• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FASADA E MARTIRËVE… LOTET E PAPES

September 29, 2014 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/
“Për mua ka qenë një e papritur : un nuk e dinja se populli juaj ka vuajtur aq shumë. Pastaj rrugës nga aeroporti në shesh gjithë këto fotografi të martirëve. Si keni mundur t’i mbijetoni kaqë mundimi ?”/- PAPA Françesku/

Ditën e hënë, më 22 shtator 2014, të nesërmen e vizitës madhore të Papa Françeskut në Tiranë, dy gazeta të rëndësishme italiane, përkatësisht “La Repubblica” dhe “L’Osservatore romano” (“Vëzhguesi roman”), njëra një monument mediatik i së majtës dhe tjetra organi qëndror i Selisë së Shenjtë, në faqen e parë kishin dy fotografi të përqafimit të Papës me Dom Ernest Simonin. Është një tregues i interpretimit të thelbit të vizitës historike të Kreut të Kishës Katolike botërore në Tiranë. “La Repubblica” e titullon kështu komentin e saj : “Lotët e Papës Françesku : Mos vrisni në emër të Zotit!”. “L’Osservatore romano” kishte titullin e faqes me shkronja të mëdha e të theksuara me të zezë : “Sot kemi prekur martirët”, ndërsa kryeartikulli titullohej “Dëshmi e vëllazërim”
“Janë dëshmia dhe vëllazërimi dy kyçet që lejojnë të përceptohet kuptimi i udhëtimit të Françeskut në Shqipëri. Sa i shkurtër – as 12 orë – aq i rëndësishëm dhe i pashembullt. I rëndësishëm për Vendin, që nga Papa ka marrë një mbështetje të fuqishme e i pashembullt për sinjalin që ai ka dashur t’i lëshojë Europës dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare.”
Ideja e shkrimit është e qartë : vihen në një plan dëshmia e martirizimit të shqiptarëve nga komunizmi me harmoninë fetare që gjëndet në Shqipëri e që duhet të shërbejë si mesazh ndriçues dhe inkurajues për botën e soçme, të cfilitur nga kundërshitë dhe luftërat ndërfetare. Fotografia në mes të faqes na zbulon përparësinë që, simbas gazetës, merr motivi i parë.
Pa u zgjatur më shumë në komentimin e vizitës, mund të them se ishte një sukses i shquar i shqiptarëve dhe i shtetit të tyre, me një notë lavdërimi për organizatorët. Në këtë sukses një rol të dorës së parë pati vendosja e portreteve të 40 martirëve të besimeve fetare në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”. Ishte e para herë që opinionit publik botëror, të pranishëm idealisht e mediatikisht në Tiranën e 21 shtatorit, i zbulohet pamja rrënqethëse e krimit komunist në realitetin e Shqipërisë së mbas luftës së dytë botërore. Kryeministrit Edi Rama që, simbas fjalëve të tij, ka patur dhe ka sendërtuar këtë ide tepër të spikatur, për sa më përket, duhet t’i shkojnë përgëzimet më të sinqerta.
E quaj atë veprim si fillimin e dekomunistizimit të vërtetë të Shqipërisë. Ngritja në pjedistal, në sytë e një miku të nivelit të Kreut të Katoliçizmit botëror e të gjithë organeve të medias që e shoqëronin, e viktimave të terrorit të Shtetit komunist në mënyrë kaq të shkëlqyer, duhet të jetë një shenjë sigurie se Shqipëria politike pas komuniste ka vendosur prerë të shkëpusë çdo lidhje me të shkuarën e saj. Mendoj se ky duhet të jetë përfundimi logjik në të cilin çon një veprim i tillë. Për të gjithë ata që nuk e njohin në thellësi realitetin e Shqipërisë pas komuniste ky vendim duket i pakundërshtueshëm. Por….. për ne që jetojmë, duke e pësuar mbi shpinë çdo ditë atë realitet, dyshimi është më se i ligjshëm. Dyshimi merr shembëlltyrën e mosbesimit, si pasojë e zhgënjimeve të njëpasnjëshme që shoqëria shqiptare e kryesisht, pjesa e saj e përndjekur për gjysëm shekulli nga diktatura komuniste, ka provuar në këtë gati një të katërt qindvjeti të tjetërsimit të regjimit. Gjatë gjithë këtyre viteve, ajo pjesë ka qënë e pranishme në zbatimin në praktikë të idesë së njohur ramiziane “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë.”. Ajo ka qënë pré e demagogjisë së përbindëshme që është ushtruar mbi të dhe të drejtat e saj, duke mbetur përsëri shtresa e nëpërkëmbur, e gënjyer, e tradhëtuar, herë herë edhe nga vetë përfaqësuesit e saj.
Jo pak mund të jenë në kundërshtim me këtë paraqitje të zymtë të realitetit, por skeptikëve të kësaj tablloje do t’u lutesha të më vërtetonin të kundërtën e saj.
E kundërta do t’ishte, së pari, dhënia e dëmshpërblimeve për punën e papaguar në burgjet dhe kampet e internimit për dhjetra mijra njerëz, shumica e të cilëve nuk jeton më. Në 23 vjet Shteti shqiptar ka dhënë vetëm një këst, në rastin më të mirë dy të tillë. Ky është fakti i hidhur e, për mendimin tim, i pajustifikuar. Gjatë këtyre 23 vjetëve, në politikën shqiptare, janë miza të bardha eksponentë të saj me prejardhje të përndjekurish, madje duke marrë parasysh edhe shkollimin e moshave të reja në universitetet e Perëndimit. Disa emërime në nivele të mesme të administratës shtetërore aktuale janë përjashtime që forcojnë rregullin. Shumë prej ish të përndjekurve, për 20 vjet nuk kanë patur mundësi as të hyjnë në shtëpitë e tyre të shtetëzuara nga dhuna komuniste, madje ende sot, shumica dërmuese nuk është në gjëndje të marrë pronat e vogla, mbasi pengesat e parafabrikuara burokratike, të ndërthurura me regjimin korruptiv të drejtësisë e administratës publike, janë të pakapërcyeshme.
Nxënësve të shkollave në Shqipëri u mësohet ende historia e shtrembëruar e regjimit komunist, madje ato tekste përdoren edhe në shkollat e Kosovës. Dizinformimi komunist vazhdon si në kohën e regjimit, madje në krye të komisionit të rishkrimit të historisë para universitare, emërohet një nga historianët më në zë t’atij regjimi!!! Antikomunizmi vazhdon të quhet “armiqësor” për interesat e Vendit dhe ajo vlerë e madhe e qëndresës dhjetëvjeçare në malet e Shqipërisë së veriut, mbetet krejtësisht e panjohur.
Kasta politike vazhdon të pasurohet në mënyrë prrallore e, çuditërisht, në këtë aradhë pasanikësh të rinj nuk ka asnjë ish të përndjekur politik. Këto ishin vetëm disa nga pamjet e jetës së sotme shqiptare, në të cilën vizita e Papës Françesku, uroj të ketë kryer funksionin e një ndarësi epokash. Nëse imazhi i dhënë më 21 shtator nuk është vetëm një fasadë e ngjyrosur, për të forcuar idenë se Shteti dhe shoqëria jonë i përkasin kryekëput, në gjithë qënien e tyre botës Perëndimore, idealeve e parimeve të saj, atëherë përballimi me problemet e mësipërme bëhet i detyrueshëm e kohët e tij nuk mund të jenë ato të vërejtura në këta 23 vjet.
Portretet e martirëve të fesë në Shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” nuk janë vetëm dëshmi e kujtesës historike, si një njësi matëse e përmasave të krimit komunist, janë dhe një thirrje që buron nga vetëdija e kombit, për të dënuar haptas e pa mëdyshje këtë të fundit, jo vetëm me fjalë. Lotët e Papës Françesku, një njeri që vjen nga Argjentina, Vëndi i desaparesidëve e i diktaturës ushtarake gjakatare, kur mëson vetëm majën e ajsbergut të krimit shtetëror shqiptar nga rrëfimet e Dom Ernest Simonit apo murgeshës Marije Kaleta, nxjerrin në dukje krahasimin e dy dhunave e tregojnë se çfarë përmasash shkatërruese pati ajo në “Vendin e shqipeve”.
Dënimi i krimit komunist duhet të shkojë me të njëjtin hap me rikthimin e të drejtave të viktimave të tij, së pari atyre lëndore, si dëmshpërblimet e premtuara e të zvarrisura në “kalendat greke”. Por ai duhet të nënëkuptojë edhe rivlerësimin e së shkuarës jo komuniste, për t’i hapur rrugën jo vetëm pohimit të së vërtetës historike, por edhe paqtimit kombëtar për të cilin kemi shumë nevojë në rrugën e zhvillimit.
A do të jetë në gjëndje ideatori i vendosjes së portreteve të ndërmarrë seriozisht e sinqerisht këtë rrugë të vështirë, por të domosdoshme për të sotmen e t’ardhmen e Shqipërisë ? Pyetja mbetet pa përgjigje. Për çastin ajo nuk mund të jetë mohuese, sepse sinjalin e 21 shtatorit, deri në provë të kundërt, duhet t’a quajmë tregues të vlefshëm. Nuk mund të jetë as pohuese, mbasi argumentin nuk e gjejmë të trajtuar në asnjë nga daljet e shpeshta të Kryeministrit në qytetet e Shqipërisë apo në televizionet e saj. Premtimet për fonde publike në ndryshimin e pamjeve të qyteteve tona, në ndërtimin e rrugëve apo veprave sociale, janë të lëvdueshme e uroj që të jenë realiteti i viteve t’ardhëshme. Por pagimi i dëmshpërblimeve të ish të përndjekurve politikë duhet të ketë përparësi absolute, jo vetëm se është një borxh që Vendi i ka viktimave të komunizmit, një borxh moral e lëndor mundi, djerse, gjaku, një borxh jetësh njerëzore, që nuk paguhet as me gjithë arin e botës.
Nëse me të vërtetë ekziston prirja për të ndryshuar rrugë, për t’i dhënë përmbajtje imazhit të 21 shtatorit, duhen braktisur kriteret qesharake e mashtruese të ndjekura deri tani e të caktohet një periudhë, jo më shumë se tre vjet, për të shlyer gjithë pagesat në dobi të ish të përndjekurve politikë. Do të ishte hapi i parë i madh në kthesën e vërtetë, që duhet të pasohet edhe nga shumë masa të tjera që shkojnë n’atë drejtim. Dihen vështirësitë financiare të Shtetit, por askush nuk mund të më bindë se, në këta 23 vjet, nuk ka patur asnjë mundësi të bëhej më shumë, ka munguar vullneti politik. Një Vend, në të cilin lëvizin pasuri marramendëse miliarda dollarësh, nuk ka asnjë vështirësi të gjejë pak qindra milionë që plotësojnë dëmshpërblimet.
Nëse nuk i gjen, do të thotë se nuk don t’i gjejë e, n’atë rast do të thosha se vazhdon mashtrimi i madh e se 21 shtatori ka qenë vetëm një fasadë. I a lemë kohës të vërtetojë shpresat e dyshimet e shumta, të lindura në një ditë të madhe të historisë sonë.(Ne Foto: Papa Francesku me Martirin e gjalle, don Troshani)
Shtator 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, FASADA E MARTIRËVE

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT