KANDIDATI REPUBLIKAN MARKO KEPI FLET PËR DIELLIN E VATRËS/
SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK/
SOKOL PAJA – DIELLI/
Marko Kepi, kandidati Republikan për Këshillin Bashkiak të New Yorkut në një intervistë ekskluzive për Diellin e Vatrës deklaron se shqiptarët janë një faktor politik i pa kapërcyeshëm në New York. Ai tregon detaje nga fushata e tij elektorale dhe beteja për zërin shqiptar dhe votën e lirë në Staten Island.
TRANSPARENCA, THEMELI I DEMOKRACISË
Vota e lirë dhe transparenca e votës janë themeli i demokracisë. Unë dhe ekipi im kërkojmë me çdo kusht që nga Komisioni i administrimit dhe numërimit të votave të na ofrojë një proces të rregullt ligjor, të ndershëm, të barabartë dhe të numerohen të gjitha votat. Sot për sot ka një situatë absurde pasi janë bllokuar 370 vota, të gjitha vota shqiptarësh. Është rast i pa precedentë. Ne si ekip dhe shtab elektoral kemi arritur të kontaktojmë me të paktën 330 prej tyre që të firmosin edhe një herë që t’u numërohet vota e tyre. Rezultati është i ngushtë. Votuesit e tjerë shqiptarë dhe mbështetësit tanë janë me pushime dhe angazhime të tjera personale dhe profesionale dhe nuk na mjaftoi afati ligjor 7 ditor për ti marrë të gjitha firmat e tyre me qëllim numërimin e votës së bllokuar. Asnjë Komision, asgjë në këtë botë nuk e ndal transparencën e votës. Ne do ti ndjekim të gjitha rrugët tona ligjore për ta kërkuar fitoren dhe votën tonë.
FUSHATA, NJË ORGANIZIM MODEL
Ne si ekip zhvilluam një fushatë spektakolare. Si kurrë më parë komuniteti shqiptar në zonën time elektorale është përfshirë fuqishëm me qëllim që të ketë zërin e tij në Këshillin Bashkiak të New Yorkut. Unë shpërndava platformën time elektorale dhe mora mendime konstruktive nga gjithë komuniteti votues dhe sidomos ai shqiptar në zonën ku garoj. Dua në veçanti të falenderoj e ti shpreh mirënjohjen time të thellë shqiptarëve fisnikë dibranë që në këtë fushatë më kanë mbështetur pa hezitim. Shqiptarët nga Dibra më kanë lënë mbresa fantastike. Në përgjithësi kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm me të gjithë shqiptarët, ndonëse kurdoherë kërkohet më shumë bashkim e bashkëpunim për të mirën e komunitetit tonë.
SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK
Nga viti në vit, nga zgjedhjet në zgjedhje, pesha dhe forca politike e shqiptarëve po rritet. Është një ndjesi fantastike. Pritshmëria është e madhe në këto zgjedhje dhe garat vijuese pasi Republikanët janë forcë politike kryesore në Staten Island dhe kryesojnë bindshëm. Asnjëherë nuk mund ta nënvlerësoj kundërshtarin pasi kjo do shkaktonte vetëkënaqësi dhe neglizhencë. Çdo kundërshtari i duhet dhënë rëndësia dhe hapësira e duhur. Si kurrë më parë në këto zgjedhje, kemi kaq shumë kandidatë shqiptarë. Në këtë fushatë ne si shqiptarë kemi bërë histori sepse është hera e parë që në Staten Island një kandidat fiton kundra makinerisë super të fuqishme të republikanëve dhe thyen zinxhirin e kandidatëve që ata kishin planifikuar me vite me radhë. Shqiptarët janë faktor real. Tashmë jemi faktor që ndryshon shifrat e fitores për shumë gara në këtë zonë zgjedhore dhe jo vetëm. Duke u rritur pesha po rritet dhe rëndësia e shqiptarëve në skenën politike në New York.
KËRKOHET BASHKIMI I SHQIPTARËVE
Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njëri tjetrin si patriotë shqiptarë. Mesazhi Im është që të bashkohemi më shumë se forca jonë do jetë shumë më shumë se sa një politikan garues, por si një komb që futet në garën e fitores. Kemi popullsinë (forcës) për 3 politikanë në këtë zonë. Duhet të krijojmë qendrën tonë Illyria House ku të ruajmë me çdo kusht traditat gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare shqiptare.
BETEJA NË KOMISION TË NUMËRIMIT
Do ta quaja shfaqje komuniste “grabitjen” e të drejtës së numërimit të votës. Ne në këtë betejë kemi treguar forcë dhe qëndrueshmëri. Nuk jemi ndalur as kthyer mbrapsht. Betejën për çdo votë shqiptare do ta zhvillojmë edhe në një kohë kur politikanët shqiptarë që kemi në Nju Jork nuk po na mbështesin sa duhet për të ruajtur votat shqiptare, ndërsa politikanët grekë na sulmuan me në krye Georgia Kontzamanis (Director of operations) në KQZ e Nju Jorkut që akoma vazhdojnë luftën për të mos u numëruar votat e shqiptarëve. Kjo betejë është për shqiptarët mbi të gjitha, jo vetëm për Marko Kepin. Sfida jonë e ardhshme është beteja kundrejtë Demokratit Sal Albanese. Sa më shpejt që të fillojmë punën do të jetë më e lehtë për komunitetin tonë për ta fituar atë betejë politike.