicë kudo! Unë kam parë me bollëk këtejza dhe andejza! (shqiptare dhe jo shqiptare!). Rrugëzgjidhja më e mirë për këto është ndarja e hesapeve sipas fjalës së urtë “gardhet e mirë bëjnë fqinjë të mirë” (Good fences make good neighbours!). Por ne shqiptarët besojmë shumë në familje dhe në të afërm që është gjë e mirë në parim por që bëhet shkak i të gjitha problemeve që dëgjojmë lart e poshtë! (psh: besojmë të na ruajë kursimet që kemi punuar për vite të tëra në emigracion, punë borxhesh etj dhe kur zhgënjehemi fillojmë ankohemi!). Në qofte se hesapi është i ndarë dhe i afërmi yt qoftë vëlla ose më larg ose më afër nuk ka asnjë mundësi të të dëmtojë ty ekonomikisht atëherë pak rëndësi ka se çfarë mendon ai në kokën e tij për mua por rrjedhimisht problemet janë më të pakta! Kurrë zero, asgjëkundi nuk janë zero!
Në planin profesional – suksesin jo vetëm shqiptari por askush nuk ta fal kudo që të jesh! Suksesi arrihet me përpjekje, edukim, shkollim, punë me radhë në mënyrë të vazhdueshme! Për mua ndryshimi themelor është sa njihet ose vlerësohet suksesi juaj nga ambienti ku jeton! Këtu fillon tatëpjeta në realitetin anadollak shqiptar!
Sa e sa intelektualë të zotë me vite të tëra eksperiencë në Shqipëri, Kosovë ose nëpër botë (ndoshta edhe shumë peshq të tille), detyrohen të qëndrojnë akoma jashte shtetit. Kjo shtresë e çmuar harxhon gjithë aftësitë e tyre duke shkruar nëpër blogje ose thjesht duke bërë një punë sepse u duhet të jetojnë dhe nuk bëhet fjalë për kthim sepse ata janë të papranueshëm në realitetin/mentalitetin alien shqiptar atje poshtë! Po ashtu ka plot që ndihen të plotësuar në vetvete – sepse u është vlerësuar aftësia atje ku janë kur atdheu nuk ishte në gjendje t’i çmonte ata/ato ose kanë arritur shumë nga ana profesionale nëpër vendet ku jetojnë aq shumë sa që nuk u shkon në mendje të kthehen!
Një nga arsyet e ashpërsisë të atij realiteti është – në një vend të varfër vendi i punës është një çështje jetë ose vdekje – kjo sjell xhevaire të tjera psh: manipulim të zgjedhjeve ose politikani nuk i hap kutitë për jetë ose vdekje sepse ky deputet ditën tjetër përfundon si dominoxhi në kafene pa punë, vendi i punës shitet me para nën dorë (psh 5000 euro etj) dhe jo me meritokraci ose konkurenca midis bizneseve shkon deri në eleminime fizike dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por tek ne është më barbare (kërcet sëpata në mes të ditës!).
Kur ushtria po kalonte nepër pyll, dhe gjenerali theu një degë atëherë ushtria shkretoi pyllin). Prandaj këto vende duken sot si nje pyll i shkretuar!
Po e lë me kaq! Ndoshta e gjitha më sipër mund të përmblidhej në dy fjalë “fukarallëk- maskarallëk”!

Filed Under: Opinion Tagged With: 'FUKARALLEK-MASKARALLEK', faik Krasniqi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 17
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT