• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

In memoriam Fatbardh Kupit

February 29, 2016 by dgreca

In memoriam  Fatbardh  Kupit

Nga Reshat KRIPA/*

Ditën e martë, datë 23 shkurt 2016, ora 16.30, ndërroi jetë në spitalin North Shore Hospital – Long Island, New York, një nga qëndrestarët më të mëdhenj të rezistencës antikomuniste në Shqipëri, i paepuri miku ynë Fatbardh Kupi. Ndërroi jetë po në atë spital ku 40 vjet më parë, më 7 korrik 1976,  kishte ndërruar jetë edhe ati i tij, një nga aktivistët më të shquar të çështjes kombëtare në periudhën e Luftës së Dytë botërore dhe  pas saj.

I dashur miku ynë Bardhi! Deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për fjalën tënde. Ndonëse ishe larg nga ne përsëri të ndjenim në krahun tonë  në luftën për një Shqipëri me të vërtetë demokratike me tipare perëndimore. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Çfarë të të kujtojmë më parë i dashur vëlla, Ishe pothuajse fëmi kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Nuk të thyen as internimet, as burgosjet dhe as endjet nga një krahinë e vendit në tjetrën, nga jugu në veri dhe përsëri nga veriu në jug.

Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira.  Po, Bardhi i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak Kupi, gjak fisniku dhe në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku…

 Dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. U linde dhe u burrerove në një familje të madhe krutane që brez pas brezi kishte luftuar për këtë Shqipëri dhe ti ishe krenar për prejardhjen tënde. Ja si iu përgjigje një gazetari që të kërkoi të flisje për jetën tënde në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste:

Gjatë gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e babait tim, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti fashistët me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së babait tim. Shkruani për atë se ma lehtësoni dhimbjen dhe mallin.”

 Duke lexuar këto fjalë para syve na del figura e shquar e atit tuaj, të paharruarit Abaz Kupi. E shohim atë që qysh pa mbushur 20 vjeç, të grisë flamurin turk dhe të ngrejë flamurin shqiptar me zhgabën dykrenore në mes, si pasojë e së cilës detyrohet të marrë arratinë maleve të Shqipërisë për t’i shpëtuar hordhive turke. E shohim atë me parinë e Krujës duke luftuar me bandat e Haxhi Qamilit më 1914. E shohim në vitin 1920 kur me formimin e Qeverisë Kombëtare të dalë nga Kongresi i Lushnjes, lufton kundër malazesve në Koplik së bashku me Ahmet Zogun.  E shohim si komandant i xhandarmërisë shqiptare, me gradën major, me shpalljen e Ahmet Zogut mbret i Shqipërisë, detyrë që e mbajti deri në vitin 1934

Por në një mënyrë madhështore e shohim më 7 prill 1939  ku organizoi dhe udhëhoqi rezizstencën e popullit shqiptar kundër okupacionit fashist. Me pushtimin e Shqipërisë u detyrua të emigronte në Turqi. Me hyrjen e Bitanisë së Madhe në luftë i lindi idea e organizimit të rezistencës në Shqipëri.  Kthehet në Kosovë, ku i pritur nga një figurë tjetër e shquar kombëtare, Gani Kryeziu,  takon kolonelët anglezë Stirling dhe Dayrell Oakley-Hill me ndihmën e të cilëve kthehet në Shqipëri dhe vendoset, së bashku me të vëllanë, Ibrahimin, në krye të rezistencës antifashiste, me ndihmën edhe të përfaqësuesit anglez Julian Amery.

Ishte dishepull i mendimit se shqipëtarët duhet të mblidheshin  “Pa dallim feje, krahine dhe ideje”, për të zbuar armikun e përbashkët. Për këtë, më 16 shtator 1942,  u bë një nga organizatorët  dhe pjesëmarrësit aktivë të Konferencës së Pezës ku zgjidhet anëtar i Frontit Nacional-Çlirimtar. Më 26 korrik 1943, së bashku me Mit-hat Frashërin bëhet nismëtar i Konferencës së Tapizës dhe, më 1 gusht, i Konferencës së Mukjes ku përfaqësuesit e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe ata të Ballit Kombëtar nënshkruan aktin historik të bashkëpunimit në luftë kundër okupatorit për një Shqipëri Etnike, marëveshje që ende pa iu tharrë boja, nën shtytjen e emisarëve jugosllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, u hodh poshtë nga komunistët të drejtuar nga Enver Hoxha.

Një parullë tjetër filloi të qarkullojë në rradhët e komunistëve. Ajo tashmë nuk i ngjante asaj të parës, nuk ishte për vëllazërimin e forcave politike. Kjo parullë ishte “Pushteti buron nga gryka e pushkës”. Me pak fjalë synimi i komunistëve për të marrë pushtetin me çdo kusht, duke mos marrë parasysh se një gjë e tillë donte të thoshte që shqiptarët të derdhnin gjakun me njeri-tjetrin. Dhe vllavrasja filloi.

Në këto kushte Abaz Kupi formoi Lëvizjen e Legalitetit dhe vazhdoi luftën, kësaj here në dy drejtime si kundër pushtuesve gjermanë ashtu edhe komunistëve. Në krah të forcave të tij qëndronin edhe përfaqësuesit anglez Billy McLean dhe David Smiley. Kjo vazhdoi deri më 24 tetor 1944 ku, i detyruar nga gjendja e rëndë drejt së cilës po shkonte vendi, detyrohet të largohet nga atdheu së bashku me dy djemtë, Petritin dhe Rustemin dhe të vendoset në Brindizi.

Lufta e tij për një Shqipëri të lirë vazhdon. Është ndër organizatorët e bashkimit politik të emigrantëve shqiptarë duke u bërë pjesëmarrës i “Komitetit Shqipëria e Lirë” me në krye Mit-hat Frashërin dhe më pas Hasan Dostin. Më 7 korrik 1949 emërohet president i bashkimit të forcave ushtarake, organizëm i operacioneve për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri., organizuar nga “Komiteti Shqipëria e Lirë Në vitin 1968 zhvendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku mbyll sytë në vitin 1976 në New York.

Një jetë e tillë e lavdishme nuk kishte se si të mos reflektonte edhe në jetën e Bardhit. Krenaria e tij për të atin ishte fare e ligjëshme. Por rruga nëpër të cilën ai kaloi ishte mjaft e ashpër dhe vazhdoi gjatë. Ato i filluan qysh në qershor të vitit 1939 ku së bashku me të gjithë familjen fashistët i internuan në Himarë. Por kjo nuk mjaftoi. Një urdhër tjetër i degdisi në Itali ku ndejtën më shumë se një muaj në burgun e Brindisit dhe më pas i internuan në Siena ku qëndruan deri në vitin 1942. Në atë kohë Bardhi i vogël nuk ishte më shumë se 12 vjeç.

Me vendosjen e sistemit komunist Bardhin nuk e priste gjë tjetër veçse burgosja në vitin 1945, ku qëndroi deri në vitin 1951. E internuan në ish kështjellën e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo të Himarës. Ndërkohë familja ndodhej në kampin e tmerrshëm të Tepelenës. Pas pak kohe edhe Bardhin e çuan në këtë kamp. Një ngjarje tragjike kishte ndodhur në familjen Kupi pak vite më parë. Po transferoheshin nga kampi i Beratit për në Tepelenë. Në afërsi të Përmetit, befas njëra nga makinat frenoi papritur. Njerëzit që ishin ngjeshur sipër fluturuan dhe ranë në greminë. Shumë u plagosën, Por Fadil Petrela dhe e shoqja Xhumaja, motra e Bardhit, nuk u ngritën më. Në gjirin e Xhumasë qëndronte e shtrënguar fort fëmija gjashtë muajshe që nëna e kishte mbështjellë rreth vetes për ta mbrojtur. Fëmija shpëtoi mrekullisht së bashku me  motrat dhe vëllezërit e saj.  Ishin  të internuarit që u kujdesën për rritjen e jetimëve.

Odisea e Bardhit vazhdoi më pas në kampin e internimit në Kuç të Vlorës, në Gradishtë dhe Savër ku, në vitin 1981, e arrestojnë për së dyti herë prej nga lirohet në vitin 1989, vit në të cilin komunizmi kishte marrë rrokullimën.  50 vjet të kaluara nëpër burgje dhe kampe të tmerrshme. A ka ndonjë vend tjetër  të botës ku të ketë ndodhur një tragjedi e tillë? Ne nuk e dimë. Po ta dini ju, ju lutem na i thoni. Por çudia më e madhe është pathyeshmëria e individit që nuk u përul para asnjë vështirësie të imponuar nga kriminelët e kohës.  Ky individ ishte Fatbardh Kupi.

Së fundi sistemi komunist u shemb. Vrrulli i një populli të shtypur rrëzoi përmendoren e diktatorit. Të përndjekurit politikë nga regjimi i përmbysur u grupuan në shoqatën e tyre të drejtuar nga një figurë tjetër e nderuar, plaku i urtë Osman Kazazi me një jetë të tërë në burg. Bardhi nuk mund të rinte i mënjanuar. Ai ishte nga nismëtarët e kësaj shoqate dhe u zgjodh ndër drejtuesit e saj. Me një qetësi të jashtëzakonshme dhe një pjekuri prej të urti dinte t’u jepte zgjidhje problemeve që u dilnin dhe fjala e shoqatës ishte ligj për të ardhmen e vendit. Ishte nisma e kësaj shoqate që bëri të mundur realizimin e disa të drejtave të mohuara në të kaluarën. U arsimuan një pjesë e mirë e tyre. U punësuan në detyra të rëndësishme të shtetit. U strehuan ata që kishin nevojë. U miratua edhe ligji për statusin e tyre.

Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Duke rrëzuar përmendoren e diktatorit ne menduam se, së bashku me të, kishim rrëzuar dhe shpirtin e tiranit. Por u gabuam. Ne kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti, ndërsa shpirtin e tiranit e kishim lënë të lirë të endej si hije nëpër Shqipëri dhe të përgatiste tragjedi të tjera, madje edhe më të egra. Kjo ndodhi në vitin 1997 kur falangat e përbëra nga ish-xhelatët e dikurshëm që kishin ngelur të padënuar për krimet e tyre, madje një pjesë kishin arritur majat e politikës apo pinjollët e tyre, përmbysën gjithçka të mirë që ishte ndërtuar në ato gjashtë vjet. Pasojat qenë fatale. Kudo të shihte syri vetëm djegie dhe grabitje. Viktima të kësaj tragjedie u bëmë përsëri ne. Përsëri u vramë. Hienat e kuqe filluan të vrasin bijtë tanë më të mirë që shërbenin në organet e Ministrisë së Brendëshme apo SHIK-ut. Çuditërisht asnjë ish-komunist nuk e pësoi.

Në këto kushte Bardhi nuk mund të duronte më. Ëndrra e tij për një Shqipëri të lirë dhe demokratike ishte shuar sapo kishte lindur.  Me dhimbje mori rrugën e mërgimit. Shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si ati i tij dikur. Ashtu si i ati, edhe Bardhi nuk ndenji duarkryq atje. U aktivizua në organizatën “Vatra” dhe me shqipëtarët e tjerë që ëndërronin për një Shqipëri ndryshe nga kjo që ishte vendosur dhe me këtë ëndërr i mbylli sytë në atë pasditen e 23 shkrtit 2016.

Më datën 27 shkurt 2016 trupi i tij u vendos në banesën e përherëshme ndërsa shpirti  i pastër fluturoi lart në parajsën qiellore.

*  Shoqata  Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fatbardh Kupit, In Memoriam, reshat kripa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT